ATV

Author: K.B.

  • Rritet sërish çmimi i kurbanit në Kosovë

    Rritet sërish çmimi i kurbanit në Kosovë

    Çmimi për therjen e kurbanit në Kosovë ka shënuar rritje këtë vit, duke arritur në 200 euro, krahasuar me 180 euro sa ishte më 2025.

    Bashkësia Islame e Kosovës ka publikuar fushatën “Kurbani 2026”, ku ka bërë të ditur se çmimi për një kurban është caktuar 200 euro. Në materialin promovues të publikuar nga Medreseja e Mesme “Alauddin” në Prishtinë theksohet se mjetet do të dedikohen për familjet në nevojë, me moton: “Bëhu pjesë e sakrificës! Mirësia jote, shpresë për ta”.

    Nga ana tjetër, edhe organizata “Islamic Relief Kosova”, që po ashtu organizon therjen e kurbanit sipas standardeve dhe kushteve më të larta higjienike, duke pretenduar se këtë e bën duke respektuar të gjitha dispozitat fetare, ka njoftuar për të njëjtin cmim.
    Sipas njoftimit të organizatës, çmimi për një hise në lopë është po ashtu 200 euro, ndërsa thuhet se mishi i kurbanit do t’u shpërndahet jetimëve dhe familjeve në kushte të vështira jetësore.

    “ Ndërkohë një hise të mishit mund ta merrni dhe ta shijoni edhe ju me të afërmit tuaj”, thuhet në njoftimin e “Islamic Relief Kosova”.

    BIK ka bërë me dije se pagesat për kurbanët mund të realizohen në këshillat e Bashkësisë Islame nëpër komuna, si dhe përmes llogarive bankare të publikuara nga organizatorët.

    Rritja e çmimit prej 20 eurosh vjen në kohën kur tregu i bagëtive dhe kostot e produkteve ushqimore kanë shënuar ngritje krahasuar me vitet e kaluara.

    Feja islame rekomandon fuqishëm therjen e Kurbanit, gati deri në statusin e obligimit, për të gjithë ata që kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. Përndryshe, Kurbani, sipas literaturës fetare, konsiderohet një vepër bamirësie dhe afërsie shpirtërore me Zotin, ndërsa theks i veçantë i kushtohet ndihmës ndaj të varfërve dhe shpërndarjes së mishit për ata që kanë më pak mundësi për ta blerë e konsumuar atë.

  • Gruda thotë se Limaj nuk ka bërë kërkesë për t’u bashkuar me PDK-në

    Gruda thotë se Limaj nuk ka bërë kërkesë për t’u bashkuar me PDK-në

    Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se Fatmir Limaj nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për t’iu bashkuar listës së PDK-së.

    Duke folur në emisionin Debat Plus, Gruda tha se nuk qëndrojnë pretendimet se PDK po ia mbyll dyert Limajt, duke theksuar se deri më tani nuk ka pasur asnjë iniciativë nga ana e tij.

    Sipas Grudës, kjo çështje nuk është ende në rend dite për vendimmarrje brenda partisë, ndërsa ka shtuar se në ditët në vijim do të shihet disponimi i strukturave të PDK-së për zhvillimet e mëtejshme politike.

    “Nuk mendoj që jemi duke ia mbyllur dyert, e vërteta është se nuk kemi asnjë kërkesë as nga zoti Limaj për tu bashkuar në listën e PDK-së. Edhe kjo nuk është një çështje për të cilën PDK duhet të vendosë ose deklarohet. Kemi edhe ditë përpara të shohim cili është disponimi i strukturave të partisë”, ka deklaruar ai.

  • Zemaj: Vjosa Osmani me rreth 20 kandidatë në listën e LDK’së në zgjedhjet e 7 qershorit

    Zemaj: Vjosa Osmani me rreth 20 kandidatë në listën e LDK’së në zgjedhjet e 7 qershorit

    Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka arritur një dakordim në parim për bashkëpunim me ish-presidenten Vjosa Osmani në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Duke folur në emisionin FIVE, Armend Zemaj deputet i LDK-së, tha se bëhet fjalë për një bashkëpunim parimor dhe ideologjikisht të përafërt me partinë, ku secila palë do të ruajë subjektivitetin e vet, ndërsa garimi do të bëhet brenda listës dhe me logon e LDK-së.

    “Ajo që është diskutuar dhe na është paraqitur nga kryetari është një bashkëpunim parimor dhe ideologjikisht i përafërt me LDK-në, duke ruajtur subjektivitetin e secilit në këtë garë zgjedhore brenda listës së LDK-së”, ka deklaruar Zemaj.

    Për listat zgjedhore pritet të dorëzohen më 12 maj, ai ka theksuar se një pjesë e kandidatëve do të vijnë nga lista e Osmanit.

    “Mund të jetë rreth 20 anëtarë të rinj nga ajo që propozon, besoj që do të jenë emra që i përshtaten edhe profilit të së djathtës”, u shpreh Zemaj.

  • Dyshohet për ngacmim e detyrim, ish-këshilltarit të Kurtit i ndalohet që t’i afrohet hoxhës Fetahi dhe të dëmtuarit tjetër

    Dyshohet për ngacmim e detyrim, ish-këshilltarit të Kurtit i ndalohet që t’i afrohet hoxhës Fetahi dhe të dëmtuarit tjetër

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar Durim Berishës- ish-këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurti masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar- në këtë rast hoxhës Sami Fetahi dhe të dëmtuarit tjetër- Tefik Fetahi. Berisha dyshohet për veprat penale “Ngacmim” dhe “Detyrim”.

    Sipas vendimit, kjo masë do të zgjasë deri më 31 maj 2026, dhe se obligohet Berisha që në largësinë prej 100 metra të mos iu afrohet të dëmtuarve Sami Fetahi dhe Tefik Fetahi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, e njëjta do të zëvendësohet me paraburgim. Kurse, Obligohet Stacioni Policor Veriu që ta mbikëqyrë respektimin e kësaj mase dhe ta njoftojë gjykatën lidhur me zbatimin e saj.

    “Nëse personat e mbrojtur me këtë masë qëllimisht cenojnë distancën të cilën të pandehurit detyrohen ta respektojnë, gjykata mund ta dënojë personin e mbrojtur me gjobë siç parashihet në nenin 443 të këtij Kodi”, thuhet në vendim.

    Në vendim thuhet se i dyshuari Durim Berisha është ndaluar më 2 maj 2026 nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ngacmimi” dhe për “Detyrim”.

    Prokurori Paulin Pashku kishte kërkuar caktimin e masës se ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar dhe se edhe në seancë dëgjimore qëndroi pranë kësaj kërkese.

    Prokurori kishte arsyetuar se është plotësuar dyshimi i bazuar si kusht për caktimin e kësaj mase, me arsyetimin se në bazë të deklarimit të palës së dëmtuar dhe përmbajtjes së sms, ka rezultuar se i pandehuri në vazhdimësi iu ka dërguar të dëmtuarve mesazhe, e që kjo vërtetohet me shikimin e përmbajtjes së atyre mesazheve.

    Në vendim thuhet se edhe në deklarimin në Polici, i pandehuri nuk e ka mohuar faktin se ka dërguar sms dhe as kontaktet me tani të dëmtuarit, me të cilët ka thënë se është takuar 2-3 ditët e fundit të marsit 2026. Ka pohuar se ka kontaktuar Suhejb Fathain. Ndërsa, veprimet e tij, thuhet se i arsyetoi duke thënë se ka dashur t’i sqaronte problemet pronësore me të dëmtuarit.

    Më tej, thuhet se i pandehuri e ka pranuar se kishte planifikuar të takohej me Tefik Fetahin, andaj marrë parasysh mesazhin e dërguar, formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat po hetohet.

    Sipas vendimit, i pandehuri është edhe dhëndër i të dëmtuarve, dhe se prokurori ka vlerësuar që caktimi i kësaj mase është në shërbim të parandalimit të të pandehurit që të fshehë, agjësojë apo ndryshojë provat e rastit, dhe parandalimi i ndikimit tek dëshmitarët apo tek të dëmtuarit, sidomos bazuar në përmbajtjen e sms-ve, ku i pandehuri në vazhdimësi i kanosë të dëmtuarit se do t’iu shkaktojë ndonjë të keqe.

    Edhe rrethanat, motivet dhe ambienti në të cilin dyshohet se janë kryer veprat penale, Prokuroria ka arsyetuar se tregojnë se raportet mes të pandehurit dhe të dëmtuarve janë të acaruara.

    Në vendimin e Gjykatës thuhet se i pandehuri Berisha nuk e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë, duke premtuar se nuk do të kryejë kurrfarë vepre penale. Me kërkesën e Prokurorisë u pajtua edhe mbrojtësi i Berishës, avokati Ngadhnjim Makolli.

