ATV

Author: K.B.

  • Edhe 3 ditë afat: 53 partitë duhet të njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme

    Edhe 3 ditë afat: 53 partitë duhet të njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme

    Partitë politike të regjistruara në Kosovë, janë të obliguara që deri më 7 maj, të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Ky obligim vlen vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë të regjistruara si parti politike në Kosovë, pra jo edhe për subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur.

    Gjithashtu, partitë duhet të informojnë KQZ-në brenda afatit të përcaktuar nëse planifikojnë të garojnë në kuadër të ndonjë koalicioni.

    Partitë kanë saktësisht afat edhe tre ditë të vendosin nëse duan të garojnë në zgjedhje si koalicion apo të pavarura.

    Sipas KQZ-së, koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe sipas ligjit, partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar derisa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ.

    KQZ ka vendosur që periudha zyrtare e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke filluar më 28 maj 2026 dhe duke përfunduar më 7 qershor 2026 në orën 06:59.

    Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim hidhet më 16 maj 2026.

  • Greqia mbulohet nga bora, temperaturat deri -1 gradë

    Greqia mbulohet nga bora, temperaturat deri -1 gradë

    Greqia po përjeton muajin Maj që të kujton dimrin pas pushtimit të të ftohtit që solli borë në male, shi në shumë zona dhe erëra të forta në Egje.

    Duke filluar nga nesër, moti i keq do t’ia lërë vendin një pamjeje krejtësisht të ndryshme, me temperaturat që do të rriten ndjeshëm dhe do të kalojë 27 gradë Celsius gjatë javës.

    Për shkak të reshjeve të borës në Parnitha, trafiku i automjeteve është pezulluar nga lartësia e teleferikut.

    Pamja është jashtëzakonisht dimërore dhe megjithëse kalendari shënon 3 maj, moti nuk i ngjan aspak pranverës, raporton Topchannel.

    E njëjta skenë është edhe në Parnassos. Peizazhi është magjepsës, por nuk i ngjan aspak pranverës, pasi gjithçka është e mbuluar me borë, nga rruga deri te pemët, të cilat janë veshur me të bardha.

    Kushtet dimërore janë gjithashtu në Akai, me qendrën e skive në Kalavrita, megjithëse të mbyllur, e cila është plot me borë, temperatura është në -1 gradë Celsius.

    Ata që ishin në zonën e Kalavrytës këtë fundjavë të 1 Majit, megjithëse nuk do ta kishin menduar se do të përballeshin me borë, u ngjitën në qendrën e skive për të shijuar peizazhin e rrallë.

    Borë ra edhe në Ziria në malin Korinth, duke krijuar një skenë të pazakontë për këtë sezon.

    Nga fshatrat e Trikalës e më lart, rruga ka shumë borë, dhe shoferët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, sepse rruga është e rrëshqitshme.

    Zinxhirët e dëborës janë të nevojshëm nga disa pika. Rajoni i Peloponezit u sigurua që të hapte rrugët dhe të hidhte kripë.

    Borë ka rënë edhe në Pelion me termometrin në 0 gradë Celsius, ndërsa ata që përpiqen të lëvizin më lart se Hania (Kretë), drejt zonës së resortit të skive, këshillohet të kenë zinxhirë dëbore në makinat e tyre.

  • Marrëveshje 20 vjeçare për furnizim me gaz amerikan, Rama: Hap i rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike

    Marrëveshje 20 vjeçare për furnizim me gaz amerikan, Rama: Hap i rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike

    Në shënimet e tij javore në podcastin e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama dha detaje për marrëveshjen e sapo nënshkruar me SHBA-në për gazin e lëngshëm.

    Rama tha se kjo marrëveshje e ndihmon Shqipërinë drej pavarësisë energjetike. Ai shtoi se Shqipëria do të furnizohet me gaz natyror nga SHBA për një periudhë prej 20 vitesh dhe se nëpërmjet TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.

    “Ishte kjo një javë ku hodhëm një tjetër hap të rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike. Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.

    Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme.

    Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por qoftë edhe për eksportin e gazit përmes Tap-it, sepse pjesë e kësaj marrëveshje është dhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin ku ndodhet dhe gazsjellësi Transadriatik”, tha kryeministri./TCH

  • Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, BE: Mbështesim lirinë e shprehjes në Kosovë

    Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, BE: Mbështesim lirinë e shprehjes në Kosovë

    Ushtruesja e detyrës së shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha sot se është inkurajuese të shohësh Kosovën të ngrihet 15 vende në Organizatën Botërore “Reporterët pa Kufij”.

    Ajo theksoi se ky përparim duhet të mbahet nga zyrtarët publikë dhe institucioni politik.

    “Ky përparim tani duhet të mbahet nga zyrtarët publikë dhe institucioni politik që ndajnë përgjegjësinë për sigurimin e një mjedisi që mundëson median”, nënvizoi Palatova.

    Në njoftim ndër të tjera thuhet se BE do të vazhdojë mbështetjen e mediave dhe lirisë së shprehjes në Kosovë.

  • Vendimi për tërheqjen e trupave nga Gjermania, Trump: Do të largohen shumë më tepër se 5 mijë

    Vendimi për tërheqjen e trupave nga Gjermania, Trump: Do të largohen shumë më tepër se 5 mijë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i tërheqin “shumë më tepër se 5,000” trupa nga Gjermania, tha presidenti amerikan Donald Trump.

    Fox News publikoi një video nga një deklarim i Trump për reporterët, ndërsa njëri nga ta e pyeti presidentin: “Pse SHBA-ja po i tërheq trupat nga Gjermania?”

    Përgjigjja e Trump ishte kjo: “Ne do ta zvogëlojmë shumë numrin, dhe po e zvogëlojmë shumë më tepër se 5,000”.

    Deklarata e tij pason raportimet e djeshme se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar tërheqjen e afër 5 mijë trupave nga Gjermania brenda vitit të ardhshëm.

    Vendimi i Pentagonit erdhi pasi Trump njoftoi se tarifat për veturat dhe kamionët nga Bashkimi Europian do të rriten në 25 për qind javën e ardhshme, duke e akuzuar bllokun europian se nuk po respekton një marrëveshje tregtare të nënshkruar verën e kaluar.

  • Truku i thjeshtë që largon njollat e vajit në rroba

    Truku i thjeshtë që largon njollat e vajit në rroba

    Nuk ka gjë më bezdisëse sesa të njollosësh rrobat e preferuara me vaj, sidomos kur njolla futet thellë në pëlhurë dhe nuk del lehtë.

    Njollat e vajit janë të vështira për t’u hequr sepse nuk përzihen me ujë dhe përhapen shpejt në material.

    Ekspertja e pastrimit Chantel Mila (e njohur si Mama Mila në TikTok) ka ndarë një mënyrë të thjeshtë dhe efektive për t’i larguar këto njolla, duke përdorur vetëm disa produkte që i keni në kuzhinë.

    Çfarë ju duhet:

    Sodë buke;

    Detergjent për enë;

    Letër pjekjeje.

    Si ta pastroni njollën:

    Vendosni një copë letre pjekjeje pas njollës (brenda rrobës);

    Hidhni sodë buke mbi njollë derisa ta mbuloni plotësisht;

    Vendosni një fletë tjetër letre pjekjeje sipër dhe kaloni lehtë me hekur. Nxehtësia ndihmon që soda të thithë vajin;

    Hiqni sodën e tepërt — do të vini re që njolla është zbehur ose zhdukur;

    Në fund, përdorni pak detergjent për enë për të pastruar mbetjet e yndyrës.

    Kjo metodë funksionon më mirë për njolla të freskëta. Për njolla më të vjetra, kombinimi i detergjentit dhe sodës së bukës mund të jetë më efektiv.

    Këshilla të rëndësishme:

    Veproni sa më shpejt — thithni vajin fillimisht me letër kuzhine.

    Kini kujdes me rrobat me ngjyra ose materialet delikate (si leshi, mëndafshi), pasi soda e bukës mund të zbehë ngjyrën.

    Kjo është një zgjidhje e shpejtë dhe praktike kur nuk keni kohë për një larje të plotë, por doni të hiqni njollën menjëherë.

