ATV

Author: K.B.

  • Sot takimi BE–Ballkani Perëndimor, në fokus dialogu Kosovë–Serbi

    Sot takimi BE–Ballkani Perëndimor, në fokus dialogu Kosovë–Serbi

    Sot e hënë në Bruksel do të mbahet takimi i përbashkët mes ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Ky takim, ku marrin pjesë 27 shefat e diplomacisë evropiane dhe ministrat e jashtëm të rajonit, do të shërbejë si platformë për diskutime mbi zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe përgatitjet për samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili pritet të mbahet në qershor në Tivat të Malit të Zi.

    Sipas diplomatëve evropianë, në qendër të diskutimeve do të jenë forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve të rajonit, rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndikimeve të jashtme, si dhe harmonizimi me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet.

    Një nga temat kryesore që Brukseli do të mbajë në fokus mbetet edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zyrtarë evropianë kanë shprehur pakënaqësi me dinamikën aktuale të procesit, duke theksuar se ai nuk po ecën me ritmin e dëshiruar.

    “Edhe pse ka pasur disa rezultate në muajt e fundit, dialogu ende nuk ka dinamikën e duhur. Presim një shtysë të re për ta avancuar procesin”, ka deklaruar një diplomat evropian, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Nga ana tjetër, në Bruksel theksohet gatishmëria e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për të luajtur rol aktiv në procesin e dialogut, përfshirë mundësinë e thirrjes së një takimi të ri në nivel liderësh.

    Megjithatë, sipas diplomatëve, situata politike në Kosovë dhe ciklet zgjedhore të vazhdueshme po e vështirësojnë organizimin e një raundi të ri të dialogut në nivelin më të lartë.

    Takimi i fundit mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut është mbajtur në shtator të vitit 2023, ndërsa Kaja Kallas, e cila ka marrë detyrën në dhjetor të vitit 2024, ende nuk ka udhëhequr një takim të tillë në nivel liderësh.

  • Shteti serb financon veteranët e Beretave të Kuqe, që luftuan edhe në Kosovë

    Shteti serb financon veteranët e Beretave të Kuqe, që luftuan edhe në Kosovë

    Qeveria e Serbisë financon me para nga buxheti i shtetit Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe – një organizatë që mbledh ish-anëtarë të njësisë speciale të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.

    Disa prej pjesëtarëve të kësaj njësie kanë marrë pjesë në krime lufte dhe janë dënuar për likuidimin e kundërshtarëve politikë.

    Sipas një analize të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, vetëm përmes konkurseve të Ministrisë së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale të Serbisë, kësaj shoqate i janë ndarë 23.000 euro në dy vjetët e fundit.

    Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe ka marrë fonde në të gjitha konkurset nga fusha e mbrojtjes së veteranëve, të realizuara nga Ministria e Punës që nga momenti kur në krye të saj është emëruar Millica Gjurgjeviq Stamenkovski.

    Gjurgjeviq Stamenkovski është kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici” dhe është bërë pjesë e pushtetit në Serbi në vitin 2024, edhe pse partia e saj nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e asaj kohe.

    Ministria e Punës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se për çfarë konkretisht janë shpenzuar mjetet e ndara dhe cili është interesi publik për financimin e projekteve të Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe me para të buxhetit.

    Përgjigje nuk dha as Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe.

    “Kur e merr një njësi të tillë dhe prej saj nxjerr heronj, ndërkohë që dihet ‘rruga e saj e luftës’, njeriu duhet ta pyesë veten se çfarë vlerash promovon ky pushtet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Filip Shvarm, kryeredaktor i së përjavshmes serbe “Vreme” dhe autor i një dokumentari për Njësinë për Operacione Speciale.

    Kush ishin Beretat e Kuqe?

    Njësia për Operacione Speciale, e njohur më mirë si Beretat e Kuqe, u themelua nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i drejtuar nga Jovica Stanishiq – një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.

    Krahu i tij i djathtë ishte Franko Simatoviq.

    Stanishiq dhe Simatoviq u dënuan në Hagë në vitin 2023 me nga 15 vjet burg për mbështetje dhe ndihmë në krime lufte në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1992.

    Njësia për Operacione Speciale, me këtë emër, mori pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

    Në atë kohë, Simatoviq e emëroi Millorad Ulemekun, i njohur si Legija, komandant të saj.