    Andaj, Gjykata pas analizimit të shkresave të lëndës, deklarimit të palëve, gjeti se është përmbushur kushti për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Aty thuhet se në rast se i pandehuri gjendet në liri të plotë, mund të ndikojë në të dëmtuarit- të cilët i ka miq dhe ende nuk janë dëgjuar në këtë procedurë.

    Në rastin në fjalë, Gjykata theksoi se është cenuar dinjiteti i të dëmtuarve. Aty thuhet se të dëmtuarve iu dërguan mesazhe me përmbajtjen si: “Insani nuk t’merr seriozisht deri t’ja qitsh sytë duq. Masandej, o kuku çka ndodhi”, “Mulla s**i”, “imami që nuk len femër pa ngacmu”, “Zalloga i braktis gruan dhe fëmijët ndërsa hutbe të mban ders për trajtimin e gruas me respekt, QR sa plehu është sot imam”, “Gabimi më fatal është nënvlerësosh njeriun që ti vetë e shtyve deri në pikën kur pa mëshirë nuk të kursen më, kështu ke nënshkruar fundin tënd”, “Së shpejti në media, lajmi për imamin nga Prishtina që fëmijëve të tij nuk ua siguron ushqimin“, e të tjera.

    Me këto veprime, thuhet se i pandehuri tek të dëmtuarit ka shkaktuar shqetësim emocional, ndërsa me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete apo personin tjetër, përdorë kanosjen serioze ndaj të dëmtuarve Sami Fetahi dhe Tefik Fetahi, që të kryejnë veprim në dëm të pasurisë së tyre, ku fillimisht ua kërkon 1,150,000.00 euro e pastaj 690,000,00 euro, duke pretenduar se këto të holla i takojnë atij, me arsyetimin se i pandehuri kishte ndihmuar babain e të dëmtuarit Sami në shitjen e pronës dhe në parandalimin e shitjes së pronës nga dikush tjetër, me këtë rast u dërgon të dëmtuarve mesazhe me përmbajtje detyruese.

    Andaj, gjyqtari i procedurës paraprake Eroll Gashi ka vlerësuar se caktimi i masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, është masë dekuate.

  • Kryenegociatori Bajrami për vrasjen e Fehmi Aganit: Ende askush s’është mbajtur përgjegjës, s’duhet të mohohet drejtësia

    Kryenegociatori Bajrami për vrasjen e Fehmi Aganit: Ende askush s’është mbajtur përgjegjës, s’duhet të mohohet drejtësia

    Kreu i ekipit negociator të Kosovës dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka shkruar me rastin e përvjetorit të vrasjes së Fehmi Aganit.

    Bajrami thotë se Agani ka qenë arkitekti kryesor i rezistencës paqësore dhe se vrasja e tij nuk ishte e rastësishme, por një shënjestrim i qëllimshëm i një figure kyçe që kërkonte liri e pavarësi.

    “Deri më sot, asnjë person i vetëm nuk është mbajtur përgjegjës për vrasjen e tij.Nuk do ta harrojmë. Drejtësia e vonuar nuk duhet të bëhet kurrë drejtësi e mohuar”, ka shkruar Bajrami.

  • Mbyllet përkohësisht një rrugë e kryeqytetit

    Mbyllet përkohësisht një rrugë e kryeqytetit

    Rruga “Vicianum” në lagjen Arbëria në Prishtinë do të mbyllet përkohësisht për qarkullim.

    Në njoftimin e Komunës së Prishtinës bëhet e ditur se rruga po mbyllet për shkak të punimeve që do të zhvillohen për trajtimin e rrugës me shtresë asfalti.

    “Nga nesër, datë 7 maj 2026 deri më 12 maj 2026, kjo rrugë do të jetë e mbyllur përkohësisht për qarkullimin e mjeteve” thuhet në njoftim.

    Nga komuna kërkuan mirëkuptimin e qytetarëve dhe shfrytëzimin e rrugëve alternative, për qarkullim.

  • Policia e Kosovës e hetues austriakë operacion në Fushë Kosovë, dy kosovarë dyshohen për vepra penale në Vjenë

    Policia e Kosovës e hetues austriakë operacion në Fushë Kosovë, dy kosovarë dyshohen për vepra penale në Vjenë

    Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në Fushë Kosovë, ku kanë marrë pjesë edhe hetues nga Austria.