  • Studimi i ri: Një gotë qumësht në ditë mund të ulë rrezikun për kancer të zorrës së trashë

    Studimi i ri: Një gotë qumësht në ditë mund të ulë rrezikun për kancer të zorrës së trashë

    Një studim i ri i Universitetit të Oxfordit ka rikthyer vëmendjen te rëndësia e kalciumit në ushqyerje, pasi ka treguar se një gotë e madhe qumësht në ditë mund të lidhet me rrezik më të ulët për kancer të zorrës së trashë

    Një gotë qumësht në ditë mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për kancer të zorrës së trashë, tregon studimi më i fundit i madh.

    Konsumimi i rregullt i qumështit dhe i ushqimeve të tjera të pasura me kalcium mund të ketë efekt mbrojtës ndaj kancerit të zorrës së trashë, sugjeron studimi i madh i Universitetit të Oxfordit, i kryer mbi më shumë se 542.000 gra, të ndjekura mesatarisht për 16 vjet.

    Shkencëtarët zbuluan se 300 miligramë shtesë kalcium në ditë, që përputhen afërsisht me një gotë të madhe qumësht, lidhen me 17 për qind rrezik më të ulët për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë.

    Studimi është publikuar në revistën Nature Communications dhe është financuar nga Cancer Research UK. Autorët theksojnë se efekti mbrojtës nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me qumështin e lopës. I rëndësishëm është kalciumi, i cili mund të merret edhe nga jogurti, tofu, perimet me gjethe të errëta ose pijet bimore të pasuruara me kalcium.

    Çelësi duket se është kalciumi

    Mjekja e përgjithshme Rupa Parmar ka paralajmëruar se në ordinancë po sheh gjithnjë e më shpesh pacientë që i largojnë produktet e qumështit nga ushqimi, edhe pse nuk kanë arsye të konfirmuar mjekësore për këtë.

    “Në ordinancë e shoh vazhdimisht. Shprehja intolerancë ndaj produkteve të qumështit përdoret shumë lehtë dhe shumë njerëz ia vendosin vetes këtë diagnozë. Kur bëjmë testet, shpesh del se në fakt nuk e kanë këtë gjendje”, tha ajo.

    Ajo shtoi se ushqimi pa produkte qumështi është bërë një lloj trendi, sepse disa njerëz i shohin ato si ushqime që shtojnë peshë trupore.

    “Heqja dorë nga produktet e qumështit është bërë trend, sepse njerëzit mendojnë se shëndoshin, por shpesh i bëjnë vetes më shumë dëm sesa dobi kur i shmangin”, tha Parmar.

    Shkencëtarët supozojnë se kalciumi mund të lidhet me substanca të dëmshme në zorrë, përfshirë acidet biliare dhe acidet yndyrore, duke ulur kështu efektin e tyre potencialisht kancerogjen.

    Rezultatet treguan se ushqimet e pasura me kalcium, veçanërisht qumështi dhe jogurti, kishin lidhjen më të qartë me rrezik më të ulët. Megjithatë, ky efekt nuk u pa në të njëjtën mënyrë te të gjitha produktet e qumështit. Djathi dhe akullorja nuk treguan lidhje të qartë me uljen e rrezikut për kancer të zorrës së trashë.

    “Çelësi është kalciumi, dhe ai mund të vijë nga burime të ndryshme: qumështi, jogurti, por edhe tofu ose pijet bimore të pasuruara me kalcium”, tha Parmar.

    Ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë se qumështi është mbrojtje mrekullibërëse ndaj sëmundjes. Bëhet fjalë për një lidhje të vërejtur në një studim të madh vëzhgues, prandaj rezultatet duhet të interpretohen në kontekstin e mënyrës së përgjithshme të jetesës dhe ushqyerjes.

    Alkooli dhe mishi i përpunuar rrisin rrezikun

    I njëjti studim tregoi edhe anën tjetër të zakoneve ushqimore: alkooli, mishi i kuq dhe mishi i përpunuar lidhen me rrezik më të lartë për kancer të zorrës së trashë.

    Sipas përmbledhjes së studimit, çdo 20 gramë shtesë alkool në ditë lidhej me 15 për qind rritje të rrezikut, ndërsa çdo 30 gramë mish të kuq ose të përpunuar me 8 për qind rritje të rrezikut.

