ATV

Author: K.B.

  • Hapet sot Pavijoni i Kosovës në La Biennale di Venezia

    Hapet sot Pavijoni i Kosovës në La Biennale di Venezia

    Sot, më 6 maj 2026, hapet zyrtarisht Pavijoni i Kosovës në La Biennale di Venezia, një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë.

    Në këtë edicion, Kosova prezantohet me ekspozitën “Hard Teeth (Dhëmbë të Fortë)” të artistit Brilant Milazimi, e kuruar nga José Esparza Chong Cuy. Ekspozita është vendosur në Chiesa di Santa Maria del Pianto, në Venecia.

    Programi i hapjes:
    Hapja për media: 15:00–16:00
    Inaugurimi zyrtar: 16:00
    Ceremonia e pritjes: 18:00

    Hapja moderohet nga Hana Halilaj, Komisionere e Pavijonit të Kosovës dhe përfaqësuese e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

    Në ceremoni do të mbajnë fjalë:
    Saranda Bogujevci, Ministre e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës
    Kuratori José Esparza Chong Cuy
    Artisti Brilant Milazimi

    Pjesëmarrja e Kosovës në këtë event ndërkombëtar përfaqëson një platformë të rëndësishme për promovimin e artit bashkëkohor kosovar në skenën globale.

  • Haradinaj ia uron ditëlindjen nënës së tij: Të paçim me shëndet e jetë të gjatë!

    Haradinaj ia uron ditëlindjen nënës së tij: Të paçim me shëndet e jetë të gjatë!

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka uruar ditëlindjen nënës së tij, Rukës.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj i uroi jetë të gjatë e më shëndet nënës së tij, duke i përmendur edhe vuajtjet që ka kaluar ajo ndër vite.

    “Urime ditëlindjen, Nana Rukë! Një jetë plot dhimbje shqiptare që ka me u rrëfy ndër breza! Të paçim me shëndet e jetë të gjatë!”, ka shkruar ai.

  • Baton Haxhiu: A e dini çfarë pyetjeje më bëri prokurori përmes hetuesve?

    Baton Haxhiu: A e dini çfarë pyetjeje më bëri prokurori përmes hetuesve?

    Gazetari Baton Haxhiu ka publikuar një tjetër shkrim, pasi ishte intervistuar lidhur me një deklaratë të tij për Albin Kurti. Haxhiu ka treguar cilat pyetje ia bëri prokurori Arianit Salihu.

    Shkruan Baton Haxhiu

    Sinqerisht, dje hezitova t’i shkruaj publikisht këto pyetje. Jo sepse ishin sekrete hetimore. Por sepse më vinte turp që një prokuror i Republikës së Kosovës, si Arianit Salihu, kishte ndërtuar një procedurë mbi këtë nivel mendimi.

    Më dukej e pabesueshme që në vitin 2026, pas gjithë krizave që ka ky vend, një institucion i drejtësisë kishte ardhur deri te kjo pikë e degradimit intelektual dhe procedural.

    Shihni çfarë pyetjesh bën një prokuror, që në shkrimin e djeshëm nuk i vendosa sepse po ndjeja turp në vend të prokurorit.

    Shihni çfarë pyetjesh më bëjnë hetuesit!

    “A e njihni Albin Kurtin?”

    “A e dini ku e ka shtëpinë?”

    Për një moment mendova se mos po mungonte kamera e ndonjë emisioni satirik.

    U përgjigja qetë.

    “Po, e njoh prej 30 vitesh”.

    “Dhe jo, nuk më intereson fare ku banon”.

    Aty e kuptova se problemi nuk ishte më deklarata ime. Problemi ishte niveli i frikës dhe devotshmërisë me të cilën dikush kishte vendosur ta mbrojë pushtetin nga një metaforë politike.

    Për disa sekonda mendova se mos kisha hyrë gabimisht në ndonjë skeç televiziv dhe jo në një institucion të hetimit. Pastaj kuptova se jo. Ishte serioze. Ose të paktën përpiqej të dukej serioze.

    Dy hetues, korrektë dhe pothuajse në siklet nga pyetjet që po lexonin, po më intervistonin për një deklaratë politike të bërë në televizion. Dhe diku, në një zyrë të Prokurorisë Themelore, një prokuror (paramendojeni, është zv. Kryeprokuror në Gjykatën Themelore) kishte menduar se mbrojtja e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës fillon duke pyetur një gazetar nëse e njeh kryeministrin dhe ku banon ai.