    Autoritetet kosovare, me kërkesë nga autoritetet austriake, kanë zhvilluar hetime ndaj dy të dyshuarve për kryerjen e disa veprave penale në Vjenë.

    “Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e mbështetur edhe nga njësitë relevante policore ka zhvilluar hetimet bazuar ne autorizimin e lëshuar nga P. Th -Prishtinë , e cila është bazuar në kërkesën nga autoritetet Austriake përmes Ndihmës Juridike Ndërkombëtare – NJN, ndaj dy të dyshuarve meshkuj kosovarë nën dyshimin për kryerje të veprave të ndryshme penale në kryeqytetin e Austrisë – Vjenë. Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, me datën 05.05.2026 është zhvilluar një operacion policor ku janë realizuar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në Fushë Kosovë në të cilin kanë marrë pjesë edhe hetues nga shteti i Austrisë”, thuhet në një njoftim të Policisë.

    Policia thotë se “rasti vazhdon të mbetet nën hetim në drejtim të identifikimit të aseteve apo çfarëdo lloj dobie pasurore që mund të jetë në posedim të të dyshuarve dhe e cila dyshohet të jetë përfituar me aktivitet kriminal”.

    “Ky angazhim konfirmon profesionalizmin dhe besueshmërinë e Policisë së Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar, duke forcuar luftën kundër krimit dhe sundimin e ligjit përtej kufijve”, thotë Policia e Kosovës.

  • 104 të zhdukur në Mitrovicë, Haxhiu kërkon intensifikim të punës institucionale

    104 të zhdukur në Mitrovicë, Haxhiu kërkon intensifikim të punës institucionale

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë, ku është takuar me familjarë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

    Në këtë vizitë, Haxhiu ka dëgjuar nga afër shqetësimet, kërkesat dhe dhimbjen e familjeve që ende presin përgjigje për më të dashurit e tyre.

    “Në Komunën e Mitrovicës janë ende 104 persona të zhdukur me dhunë, për fatin e të cilëve familjet nuk kanë asnjë informacion. Kjo është plagë e rëndë për familjet, për Mitrovicën dhe për gjithë Republikën e Kosovës”, ka theksuar ajo.

    Në komunikatë bëhet e ditur se Haxhiu ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës kanë detyrim të vazhdojnë punën për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë, ndërsa pengesa kryesore në këtë proces mbetet mungesa e bashkëpunimit nga Serbia.

    “Problemi kryesor vazhdon të jetë Serbia, e cila nuk po jep informacionet e nevojshme për fatin e personave të zhdukur me dhunë. Kërkesat e familjeve dhe të nënave që ende presin përgjigje do t’i adresojmë tek institucionet përgjegjëse. Kjo çështje duhet të mbetet në qendër të punës institucionale”, deklaroi ajo.

    Gjatë vizitës, Haxhiu ka falënderuar Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë për punën shumëvjeçare në mbajtjen gjallë të zërit të familjarëve dhe në kërkimin e së vërtetës për të pagjeturit.

    “Kjo është vizita ime e parë në këtë shoqatë dhe dua t’i falënderoj për punën e madhe që kanë bërë ndër vite. Për shumë kohë, një pjesë të barrës që duhej ta mbanin institucionet pas luftës e kanë mbajtur shoqatat dhe organizatat e familjarëve, përfshirë edhe këtë shoqatë në Mitrovicë”, ka theksuar ajo.

    U.d presidentja Haxhiu ka përmendur edhe hapat institucionalë të ndërmarrë për trajtimin e krimeve të luftës dhe për forcimin e drejtësisë tranzicionale në Kosovë.

    “Për familjarët e viktimave të luftës dhe për familjet e personave të zhdukur me dhunë, drejtësia mbetet kërkesë e përhershme. Prandaj janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, si mundësimi i gjykimit në mungesë, themelimi i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, rritja e kapaciteteve në polici e prokurori dhe miratimi i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale. Këto janë veprime që tregojnë përkushtimin institucional për adresimin e krimeve të luftës dhe për mbështetjen e familjeve”, ka thënë Haxhiu.

  • Këto janë “të mirat dhe të këqijat” e peticionit të dorëzuar në Hagë, sipas Tromp

    Këto janë “të mirat dhe të këqijat” e peticionit të dorëzuar në Hagë, sipas Tromp

    Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp ka vlerësuar se askush nuk mund ta parashikojë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në një intervistë për KosovaPress, ajo komentuar edhe shtyrjen e afatit për shpalljen e verdiktit final.