    “Është e rëndësishme të kuptohet se faktorët e rrezikut janë pjesë e një tabloje më të gjerë. Përqendrimi në mënyrë të shëndetshme jetese, përfshirë ushqyerjen e balancuar dhe aktivitetin e rregullt fizik, është mënyra më e mirë për uljen e rrezikut nga çdo lloj kanceri”, tha Parmar.

    Ajo shtoi se ndërprerja e duhanit dhe ulja e konsumit të alkoolit janë ndër hapat më të rëndësishëm në parandalimin e kancerit të zorrës së trashë.

    “Gjithçka është te masa dhe te zgjedhjet e shëndetshme”, theksoi ajo.

    Mjekët paralajmërojnë se është e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje shenjave të mundshme të kancerit të zorrës së trashë, si gjaku në jashtëqitje, humbja e pashpjegueshme e peshës trupore, dhimbja ose parehatia e vazhdueshme në bark, si dhe ndryshimet në jashtëqitje që nuk kalojnë.

    Diagnoza e hershme mund t’i rrisë dukshëm gjasat për trajtim të suksesshëm, prandaj ekspertët këshillojnë që te simptomat e pazakonshme ose afatgjata të mos shtyhet vizita te mjeku.

  • Si praktikohet teknika e tokëzimit: Mund të ulë stresin, tensionin e gjakut dhe të përmirësojë gjumin

    Si praktikohet teknika e tokëzimit: Mund të ulë stresin, tensionin e gjakut dhe të përmirësojë gjumin

    Tokëzimi është praktikë që nënkupton kontaktin e drejtpërdrejtë të trupit me tokën, për shembull duke ecur zbathur në bar, rërë apo dhe, ose duke përdorur produkte të posaçme që lidhen me tokëzimin elektrik

    Sipas mbështetësve të kësaj praktike, trupi lidhet me ngarkesën natyrore elektrike të tokës dhe mund të thithë elektrone, të cilat besohet se ndikojnë në uljen e inflamacionit, stresit dhe përmirësimin e gjumit. Megjithatë, provat shkencore janë ende të kufizuara, prandaj tokëzimi nuk duhet të përdoret kurrë si zëvendësim i trajtimit mjekësor.

    Si mendohet se funksionon?

    Sipërfaqja e tokës është e pasur me elektrone. Teoria e tokëzimit thotë se, për shkak të jetës moderne dhe kontaktit të pakët me tokën, trupi grumbullon ngarkesa pozitive statike, të cilat mund të neutralizohen përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me tokën.

    Përkrahësit e kësaj qasjeje besojnë se elektronet e përthithura veprojnë si antioksidantë natyralë, duke ndihmuar në neutralizimin e radikaleve të lira dhe në mbështetjen e proceseve natyrore të organizmit.

    Tokëzimi mund të praktikohet në mënyrë të thjeshtë, duke ecur zbathur në natyrë, duke qëndruar në tokë, duke hyrë në ujë natyror, si liqen apo det, ose përmes produkteve të posaçme si dyshekë, çarçafë, çorape, këpucë apo shirita tokëzues.

    Produktet për tokëzim

    Në treg gjenden disa produkte që pretendojnë se mundësojnë kontaktin elektrik të trupit me tokën. Dyshekët apo matet tokëzuese vendosen nën këmbë, në tavolinë ose përdoren gjatë meditimit. Çarçafët dhe mbulesat për dyshek përmbajnë materiale përçuese, zakonisht argjend ose karbon, dhe lidhen me një prizë të tokëzuar ose drejtpërdrejt me tokën.

    Çorapet, këpucët dhe shiritat ngjitës për lëkurë kanë të njëjtin qëllim: të mundësojnë përçimin e elektroneve drejt trupit.

    Nëse përdoren produkte që lidhen në prizë, është e domosdoshme të kontrollohet nëse priza është e tokëzuar siç duhet. Për këtë përdoren pajisje kontrolluese, të cilat shpesh ofrohen bashkë me produktin ose mund të blihen veçmas.

    Sa shpesh duhet praktikuar?

