ATV

Author: K.B.

  • ”Nuk harroi me më thirrë në dasmë”, -Rrëfimi prekës i Vlorës për dasmën e Luanit

    ”Nuk harroi me më thirrë në dasmë”, -Rrëfimi prekës i Vlorës për dasmën e Luanit

    Ish-ambasadorja Vlora Çitaku ka publikuar disa fotografi nga dasma e Luan Haradinajt, djalit të Shkëlzen Haradinajt.

    Ajo ka ndarë edhe një rrëfim emocional lidhur me Luanin, duke kujtuar një moment para shumë vitesh gjatë një ngjarjeje në Dukagjin, kur i kishte thënë që të mos harronte ta ftonte në dasmën e tij.

    Sipas Çitakut, Luani e kishte mbajtur mend këtë premtim dhe e kishte ftuar në ditën e tij të veçantë.

    “Me shumë dashuri mora pjesë në dasmën e Luanit, djalit të Shkëlzenit e Syzanës. Luanit që u rrit pa e njohur babanë dhe axhën, por që me krenari mban emrin e tij. Një emër që nuk është vetëm kujtim, por përgjegjësi, dinjitet dhe vazhdimësi.

    Nuk e harroj kurrë një moment shumë vite më parë, në shënimin e Epopesë së Dukagjinit. Luani i ri na priste pranë vendit ku pushojnë heronjtë, krah bacës Hilmi. Ishte veç një fëmijë, por me një pjekuri që të linte pa fjalë. Stoik, i qetë, me një qëndrim që i kishte hije burrave të rritur mes legjendash.

    Atë ditë i pata thënë: ende je i vogël, por kur të rritesh e ta gjesh dashurinë, mos harro me më thirrë në dasmë. Ndër vite, jam mbushur me krenari teksa e kam parë me uniformën e Ushtrisë së Kosovës. Taman oficer ushtrie.

    Dhe ja, pas më shumë se një dekade, më erdhi ftesa. Nuk kishte harruar Luani. U trashëgofsh, Luani i Kosovës ❤️”, ka shkruar Çitaku.

  • Kontratat kolektive, Rama: Rreth 12 milionë euro i janë marrë kryeqytetit për vendime gjyqësore

    Kontratat kolektive, Rama: Rreth 12 milionë euro i janë marrë kryeqytetit për vendime gjyqësore

    Vendimet gjyqësore si pasojë e kontratave kolektive në Kosovë janë bërë një burim i madh i barrës financiare për buxhetin e komunave.

    Kjo pasi që këtyre të fundit po u merren shuma të konsiderueshme parash.

    Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një përgjigje për Ekonomia Online, këtë dukuri e ka quajtur të padrejtë, duke shtuar se po bëhet qëllimshëm nga niveli qendror.

    “Është definitivisht diçka që është bërë, që duket që është bërë qëllimshëm nga niveli qendror vetëm për me i pamundësu komunave për me i zhvillu projektet e tyre. Pra diçka që ministria e ka për përgjegjësi, një kontratë kolektive që ministria e ka nënshkruar, që ata ishte dashur me i pagu, që gjithsesi që të gjithë qytetarët i meritojnë ato paga të cilat nuk janë të paguara, mirëpo diçka që ishte dashur me e parë përgjegjësi qeveria, ajo e ka bë këtë barrë të komunave në mënyrë të padrejtë. Edhe si rezultat kemi një numër të madh të komunave që kanë mbet edhe pa zhvillu projekte shumë të rëndësishme në infrastrukturë, në shëndetësi, në arsim e të tjera, e të tjera për shkak të kësaj padrejtësie”, tha Rama për EO.

    Kryetari Rama deklaroi se nga vendimet gjyqësore si komunë kanë paguar rreth 12 milionë euro, e që për kryeqytetin është një barrë e madhe.

    “Deri tash m’duket që kemi pagu diku rreth 12 milionë, domethënë është një barrë shumë e madhe, po po them Prishtina ndoshta edhe e ka mundësinë me e tejkalu këtë barrë sepse kemi mënyra të ndryshme ku ne edhe rrisim fonde, mirëpo komuna ka disa komuna të tjera që varen prej këtyre fondeve edhe i ka blloku totalisht. Pra është një gjë e padrejtë edhe ndaj këtij qyteti, ndaj komunës së Prishtinës po edhe ndaj të gjitha këtyre komunave të tjera. Është një çështje që e ka nënshkru ministria, ministria është dashur me e marrë përgjegjësinë, ministria është dashur me e bë pagesën, e këta e kanë bë të kundërtën, pra ja kanë bart barrën komunave në mënyrë të padrejtë”, tha Rama.

    Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ditë më herët njoftoi se mbi 344 milionë euro tashmë janë humbur nga komunat gjatë periudhës 2022–2026, kryesisht si pasojë e vendimeve gjyqësore që lidhen me kontratën kolektive.

    Sipas tij, vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro.

  • Zbulohet një rrugë më e shkurt për të shkuar në Mars  – brenda 153 ditësh

    Zbulohet një rrugë më e shkurt për të shkuar në Mars – brenda 153 ditësh

    Një studim i ri sugjeron se udhëtimi drejt Mars mund të bëhet shumë më i shpejtë se sa mendohej deri më tani, duke reduktuar kohën e një misioni vajtje-ardhje në vetëm 153 ditë.

    Aktualisht, me teknologjinë ekzistuese, një udhëtim njëdrejtimësh drejt Planetit të Kuq zgjat rreth nëntë muaj, ndërsa një mision i plotë mund të zgjasë deri në tre vite.

    Por studiues nga State University of Northern Rio de Janeiro kanë identifikuar një mundësi të re që mund të shkurtojë ndjeshëm këtë kohë.

    Ky skenar bazohet në një fenomen astronomik të quajtur “opozita e Marsit”, që ndodh rreth çdo 26 muaj, kur Toka dhe Marsi ndodhen në të njëjtën anë të Diellit dhe në distancën më të afërt mes tyre.

    Studiuesit analizuan opozitat e ardhshme, përfshirë ato të viteve 2027, 2029 dhe 2031, për të parë nëse mund të shfrytëzohen për një udhëtim më efikas.

    Një rol kyç në këtë “shkurtore” luan asteroidi 2001 CA21, trajektorja e të cilit kryqëzon orbitat e Tokës dhe Marsit. Sipas llogaritjeve, gjatë opozitës së vitit 2031, një anije kozmike mund të përdorë këtë rrugë për të arritur në Mars në rreth një muaj.

    Sipas planit teorik, nisja do të bëhej më 20 prill, mbërritja në Mars më 23 maj, qëndrimi do të zgjaste 30 ditë dhe kthimi në Tokë do të përfundonte më 20 shtator – duke e çuar kohëzgjatjen totale të misionit në 153 ditë.

    Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ky skenar është ekstrem dhe kërkon energji shumë të lartë, duke e bërë atë më shumë një model teorik sesa një plan të menjëhershëm realizimi. Një alternativë më e realizueshme, sipas tyre, është një mision prej rreth 226 ditësh, i cili balancon më mirë kohën dhe kërkesat energjetike.

    Ky zhvillim mund të jetë me interes për NASA, e cila synon të dërgojë njerëz në Mars në fillim të viteve 2030. Eksplorimi i këtij planeti mbetet një nga objektivat kryesore, pasi mund të ndihmojë në kuptimin e historisë së Tokës dhe në kërkimin e jetës jashtë saj.

  • Paralajmërimi i Nobelistit për të ardhmen e njerëzimit – fundi i botës nuk është larg

    Paralajmërimi i Nobelistit për të ardhmen e njerëzimit – fundi i botës nuk është larg

    Fizikani teorik amerikan David Gross, fitues i Çmimit Nobel në Fizikë, ka dhënë një paralajmërim të fortë për të ardhmen e njerëzimit, duke sugjeruar se rreziqet globale mund ta çojnë atë drejt një krize ekzistenciale shumë më shpejt sesa mendohet.

    Gross, i cili u vlerësua me Nobelin në vitin 2004 për zbulime në fushën e fizikës teorike, thekson se kërcënimet më të mëdha sot janë lufta bërthamore dhe zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale.

    Sipas tij, probabiliteti për një konflikt bërthamor global mbetet shqetësues dhe është rritur në dekadat e fundit.

    Në një intervistë të fundit, ai sugjeroi se mundësia që një individ të jetojë edhe 50 vite të tjera është relativisht e ulët, duke përmendur një vlerësim të përafërt prej rreth 35 vitesh për shkak të rrezikut të luftës bërthamore.

    Ai shtoi se, nëse trendet aktuale vazhdojnë, një katastrofë globale mund të ndodhë edhe brenda këtij shekulli.

