ATV

Author: K.B.

  • Helmohen nga ushqimi rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë, disa prej tyre përfundojnë në spital

    Helmohen nga ushqimi rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë, disa prej tyre përfundojnë në spital

    Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit.

    Mësohet se menjëherë pasi kanë ngrënë drekën, studentët janë ndjerë keq, ndërsa disa prej tyre kanë shfaqur komplikacione shëndetësore dhe janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

    Dyshohet se shkak i helmimit është ushqimi i konsumuar gjatë vaktit të drekës. Akademia e Sigurisë e siguron shërbimin ushqimor përmes një kompanie private kateringu, e cila ofron tre vaktet ditore për studentët.

    Ndërkohë, institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

  • Ari në portofolin e rezervave për herë të parë në Kosovë

    Ari në portofolin e rezervave për herë të parë në Kosovë

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) konsideron se ka shënuar një moment historik në zhvillimin e aseteve zyrtare rezervë të Kosovës, me përfshirjen e arit për herë të parë në portofolin e rezervave të saj, transmeton KosovaPress.

    Sipas BQK-së, përfshirja e arit në portofolin e rezervave të Kosovës për herë të parë përfaqëson hapin fillestar të një procesi afatgjatë të alokimit strategjik, duke reflektuar progresin më të gjerë institucional të këtij institucioni.

    “Ajo ndërtohet mbi qëndrueshmërinë tashmë të konsoliduar financiare të BQK-së, qeverisjen e shëndoshë dhe kornizën e kujdesshme të politikave. Përmes menaxhimit të kujdesshëm financiar, alokimit efektiv të aseteve dhe qeverisjes së brendshme të fuqizuar, BQK-ja ka ruajtur një model institucional të qëndrueshëm, duke i mundësuar edhe realizimin e kontributeve të rregullta vjetore në buxhetin e shtetit, në përputhje me kornizën e saj ligjore.

    BQK vlerëson se ari tradicionalisht ka luajtur rol të rëndësishëm në menaxhimin e rezervave të bankave qendrore, si instrument afatgjatë i ruajtjes së vlerës dhe i diversifikimit. Për BQK-në, përfshirja e tij përfaqëson një hap strategjik drejt forcimit të mëtejshëm të qëndrueshmërisë së portofolit rezervë, zbutjes së rreziqeve dhe mbështetjes së stabilitetit financiar afatgjatë.

    BQK-ja mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe për sigurimin që praktikat e menaxhimit të rezervave të vazhdojnë të mbështesin stabilitetin financiar, besueshmërinë institucionale dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Republikën e Kosovës.

    Sipas njoftimit, ky zhvillim përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe reflekton modernizimin e vazhdueshëm të kornizës së menaxhimit të rezervave të BQK-së. Përfshirja e arit forcon më tej diversifikimin, qëndrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të portofolit rezervë, duke përafruar praktikat investuese të BQK-së me standardet dhe praktikat bashkëkohore ndërkombëtare, si dhe me praktikat e shëndosha të bankave qendrore.

    “Gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka ndërmarrë një transformim gjithëpërfshirës të praktikave të menaxhimit të aseteve, administrimit dhe menaxhimit të rrezikut. Këto reforma janë mbështetur në politika të mirëpërcaktuara të brendshme, mekanizma të forcuar të qeverisjes dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Thesarin e SHBA-së, Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se një shtyllë kyçe e këtij progresi ka qenë pjesëmarrja e BQK-së në Programin e Partneritetit për Këshillim dhe Menaxhim të Rezervave të Bankës Botërore (RAMP), fillimisht e fokusuar në asistencë teknike dhe së fundmi e avancuar përmes një Mandati për Menaxhimin e Investimeve.

