ATV

Author: K.B.

  • Deklaratat e Sali Berishës ndaj ambasadorit Gonzato, reagon Bashkimi Evropian

    Deklaratat e Sali Berishës ndaj ambasadorit Gonzato, reagon Bashkimi Evropian

    Bashkimi Evropian ka reaguar zyrtarisht pasi një ditë më parë kreu i PD-së, Sali Berisha, sulmoi ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzaton.

    Një zëdhënës i unionit iu përgjigj sulmeve personale kundër Ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, në Ditën e Evropës. BE-ja shkruan se i dënon sulmet personale, teksa shton se janë të papranueshme.

    “Deklarata të tilla janë të papranueshme. BE-ja dënon fuqimisht sulmet personale të bëra në Ditën e Evropës kundër Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë. Ne kemi besim të plotë tek ai dhe puna e tij”, thuhet në reagimin e tyre.

    Një ditë pasi kreu i PD-së, Sali Berisha, sulmoi ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzaton, kanë reaguar edhe kolegët e tij europianë.

    Në një deklaratë të përbashkët, Ambasadorët e BE-së i kanë dalë në mbrojtje Gonzatos, duke u shprehur besimplotë ndaj profesionalizmit të tij.

    “Në Ditën e Evropës, ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, dhe riafirmojmë besimin tonë të plotë në profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar”, thuhet në reagimin e tyre.

    Kreu i PD-së Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale një ditë më parë dha dhe një koment për ambasadorin Gonzato.

    “Sa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur: ky sillet si të ishte ambasadori i Ramës, pasi ky zotëri, në mënyrë të pretenduar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës, sikur ne nuk jemi për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera.

    Ne jemi ata që i themi gjërat hapur dhe ai është përpjekur në shumë mënyra ta paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit, por ka dështuar. Gonzato është unifikuar komplet me Edi Ramën. Unë partnerëve europianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, u shpreh Berisha./tch/

  • Izraeli shkel rregullat e Eurovisionit, EBU reagon përpara garës

    Izraeli shkel rregullat e Eurovisionit, EBU reagon përpara garës

    EBU ka reaguar vetëm pak ditë para edicionit të 70-të të Eurovisionit (12–16 maj në Vjenë), duke i dërguar paralajmërim televizionit izraelit KAN për shkelje të rregullave të garës.

    Shkak u bë një video promovuese, ku përfaqësuesi i Izraelit, Noam Bettan, në 13 gjuhë u bënte thirrje shikuesve që të votonin 10 herë për Izraelin.

    Drejtori i Eurovisionit, Martin Green, konfirmoi se EBU u njoftua më 8 maj dhe brenda 20 minutash kontaktoi delegacionin izraelit, duke kërkuar që videot të ndaleshin menjëherë dhe të hiqeshin nga të gjitha platformat – kërkesë që, sipas EBU-së, u respektua menjëherë.

    EBU sqaroi se videot që nxisin votimin nuk janë të pazakonta, por thirrja e drejtpërdrejtë që nga një numër të dërgohet numri maksimal i votave për një shtet është në kundërshtim me rregullat dhe me ‘frymën e garës’.

    EBU shtoi se një veprim i tillë nuk pritet të ndikojë realisht në rezultatin final për shkak të numrit të madh të votave dhe faktit që 50 për qind e rezultatit vendoset nga juritë profesionale, por paralajmëroi se do të ndërmarrë masa nëse praktika përsëritet.

    Pas këtij paralajmërimi, fansat në rrjete sociale rikujtuan kritikat e mëhershme të disa transmetuesve evropianë, të cilët kishin ngritur shqetësime për politizim të konkursit dhe për keqpërdorime të mundshme nga KAN.

    Në diskutime përmenden edhe akuza se komentatorë izraelitë kanë bërë thirrje gjatë transmetimeve që të mos votohet për shtete që kanë kritikuar pjesëmarrjen e Izraelit si dhe pretendime për reklama online të financuara për kandidatë të mëparshëm.

  • Festivali i Filmit në Kanë, filmat kryesorë që pritet të dominojnë spektaklin

    Festivali i Filmit në Kanë, filmat kryesorë që pritet të dominojnë spektaklin

    Për 12 ditët e ardhshme, vëmendja e botës së kinemasë do të jetë e përqendruar në Festivalin e Filmit në Kanë, raportoi AP.

    Ngjarja e madhe e njohur, në rivierën franceze të Côte d’Azur, nis të martën dhe do të sjellë një sërë premierash të shumëpritura, me shfaqjen e yjeve ne tapetin e kuq dhe prezantimit të filmave më të përfolur të vitit.

    Këtë vit, studiot e Hollivudit janë më të tërhequra, por festivali mbetet prej më shumë se 78 vitesh një nga skenat më prestigjioze të kinemasë botërore.

