ATV

Author: K.B.

  • LDK alarmon për “sulm kibernetik”: Po përdoren profile për propagandë

    LDK alarmon për “sulm kibernetik”: Po përdoren profile për propagandë

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj asaj që e ka quajtur “sulm i organizuar kibernetik” dhe “fushatë e koordinuar e manipulimit digjital” kundër komunikimit publik të kryetarit të saj dhe thirrjeve për Tubimin e Bashkimit.

    LDK përmes një reagimi në Facebook pretendon se brenda pak minutash mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në rrjetet sociale, me synim deformimin e perceptimit publik dhe uljen artificiale të besueshmërisë së komunikimit politik.

    Sipas LDK-së, këto veprime synojnë krijimin e një atmosfere refuzimi dhe polarizimi në opinionin publik, ndërsa paralajmëron se manipulimi digjital dhe propaganda e organizuar mund të jenë pjesë e strategjive të ardhshme zgjedhore.

      Reagimi i plotë:

    REAGIM PËR MEDIE

    Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për sulmin e organizuar kibernetik dhe fushatën e koordinuar të manipulimit digjital ndaj komunikimit publik të Kryetarit të LDK-së dhe thirrjes së tij për Tubimin e Bashkimit.

    Brenda pak minutash, mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në platformat sociale, në një përpjekje të qartë për të deformuar perceptimin publik, për të ulur artificialisht besueshmërinë e komunikimit politik dhe për të krijuar atmosferë të rreme refuzimi e polarizimi.

    LDK i bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të jenë të vetëdijshëm se kjo pritet të jetë një nga strategjitë kryesore të fushatës së ardhshme zgjedhore: rrënimi i kredibilitetit përmes manipulimit digjital, propagandës së organizuar dhe ndërhyrjeve hibride në opinionin publik.

    Kjo nuk është më një garë normale politike. Kjo është një përpjekje për ta zëvendësuar debatin demokratik me operacione psikologjike e propagandistike në hapësirën digjitale.

    Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër çdo ndërhyrje të tillë dhe rithekson se vullneti qytetar nuk mund të manipulohet nga ushtri profilesh false, rrjete anonime apo mekanizma propagande.

    Kosova ka nevojë për zgjedhje të lira, debat të ndershëm dhe standard demokratik; jo për luftë hibride kundër mendimit të lirë dhe organizimit politik opozitar.

  • Abdixhiku dhe Osmani priten me brohoritje në “tubimin e bashkimit”

    Abdixhiku dhe Osmani priten me brohoritje në “tubimin e bashkimit”

    Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kandidatja për presidente Vjosa Osmani, janë pritur me entuziazëm në “tubimin e bashkimit”.

    Dyshja, që sonte për herë të parë po paraqiten si prirës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, përshëndetën dhe u pritën ngrohtësisht nga simpatizantët.

    E tubimi nisi me himnin kombëtar, për të vazhduar me pas me fjalimet.

  • KEK njofton rikthimin në operim të Njësisë A4 të TC Kosova A

    KEK njofton rikthimin në operim të Njësisë A4 të TC Kosova A

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar opinionin se Njësia A4 e TC Kosova A është rikthyer me sukses në operim.

    Operimi ndodhi pas përfundimit të punimeve të riparimit në sistemin gypor të kaldajës dhe krijimit të kushteve të nevojshme teknike për startim.

    KEK-j ka falënderuar gjithë punonjësit, ekipet profesionale të mirëmbajtjes mekanike.

    Njoftimi i plotë:

    Njoftim – Rikthimi në operim i Njësisë A4 të TC Kosova A

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin se Njësia A4 e TC Kosova A është rikthyer me sukses në operim, pas përfundimit të punimeve të riparimit në sistemin gypor të kaldajës dhe krijimit të kushteve të nevojshme teknike për startim.

    Startimi i njësisë, në përputhje të plotë me standardet teknike dhe të sigurisë, është realizuar në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa procesi i sinkronizimit është realizuar me sukses rreth orës 09:00.

    KEK shpreh falënderim të veçantë për të gjithë punonjësit, ekipet profesionale të mirëmbajtjes mekanike dhe mirëmbajtjes elektrike për profesionalizmin, përkushtimin dhe gatishmërinë e treguar gjatë gjithë procesit të sanimit dhe rikthimit të njësisë në operim.

    Këto angazhime dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të KEK-ut dhe stafit të TC Kosova A për sigurimin e stabilitetit dhe besueshmërisë së prodhimit me energji elektrike.