    Në atë moment më erdhi një lloj qetësie. E kuptova se Albin Kurti qenka më i mbrojtur sesa çdo lider në Ballkan. Jo nga Garda. Jo nga policia. Por nga metaforat.

    Mesa duket, një fjali televizive tashmë konsiderohet kërcënim strategjik për stabilitetin kombëtar. Dhe aty fillon operacioni heroik i mbrojtjes së liderit: “A e njihni Albinin?” “A e dini ku banon?”

    Një republikë, që sadopak kam kontribuar të jetë e lirë dhe të ketë lirinë e mendimit dhe të fjalës, Arianit Salihu e ka reduktuar në adresë të banimit të kryeministrit.

    Dhe sinqerisht, nëse do ta lexoja këtë në ndonjë roman satirik për shtetet e vogla në Ballkan, do të më dukej ekzagjerim letrar. Por ja që nuk është ashtu! Është realitet procedural.

    Madje, në një moment mendova edhe për vetë Albin Kurtin. Sa e trishtë duhet të jetë për një kryeministër të mbrohet nga kjo lloj devotshmërie institucionale. Të kesh institucione që, në vend se të mbrojnë ligjin, përpiqen të mbrojnë figurën tënde nga analizat politike dhe figurat letrare.

    Sepse kjo nuk është mbrojtje. Kjo është mënyra më e keqe për t’i bërë dëm një pushteti edhe kur adhuron liderin, siç e bën Arianiti prokuror.

    Ta rrethosh pushtetin me njerëz në prokurori që e marrin budallallëkun seriozisht dhe e quajnë profesionalizëm, është fundi i botës.

    Dhe para se të hapet ndonjë lëndë e re, po e sqaroj edhe këtë për Prokurorinë Themelore të Prishtinës: fraza “është fundi i botës” është figurë letrare. Nuk nënkupton shkatërrimin e planetit, nuk është kërcënim ndaj rendit kushtetues dhe nuk kërkon pyetjen hetimore “a e dini ku banon bota”.

    Përdoret zakonisht për momente si këto, kur imagjinata procedurale e një institucioni arrin aty ku logjika ka kohë që ka dhënë dorëheqje.

    Prandaj, në vend që të hetohen korrupsioni, kontratat, krimi ekonomik, kapja e institucioneve apo degradimi i administratës, ne kemi arritur në një nivel tjetër të sofistikimit juridik. Prokuroria merret me interpretimin e figurave letrare dhe me gjeografinë e kryeministrit. Ku banon ai?!

    Dhe pastaj habitemi pse qytetari nuk ka besim. Sepse, natyrshëm, qytetari mendon se prokurori merret me ligjin. Ndërsa prokurori, në raste të tilla, duket sikur merret me prodhimin e besnikërisë ndaj pushtetit përmes absurdit procedural.

    Kjo nuk është më drejtësi. Kjo është burokraci e ankthit politik.

    Dhe më tragjikja është se askush aty nuk dukej i keq. Përkundrazi. Hetuesit më lanë përshtypjen e njerëzve që edhe vetë e ndjenin absurdin e situatës. Tragjedia nuk ishte tek pyetja, por tragjike ishte që pyetja kishte kaluar hallkat institucionale dhe kishte marrë vulë zyrtare. Thirrje si dëshmitar?!

    Pra, dikush e kishte shkruar. Dikush tjetër e kishte aprovuar. Dikush kishte menduar se kjo kishte kuptim.

    Dhe aty fillon problemi i vërtetë i një shteti. Jo kur gabon një njeri. Por kur absurdi fillon të marrë formë procedure.

    Kur dola nga hetuesia për krime të rënda, për një moment mendova të kthehesha prapa dhe t’u thoja se nuk duhet të shqetësohen më për adresën e Albin Kurtit.

    Sepse me këtë nivel interpretimi të metaforave, rreziku më i madh për kryeministrin nuk vjen nga ata që flasin në studio televizive, por vjen nga ata që i lexojnë figurat letrare si plane operative.

    Dhe sinqerisht, pas kësaj eksperience, ndjeva një lehtësim të madh. E kuptova se në këtë vend ende nuk kemi hyrë në diktaturë.

