ATV

Author: K.B.

  • Ish-deputeti Guri: Ka diskutime të fshehta për koalicion LVV-PDK pas 7 qershorit

    Ish-deputeti Guri: Ka diskutime të fshehta për koalicion LVV-PDK pas 7 qershorit

    Pa përfshirjen e saj, Partia Demokratike e Kosovës është vendosur sërish në qendër të përplasjes politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.LDK ka lëshuar akuza ndaj LVV-së për bashkëpunim të fshehtë me PDK-në.

    Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri tha sot se Vetëvendosje, e cila sipas tij, nuk donte të zgjidhte presidentin “pa aminin e Sami Lushtakut”, tani ka hyrë në diskutime të fshehta me PDK-në për koalicion pas zgjedhjeve nacionale.

    “Partia e cila nuk guxonte me zgjedhe President pa aminin e Sami Lushtakut sepse nuk donte assesi ta bente kete pa PDK-ne e ankohej pse Vjosa nuk eshte e pranueshme per PDK-ne, sot paska dale me qendrim qe kinse LDK, Lumiri e Vjosa jane bashke me PDK”, tha Guri në një postim në Facebook të martën.

    “Mosni o te mjerë se krejt Kosova e din që ju publikisht e lutët PDK-ne për koalicion ne nivel qendror e mos te flasim për diskutimet e fshehta që po i bëni për koalicione pas 7 qershorit. Jeni nje brum qe sado qe tenton me nda, ai prap ngjitet”.

  • Behrami: Nga 12 m² të qelisë, Thaçi frymëzoi më shumë shqiptarë sesa liderët politikë në Kosovën e lirë

    Behrami: Nga 12 m² të qelisë, Thaçi frymëzoi më shumë shqiptarë sesa liderët politikë në Kosovën e lirë

    Ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami ka deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi, përgjatë pesë vjetëve të fundit, sipas tij, ka frymëzuar shqiptarët nga 12 metra/katrorë të qelisë së tij.

    Ai shton se ish-kreu i UÇK-së ka frymëzuar më shumë shqiptarë nga qelia e Hagës, sesa shumë liderë politikë me 11 mijë km² të Kosovës së lirë.

    “Hashim Thaçi, në këto pesë vjet, më shumë ka frymëzuar shqiptarët nga 12 m² të qelisë së tij, sesa shumë liderë politikë me 11 mijë km² të Kosovës së lirë!”, ka shkruar ai.

  • Shmanget shtrenjtimi i rrymës

    Shmanget shtrenjtimi i rrymës

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka miratuar pjesërisht kërkesat për të hyrat e operatorëve të kësaj fushe, duke shmangur j shtrejntimin e energjisë elektrike.

    Kësisoj, të hyrat e lejuara maksimale të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (KOSTT) nga sot do të jenë 76 milionë euro. Të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) 185 milionë euro dhe për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO) 442 milionë euro.

    Këto ndryshime të të hyrave maksimale u morën në mbledhjen e ZRRE-së, me arsyetimin që të mos rrezikohet siguria e furnizimit apo mos prodhimit nga gjeneratorët vendor.

    Muharrem Gashi nga departamenti i tarifave dhe çmimeve, u arsyetua se me rritjen e importit duhet ndryshuar të hyrat maksimale.

    Kërkesa nga KOSTT ka qenë rreth 99 milionë euro, 23 përqind më e lartë sesa vlera e vendosur nga ZRRE-ja.

