ATV

Author: K.B.

  • Besnik Tahiri: Qeveria në dorëheqje po tejkalon kompetencat, emërimet e reja janë të paligjshme

    Besnik Tahiri: Qeveria në dorëheqje po tejkalon kompetencat, emërimet e reja janë të paligjshme

    Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj veprimeve të qeverisë në detyrë, duke i cilësuar ato si tejkalim të kompetencave ligjore dhe cenim të rendit institucional.

    Tahiri ka theksuar se një qeveri në dorëheqje nuk është thjesht “në pritje”, por funksionon me kompetenca të kufizuara, të përcaktuara qartë me Ligjin për Qeverinë. Ai i është referuar nenit 31 të këtij ligji, i cili ndalon inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike gjatë kësaj periudhe.

    Sipas tij, kjo ndalesë vlen edhe për periudhën pas shpërndarjes së Kuvendit, deri në zgjedhjen e një qeverie të re me legjitimitet të plotë.

    Në këtë kontekst, Tahiri ka shprehur shqetësim për shpalljen e konkurseve për rreth 20 pozita të larta udhëheqëse nga ana e qeverisë në dorëheqje.

    “Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me frymën e kufizimeve ligjore, por krijojnë edhe perceptimin e kapjes së institucioneve në një moment tranzicioni, kur vendimet e mëdha duhet t’i lihen legjitimitetit të ri”, ka deklaruar ai.

    Në fund, Tahiri ka theksuar se respektimi i ligjit nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrim për çdo institucion dhe bartës të pushtetit.

  • IKD publikon raportet: Mungesa e prokurorëve po ndikon në zvarritjen e rasteve në gjykata

    IKD publikon raportet: Mungesa e prokurorëve po ndikon në zvarritjen e rasteve në gjykata

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka organizuar tryezë diskutimi në të cilën ka publikuar dy raporte të cilat trajtojnë rastet në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda dhe të Departamentit të Përgjithshëm- Divizioni Penal, raporton Ekonomia Online.

    Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se në prokuroritë themelore në Kosovë është problematike numri i vogël apo i kufizuar i prokurorëve.

    “Në disa prokurori kemi parë që ka numër të kufizuar ose të vogël të prokurorëve”, tha Mifaraj, duke treguar se përveç që kanë bërë monitorim të seancave, aktgjykimeve, kanë pasur takime edhe me kryetarë të gjykatave dhe me kryeprokurorë.

    Ai tha se në këto takime kanë shkëmbyer informata, e po ashtu kanë marrë edhe komente të cilat më pas kanë shërbyer në raportet që u publikuan sot.

    Miftaraj shtoi se nga këto raporte del se prokuroritë themelore në Kosovë përballen me numër të kufizuar ose të vogël të prokurorëve dhe që kjo më pas ndikon edhe në punën e gjykatave.

    “Në takimet që kemi pas me kryetarë të gjykatave, na kanë thënë se shumë seanca shtyhen që nuk ka prokurorë të mjaftueshëm për të marrë pjesë në këto seanca”, tha Miftaraj.

    Ndër problemet tjera që janë evidentuar ndërkohë e po ashtu edhe nga këto takime, Miftaraj tha se është edhe mungesa e përkthyesve, kryesisht ata të gjuhës serbe, sfidë kjo që prek sistemin gjyqësor.

    Ndërsa, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se prokuroritë themelore në vend kanë një ngarkesë të lartë sa i përket numrit të lëndëve në raport me numrin e prokurorëve.

    Gjatë publikimit të raporteve që tregojnë për situatën në Departamentin për Krime të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm- Divizioni Penal, Shala tha se raportet janë përpiluar duke u bazuar në analizë direkte të aktakuzave dhe aktgjykimeve, edhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha gjykatat dhe prokuroritë.

    “Gjetjet tregojnë se sa i përket departamenteve të përgjithshme në nivel vendi, ka një bilanc negativ se prokuroritë nuk kanë arritur që të zgjidhin lëndë aq sa kanë pranuar- përjashtim në këtë rast bën vetëm Prokuroria Themelore në Pejë, e cila ka arritur që të zgjidh 192 raste më shumë sesa që ka pranuar”, tha Shala.

    Shala tha se kanë analizuar edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me ngarkesën e prokurorive në raporte me numrin e prokurorëve.

