ATV

Author: K.B.

  • Koreja e Veriut heq nga kushtetuta synimin për ribashkim me Jugun

    Koreja e Veriut heq nga kushtetuta synimin për ribashkim me Jugun

    Koreja e Veriut ka hequr nga kushtetuta çdo referencë për ribashkimin me Korenë e Jugut, duke sinjalizuar një qëndrim më të ashpër ndaj Seulit. Sipas një dokumenti të parë nga AFP, klauzola për “ribashkimin e atdheut” është larguar në versionin e ri të miratuar në mars.

    Në vend të saj, kushtetuta thekson kufijtë shtetërorë dhe e cilëson Korenë e Jugut si “Republika e Koresë”, duke ndaluar çdo shkelje të territorit. Ky ndryshim vjen pas deklaratave të Kim Jong Unit, i cili e ka quajtur Jugun “shtet armik”.

    Ndërkohë, tensionet mbeten të larta, me Phenianin që vazhdon testet raketore dhe forcon lidhjet me Rusinë dhe Kinën, ndërsa Seuli kërkon dialog pa kushte, por pa përgjigje nga Veriu.

  • Një burrë në spital me hantavirus pas udhëtimit me anije turistike – njofton qeveria zvicerane

    Një burrë në spital me hantavirus pas udhëtimit me anije turistike – njofton qeveria zvicerane

    Një burrë në Zvicër ndodhet në spital me hantavirus, pasi qe kishte udhëtuar me anijen turistike MV Hondius, ka bërë të ditur qeveria Zvicerane.

    Sipas njoftimeve, burri u kthye në shtëpi nga udhëtimi prej Amerikës se Jugut “në fund të prillit” dhe u paraqit në Spitalin Universitar të Cyrihut pasi që shfaqu simptoma, raporton BBC.

    Qeveria thotë se ai u vendos menjëherë në izolim, duke shtuar se “aktualisht nuk ka rrezik për publikun”.

    Autoritetet po hetojnë nëse ai ka pasur kontakt me persona të tjerë gjatë kohës që ishte i sëmurë.

    Burri ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij gjatë udhëtimit, e cila nuk ka shfaqur ende simptoma, por gjithashtu është izoluar si masë paraprake

  • Spotify ka nisur një sistem të ri verifikimi për “artistët jo-AI”

    Spotify ka nisur një sistem të ri verifikimi për “artistët jo-AI”

    Spotify ka nisur një sistem të ri verifikimi për artistët jo-AI, me qëllim rritjen e autenticitetit dhe besimit në platformë.

    Artistët e verifikuar do të marrin një “Verified by Spotify” me një shenjë të gjelbër që do të shfaqet në profil dhe në kërkime.

    Për t’u kualifikuar, artistët duhet të kenë aktivitet të qëndrueshëm të dëgjuesve dhe angazhim të vazhdueshëm me publikun.

    Gjithashtu kërkohet një prezencë e qartë jashtë platformës, si koncerte dhe rrjete sociale të lidhura.

    Spotify ka bërë të ditur se artistët e krijuar nga inteligjenca artificiale nuk do të jenë të pranueshëm për këtë verifikim në këtë fazë.

    Paralelisht, platforma po shton një seksion të ri në profilet e artistëve që tregon karrierën, publikimet dhe aktivitetin e tyre artistik.

  • Gjetjet e raportit për Dhomat e Specializuara, Avokati i Popullit me letër Sekretarit të ShBA-së

    Gjetjet e raportit për Dhomat e Specializuara, Avokati i Popullit me letër Sekretarit të ShBA-së

    Avokati i Popullit i drejtohet me letër Sekretarit të ShBA-së dhe shteteve financuese lidhur me gjetjet e raportit për Dhomat e Specializuara të Kosovës

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj u ka dërguar një letër shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, nëpërmjet së cilës ua ka përcjellë edhe raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe ka paraqitur shqetësimet e tij, të bazuara në gjetjet e këtij raporti.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se kjo letër, e përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike, i është dërguar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së. Letra informuese u është dërguar ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë.

    “Raporti u është dërguar Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, znj. Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dhe Michael O’Flaherty, Komisionar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës”.

    Tutje në njoftim thuhet se në këtë letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimet lidhur me garancitë për një gjykim të drejtë gjatë procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të identifikuara nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC) – Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit.

