ATV

Author: K.B.

  • U.d i Kryeprokurorit të Mitrovicës: Me tre prokurorë është e pamundur të përballohen seancat gjyqësore

    U.d i Kryeprokurorit të Mitrovicës: Me tre prokurorë është e pamundur të përballohen seancat gjyqësore

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha, ka deklaruar se mungesa e prokurorëve po ndikon drejtpërdrejt në përfaqësimin e lëndëve në gjykatë.

    Rexha ka theksuar se gjatë vitit 2025 Prokuroria nuk ka qenë në situatë të favorshme në raport me gjykatën, për shkak të dallimit në numër mes gjyqtarëve dhe prokurorëve.

    “Vitin 2025 nuk kemi qenë në situatë mirë në raport me gjykatën se numri i gjyqtarëve është më i madh në krahasim me numrin e prokurorëve. Kështu që në këtë aspekt edhe ne nganjëherë ju kemi bë pengesë për me mund me i zhvillu seancat gjyqësore”, ka thënë Rexha.

    Ai ka bërë të ditur se në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatë funksionojnë katër deri në pesë gjyqtarë, ndërsa në Prokurori janë vetëm tre prokurorë.

    “Në Departamentin e Krimeve të Rënda i kemi veç tre prokurorë. Mirëpo ,është për t’u theksu se para disa ditësh kam pranuar një e-mail nga kryetari i Gjykatës, me të cilën më informon se nga data 1 për 2026 do t’i ketë tre gjyqtarë në Deepartamentin e Krimeve të Rënda, që nënkupton se numri i përgjithshëm i tyre duhet me qenë shtatë apo tetë në raport me numrin e tre prokurorëve”, ka deklaruar ai.

    Sipas Rexhës, me këtë numër aktual të prokurorëve është e pamundur të përballohet përfaqësimi i lëndëve brenda një kohe të arsyeshme.

    “Tash me këtë numër sa ne e kemi në Departament të Krimeve të Rënda është e pamundur që të mund t’ju dalim në kohë të arsyeshme në përfaqësim të tyre në seancat gjyqësore. Mirëpo ne do të bëjmë përpjekje për aq sa kemi mundësi. Po kjo është e pamundur që me tre prokurorë t’i përmbyllin shqyrtimet gjyqësore për aq sa paraqitet nevoja prej gjykatës”, ka theksuar ai.

    Rexha ka pranuar gjithashtu se shpesh ndodh që një prokuror të ftohet në disa seanca në të njëjtën kohë.

    “Është e vërtetë ajo. Ne kemi këtu raste të shpeshta, mirëpo unë ashtu ju kam thënë prokurorëve të mi se mjafton që të marrim procesverbalin, të kemi një arsye dhe të arsyetohemi para gjyqtarit, sepse nuk mundem me u paraqit në një seancë gjyqësore për faktin se jemi zënë në një tjetër”, ka thënë ai./“Betimi për Drejtësi”.

  • SHBA do të lëshojë pasaporta me imazhin e Trumpit për 250-vjetorin e Pavarësisë

    SHBA do të lëshojë pasaporta me imazhin e Trumpit për 250-vjetorin e Pavarësisë

    SHBA do të fillojë së shpejti të lëshojë pasaporta që përmbajnë imazh të Presidentit Donald Trump brenda, tha të martën një zyrtar i Departamentit të Shtetit, raporton CNN.

    Zyrtari tha se kjo pasaportë “do të jetë pasaporta standarde që lëshohet nga Agjencia e Pasaportave në Washington kur të jetë e disponueshme” për ata që rinovojnë pasaportat e tyre personalisht në atë vend.

    “Opsionet online ose vendndodhjet e tjera do të vazhdojnë të përdorin dizajnin ekzistues të pasaportës” shtoi zyrtari.

    Prania e imazhit të Trump në pasaportat e SHBA-së është rasti më i fundit – dhe më i rëndësishmi – i përdorimit të figurës së tij për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së. Ndryshe nga një monedhë përkujtimore apo një leje për park kombëtar, një pasaportë amerikane është një formë identifikimi e njohur ndërkombëtarisht dhe zakonisht është e vlefshme për 10 vjet.