    “Gjetjet tregojnë se ngarkesa është relativisht e lartë për shkak se mesatarssht në nivel vendi, një prokuror ka mesatarisht 519 raste në punë. Mirëpo, edhe në raport me ngarkesën me numer të lëndëve ka një diskrepancë të madhe dhe dallime në mes prokurorive”, u shpreh Shala.

    Ai tha se Gjakova dhe Mitrovica kanë numrin më të madh të lëndëve në raport me prokurorë, ndërsa numrin më të vogël e ka Prizreni.

    Shala tha se këto mosbarazi duhet të trajtohen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në kuptim të gjetjes së ekuilibrit në mes të numrit të lëndëve në punë dhe numrit të prokurorëve.

    Kurse, sa i përket aplikimit të masës së konfiskimit dhe sekuestrimit nga ana e Prokurorit të Shtetit, numri më i lartë qëndron në rastet e përgjithshme sesa në ato të korrupsionit.

    “Prapë se prapë, aplikimi i saj është më i lartë në rastet e përgjithshme sesa në rastet e korrupsionit. Në rastet e korrupsionit, mesatarja e parashtrimit të kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim është vetëm 19%”, tha Shala.

    “Sa i përket konfiskimit dhe sekuestrimit, gjetjet tregojnë se vetëm në 32% të rasteve është parashturar kërkesë për sekuestrim dhe konfiskim të aseteve që derivojnë nga vepra penale duke pasur parasysh që jo në secilin rast kjo masë është e aplikueshme pasi kjo varet edhe nga natyra e rasteve”, tha ai.

    Ndërsa, për reagimin e Prokurorit të Shtetit, Shala theksoi se ka qenë relativisht i shpejtë, gjithnjë duke u bazuar në gjetjet e raportit.

    “Ka gjetur se reagimi i Prokurorit të Shtetit ka qenë relativisht i shpejtë për shkak se shumica e aktakuzave të ngritura që kanë qenë objekt për qëllime të këtij raporti kanë qenë për vepra penlae të kryera gjatë vitit 2025, gjatë po të njëjtit vit janë ngritur edhe aktakuzat nga ana e Prokurorit të Shtetit”, tha Shala.

    Milbert Dongjoon Shin, zëvendës-shef i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka thënë se ka qenë kënaqësi të mbështesin raportet e Institutit të Kosovës për Drejtësi, për të cilat tha se janë krijuar me besim të mirë, integritet dhe në frymën e shkëmbimit të përvojave me gjykatat dhe prokuroritë.

    “Raportimi është bërë me integritet. Kam vërejtur se edhe gjyqtarët e kanë kuptuar- është vërejtur një frymë bashkëpunuese dhe kjo për neve është e rëndësishme”, ka thënë ai.

    Milbert Dongjoon Shin shtoi se janë të rëndësishme edhe rekomandimet që dalin nga raportet se ku mund të bëhen përmirësime.

    “Ky proces monitorimi është bërë me kujdes shumë të madh dhe me një sistem të bazuar në dëshmi që mundëson edhe politkëbërësit të bëjnë përmirësimet”, ka shtuar ai.

    Ngadhnjim Arrni, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke folur për gjetjet e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve në Krime të Rënda prej më shumë se 1 mijë ditë, është shqetësuese.

    “Megjithatë, duhet të hulumtojmë më shumë lëndët se pse presin kaq gjatë, sepse mund të ndodhë që këto vonesa të vinë edhe për shkak të rrethanave tjera objektive, qoftë sigurimi i të pandehurve në procedurë”, tha ai në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Duke folur për statistikat, Arrni tha se qoftë te Krimet e Rënda, qoftë te Departamenti i Përgjithshëm, statistikat bëhen të përbashkëta me rastet në procedurën paraprake dhe ato të përfunduara në shqyrtim gjyqësor.

    “Çështjet e procedurës paraprake nuk varen nga roli aktiv i gjykatave apo nga roli aktiv i vetë prokurorive, pastaj statistika e rasteve të përfunduara zbehet si pasojë e rasteve në procedurë paraprake”, u shpreh Arrni, duke thënë se Departamenti i Krimeve të Rënda ka pasur efikasitetin 126%, kurse ai i Përgjithshmi mbi 100%.

    I pari i Gjykatës në Prishtinë, lidhur me kërkesat pasurore-juridike tha se në shumë raste e kanë të pamundur për të vendosur për shkak të pasivitetit të palëve në procedurë, por theksoi se duhet të jenë vetëkritik.

