ATV

Author: K.B.

  • 8-vjeçari i lënduar në aksidentin në Durrës ndodhet jashtë rrezikut për jetë

    8-vjeçari i lënduar në aksidentin në Durrës ndodhet jashtë rrezikut për jetë

    Një lajm i mirë vjen pas tronditjes që përjetoi qyteti i Durrësit një ditë më parë, ku sipas burimeve nga bluzat e bardha, 8-vjeçari i plagosur në aksidentin e ndodhur në zonën e ish-Kënetës ka kaluar momentalisht gjendjen e rëndë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

    Ai pritet të kalojë në pavion por do të vijojë të ndiqet nga mjekët e Spitalit të Traumës për trajtimin e dëmtimeve të marra nga aksidenti.

    Kujtojmë se pasditen e së dielës, një aksident tragjik i mori jetën dy fëmijëve, Kles Nikolli, 9 vjeç dhe Enea Muçaj, 12 vjeç, ndërsa i plagosur mbeti shoku i tyre 8-vjeçar.

    Ata u përplasën nga automjeti i drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes./euronews/

  • Çfarë duhet të dini rreth hantavirusit – Virusi i rrallë që përhapet nga brejtësit

    Çfarë duhet të dini rreth hantavirusit – Virusi i rrallë që përhapet nga brejtësit

    Një burrë britanik që ishte në bordin e anijes MV Hondius është në kujdes intensiv në Johannesburg, i infektuar me hantavirus, me pesë raste të dyshuara që ende nuk janë konfirmuar.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virusi përhapet kryesisht nga brejtësit, por mund të transmetohet edhe midis njerëzve në raste të rralla.

    Njerëzit zakonisht infektohen kur virusi në jashtëqitjet e brejtësve, pështymë dhe urinë, përhapet në ajër.

    Çfarë sëmundjesh mund të shkaktojë?

    Është një familje virusesh që mund të shkaktojnë dy sëmundje, njëra që prek kryesisht mushkëritë dhe tjetra që sulmon veshkat.

    E para – sindroma pulmonare e hantavirusit, që gjendet më shpesh në SHBA- ka një shkallë të lartë vdekshmërie prej rreth 40%.

    Është e rrallë: sipas qeverisë kanadeze, rreth 200 raste të sëmundjes pulmonare të shkaktuar nga hantavirusi ndodhin çdo vit në të gjithë botën.

    Tre të vdekur, shpërthen Hantavirusi në anijen turistike në Atlantik

    Por bëri bujë në media kur pianistja Betsy Arakawa, gruaja e aktorit Gene Hackman, vdiq nga sëmundja në New Mexico në vitin 2025, sipas rezultateve të autopsisë.

    Cilat janë simptomat?

    Hantavirusi zakonisht fillon me simptoma të ngjashme me gripin, të tilla si lodhje dhe ethe, një deri në tetë javë pas ekspozimit, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

    Katër deri në dhjetë ditë më vonë, shfaqet kollë, frymëmarrje e vështirësuar, dhe lëng në mushkëri.

    Nuk ka terapi specifike për infeksionin hantavirus, kështu që trajtimi përqendrohet në kujdesin mbështetës, duke përfshirë pushimin.

    Pacientët mund të kenë nevojë për mbështetje të frymëmarrjes, siç është oksigjeni.

    Ekspertët thonë se ekspozimi ndaj hantavirusit mund të minimizohet duke penguar dhe eliminuar brejtësit nga zonat ku ndodhen njerëzit.

  • Trump i çon mesazh Iranit me letra ‘Uno’: Të gjitha kartat i kam unë

    Trump i çon mesazh Iranit me letra ‘Uno’: Të gjitha kartat i kam unë

    Shtëpia e Bardhë ka publikuar një imazh të Donald Trump duke mbajtur karta Uno, të shoqëruar me mesazhin “Unë i kam të gjitha kartat”, një veprim që po interpretohet si demonstrim force ndaj Iran në mes të tensioneve të vazhdueshme për programin bërthamor dhe situatën në Ngushtica e Hormuzit.

    Pak orë më herët, Trump njoftoi në platformën Truth Social se Shtetet e Bashkuara do të nisnin një mision për shoqërimin e anijeve në rajon, të cilin e quajti një operacion humanitar me emrin “Projekti Liria”. Ai shtoi se ka zhvilluar “biseda shumë pozitive” me Teheranin, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Në deklaratat e tij të fundit publike, Trump ka theksuar se objektet bërthamore iraniane janë dëmtuar rëndë nga sulmet amerikane, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për rifillimin e aktivitetit do të përballet me reagim të fortë ushtarak.

    “Ne i kemi të gjitha kartat, ata nuk kanë asnjë”, u shpreh presidenti amerikan, duke nënvizuar se negociatat po zhvillohen nga një pozicion force.