    Me respekt,

    Departamenti për Marrëdhënie

    me Publikun dhe Komunitete

    KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS

  • Abelard Tahiri s’kandidon për deputet: Do të jem pranë Kryeministrit Bedri Hamza, duke mbështetur PDK-në

    Abelard Tahiri s’kandidon për deputet: Do të jem pranë Kryeministrit Bedri Hamza, duke mbështetur PDK-në

    Abelard Tahiri, ish shef i grupit parlamentar të PDK-së, njoftoi se nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

    “Dëshiroj t’ju njoftoj se në zgjedhjet e 7 qershorit nuk do të jem në listën e kandidatëve për deputet të Republikës së Kosovës”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Tahiri tha se do të jetë “pranë kryeministrit Bedri Hamza” dhe do ta mbështesë PDK-në.

    “Do të jem pranë Kryeministrit Bedri Hamza, duke mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës për të arritur fitoren e merituar, një fitore që do ta çojë Kosovën përpara në rrugën e saj euroatlantike dhe do të forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”.

    “Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj çdo votuesi dhe përkrahësi të Partisë Demokratike të Kosovës për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Përkushtimi im ndaj vlerave demokratike dhe përmirësimit të shoqërisë vazhdon, edhe pa qenë pjesë e listës zgjedhore. Faleminderit nga zemra për çdo mbështetje dhe besim!”, shkroi Tahiri.

  • Bajrami i reagon Armend Mujës, kërkon subvencionim të plotë të zinxhirit të qumështit

    Bajrami i reagon Armend Mujës, kërkon subvencionim të plotë të zinxhirit të qumështit

    Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka reaguar ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, pas deklaratave të tij lidhur me krizën në sektorin e qumështit.

    Bajrami ka thënë se sektori i bujqësisë nuk ndihmohet me deklarata, por me masa konkrete mbështetëse nga Qeveria.

    “Nuk ka ligjëratë që e ndihmon sektorin e bujqësisë. Qeveria duhet ta subvencionojë qumështin – krejt zinxhirin: fermerin, përpunuesin dhe tregtarin, deri në masën që qumështi vendor të bëhet konkurrues në treg në krahasim me atë të importuar”, ka shkruar ajo.

    Sipas saj, dallimi i çmimit mes qumështit vendor dhe atij të importuar duhet të jetë deri në 20 centë për litër, në mënyrë që konsumatorët të zgjedhin produktin vendor.

    Ajo ka kërkuar që këto masa të vazhdojnë deri në konsolidimin e sektorit të qumështit, duke shtuar se politika të ngjashme duhet të aplikohen edhe për produkte të tjera vendore.

    Reagimi i Bajramit vjen pasi Muja deklaroi se sektori i qumështit po përballet me presione të jashtme dhe se ka tendenca për zëvendësimin e yndyrave shtazore me yndyra bimore dhe qumësht pluhur.

  • Protesta e fermerëve të qumështit, Haradinaj kërkon ndërhyrje urgjente

    Protesta e fermerëve të qumështit, Haradinaj kërkon ndërhyrje urgjente

    Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj protestës së fermerëve, të cilët derdhën qumësht në rrugë dhe lumenj si shenjë pakënaqësie.

    “Është për keqardhje pamjet e derdhjes së qumështit në lumenj e në rrugë, e kjo për shkak të uljes së çmimit dhe mungesës së vizionit për t’i përkrahur prodhuesit vendorë”, tha Haradinaj.

    Ai kritikoi edhe shpërndarjen e fondeve publike për OJQ-të e lidhura me pushtetin.

    “Sot po mbizotëron lajmi i ndarjes së 350 milionë eurove për organizatat joqeveritare të afërta me pushtetin dhe në të njëjtën kohë, fermerët protestojnë për mos trajtim. Kjo nuk do koment”, shtoi ai.

    Haradinaj kërkoi masa të menjëhershme dhe kujtoi taksën 100% ndaj produkteve serbe si model mbështetjeje për prodhuesit vendorë.

  • Koreja e Veriut ndryshon kushtetutën për të kërkuar sulm automatik bërthamor nëse Kim Jong Un vritet

    Koreja e Veriut ndryshon kushtetutën për të kërkuar sulm automatik bërthamor nëse Kim Jong Un vritet

    Koreja e Veriut ka përditësuar kushtetutën e saj për të kërkuar një sulm hakmarrës bërthamor nëse udhëheqësi Kim Jong Un vritet, sipas një raporti.