    Kemi hyrë në diçka shumë më ballkanike. Në administrimin institucional të budallallëkut. /AlbanianPost

  • Shtyrja e afatit për shpalljen e vendimit për katërshen e UÇK-së, flasin nga Specialja

    Shtyrja e afatit për shpalljen e vendimit për katërshen e UÇK-së, flasin nga Specialja

    Gjykata Speciale e ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep i ka thënë KosovaPress-it se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit por data që përcakton afatin e zgjatur.

    “Po, Paneli Gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt para trupit gjykues.

    Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

  • Ibrahimi: Komunat detyrohen të paguajnë për zgjedhjet – AKK kërkon ndalim urgjent

    Ibrahimi: Komunat detyrohen të paguajnë për zgjedhjet – AKK kërkon ndalim urgjent

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj praktikës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili po obligon komunat të mbulojnë pagesat për stafin mbështetës të angazhuar në procesin zgjedhor.

    Kryetari i ASK-së, Sazan Ibrahimi ka thënë se kjo përbën zhvendosje të padrejtë të përgjegjësive financiare dhe goditje direkte për buxhetet komunale, të cilat tashmë ndodhen nën presion të madh financiar.

    Sipas tij, situata bëhet edhe më shqetësuese kur dihet se niveli qendror ende nuk ka ekzekutuar pagesat për të njëjtin staf nga proceset e kaluara zgjedhore.

    “AKK e bën të qartë se organizimi dhe financimi i zgjedhjeve është përgjegjësi ekskluzive e KQZ-së dhe jo e komunave. Prandaj, kërkojmë nga KQZ që të ndalojë menjëherë këtë praktikë dhe të marrë përsipër të gjitha obligimet financiare që lidhen me procesin zgjedhor. Çdo tentativë për bartjen e kostove të zgjedhjeve te komunat është e papranueshme dhe do të kundërshtohet fuqishëm nga pushteti lokal”, ka thënë Ibrahimi.

  • Ricky Martin performon më 21 maj në Podgoricë për 20-vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi

    Ricky Martin performon më 21 maj në Podgoricë për 20-vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi

    Ikona botërore, Ricky Martin, do të performojë në Podgoricë më 21 maj, në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.

    Organizatorët e cilësojnë këtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të vitit në rajon, duke theksuar se qyteti do të shndërrohet në një skenë të madhe festive me një emër që simbolizon spektakël dhe produksion të nivelit të lartë.

    Sipas tyre, koncerti është konceptuar si një dhuratë e shtetit për qytetarët, me synimin që dy dekadat e pavarësisë të shënohen me një program që lë gjurmë.

    Në njoftimin e tyre thuhet se ardhja e një artisti si Ricky Martin, i njohur për energjinë në skenë dhe hite që kanë kaluar kufijtë, konfirmon që ky përvjetor të mos jetë thjesht një ceremoni formale, por një festë e vërtetë publike.

    Organizatorët kanë bërë të ditur edhe një detaj që pritet ta shtojë interesimin: hyrja do të jetë falas për të gjithë vizitorët.

    Koncerti do të mbahet në Sheshin e Pavarësisë, ku publiku ftohet të mblidhet për të festuar me muzikë dhe atmosferë, duke përcjellë një mesazh për Malin e Zi si vend i kulturës, prosperitetit dhe bashkimit.

    Ata shtojnë se prania e Ricky Martin në këtë përvjetor i jep festës një dimension të veçantë, duke e vendosur Malin e Zi në hartë si një pikë takimi për artin dhe ngjarjet e mëdha, dhe duke e kthyer 21 majin në një natë që synon të mbahet mend gjatë.

  • Një milion kilometra me Mercedesin – shikoni momentin kur ndodhi

    Një milion kilometra me Mercedesin – shikoni momentin kur ndodhi

    Mercedesi legjendar W124 është një nga shembujt e fundit të makinave që dikur prodhoheshin me synimin për të qenë të pathyeshme.

    Ai doli në treg në vitin 1984, dhe edhe sot shumë prej tyre vazhdojnë të ecin pa problem.

    Ka plot raste të këtyre automjeteve që kanë përshkuar më shumë se gjysmë milioni kilometra pa vështirësi.

    Tani është shfaqur një video e shkurtër e një Mercedes 200 Diesel, i cili ka kaluar shifrën prej një milion kilometrash – dhe këtë e bën ndërsa lëviz me shpejtësi 180 km/h.

