ATV

Author: K.B.

  • Këshilltarja e Kurtit shkruan në “X” për krizën politike si pronare e së vërtetës, fajet ia hedh opozitës

    Këshilltarja e Kurtit shkruan në “X” për krizën politike si pronare e së vërtetës, fajet ia hedh opozitës

    Këshilltarja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Fëllënza Podrimja, ka shkruar në “X” për krizën politike në vend dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme si rezultat i dështimit të zgjedhjes së presidentit.

    Pordimja ka thënë “të vërtetën” e saj lidhur me situatën duke fajësuar PDK’në dhe LDK’në dhe sipas saj çfarëdo interpretimi tjetër është i pavërtetë.

    “Në zgjedhjet e fundit, LVV, partia e Albin Kurtit fitoi 51.1% të votave dhe kështu qeveria nuk kishte ndërmend të shkonte në zgjedhje të reja. Fatkeqësisht, opozita as nuk donte të propozonte një kandidat për president dhe as të votonte për kandidatin tonë jopartiak. Për më tepër, (13%) LDK refuzoi një marrëveshje politike sipas së cilës do të kishte marrë pozicionin e Zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tre ministri të tjera sipas zgjedhjes së saj. Të gjitha interpretimet e tjera janë mashtruese”, ka shkruar ajo.

    Podrimja ka thënë se LDK s’ka propozuar zyrtarisht kandidat dhe se vetëm ka mbajtur nënshkrimet në letër.

    “LDK nuk propozoi zyrtarisht një kandidat; ajo thjesht mbajti një letër të nënshkruar nga 15 deputetët e saj para kamerave të medias. Ata nuk e emëruan ish-presidentin Osmani.PDK nga ana e tyre zgjodhi të bojkotonte.Këto zgjedhje të parakohshme janë një dëshmi e pakënaqësisë së thellë që partitë e opozitës kanë ndaj shumicës së njerëzve që votuan për qeverinë tonë reformiste, progresive dhe të ligjit dhe rendit”, ka shkruar ajo.

  • Clark: Jam krenar me popullin e Kosovës – dërgon edhe një mesazh për qeverinë

    Clark: Jam krenar me popullin e Kosovës – dërgon edhe një mesazh për qeverinë

    Për tri ditë radhazi në Prishtinë po mbahet konferenca e investitorëve amerikan.

    Kjo po shihet si një mundësi strategjike për të tërhequr investime të huaja dhe për të përshpejtuar punën në infrastrukturën në kryeqytet, raporton KosovaPress.

    Këto investime me theks të veçantë u përmendën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

    Para të pranishmëve, përmes një videoje, ka dërguar një mesazh edhe gjenerali Wesley Clark, i cili tha se është krenarë me popullin e Kosovës.

    “Ajo që shpresojmë në Kosovë, është një mbështetje e fortë, e fortë nga komuniteti ndërkombëtar për investimet e huaja direkte në Kosovë. Ato janë burimi jetik për të çuar vendin përpara. Ne i kishim në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 19-të. Ne nuk do të ishim bërë kurrë fuqia industriale që u bëmë pa investimet franceze, britanike dhe gjermane në hekurin, çelikun dhe hekurudhat amerikane. Në Kosovë do të jetë ndryshe. Ju keni burime të jashtëzakonshme të linjitit me cilësi të ulët, por shumë të vlefshëm. Ato po digjen aktualisht, por shumë gjëra mund të bëhen me to. Keni një komunitet të mrekullueshëm bujqësor. Keni ekologji të shkëlqyer. Keni male, qendra skijimi. Ka një potencial të mrekullueshëm për investime të huaja direkte në të gjitha këto fusha. Dhe sigurisht, ne kemi nevojë për reziliencë në të gjithë infrastrukturën. Është e vetëkuptueshme që nuk e di kurrë se çfarë do të ndodhë në botë. Prandaj kur flasim për energji elektrike, ujësjellës komunal, furnizime energjetike në përgjithësi, rezilienca është një mundësi e madhe investimi për Kosovën”, ka thënë ai.

    Tutje, gjenerali Clark pati edhe një mesazh për qeverinë.

    “Dua gjithashtu të them se mendoj që qeveria ka një rol të madh për të luajtur, së pari në krijimin e një ambienti të mirë këtu, duke mirëpritur investitorët, duke ofruar mbështetje qeveritare, dhe gjithashtu aftësinë për të bërë partneritete publiko-private. Pra, të gjitha këto duhet të jenë në tryezë këtë mëngjes. Jam shumë krenar për popullin e Kosovës. Ju keni përballuar shumë gjatë viteve 1980 dhe 1990. Ju e keni fituar lirinë dhe shtetësinë tuaj. Dhe kam qenë shumë i kënaqur ta shoh këtë, shumë krenar që jam kthyer dhe të jem i lidhur me shumë prej jush”, tha ai.