    “Ky bashkëpunim ka mbështetur forcimin e kornizës së politikave investuese të BQK-së, rregulloreve mbështetëse, kapaciteteve institucionale, si dhe funksioneve të menaxhimit të rrezikut, monitorimit dhe analizës”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, paralelisht, BQK-ja ka zbatuar një strategji të rishikuar për marrëdhëniet bankare korrespondente dhe kujdestarinë e aseteve, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve me banka qendrore brenda Eurosistemit dhe me banka ndërkombëtare komerciale me reputacion. BQK-ja ka avancuar gjithashtu angazhimin me ofrues kyç të infrastrukturës globale, përfshirë Clearstream, për shërbime të menaxhimit të kolateralit dhe kujdestarisë së aseteve. Këta hapa kanë zgjeruar mundësitë e BQK-së për të menaxhuar likuiditetin në mënyrë efektive, duke rritur njëkohësisht kapacitetin e saj operacional dhe strategjik për menaxhimin e rezervave në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

  • Nga sot e deri më 12 maj mbyllet kjo rrugë në Prishtinë, shkak punimet

    Nga sot e deri më 12 maj mbyllet kjo rrugë në Prishtinë, shkak punimet

    Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se sot e deri më 12 maj do të jetë e mbyllur rruga “Vicianum” në lagjen Arbëria.

    Sipas njoftimit të Komunës, shkak i mbylljes do të jenë punimet në këtë rrugë.

    “Ju njoftojmë se në lagjen Arbëria, në rrugën “RR Vicianum”, do të realizohen punime për trajtimin e rrugës me shtresë asfalti.Nga nesër, datë 7 maj 2026 deri më 12 maj 2026, kjo rrugë do të jetë e mbyllur përkohësisht për qarkullimin e mjeteve.Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe që gjatë kësaj periudhe të shfrytëzojnë rrugë alternative për qarkullim”, thuhet në njoftim e bërë publik dje nga komuna.

  • U përmend se Majlinda Kelmendi do të jetë pjesë e listës së Vjosa Osmanit – Reagon klubi i xhudos “Ippon”

    U përmend se Majlinda Kelmendi do të jetë pjesë e listës së Vjosa Osmanit – Reagon klubi i xhudos “Ippon”

    Klubi i Xhudos “Ippon” ka bërë të ditur se kampionja olimpike Majlinda Kelmendi nuk do të jetë pjesë e asnjë partie politike dhe nuk do të angazhohet në asnjë listë zgjedhore.

    Përmes një mesazhi të dhënë për emisionin Debat Plus, klubi ka mohuar zërat për përfshirjen e saj në politikë, duke reaguar edhe ndaj deklarimeve të analistit Astrit Gashi.

    “Përmes këtij mesazhi duam t’ju informojmë se Majlinda Kelmendi nuk do të jetë pjesë e asnjë partie politike”, u tha në mesazhin e dërguar për Debat Plus.

    Reagimi erdhi pasi nga analisti Astrit Gashi u tha se po flitet mundësia e përfshirjes së saj në listën e Vjosa Osmanit për zgjedhjet e ardhshme, gjë që tashmë është mohuar zyrtarisht.

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur çmimet tavan për derivatet e naftës që do të jenë në fuqi gjatë ditës së sotme.

    Sipas këtij vendimi, çmimi maksimal për naftën (dizel) është caktuar në 1.69 euro për litë, ndërsa benzina do të tregtohet deri në 1.51 euro për litër, një cent më shtrenjtë se dje.

    Ndërkaq, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.81 euro për litër.

  • 28 vjet nga rënia e Heroit të Kosovës Bahri Fazliu

    28 vjet nga rënia e Heroit të Kosovës Bahri Fazliu

    Sot shënohet 28-vjetori i rënies heroike të Bahri Fazliut, i cili ra më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe, në kufirin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

    Bahri Fazliu ishte njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe më vonë u angazhua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    Për disa vite ai jetoi në ilegalitet dhe ishte kryeredaktor i revistës “Çlirimi”, botim i LKÇK-së.

    Ai ishte gjithashtu vëllai i heroit Fahri Fazliu, i cili më 2 nëntor 1989 bashkë me Afrim Zhitinë ranë heroikisht gjatë një beteje me policinë serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

    Me rastin e përvjetorit të rënies së tij, nga ora 12:00 do të mbahen homazhe në varrezat e dëshmorëve në Velani, të Prishtinës.

  • iPhone 17 është shitur më shumë se çdo telefon tjetër në botë deri më tani këtë vit

    iPhone 17 është shitur më shumë se çdo telefon tjetër në botë deri më tani këtë vit

    Modeli bazë i iPhone 17 ka rezultuar telefoni më i shitur në botë gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke kapur rreth 6% të shitjeve globale, sipas raportit të Counterpoint Research.