    Sipas një modeli demonstrues të pasaportës, fytyra e Trump dhe nënshkrimi i tij me ngjyrë ari do të shfaqen në pjesën e brendshme të kopertinës.

    “Ndërsa Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e Amerikës në korrik, Departamenti i Shtetit po përgatitet të nxjerrë një numër të kufizuar pasaportash amerikane të dizajnuara posaçërisht për të përkujtuar këtë rast historik” tha të martën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.

    “Këto pasaporta do të përfshijnë vepra arti të personalizuara dhe imazhe të përmirësuara, duke ruajtur njëkohësisht të njëjtat veçori sigurie që e bëjnë pasaportën amerikane një nga dokumentet më të sigurta në botë” shtoi ai.

    Departamenti i Shtetit do të fillojë të lëshojë këto pasaporta këtë verë. Nuk është e qartë se sa prej tyre do të lëshohen.

    Sipas modelit demonstrues të pasaportës, kopertina e pasme do të shfaqë një imazh nga piktura “Deklarata e Pavarësisë” nga John Trumbull.

  • “Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm, mjaftojnë gabimet e politikanëve”, Pacolli shkruan pas zhvillimeve të fundit

    “Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm, mjaftojnë gabimet e politikanëve”, Pacolli shkruan pas zhvillimeve të fundit

    Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas shpërndarjes së Kuvendit, dhe shkuarjes me automatizëm në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas dështimit për të zgjedhur shefin e shtetit.

    Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka ndarë një mendim të një mendimtari të pjekur nga Kosova, i cili thotë se vendit dëmin më të madh, sipas tij, po ia bën vetë politika vendore.

    “Sikur në qendrat më armiqësore ndaj Republikës së Kosovës të hartohej një strategji për ta dëmtuar vendin, vështirë se do të dilte diçka më e dëmshme sesa ajo që po prodhon sot vetë politika vendore”, ka shkruar Pacolli.

    Pos tjerash, Pacolli shtoi se mendimtari tha po ashtu se në disa raste, sipas tij, duket sikur Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm, mjaftojnë gabimet dhe qasja e politikanëve të saj.

    “Këtë mendim ma shprehu një mendimtar i pjekur nga Kosova, dhe besoj se në thelb qëndron i vërtetë”.

  • Musliu e bindur: PDK do të dalë e para në zgjedhje

    Musliu e bindur: PDK do të dalë e para në zgjedhje

    Ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu është shprehur e bindur se kjo parti do të dalë e para në zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen së shpejti pas shpërndarjes së Kuvendit.

    Ajo tha se ky subjekt politik meriton kthimin në pushtet jo për partinë, por për ta çuar Kosovën në drejtimin e duhur, tha në Klankosova.

    “PDK kësaj radhe do të dalë e para, aktiviteti i PDK-së është i dëshmuar. PDK meriton kthimin në pushtet jo për të qenë PDK por për ta drejtuar Kosovën në drejtimin e duhur, sepse fatkeqësisht prejse ne nuk jemi në pushtet Kosova nuk ka parë më ditë të bardha, ka mbetur aty ku e kemi lënë”, deklaroi Musliu.

  • Ambasada Britanike përgënjeshtron Feride Rushitin, mohon se e ka përkrahur për Presidente

    Ambasada Britanike përgënjeshtron Feride Rushitin, mohon se e ka përkrahur për Presidente

    Ambasada Britanike në Kosovë ka mohuar se ka përkrahur kandidaten e VV-së për president. Ambasada thotë se nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë.

    “Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë.”

    Kështu është deklaruar Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar pas pretendimit të shpalosur mbrëmë nga kandidatja e Vetëvendosjes për presidente të vendit, Feride Rushiti, se ishte ambasada britanike që e mbështeti kandidaturën e saj për presidente të vendit.

    “Vërejmë se partitë kanë tentuar dhe kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës, dhe si rezultat Kosova do të mbajë zgjedhje të reja kombëtare. Ashtu si në zgjedhjet e tjera të fundit, ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha partitë që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, si dhe të zhvillojnë fushatën në mënyrë konstruktive dhe me respekt. Është rol ekskluziv i partive politike të diskutojnë dhe të propozojnë kandidatë të mundshëm për zgjedhje. Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë” – thuhet në përgjigjen e ambasadës për gazetën Nacionale.