    “Avokati i Popullit i ka informuar ata se Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar vazhdimisht përputhshmërinë me të drejtat themelore në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), si dhe kushtet e të paraburgosurve. Ai thekson në letër se, si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka angazhuar organizatën BHRC për të kryer një vlerësim paraprak të pavarur, si rezultat i shqetësimeve të tij serioze dhe të vazhdueshme lidhur me respektimin e të drejtave themelore në kuadër të procedurave gjyqësore në DhSK”.

    Raporti në fjalë ka identifikuar shqetësime serioze lidhur me mbrojtjen e garancive themelore procedurale që u ofrohen të akuzuarve, e në veçanti, me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm. Këto parime përbëjnë garanci themelore në kuadër të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtësisë penale ndërkombëtare.

    Në këtë letër u nënvizua se e drejta për një gjykim të drejtë është e përcaktuar në nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dyja të zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto dispozita garantojnë, ndër të tjera, të drejtën e çdo individi për një seancë të drejtë dhe publike para një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të krijuar me ligj; prezumimin e pafajësisë; kohë dhe lehtësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes; barazinë e armëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes; si dhe transparencën në procedurat gjyqësore.

  • Koncert festiv i Filharmonisë së Kosovës për Ditën e Evropës në Prishtinë

    Koncert festiv i Filharmonisë së Kosovës për Ditën e Evropës në Prishtinë

    Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, Filharmonia e Kosovës do të mbajë një koncert festiv më 8 maj, ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallati i Rinisë.

    Koncerti do të dirigjohet nga maestro Peter Valentoviq, ndërsa si solist do të paraqitet violonçelisti Victor Julien-Laferrière.

    Programi i mbrëmjes i kushtohet kompozitorit Antonín Dvořák. Publiku do të ndjekë Koncertin për violonçel dhe Simfoninë nr. 9 “Nga Bota e Re”, ndër veprat më të njohura të repertorit klasik.

    Ky aktivitet synon afrimin e publikut me muzikën klasike evropiane dhe shënimin e Ditës së Evropës përmes artit. Filharmonia e Kosovës fton publikun të marrë pjesë në këtë mbrëmje kulturore.

  • Tejkaluan në vijë të plotë, gjobiten me nga 200 euro dy shoferë, u merret edhe leja për tre muaj

    Tejkaluan në vijë të plotë, gjobiten me nga 200 euro dy shoferë, u merret edhe leja për tre muaj

    Policia e Kosovës ka gjobitur dy shoferë që tejkaluan në vijë të plotë, duke rrezikuar trafikun.

    Ata u dënuan me nga 200 euro, dy pikë negative dhe ndalim drejtimi për tre muaj.

    Njoftimi:

    Dy kundërvajtës janë gjobitur për tejkalim në vijë të plotë

    Mitrovicë e Jugut 06 maj 2026

    Njësia e Trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, ka lëshuar dy vendime për gjoba dhe masa mbrojtëse për dy shofer të automjeteve të cilët me veprimet e tyre duke bërë tejkalime në vijë të plotë kanë rrezikuar pjesëmarrësit tjerë në trafik.

    Ndaj dy kundërvajtësve janë marrë masat ligjore të parapara me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ku u janë shqiptuar gjobat prej dyqind (200) euro, dy (2) pikë negative si dhe masa mbrojtëse-ndalimi i drejtimit me mjet motorik prej tre (3) muajve.

    Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes dhe të respektojnë rregullat e trafikut rrugor.

  • Prokuroria del me detaje për aksionin në Agjencinë Kadastrale, disa të dyshuar për dallavere me prona

    Prokuroria del me detaje për aksionin në Agjencinë Kadastrale, disa të dyshuar për dallavere me prona

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me detaje lidhur me aksionin e sotëm në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

    Sipas njoftimit, ky aksion është realizuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për kontroll ndaj të dyshuarve lidhur me veprën penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo Autoritetit Zyrtar’’, si dhe si dhe “Legazilimi i përmbajtjes së pavërtetë’’.

    Sipas Pokurorisë, të pandehurit A.Q., dhe N.K., në bashkëveprim dhe pas një marrëveshje paraprake, kanë përdorur një dokument të falsifikuar të titulluar ‘’Kontratë për këmbim e paluajtshmërive’’ të datës 11.02.1966. Përmes këtij dokumenti është paraqitur në mënyrë të rreme kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

    Gjatë hetimeve, është dyshuar se A.Q., dhe N.K., me ndihmën e personit zyrtar A.B., kanë arritur që dokumentin e falsifikuar të paraqesin si autentik, duke vulosur dhe përfshirë në arkivat e gjykatës, ndonëse një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare.