    The Telegraph raportoi se ndryshimi vjen mes tensioneve të larta globale pas vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, dhe zyrtarëve të tjerë gjatë një konflikti të kohëve të fundit.

    Khamnei u vra në një sulm izraelit në Teheran si pjesë e një operacioni të koordinuar ushtarak amerikano-izraelit në fillim të këtij viti, raportoi më parë Fox News Digital.

    Rishikimi kushtetues u miratua gjatë një sesioni të Asamblesë Supreme Popullore të Koresë së Veriut, e cila u hap më 22 mars në Phenian, tha media.

    Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) i Koresë së Jugut informoi zyrtarët e lartë të qeverisë këtë javë mbi përditësimin, sipas raportit.

    Politika e rishikuar përshkruan procedurat për veprime hakmarrëse nëse udhëheqja e Koresë së Veriut është e paaftë ose vritet.

    “Nëse sistemi i komandës dhe kontrollit mbi forcat bërthamore të shtetit vihet në rrezik nga sulmet e forcave armiqësore… një sulm bërthamor do të nisë automatikisht dhe menjëherë”, thuhet në dispozitën e përditësuar.

    Reuters raportoi më parë se Koreja e Veriut rishikoi kushtetutën e saj për të përcaktuar territorin e saj si kufitar me Korenë e Jugut dhe për të hequr referencat për ribashkim, duke reflektuar përpjekjen e Kim për t’i trajtuar zyrtarisht dy Koretë si shtete të ndara.

    Kjo shënoi herën e parë që Koreja e Veriut përfshiu një klauzolë territoriale në kushtetutën e saj.

    Muajin e kaluar, Kim u zotua të forcojë më tej aftësitë bërthamore të vendit, duke ruajtur një qëndrim të ashpër ndaj Koresë së Jugut, të cilën ai e ka quajtur shteti “më armiqësor”.

  • Dy vetëm sot, Vjosa Osmani prezanton një tjetër prurje të re

    Dy vetëm sot, Vjosa Osmani prezanton një tjetër prurje të re

    Ish-presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se pjesë e ekipit të saj për zgjedhjet e 7 qershorit do të jetë Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

    Osmani këtë e njoftoi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, e cila la të nënkuptohet se Kodra do të kandidojë për deputet në listen e Osmanit, e cila është përbashkuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), shkruan Insajderi.

    “Përmes Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Besimi ka dëshmuar se humanizmi është përkushtim i përditshëm ndaj njerëzve. Këtë mision Besimi do ta vazhdojë në një tjetër betejë: për ta përfaqësuar kauzën e pacientëve në Kuvend”, deklaroi ndër të tjera Osmani.

    Osmani sot njoftoi edhe se pjesë e ekipit të saj do të jetë edhe Visar Xani.

    Osmani me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ prezantoi punën e Xanit ndër vite, të cilit ia vlerësoi angazhimin në shërbimin publik ndaj qytetarëve.

    “Visari i përket atij brezi që e njohu Kosovën në lëvizje, në debat, në përpjekjen e saj të vazhdueshme për t’u bërë shtet më i fortë e më i drejtë. Fillimisht si gazetar e analist politik, me syrin kritik ndaj zhvillimeve shoqërore e politike, e më pas brenda vetë institucioneve, aty ku fjala duhet të shndërrohet në përgjegjësi dhe puna në rezultat”, deklaroi ndër të tjera Osmani.

  • Dua Lipa ngre padi prej rreth 14 milionë eurosh kundër Samsung për përdorimin e fytyrës së saj në marketingun e televizorëve

    Dua Lipa ngre padi prej rreth 14 milionë eurosh kundër Samsung për përdorimin e fytyrës së saj në marketingun e televizorëve

    Dua Lipa ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh kundër Samsung, duke pretenduar se kompania e elektronikës ka përdorur fotografinë e saj për të shitur televizorë pa leje dhe pa kompensim.

    Sipas padisë, të paraqitur të premten, Samsung ka përdorur imazhin e Lipës në paketimin e kartonit të televizorëve të saj duke filluar nga viti i kaluar.

    Kur këngëtarja është vënë në dijeni për këtë, ajo ka kërkuar që përdorimi i imazhit të saj të ndalet. Në padi thuhet se kompania ka qenë mospërfillëse dhe e pandjeshme dhe e ka refuzuar kërkesën, shkruan Variety.