    “Gjatë 2025 për shkak rritjes së kërkesës për prodhim vendor, i cili ka qenë më i ulët, është rritur nevoja për import. Procesi i konsultimit ka kaluar në të gjitha fazat e parapara të rregullatorit, duke filluar nga pranimi i aplikacioneve, publikimi i raporteve muajin prill 2026. Gjatë këtij procesi kemi pranuar komente nga 5 kompani KEK, KOSTT, KEDS, KESCO dhe organizata e shoqërisë civile INDEP… Kërkesa në aplikacionin për të hyrat e lejuara maksimale të operatorit të sistemit të transmetimit KOSTT, ka qenë rreth 99 milionë, ndërsa propozimi përfundimtarë i ZRRE është rreth 76 milionë që nënkupton rreth 23 për qind më e ulët sesa vlera e paraqitur në aplikacionin e KOSTT-it. Përfshinë shpenzimet operative, zhvlerësimin e kthimit e lejuar që lidhen me investimet kapitale, janë trajtuar kostot e humbjeve, ndihmëse dhe faktorët e përshtatjes e korrigjimit”, tha Gashi.

    Ndërsa për operatorin e sistemit të shpërndarjes -KEDS, nga departamenti i tarifave dhe çmimeve, Adelina Lokaj përmendi kërkesën prej 235 milionë euro.

    Po ashtu nga ZRRE, është marrë në konsideratë faktori i përshtatjes së të hyrave i aplikuar për të adresuar devijimet e viteve paraprake, raporton KosovaPress, transmeton Klankosova.tv.

    Lokaj tha se pas komenteve të pranuara nga OSSH-ja, ZRRE ka përditësuar blerjet e humbjeve me të dhënat e realizuara për muajin mars 2026 si dhe ka përditësuar çmimin e supozuar të importit për muajt e mbetur të vitit prill dhjetor 2026 me 2.65 €/MWh.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit: PSD kërkon nënshkrimet nga qytetarët për të garuar

    Zgjedhjet e 7 qershorit: PSD kërkon nënshkrimet nga qytetarët për të garuar

    Partia Socialdemokrate ka nisur një iniciativë për të mbledhur nënshkrimet nga qytetarët.

    Përfaqësuesit e PSD-së kanë ngritur një stendë në sheshin e Prishtinës, për të kërkuar pjesëmarrjen e këtij subjekti në zgjedhjet e parakohshme.

    Tashmë nënshkrimet e para janë hedhur.

  • Raporti i PE-së: Mali i Zi, vendi më i avancuar në rrugën drejt BE-së

    Raporti i PE-së: Mali i Zi, vendi më i avancuar në rrugën drejt BE-së

    Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi raportin vjetor për Malin e Zi, në të cilin vendi cilësohet si shteti më i avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Raporti bën thirrje për forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë, si dhe për rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar.

    Aty theksohet edhe nevoja për uljen e numrit të lëndëve të mbetura gjyqësore dhe për harmonizimin e plotë të politikës së vizave me atë të Bashkimit Evropian.

    Autori i raportit, eurodeputeti Marjan Sharec, paralajmëroi se Mali i Zi përballet me një vit shumë sfidues.

    “Koha është e kufizuar, ndërsa punë ka ende. Ky raport duhet të shërbejë si njohje e progresit të deritanishëm dhe si inkurajim për periudhën në vazhdim. Para së gjithash, duhet të kuptohet si një thirrje për të gjitha palët e interesuara që të tregojnë urtësi dhe përgjegjësi, në mënyrë që mosmarrëveshjet e vogla të mos e errësojnë – apo devijojnë – përparimin drejt objektivave më të gjera strategjike”, tha Sharec pas votimit.

    Raporti u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që dallimet politike të mos e vonojnë miratimin dhe zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian.

    Theksohet se anëtarësimi në BE duhet të mbetet prioritet i përbashkët kombëtar, mbi interesat partiake, ndërsa Parlamentit dhe Qeverisë së Malit të Zi u kërkohet që çështjet e identitetit të mos e largojnë vëmendjen nga procesi evropian.

    Në dokument thuhet se, megjithëse Mali i Zi është vendi më i avancuar në procesin e integrimit dhe afër mbylljes së kapitujve negociues, përparimi nuk varet vetëm nga reformat teknike, por edhe nga zhvillimet e përditshme politike dhe tensionet e brendshme, të cilat shpesh e ngadalësojnë procesin e përafrimit me standardet e BE-së.

    Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 14 nga 33 kapituj negociues në procesin e anëtarësimit në BE.

    Synim i vendit është që t’i mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të këtij viti, me qëllim që të hapet rruga për anëtarësim të mundshëm deri në fund të vitit 2028.

    Për përmbylljen me sukses të negociatave, thuhet në raport, është thelbësore ruajtja e konsensusit politik për rrugën evropiane dhe sigurimi i bashkëpunimit konstruktiv mes Qeverisë dhe opozitës.

    Rezultatet e qëndrueshme në fushën e sundimit të ligjit dhe zbatimi efektiv i reformave janë përcaktuar si kushte kryesore për mbylljen e kapitujve 23 dhe 24.

    Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian mori vendim për krijimin e një grupi punues që do të punojë në hartimin e projekttekstit të Marrëveshjes së Anëtarësimit me Malin e Zi.

    Nga Mali i Zi pritet emërimi më i shpejtë dhe më transparent i bartësve të funksioneve në sistemin e drejtësisë, përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

    Po ashtu, theksohet nevoja për përafrim të mëtejshëm të legjislacionit me standardet e BE-së, në lidhje me pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë, si dhe për uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura gjyqësore – veçanërisht në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Në raport shprehet shqetësim edhe për ndërhyrjet e huaja, dezinformimin dhe kërcënimet hibride, ndërsa Malit të Zi i bëhet thirrje që të forcojë më tej qëndrueshmërinë e institucioneve të tij.

    Dokumenti vlerëson përputhjen e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Malit të Zi me atë të Bashkimit Evropian.

    Pas votimit në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ky raport pritet të votohet në seancën plenare gjatë muajit qershor, kur edhe do të marrë formën e një rezolute të këtij institucioni. /REL

  • Me kërkesë të Xhelal Sveçlës, shtyhet seanca gjyqësore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Me kërkesë të Xhelal Sveçlës, shtyhet seanca gjyqësore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Me kërkesë të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Sveçla ngarkohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.

    Një gjë e tillë u bë e ditur nga zyra e gjykatësit të rastit Sabit Sadikaj, ku u tha se Sveçla kërkoi shtyrjen e seancës për shkak se gjendet në një udhëtim jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në këto rrethana, seanca u shty për një ditë tjetër.

    Bashkë me Sveçlën po akuzohen edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku. Por, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mungoi në seancën e 16 janarit 2026, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit, andaj Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj tij.

    Në seancën e 10 prillit 2026, Sveçla u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

    Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

    Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

    Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

    Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi/

    ZRRE aprovon të hyrat maksimale të lejuara për operatorët energjetikë në vend
    Read more

  • Arifi: Flitet se VV ka krijuar 40 mijë profile të rreme për të sharë e fyer

    Arifi: Flitet se VV ka krijuar 40 mijë profile të rreme për të sharë e fyer

    Opinionisti Avni Arifi, deklaroi se flitet që Lëvizja Vetëvendosje ka krijuar rreth 40 mijë profile të rreme në rrjetet sociale.

    Ai u shpreh se këto profile janë krijuar me qëllimin e vetëm, siç tha, për të sharë dhe për të fyer.

    Arifi deklaroi gjithashtu se këto sharje bëhen ndaj çdo kujt dhe ndaj çdo vlere.

    “Prej ardhjes së Vetëvendosjes, ka fjalë që edhe Lëvizja Vetëvendosje ka krijuar rreth 40 mijë faqe anonime në Facebook, flitet nga njerëz që kanë qenë në Vetëvendosje që paguhen njerëz me para, për të na shajtur e për të na fyer. Fyerjet më të rënda ndaj çdo kujt, ndaj çdo vlere”, tha ai në Klan Kosova.