    Nuk ka një kohë të përcaktuar saktë. Disa burime sugjerojnë 10 deri në 20 minuta në ditë, ndërsa disa studime kanë raportuar ndryshime pas rreth 30 minutash kontakti me tokën.

    Në përgjithësi, mbështetësit e tokëzimit këshillojnë që kjo praktikë të bëhet rregullisht, por pa teprime dhe gjithmonë me kujdes.

    Përfitimet e mundshme

    Disa studime të vogla kanë raportuar se tokëzimi mund të ndikojë në disa procese të trupit, por ende nuk ka prova të mjaftueshme për të thënë se parandalon ose shëron sëmundje.

    Inflamacioni është një nga fushat më të përmendura. Disa të dhëna tregojnë se indikatorët e inflamacionit mund të ulen më shumë te personat që praktikojnë tokëzim, krahasuar me ata që nuk e praktikojnë. Po ashtu, disa studime kanë vërejtur përmirësim të qarkullimit të gjakut dhe ulje të viskozitetit të tij, gjë që mund të ketë rëndësi për shëndetin kardiovaskular.

    Tokëzimi është lidhur edhe me gjumë më të mirë. Një studim ka treguar se personat që e praktikonin kishin nivele më të rregulluara të kortizolit gjatë natës, hormon që ndikon në stres dhe ritmin ditor të trupit.

    Disa të dhëna të hershme përmendin edhe ndikim të mundshëm në uljen e stresit dhe ankthit, si dhe në përmirësimin e ndryshueshmërisë së ritmit të zemrës, një tregues i rëndësishëm për funksionimin e sistemit nervor dhe kardiovaskular.

    Megjithatë, këto rezultate duhen interpretuar me kujdes, sepse shumica e studimeve janë të vogla dhe kërkojnë konfirmim më të gjerë shkencor.

    Rreziqet dhe kujdesi

    Tokëzimi konsiderohet relativisht i sigurt për shumicën e njerëzve, por ka disa rreziqe praktike. Ecja zbathur mund të shkaktojë lëndime, infeksione, pickime ose rënie, sidomos në terren të pabarabartë. Në ditët e nxehta duhet pasur kujdes me hidratimin.

    Produktet që lidhen në prizë nuk duhet të përdoren gjatë stuhive me rrufe, sepse mund të rrisin rrezikun nga goditja elektrike. Po ashtu, instalimet elektrike të dëmtuara ose prizat pa tokëzim të rregullt mund të jenë të rrezikshme.

    Para se të filloni tokëzimin, këshillohet të konsultoheni me mjekun, sidomos nëse jeni shtatzënë, keni alergji, probleme me imunitetin, dëmtime nervore, diabet, plagë në këmbë ose probleme të tjera shëndetësore.

    Nëse gjatë praktikës ndieni mpirje, therje, dobësi, simptoma të ngjashme me gripin ose përkeqësim të gjendjes, ndërpriteni dhe kërkoni këshillë profesionale.

    Përfundim

    Tokëzimi është një praktikë e thjeshtë që synon rikthimin e kontaktit të drejtpërdrejtë me tokën. Mund të ndihmojë disa njerëz të ndihen më të qetë, të flenë më mirë ose të kenë më pak stres, por nuk ka prova të mjaftueshme që shëron sëmundje apo zëvendëson kujdesin mjekësor.

    Më e sigurta është të shihet si një formë e lehtë mirëqenieje, jo si terapi mjekësore.

  • Hiqni njollat nga rrobat e bardha me këtë truk interesant

    Hiqni njollat nga rrobat e bardha me këtë truk interesant

    Me ardhjen e pranverës dhe afrimin e verës, garderoba fillon të ndryshojë. Rrobat e trasha lihen mënjanë dhe në përdorim hyjnë këmishat dhe bluzat e lehta. Pikërisht në këtë periudhë, shumë njerëz vërejnë se rrobat e bardha nuk janë më si dikur – ato bëhen gri ose zverdhen, sidomos në jakë dhe në zonën e sqetullave.

    Shkaku nuk është vetëm papastërtia, por edhe grumbullimi i proteinave nga djersa dhe yndyra e trupit.