    Njësia u shpërbë në vitin 2003 gjatë operacionit policor “Sablja”.

    Disa prej pjesëtarëve të saj janë dënuar për vrasje politike – përfshirë vrasjen e kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003; vrasjen e ish-presidentit të Presidencës së Serbisë, Ivan Stambolliq, në gusht të vitit 2000; vrasjen e katër zyrtarëve të Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe (SPO) në tetor 1999; si dhe tentim-vrasjen e liderit të SPO-së, Vuk Drashkoviq, në Budva në vitin 2000.

    Çfarë financon Ministria?

    Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve në Serbi, Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe është themeluar në vitin 2019.

    Të dhënat publike për veprimtarinë e saj tregojnë se të ardhurat e para i ka pasur në vitin 2021, kur janë raportuar gjithsej 4.800 euro.

    Shumën më të madhe të të ardhurave, shoqata e ka realizuar në vitin 2024, në vlerë prej 29.000 eurosh.

    Të dhënat për shumën e donacioneve të mbledhura për vitin 2025, nuk janë publikuar ende.

    Nga Ministria e Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale, në vitet 2024 dhe 2025, shoqata ka përfituar nga 11.500 euro në vit – gjithsej 23.000 euro – sipas raporteve të ministrisë.

    Të dhënat publike nuk tregojnë se nga cilat burime të tjera e kanë origjinën të ardhurat e saj.

    Ministrja e Punës, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, miratoi financimin për Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe, me qëllim organizimin e Turneut Gjithëpërfshirës të Veteranëve, si dhe për realizimin e projekteve “Pozita e luftëtarëve në shoqërinë e sotme” dhe “Betimi i lirisë”.

    Turneu Gjithëpërfshirës i Veteranëve është një garë sportive për veteranët, që organizohet nga Shoqata një herë në vit dhe, përveç donacioneve nga Ministria e Punës, është mbështetur më herët edhe nga Qeveria e Vojvodinës.

    Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë e Krahinës Autonome të Vojvodinës në lidhje me ndarjen e fondeve për këtë shoqatë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

    Për projektet e Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe – “Betimi i lirisë” dhe “Pozita e luftëtarëve në shoqërinë e sotme” – të cilat janë financuar me 10.000 euro nga buxheti, nuk ka informacione publike të disponueshme se çfarë përfshijnë saktësisht, nëse janë realizuar dhe kur janë zbatuar.

    Raportet për realizimin e këtyre projekteve nuk janë publikuar as në dokumentacionin e konkurseve të Ministrisë përkatëse.

    Në fund të vitit 2022, shoqata ka ngritur një përmendore për ish-pjesëtarin e Beretave të Kuqe, Nikolla Simiq, në lagjen Busije të Beogradit.

    Kush është kreu i shoqatës?

    Përfaqësues ligjor i Shoqatës së Beretave të Kuqe është Zhivorad Zhika Ivanoviq, ish-anëtar i Njësisë së Operacioneve Speciale, i cili, siç mund të shihet në një video nga maji i vitit 1997, i raportonte presidentit të atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, në një ceremoni që shënonte themelimin e Njësisë në Kulla, në Serbinë veriperëndimore.

    Edhe pse emri i tij u përmend në gjyqin e ish-krerëve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, kundër Ivanoviqit nuk u zhvillua asnjë procedurë ligjore as para gjykatave ndërkombëtare dhe as brenda Serbisë.

    Veteranët në mbrojtje të pushtetit

    Ivanoviq ishte për herë të fundit në qendër të vëmendjes publike në mars të vitit 2025, kur udhëhoqi veteranët e Njësisë së Operacioneve Speciale në një kamp në Parkun e Pionierëve në Beograd.

    Aty, për më shumë se një vit, u mblodhën mbështetës të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet – mes të cilëve edhe disa persona me dosje kriminale.

    “Është veçanërisht pervers fakti që ata u shfaqën aty disa ditë para përvjetorit të vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq”, thotë Shvarm.

    Përveç Zhika Ivanoviqit, veteranët në Parkun e Pionierëve në Beograd u udhëhoqën edhe nga ish-komandanti i Xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri, të cilin Shtetet e Bashkuara e lidhin me vrasjen e vëllezërve Bytyqi, pas luftës në Kosovë, në vitin 1999.

    Partia në pushtet në Serbi deklaroi atëkohë se nuk sheh asnjë problem nga prania e tyre në tubimet mbështetëse për presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Qeverinë aktuale.