    “Fytyra e znj. Lipa është përdorur në mënyrë të dukshme për një fushatë masive marketingu për një produkt konsumator pa dijeninë e saj, pa konsideratë dhe pa asnjë kontroll apo kontribut nga ana e saj. Znj. Lipa nuk e ka lejuar dhe nuk do ta kishte lejuar këtë përdorim”, thuhet në dokumentin e padisë.

    Padia gjithashtu pretendon se Samsung ka përfituar duke krijuar përshtypjen se Lipa e mbështet produktin, gjë që sipas saj nuk është e vërtetë.

    Sipas dokumenteve, Lipa zotëron të drejtat e autorit për fotografinë e përdorur, e cila është bërë në prapaskenë gjatë Festivalit Austin City Limits në vitin 2024.

    Në padi përmenden edhe reagime në rrjetin social X (ish-Twitter), ku disa përdorues sugjeronin se imazhi i saj ndikoi në blerjet e televizorëve Samsung. Një komentues shkruante se e kishte blerë produktin pasi kishte parë fytyrën e saj në paketim, ndërsa një tjetër deklaronte se do ta blinte televizorin vetëm për shkak të Dua Lipës.

    Padia thekson gjithashtu se Lipa ka ndërtuar një “markë premium” dhe është shumë selektive në marrëveshjet e saj të marketingut dhe sponsorizimeve.

    Ajo pretendon shkelje të të drejtave të autorit, shkelje të ligjit të Kalifornisë për të drejtën e publikimit, shkelje të Aktit Lanham dhe pretendime për markë tregtare. Çështja është ngritur në Distriktin Qendror të Kalifornisë.

    Samsung nuk ka dhënë ende një koment zyrtar lidhur me padinë.

  • Investime miliardëshe për gazin amerikan në rajon, Kosova mungon në hartë

    Investime miliardëshe për gazin amerikan në rajon, Kosova mungon në hartë

    Ndërsa gazi po kthehet në armën kryesore të sigurisë energjetike në Evropë, Shtetet e Bashkuara po shtyjnë fuqishëm projekte të reja në Ballkanin Perëndimor. Nga Shqipëria në Bosnje e Hercegovinë, rrjeti i ri po merr formë. Por, në hartën e re që po krijohet, Kosova mungon.

    Në pesë vjetët e fundit, qasja e Kosovës ndaj gazit ka qenë më shumë një “tërhiq e mos e këput” sesa një politikë e vendosur. Nga një projekt konkret me mbështetje amerikane, te refuzimi i tij në vitin 2021, e deri te rikthimi i diskutimeve për mundësi të reja këtë vit, vendi është ende pa një drejtim të qartë.

    Në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në shkurt në Uashington, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tani në detyrë, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara, duke e përshkruar bashkëpunimin si “vendimtar” për një sektor të sigurt energjetik.

    Për një vend si Kosova, ku rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli, është fakt që gazi mund të shërbejë si alternativë për të thyer varësinë e thellë nga një burim i vetëm.

    Por, gjatë javëve të fundit, kur SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor – për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon – Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj vale investimesh.

    Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.

    Për sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, kjo nënkupton një epokë të re bashkëpunimi me Evropën Qendrore dhe Lindore.

    “Këto partneritete bazohen në mbështetjen tonë të ndërsjellë për një agjendë të zgjerimit energjetik – dhe kjo dëshmohet nga marrëveshjet me vlerë prej miliarda dollarësh, që janë nënshkruar”, shkroi Wright në X.

    Edhe pse pa një rol të qartë në këto zhvillime, Kosova nuk është jashtë vëmendjes së Shteteve të Bashkuara. I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi energjetik i Kosovës ka nevojë urgjente për modernizim – çfarë krijon mundësi të mëdha për industrinë amerikane që të investojë.

    Megjithatë, ai thekson se projektet e mëdha do të varen nga vetë Kosova, përkatësisht përmirësimi i mjedisit biznesor dhe rregullator në vend.

    “Duhet të bëhen hapa për t’i nxitur investimet private amerikane dhe financimet ndërkombëtare që të vijnë në Kosovë. Për këtë po punojnë Departamenti i Tregtisë, Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së. Nëse dhe kur dinamikat e tregut ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës, Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në ndërmjetësim mes industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”, thotë Volz.

    Volz shprehet optimist dhe thekson se lidhja e Kosovës me infrastrukturën rajonale të gazit është tashmë pjesë e diskutimeve që po zhvillohen.