    Për këtë problem, ekziston një zgjidhje e thjeshtë dhe ekonomike: përdorimi i aspirinës. Ajo përmban acid salicilik, i cili ndihmon në shpërbërjen e këtyre njollave dhe rikthimin e bardhësisë së rrobave.

    Për ta përdorur këtë metodë, rekomandohet të shtypen pesë tableta aspirine dhe të treten në ujë të nxehtë.

    Rrobat e zverdhura ose të zbehura vendosen në këtë përzierje dhe lihen të njomen për të paktën tetë orë, në mënyrë që acidi të depërtojë mirë në fijet e pëlhurës. Më pas, ato lahen normalisht në lavatriçe. Për një efekt shtesë, mund të shtohen edhe disa tableta të tjera gjatë larjes.

    Në rastet e njollave më të forta, si ato nga djersa, mund të përgatitet një pastë me aspirinë dhe pak ujë, e cila aplikohet drejtpërdrejt mbi zonën e prekur dhe lihet të veprojë për rreth 30 minuta përpara larjes.

    Kjo metodë është jo vetëm efektive, por edhe shumë më e lirë krahasuar me produktet e shtrenjta zbardhuese.

    Për më tepër, është më e butë për rrobat, sidomos për materialet delikate si pambuku, të cilat mund të dëmtohen nga përdorimi i zbardhuesve të fortë.

  • Zbulohet plani, çfarë përfshin propozimi me 14 pika i Iranit për SHBA-në për t’i dhënë fund luftës

    Zbulohet plani, çfarë përfshin propozimi me 14 pika i Iranit për SHBA-në për t’i dhënë fund luftës

    Teherani ka paraqitur një propozim me 14 pika për përfundimin e luftës, përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, ndërsa administrata Trump vijon të mbajë në fuqi bllokadën detare, të shqyrtojë opsione ushtarake dhe të miratojë paketa të mëdha armatimi për aleatët në Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan, Donald Trump ka lënë të kuptohet se propozimi i ri vështirë se do të pranohet.

    Sipas agjencisë gjysmëzyrtare Tasnim, Teherani ka dorëzuar një përgjigje me 14 pika ndaj një plani amerikan me nëntë pika për përfundimin e konfliktit.

    Propozimi iranian thekson përfundimin e plotë të armiqësive, duke refuzuar idenë e një “ngrirjeje” të përkohshme apo armëpushimi dy-mujor, dhe kërkon zgjidhjen e çështjeve themelore brenda 30 ditëve. Sipas Iranit, prioritet duhet të jetë përmbyllja përfundimtare e luftës dhe jo zgjatja e një armëpushimi të përkohshëm.

    Plani iranian përfshin kërkesa për garanci kundër veprimeve ushtarake, tërheqjen e forcave amerikane nga zonat përreth Iranit, heqjen e bllokadës detare dhe të sanksioneve ekonomike, zhbllokimin e aseteve të ngrira iraniane, pagesën e kompensimeve, si dhe ndërprerjen e armiqësive në disa fronte, përfshirë edhe Libanin. Gjithashtu, propozohet një kuadër i ri për funksionimin e Ngushticës së Hormuzit, një korridor kyç energjetik që mbetet i mbyllur që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt.

    “Topi është në fushën e SHBA-ve”, deklaroi Ministria e Jashtme e Iranit, duke theksuar se vendi është i gatshëm si për rifillimin e negociatave, ashtu edhe për rikthimin në operacione ushtarake.

    Pakistani ka luajtur një rol qendror në ndërmjetësim, duke kontribuar në arritjen e një armëpushimi në fillim të prillit dhe në organizimin e bisedimeve në Islamabad, me synimin për të ruajtur këtë rol deri në përfundimin e krizës.

    Nga ana tjetër, reagimi i presidentit Donald Trump ishte i rezervuar. Përmes platformës Truth Social, ai deklaroi se do ta shqyrtojë planin iranian, por shtoi se e konsideron të vështirë pranimin e tij. “Nuk mund të imagjinoj se do të jetë i pranueshëm, pasi nuk kanë paguar mjaftueshëm për atë që kanë bërë ndaj njerëzimit dhe botës gjatë 47 viteve të fundit”, u shpreh ai.