ATV

Author: K.B.

  • Ish-deputeti Dugolli i ashpër me bashkëvendasin e tij që s’ia dha dorën Kurtit: S’e përfaqëson nderin e drenicasve

    Ish-deputeti Dugolli i ashpër me bashkëvendasin e tij që s’ia dha dorën Kurtit: S’e përfaqëson nderin e drenicasve

    Ish-deputeti i LVV’së, Enver Dugolli, ka reaguar ndaj një ngjarje që ka ndodhur gjatë vizitës së Albin Kurtit në Drenicë, ku një qytetar nuk ka pranuar që t’ia japë dorën.

    Dugolli është kapur me mediat që kanë raportuar për këtë gjë, duke thënë se “ e paskan “zbuluar” një person të porositur për të krijuar “lajm”’.

    Ai ka shkruar se personi në fjalë “nuk e përfaqëson nderin e drenicasve”.

    “Personi me duar në xhepa nuk e përfaqëson nderin, mikëpritjen dhe dhimbjen e drenicasve”, ka shkruar Dugolli.

    Reagimi i plotë:

    Titull “bombastik”, por që në fakt nxjerr në pah një tjetër dimension të së vërtetës.

    Në mesin e shumë drenicasve që kishin dalë për të pritur Kryeministrin, Kryeparlamentaren dhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, paskan “zbuluar” një person të porositur për të krijuar “lajm”.

    Unë, si drenicas, dhe në emër të shumë të tjerëve, e falënderojmë Kryeministrin Kurti, i cili jo vetëm tani, por në çdo përvjetor, nderon heronjtë, dëshmorët dhe viktimat civile të Drenicës. Madje, në vende ku nuk ka shkelur këmba e asnjë udhëheqësi që nga paslufta, ishte pikërisht Kryeministri Kurti ai që i nderoi me vizita dhe homazhe.

    Personi me duar në xhepa nuk e përfaqëson nderin, mikëpritjen dhe dhimbjen e drenicasve

  • Pretendime për dorëheqje në LDK, reagojnë zyrtarët e kësaj partie: Janë “fake news”

    Pretendime për dorëheqje në LDK, reagojnë zyrtarët e kësaj partie: Janë “fake news”

    Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje, janë raportuar për disa dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

    Por këto pretendime janë mohuar nga vetë përfaqësues të partisë dhe figura të saj, të cilat janë cilësuar si të pavërteta

    Në mesin e personave që u raportua se janë dorëhequr nga LDK ishin Gazmend Muhaxheri e Kujtim Shala.

    Mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar Kujtim Shala. Ai ka hedhur poshtë informacionet që qarkullonin duke theksuar se mbetet pjesë e subjektit politik.

    Ndërkohë edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi ka reaguar ndaj këtyre raportimeve duke i cilësuar si “lajme të rreme”, dhe duke theksuar se nuk ka ndarje dhe se në LDK po ndodh një bashkim më i gjerë i së djathtës.

    “FAKE NEWS – Ndarje e Kuvende të reja në LDK, FACT- Bashkimi i madh i së djathtës po ndodh”, ka shkruar Rukiqi.

  • Osmani: Qytetarët s’po i takoj vetëm këto ditë, vizitat s’janë ndalur asnjëherë – bazamenti është lidhja me ta

    Osmani: Qytetarët s’po i takoj vetëm këto ditë, vizitat s’janë ndalur asnjëherë – bazamenti është lidhja me ta

    Ish-presidentja Vjosa Osmani i ka quajtur “dezinformata” deklaratat e disa “njerëzve brenda politikës” se ajo po i takon qytetarët vetëm këto ditë, dhe se këtë nuk e kishte bërë gjatë mandatit të saj presidencial.

    Ajo publikoi një video në Facebook, ku ka ndarë edhe fotografi nga vizitat e saj brenda vendit gjatë mandatit si presidente.

    “Përshëndetje. Meqenëse ka njerëz brenda politikës që po ankohen pse po i takoj qytetarët këto ditë, e disa madje dezinformojnë se këtë nuk e kam bërë më herët, ja e vërteta”, tha ajo.

    Osmani tha se “këto vizita nuk janë ndalur asnjëherë”.

    “Përgjatë pesë viteve mandat, vazhdimisht kam vizituar komunat, kam takuar qytetarët, kam mbështetur grupet e marxhinalizuara, kam qenë pranë njerëzve të vyer e të urtë të vendit tonë. Vizita në fshatra e lagje të ndryshme, në kopshte, në shkolla, në spitale, në institucione që e mbajnë këtë shtet të fortë. Dhe po, edhe në shoqatën e zjarrfikësve. Këto vizita nuk janë ndalur asnjëherë”.

