ATV

Author: K.B.

  • Parashikimi i motit për të mërkurën

    Parashikimi i motit për të mërkurën

    Të mërkurën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugperëndimit, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, sidomos në regjionin e Gjakovës, me shpejtësi prej 10-52 km/h.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje të mëtejshme, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 24 deri në 27°C.

  • Pas Samitit në Armeni, Kurti shfaqet në Shkup

    Pas Samitit në Armeni, Kurti shfaqet në Shkup

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, që është mbajtur në Armeni.

    Pas kthimit nga Samiti, Kurti është ndalur në Shkup.

    Kjo është bërë e ditur përmes një fotografie, nga Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

    “Mire se erdhe në Shkup miku im, kryeministër Albin Kurti”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Avokati i Thaçit konfirmon shtyrjen e vendimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Avokati i Thaçit konfirmon shtyrjen e vendimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë për më 20 korrik 2026.

    Konfirmimin për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit e ka bërë për RTK-në avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, i cili në një përgjigje për RTK ka konfirmuar saktësinë e informacionit të raportuar në media.

    “Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiq në përgjigjen e tij në pyetjen nëse raportimi për shtyrjen e vendimit për 20 korrik është i saktë.

    Fillimisht, vendimi përfundimtar ishte paraparë të shpallej më 19 maj, brenda afateve të përcaktuara procedurale. Megjithatë, sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shpalljen e verdiktit, me mundësi shtyrjeje deri në 60 ditë shtesë.

    Kësisoj epilogu i një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së pritet të bëhet publik më 20 korrik 2026. /RTK

  • Mungoi në mbledhjen e LDK-së, reagon Avdullah Hoti

    Mungoi në mbledhjen e LDK-së, reagon Avdullah Hoti

    As Hykmete Bajrami e as Avdullah Hoti nuk u panë në mbledhjen e Kryesisë së LDK’së, ku u diskutua rreth bashkimit me Vjosa Osmanin.

    Hoti ka reaguar në profilin e tij në Facebook, pasi kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se është votuar pro garimit me Osmanin në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Ai ka postuar një logo të LDK-së me mbishkrimin “LDK mbi të gjitha”.

  • Linjat ajrore anulojnë 13 mijë fluturime në maj për shkak të krizës së karburantit

    Linjat ajrore anulojnë 13 mijë fluturime në maj për shkak të krizës së karburantit

    Linjat ajrore në mbarë botën kanë anuluar mijëra fluturime gjatë muajit maj dhe kanë reduktuar ndjeshëm kapacitetet, ndërsa mungesa e karburantit për avionë po fillon të ndihet gjithnjë e më shumë. Kjo situatë rrit rrezikun për ndërprerje të udhëtimeve, veçanërisht për familjet që planifikojnë pushimet gjatë periudhës së pushimeve shkollore.

    Planet e udhëtimit për këtë periudhë mund të goditen rëndë, pasi kompanitë ajrore globale kanë njoftuar anulimin e rreth 13 mijë fluturimeve të planifikuara për maj.

    Sipas të dhënave nga firma analitike e aviacionit Cirium, vetëm në dy javët e fundit janë hequr nga oraret e fluturimeve afro dy milionë vende. Numri total i vendeve të disponueshme globalisht ka rënë nga 132 milionë në 130 milionë gjatë fundit të prillit.

    Këto anulime pritet të ndikojnë ndjeshëm te udhëtarët që kanë rezervuar pushime jashtë vendit në fund të majit, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe në disa pjesë të Evropës kontinentale.

    Ndër kompanitë evropiane që kanë anuluar fluturime janë Turkish Airlines, Lufthansa, British Airways dhe KLM.

    Një verë e vështirë për aviacionin

    Situata pritet të përkeqësohet gjatë verës. Linjat ajrore jo vetëm që kanë reduktuar vendet, por edhe kanë kaluar në përdorimin e avionëve më të vegjël për të kursyer karburant, duke rritur mundësinë e vonesave dhe anulimeve të tjera.

    Kriza e karburantit lidhet me konfliktin në Iran, i cili ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve. Që nga fillimi i konfliktit në shkurt, çmimi i karburantit për avionë është më shumë se dyfishuar. Një ndër arsyet kryesore është mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë.

    Ndër kompanitë më të prekura është Lufthansa, e cila ka hequr rreth 20 mijë fluturime me distanca të shkurtra nga orari veror.

    Në nivel global, shumë kompani ajrore kanë rritur çmimet e biletave për linjat më të kërkuara, kanë anuluar plotësisht fluturimet më pak fitimprurëse dhe po vazhdojnë të përdorin avionë më të vegjël për të përballuar krizën, transmeton albinfo.ch.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, sekretarja e transportit, Heidi Alexander, njoftoi pezullimin e përkohshëm të një rregulli që detyronte linjat ajrore të përdornin slotet e tyre në aeroporte, përndryshe rrezikonin t’i humbnin ato. Kjo u jep mundësi kompanive si British Airways të reduktojnë fluturimet pa u penalizuar.

    Ndërkohë, pasagjerët që nuk preken nga anulimet mund të përballen me riorganizime të fluturimeve në data të tjera, çka mund të rezultojë në pushime më të shkurtra nga sa ishte planifikuar fillimisht.

  • Xhafer Tahiri konfirmon qëndrimin në krye të LDK-së së Vushtrrisë: Fitore bashkë me presidenten Vjosa Osmani

    Xhafer Tahiri konfirmon qëndrimin në krye të LDK-së së Vushtrrisë: Fitore bashkë me presidenten Vjosa Osmani

    Xhafer Tahiri ka konfirmuar qëndrimin në krye të degës së LDK-së në Vushtrri.