    “Qëllimi ynë është që burimet energjetike amerikane të arrijnë te të gjithë partnerët dhe aleatët tanë, që janë të interesuar për një bashkëpunim afatgjatë energjetik me industrinë amerikane dhe me Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës nëse ekziston ndonjë plan apo afat konkret për lidhjen me rrjetin rajonal, për mundësitë e ndërtimit të infrastrukturës së gazit dhe për bisedimet me zyrtarët amerikanë, por nuk mori përgjigje as pas një jave pritjeje.

    Aktualisht, Kosova përfiton nga programi Kompakt i Qeverisë amerikane, me vlerë mbi 230 milionë euro, i cili është i fokusuar në energji të pastër dhe stabilitet të furnizimit. Si pjesë e tij, vendi tashmë ka siguruar bateri me kapacitet të lartë për ruajtjen e energjisë.

    E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, tha në një ngjarje këtë javë se ky investim është dizajnuar pikërisht për të adresuar furnizimin e paqëndrueshëm me energji në Kosovë – një problem që prej vitesh ndikon negativisht në biznese, familje dhe konkurrencë.

    “Asnjë përparim nuk ndodh në izolim. Shtetet e Bashkuara e mbështesin Kosovën në këto përpjekje, por suksesi varet nga angazhimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës, sektorit privat, institucioneve financiare dhe shoqërisë civile”, tha Prattipati.

    Pesë vjet më parë, Kosova hoqi dorë nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e SHBA-së. Atëkohë, ministrja e Energjisë, Artane Rizvanolli, tha se “nevojiten më shumë informacione për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

    “Gazsjellësi do të bëhet nëse është në interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës dhe në përputhje me Strategjinë e Kosovës. Së pari bëhet Strategjia, e pastaj merren vendime për projekte specifike”, tha Rizvanolli në një seancë të Kuvendit, më 18 nëntor 2021.

    Në Strategjinë që u bë për vitet 2022-2031 u parapa mundësia që Kosova të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen, dhe që qymyri të hiqet nga përdorimi më së voni deri në vitin 2050, për t’u lënë vend burimeve tjera energjetike.

    “(Bashkë)investimi në termocentralet me gaz natyror, për qëllim të mbulimit të kërkesës bazë dhe/ose për fleksibilitet të sistemit në Shqipëri, por edhe në Maqedoni të Veriut dhe në Greqi, do të shqyrtohet me qëllim të zbatimit brenda afatit të kësaj strategjie”, thuhet në dokument.

    Kosova nuk ka dalje në det – gjë që e bën më të vështirë ndërtimin e infrastrukturës së gazit pa bashkëpunim me vendet fqinje. Një nga opsionet është lidhja me infrastrukturën e planifikuar në Shqipëri ose Greqi, veçanërisht përmes gazsjellësit TAP – që transporton gaz nga Azerbajxhani, përmes Greqisë dhe Shqipërisë, deri në Itali – ose përmes terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë.

    Burim Ejupi, drejtor i Institutit për Politika Zhvillimore – Indep në Prishtinë, thotë se Kosova nuk e ka humbur plotësisht hapin, por se ka mbetur prapa, për shkak të mungesës së një qëndrimi të qartë politik. Ai thotë se, ndonëse gazi tashmë është afër – me infrastrukturën në Shqipëri dhe atë në Maqedoni të Veriut – vendi vazhdon të lëvizë pa një drejtim të prerë.

    “Mënyra më e lehtë e tranzicionit energjetik është përmes gazit, pasi, gjatë djegies, ai emeton rreth dy herë më pak dioksid karboni. Po ashtu, termocentrali me gaz vihet në punë shumë shpejt dhe ka kapacitet të kontrolluar prodhimi. Kosova ka probleme edhe me balancimin e energjisë, ndaj një termocentral me gaz do të ishte shumë i mirëseardhur, sidomos kur dihet se, viteve të fundit, po paguhen gjoba milionëshe për këtë arsye”, thotë Ejupi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

    Një studim që publikoi Instituti Indep në vitin 2022, konstatoi se gazi natyror mund të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për Kosovën në adresimin e së ashtuquajturës “trilemë energjetike” – dekarbonizimin, sigurinë e furnizimit dhe energjinë e përballueshme.

    Po atë vit u publikua edhe një studim i financuar nga Banka Evropiane për Investime, i cili theksonte se burimet finale të gazit natyror për Kosovën mund të përfshijnë gazin rus, gazin e lëngshëm natyror nga Greqia, si dhe atë nga Kroacia.