    Edicioni i kaluar përfshiu filma të nominuar për çmim “Oscar” si “Sentimental Value”, “The Secret Agent” dhe “It Was Just an Accident”.

    Edhe këtë vit, pritet që disa prej premierave të shndërrohen në pretendentë për çmimet më të mëdha të industrisë.

    Në vitet e fundit, filma si “Parasite” dhe “Anora” janë prezantuar fillimisht në Festivalin e Filmit në Kanë, përpara se të triumfonin në çmimet “Oscar”.

    Juria, që do të vendosë për çmimin kryesor “Palma e Artë”, këtë vit drejtohet nga regjisori koreano-jugor Park Chan-wook.

    Në ceremoninë e hapjes, festivali do t’i akordojë gjithashtu “Palmën e Artë të Nderit” regjisorit Peter Jackson, ndërsa më vonë një çmim të ngjashëm do të marrë edhe Barbra Streisand.

    Mes projekteve më të pritura është edhe sezoni i katërt i serialit “The White Lotus” të HBO-së, i cili është zhvendosur në Croisette për xhirime.

    Filmat që pritet të spikasin në festival:

    “Hope”

    Regjisori Na Hong-jin, më pak i njohur ndër emrat e mëdhenj të kinemasë koreane, pritet të ketë një moment të rëndësishëm, në Kanë me projektin e tij më të ri.

    Filmi është një thriller fantastiko-shkencor, i zhvilluar prej kohësh, të cilin drejtori artistik i festivalit Thierry Frémaux e ka përshkruar si një vepër që “ndryshon vazhdimisht zhanër”.

    Kasti përfshin një përzierje aktorësh koreano-jugorë dhe yje të Hollivudit, mes tyre Hwang Jung-min, Zo In-sung, Jung Ho-yeon, Michael Fassbender, Alicia Vikander dhe Taylor Russell.

    “Paper Tiger”

    Edhe pse fillimisht nuk ishte pjesë e listës zyrtare të konkurrimit, drama e re e James Gray, e vendosur në Queens, është shtuar më vonë në program dhe është kthyer menjëherë në një nga filmat amerikanë më të përfolur të festivalit.

    Gray, i njohur për filmat “Armageddon Time” dhe “The Immigrant”, trajton historinë e dy vëllezërve (Adam Driver dhe Miles Teller) që përfshihen në rrjetin e mafies ruse. Në kast është edhe Scarlett Johansson.

    “Fjord”

    Regjisori rumun Cristian Mungiu, fitues i Palmës së Artë për “4 Months, 3 Weeks and 2 Days” dhe autori i “R.M.N.”, rikthehet me një dramë të re evropiane.

    Filmi ndjek historinë e një çifti rumuno-norvegjez (Sebastian Stan dhe Renate Reinsve) që zhvendosen në qytetin e izoluar të origjinës së bashkëshortes në Norvegji.

    “Teenage Sex and Death at Camp Miasma”

    Jane Schoenbrun, një nga zërat më të veçantë të kinemasë së re amerikane pas “I Saw the TV Glow” dhe “We’re All Going to the World’s Fair”, vjen në një nga garat kryesore të Festivalit të Filmit në Kanë.

    Filmi i ri, me Hannah Einbinder dhe Gillian Anderson, trajton procesin e realizimit të një filmi slasher.

    “Fatherland”

    Regjisori polak Paweł Pawlikowski, i njohur për “Ida” dhe “Cold War”, sjell një tjetër dramë në stilin e tij karakteristik bardhezi.

    Filmi paraqet shkrimtarin gjerman Thomas Mann (Hanns Zischler) në një udhëtim pas Luftës së Dytë Botërore, i shoqëruar nga vajza e tij (Sandra Hüller).

    “All of a Sudden”

    Regjisori japonez Ryusuke Hamaguchi bën debutimin e tij në gjuhën frënge, pas suksesit të “Drive My Car” dhe “Evil Does Not Exist”.

    Filmi, me Virginie Efira dhe Tao Okamoto, paraqet historinë e një drejtoreshe të shtëpisë së pleqve dhe një dramaturg japonez në fazë terminale të sëmundjes.

    “Sheep in the Box”

    Regjisori Hirokazu Kore-eda, fitues i Palmës së Artë për “Shoplifters”, prezanton një histori (shkencë dhe fiction) të ngrohtë dhe emocionale.

    Filmi tregon një çift që, pas humbjes së djalit të tyre, adopton një robot humanoid foshnje.

    “The Man I Love”

    Ira Sachs sjell një dramë të re amerikane me Rami Malek në rolin e një aktori në Nju Jorkun e viteve 1980, i cili përballet me një sëmundje kërcënuese për jetën ndërsa përgatitet për rolin e tij të fundit.