  • Roberti flet sërish për Tunën: Sjelljet e saj s’kanë qenë të mira me nënën time që ishte me kancer

    Roberti flet sërish për Tunën: Sjelljet e saj s’kanë qenë të mira me nënën time që ishte me kancer

    Robert Berisha i është rikthyer sërish raportit të tij me Tunën.

    Ai theksoi sërish se sjelljet e Tunës nuk kanë qenë të mira me nënën e tij, e cila siç tha ai ishte me kancer.

    “Unë edhe kur kanë qenë bashkë (me vëllain) e kom vendos, nuk kam dashtë marrëdhënie me të fare. Ajo e ka stilin e jetës së vet dhe sjelljet e saj, le të vazhdon kudo, por jo me nënën time që e kam pasur me kancer, sjelljet e saj s’kanë qenë të mira. I dëshiroj suksese dhe jetë të gjatë asaj dhe fëmijëve. S’kisha pas qef kurrë me dëgju keq diçka për të”, tha Roberti në Andale.

    Ai tha se raporti i tij me Tunën nuk ka ndikuar në atë me vëllain e tij, Patrisin.

  • Dua Lipa refuzon të performojë në duelin e boksit Joshua-Fury

    Dua Lipa refuzon të performojë në duelin e boksit Joshua-Fury

    Pop-ylli botëror, Dua Lipa, nuk pritet të performojë në mbrëmjen e duelit të madh të boksit, Anthony Joshua-Tyson Fury, që do të mbahet më vonë gjatë vitit.

    Britanikët Joshua e Fury do të përballen në meçin e shumëpritur në fund të vitit.

    Gjithsesi kryetari i Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit të Arabisë Saudite, Turki Al-Sheikh, ka sugjeruar se meçi rrezikohet nëse Dua Lipa nuk pranon të performojë si pjesë e promovimit të ngjarjes.

    Është e paqartë nëse komenti ishte dhënë me qasje serioze apo me shaka, por BBC Sport ka raportuar të premten se yllit me rrënjë nga Kosova i është kërkuar të performojë, por e ka refuzuar ofertën dhe nuk pritet të jetë e përfshirë në ngjarje.

    Dua Lipa është një prej yjeve më të mëdha të botës në muzikë.

    Vendi i meçit Fury-Joshua nuk është caktuar ende, edhe pse raportohet se stadiumi Wembley në Britani është i preferuari për muajin tetor.

    Viteve të fundit është shtuar prania e yjeve muzikore në organizime sportive.

    Reperi Eminem e shoqëroi Terence Crawfordin në meçin ndaj Errol Spence Jr. Ndërkaq frontmeni i Oasis, Liam Gallagher, performoi disa këngë para meçit Daniel Dubois – Anthony Joshua më 2024. E reperi 50 Cent performoi gjatë hyrjes së Chris Eubankut për rimeçin ndaj Conor Bennit.

  • Amsterdami ndalon reklamat publike për mishin dhe karburantet fosile

    Amsterdami ndalon reklamat publike për mishin dhe karburantet fosile

    Amsterdami është bërë kryeqyteti i parë në botë që ndalon reklamat publike për mishin dhe produktet e karburanteve fosile.

    Që nga 1 maji, reklamat për hamburgerë, vetura me benzinë dhe linja ajrore janë hequr nga billboard-et, stacionet e tramvajit dhe metrotë.

    Në një nga ndalesat më të frekuentuara të tramvajit në qytet, pranë një rrethrrotullimi të gjelbëruar me daffodilë të verdhë dhe tulipanë portokalli, peizazhi i reklamave ka ndryshuar dukshëm.

    Tani aty promovohen Rijksmuseum, muzeu kombëtar i Holandës, dhe një koncert pianoje. Deri javën e kaluar, në të njëjtat hapësira reklamoheshin nuggets pule, SUV dhe pushime me kosto të ulët, shkruan BBC.

    Politikanët e qytetit thonë se kjo lëvizje synon të harmonizojë hapësirat publike të Amsterdamit me objektivat mjedisore të qeverisjes lokale.

    Këto synime parashohin që kryeqyteti holandez të bëhet neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050, si dhe që banorët të përgjysmojnë konsumin e mishit gjatë kësaj periudhe.

    “Kriza klimatike është shumë urgjente,” tha Anneke Veenhoff nga Partia GreenLeft. “Nëse dëshironi të jeni lider në politikat klimatike dhe në të njëjtën kohë jepni me qira hapësirat publike për reklama që promovojnë të kundërtën, atëherë çfarë po bëni?

    “Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë pse komuna duhet të fitojë para duke dhënë me qira hapësirat tona publike për diçka që ne po përpiqemi ta luftojmë me politika,” shtoi ajo.

