ATV

Author: K.B.

  • E dhimbshme: Sot varrosen dy vëllezërit që vdiqën brenda ditës në Pejë

    E dhimbshme: Sot varrosen dy vëllezërit që vdiqën brenda ditës në Pejë

    Sot varrosen dy vëllezërit e familjes Maloku në Pejë, të cilët vdiqën brenda një dite.

    Rasti i rëndë ndodhi të dielën që e lamë pas, ndërsa të dy do të varrosen sot në varrezat e qytetit.

    Kështu ka bërë të ditur edhe Xhamia e Kuqe në Pejë.

    “Allahu ju mëshiroftë. Allahu xh.sh ju lehtësoftë dhimbjen familjes e na bashkoftë atje ku s’ka me ndarje. Te Zotit jemi e tek Ai do te kthehemi… “, thuhet në njoftimin e xhamisë.

  • Kurti merr pjesë në konferencën ndërkombëtare `Future Industry Minds 2026`

    Kurti merr pjesë në konferencën ndërkombëtare `Future Industry Minds 2026`

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po qëndron për vizitë zyrtare në Gjermani.

    Kurti do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026”, e cila mbahet në Schloss Bensberg.

    Ai pritet ta hapë konferencën, si dhe të zhvillojë takime me kompani dhe përfaqësues të ndryshëm pjesëmarrës në këtë ngjarje ndërkombëtare, e cila fokusohet në zhvillimet e industrisë së së ardhmes dhe inovacionit.

  • Sot mbahet seanca në rastin Hashim Thaçi dhe të tjerët “kundër administrimit të drejtësisë”

    Sot mbahet seanca në rastin Hashim Thaçi dhe të tjerët “kundër administrimit të drejtësisë”

    Gjykata Speciale në Hagë bëri të ditur për cështjen Hashim Thaçi dhe të tjerët në lidhje me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë, janë caktuar seanca për periudhën nga 11 deri 15 maj.

    Seanca e sotme do të fillojë nën orën 9:30.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në Hagë, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të Gjykatës Speciale.

    Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë më 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

  • Ky është çmimi i naftës për sot Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë përcaktimin e çmimit të derivateve.

    Si dje edhe sot një litër naftë do të shitet për 1.61 euro.

    Kurse, benzina do të shitet për 1.50 euro për litër.

    Gasi do të jetë 0.79 euro, një litër.

  • Parashikimi i motit për të hënën

    Parashikimi i motit për të hënën

    Të hënën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira. Ka mundësi të ketë ndonjë reshje të izoluar në zona të caktuara.

    Grimcat e pluhurit saharian do të rikthehen përkohësisht, me ç’rast në ato zona ku ka reshje do të përzihen me baltë.

    Era do të fryjë nga perëndimi dhe jugperëndimi, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-60 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 10 deri në 12°C, ndërsa maksimalet prej 23 deri në 25°C.

  • Mbi 36 mijë kërkesa për regjistrim të votueseve në diasporë, refuzohen rreth 3000

    Mbi 36 mijë kërkesa për regjistrim të votueseve në diasporë, refuzohen rreth 3000

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se po vazhdon procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa interesimi i diasporës mbetet i lartë që nga hapja e aplikimeve më 6 maj.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se deri më 10 maj, në orën 10:00, përmes platformës elektronike janë pranuar gjithsej 36,154 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë vendit.

    Sipas tij, deri tani janë aprovuar 25,376 aplikime, 2,961 janë refuzuar, ndërsa 7,797 të tjera mbeten në pritje të shqyrtimit.

    “Nga aplikimet e aprovuara, 6,280 shtetas janë regjistruar për votim fizik në përfaqësi diplomatike, 701 për dërgimin e pakos me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 18,395 kanë zgjedhur dërgimin e votës në kutitë postare jashtë Kosovës”, ka bërë të ditur Elezi.

    Para nisjes së regjistrimit, KQZ ka miratuar listën e qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike dhe ka përcaktuar numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik jashtë vendit.

    Sipas vendimit të institucionit zgjedhor, votimi do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, përkatësisht në 33 ambasada dhe 15 konsullata, me gjithsej 70 vendvotime. Numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik është 66,450.

    KQZ ka sqaruar se ky kufizim vlen vetëm për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, ndërsa regjistrimi për votim përmes postës mbetet pa kufizim numerik. Në rast se plotësohet kapaciteti maksimal në një përfaqësi diplomatike, aplikuesit do të orientohen drejt formave të tjera të votimit me postë.

    Ndërkohë, pas përvojës nga zgjedhjet e fundit, KQZ ka vendosur edhe kritere të reja për organizimin e votimit fizik jashtë vendit. Një përfaqësi diplomatike duhet të ketë të paktën 50 votues të regjistruar për të organizuar procesin e votimit fizik.

    Në rast se numri i regjistrimeve mbetet nën këtë prag, votimi fizik nuk do të mbahet në atë përfaqësi diplomatike dhe votuesit do të kalojnë automatikisht në listën e votuesve me postë, për çka do të njoftohen nga KQZ.