    Tromp, e cila është ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, flet edhe për peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të shqiptarëve të dorëzuar sot në Gjykatën Speciale.

    Ajo thotë se kjo iniciativë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), nuk synon ndërhyrjen në aktgjykim. Por, kroatja ka dyshime se ky akt, mund të ketë edhe efekte negative.

    “Nisma e zotëri Gucatit tashmë thotë diçka: ne jemi kundër kësaj gjykate, jemi kundër kësaj forme drejtësie. Pra qëllimi nuk është të ndërhyhet në aktgjykim, por ta delegjitimojë atë, ta delegjitimojë gjykatën. Pse? Sepse nëse aktgjykimi është dënues, ata mund t’i përdorin të gjitha këto argumente për të thënë: ne nuk pajtohemi me këtë dënim, me këtë vendim që i shpalli fajtorë, sepse ne kurrë nuk kemi besuar se kjo gjykatë ishte një institucion i paanshëm….Dhe e dini cila është tehu i dyfishtë i kësaj? Shqiptarët e Kosovës që e nënshkruan këtë peticion, 200 mijë shqiptarët që e nënshkruan atë, dhe jo vetëm ky raport, por edhe shumë njerëz jashtë Kosovës kishin pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si funksionon kjo gjykatë. Por nëse këta katër të pandehur shpallen të pafajshëm, atëherë pala serbe mund të thotë: ata u shpallën të pafajshëm sepse vetë shqiptarët thanë se kjo gjykatë nuk është gjykatë e drejtë, kështu që gjykata i liroi ata për shkak të presionit që gjyqtarët ndien nga bota e jashtme. Pra e shihni sa e ndërlikuar mund të jetë. Në botën akademike ne e quajmë këtë drejtësi ekspresive ose disonancë ekspresive”, shprehet ajo.

    Bazuar në praktikën ligjore, ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp ka treguar se afati prej tre muajsh mund të mos mjaftojë për shpallje të vendimit.

    Gjykata Speciale e ka konfirmuar sot zgjatjen edhe për 60 ditë të afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep i ka thënë KosovaPress-it se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit por data që përcakton afatin e zgjatur.

    Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp përmend tre skenarët e mundshëm të vendimit për katërshen e UÇK-së.

    Kryeprokurorja e specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënim nga 45 vjet për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt ku edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Edhe mbrojtja e tyre ka mohuar krimet për të cilat pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

  • Konjufca në Irlandë, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në BE

    Konjufca në Irlandë, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në BE

    Ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Irlandë, ku ka takuar përfaqësues të lartë shtetërorë dhe parlamentarë, me fokus forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe integrimin evropian të Kosovës.

    Gjatë vizitës, ai u takua me Ministren për Punë të Jashtme dhe Tregti, Helen McEntee, me të cilën diskutoi për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

    “Në vizitën time të parë bilaterale në Irlandë pata kënaqësinë të takohem me Ministren për Punë të Jashtme dhe Tregti znj. Helen McEntee, me të cilën diskutuam për marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Irlandës, miqësinë mes popujve tanë dhe shumë vlera të përbashkëta që ndajmë,” ka deklaruar Konjufca.

    Ai theksoi se ekziston një vullnet i përbashkët për të thelluar raportet mes dy shteteve. “Ishte vlerësim i përbashkët që raportet tona duhet të zgjerohen dhe intensifikohen në shumë drejtime dhe fusha”, u shpreh ai.

    Një ndër temat kryesore të takimit ishte integrimi evropian i Kosovës. Konjufca bëri të ditur se ka kërkuar mbështetjen e Irlandës për aplikimin e Kosovës në Bashkimi Evropian.

    “Duke qenë se Irlanda do të marrë drejtimin e presidencës së Bashkimit Evropian, kërkuam mbështetjen e tyre në pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”, tha ai.

    Sipas tij, palët u pajtuan se Kosova duhet të jetë pjesë e proceseve integruese rajonale. “U dakorduam që Kosova nuk mund të veçohet nga procesi dhe përcaktimi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian,” shtoi Konjufca.

    Gjatë qëndrimit në Irlandë, ai zhvilloi takime edhe me anëtarë të Komitetit të Përbashkët për Çështjet e BE-së të parlamentit irlandez, si dhe me senatorin Pat Casey.

    “Këto takime riafirmuan mbështetjen parlamentare të Irlandës për rrugën evropiane të Kosovës”, përfundoi Konjufca.