ATV

Author: K.B.

  • VV’ja fton mërgatën të regjistrohen për votim, fajëson Opozitën për zgjedhjet e 7 qershorit

    VV’ja fton mërgatën të regjistrohen për votim, fajëson Opozitën për zgjedhjet e 7 qershorit

    Lëvizja Vetëvendosje, i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen në mënyrë që të votojnë me postë, në ambasada ose konsullata.

    Nga VV’ja, është deklaruar edhe se, afati për regjistrim hapet nesër, e së bashku me të edhe linku për regjistrim.

    Postimi:

    Regjistrohu për votim nga mërgata

    Afati: 6–17 maj 2026

    E dashur mërgatë,

    Të nderuar bashkatdhetarë,

    Edhe pas shumë përpjekjeve e propozimeve nga ana jonë dhe të gjitha refuzimeve nga ana e opozitës, vendi po futet sërish në një proces zgjedhor. Ju folët qartë në zgjedhjet e fundit, sikurse i gjithë populli i Kosovës, por kjo nomenklaturë e vjetër politike nuk do të dëgjojë.

    Edhe ky proces, si të gjitha proceset elektorale, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ndërkaq, të gjithë ata bashkatdhetarë që nuk do të vijnë fizikisht për votim në Kosovë, duhet patjetër të regjistrohen paraprakisht për të fituar të drejtën për votim me postë apo në ambasada/konsullata.

    Afati për regjistrim hapet nesër, e së bashku me të edhe linku për regjistrim.

    Ju faleminderit!

  • Djali i shoferit që goditi për vdekje dy fëmijët në Durrës: Babai do të marrë dënimin e merituar

    Djali i shoferit që goditi për vdekje dy fëmijët në Durrës: Babai do të marrë dënimin e merituar

    Një ngjarje e rëndë e ka tronditur Shqipërinë ditën e diele.

    Tre fëmijë u goditën nga një veturë në lagjen 15-të të Durrësit, ku dy prej tyre vdiqën e një tjetër mori lëndime të rënda.

    Shoferi Nikoll Radaçi, u arrestua nga policia teksa sot doli para gjykatës ku iu caktua edhe masa e paraburgimit.

    Lidhur me tragjedinë sot folën edhe djali i të dyshuarit.

    Ai për Top Channel po ndihen të shkatërruar nga ky rast, derisa theksoi se babai i tij duhet ta marrë dënimin e merituar.

    “Në radhë të parë, duam t’u japim ngushëllime familjeve të viktimave! Në emrin tim dhe të familjes sime, dua të kërkoj falje publike për tragjedinë e rëndë që ka ndodhur. Aksidenti i shkaktuar nga babai ynë ka marrë jetën e dy fëmijëve të pafajshëm dhe nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen që kjo ngjarje ka shkaktuar te familjet e tyre dhe te të gjithë ne si shoqëri. Ngjarjen e morëm vesh nga media. U shokuam, sepse bëhej fjalë për jetë njerëzish dhe, mbi të gjitha, për fëmijë të mitur. I kemi ndjekur detajet dhe prononcimet në media. Ato janë diçka për të cilat çdo njeri ka mendim të ndryshëm. I kuptojmë njerëzit që janë kaq të irrituar, por kjo po ndikon shumë keq”.

    ​”Ne nuk po mbrojmë aktin, babai ynë do të marrë dënimin e merituar për këtë gabim që ka bërë. Ju lutem na kuptoni, jemi të shkatërruar. Me babin nuk kemi pasur kontakt tani që është arrestuar. Po, është e vërtetë që jemi larguar nga shtëpia për arsye sigurie, sepse është një rast i rëndë dhe nuk ishte e sigurt jeta jonë që pas asaj tragjedie që ndodhi, ne të rrinim aty, pasi i kemi shumë afër njerëzit e viktimave”, deklaroi ai.

    “Mesazhi ynë për ta është: Nga zemra kërkojmë falje. E dimë që asnjë fjalë nuk mund ta zbusë dhimbjen që po kalojnë, por ne ndajmë me ta këtë dhimbje. Jemi njerëz dhe, mbi të gjitha, jemi fëmijë… dhe e kuptojmë sa e rëndë është kjo humbje. Po, ka pasur raste që ai konsumonte alkool”, shtoi ai.