    Seria e iPhone 17 dominoi renditjen, me iPhone 17 Pro Max në vendin e dytë dhe iPhone 17 Pro në vendin e tretë. Ndërkohë, edhe modeli i mëparshëm iPhone 16 mbeti në top 10 (në vendin e gjashtë), duke treguar kërkesë të fortë edhe pas një viti nga lansimi.

    Sipas analistit Harshit Rastogi, suksesi i modelit bazë lidhet me përmirësimet që e afruan më shumë me versionet “Pro”, si memoria bazë 256GB, kamerat e përmirësuara dhe ekrani me rifreskim 120Hz.

    Shitjet u rritën ndjeshëm në tregje kyçe si SHBA dhe Kina, ndërsa në Korenë e Jugut madje u trefishuan.

    Nga ana tjetër, seria Samsung Galaxy A series dominoi pjesën tjetër të listës, me Samsung Galaxy A07 4G si telefoni Android më i shitur.

    Në vendin e dhjetë u rendit Redmi A5 nga Xiaomi.

    Në total, 10 telefonat më të shitur përbënë 25% të shitjeve globale – përqendrimi më i lartë ndonjëherë për një tremujor të parë.

    Ndërkohë, pritet që iPhone 17 të qëndrojë më gjatë në treg si model kryesor, pasi lansimi i iPhone 18 pritet vetëm në pranverën e vitit 2027.

  • Vrasja e Auron Thaqit, të akuzuarit sot para gjykatës

    Vrasja e Auron Thaqit, të akuzuarit sot para gjykatës

    Në Gjykatën Themelore në Prizren sot do të vazhdojë seanca gjyqësore lidhur me rastin e vdekjes tragjike të të riut Auron Thaqi.

    Seanca është paraparë të nisë nga ora 09:30.

    Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Enes Ay dhe Hajrullah Brcani, të cilët në seancën fillestare janë deklaruar të pafajshëm.

    Auron Thaqi kishte humbur jetën më 7 korrik 2024, pasi ishte plagosur rëndë me thikë.

  • Koalicion apo garë e pavarur, sot përfundon afati për deklarimin e partive

    Koalicion apo garë e pavarur, sot përfundon afati për deklarimin e partive

    Sot përfundon afati për partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës për ta njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme, si dhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se kjo periudhë ka nisur më 1 maj dhe mbyllet sot, më 7 maj.

    Sipas tij, deri të mërkurën në orën 12:00, KQZ kishte pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike, ndërsa katër parti të tjera kanë njoftuar mospjesëmarrjen.

    “KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike; mospjesëmarrjen nga 4 të tjera dhe formimin e 1 koalicioni të përbërë nga 2 parti politike”.

    Po ashtu, deri tani është deklaruar vetëm një koalicion parazgjedhor, i formuar nga dy parti boshnjake: Demokratska Stranka Boshnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, të cilat kanë regjistruar koalicionin me emrin “Koalicija VAKAT”.

    Sipas KQZ-së, ky proces vlen vetëm për partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike në Kosovë.

    “Këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrimit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës”.

    Sipas KQZ-së, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koalicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë.

    Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj.

    “Duke filluar nga data 2 maj dhe deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.

    Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.

    “KQZ ka vendosur afatin 11-ditore, nga 2 maj deri më 12 maj 2026, për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.

  • Vranësira, reshje dhe pluhur saharian, parashikimi i motit për sot

    Vranësira, reshje dhe pluhur saharian, parashikimi i motit për sot

    Sot parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe priten reshje lokale shiu, kryesisht gjatë orëve të mëngjesit. Gjatë ditës mund të ketë ndonjë reshje të izoluar, ndërsa më vonë pritet vranësirat të tërhiqen.

    Gradualisht do të shtrihen koncentrime të pluhurit saharian, me ç’rast reshjet do të përzihen me baltë.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 5-38 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje për disa gradë, me minimale që do të lëvizin prej 10 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale prej 18 deri në 22°C.