    Po ashtu, i dyshuari A.B. në cilësinë e personit zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke krijuar dosje fiktive dhe duke mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar, me qëllim të përfimit të kundërligjshëm për vete dhe persona të tjerë.

    Ndërkohë, të dyshuarit B.Sh., dhe M.B., në cilësinë e personave zyrtar ne Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë aprovuar ankesën e palës, përkatësisht të pandehurit N.K., duke obliguar komunën e Prishtinës që të regjistroj pronën në emër të tij, thekson njoftimi.

    Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

  • Dëshmitar në gjyqin e Laert Haxhiut – Noizy paraqitet në GJKKO

    Dëshmitar në gjyqin e Laert Haxhiut – Noizy paraqitet në GJKKO

    Këngëtari Rigels Rajku i njohur si Noizy është paraqitur të mërkurën në GJKKO.Rajku është thirrur në procesin e grupit të Laert Haxhiut në cilësinë e dëshmitarit.

    Gjatë seancës së shkuar mbrojtja e të pandehurit kërkoi thirrjen e rreth 60 dëshmitarëve, duke argumentuar se dëshmitë e tyre janë të nevojshme për sqarimin e rrethanave të çështjes.

    Haxhiu, i cili mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, nuk u paraqit fizikisht në sallën e gjyqit.

    Në lidhje me episodin e vendosjes së tritolit në dyqanin e reperit Noizy në Durrës, avokatët e tij kërkuan që të thirren si dëshmitarë Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur, si dhe Kleviol Ahmetaj, i njohur me nofkën Cllevio, i cili është ekstraduar disa muaj më parë nga Dubai.

    Ngjarja lidhet me shpërthimin e rreth 100 gramëve tritol në biznesin e Noizyt në qershor të vitit 2022.

    Si pasojë e shpërthimit, u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në dyqanin e veshjeve dhe në lokalin që ndodheshin në katin e parë dhe të dytë të një pallati pranë zonës bregdetare të Durrësit.

    Lënda plasëse ishte vendosur në murin e jashtëm të objektit dhe ishte aktivizuar me fitil përcjellës./EuroNewsAl

  • E shoqëruar nga Luani i ri, nëna Rukë vendos lule mbi varrin e Luanit në 29-vjetorin e rënies së tij

    E shoqëruar nga Luani i ri, nëna Rukë vendos lule mbi varrin e Luanit në 29-vjetorin e rënies së tij

    Nëna e Ramush Haradinajt, Ruka, ka vendosur lule mbi varrin e të birit, Luanit, në 29 vjetorin e rënies së tij.

    Atë e shoqëroi Luani i ri, djali i Shkëlzenit.

    E pikërisht sot, ka rastisur edhe ditëlindja e nënës Rukë.

    Ramushi e uroi me disa fjalë mjaft emocionale.

    “Urime ditëlindjen, Nana Rukë!

    Një jetë plot dhimbje shqiptare që ka me u rrëfy ndër breza!

    Të paçim me shëndet e jetë të gjatë,” shkroi ai.

  • Liria ka emër: Shtyrja e aktgjykimit në Hagë është zgjatje e padrejtësisë, Specialja precedent i keq për drejtësinë ndërkombëtare

    Liria ka emër: Shtyrja e aktgjykimit në Hagë është zgjatje e padrejtësisë, Specialja precedent i keq për drejtësinë ndërkombëtare

    Organizata “Liria ka emër” e konsideron tërësisht të papranueshme shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Kjo praktikë e vazhdueshme e vonesave të paarsyeshme nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si një degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm. Ky proces që po zvarritet për vite të tëra, me shtyrje të përsëritura, e ka humbur tërësisht kredibilitetin dhe është shndërruar tashmë në një mekanizëm që prodhon padrejtësi të vazhdueshme.

    Mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së për gati gjashtë vite në paraburgim bie ndesh me çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut.

    “Liria ka emër” vlerëson se këto zhvillime po e dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, duke krijuar perceptimin e një procesi të zvarritur, të pabalancuar dhe të papërgjegjshëm.

    “Liria ka emër” paralajmëron se çdo shtyrje e mëtejshme në këtë proces gjyqësor në Gjykatën Speciale, këtë institucion vetëm sa e largojnë edhe më shumë nga standardet e drejtësisë, duke e shndërruar në një precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare.