ATV

Author: K.B.

  • Shqipe Selimi: Vendimi për katërshen e UÇK-së rrezikon të shtyhet deri në vjeshtë

    Shqipe Selimi: Vendimi për katërshen e UÇK-së rrezikon të shtyhet deri në vjeshtë

    Gjykata Speciale ka shtyrë afatin për shpalljen e aktgjykimit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së deri më 20 korrik. Sipas njoftimit të saj, arsyeja e këtij vendimi është “kompleksiteti i rastit”. Megjithatë, kjo datë mund të mos jetë përfundimtare, pasi është paralajmëruar edhe mundësia e një shtyrjeje tjetër, nëse “bëhet absolutisht e nevojshme”.

    Lidhur me këtë vendim, për Kanal10 ka folur edhe Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit.

    Ajo vlerëson se shtyrja e vendimit përfundimtar mund të ketë lidhje edhe me situatën politike në Kosovë.

    Sipas saj, ekziston mundësia që vendimi për katërshen e UÇK-së të shtyhet deri në vjeshtën e këtij viti.

    “Gjykata Speciale nuk ka qenë aspak bashkëpunuese me trupat mbrojtëse të katërshes së UÇK-së. Vazhdimisht kanë bërë cenime të drejtave të njeriut qoftë me vizita, qoftë me telefonata e qoftë me dosje. Edhe ky vendim që të shtyhet marrja e vendimit për katërshen, unë mendojë që Gjykatës i nevojitet më shumë kohë se sa është vendosur që të shqyrtojë të gjitha ato dosje që i ka dorëzu prokuroria, dosje këto të sponzorizuara nga Serbia. Unë mendoj se edhe situata politike në Kosovë mund të ndikojë në marrjen e vendimit në Gjykatën Speciale,, përshkak se Kosova është në një proces zgjedhor dhe mund të shtyhet edhe marrja e vendimit në Hagë, gjithashtu vlen të theksohet se vendimi mund të shtyhet jo vetëm në korrik por deri në vjeshtë”, tha ajo.

  • Zemaj: Besojmë se të shtunën ndodh “ecja” e përbashkët me Osmanin

    Zemaj: Besojmë se të shtunën ndodh “ecja” e përbashkët me Osmanin

    Anëtari i kryesisë së LDK-së Armend Zemaj ka bërë të ditur se të shtunën do të definohet çështja e bashkëpunimit me Vjosa Osmanin për zgjedhjet e 7 dhjetorit.

    Sipas tij kjo çështje tashmë është e kryer. I pyetur nëse të shtunën ndodh “ecja e përbashkët” me Osmanin siç iu referua ai, Zemaj tha për RTV21 se shpreson që po.

    ” Ne shpresojmë që edhe pse duket që tashmë është punë e kryer por këshilli ka edhe autorizime tjera…si formalitet pas të shtunës mund të flasim për një listë ku Vjosa Osmani i bashkëngjitet LDK-së “, tha ai

  • Haliti: PDK-ja betejën e ka me VV-në, jo me Vjosa Osmanin

    Haliti: PDK-ja betejën e ka me VV-në, jo me Vjosa Osmanin

    Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës tha se ky subjekt politik në zgjedhjet e 7 qershorit po garojnë për vendin e parë.

    “Luftojmë për vend të parë, as për të dytin as për të tretin” , tha ai.

    Derisa u pyet edhe për lëvizjet e fundit në skenën politike, konkretisht bashkimi i Vjosa Osmanit me LDK-në a paraqesin rrezik për PDK-në, ai tha se nuk e kanë betejën me Osmanin.

    “PDK betejën e ka me VV-në, nuk e kemi me Vjosa Osmanin. Vjosa Osmani ka qenë një deputete është bërë presidente në kushte dhe rrethana të veçanta dhe tani ka kalu aty ku ka qenë në LDK, varet shumë se sa i japin fushë ata si parti dhe në çfarë pozicionin do ta vendosin ka të dhëna se do ta udhëheq fushatën e LDK-së do të ketë betejë me Kurtin”, u shpreh Haliti për RTV21.