  • “Nuk është art, është përçarje”: Adelina Thaçi-Meta godet Adriana Matoshin për gjuhën e përdorur

    “Nuk është art, është përçarje”: Adelina Thaçi-Meta godet Adriana Matoshin për gjuhën e përdorur

    Ish-deputetja e LDK-së, Adelina Thaçi-Meta e ka kritikuar indirekt kolegen e saj nga Vetëvendosje, Adriana Matoshin për gjuhën e saj të përdorur në rrjetet sociale.

    Sipas Thaçit, artistët nuk e ulin nivelin e debatit dhe nuk përçajnë.

    “Ka njerëz që mbajnë titullin “artist”, por e përdorin zërin vetëm për të sulmuar, jo për të ndërtuar.
    Për vite me radhë, heshtje për teatrin, për kulturën, për artistët, por zë i lartë për përçarje, për gjuhë të ulët dhe sulme politike. Kjo nuk është art. Kjo nuk është kulturë”, ka shkruar ajo.

    “Artisti i vërtetë nuk e ul nivelin e debatit, ai e ngre shoqërinë. Nuk përçan, por bashkon. Nuk shërben si megafon i urrejtjes, por si zë i ndërgjegjes. E kur je edhe përfaqësues i qytetarëve, përgjegjësia është dyfish – të mbrosh kulturën, të fuqizosh artin, të japësh shembull dinjiteti dhe të ndërtosh ura komunikimi. Sepse arti është mision. Dhe misioni nuk është të ndash, por të bashkosh.
    Mjaft Ma” shkruan Thaçi-Meta.

  • Kriza politike në Rumani, rrëzohet qeveria

    Kriza politike në Rumani, rrëzohet qeveria

    Parlamenti i Rumanisë ka rrëzuar qeverinë e kryeministrit të qendrës së djathtë Ilie Bolojan përmes një vote mosbesimi, duke thelluar krizën politike në vend dhe duke hapur një periudhë të re pasigurie institucionale.

    Vendimi u mor pas një debati të tensionuar në parlament, ku vetë Bolojan e cilësoi mocionin si “të rremë, cinik dhe artificial”, duke paralajmëruar se ndryshimi i qeverisë në një moment krize nuk është në interes të vendit.

    Roli vendimtar në rrëzimin e qeverisë e luajti Partia Socialdemokrate (PSD), e cila, pas pakënaqësive të thella me politikat e ashpra të kursimit të ndërmarra nga qeveria, u largua nga koalicioni qeverisës dhe vendosi të bashkëpunojë me forcat e së djathtës ekstreme, konkretisht me Aleancën e Bashkuar të Rumunëve. Ky bashkëpunim ka shkaktuar reagime dhe polemika edhe në nivel europian, pasi socialistët rumunë janë pjesë e grupit të qendrës së majtë në Parlamentin Europian, i cili më parë ka kritikuar aleanca të ngjashme me të djathtën ekstreme.

    Qeveria e drejtuar nga Bolojan ishte në pushtet që prej vitit 2025, pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Marcel Ciolacu. Rrëzimi nga pushteti vjen më pak se një vit pas zgjedhjeve presidenciale të tensionuara, ku presidenti aktual Nicușor Dan arriti të mposhtë liderin e ekstremit të djathtë George Simion.

    Simion konsiderohet si një nga figurat kryesore pas këtij zhvillimi politik, pasi partia e tij ka fituar terren në sondazhe dhe po përfiton nga pakënaqësia publike dhe pasiguria ekonomike. Ai ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, duke deklaruar se e ardhmja e vendit duhet të vendoset nga vota e qytetarëve. Megjithatë, analistët e shohin të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme përpara përfundimit të mandatit aktual parlamentar në vitin 2028.

    Tashmë, presidenti Nicușor Dan pritet të nisë konsultimet me partitë politike për krijimin e një qeverie të re. Një nga skenarët e mundshëm është formimi i një koalicioni të ri mes liberalëve dhe socialistëve, ndoshta nën drejtimin e një figure teknokrate të pavarur. Një tjetër mundësi është që vetë Bolojan të mandatohet për të drejtuar një qeveri minoritare.

    Situata mbetet e ndërlikuar edhe në aspektin ekonomik. Romania duhet të përmbushë reforma kyçe deri në muajin gusht për të përfituar rreth 11 miliardë euro fonde nga Bashkimi Europian. Nëse dështon të stabilizojë financat publike, vendi rrezikon gjithashtu një ulje të vlerësimit të kreditit, gjë që do të rëndonte më tej ekonominë.