    Gross thekson se situata është përkeqësuar pas shpërbërjes së marrëveshjeve për kontrollin e armëve bërthamore dhe përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare, përfshirë konfliktet dhe rivalitetet mes fuqive të mëdha dhe vendeve me kapacitete bërthamore.

    Një tjetër shqetësim madhor sipas tij është roli në rritje i teknologjive të avancuara, veçanërisht inteligjencës artificiale. Ai paralajmëron se automatizimi i sistemeve ushtarake dhe përdorimi i AI në vendimmarrje të shpejtë mund të krijojnë situata të rrezikshme dhe të paparashikueshme.

    Në skenarë ekstremë, vendime kritike për përdorimin e armëve bërthamore mund të delegohen te sistemet inteligjente, të cilat megjithëse të avancuara, nuk janë të pagabueshme dhe mund të prodhojnë rezultate të pasakta.

    Megjithatë, në përfundim, fizikani thekson se armët bërthamore janë krijim i njerëzimit – dhe si të tilla, eliminimi i tyre mbetet në dorën e vetë njerëzve.

  • Arrestohet një person në Austri, hodhi helm për minj në ushqimin për fëmijë HiPP

    Arrestohet një person në Austri, hodhi helm për minj në ushqimin për fëmijë HiPP

    Një burrë 39-vjeçar është arrestuar në Austri nën dyshimin se ka hedhur në ushqimin për foshnje helm minjsh, në një përpjekje për të zhvatur para nga kompania gjermane HiPP.

    Sipas prokurorisë në Eisenstadt, i dyshuari akuzohet se ka ndërhyrë në produkte të shpërndara në disa vende, ndërsa detaje të tjera mbi identitetin dhe motivet e tij nuk janë bërë publike.

    Autoritetet konfirmuan se pesë kavanoza të kontaminuara janë zbuluar në Austri, Republikën Çeke dhe Sllovaki.

    Në një prej tyre, një kavanoz 190 gramësh me karrota dhe patate, u gjetën rreth 15 mikrogramë helm për minj.

    Një hetim shtesë po zhvillohet për një kavanoz të dytë të dyshuar, ndërsa kompania HiPP theksoi se incidenti nuk lidhet me proceset e saj të prodhimit, por është rezultat i një “ndërhyrjeje të jashtme kriminale”.

    Kompania bëri të ditur se kishte marrë një e-mail kërcënues javën e kaluar nga personi i dyshuar, duke kërkuar para në këmbim të ndalimit të kontaminimit.

    Pas marrjes së mesazhit, HiPP njoftoi menjëherë policinë dhe aktivizoi një ekip të brendshëm për menaxhimin e krizës.

    Autoritetet dhe kompania nuk kanë bërë publike kërkesat e sakta të shantazhuesit, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse ka produkte të tjera të prekura dhe për të garantuar sigurinë e konsumatorëve.

  • Mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    Mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    1 mijë e 888 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë.

    Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 8 aksidente me të lënduar dhe 25 me dëme material.

    Në 24 orëshin e fundi gjithashtu janë arrestuar 16 persona dhe 13 janë dërguar në mbajtje

  • Humbi jetën në aksident në Shqipëri, viktima një nga biznesmenët më të fuqishëm të Kinës

    Humbi jetën në aksident në Shqipëri, viktima një nga biznesmenët më të fuqishëm të Kinës

    Një aksident tragjik pak ditë më parë në aksin Librazhd-Përrenjas i mori jetën shtetasit kinez Li Jianhong, si dhe la të plagosur 6 persona të tjerë.

    Në lidhje me këtë aksident kanë shkruar mediat kineze, përmes të cilave është zbuluar se viktima ishte një nga biznesmenët më të fuqishëm atje. Ditën e aksidentit tragjik ai udhëtonte me disa shtetas të tjerë kinez për një vizitë pune që lidhej me biznesin në vendin tonë.

    Li Jianhong, 60 vjeç, njihej si një sipërmarrës i suksesshëm në rajonin e Xinjiangut. I lindur në dhjetor të 1965, Li Jianhong ishte president i Xinjiang Grand Scape Group si dhe themelues i resortit të njohur të skive “Silkroad Mountain Resort” në Urumqi, një nga projektet më të rëndësishme të turizmit dimëror në Kinë.

    Ai e nisi karrierën në sektorin e telekomunikacionit, përpara se në vitin 1993 të linte punën në një institut në Guangzhou dhe të kthehej në Xinjiang për të ndërtuar aktivitetin e tij privat.