  • Deklarohen të pafajshëm shtatë të akuzuar për vrasjen në Aktash e vepra tjera penale

    Deklarohen të pafajshëm shtatë të akuzuar për vrasjen në Aktash e vepra tjera penale

    Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për rastin e vrasjes në Aktash, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi, Erd Marevci dhe Vesel Bunjaku u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, Bunjaku edhe për “Manipulim me prova”. Kurse Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, ndërkaq e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.

    Në këtë rast, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, akuzohen lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar. Më pas, prokurori i rastit, Bashkim Zeqaj konsideroi së është bërë me vullnet të lirë dhe në përputhje me dispozitat ligjore, si dhe propozoi që Gjykata ta aprovojë këtë pranim të fajësië.

    Avokati Arlind Jupolli, mbrojtësi i të akuzuarit Robert Llumnica, tha se e mbështet pranimin e fajësisë së të mbrojturit të tij dhe propozoi që Gjykata ta aprovojë. Njëjtë u deklaruan edhe mbrojtësit e të akuzuarit Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi, avokatët Naser Sopjani dhe Mentor Neziri.

    Po ashtu, i akuzuari Salih Sekiraqa, tha se nuk e kupton aktakuzën e Prokurorisë, pasi që ai dhe djali i tij janë sulumuar vazhdimisht, por që në aktakuzë djali i tij i mitur nuk është i përfshirë. Gjithashtu, ai tha se në aktakuzë thuhet se është sulumuar nga persona të paidentifikuar, duke theksuar se shumica nga ta janë prezent në sallë.

    Gjykatësja e rastit, Fatime Dërmaku, njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

    Paraprakisht, në këtë seancë u bë veçimi i procedurës për të akuzuarit Dardan Marevci dhe Endrit Llapashtica pasi që të njëjtit gjenden në arrati, mirëpo Gjykata vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet që për të njëjtit të zhvillohet gjykimi në mungesë.

    Ndryshe, seanca e 20 prillit 2026 kishte dështuar pasi nuk kishte përfunduar ekspertiza psikiatrike për të akuzuarin Valdrin Ademi.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.

    Sipas aktakuzës, rasti ndërlidhet me një përplasje të armatosur mes dy grupeve në lokalin “From”, ku si pasojë mbeti i vrarë Premtim Gashi, dhe disa persona të tjerë u plagosën. Të akuzuarit ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Manipulim me prova”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve.

  • Vrasja në Gjakovë: Familja Brahimaj ia shtrijnë dorën e pajtimit familjes Sadrija

    Vrasja në Gjakovë: Familja Brahimaj ia shtrijnë dorën e pajtimit familjes Sadrija

    Familja Brahimaj ia shtriu dorën e pajtimit familjes Sadrija, pas ngjarjes tragjike ku i riu Rexhë Brahimaj, u ther për vdekje nga i dyshuari Qazim Sadrija, i cili u vetëdorëzua dje në polici.

    Lajmin për këtë gjest madhor e dha ish-deputeti i AAK-së Daut Haradinaj.

    “Pas ngjarjes tragjike që ndodhi në Gjakovë, sot familja Brahimaj nderoi veten dhe kombin tonë duke i shtrirë dorën e pajtimit familjes Sadriu nga Stublla e Gjakovës. Bashkë me bacën Shaqë u ndjemë tepër të nderuar nga nga familje heroike e Naser Brahimajt. Mehmeti dhe Skenda, të cilët, edhe pse humbën mashkullin e familjes, treguan vlera shqiptare dhe dëshmuan se nuk ka plumb për vëllezërit shqiptarë. Qoftë kjo e fundit që na ndodh. Familjes emblemë Brahimaj, ngushëllime!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook duke e shoqëruar edhe me video momentin e pajtimit.