    “Sepse vlerësoj që raste të shumta në Departament të Përgjithshëm kanë të bëjnë me raste të vjedhjeve, qoftë vjedhje të rrymës apo vjedhje në kuptimin financiar, pastaj vjedhje të pyllit, raste që vinë nga Dogana. Vlerësoj që nuk ka asnjë pamundësi që Gjykata të vendos për kërkesa pasurore-juridike. Madje, për mua është e pakuptimtë nëse ne si gjykata specifikojnë në mënyrë eksplicite shumën për të cilën e kemi dënuar një palë dhe në të njëjtën kohë nuk obligojmë për kërkesa pasurore-juridike”, ka shtuar ai.

    Lidhur me dënimet plotësuese, Arrni deklaroi se është momenti i fundit të reflektojnë, duke thënë se vlerëson që ka një keqkuptim kur priten propozime nga prokurori i shtetit për dënimet plotësuese.

    “Vlerësimi im personal është që sanksioni penal është diçka që e jep gjykata dhe në të njëjtën kohë qëllimi që duhet të arrihet me sanksionin penal i cili është vështirë i arritshëm pa dënime plotësues”, u shpreh Arrni.

    Ndërsa, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj tha se prokurorët janë të ngarkuar më shumë me lëndë sesa nga çka është përcaktuar me normën orientuese.

    Ajo tha se gjetjet e raporteve të IKD-së tregojnë se Prokurori i Shtetit e ka përmbushur detyrën dhe ka kryer obligimin sipas përgjegjësisë.

    “Në raport me numrin e lëndëve të pranuara determinon që Prokurori i Shtetit është i ngarkuar me numrin e lëndëve më shumë sesa që është përcaktuar me normën orientuese”, tha kryeprokurorja./EO/

  • OVL e dorëzon në Speciale peticionin kundër ‘‘padrejtësisë që po ndodh ndaj ish-krerëve të UÇK-së’’

    OVL e dorëzon në Speciale peticionin kundër ‘‘padrejtësisë që po ndodh ndaj ish-krerëve të UÇK-së’’

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka dorëzuar zyrtarisht peticionin në Gjykatën Speciale, lidhur me gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK’së.

    Në njoftimin e OVL thuhet se ky peticion është kundër padrejtësive që po ndodhin në speciale kundër ish-udhëheqësve të UÇK’së.

    ‘’Edhe zyrtarisht, sot u dorëzua peticioni kombëtar në Gjykatën Speciale, kundër padrejtësisë që po ndodh ndaj ish-krerëve të UÇK-së’’, thuhet në njoftim.

  • Shpejtësia ideale për të kursyer karburant

    Shpejtësia ideale për të kursyer karburant

    Ekspertët e automobilizmit rekomandojnë që drejtuesit e mjeteve të mos tejkalojnë rreth 97 km/h (60 mph) nëse duan të kursejnë karburant, pasi kjo konsiderohet shpejtësia më efikase për konsum më të ulët.

    Gjatë fundjavave të ngarkuara, si pushimet sezonale, trafiku i dendur jo vetëm që rrit kohën e udhëtimit, por edhe kostot. Në kushte normale, një makinë që lëviz me rreth 97 km/h funksionon në mënyrë optimale, duke shfrytëzuar më mirë karburantin për lëvizje.

    Sipas ekspertëve, rritja e shpejtësisë në rreth 113 km/h (70 mph) mund të çojë në një rritje të konsumit të karburantit me rreth 15%, për shkak të rezistencës më të madhe të ajrit dhe ngarkesës më të lartë të motorit.

    Edhe pse shumë drejtues përpiqen të “kompensojnë kohën e humbur” duke rritur shpejtësinë pas trafikut, kursimi i kohës është minimal – vetëm disa minuta në distanca të gjata – ndërsa kostoja e karburantit rritet ndjeshëm.

    Ekspertët këshillojnë:

    Mbajtjen e një shpejtësie konstante rreth 97 km/h kur rruga është e lirë

    Përdorimin e “cruise control” për stabilitet

    Shmangien e përshpejtimit dhe frenimit të shpeshtë në trafik

    Rritja e çmimeve të karburantit, e ndikuar nga zhvillimet globale, ka shtuar interesin për mënyra kursimi dhe alternativa si automjetet elektrike.