    Veteranët e Njësisë për Operacione Speciale janë bërë pjesëmarrës të rregullt edhe në manifestime të organizuara nga partia në pushtet – nga shënimi i përvjetorëve të ngjarjeve historike deri te ceremonitë me rastin e ditëve të komunave të Beogradit.

    Në dhjetor të vitit 2025, ata ishin mysafirë të Ministrisë së Punës dhe, siç njoftuan në profilin e tyre në Instagram, morën pjesë në një takim pune me temën “Përmirësimi i mëtejshëm i pozitës së veteranëve”.

    Me ta u fotografua edhe ministrja Gjurgjeviq Stamenkovski.

    Gjurgjeviq Stamenkovski, si kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici”, ishte në opozitë deri në vitin 2024.

    Me formimin e Qeverisë së re të Serbisë në maj të vitit 2024, ajo mori postin e ministres për Kujdesin ndaj Familjes, ndërsa në Qeverinë aktuale është në krye të Ministrisë për Punë, Punësim, Çështje të Veteranëve dhe Sociale.

    Në shkurt të vitit 2024, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq, vizitoi stendën e Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe në një panair në Novi Sad.

    Shoqata, atëkohë, mori pjesë në manifestimin “Panairi i Vendlindjes”, i organizuar nga Fondi për personat e zhvendosur dhe për bashkëpunim me serbët në rajon, me mbështetjen e Qeverisë së Vojvodinës.

    Me rastin e 35-vjetorit të themelimit, disa veteranë të Njësisë për Operacione Speciale organizuan më 4 maj një ceremoni përkujtimore, ku, në emër të ish-anëtarëve të kësaj njësie, Vasillije Mijoviq i shprehu mirënjohje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se me ardhjen e tij në pushtet, “njësisë i është rikthyer lavdia”.

    “Gjithmonë llogarisni në ne, që ta udhëhiqni atdheun tonë edhe për një kohë të gjatë. Prej kohësh, Serbia nuk ka pasur një udhëheqës të tillë, vizionar”, tha Mijoviq, duke shtuar se “kolegjiumi ka vendosur t’i japë presidentit pseudonimin ‘Aleksandri i Madh’”.

    “Ky është një mesazh i drejtuar drejt pjesës më të fortë nacionaliste të elektoratit të Partisë Përparimtare Serbe”, vlerëson Shvarm.

    Fotografitë e publikuara në profilin në Instagram të Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe, tregojnë se Mijoviq ka qenë pjesë e delegacionit të kësaj shoqate në disa ngjarje që nga fillimi i këtij viti.

    Mijoviq është ish-funksionar i policisë sekrete të Malit të Zi. Si pjesëtar i formacioneve paraushtarake që vepronin në Bosnje dhe në Kroaci, ai ka marrë pjesë në luftërat në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

    Për rolin e tij në konfliktet e viteve ’90 është folur edhe në Tribunalin e Hagës, ku dëshmitarët e kanë përshkruar si pjesëmarrës në veprime çnjerëzore ndaj civilëve, si dhe në aktivitete kriminale.

    Mijoviq nuk u gjykua për rolin e tij në luftë as para gjykatave vendase dhe as para atyre ndërkombëtare. /REL/

  • AKK: Qeveria po ua merr komunave kompetencat për rekrutimin e stafit

    AKK: Qeveria po ua merr komunave kompetencat për rekrutimin e stafit

    Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kundërshtuar një rregullore të nivelit qendror për shërbyesit publikë, duke vlerësuar se ajo cenon kompetencat e komunave në procesin e rekrutimit të stafit në nivel lokal.

    Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha për Ekonomia Online se kryetarët e komunave kanë shprehur shqetësim lidhur me këtë rregullore, pasi sipas tij, procesi i rekrutimit për shërbyes publikë në nivel lokal po centralizohet nga niveli qendror.

    “Ne si asociacion kemi pranuar këto ditët e fundit reagime nga kryetarët e komunave sa i përket një rregulloreje nga niveli qendror për shërbyes publikë dhe angazhimin e tyre në sistemin publik të Republikës së Kosovës ku pothuajse i gjithë sistemi sa i përket procesit të rekrutimit për shërbyes publikë edhe në nivelin lokal do të bëhet nga niveli qendror”, tha ai.