  • Ishiasi irritohet nga qëndrimi ulur: 5 ushtrime që lehtësojnë dhimbjen dhe ndjesinë që zbret në këmbë

    Ishiasi irritohet nga qëndrimi ulur: 5 ushtrime që lehtësojnë dhimbjen dhe ndjesinë që zbret në këmbë

    Therje, djegie, mpirje apo rrymë në këmbë? Këto lëvizje të thjeshta dhe ndryshime në rutinë mund të sjellin lehtësim të ndjeshëm

    Qëndrimi ulur gjatë gjithë ditës është barrë për të gjithë trupin, sidomos për qafën, shpinën, ijët dhe këmbët. Ky pozicion, në masë të madhe i panatyrshëm për trupin, mund t’i përkeqësojë shqetësimet nga ishiasi. Dhimbja therëse shpesh përhapet nga fundi i shpinës nëpër ijë dhe zbret përgjatë këmbës gjatë uljes ose vozitjes.

    Dhimbja nga ishiasi është pasojë e shtypjes ose irritimit të nervit shiatik, nervi më i madh në trupin e njeriut, i cili shtrihet nga fundi i shpinës, përmes ijeve dhe vitheve, deri poshtë në këmbë.

    Si shfaqet dhimbja nga ishiasi?
    Intensiteti i dhimbjes mund të ndryshojë, nga shqetësime të lehta deri te gjendje të forta që ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës. Personat ankohen për:

    • dhimbje therëse
    • djegie ose thumbim
    • ndjesi rryme që zbret në këmbë
    • mpirje
    • shpim gjilpërash
    • dobësi në këmbë

    Zakonisht dhimbja paraqitet në njërën anë të trupit dhe përhapet nga fundi i shpinës, përmes vitheve, pjesës së pasme të kofshës dhe pulpës, deri te shputa. Disa pozicione të trupit, sidomos ulja e zgjatur, e irritojnë më shumë nervin. Dhimbja mund të shfaqet edhe gjatë ngritjes së menjëhershme, përkuljes, ngritjes së peshave ose qëndrimit jo të mirë.

    Kur nervi shiatik ngushtohet, më së shpeshti për shkak të hernies së diskut, paraqitet dhimbja. Te personat që rrinë gjatë ulur rritet shtypja mbi muskujt e thellë të vitheve ose mbi pjesën e poshtme të shtyllës kurrizore. Kjo ngarkesë e vazhdueshme mund të çojë në ndezje dhe djegie.

    Një muskul që shpesh lidhet me këtë problem është piriformisi. Ai ndodhet thellë në regjionin e vitheve dhe ndihmon në rrotullimin e ijëve dhe stabilizimin e legenit gjatë ecjes. Kur tendoset ose acarohet, mund të shtypë nervin dhe të shkaktojë dhimbje të ngjashme me ishiasin.

    Pse ulja e përkeqëson ishiasin?

    Ulja rrit ndjeshëm shtypjen mbi disqet e shtyllës kurrizore, më shumë se qëndrimi në këmbë ose shtrirja. Kur ulemi keq, legeni anohet dhe fundi i shpinës rrumbullakohet, gjë që krijon shtypje mbi rrënjët nervore.

    Përveç kësaj, ulja e zgjatur shkakton shtrëngim të muskujve përkulës të ijëve dhe dobësim të muskujve të vitheve. Kjo pabaraspeshë e detyron piriformisin të punojë më shumë, duke rritur irritimin dhe shtypjen mbi nervin shiatik.

    5 ushtrime efikase
    Ekspertët këshillojnë ushtrime të buta shtrirjeje dhe lëvizjeje. Nëse dhimbja shtohet gjatë ushtrimit, ndaloni dhe këshillohuni me mjekun.

    1. Shtrirja e piriformisit ulur

    • Uluni drejt me shputat në dysheme.
    • Vendoseni këmbën e dhimbshme mbi gjurin tjetër, në formë katërshi.
    • Mbajeni shpinën drejt dhe përkuluni lehtë përpara nga ijët.
    • Mbajeni 30 sekonda dhe përsëriteni në anën tjetër.