    Në përfundim, një stil drejtimi më i qetë dhe një shpejtësi e moderuar mund të bëjnë diferencë të madhe në shpenzimet e udhëtimit.

  • Shpallen fituesit e çmimeve “Pulitzer” – Këta janë fituesit

    Shpallen fituesit e çmimeve “Pulitzer” – Këta janë fituesit

    Zyrtarët e Pulitzer Prize kanë shpallur fituesit e këtij viti në disa fusha si letërsia, drama, poezia, muzika dhe gazetaria investigative, duke vlerësuar punën më të në këto kategori.

    -Në letërsi u vlerësua Daniel Kraus për romanin “Angel Down”, një vepër që trajton Luftën e Parë Botërore. Libri flet për një ushtar të thjeshtë që përballet me një engjëll duke sjellë një rrëfim të thellë dhe simbolik mbi luftën dhe njerëzimin.

    -Në dramë u vlerësua “Liberation” e Bess Wohl, një shfaqje që trajton lëvizjet feministe të viteve 1970, duke prekur tema si barazia gjinore, homofobia dhe rolet e gruas në shoqëri.

    Në kategori të tjera letrare u nderuan edhe autorë për punime në histori, biografi dhe letërsi duke përfshirë vepra që trajtojnë tema të thella shoqërore dhe personale. Në poezi dhe muzikë u vlerësuan krijime që sjellin risi artistike dhe emocionale, si dhe vepra që lidhen me histori dhe ngjarje reale.

    Në gazetari, çmimet kryesore u ndanë për media të njohura si The Washington Post, The New York Times, Reuters dhe Associated Press. Këto media u vlerësuan për raportime investigative mbi politikën amerikane, pushtetin, korrupsionin, imigracionin dhe çështje të tjera të rëndësishme globale. U theksua sidomos roli i gazetarisë në zbardhjen e të vërtetës dhe në mbrojtjen e lirisë së medias.

    Gjithashtu, u vlerësuan edhe raportime për ngjarje të rënda si konflikte ndërkombëtare, zjarre shkatërruese, çështje sociale dhe raste të abuzimit me pushtetin, duke treguar rëndësinë e gazetarisë investigative në informimin e publikut.

    Në përgjithësi, çmimet e këtij viti nënvizuan rëndësinë e lirisë së shprehjes, fuqinë e gazetarisë së pavarur dhe rolin e artit e letërsisë në pasqyrimin e realitetit dhe ndikimin në shoqëri.

  • Kosovarët të “çmendur” pas targave të veturave të personalizuara – Çmimet

    Kosovarët të “çmendur” pas targave të veturave të personalizuara – Çmimet

    Merkalitë e tabelava me numra të veçantë në veturat e tyre nuk po e kanë asnjë problem që të paguajnë mijëra euro vetëm e vetëm që të ‘bien në sy’ me targat ose te personalizuara ose me numrat krejt njësoj për veturat e tyre, raporton Periskopi.

    Kërkesa për targa të personalizuara ose numrat krejt të njëjtë të veturave po vazhdon të rritet, përderisa çmimet për kombinime të veçanta arrijnë shifra në mijëra euro.

    Për shembull, kosovarët që dëshirojnë të kenë targa të veçanta, si për shembull “01 111”, duhet të paguajnë deri në 3 mijë euro.

    Kjo bazuar në ligjin LIGJI NR. 05/L-132 PËR AUTOMJETE.

    Këto targa konsiderohen si luksoze dhe shpesh kërkohen nga individë që duan të dallohen në komunikacion apo të kenë një kombinim me rëndësi personale.

    Numrat e përsëritur, kombinimet e lehta për t’u mbajtur mend apo ato me simbolikë të veçantë janë ndër më të kërkuarit.

    Periskopi më poshtë sjell çmimet për tabelat me numrat të veçantë ose kombinime të ndryshme:

    1 Për targa me porosi me numrat të ndryshëm – 500 €

    2 Për targat me porosi me numra fiks si p.sh, 200, 300, 400, 500, 600, 700, 800, 900; – 1000.00€

    3 Për targat me porosi me numra të njejtë, ndërsa kodi i rajonit tjetër si p.sh. 01 – 222, 02-333, 04-111, 05 – 666, 06-333, 07-444; – 2000.00€

    4 Për targat me porosi me numra të njëjtë dhe rajoni i njëjtë si në vijim: 01-111, 02-222, 03-333, 04-444, 05-555, 06- 666, 07-777. – 3000.00 €

  • Papa Leo i kundërpërgjigjet Trumpit pas akuzës se po i “rrezikon katolikët”

    Papa Leo i kundërpërgjigjet Trumpit pas akuzës se po i “rrezikon katolikët”

    Papa Leoni i është kundërpërgjigjur Donald Trumpit lidhur me pretendimin e tij se po “rrezikon katolikët” duke mbështetur programin bërthamor të Iranit.