    “Kryetarët konsiderojnë që kjo nuk është e drejtë sepse në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ekzistojnë dy nivele qeverisje, niveli qendror dhe niveli lokal dhe sipas kryetarëve kjo shkon në dëm të komunave të Republikës së Kosovës sepse angazhimi, rekrutimi i stafit i cili ka të bëjë me punët, me angazhimet në nivelin lokal është më mirë të bëhet nga niveli lokal sesa nga niveli qendror”, tha ai.

    Ibrahimi tha se kjo qasje është në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe paralajmëroi rritje të burokracisë në nivel lokal.

    “Po mendojmë që kjo është e padrejtë, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës sa i përket ndarjeve të pushtetit mirëpo kjo do të shkaktojë burokraci edhe më të madhe edhe komunat nuk do të mund të angazhojnë profesionistë të cilët mendojnë se do të jenë të mirëseardhur në sistemin publik të Republikës së Kosovës në nivelin lokal”, tha ai.

    Ai shtoi se niveli qendror mund të zbatojë politika të tilla vetëm për administratën qendrore dhe jo për komunat.

    “Pra niveli qendror mund t’i bëjë këto angazhime, mund ta shtyjë përpara këtë proces për zyrtarë publikë në nivelin qendror mirëpo jo t’i shtrijë duart edhe në procesin e rekrutimit në nivelin lokal”, tha ai.

  • Rifat Stojkaj vdiq në një aksident trafiku në fshatin Lloqan, policia jep detaje

    Rifat Stojkaj vdiq në një aksident trafiku në fshatin Lloqan, policia jep detaje

    Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Deçanit, Rifat Stojkaj, ka humbur jetën tragjikisht në një vetaksident trafiku që ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Lloqan.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur më 11 maj 2026, rreth orës 01:40, ku ishte e përfshirë një veturë me targa vendore.

    Dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka dalë nga rruga, duke rënë në një kanal në skaj të saj.

    “Nga hetimet fillestare dyshohet se deri te vetaksidenti ka ardhur pasi drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka rënë në një kanal në skaj të rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Si pasojë e aksidentit, Stojkaj ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

    Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

    Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur qytetarët e Deçanit, kolegët dhe bashkëpunëtorët, të cilët e kanë kujtuar si një zyrtar të përkushtuar dhe të afërt me qytetarët.

    Vdes në moshë të re sekretari i përgjithshëm i AAK-së në Deçan

  • Burim Ramadani: Rifat Stojkaj humbi jetën tragjikisht në aksident

    Burim Ramadani: Rifat Stojkaj humbi jetën tragjikisht në aksident

    Ish-deputeti Burim Ramadani ka njoftuar se Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Deçanit dhe anëtari i AAK-së, Rifat Stojkak ka ndërruar jetë pas një aksidenti.

    Ramadani thotë se lajmin e mori me pikëllim të thellë dhe tregon se me Stojkan u takua para dy ditësh.

    “Para dy ditësh ishim bashkë e bisedonim për plane afatgjate, por sot me dhimbje mora lajmin që kolegu ynë energji plotë Rifat Stojkaj u nda nga kjo botë në fatkeqësi komunikacioni. Përherë do të kujtojmë Rifat! Lutem që familja e të afërmit të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen! Ngushëllime të gjithëve që e njohën!”

  • Drejtori i Bujqësisë në Deçan humbi jetën, Ramosaj: Lamtumirë Rifat, na ke këputë shpirtin!

    Drejtori i Bujqësisë në Deçan humbi jetën, Ramosaj: Lamtumirë Rifat, na ke këputë shpirtin!

    Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të drejtorit të Bujqësisë në këtë komunë, Rifat Stojkaj.

    Përmes një postimi në Facebook, Ramosaj i dha lamtumirën të riut.

    “Lamtumirë Rifat, na ke kputë shpirtin!”, ka shkruar ai.

    Për ndarjen nga jeta të sekretarit të përgjithshëm të AAK-së në Deçan, kanë shprehur ngushëllime edhe Ramush Haradinaj dhe Time Kadrijaj.

  • 61% e pronave në Shqipëri u blenë nga shtetas të BE-së

    61% e pronave në Shqipëri u blenë nga shtetas të BE-së

    Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po tërheq gjithnjë e më shumë investitorë të huaj. Sipas analizës së platformës ndërkombëtare Investropa, Shqipëria konsiderohet një nga tregjet më të lira dhe me potencial rritjeje në Evropë për blerjen e pronave, shkruan Tvklan.al.