    Kjo është hera e shtatë që një qeveri në Rumani rrëzohet me votë mosbesimi që nga përfundimi i regjimit komunist pas Revolucionit të vitit 1989, duke treguar për një histori të vazhdueshme të paqëndrueshmërisë politike. Ndërkohë, presidenti Dan është përpjekur të qetësojë qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se orientimi perëndimor i vendit nuk do të ndryshojë, pavarësisht krizës aktuale politike.

  • 11 vjet nga gurëthemeli i Ambasadës së ShBA-së në Kosovë

    11 vjet nga gurëthemeli i Ambasadës së ShBA-së në Kosovë

    Ambasada amerikane në Kosovë sot kujtoi hedhjen e gurthemelit të parë për ndërtimin e objektit të ambasadës në Prishtinë 11 vjet më parë.

    Në njoftimin e kësaj ambasade, thuhet se Kosova ka një nga ndërtesat më moderne të ambasadave amerikane në botë dhe këtë e quajti simbolikë të një partneriteti mes të dyja vendeve.

    “Në këtë ditë, 11 vite më parë, Shtetet e Bashkuara zyrtarisht hodhën themelet për kompleksin e ri të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. Kosova ka një nga ndërtesat më moderne dhe më të avancuara të ambasadave amerikane në botë – një simbol i partneritetit diplomatik dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, shkroi ambasada.

    Ajo shtoi se dizajni inovativ dhe i sigurt i ndërtesës përfshiu shumë punëtorë dhe arkitektë vendorë gjatë procesit të ndërtimit.

  • Koalicioni i ri në Prishtinë, Lushaku: I takon Përparimit me marrë vendime dhe me dhanë përgjegjësi

    Koalicioni i ri në Prishtinë, Lushaku: I takon Përparimit me marrë vendime dhe me dhanë përgjegjësi

    Anëtarja e Kryesisë së LDK’së, Jehona Lushaku, tha se në mbledhjen e sotme të Kryesisë do të flasin edhe për çështjen e Përparim Ramës, por nuk u zgjerua shumë, duke thënë se ato që kishin për të thënë i thanë në komunikatën e lëshuar sot.

    LDK pak më herët tha se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje, ndërsa Rama pak më vonë njoftoi për emërimin e nënkryetares Besianë Musmurati nga radhët e PDK’së.

    Sidoqoftë, Lushaku tha se fokusi i mbledhjes së sotme të partisë do të jetë te niveli qendror.

    “Gjithçka që kemi dashur me thënë është thënë në deklaratën zyrtare të LDK-së. Ndryshe, Përparimi është kryetar i Prishtinës edhe i takon atij me dhanë edhe përgjegjësi edhe me marrë vendime në sajë të kompetencave që ai i ka. “S’kanë lidhje këto të dyja. Ju lus, çështjet komunale janë të ndara, çështjet qendrore janë çështje qendrore. Ne sot si temë diskutimi do të kemi rrugën tonë përpara dhe bashkimin e së djathtës për nivelin qendror. Dhe koalicionet dhe gjithçka tjetër që është për nivelet lokale, e nuk jemi veç në Prishtinë, po edhe në shumë komuna tjera duke qeverisur ose duke bashkëqeverisur me ndonjë parti tjetër, janë çështje lokale për të cilat sot nuk është prioritet”, tha ajo siç raportoi EO.

  • DnV: Rregullorja e re e KQZ-së për vëzhguesit kufizon vëzhgimin e pavarur të zgjedhjeve

    DnV: Rregullorja e re e KQZ-së për vëzhguesit kufizon vëzhgimin e pavarur të zgjedhjeve

    Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka vlerësuar se Rregullorja Zgjedhore për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, e miratuar nga KQZ më 29 prill përmban dispozita që tejkalojnë kornizën e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    DnV thekson se dispozitat e së njëjtës rregullore cenojnë drejtpërdrejt mënyrën e ushtrimit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga organizatat e shoqërisë civile.

    “Ndryshe nga rregullativa paraprake, që akreditimin e organizatave vëzhguese e bazonte në verifikim formal të kërkesave ligjore, më rregulloren e re procesi kthehet në mekanizëm kufizues, pengues dhe kontrolli ndaj shoqërisë civile në vëzhgim të zgjedhjeve. Kjo rregullativë nuk buron nga ligji, dhe si e tillë cenon lirinë e asociimit dhe parimin e sigurisë juridike të organizatave. Për më keq, vetë procesi i hartimit dhe miratimit të kësaj rregulloreje është zhvilluar pa asnjë konsultim paraprak me organizatat e shoqërisë civile dhe pa asnjë njoftim public”.