    Ai ka thënë se kjo me qëllim fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit bashkë me presidenten Vjosa Osmani.

    “Në respekt të plotë ndaj strukturave të Degës dhe vullnetit të anëtarësisë, kam vendosur të vazhdoj angazhimin tim në krye të Degës së LDK-së në Vushtrri, me një qëllim të vetëm: fitoren në zgjedhjet nacionale të 7 qershorit bashkë me Presidenten @vjosa.osmani Dorëheqja ime nuk ka qenë ikje nga përgjegjësia, por reflektim. Ndërsa sot, ky vendim për të vazhduar është përgjigje ndaj një kërkese të qartë politike: unitet, mobilizim dhe rezultat”.

    “E djathta e patriotët po bashkohen, sepse ndryshimi është i domosdoshëm e Vushtrria do të jetë pjesë e këtij ndryshimi. Unë besoj në bashkëpunim, në respekt institucional dhe në një qasje që e vendos interesin e përgjithshëm mbi çdo interes personal apo grupor. Koha e ndarjeve mori fund. Koha e fitores ka ardhur”, ka thënë Tahiri.

  • Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim ushtarak, 200 milionë lira turke për fuqizimin e FSK’së

    Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim ushtarak, 200 milionë lira turke për fuqizimin e FSK’së

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bashkë me ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, Yaşar Güler, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit Financiar Ushtarak ndërmjet dy qeverive.

    Në njoftimin e Ministrisë thuhet se Qeveria e Turqisë do të mbështesë Qeverinë e Kosovës me 200 milionë lira turke, me qëllim fuqizimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe avancimin e mëtejshëm të saj institucional e professional.

    “Ky bashkëpunim reflekton qartë nivelin e lartë të marrëdhënieve tona dhe vullnetin e përbashkët për t’i çuar ato edhe më tej në shërbim të paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftim.

  • Diskutimet për Osmanin në LDK, Bajrami e Hoti munguan në mbledhje, ish-deputetja tregon arsyen e saj

    Diskutimet për Osmanin në LDK, Bajrami e Hoti munguan në mbledhje, ish-deputetja tregon arsyen e saj

    Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku është diskutuar për zgjedhjet e 7 qershorit dhe formalizimi i bashkëpunimit me ish-presidenten Vjosa Osmani, nuk janë parë dy figura të rëndësishme të partisë, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti.

    Në fotografitë e publikuara nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga takimi i kryesisë, mungojnë Bajrami dhe Hoti, çka ka tërhequr vëmendje në opinion.

    Telegrafi ka kontaktuar me Bajramin për të marrë një qëndrim se përse nuk ishte pjesë e këtij takimi.

    Ajo në një përgjigje të shkurtë tha se mungesa e saj lidhet me shkaqe shëndetësore.

    “Për shkaqe shëndetësore”, ka deklaruar shkurt Bajrami, pa dhënë të tjera.

    Po ashtu, Bajrami nuk ka komentuar nëse e mbështet idenë e një liste të përbashkët zgjedhore të LDK-së me Vjosa Osmanin.

    Ndërkohë, Avdullah Hoti pavarësisht tentimit për të kontaktuar me të, nuk u është përgjigjur pyetjeve tona për arsyet e mungesës së tij në këtë takim të kryesisë.

    Hoti ka bërë një reagim të shkurt në profilin e tij në Facebook, duke shkruar “LDK mbi të gjitha”.

    Pas përfundimit të mbledhjes, Abdixhiku konfirmoi se Kryesia ka votuar në favor të vazhdimit të procesit për një listë të përbashkët me Osmanin.

    Ai bëri të ditur se të shtunën do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i partisë për të finalizuar aspektet përgatitore të këtij bashkëpunimi.

    “Me votim në këtë trup u dakorduam që këtë të shtunë të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për t’i finalizuar të gjitha çështjet për pjesën përgatitore. Votuam dhe u dakorduam të formalizojmë bashkëpunimin me Vjosa Osmanin për garim të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Abdixhiku.

  • Ministri britanik i mbrojtjes vjen në Kosovë, takohet me komandantin e KFOR-it

    Ministri britanik i mbrojtjes vjen në Kosovë, takohet me komandantin e KFOR-it

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka bërë të ditur se në Kosovë ka ardhur ministri britanik i mbrojtjes, Lord Vernon Coaker.

    Hargreaves bëri të ditur se ai është takuar me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash me të cilin kanë disktuar situatën aktuale të sigurisë.

    “Sonte mirëpritëm në Kosovë Ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Vernon Coaker. Këtë mbrëmje ai u takua me Komandantin e misionit të KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutash, dhe Gjeneral Brigade Schulte-Borghoff, Drejtor i Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s”.

    “Lord Coaker riafirmoi angazhimin ndaj KFOR-it të NATO-s. Ata diskutuan situatën aktuale të sigurisë, rolin e KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë, si dhe kontributin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për paqen dhe sigurinë në rajon”, shkroi ai.

  • Qeveria mban mbledhje online, merr këtë vendim

    Qeveria mban mbledhje online, merr këtë vendim

    Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e shtatëmbëdhjetë, në format elektronik.

    Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/64, të datës 25 shkurt 2022, për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare.

    Sipas njoftimit, ky vendim ka për qëllim linjëzimin e politikës së jashtme të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian.

    “Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/64, të datës 25.02.2022, për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare “me qëllim të linjëzimit të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.