    Çmimet ende mbeten më të ulëta krahasuar me vende si Kroacia apo Greqia, ndërsa zhvillimi i turizmit po rrit interesin për investime afatgjata.

    Në fokus mbeten Tirana, Vlora, Saranda dhe zona e rivierës, ku kërkesa për apartamente dhe vila është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

    Sipas analizës, të huajt tërhiqen edhe nga mundësia për të gjeneruar të ardhura përmes qirave sezonale dhe platformave turistike.

    “Shqipëria po hyn në hartën e investitorëve evropianë si një treg ende në fazë zhvillimi, por me kthim të lartë potencial. Tirana shihet si qendër biznesi dhe jetese, ndërsa bregdeti po shihet si investim turistik. Kjo ka sjellë rritje të kërkesës nga shtetas italianë, nordikë dhe evropianë lindorë. Interesi po mbështetet shumë edhe nga zgjerimi i turizmit”, njofton Investropa, shkruan tvklan.al.

    Analiza e Investropa thekson se procedurat relativisht të thjeshta për blerjen e apartamenteve nga të huajt janë një tjetër faktor që po nxit hyrjen e kapitalit në sektor.

    Por rritja e kërkesës po ndikon paralelisht edhe në rritjen e çmimeve, sidomos në zonat turistike dhe në kryeqytet.

    “Qytetarët e Bashkimit Evropian përbëjnë rreth 61% të blerësve të huaj të pronave në Shqipëri, duke përfituar nga procedura të konsoliduara dhe një treg i përshtatur për ta. Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 34% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte vitin e kaluar, të cilat vitin që shkoi arritën vlerën e 561 milionë eurosh”, thuhet në njoftim.

    Me turizmin në rritje dhe interesin e shtuar nga investitorët ndërkombëtarë, tregu imobiliar shqiptar po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku kërkesa e huaj po bëhet një nga faktorët kryesorë që po orienton çmimet dhe projektet e reja në Shqipëri.

  • Për 3 muaj, 10 raste të ngacmimit e dhunimit seksual

    Për 3 muaj, 10 raste të ngacmimit e dhunimit seksual

    Me 4 maj, një mësimdhënës në Zllakuqan të Klinës, përfundoi nën prangat policore.

    Shkak për këtë, ishte një raportim i nxënëses së tij.

    Kjo e fundit, tha se kujdestari po i dërgonte në vazhdimësi mesazhe me përmbajtje seksuale.

    Por, ngacmimet seksuale në Kosovë, nuk ishin të vetmet raste të kësaj natyre që u raportuan në Policinë e Kosovës këtë vit.

    Në vetëm tre muajt e parë të vitit 2026, plot dhjetë raste të dhunimit seksual, u raportuan tek organet e rendit.

    Këtë e bëri të ditur Policia e Kosovës, përmes një përgjigje për Tëvë1.

    Ndërkohë, psikologet thonë se kjo vepër, lë pasoja të rënda tek viktima.

    “Dhunimi në shëndetin mendor të personave që janë viktima të dhunimit ka një efekt shkatërrues për mirëqenien emocionale e dëmton në masë të madhe shëndetin mendor edhe në përgjithësi e shkakton ata që njihet si stresi postrauamtik. Pra pas përjetimit të dhunimit varësisht edhe prej rrethanave të ndryshme, personat e dhunuar zakonisht përjetojnë një mpirje emocionale, nuk përjetojnë më as emocione të mira as të këqija pastaj ju kujtohet vazhdimisht elemente, sekuenca të tjera të procesit të dhunimit, janë në gjendje të parahatueshme dhe humbin besimin te njerëzit e tjerë”, shprehet Naim Telaku-psikolog.

    Madje sipas Telakut, kërkimi i ndihmës në këto raste është më se i nevojshëm.

    “Mendoj se është e domosdoshme konsultimi me personat që janë kompetent në fushën e shëndetit mendorë, për shkak se dhunimet dinë me qenë prej traumave më të rënda mendore që mundet me i pësua individi. Është e domosdoshme marrja e ndihmës profesionale, përveç kësaj ndihmë nga psikologu ose profesionistëve të tjerë të shëndetit mendor të ketë një lloj informimi apo edukimi të familjes për shkak se familja dhe të afërmit e viktimës mund të ndihmojnë shumë që të tejkalohet një përjetim i tillë”, shprehet ai.