    Ajo tha se bazamenti i angazhimit të saj do të mbetet “lidhja me qytetarët”.

    “Sikurse dje, ashtu edhe sot, e mbi të gjitha në të ardhmen: bazamenti më i fortë i gjithë angazhimit tim do të mbetet pikërisht lidhja me qytetarët. Sepse Kosova është atdheu ynë i përhershëm. Shihemi në komunën e radhës”, tha Osmani.

  • Komunat në kolaps financiar: Mbi 344 milionë euro të humbura dhe 20 milionë të tjera në rrezik nga moszbatimi i vendimit të GjK

    Komunat në kolaps financiar: Mbi 344 milionë euro të humbura dhe 20 milionë të tjera në rrezik nga moszbatimi i vendimit të GjK

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka paralajmëruar për një rëndim serioz të situatës financiare të komunave në vend. Sipas tij, mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave përmes vendimeve gjyqësore gjatë periudhës 2022–2026, ku shumica lidhet me kontratën kolektive, ndërsa vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro.

    Ibrahimi thekson se barrës ekzistuese po i shtohet edhe një kosto e re prej 15–20 milionë eurosh, si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Ministria e Financave për shtesën e përvojës së punës (0.5% në vend të 0.25%) për vitet 2023–2025.

    “Përveç faktit që komunave të Kosovës tashmë u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore në periudhën 2022–2026 (ku shumica dërrmuese lidhet me kontratën kolektive), dhe vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro, situata financiare po rëndohet edhe më tej me një barrë të re prej 15–20 milionë eurosh. Kjo barrë shtesë vjen si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga ana e Ministrit Hekuran Murati dhe Ministrisë së Financave, lidhur me përllogaritjen e shtesës për përvojën e punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën 2023–2025”, tha Ibrahimi për Periskopi.

    Ai vlerëson se komunat po përballen me presion të trefishtë financiar, që po ndikon negativisht në buxhetet dhe investimet kapitale, ndërsa përgjegjësia për këtë situatë, sipas tij, i takon nivelit qendror. Ibrahimi kërkon ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës për të marrë përgjegjësinë financiare dhe për të zbatuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Kjo do të thotë se komunat po përballen me një presion të trefishtë financiar: • nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për kontratën kolektive; • nga ndikimi negativ në buxhetet komunale dhe investimet kapitale; • dhe tash edhe nga një detyrim shtesë që buron nga moszbatimi i një vendimi detyrues kushtetues. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe obliguese për të gjitha institucionet. Moszbatimi i tyre jo vetëm që cenon rendin kushtetues, por prodhon pasoja direkte financiare që në këtë rast po i barten padrejtësisht komunave. Është e rëndësishme të theksohet se komunat nuk kanë pasur asnjë rol në krijimin e kësaj situate”, shtoi ai

    “Politikat e pagave dhe zbatimi i vendimeve kushtetuese janë përgjegjësi ekskluzive e nivelit qendror. Megjithatë, në praktikë, faturat po paguhen nga buxhetet komunale, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të pushtetit lokal dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Në këtë kontekst, kërkohet një ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës që të marrë përgjegjësinë e plotë financiare për këto obligime dhe të sigurojë zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që komunat të mos penalizohen për një dështim që nuk u takon”.

  • Paraqiten para gjykatës Pacolli, Zyba e Millaku për gazin lotsjellës në Kuvend

    Paraqiten para gjykatës Pacolli, Zyba e Millaku për gazin lotsjellës në Kuvend

    Janë paraqitur në Gjykatë të akuzuarit Fitore Pacolli Dalipi, Salih Zyba e Drita Millaku për gazin lotsjellës në Kuvend.

    Sipas aktakuzës, e cila është ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

    Në aktakuzë thuhet se të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

    Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

  • Policia nis hetime lidhur me vdekjen e punëtorit në Pejë

    Policia nis hetime lidhur me vdekjen e punëtorit në Pejë

    Policia e Kosovës ka nisur hetime lidhur me vdekjen e një punëtori në Pejë.

    Në raportin 24 orësh thuhet se derisa i njëjti ka qenë duke punuar, ka pësuar lëndime dhe është dërguar në Spitalin e Pejës ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij

    “HETIM I VDEKJES – Pejë 29.04.2026-12:05. Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa ka qenë duke punuar, ka pësuar lëndime dhe është dërguar në Spitalin e Pejës ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.68 euro për litër, njëjtë si çmimi i djeshëm.

    Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

    Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.47 euro për një litër, ndërsa gazi 0.85 euro.