    “The Unknown”

    Regjisori francez Arthur Harari, bashkautor i “Anatomy of a Fall”, rikthehet me një histori misterioze të një fotografeje (Léa Seydoux) që, pas një fotografie në një festë, zgjohet në trupin e një gruaje tjetër.

    “Minotaur “

    Regjisori rus Andrey Zvyagintsev, i njohur për “Leviathan” dhe “Loveless”, kthehet në Kanë – me një dramë rreth një ekzekutiv biznesi në krizë në Rusinë rurale, pas një përvoje pranë vdekjes gjatë pandemisë.

    “John Lennon: The Last Interview”

    Dokumentari i Steven Soderbergh për intervistën e fundit të John Lennon, zhvilluar në Dakota në Nju Jork pak para vrasjes së tij, ka tërhequr vëmendje për përdorimin e inteligjencës artificiale për të ilustruar reflektimet filozofike të artistit.

    Filmi do të shfaqet si projekt special në festival.

    “Bitter Christmas”

    Pedro Almodóvar rikthehet në Kanë me një dramë për kinemanë, dhimbjen dhe plakjen.

    Pas debutimit në gjuhën angleze me “The Room Next Door”, regjisori spanjoll kthehet në gjuhën e tij amtare me një nga projektet e tij më personale.

  • Arrestohet në Gjakovë një person i kërkuar nga INTERPOL-i për “vjedhje të rëndë”

    Arrestohet në Gjakovë një person i kërkuar nga INTERPOL-i për “vjedhje të rëndë”

    Një person i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar është arrestuar të shtunën nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me njësitë policore të rajonit të Gjakovës.

    Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar më 10 maj 2026, rreth orës 13:10, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor.

    Personi i arrestuar është shtetasi kosovar me inicialet H.M., i cili kërkohej përmes INTERPOL, bazuar në një urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Shqipërisë.

    Ai dyshohet për përfshirje në veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

    Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj tij pritet të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore në koordinim me autoritetet kompetente.

    Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe në zbatimin e urdhër arresteve ndërkombëtare, me qëllim luftimin e krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

  • Rast i rëndë: Dy vëllezër ndërrojnë jetë brenda një ditë në Pejë

    Rast i rëndë: Dy vëllezër ndërrojnë jetë brenda një ditë në Pejë

    Peja është tronditur këtë të diel nga një tragjedi e rëndë familjare, ku dy vëllezër kanë humbur jetën brenda pak orësh.

    Fillimisht, Gazmend (Shefqet) Maloku, i njohur nga të afërmit dhe miqtë si “Meni”, humbi jetën aksidentalisht, në një rast që u raportua gjatë ditës.

    Por dhimbja për familjen Maloku nuk përfundoi me kaq. Vetëm pak kohë më vonë, edhe vëllai i tij, Bashkim (Shefqet) Maloku, ndërroi jetë pas një gjendjeje të rënduar shëndetësore.

    Sipas burimeve, Bashkimi ka ndërruar jetë gjatë trajtimit në spital, brenda rreth një ore pasi kishte marrë lajmin për humbjen tragjike të vëllait të tij.

    Dy humbje të njëpasnjëshme në të njëjtën ditë kanë lënë të pikëlluar familjarët, miqtë dhe qytetarë të shumtë në Pejë.

  • Osmani e ashpër me Kurtin nga tubimi i LDK, ” I refuzoi 51 %”, “do zgjedhje çdo tre muaj”, ” i pangopur”

    Osmani e ashpër me Kurtin nga tubimi i LDK, ” I refuzoi 51 %”, “do zgjedhje çdo tre muaj”, ” i pangopur”

    Vjosa Osmani në fjalën e saj në “Tubimin e Bashkimit”, u shpreh e ashpër me kryeministrin në detyrë Albin Kurti që po “kërcënon me zgjedhje çdo tre muaj, dhe që i refuzoi 51% nga populli”.

    Në fjalimin e saj, Osmani tha se “njëra është rruga e izolimit e krizës së përhershme, në njërën anë është rruga e atyre që kërcënojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë”, tha Osmani para masës duke nxitur brohoritje të shumta.

    “Rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminimin e cdo njërit që interesin shtetëror e vendosin para atij partiak”, vijoi ajo.

    Duke shtuar se vendi shkoi “në zgjedhje të panevojshme e ja refuzuan popullit 51 përqind vetëm për të eleminuar një presidente që ulet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani në Tubimin e Bashkimit, transmeton Gazeta Express.

    “Rruga tjetër është rruga e amanetit të Rugovës, rruga e shtetit serioz …”, vijoi Osmani.