    2. Gjuri drejt shpatullës së kundërt

    • Shtrihuni në shpinë me këmbët drejt.
    • Ngrini këmbën e djathtë dhe kapeni gjurin me duar.
    • Tërhiqeni lehtë drejt shpatullës së majtë.
    • Mbajeni 30 sekonda pa dhimbje.

    3. Shtrirja e pjesës së pasme të kofshës në këmbë

    • Vendoseni shputën mbi një sipërfaqe pak më të lartë.
    • Mbajeni këmbën drejt, gishtat lart.
    • Përkuluni lehtë përpara me shpinën drejt.
    • Mbajeni 20 deri 30 sekonda dhe ndërroni këmbën.

    4. Rrotullimi i shtyllës ulur

    • Uluni në dysheme me këmbët drejt.
    • Përkulni gjurin e djathtë dhe kaloni shputën mbi këmbën e majtë.
    • Mbështeteni bërrylin e majtë në anën e jashtme të gjurit të djathtë.
    • Rrotullojeni trupin lehtë djathtas.
    • Mbajeni 30 sekonda dhe përsëriteni tri herë.

    5. Poza e pëllumbit

    E njohur në joga, është shumë efikase për shtrirjen e thellë të ijëve.

    • Filloni me duar dhe gjunjë në dysheme.
    • Silleni gjurin e djathtë përpara drejt kyçit të dorës së djathtë.
    • Zgjateni këmbën e majtë prapa.
    • Lëshoni ijën drejt dyshemesë.
    • Nëse ju përshtatet, përkuluni përpara mbi këmbën e përparme.

    Si ta kontrolloni ishiasin gjatë punës?
    Vetëm ushtrimet ndonjëherë nuk mjaftojnë nëse nuk ndryshohen zakonet e përditshme.

    • Rregulloni uljen: fundi i shpinës duhet të mbështetet mirë. Nëse mungon mbështetja, përdorni një peshqir të mbështjellë.
    • Rregulli i 30 minutave: ngrihuni dhe lëvizni çdo 30 minuta. Edhe ecja e shkurtër ndihmon.
    • Pozita e shputave: mbajini shputat drejt në dysheme ose mbi mbështetëse. Kryqëzimi i këmbëve mund ta përkeqësojë gjendjen.
    • Hidratimi: marrja e mjaftueshme e lëngjeve ndihmon elasticitetin e disqeve kurrizore.

    Ekspertët theksojnë se vazhdimësia është çelësi. Pesë minuta shtrirje çdo ditë japin rezultate më të mira se një orë ushtrime vetëm një herë në javë.

    Nëse dhimbja nuk largohet, përhapet më shumë ose shoqërohet me dobësi në këmbë, është koha të kërkoni ndihmë profesionale. Zgjidhja e hershme e shkakut mund të parandalojë komplikime më serioze në të ardhmen.

  • Myku i zi nuk do të formohet kurrë në makinën e larjes nëse bën një veprim të thjeshtë pas çdo cikli larjeje

    Myku i zi nuk do të formohet kurrë në makinën e larjes nëse bën një veprim të thjeshtë pas çdo cikli larjeje

    Shumë pronarë shtëpish priren të neglizhojnë pastrimin e makinës së larjes, megjithatë pa mirëmbajtje të duhur ajo mund të bëhet shpejt me myk dhe të mbajë baktere të dëmshme. Goma e derës dhe sirtari i detergjentit janë zakonisht vendet e para ku fillon të shfaqet myku.

    Duke pasur këtë parasysh, marka natyrale dhe e sigurt për pastrim, Branch Basics, ka ndarë një metodë të thjeshtë dhe me pak mund për ta mbajtur makinën e larjes në gjendje shumë të mirë.