  • Ulutash: Situata në Kosovë e qetë, por e brishtë – kërkohet urgjentisht zgjidhje politike

    Ulutash: Situata në Kosovë e qetë, por e brishtë – kërkohet urgjentisht zgjidhje politike

    Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e sigurisë në vend mbetet përgjithësisht e qetë, por ende e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të vendit.

    Në një deklaratë nga Brukseli, pas takimeve në selinë e NATO-s, ai bëri të ditur se ka informuar ambasadorët e vendeve aleate dhe partnere kontribuuese në KFOR, si dhe është takuar me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

    Sipas tij, në këto takime është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, si dhe për prioritetet e misionit të KFOR-it, pak më shumë se dy muaj para samitit të NATO-s që do të mbahet në Ankara në korrik.

    Ulutash theksoi se angazhimi i NATO-s për sigurinë në Kosovë mbetet i palëkundur.

    “Aleatët dhe partnerët vazhdojnë të mbështesin plotësisht përpjekjet tona për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet dhe lirinë e lëvizjes”, tha ai.

    Sipas tij, misioni aktualisht përbëhet nga mbi 4600 trupa nga 31 vende, duke e cilësuar atë si një ndërmarrje kolektive të rëndësishme për stabilitetin në rajon.

    Duke folur për zhvillimet në terren, ai theksoi se që nga tetori i vitit 2025 nuk është vërejtur rikthim i dhunës si në vitin 2023, por paralajmëroi se situata mbetet e ndjeshme.

    “Që nga tetori i vitit 2025, kemi parë që siguria lokale është në përgjithësi e qetë. Nuk kemi parë rikthim të dhunës, siç pamë në vitin 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të Kosovës”.

    “Prandaj, prioriteti im është ruajtja e stabilitetit, në të mirë të të gjitha komuniteteve”, deklaroi mes tjerash Ulutash, duke shtuar se KFOR-i mban një prani të dukshme dhe fleksibile për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi dhe për të ulur tensionet në rast nevoje.

    Komandanti e cilësoi KFOR-in si një shtyllë kyçe të stabilitetit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar aleatët për mbështetjen e vazhdueshme.

    Në deklaratën e tij, komandanti Ulutash theksoi edhe nevojën urgjente për një zgjidhje politike, teksa shtoi se KFOR-i vazhdon të krijojë hapësirë që dialogu politik të ecë përpara.

    “Stabiliteti varet nga zgjedhja e të gjitha palëve për diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, jo ushtarake. KFOR-i do të vazhdojë ta bëjë punën e tij në mbështetje të këtij procesi”, tha ai.

    Komandanti i KFOR-it nënvizoi se NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ai përfundoi se KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e hapësirës për avancimin e dialogut dhe në ruajtjen e stabilitetit, në funksion të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonit.

    “Një rrugë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse përpara është ajo që duhet të vazhdojmë ta ndjekim, së bashku, për një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Dhe për stabilitetin rajonal”, u shpreh komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash.

  • Endrit Thaçi shpërndan banerin për çlirimtarët “sillni ata në shtëpi”

    Endrit Thaçi shpërndan banerin për çlirimtarët “sillni ata në shtëpi”

    Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërndarë në Instagram një fotografi të një baneri të vendosur në kryeqytet në mbështetje të çlirimtarëve.

    Në baner shkruhet: “Çlirimtarët, sillni ata në shtëpi”.

    Fotografinë e këtij mesazhi Endriti e publikoi në llogarinë e tij.

  • Ramush Haradinaj përkujton Ilaz Kodrën: Ishte frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit

    Ramush Haradinaj përkujton Ilaz Kodrën: Ishte frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka përkujtuar sakrificën heroike të komandantit Ilaz Kodra dhe 29 bashkëluftëtarëve të tij, në 27-vjetorin e përjetësisë.

    Përmes një postimi në Facebook, kreu i Aleancës thotë se Kodra ishte ndër luftëtarët më të shquar të luftës çlirimtare, frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit.

    “Dje i kujtuam me respekt dëshmorët Jakub Demaliaj e Bilall Mazrekaj, ndërsa sot përulemi me nderim para sakrificës heroike të komandantit Ilaz Kodra dhe 29 bashkëluftëtarëve të tij, në 27-vjetorin e përjetësisë. Komandant Ilaz Kodra ishte ndër luftëtarët më të shquar të luftës çlirimtare, frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit. Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën kur ra heroikisht Luani dhe u plagos Rafet Rama”, ka shkruar Haradinaj

    “Më 30 prill 1999, ai dhe bashkëluftëtarët e tij luftuan me trimëri kundër disa brigadave të ushtrisë pushtuese serbe, duke e kthyer rrjedhën e historisë në favor të lirisë së Kosovës. Lavdi e përjetshme komandant Ilaz Kodrës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, përfundon postimi.