  • Lansohet shërbimi digjital për regjistrimin e lindjes së fëmijës

    Lansohet shërbimi digjital për regjistrimin e lindjes së fëmijës

    Një shërbim i ri digjital që lidhet me regjistrimin e lindjes së fëmijëve pritet të prezantohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën e Gjinekologjisë.

    Iniciativa, sipas komunikatës për media, synon të lehtësojë procedurat për qytetarët, duke ofruar një mënyrë më të shpejtë dhe më efikase për regjistrimin e lindjeve.

    Në ceremoninë e lansimit do të jenë të pranishëm ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu.

    Ngjarja do të zhvillohet në ambientet e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, me fillim nga ora 13:30.

  • Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për sot.

    Sipas vendimit të MINTI-t çmimi maksimal i naftës (dizel) është përcaktuar në 1.69 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet deri në 1.49 euro për litër.

    Çmimi i gazit është vendosur në 0.84 euro për litër.

    Këto çmime do të jenë në fuqi për sot, ndërsa do të fillojnë të zbatohen nga ora 10:00.

  • Policia jep detaje nga aksidenti në Durrës ku humbën jetën 2 fëmijë: Autori ishte dënuar disa herë për tejkalim shpejtësie

    Policia jep detaje nga aksidenti në Durrës ku humbën jetën 2 fëmijë: Autori ishte dënuar disa herë për tejkalim shpejtësie

    Informacion përfundimtar për aksidentin rrugor shumë të rëndë të ndodhur më datë 03.05.2026, rreth orës 14:10, në rrugën “Ohri”, lagjja nr. 15, në qytetin e Durrësit.

    Oficerët e Policisë Gjyqësore, në drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe me drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, arrestuan në flagrancë shtetasin N. R., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.

    Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi N. R., duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.

    Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç.

    Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.

    Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

    Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.

    Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.

    Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

    Policia e Shtetit iu shpreh familjarëve të të miturve që humbën jetën, ngushëllimet më të ndjera, dhe i uron vogëlushit 8-vjeçar, shërim sa më të shpejtë.

    Gjithashtu, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për të parandaluar aksidentet rrugore, duke evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave që sjellin pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

  • Ushtria Amerikane do të përdorë 15 mijë trupa në “Operacionin Liria” në Ngushticën e Hormuzit

    Ushtria Amerikane do të përdorë 15 mijë trupa në “Operacionin Liria” në Ngushticën e Hormuzit

    Më shumë detaje mbi “Operacionin Liria” janë njoftuar nga Komanda Qendrore e SHBA-së, dega ushtarake që vepron në Lindjen e Mesme.

    Pas njoftimit të Donald Trump të dielën vonë, grupi thotë se forcat do të fillojnë të mbështesin mallrat tregtare në Ngushticën e Hormuzit që nga sot (e hënë).

    Në një postim në X, CENTCOM thotë se mbështetja ushtarake për misionin do të përfshijë shkatërrues me raketa të drejtuara, mbi 100 avionë nga toka dhe deti, platforma pa pilot me shumë domene dhe 15,000 anëtarë të shërbimit.

    “Mbështetja jonë për këtë mision mbrojtës është thelbësore për sigurinë rajonale dhe ekonominë globale, pasi ne gjithashtu ruajmë bllokadën detare”, ka thënë Admirali Brad Cooper, komandant i CENTCOM.

    Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar se SHBA-të do të fillojnë të udhëzojnë anijet “në mënyrë të sigurt” jashtë Ngushticës së Hormuzit të hënën në mëngjes.

    “Përsëri, këto janë anije nga zona të botës që nuk janë në asnjë mënyrë të përfshira në atë që po ndodh aktualisht në Lindjen e Mesme”, tha Trump.

    “U kam thënë përfaqësuesve të mi t’i informojnë se do të bëjmë çmos që anijet dhe ekuipazhet e tyre të dalin në mënyrë të sigurt nga Ngushtica”, shtoi ai.

    “…Kjo ka për qëllim thjesht të çlirojë njerëzit, kompanitë dhe vendet që nuk kanë bërë absolutisht asgjë të gabuar – Ata janë viktima të rrethanave”, sipas Trumpit.

    Trump shtoi se ky është një “gjest humanitar në emër të Shteteve të Bashkuara, vendeve të Lindjes së Mesme, por, në veçanti, të vendit të Iranit”.

    Por, tha se nëse ky “proces humanitar ndërhyhet” në ndonjë mënyrë, ai “do të duhet të trajtohet me forcë”.

    Kujtojmë se zyrtarët iranianë kanë thënë tashmë se çdo ndërhyrje amerikane me lëvizjen e anijeve në zonë do të shkelë armëpushimin.