    Por sociologët tregojnë se cilët janë faktorët që e shtyjnë një person të bëjë një akt të tillë?

    “Dhuna seksuale më shumë i atakon gratë në krahasim me gjininë mashkullore, krijohen steriotipe gjinore pastaj dominanca mashkullore ndaj grave në kontekstin patriarkal aprovohet dhe miratohet. Ashtu që kemi edhe një lloj shmangie apo domosdoshmëri e pranimit të ngacmimeve duke e ditur se kemi të bëjmë me kontekstet tona të dominimi tradicional apo patriarkal të burrave, pastaj një lloj ndershmërie apo turpi ku efekti i dhunimit apo përdhunimeve seksuale më shumë shikohet në atë mënyrë sesa ndonjë incident apo krim dhe mënyra e reagimit dhe raportimit është më e mangët, pastaj kemi edhe pabarazinë sociale ekonomike”, thotë Genx Xërxa.

    Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në 5 muajt e parë të këtij viti, janë shënuar edhe 16 raste të ngacmimit si dhe 10 raste të tjera të sulmit seksual.

  • Katër ministri të reja pa buxhet, rrezikojnë të mbyllin mandatin pa bërë ndonjë punë

    Katër ministri të reja pa buxhet, rrezikojnë të mbyllin mandatin pa bërë ndonjë punë

    Zgjerimi i kabinetit qeveritar me katër ministri të reja po shihet më shumë si barrë administrative sesa si nevojë funksionale.

    Pa buxhet të miratuar këto dikastere rrezikojnë ta mbyllin mandatin pa bërë pothuajse asnjë punë. Njohësit thonë se kjo dëshmon mungesë serioze të planifikimit buxhetor dhe shton barrën mbi një qeveri që tashmë vepron me mandat të kufizuar.

    Nga 15, kabineti qeveritar u zgjerua në 19 ministri.

    Qeveria Kurti 3 shtoi edhe katër dikastere të reja krahasuar me përbërjen paraprake.

    Por ani se i themeloi, i la pa buxhet për të funksionuar.

    E pa mjete financiare, ato rrezikojnë ta mbyllin angazhimin në këtë mandat pa kryer ndonjë punë, aq më tepër kur ekzekutivi aktual po vepron me kompetenca të kufizuara si qeveri në detyrë.

    “Këtu ministri që janë krijuar nuk kanë buxhet të ndarë dhe kjo është problematike, pse ka nevojë më u mbajt ato ministri për aq kohë sa nuk kanë buxhet sepse pa buxhet s’kanë mundësi as të punojnë. Thjeshtë kuptimi i saj është veç me i angazhu disa individ dhe me iu jep paga”, u shpreh Arton Dehmhasaj.

    Mungesa e buxhetit, sipas njohësve nuk lë pasoja vetëm në administratë, por prek drejtpërdrejt edhe zhvillimin ekonomik, për shkak të mungesës së projekteve që do t’i shërbenin qytetarëve.

    “I kemi katër ministri të cilat janë të krijuara në hedhjet e fundit e për të cilat nuk ka pasur miratim ë buxhetit, por ajo çfarë e karakterizon Kosovën në vitet e fundit është mungesa e transparencës në menaxhim të buxhetit dhe definitivisht kjo është brenga më e madhe që do ta sfidoj ardhmërinë e Kosovës”, thotë ekonomisit Safet Gërxhaliu.

    Kjo thuhet se mund të zgjasë meqë vendi i tashmë është një në cilët zgjedhjesh, që do të mbahen me 7 qershor.

    Ndërkaq që qeveria, vazhdon të jetë në detyrë, derisa vendi të ketë institucione të reja.

  • Vdes në moshë të re sekretari i përgjithshëm i AAK-së në Deçan

    Vdes në moshë të re sekretari i përgjithshëm i AAK-së në Deçan

    Ka vdekur në moshë të re Rifat Stojkaj, sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dega Deçan.

    Kështu ka njoftuar ish-deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, përmes një njoftimi të trishto në Facebook.

    “Sa e rand me u zgju me një lajmë të tillë të randë. Na tronditi lajmi për ikjen tande të hershme Rifat. Ngushëllime familjes Stojkaj, kolegëve dhe të gjithëve që e njohën Rifatin!”, ka shkruar ajo.