    Në sulmin e tij më të fundit ndaj Papës, presidenti i SHBA-së deklaroi gjatë fundjavës se Papa “mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore”, pa ofruar prova.

    Duke folur jashtë rezidencës papnore në Castel Gandolfo, Papa nuk iu përgjigj drejtpërdrejt Trumpit me emër, por tha se Kisha Katolike ka qenë gjithmonë kundër armëve bërthamore.

    “Misioni i Kishës është të shpallë Ungjillin, të predikojë paqen,” tha ai. “Nëse dikush dëshiron të më kritikojë për shpalljen e Ungjillit, le ta bëjë këtë me të vërtetën.

    “Prej vitesh, Kisha ka folur kundër të gjitha armëve bërthamore, kështu që nuk ka asnjë dyshim për këtë pikë”, ka thënë Papa Leoni.

  • Beqa viziton Veselin në Hagë: Dola i frymëzuar – çlirimtarët po kthehen fuqishëm

    Beqa viziton Veselin në Hagë: Dola i frymëzuar – çlirimtarët po kthehen fuqishëm

    Ish-deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka udhëtuar drejt Hagës për ta vizituar Kadri Veselin.

    Këtë e bëri të ditur vetë ai përmes një postimi në Facebook, ku thotë se nga takimi me Veselin doli i frymëzuar dhe i bindur se çlirimtarët tanë po kthehen fuqishëm në shtetin që vetë e themeluan.

    “Pavarësisht rrethanave, ata sot sikurse edhe më parë shfaqin forcë, vendosmëri dhe unitet, duke e ruajtur dinjitetin e rrugës së tyre historike”, ka shkruar Beqa.

    Ndër të tjera, ai tha se çlirimtarët kanë shprehur falënderim për mbështetjen nga qytetarët e Kosovës.

    “Të gjithë qytetarëve të Kosovës, çlirimtarët u janë thellësisht mirënjohës për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm që u keni dhënë në çdo kohë”.

  • Nisin homazhet në nder të ish-kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi

    Nisin homazhet në nder të ish-kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi

    Ka nisur ceremonia mortore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.

    Arkëmorti mbërriti në orën 09:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe më pas u vendos në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit.

    Homazhet në nder të figurës së njohur publike kanë nisur tashmë, ndërsa në orën 12:00 do të zhvillohen homazhet shtetërore.

    Në orën 12:30 është parashikuar ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit, e cila do të zhvillohet me protokoll shtetëror.

  • Kërcënon Vuçiq: Tani do të kishim me çfarë të luftonim, por duam paqe në Kosovë

    Kërcënon Vuçiq: Tani do të kishim me çfarë të luftonim, por duam paqe në Kosovë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia sot është shumëfish më e fortë se para 15 vitesh dhe vlerësoi se vendi tani do të kishte kapacitete mbrojtëse dukshëm më të mëdha sesa në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë në vitin 1999.

    “Sot jemi shumë më të fortë dhe prandaj askush nuk do të na sulmojë, por duhet të vazhdojmë të forcohemi”, tha ai.

    Duke folur për Kosovën, udhëheqësi serb theksoi se kjo çështje është rikthyer në tryezën e negociatave, duke nënvizuar se Serbia nuk do të përfshihet në luftë dhe se mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe zhvillimit të mëtejshëm, shkruan index.hr.

    “Tani do të kishim me çfarë të shkonim në luftë, por nuk dua luftë, sepse u kam premtuar qytetarëve paqe”, deklaroi ai, duke shtuar se Serbia vazhdon bashkëpunimin me partnerë të ndryshëm, përfshirë Iranin dhe Izraelin.

    Ai shtoi se forca e Ushtrisë së Serbisë është rezultat i rritjes ekonomike dhe investimeve në sektorin e mbrojtjes, duke theksuar se vendi disponon sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisjesh ushtarake.

    Ndërkohë, së fundmi Serbia ka blerë armatim sulmues nga Izraeli.