    Kandidatja e VV-së, Feride Rushiti, dje nga foltorja për media e Presidencës së Kosovës dhe në praninë e kryeministrit tash në detyrë, Albin Kurti, tha se përkrahjen dhe mbështetjen për të marrë postin e parë të shtetit, e kishte marrë “nga partnerët ndërkombëtarë” duke iu referuar në veçanti “ambasadës angleze.”

    Pyetur nga gazetarët se “kush janë këta partnerë ndërkombëtarë?” që e çuan para të kandidohet për presidente, ajo tha britanik “që më mbështesin qe disa vite.”

    “Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë “jo.” Sepse kam mendu që ka me pas zgjidhje politike. Pastaj sot kam qenë edhe me ambasadoren amerikane në kontakt. Më kanë përuruar për guximin që e kam marrë. Unë edhe jam “grua e guximshme” prej Departamentit të Shtetit amerikan,” tha ajo.

  • Haradinaj: Mbrëmë fitoi Kushtetuta e u përmbys autokrati Kurti, AAK bashkëpunoi ndershëm, tjerët u dehën pas pushtetit

    Haradinaj: Mbrëmë fitoi Kushtetuta e u përmbys autokrati Kurti, AAK bashkëpunoi ndershëm, tjerët u dehën pas pushtetit

    Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar pas dështimit të zgjedhjes së presidentit dje, duke thënë se ‘’mbrëmë ka fituar Kushtetua dhe ligji përballë populistit Albin Kurti’’.

    Haradinaj, më tej, ka thënë edhe se, mbrëmë është përmbysur ‘’koncepti i partisë-shtet’’, dhe ‘’autokrati’’ Kurti.

    ‘’ Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj, kemi qenë bashkëpunues e të ndershëm sa s’ka për ta kaluar këtë krizë politike, por të tjerët ishin dehur pas pushtetit duke e harruar shtetin’’, ka shkruar Haradinaj mes tjerash.

    Postimi:

    Të dashur qytetarë të Kosovës,

    Mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë populistit Albin Kurti.

    Ka fituar vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik e faktorit politik se nuk do të lejohet shkatërrimi i rendit politik e kushtetues të vendit.

    Ka fituar koncepti se nuk ka individ e as parti që mund ta rrezikojë ekzistencën e shtetit.

    Megjithëse me ditën e djeshme Kosova i ka rrumbullaksuar gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet, prej sot nis një etapë e re për shtetin.

    Mbrëmë është përmbysur koncepti i partisë-shtet, ku një individ provon të bëhet mbret. Është përmbysur autokrati Albin Kurti.

    Tash fjalën e ka sovrani, i cili mban mend e nuk falë.

    Vendimmarrja i është kthyer atij.

    Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj, kemi qenë bashkëpunues e të ndershëm sa s’ka për ta kaluar këtë krizë politike, por të tjerët ishin dehur pas pushtetit duke e harruar shtetin.

    Për Kosovën deri në frymën e fundit!

    Me respekt,

    Ramush Haradinaj

  • Rama fton amerikanët të investojnë në Prishtinë, përmend 1 miliard euro investime

    Rama fton amerikanët të investojnë në Prishtinë, përmend 1 miliard euro investime

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në hapjen e konferencës “American Investor Conference – Prishtina 2026” tha se nga kryeqyteti po prezantohen nëntë projekte strategjike të gatshme për investim, me një potencial që tejkalon 1 miliard euro.

    “Përtej projekteve, ofrojmë një forcë punëtore të motivuar dhe të re me aftësi të njohjes së shumë gjuhëve dhe gjithashtu ofrojmë kosto operative të ulëta, me 10% taksë korporative dhe pa taksë në dividenda. Gjithashtu një lokacion strategjik në qendër të Evropës Juglindore me 20 milionë… zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik me 5% rritje të GDP-së, si dhe zotim ndaj transparencës dhe lehtësi në të bërit biznes. Mirëpo, sentimenti më i mrekullueshëm, më i madh i Prishtinës është që nuk mund të shpjegohet dhe shprehet me numra. Është shpirti, fryma e qëndrueshmërisë, kreativitetit, historisë që shtyn sipërmarrësit tanë të rinj dhe të qenit hapur ndaj partneriteteve, që u uron mirëseardhjen investitorëve amerikanë si bashkëpunëtorë të vërtetë”, tha ai.