    Këshilla e tyre e parë zgjat jo më shumë se pesë sekonda dhe konsiston në largimin e lagështisë nga zonat më të rrezikuara për myk. Ata thonë: “Myku dhe kërpudhat nuk mund të rriten në makinën tuaj (apo kudo tjetër) pa një burim ushqimi dhe uji”.

    “Prandaj, hapi i parë është të largoni lagështinë nga makina duke lënë derën dhe sirtarin hapur midis larjeve.”

    Pas një cikli larjeje, lagështia dhe mbetjet e sapunit mund të grumbullohen rreth gomës së derës dhe në sirtarin e detergjentit, duke nxitur zhvillimin e mykut.

    Kjo mund të bëjë që rrobat e sapo lara të kenë erë të pakëndshme dhe, më e rëndësishmja, mund të dëmtojë gomën me kalimin e kohës, duke rritur rrezikun e rrjedhjeve.

    Një nga mënyrat më efektive për të parandaluar mykun rreth gomës dhe sirtarit është thjesht t’i lini ato hapur pas çdo larjeje, që të thahen plotësisht.

    Përveç ajrosjes së makinës, rekomandohet të pastroni skajet e derës të paktën një herë në muaj për të hequr mbetjet e sapunit ose gëlqeres që mund të jenë grumbulluar aty.

    Pastrimi i derës së makinës së larjes është i thjeshtë dhe mund të bëhet për pak minuta. Ju nevojitet vetëm uthull e bardhë, e cila ka veti natyrale antibakteriale.

    Filloni duke hedhur uthull të bardhë në sirtarin e detergjentit dhe zgjidhni një cikël larjeje me temperaturë të lartë.

    Mund të zgjidhni një program të shpejtë ose ta lini një program për rreth 10 minuta. Pas kësaj, fikeni makinën dhe lëreni tretësirën të qëndrojë gjatë natës.

    Në mëngjes, thjesht nisni një cikël të plotë larjeje për të larguar çdo myk që mund të jetë krijuar brenda kazanit.

    Gjithashtu, uthulla e bardhë mund të përdoret për të pastruar gomën dhe sirtarin e detergjentit, duke ndihmuar në parandalimin e mykut.

    Mirëmbajtja e makinës së larjes nuk është e vështirë. Duke ndjekur këto hapa të thjeshtë, rrobat tuaja do të dalin më të pastra dhe më të freskëta në çdo larje.

  • “Më 19 maj lidhesh për krejt jetën”, Gërvalla refuzon të flasë për komentin e Gecit ndaj Thaçit

    “Më 19 maj lidhesh për krejt jetën”, Gërvalla refuzon të flasë për komentin e Gecit ndaj Thaçit

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe kryetarja e Partisë Guxo nuk ka komentuar deklaratën e radhës së ish-deputetit të Guxo, Fatos Geci i cili tha se “më 19 maj lidhesh për krejt jetën”, koment ky drejtuar ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë.

    Ajo madje nuk u distancua as kur u pyet se a mendon njëjtë si bashkëpartiaku i saj, por tha se kot e keni se sot ka ardhur për Gjykatën Administrative dhe nuk hapin tema të reja.

    Këto komente Gërvalla i bëri pas inaugurimit të Gjykatës Administrative.

    “A e dini që kemi ardhur me inaugurimin e Gjykatës Administrative për çështje të tjera a ka mundësi qe pyetje e duhura ti shtrojmë në vendin e duhur… Kot e ke sepse kemi ardhur për gjykatë administrative nuk e kemi plan me hap tema të reja”, tha ajo.

    Ish-deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka bërë edhe një koment karshi ish-presidentit, Hashim Thaçi në një intervistë të dhënë me shkrim.

    Komenti i tij ishte “Mirë që koke përgatit se tash me 19 maj lidhesh për krejt jetën”.

    Burgim të përjetshëm për Thaçin, ish-deputeti i Guxo kishte uruar edhe nga Kuvendi i Kosovës. Nga kjo deklaratë ishte distancuar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu./KP/