  • Kujtim Gashi i PDK njofton se nuk do jetë kandidat për deputet, tregon arsyet

    Kujtim Gashi i PDK njofton se nuk do jetë kandidat për deputet, tregon arsyet

    Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka njoftuar se në zgjedhjet e 7 qershorit nuk do të jetë kandidat për deputet.

    Shala shprehet se ajo që ndodhi pas zgjedhjeve të fundit në Prizren “ka lënë zhgënjim te shumë prej nesh. Ishte e rëndë të shihje se si mundi, besimi dhe angazhimi i aq shumë njerëzve u vendosën në pikëpyetje nga një proces që nuk u ndje i drejtë. Dhe kjo, padyshim, ka lënë gjurmë edhe tek unë personalisht”, shprehet Gashi.

    “Për mua politika nuk ka qenë kurrë thjesht pozitë apo ambicie personale. Ka qenë marrëdhënie me njerëzit, besim i ndërsjellë dhe përgjegjësi ndaj secilit që më ka mbështetur në këtë rrugëtim. Prandaj, në këtë moment kam ndjerë se vendimi më i drejtë është të bëj një hap pas nga gara, por jo nga angazhimi”, është shprehur ai.

    “Nuk po largohem. Nuk po dorëzohem. Thjesht po zgjedh që, në këtë periudhë, të kontribuoj ndryshe, me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtën dashuri për Prizrenin dhe Kosovën”, ka deklaruar Gashi.

    Ai shprehet se edhe pse nuk do jetë kandidat, angazhimi i tij do të vazhdojë me të njëjtin intensitet.

    Postimi i plotë:

  • Vjosa Osmani nxit brohoritje: Dua të ju them zemërplotë po kthehem në shtëpinë time

    Vjosa Osmani nxit brohoritje: Dua të ju them zemërplotë po kthehem në shtëpinë time

    “Dua të ju them zemërplotë, po kthehem në shtëpinë time”, është kjo fjalia e Vjosa Osmanit që nxiti brohoritje të shumta në tubimin që po e mbajnë në Prishtinë me Lumir Abdixhikun.

    “Nuk ka fjalim që mundet me thënë me fjalë atë që po ndjej në këto momente, megjithatë do të provoj”, u shpreh Osmani e emocionuar para parkrahësve kur mori fjalën në “Tubimin e Bashkimit”.

    “Motra e vëllezër, mirë se ju rigjeta”, u tha Osmani përkrahësve të saj.

    Osmani tha se gjatë tërë vizitave të saj në terren e në çdo shtrëngim duarsh, ishte vetëm një zë “kthehu në shtëpi”.

    “Dua të ju them zemërplotë, po kthehem në shtëpinë time. Këtu ku nisi ëndrra e përbashkët për Kosovën e lirë, të pavaruar e demokratike, e në miqësi të përhershme me SHBA-të” .

    Ajo shtoi se kanë pasur mospajtime e dallime, por “disa lidhje nuk i këputë, as koha, as distanca e as politika.

    “Ky bashkim është dëshmi që dijmë të jemi më të mëdhenjë se ndasitë tona”.

    Video:

  • Abdixhiku: Në këtë rrugëtim jam bashkë me një grua të fortë e të pathyeshme – me Vjosa Osmanin

    Abdixhiku: Në këtë rrugëtim jam bashkë me një grua të fortë e të pathyeshme – me Vjosa Osmanin

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka nisur fjalimin në “tubimin e bashkimit të partisë” që po mbahet në Prishtinë.

    Ai u shpreh se subjekti po hyn në një fazë të re me më shumë unitet dhe vendosmëri.

    “Po vijmë kësaj here më të fortë, më të bashkuar, më të përkushtuar, me zemër të plotë dhe mendje të fortë… kjo është LDK-ja jonë”, tha Abdixhiku.

    Teksa tha se kësaj rruge i ka hyrë së bashku me një grua të fortë dhe të pathyeshme.

    “Në këtë rrugëtim jam bashkë me një grua të fortë e te pathyeshme – me Vjosa Osmanin”, tha kreu i LDK-së.

  • Reshitaj: Qytetarët do ta ndëshkojnë Albin Kurtin me votë

    Reshitaj: Qytetarët do ta ndëshkojnë Albin Kurtin me votë

    Ish-deputetja Albena Reshitaj ka deklaruar se më 7 qershor, qytetarët do ta ndëshkojnë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Reshitaj shtoi se populli do ta mbështesë ish-presidenten Vjosa Osmani.

    “ Qytetarët do ta ndëshkojnë, dhe do ta ndihmojnë Albin Kurtin me ndëshkimin që do të ia bëjnë me votë. Sepse do të reflektojë dhe do ta kuptojë që Kosova është shtet demokratik”, tha ajo në Klan Kosova.