    Institucioni zgjedhor ka bërë të ditur gjithashtu se, sikurse në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, votuesve të regjistruar për votim me postë do t’u dërgohet pakoja me fletëvotim në adresat e tyre.

    Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë. Procesi i votimit do të zhvillohet nga ora 07:00 deri në 19:00, sipas kohës lokale të shtetit përkatës.

    Ndërsa votimi përmes postës do të nisë më 25 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor.

  • Mbyllet për qarkullim rruga Mirash-Bardh për disa ditë për shkak të punimeve të asfaltimit

    Mbyllet për qarkullim rruga Mirash-Bardh për disa ditë për shkak të punimeve të asfaltimit

    Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se aksi rrugor Mirash- Bardhdhe anasjelltas do të mbyllet për qarkullim për një periudhë disa ditore, duke filluar nga e hëna.

    Sipas njoftimit në Facebook, mbyllja e rrugës vjen si rezultat i fillimit të fazës së asfaltimit të këtij aksi, pas përfundimit të punimeve bazike me zhavorr në segmentin prej rreth 6.3 kilometrash.

    Gjatë kësaj periudhe, qarkullimi do të ndalohet në të dy drejtimet, si për automjetet e KEK-ut, ashtu edhe për automjetet e qytetarëve dhe autobusët e transportit të punëtorëve.

    “KEK do të njoftojë me kohë opinionin dhe qytetarët sapo të krijohen kushtet për qarkullim të sigurt dhe rikthim të plotë të trafikut në këtë aks rrugor. Gjatë kësaj periudhe, KEK i inkurajon të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të shfrytëzojnë rrugët alternative, me qëllim të shmangies së vonesave dhe lehtësimit të zhvillimit të punimeve”.

    “Aksi rrugor Mirash – Bardh paraqet një investim me rëndësi të madhe strategjike, duke qenë një rrugë jetike për funksionimin dhe operimet e Korporatës Energjetike të Kosovës, por njëkohësisht edhe një lehtësim i konsiderueshëm për komunitetin dhe qytetarët e zonës përreth. Përmes këtij projekti, KEK po vazhdon përkushtimin për përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe krijimin e kushteve më të mira si për operimet e korporatës, ashtu edhe për qytetarët”, thuhet mes tjerash në njoftimin e KEK-ut.

  • Kurti njofton për një aderim në VV – do të jetë edhe kandidate për deputete

    Kurti njofton për një aderim në VV – do të jetë edhe kandidate për deputete

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njofton se Krenare Çerkini, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe do të jetë pjesë e listës së kësaj partie për deputete.

    Kurti në postimin e tij shkruan se “Krenarja vjen nga Ferizaj dhe përfaqëson një profil të ri të lidershipit – një kombinim mes shkëlqimit akademik, angazhimit publik dhe përkushtimit qytetar ndaj arsimit dhe rinisë”.

    Postimi i plotë:

  • Sulmohet fizikisht politikani në Lezhë, i thyen këmbët dhe ia prenë veshin

    Sulmohet fizikisht politikani në Lezhë, i thyen këmbët dhe ia prenë veshin

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Lezhë mbrëmjen e kaluar, ku ish-kryetari i PD-së në njësinë administrative të Dajçit në Zadrimë të Lezhës, është sulmuar fizikisht.

    53-vjeçari, Sokol Toma, është goditur me sende të forta, teksa është dërguar tek Spitali i Traumës për mjekim më të specializuar, raporton Top Channel.

    Sipas burimeve të mediumit, agresorët i kanë thyer këmbët dhe i kanë prerë veshin 53-vjeçarit. Ndërkohë zbulohet se Toma është shtruar në pavijonin e ortopedisë.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në autostradën Mamurras-Laç, në Sanxhak, teksa autorët i kanë marrë edhe telefonin.

    Dyshohet se persona të paidentifikuar e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup.

    Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, teksa ende nuk dihen arsyet përse është dhunuar.

  • Apple afër finalizimit të AirPods Ultra me kamera dhe AI

    Apple afër finalizimit të AirPods Ultra me kamera dhe AI

    Apple po teston një gjeneratë të re të AirPods me kamera të integruara, sipas raportimeve të fundit të gazetarit Mark Gurman.

    Kufjet kanë hyrë në fazën finale të testimeve të dizajnit, ndërsa prototipet po provohen brenda kompanisë.

    Pas kësaj faze, pajisjet do të kalojnë në prodhimin testues para lansimit zyrtar.

    Kamerat pritet të punojnë së bashku me Siri dhe inteligjencën artificiale për të kuptuar më mirë ambientin përreth përdoruesit.

    Dizajni do të mbetet i ngjashëm me AirPods Pro 3, por me stemë pak më të gjatë për të akomoduar kamerat.

    Raporti shton se lansimi mund të shtyhet nëse Apple nuk është e kënaqur me përvojën e AI-së.