    Rama tha se organizimi i kësaj konference po bëhet në një moment kyç meqë Prishtina po përgatitet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke investuar në turizëm, infrastrukturë sportive dhe zgjidhje të qyteteve “smart”.

    Ai tha se po fokusohen në sektorë që prëcaktojnë të ardhmen e Prishtinës, duke përfshirë zhvillimin urban, hapësirat vibrante, infrastruktura e gjelbër dhe sisteme të qëndrueshme moderne.

    “Më duhet të shtoj që investitorët amerikanë janë të mirëpritur dhe të mirëseardhur, dhe gjithashtu investitorët ndërkombëtarë e lokalë-vendosë janë gjithashtu të mirëpritur. Në ditët e ardhshme ju inkurajoj që të angazhoheni, që të merrni pjesë në diskutime paneli dhe të bëni takime B2B dhe për ta eksploruar portfolion tonë në hollësi”, ka thënë i pari i kryeqytetit.

  • Gjoshi: Mosemërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ cenon legjitimitetin e zgjedhjeve

    Gjoshi: Mosemërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ cenon legjitimitetin e zgjedhjeve

    Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka reaguar lidhur me përbërjen e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke kërkuar që ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës të nënshkruajë dekretin për emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ.

    Në një postim në Facebook, Gjoshi ka thënë se Kosova po hyn në zgjedhje dhe se, përveç shpalljes së datës së zgjedhjeve, duhet të bëhet edhe emërimi i përfaqësuesit të dytë të PDK-së në institucionin që administron procesin zgjedhor.

    “Mosemërimi i përfaqësuesit të PDK-së do të ishte shkelje e Kushtetutës së Kosovës, por edhe dëmtim i përfaqësimit opozitar në institucionin e zgjedhjeve dhe rrezikim i legjitimitetit të zgjedhjeve”, ka shkruar ai.

    Sipas Gjoshit, zgjedhjet e 28 dhjetorit janë mbajtur për Kuvendin e Kosovës dhe jo për KQZ-në, duke theksuar se pas zgjedhjeve në kuvend kanë hyrë katër grupe parlamentare.

    Ai ka argumentuar se, në mungesë të gjashtë grupeve parlamentare shqiptare, anëtarët shtesë në KQZ duhet të emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që sipas tij janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

    “Në rrethana të tilla, meqenëse pas këtyre zgjedhjeve në kuvend ishin vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare”, ka deklaruar Gjoshi.

    Ai ka shtuar se Kosova ka nevojë për “zgjedhje të lira, të drejta dhe të pranuara nga të gjithë akterët politikë dhe qytetarët”, duke paralajmëruar se legjitimiteti i procesit mund të vihet në pikëpyetje nëse KQZ-ja përdoret për qëllime politike.

    “Askush nuk duhet që të shfrytëzojë KQZ-në për të arritur qëllime politike përmes përfaqësimit jokushtetues”, ka shtuar ai.

  • Pejë: Një person humb jetën në vendin e punës

    Pejë: Një person humb jetën në vendin e punës

    Një person ka humbur jetën në vendin e tij të punës në Pejë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Gashi tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet emergjente, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Është dërguar në emergjencë të Spitalit të Pejës, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen”, tha Gashi.

  • Alban Krasniqi reagon pas videos së Osmanit: Fotoja e Rugovës në sfond s’e mbulon tradhtinë ndaj votuesve

    Alban Krasniqi reagon pas videos së Osmanit: Fotoja e Rugovës në sfond s’e mbulon tradhtinë ndaj votuesve

    Ish-presidentja, Vjosa Osmani, sot, përmes një video adresimi, ka reaguar pasi Kuvendi ka dështuar të zgjedh presidentin dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Në videon e publikuar të Osmanit, mbrapa saj në sfond, shihet fotoja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

    Lidhur me këtë, ka reaguar Alban Krasniqi nga Vetëvendosje.

    ‘‘Fotoja e Rugovës në sfond nuk e mbulon tradhëtinë ndaj votuesve dhe mbështetësve’’, ka shkruar ai.