  • Firmoset marrëveshja për anijet ushtarake shqiptare, Nufi: 400 të punësuar, do të prodhojmë për vete dhe për eksport

    Firmoset marrëveshja për anijet ushtarake shqiptare, Nufi: 400 të punësuar, do të prodhojmë për vete dhe për eksport

    U nënshkrua këtë të mërkurë marrëveshja mes shoqërisë italiane Ficantieri, një nga kompanitë më të mëdha të ekselencës në Evropë dhe kompanisë KAYO, për të prodhuar në Shqipëri, në kantierin e Pashalimanit anije lundruese në dobi të ushtrisë shqiptare, por dhe të vendeve aleate.

    Drejtori i KAYO, Ardi Veliu, në fjalën e tij tha se kjo marrëveshje do të ndihmojë në modernimzimin e ushtrisë shqiptare, shkruan A2 CNN.

    Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, u shpreh se falë këtij bashkëpunimi do të përfitojë ushtria por edhe ekonomia shqiptare. “Është një vlerë e shtuar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për eksportin. Nga ky bashkëpunim ka disa vlera strategjike. Shqipëria bëhet një bazë e re evropiane e Ficantieri për anijet e vogla dhe të mesme”, tha ai.

    “Rreth 400 persona do të punësohen në këtë kantier të ri. Është një kantier i fjalës së fundit të teknologjisë që do të zhvillohet në Vlorë. Jam i bindur që kjo shoqëri e re që do të krijohet do të jetë krenari për ne”.

  • I keni në oborr, por nuk e dini sa të rrezikshme janë: Bimët e bukura që mund të jenë helmuese

    I keni në oborr, por nuk e dini sa të rrezikshme janë: Bimët e bukura që mund të jenë helmuese

    Nga lulet e bukura deri te kokrrat që tërheqin fëmijët dhe kafshët shtëpiake, disa bimë dekorative mund të jenë seriozisht helmuese

    Në shikim të parë, gjithçka duket si nga revistat. Një kopsht i rregulluar, lule shumëngjyrëshe, aroma që përhapen nëpër hapësirë. Megjithatë, pas kësaj pamjeje shpesh fshihet diçka për të cilën rrallë mendohet. Disa nga bimët më të bukura, të cilat njerëzit me vetëdije i sjellin në oborr, mund të jenë seriozisht helmuese.

    Problemi është se rreziku nuk duket si rrezik. Përkundrazi, duket tërheqës. Ngjyra të ndezura, kokrra të vogla, lule të buta. Pikërisht ato që më së shumti i tërheqin fëmijët, por edhe kafshët shtëpiake, të cilat instinktivisht e eksplorojnë hapësirën.

    Bimët që duken të padëmshme, por nuk janë

    Shumë prej këtyre bimëve njerëzit i blejnë sepse janë dekorative, pa qenë të vetëdijshëm se çfarë po fusin në hapësirën e tyre. Disa prej tyre madje ngjajnë me bimë të ngrënshme, gjë që e shton edhe më shumë rrezikun.

    Mezereoni (Daphne mezereum), për shembull, lulëzon herët dhe duket si zbukurim ideal. Më vonë zhvillon kokrra të kuqe, të cilat lehtë mund të mashtrojnë, sepse ngjajnë me rrush pa fara. Problemi është se edhe një sasi e vogël mund të shkaktojë pasoja serioze.

    Chrocusi vjeshtor (Colchicum autumnale) është një tjetër shembull i bimës që lehtë mund të mashtrojë. Në pranverë ngjan me hudhrën e egër, ndërsa në vjeshtë lulëzon si shafrani. Pikërisht kjo ngjashmëri çon te gabimet më të rrezikshme.

    Shiu i artë (Laburnum anagyroides), me lule të verdha, zakonisht në tufa të varura, të gjata, shumë dekorative, shpesh është ndër zgjedhjet e para për shkak të luleve të verdha tërheqëse. Megjithatë, bishtajat e tij ngjajnë me bizele ose fasule, gjë që është veçanërisht e rrezikshme në familjet me fëmijë.