    Nëse rastësisht nuk e dini për cilin model bëhet fjalë, po bashkëngjitet një fotografi e Mercedes E 500.

    Sigurisht, gjithçka nuk duket shumë e sigurt. Xhirimi në një shpejtësi të tillë bart rreziqe të mëdha, por një milion kilometra është një shifër e jashtëzakonshme.

  • Adriana Matoshi iu kundërpërgjigjet kolegeve artiste që e kritikuan për gjuhën e saj: Unë nuk e ulë nivelin e debatit, unë e bëj të sinqertë

    Adriana Matoshi iu kundërpërgjigjet kolegeve artiste që e kritikuan për gjuhën e saj: Unë nuk e ulë nivelin e debatit, unë e bëj të sinqertë

    Aktorja dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, pas kritikave që mori në rrjete sociale nga kolege të saj artiste, mes tyre Eliza Hoxha dhe Adelina Thaqi Meta.

    Reagimi i Matoshit vjen pasi ditë më parë u diskutua gjerësisht një status i saj, ndërsa më pas pasuan kundërpërgjigje publike nga dy koleget, të cilat e kritikuan gjuhën dhe mënyrën e komunikimit nga një figurë publike dhe e zgjedhur.

    Në statusin e saj të fundit, Matoshi thekson se arti nuk duhet parë si “dekor”, por si pasqyrë e realitetit dhe si zë për shoqërinë, duke nënvizuar se heshtja përballë padrejtësisë nuk është kulturë.

    Ajo shkruan se nuk synon t’u pëlqejë të gjithëve, por të jetë e sinqertë me veten dhe me qytetarët, duke shtuar se arti që “nuk shqetëson”, sipas saj, nuk e zgjon askënd.

    “Ka njerëz që flasin për ‘art’ si dekor, por nuk e durojnë kur arti bëhet pasqyrë. Unë nuk kam zgjedhur të jem e qetë kur realiteti kërkon zë… Të flasësh për shoqërinë nuk është përçarje. Të heshtësh përballë padrejtësisë nuk është kulturë”, shkroi Matoshi, duke vazhduar më tej se “arti më i mirë është ai që e kupton populli” dhe se kur flet me “gjuhën e popullit”, arti jeton jo vetëm në skenë, por edhe tek secili që e ndjen.

    Në fund të shkrimit, deputetja e VV-së u shpreh se është e lodhur nga “moralizma bosh” dhe ftoi që debati të zhvendoset te veprat: “Mjaft me moralizma bosh. Flasim për vepra”, përfundoi ajo.

  • Lahi Brahimaj kujton Luan Haradinajn: Ishim më shumë se nip e dajë, kemi qenë bashkëluftëtarë

    Lahi Brahimaj kujton Luan Haradinajn: Ishim më shumë se nip e dajë, kemi qenë bashkëluftëtarë

    Lahi Brahimaj ka kujtuar nipin e tij, dëshmorin Luan Haradinaj, në 29-vjetorin e rënies së tij.

    Përmes një postimi në Facebok, Brahimaj tha se Luanin nuk e kishte veç nip, por edhe bashkëluftëtarë.

    Ai shtoi se lidhja e tij me Luanin ishte unike, megjithatë, thekson se prita në Qafë Mullar e ndau fizikisht nga ai.

    “Por amaneti yt për liri vazhdoi duke u bërë frymëzim për mijëra djem e vajza të UÇK-së që jetësuan ëndrrën e madhe për lirinë e Kosovës. Ende i kam të freskëta rrugët që i merrnim për Shqipëri, organizimet dhe fillimet e celulave të para të UÇK-së. Luan, ti mbete gjithmonë i ri, deri sa ne po plakemi çdo ditë me kujtimet e tua! Daja yt, Lahia”, ka shkruar ai.

  • Në përvjetorin e rënies së Luanit, feston ditëlindjen Nana Rukë

    Në përvjetorin e rënies së Luanit, feston ditëlindjen Nana Rukë

    Sot feston ditëlindjen Nana Rukë, nëna e Ramush Haradinajt.

    Ditëlindja e saj rastis në përvjetorin e rënies së djalit të saj, heroit Luan Haradinaj.

    Për urime, nënës Rukë i ka shkuar edhe ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

    “Urime ditëlindjen Nana Rukë! Jetofsh gjatë, me shendet të plotë dhe e rrethuar me dashurinë e familjes!”, ka shkruar ajo.