    30 vjeçari Rexhë Brahimaj, do të varroset sot në fshatin Jabllanicë, pasi u ther për vdekje në orët e para të së martës në Gjakovë.

    Sipas njoftimit të familjes, ceremonia mortore do të mbahet me fillim nga ora 17:00.

  • Interes i jashtëzakonshëm për koncertin e Kanye West në Tiranë, mbi 10 mijë bileta shiten brenda dy orësh

    Interes i jashtëzakonshëm për koncertin e Kanye West në Tiranë, mbi 10 mijë bileta shiten brenda dy orësh

    Në vetëm dy orë nga hapja e shitjes së parë, janë shitur mbi 10 mijë bileta për koncertin e shumëpritur të Kanye West në Tiranë, i planifikuar për muajin korrik.

    Interesi i publikut ishte i menjëhershëm, me mijëra fansa që siguruan vendet e tyre brenda pak minutash nga nisja e shitjes. Sipas organizatorëve, kërkesa ka tejkaluar pritshmëritë, duke e kthyer këtë koncert në një nga eventet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në vend.

    Shitja e përgjithshme për publikun do të nisë të mërkurën në orën 12:00, ndërsa pritet një fluks edhe më i madh kërkesash. Organizatorët u bëjnë thirrje të interesuarve të jenë të gatshëm, pasi biletat mund të shiten me shpejtësi.

    Çmimet e biletave nisin nga 261 euro, ndërsa për zonat VIP arrijnë deri në 339 euro.

    Koncerti i Kanye West pritet të tërheqë jo vetëm publik vendas, por edhe fansa nga rajoni dhe më gjerë, duke e vendosur Tiranën në qendër të vëmendjes muzikore këtë verë.

  • Osmani: Mërgatë, më 7 qershor ju duam përsëri bashkë – ejani, votoni dhe ndikoni!

    Osmani: Mërgatë, më 7 qershor ju duam përsëri bashkë – ejani, votoni dhe ndikoni!

    Vjosa Osmani, ish-presidente e vendit, i është drejtuar mërgatës me një video-mesazh, duke u bërë atyre që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

    Osmani, në adresimin e saj ka thënë se, gjatë presidencës së saj, pjesa më e mirë e angazhimit të saj, kanë takimet me mërgatën.

    ‘’E keni dëshmuar në të kaluarën, e po e dëshmoni edhe sot, ju asnjëherë nuk e latë Kosovën vet. Edhe tani, atdheu ka nevojë për ju, për fjalën tuaj, për përkushtimin tuaj, për pjesëmarrjen tuaj. Më 7 qershor, ju duam përsëri bashkë. Ejani në Kosovë, ose regjistrohuni për të votuar. Për gjatë pesë viteve që isha në Presidencë, pjesa më e bukur e angazhimit tim kanë qenë pikërisht takimet me ju, pritjet për ju, diskutimet me ju, festimet e përbashkëta për të arriturat tona të përbashkëta e ndarja e dhimbjes në momentet e rënda si një familje që s’ka kush e ndan sepse kurrë nuk ia kthyet shpinën Kosovës. E mbajtët gjallë në momentet më të rënda, e ringritët atëherë kur ishte e rrënuar e i dhatë shpresë atëherë kur duhej më së shumti. Edhe tani, do ta bëjmë së bashku’’, ka deklaruar ajo.

    Ish-presidentja, ka deklaruar edhe se, sa më afër që është mërgata, aq më e fortë do të jetë Kosova.

    ‘’Siç e kam thënë edhe kur vendosa që 28 dhjetori data e zgjedhjeve të kaluara, sa më afër e kemi mërgatën në çdo vendim, aq më e fortë do të jetë Kosova sepse ne jemi krenarë me ju. Kosovën e kemi të përbashkët pavarësisht ku jetojmë. Regjistrohuni, votoni, ndikoni. Ju dua shumë’’, ka thënë ajo.

  • Shala: Keqmenaxhimet në KEK po i paguan konsumatori

    Shala: Keqmenaxhimet në KEK po i paguan konsumatori

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka ngritur shqetësime mbi prodhimin e KEK-ut gjatë ditës së sotme.

    Duke paraqitur të dhënat, Shala thotë se vendi po mbulon rreth 80% të konsumit, me import.

    “Në praktikë, kjo përbën një problem serioz, pavarësisht arsyetimeve nga KEK-ja në emër të riparimeve dhe një të ardhmeje më të mirë. Realiteti sot është prodhim minimal vendor, varësi ekstreme nga importi dhe ekspozim i plotë ndaj çmimeve të tregut”, shkruan Shala.

    Shala vlerëson se o nuk është zgjidhje, por transferim i barrës te konsumatori, i shoqëruar madje me kosto shtesë si interesi i huasë ndërmjet KEK-ut dhe KESCO-s.

    Sipas tij, këtë keqmenaxhim po e paguan konsumatori.

    Ky është postimi i plotë i tij:

    Nga të dhënat zyrtare të ENTSO-E shihet se sot, në orën 09:00, prodhimi nga KEK ishte vetëm rreth 121 MWh, ndërsa kërkesa për energji në të njëjtën orë ishte rreth 627 MWh.

    Në mungesë të kapaciteteve të tjera prodhuese, kjo nënkupton se Kosova po mbulon rreth 80% të konsumit me import.

    Ndërkohë, kapaciteti potencial i KEK është rreth 850 MWh, që do të thotë se sot po operon me vetëm rreth 14% të kapacitetit të tij.

    Në praktikë, kjo përbën një problem serioz, pavarësisht arsyetimeve nga KEK në emër të riparimeve dhe një të ardhmeje më të mirë. Realiteti sot është prodhim minimal vendor, varësi ekstreme nga importi dhe ekspozim i plotë ndaj çmimeve të tregut.

    Sa i përket importit, nuk jemi naivë, të gjithë e dimë kush janë akterët kryesorë në këtë treg.

    Nga ana tjetër, ZRRE, për të shmangur kostot e larta të shkaktuara nga importi (sipas vetë ZRRE-së), po i zhvendos këto kosto për vitin 2027. Pra, nuk i eliminon, por i shtyn për vitin e ardhshëm, duke e futur konsumatorin në një barrë financiare që mund të bëhet e papërballueshme.

    Kjo është qasja e këtij pushteti ndaj së ardhmes.

    Kjo nuk është zgjidhje, por transferim i barrës te konsumatori, i shoqëruar madje me kosto shtesë si interesi i huasë ndërmjet KEK-ut dhe KESCO-s.

    Nëse këto zhvendosje të kostove bëhen pa bazë të qartë ligjore, atëherë kjo nuk është më vetëm çështje politike apo teknike, por një çështje që duhet trajtuar institucionalisht, nëse jo nga ZRRE (si institucion i kapur nga qeveria), atëherë gjithsesi nga Prokuroria.

    Në fund, konsumatori po paguan për keqmenaxhim, për vendime të gabuara, për mungesë transparence dhe për përfitimet e grupeve të interesit në tregtimin e energjisë.

  • Singapori ashpërson luftën kundër bullizmit – Rrahje me shkop si masë e fundit në shkolla

    Singapori ashpërson luftën kundër bullizmit – Rrahje me shkop si masë e fundit në shkolla

    Singapori ka miratuar udhëzime të reja që parashohin ndëshkime më të rrepta për nxënësit që ushtrojnë bullizëm, përfshirë edhe rastet e ngacmimit në internet.

    Sipas rregullave të reja, në raste të rënda mund të aplikohet edhe rrahja me shkop, si masë e fundit disiplinore.

    Vendimi u diskutua në parlament dhe vjen pas një rishikimi njëvjeçar të politikave kundër bullizmit, i nxitur nga disa raste që tërhoqën vëmendje të madhe publike gjatë vitit të kaluar. Autoritetet synojnë të forcojnë disiplinën dhe të rrisin sigurinë në shkolla.

    Ministri i Arsimit, Desmond Lee, theksoi se ndëshkimi fizik do të përdoret vetëm kur të gjitha masat e tjera rezultojnë të pamjaftueshme, raporton theguardian.

    Ai nënvizoi se shkollat do të ndjekin procedura të rrepta dhe se çdo rast do të shqyrtohet me kujdes para se të merret vendimi për një dënim të tillë.

    Sipas udhëzimeve, ndëshkimi me rrahje do të zbatohet vetëm për djemtë mbi moshën nëntë vjeç, ndërsa për vajzat do të aplikohen masa të tjera disiplinore si pezullimi, mbajtja pas orarit mësimor dhe ulja e notës në sjellje.

    Autoritetet theksojnë se pas çdo ndëshkimi, nxënësit do të ndiqen nga afër për mirëqenien dhe përparimin e tyre, duke u ofruar edhe mbështetje këshilluese për të parandaluar përsëritjen e sjelljeve problematike.

    Megjithatë, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve kundërshtojnë këtë qasje, duke paralajmëruar se ndëshkimi fizik mund të ketë pasoja negative për shëndetin mendor dhe zhvillimin e fëmijëve. Sipas të dhënave globale, ndëshkimi fizik mbetet një praktikë e përhapur, pavarësisht kritikave në rritje.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit: 18 parti konfirmojnë pjesëmarrjen, 1 koalicion i formuar

    Zgjedhjet e 7 qershorit: 18 parti konfirmojnë pjesëmarrjen, 1 koalicion i formuar

    Kur kanë mbetur vetëm edhe një ditë afat për partitë politike për të njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje ose mospjesëmarrjen dhe deklarimin e koalicioneve, disa nga partitë politike kanë kryer këto obligime ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për RTK se deri më tani (e mërkurë, 6 maj 2026, ora 12:00), KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike; mospjesëmarrjen nga 4 të tjera dhe formimin e 1 koalicioni të përbërë nga 2 parti politike.

    “Është duke vazhduar periudha për partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës për ta njoftuar KQZ-në për: pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Kjo periudhë ka filluar më 1 maj dhe do të përfundojë më 7 maj. Deri më tani (e mërkurë, 6 maj 2026, ora 12:00) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike, mospjesëmarrje nga 4 parti politike dhe 1 koalicion i përbërë nga 2 parti politike”, tha Elezi.

    Më tej, sipas tij, “këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrimit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës”.

    Sipas Elezit, partitë politike që deri në këtë kohë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: Partia Socialdemokrate; Kosovaki Nevi Romani Partia; Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; Za Slobodu Pravdu i Opstanak; Srpska Lista; Yenilikçi Türk Hareket Partisi; Lidhja Demokratike e Kosovës; Fjala; Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; Socialdemokratska Unija; Jedinstvena Goranska Partija; Kosova Demokratik Türk Partisi; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; Nova Demokratska Stranka; Partia Liberale Egjiptiane; Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; dhe Kosovski Savez.

    Ndërkaq, sipas tij, partitë politike që deri më tani kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: Partia Demokratike e Unitetit; Balli Kombëtar i Kosovës; Lëvizja Qytetare Vatra; dhe Bashkimi për Ndryshim Anamorava.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, 6 ditë nga hapja e afatit për deklarim të koalicioneve, KQZ ka pranuar vetëm njoftimin për formimin e koalicionit nga dy parti boshnjake. Bëhet fjalë për Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, që kanë paraqitur në KQZ koalicionin me emrin “Koalicija VAKAT”.

    Sipas KQZ-së, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koalicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë.

    Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj.

    “Duke filluar nga data 2 maj dhe deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.

    Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.

    “KQZ ka vendosur afatin 11-ditore, nga 2 maj deri më 10 maj 2026, për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.