    “Xinjiang Grand Scape Group”, që ai drejtonte, u zhvillua në një kompani të madhe me aktivitet në telekomunikacion, turizëm dhe menaxhim investimesh, duke arritur asete rreth 1.4 miliardë juanë dhe mijëra të punësuar. Në vitet e fundit, grupi ka regjistruar qarkullim të lartë dhe është renditur ndër kompanitë më të rëndësishme private në rajon.

    Në vitin 2002, kompania ishte ndër themelueset e “Xinjiang International Grand Bazaar”, një nga simbolet më të njohura të qytetit të Urumqit, ndërsa më pas u tërhoq nga projekti në vitin 2017

    Përveç aktivitetit të tij në biznes, Li Jianhong njihej edhe si sportist i apasionuar pas alpinizmit dhe skive. Ai ka përfunduar “Explorer’s Grand Slam”, duke ngjitur shtatë majat më të larta të botës dhe duke arritur në të dy polet.

    Në vitin 2018, në moshën 53-vjeçare, ai arriti majën e Everestit, si dhe ngjitjen e Lhotse-s, duke u renditur mes alpinistëve me arritje të veçanta në nivel ndërkombëtar./TCH

  • 8 raste me fruth në Kosovë, IKSHPK thirrje prindërve t’i vaksinojnë fëmijët

    8 raste me fruth në Kosovë, IKSHPK thirrje prindërve t’i vaksinojnë fëmijët

    Pas konfirmimit të 8 rasteve me fruth, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe institucionet shëndetësore po e monitorojnë situatën epidemiologjike duke qenë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e saj.

    Kjo përmes identifikimit të fëmijëve të pa vaksinuar dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinim në zonat me mbulueshmëri më të ulët.

    Sipas Institutit të Shëndetësisë Publike, të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën kundër fruthit.

    Sipas Institutit të Shëndetit Publik, fruthi është një sëmundje serioze dhe konsiderohet rreth 6 herë më ngjitëse se gripi. Sipas tyre, 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime serioze shëndetësore.

    Simptomat përfshijnë: temperaturë, rrjedhje të hundës, kollë, sy të skuqur dhe të përlotur, si dhe skuqje në fytyrë dhe në gjithë trupin.

    Për të ulur rrezikun nga përhapja e fruthit, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për mbrojtjen e shëndetit publik.

    “Vaksinimi ul rrezikun e komplikimeve dhe ndihmon në forcimin e imunitetit te fëmijët që kanë imunitet të dobësuar. Ndikon edhe në parandalimin e përhapjes së ndonjë epidemie. Kryesisht prek grupmoshat prej 0-12 muajsh, që është edhe periudha kur bëhet vaksinimi me këtë vaksinë. Efektet kryesore janë që prek sistemin respirator, shkakton skuqje në trup dhe dobësim të imunitetit”, tha për RTK, Besim Murseli, shef i Mjekësisë Familjare nr. 1, Prishtinë.

    Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth.

    IKSHPK rikujton se çdo vonesë në vaksinim e rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar./RTK

  • Çmimi i naftës e benzinës për sot dhe nesër

    Çmimi i naftës e benzinës për sot dhe nesër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka publikuar çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në tregun vendor, për sot dhe nesër.

    Për datat 03-04.05.2026, çmimet maksimale të lejuara janë si vijon:

    • Nafta (dizel): 1.69 euro/litër;

    • Benzina: 1.49 euro/litër

    • Gas: 0.84 euro/litër.

    Postimi i plotë:

  • Koalicione apo të vetme në garë? KQZ cakton afatin për partitë politike

    Koalicione apo të vetme në garë? KQZ cakton afatin për partitë politike

    Të gjitha partitë politike që aktualisht janë të regjistruara në Kosovë, janë obliguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta njoftojnë këtë institucion për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Partitë politike janë të obliguara që ta njoftojnë KQZ-në në rast se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje përmes koalicionit.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress, se njoftimi i pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes në zgjedhje është obligim vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë të regjistruara dhe aktive në Kosovë.

    Po ashtu, Elezi tregoi se deri më 7 maj, partitë politike kosovare kanë afat që të njoftojnë KQZ-në në rast se duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit. Ai kujtoi se ligji ka bërë disa rregullime se për të drejtat dhe detyrimet e partive politike kur hyjnë në koalicion.

    Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

    Ndërkaq, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën në fund të dhjetorit, garuan 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike 3 koalicione; 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur./KP