    “Konkretisht, rregullorja përmban dispozita [Neni 3.6] që kundërligjshëm i japin mandat KQZ-së që të refuzojë akreditimin e një organizate vëzhguese mbi bazën e “të dhënave nga institucionet kompetente për rrezik ndaj rendit juridik dhe kushtetues”. Kjo përgjegjësi nuk është në mandatin e KQZ-së, pasi që vetëm gjykatat kanë kompetencë për të vendosur për situata të tilla”, thuhet mes tjerash në një reagim të DnV-së.

    Më poshtë reagimi i plotë:

    Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” vlerëson se Rregullorja Zgjedhore Nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, e miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 29 prill 2026, përmban dispozita që tejkalojnë kornizën e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe që cenojnë drejtpërdrejt mënyrën e ushtrimit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga organizatat e shoqërisë civile.

    Ndryshe nga rregullativa paraprake, që akreditimin e organizatave vëzhguese e bazonte në verifikim formal të kërkesave ligjore, më rregulloren e re procesi kthehet në mekanizëm kufizues, pengues dhe kontrolli ndaj shoqërisë civile në vëzhgim të zgjedhjeve. Kjo rregullativë nuk buron nga ligji, dhe si e tillë cenon lirinë e asociimit dhe parimin e sigurisë juridike të organizatave. Për më keq, vetë procesi i hartimit dhe miratimit të kësaj rregulloreje është zhvilluar pa asnjë konsultim paraprak me organizatat e shoqërisë civile dhe pa asnjë njoftim publik.

    Konkretisht, rregullorja përmban dispozita [Neni 3.6] që kundërligjshëm i japin mandat KQZ-së që të refuzojë akreditimin e një organizate vëzhguese mbi bazën e “të dhënave nga institucionet kompetente për rrezik ndaj rendit juridik dhe kushtetues”. Kjo përgjegjësi nuk është në mandatin e KQZ-së, pasi që vetëm gjykatat kanë kompetencë për të vendosur për situata të tilla.

    Po ashtu, është shtuar dispozitë [Neni 3.4] që i japin KQZ-së autoritet përtej ligjit që, sipas vlerësimit të saj, të kërkojë dokumente shtesë lidhur me burimet e financimit të organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve. Vëzhgimi i zgjedhjeve nuk kushtëzohet me ekzistencën e fondeve të dedikuara, meqë e drejta për vëzhgim, si e drejtë qytetare mund të ushtrohet edhe mbi baza vullnetare. Për më tepër, çështja e burimit të financimit të OJQ-ve është e rregulluar me legjislacion tjetër, monitorimi i së cilave është në përgjegjësi të institucioneve tjera shtetërore.

    Si kriter për akreditim të organizatave vëzhguese, Rregullorja [Neni 3.2] kërkon gjithashtu dorëzimin e të dhënave të detajuara, përfshirë themeluesit dhe strukturën drejtuese dhe raportet vjetore të OJQ-së, duke e zgjeruar ndjeshëm gamën e informacionit që duhet dorëzuar për akreditim. Ligji e përcakton qartazi që kriter për akreditim të organizatave është certifikata e regjistrimit dhe statuti i organizatës, përmes së cilave verifikohet fushëveprimi i organizatës, i cili duhet të jetë në fushën e zgjedhjeve apo të drejtave të njeriut.

    Në anën tjetër, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor, DnV vazhdimisht ka rekomanduar që KQZ-ja të mos lejojë angazhimin e komisionerëve, stafit zgjedhor apo vëzhguesve të cilët janë dënuar apo janë në procedurë hetimore për shkeljet zgjedhore. Sidoqoftë, në rregulloren e re [Neni 3.8] ky kufizim është përcaktuar vetëm për vëzhguesit, e jo edhe për komisionerët dhe stafin zgjedhor – që përbën diskriminim dhe cenim të parimit të barazisë para ligjit. Për më tepër, përgjegjësia për verifikim duhet të bjerë mbi KQZ-në dhe institucionet tjera publike, e jo tek organizatat vëzhguese apo vetë vëzhguesit.

    Në këtë Rregullore [Neni 8.4] është përcaktuar që vetëm organizatat e akredituara vëzhguese mund të dërgojnë vëzhgues në takimet e KQZ-së dhe KKZ-ve. Kjo dispozitë është në shkelje të nenit 9 të Ligjit për Zgjedhje, i cili thekson se mbledhjet e KQZ-së janë të hapura për publikun, pa përjashtim, përpos rasteve kur diskutohet për çështje lidhur me personelin e KQZ-së.