    Rreziku që shpesh është fare pranë

    Tisi evropian (Taxus baccata) është një nga bimët më të zakonshme në oborre dhe parqe, por pak kush e di se pothuajse e gjithë bima është helmuese. I vetmi pjesë që nuk është e rrezikshme është mbështjellësi i kuq i frutit, ndërsa fara, gjilpërat dhe lëvorja mund të jenë shumë të dëmshme, sidomos për kafshët.

    Zambaku i luginës (Convallaria majalis), që shpesh lidhet me pranverën dhe me simbolikën e butësisë, po ashtu mbart rrezik. Gjethet e tij lehtë mund të ngatërrohen me hudhrën e egër, ndërsa më vonë zhvillon kokrra që fëmijëve mund t’u duken si diçka që mund ta provojnë.

    Çfarë duhet shmangur në oborr

    Nëse keni fëmijë të vegjël ose kafshë shtëpiake, ka bimë që kërkojnë kujdes shtesë ose që është më mirë të shmangen plotësisht. Në mesin e tyre janë mezereoni, chrocusi vjeshtor, shiu i artë, tisi, zambaku i luginës, por edhe helmarina, kukuta, ricini dhe lloje të tjera që përmbajnë toksina të fuqishme.

    Thelbi nuk është që kopshti të jetë i zbrazët ose steril, por të jetë i sigurt. Bukuria e hapësirës nuk duhet të vijë me çmimin e rrezikut. Mjafton pak informim para blerjes dhe vetëdija se ajo që duket më e bukur, ndonjëherë mund ta fshehë edhe rrezikun më të madh.

  • U sulmuan me sprej dhe iu dëmtuan gomat e veturës me thikë, Policia në kërkim të të dyshuarve në Obiliq

    U sulmuan me sprej dhe iu dëmtuan gomat e veturës me thikë, Policia në kërkim të të dyshuarve në Obiliq

    Policia e Kosovës ka njoftuar se janë sulmuar me sprej dy person në Obiliq.

    Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën, në ora 19:25.

    “Dy viktimat meshkuj kosovarë kanë raportuar se janë sulmuar me sprej nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë si dhe janë dëmtuar me thikë gomat e veturës së tyre”, thuhet në raport.

    Viktimat kanë marrë tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit gjenden në kërkim policor.

  • Përplasja e titanëve të teknologjisë për OpenAI: Çfarë pritet të zbulojë Mira Murati në gjykatë?

    Përplasja e titanëve të teknologjisë për OpenAI: Çfarë pritet të zbulojë Mira Murati në gjykatë?

    Gjykimi që përball dy themeluesit e OpenAI, Elon Musk dhe Sam Altman ka filluar në Kaliforni, me palët që paraqesin rrëfime të kundërta rreth historisë së kompanisë dhe detyrimeve ndaj konsumatorëve.

    Në gjyq pritet të dëshmojnë jo vetëm Musk dhe Altman, por edhe emra të tjerë të mëdhenj të teknologjisë, e mes tyre edhe shqiptarja Mira Murati, ish-drejtoreshë e Teknologjisë e OpenAI.

    Në dokumentin me listën e dëshmitarëve, të lëshuar nga Gjykata e Distriktit Verior të Kalifornisë, thuhet se Murati do të dëshmojë lidhur me aktivitetet fitimprurëse të OpenAI dhe marrëdhënien e me Microsoft.

    Te pjesa mbi përmbajtjen thelbësore të dëshmisë thuhet se Murati, në cilësinë e ish-zyrtares do të dëshmojë për strukturën dhe funksionimin korporativ të OpenAI, përfshirë vendimin për të filluar komercializimin e modeleve të saj.

    Ajo gjithashtu do të japë dëshmi për bashkëpunimin ndërmjet OpenAI dhe Microsoft, si dhe për mungesën e dijenisë nga ana e Microsoft lidhur me detyrimet e pretenduara ndaj Musk dhe çdo shkelje të mundshme të këtyre detyrimeve.

    Për më tepër, Murati do të deklarohet edhe mbi mbështetjen e Microsoft ndaj OpenAI gjatë shkarkimit të Altman në nëntor 2023 dhe riemërimit të pasuesit të tij.

    Kujtojmë se Murati dha dorëheqjen në shtator 2024.

    Gjashtë muaj më pas, ajo prezantoi Thinking Machines Lab, një startup inovativ të dedikuar për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

  • Më shtrenjtë se vitin e kaluar, prodhimet bujqësore rriten për 5.8 për qind

    Më shtrenjtë se vitin e kaluar, prodhimet bujqësore rriten për 5.8 për qind

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi duke treguar një rritje të përgjithshme të çmimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit

    Çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë janë rritur krahasuar me vitin e kaluar.