    Me ndryshimin e rrethanave gjeopolitike dhe zhvillimet e reja në terren, Ejupi thotë se gazi për Kosovën nuk është më çështje teknike, por e vendimmarrjes politike.

    “Në ish-Jugosllavi ka ekzistuar traseja prej Obiliqit deri në Shkup dhe prej Obiliqit deri në Mitrovicë. Në Obiliq ka qenë ngrohtorja, prej ku është dërguar avulli në Hekuranën e Shkupit, por gjithashtu edhe në Trepçë. Domethënë, sa i përket infrastrukturës tokësore, Kosova nuk ka nevojë për shpronësime, sepse tashmë ato ekzistojnë”, thotë Ejupi.

    Ai shton se, sipas disa llogaritjeve dhe duke marrë parasysh investimet në TAP, ndërtimi i plotë i infrastrukturës së gazit në Kosovë mund të realizohet për 3 deri në 5 vjet, me një kosto që varion nga rreth 200 milionë deri në 400 milionë euro.

    “Ne i kemi tri industri të mëdha aktualisht në Kosovë. Është Feronikeli, i cili është jashtë funksionit, është Trepça dhe Sharr-Cemi. Ato mund ta ndërrojnë sistemin e operimit prej energjisë elektrike në gaz”, shprehet Ejupi.

    Brenda Shaffer, nga Qendra Globale e Energjisë pranë Këshillit Atlantik, thotë se sfida kryesore, në përgjithësi, nuk qëndron te tubacionet apo interkonektorët, por te sigurimi i burimit kryesor të gazit. Dhe për Kosovën, sipas saj, ky burim tashmë ekziston – për shembull përmes Korridorit Jugor të Gazit nëpërmjet Shqipërisë.

    Duke e trajtuar këtë si çështje politike dhe prioritetesh, e jo thjesht teknike, Shaffer thotë se nisma e mbështetur nga SHBA-ja për ndërlidhjet e gazit në Ballkanin Perëndimor përbën një mundësi historike për diversifikimin e furnizimeve me energji dhe uljen e ndotjes.

    “Nëse nuk je i sigurt në aspektin energjetik, nuk mund të jesh i sigurt si shtet. Nuk ka siguri kombëtare pa siguri energjetike – nuk mund të mbrohesh, nuk mund të ndërtosh industri të armëve… Kjo ka qenë gjithmonë qasja e SHBA-së: t’i ndihmojë aleatët dhe partnerët të bëhen të sigurt në aspektin energjetik, sepse nëse aleatët e tu janë të sigurt, atëherë edhe ti je i sigurt”, thotë Shaffer për Exposenë.

    Por, si çdo burim energjie, edhe gazi nuk shihet vetëm në një drejtim. Ai sjell përfitime, por edhe dilema dhe kosto.

    Anne-Sophie Corbeau, nga Qendra për Politikat Globale të Energjisë me seli në Paris, thotë se Kosova nuk duhet domosdoshmërisht të orientohet drejt gazit. Sipas saj, kalimi nga qymyri te gazi nuk është zgjidhje automatike, pasi duhet peshuar rreziku i luhatjeve të tregut dhe mundësia që një varësi të zëvendësohet me një tjetër, në vend të një diversifikimi të vërtetë energjetik.

    “Ajo që po shoh, është se i gjithë rajoni po kalon nga një varësi, që më parë ishte nga gazi rus, në një varësi tjetër që kryesisht lidhet me gazin e lëngshëm natyror amerikan. Të varësh nga ky gaz është në rregull, sepse mund të shfrytëzosh burime të ndryshme furnizimi. Por, nëse gjithçka vjen vetëm nga një vend i vetëm, edhe pse ai pritet të bëhet një eksportues shumë i madh i energjisë në të ardhmen, a do të doje të ishe i varur vetëm nga një shtet?”, thotë Corbeau për Exposenë.

    Ajo që është e sigurt, sipas zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Energjisë, Volz, është se vendet që zgjedhin të bashkëpunojnë me SHBA-në për sigurinë dhe diversifikimin energjetik, mund të presin rritje të investimeve të huaja, pasi prania amerikane në sektorin e energjisë shihet si një faktor stabiliteti dhe besueshmërie.

    Në këtë kontekst, gazifikimi mund të jetë pikërisht shtysa që i duhet Kosovës për të dalë nga pasiguria energjetike dhe për t’u bërë më tërheqëse për investimet./REL/