    Demokracia në Veprim rikujton se vëzhgimi i zgjedhjeve është thelbësor për transparencën e procesit zgjedhor dhe për besimin e publikut në rezultatet e tij. Vendosja e kushteve dhe kërkesave shtesë përtej ligjit, ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si realizohet vëzhgimi në praktikë, duke kufizuar hapësirën për vëzhgim dhe për rrjedhojë edhe nivelin e integritetit dhe legjitimitetit të procesit zgjedhor.

    Për këto arsye, Demokracia në Veprim kërkon nga KQZ që sa më parë të rishqyrtojë Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2026, të largojë dispozitat që tejkalojnë bazën ligjore dhe të sigurojë që rregullimi i vëzhgimit të zgjedhjeve të mbështetet në standarde demokratike të qarta, të barabarta dhe të zbatueshme për të gjithë.

  • Në Zvicër po kërkohet ulja e kufirit të shpejtësisë për të kursyer karburant

    Në Zvicër po kërkohet ulja e kufirit të shpejtësisë për të kursyer karburant

    Propozimi për 80 km/h në autostrada rikthen debatin politik në Zvicër mes kursimit të energjisë dhe rritjes së shpejtësisë

    Partia e Gjelbër në Zvicër “Green Party of Switzerland” ka propozuar uljen e kufirit të shpejtësisë në autostradat zvicerane nga 120 km/h në 80 km/h, me qëllim reduktimin e konsumit të karburantit dhe kursimin e energjisë, porcjell albinfo.ch.

    Liderja e partisë, Liza Mazzone Liza Mazzone, ka theksuar se një masë e ngjashme ishte zbatuar edhe gjatë krizës globale të naftës në vitin 1973, kur mungesat e karburantit kishin detyruar autoritetet zvicerane të vendosnin përkohësisht kufirin e shpejtësisë në 100 km/h.

    Sipas saj, masa të tilla mund të ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë në periudha të pasigurta ekonomike dhe gjeopolitike.

    Në anën tjetër të spektrit politik, Partia Popullore Zvicerane Swiss People’s Party (SVP) po kërkon të kundërtën, duke propozuar rritjen e kufirit të shpejtësisë në autostrada në 130 km/h.

    Ky debat ka hapur diskutime të reja në Zvicër mbi balancimin mes politikave të energjisë, mjedisit dhe lirisë së qarkullimit.

  • Mbi 2 milionë votues për zgjedhjet e 7 qershorit

    Mbi 2 milionë votues për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar Listën Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 7 qershor.

    Lista Preliminare e Votuesve përmban: 2,092,202 votues, pra 15,912 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakoshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2026.

    “Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,131 votues, prej të cilëve: • 16,933 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor.

    “ Prej tyre 8,755 (51.70 %) janë meshkuj, ndërsa 8,178 (48.30 %) janë femra; dhe • 5,198 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës” , u theksua mes tjerash në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

    Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,219.

    Ky numër përfshin: • 5,826 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC); dhe • 393 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC. Gjithashtu, në Listën Votuese nuk janë përfshirë 6,797 persona, të cilët përmes aktiviteteve të ndryshme të KQZ-së, gjatë vitit 2025, janë evidentuar si persona të vdekur përmes krahasimit të të dhënave me regjistrat e ARC-së, Departamentin e Pensioneve, bashkësitë fetare dhe verifikimet në terren.

  • Kaq para ka të drejt të shpenzojë një subjekt politik për fushatën zgjedhore

    Kaq para ka të drejt të shpenzojë një subjekt politik për fushatën zgjedhore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e sotme, mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

    Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,092,202 euro, pra një (1) euro për çdo votues të regjistruar. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar, si dhe në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas së cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,092,202.

    Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, shpjegoi procedurën.

    “ Siç e dini, sipas planit kohor, fushata zgjedhore do të fillojë më 28 maj 2026 dhe do të përfundojë më 7 qershor 2026, para hapjes së qendrave të votimit. Andaj, në përputhje me Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kufizimi i shpenzimeve është llogaritur në 1 euro për votues. Në lidhje me bazën ligjore, Zyra i rekomandon KQZ-së që të aprovojë kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore në vlerën prej 2,092,202 euro. Pra, kjo lidhet me numrin e votuesve në listën preliminare, sipas ekstraktit të marrë më 30 prill 2026”, tha ai.