    Sipas të dhënave të fundit, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, indeksi i përgjithshëm i çmimeve ka shënuar rritje prej 5.8 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

    Rritja më e madhe është vërejtur te prodhimet bimore, të cilat janë shtrenjtuar për 7.0 për qind. Në këtë kategori përfshihen drithërat, perimet, patatet, pemët dhe bimët foragjere.

    Ndërkohë, edhe prodhimet blegtorale kanë shënuar ngritje të çmimeve për 4.9 për qind. Në këtë grup hyjnë kafshët për treg, si gjedhet, delet, derrat dhe pulat, si dhe produktet si qumështi, vezët dhe mjalti.

    “Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro, kurse njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”.

    Rritja e çmimeve tregon se sektori i bujqësisë po përballet me kosto më të larta të prodhimit dhe lëvizje të vazhdueshme në treg, çka pritet të reflektohet edhe te konsumatorët.

  • Rrëzohet aeroplani në aeroportin e Australisë, dy të vdekur

    Rrëzohet aeroplani në aeroportin e Australisë, dy të vdekur

    Dy persona kanë vdekur pasi një aeroplan i vogël u rrëzua në një hangar në një aeroport në Australinë Jugore, thonë autoritetet.

    Avioni shpërtheu në flakë në aeroportin Parafield në Adelaide pasi u rrëzua të mërkurën pasdite sipas orës lokale, shkruan BBC.

    Kryeministri i Australisë Jugore, Peter Malinauskas, shkroi në mediat sociale se disa persona të tjerë janë plagosur.

  • Haxhiu ka veç 10 ditë kohë për të caktuar datën e zgjedhjeve, thotë Cakolli

    Haxhiu ka veç 10 ditë kohë për të caktuar datën e zgjedhjeve, thotë Cakolli

    Eugen Cakolli nga KDI ka deklaruar se Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka afat 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-në.

    Përmes një postimi në Facebook, Cakolli po ashtu thekson se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por jo më herët se 30 ditë, nga shpërndarja e Kuvendit.

    “Megjithatë, afati 10-ditor i U.D. Presidentes për shpalljen e zgjedhjeve nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori”, ka shkruar ai.

    Por, sipas Cakollit, vet shkuarja në zgjedhje të reja prodhon pasojat e mëposhtme institucionale:

    – Me shpërndarjen e Kuvendit, ka përfunduar edhe mandati i Qeverisë.

    Nga mesnata e mbrëmshme, Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe veprimtaria e saj kufizohet vetëm në punë të domosdoshme dhe të planifikuara sipas buxhetit (që ka pasur mangësi të shumta) dhe planit vjetor (që nuk është publik). Qeveria nuk mund të propozojë më projektligje të reja, strategji apo dokumente tjera politike, nuk mund të iniciojë emërime në pozita publike dhe nuk mund të ndërmarrë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi.

    – Projektligjet në procedurë parlamentare rikthehen në pikën zero.

    Në Kuvend kanë qenë rreth 30 projektligje në shqyrtim. Me shpërndarjen legjislaturës, këto nuk vazhdojnë më tutje, meqë i gjithë procesi legjislativ duhet të rifillojë nga pika zero pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

    – Raportet e institucioneve të pavarura mbesin pa shqyrtim.

    Asnjë raport vjetor i institucioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit nuk është miratuar. Me mungesën e Kuvendit funksional, këto raporte mbesin pezull dhe nuk trajtohen deri në krijimin e legjislaturës së re, duke pamundësuar llogaridhënien.

    “Pra, deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e institucioneve të reja – që do të marrë kohë të paktën tre-katër muaj – shteti do të jetë në pauzë”.

  • Punëtorët e Trafikut Urban protestojnë për 1 Maj

    Punëtorët e Trafikut Urban protestojnë për 1 Maj

    Punëtorët e Trafikut Urban të Prishtinës do të protestojnë me 1 Maj.

    Përfaqësuesi i Sindikatës së Trafikut Urban Shaip Selmani u ka dërguar ftesën [punëtorëve që t’i bashkohen protestës me datën 1 maj në ora 12:00.

    Qëllimi i kësaj proteste është ngritja e shqetësimeve dhe kërkesave të punëtorëve lidhur me kushtet e punës, përmirësimin e mirëqenies se tyre dhe respektimin e te drejtave te garantuara.”, thuhet ndër tjerash në njoftim.