ATV

Author: K.B.

  • Ardian Gjini sfidon kundërkandidatët për debat televiziv: Ftoj edhe Kurtin

    Ardian Gjini sfidon kundërkandidatët për debat televiziv: Ftoj edhe Kurtin

    Ardian Gjini, gjatë një paraqitjeje në emisionin “Politiko” në Kanal 10, u ka bërë thirrje publike kundërkandidatëve të tij për debat televiziv.

    Ai tha se është i gatshëm të përballet në debat me secilin rival politik, duke përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti.

    “Ejani, dilni në debat. Kisha sfiduar në debat edhe zotëri Kurtin. U bëj thirrje direkte”, ka deklaruar Gjini.

  • Muharremi: Mundemi me i pas dy palë zgjedhje këtë vit, do të jetë maratonë

    Muharremi: Mundemi me i pas dy palë zgjedhje këtë vit, do të jetë maratonë

    Analisti Shenoll Muharremi, ka reaguar pasi PDK-ja nuk pranoi Fatmir Limajn në listën zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Muharremi ka shkruar se njerëzit kanë të drejtë me refuzu ose me pranu, duke shtuar se nuk duhet të humbet më kohë me këtë temë.

    “E të mos harrojmë se mundemi, me shumë gjasë, me i pas dy palë zgjedhje këtë vit, pra ka me qenë maratonë. Gjithashtu, edhe Nisma ka gjasë me u ripozicionu nëse dëshiron me garu”, ka shkruar ai.

    Postimi i tij i plotë:

    Qyre, me gjithë respektin, po mos na lodhni tash me këtë temën e Fatmir Limajt. Problemi ynë nuk është me shpëtu askënd e as me bë deputet.

    Ne po luftojmë për me sjellë ndryshim ekonomik, me kriju kapacitete të reja të energjisë, jashtëzakonisht thelbësore, e me ruajt demokracinë që e kemi kriju.

    Fatmiri i dërgoi letër Hamzës e gjithashtu e shprehu dëshirën me qenë pjesë e listës, por nuk u pranua. Njerëzit kanë të drejtë me refuzu ose me pranu. Ky ka qenë verdikti.

    Tash mos të humbim kohë e fokus me këtë temë, se nuk sjell asnjë dobi. Le të fokusohemi si me u konsolidu sa më mirë që me gjeneru ndryshime që shumë i nevojiten Kosovës.

    E mos të harrojmë që mundemi, me shumë gjasë, me i pas dy palë zgjedhje këtë vit, pra ka me qenë maratonë. Gjithashtu, edhe Nisma ka gjasë me u ripozicionu nëse dëshiron me garu.

  • VIDEO/ Persona të maskuar vjedhin rreth 15 mijë euro e thyejnë kamerat e sigurisë në një depo në Dragash

    VIDEO/ Persona të maskuar vjedhin rreth 15 mijë euro e thyejnë kamerat e sigurisë në një depo në Dragash

    Persona të maskuar kanë hyrë në një firmë ndërtimore në fshatin Buqe të Dragashit dhe kanë vjedhur rreth 15 mijë euro nga kasaforta, e cila u gjet e demoluar në afërsi të objektit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    “Me datë 09 maj 2026, në orën 07:25, një qytetar nga fshati Blaq ka raportuar në polici se në depon e tij të materialit ndërtimor në fshatin Buqe – Dragash, është kryer një vjedhje e rëndë. Sipas ankuesit, persona të panjohur janë futur me dhunë përmes derës së ballkonit në katin përdhese dhe kanë hapur me forcë kasafortën, nga e cila janë vjedhur rreth 15,000 euro. Kasaforta e demoluar dhe e zbrazur është gjetur në afërsi të vendit të ngjarjes. Në vendngjarje kanë dalë patrulla policore, njësitet e forenzikës dhe hetuesisë. Roja e objektit ka deklaruar se gjatë natës nuk ka vërejtur asgjë të dyshimtë”.

    Bytyqi tha se aktualisht nuk ka persona të dyshuar dhe se hetimet janë duke vazhduar për rastin.

    Gazeta Express ka siguruar edhe videon nga momenti i vjedhjes që kanë kapur kamerat e sigurisë brenda zyrës së objektit. Para se të vidhnin paratë, ata thyen edhe kamerat e sigurisë.

  • Shtëpia e Bardhë: Trump do t’i nënshtrohet një ekzaminimi mjekësor

    Shtëpia e Bardhë: Trump do t’i nënshtrohet një ekzaminimi mjekësor

    Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do t’i nënshtrohet kontrollit mjekësor vjetor në Spitalin Ushtarak Walter Reed më 26 maj.

    Shtëpia e Bardhë tha se Trump do t’i nënshtrohet “vlerësimeve rutinë vjetore dentare dhe mjekësore si pjesë e kujdesit të tij të rregullt parandalues ​​shëndetësor”. Shëndeti i 79-vjeçarit Trump mbetet një çështje nën shqyrtim të ngushtë nga publiku amerikan.

    Që kur mori detyrën në janar 2025, Trump ka pasur një axhendë të ngjeshur, duke i kaluar shpesh fundjavat duke luajtur golf në klubet e tij në Florida dhe Virxhinia.

    Trump tha se i ishte bërë një skanim CT në Walter Reed në tetor për të përjashtuar problemet e mundshme kardiovaskulare dhe se nuk ishin gjetur anomali. Më vonë ai tha se pendohej që kishte ndarë informacionin sepse kjo çoi në spekulime rreth shëndetit të tij.

    Kohët e fundit, kanë dalë edhe foto që tregojnë mavijosje ose njollosje të lëkurës në duart e tij, gjë që ka ngritur gjithashtu pyetje të tjera.

    Trump, i cili do të mbushë 80 vjeç në qershor, ia atribuoi mavijosjet shtrëngimeve të shpeshta të duarve. Shtëpia e Bardhë përmendi ilaçet që hollojnë gjakun si shkak.

    Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se Trump do ta shfrytëzojë vizitën e tij në spital për t’u takuar me anëtarë të forcave të armatosura dhe stafin e spitalit ushtarak.

  • Paralajmërohen erëra të forta, Fushtica: Nuk ka vend për panik

    Paralajmërohen erëra të forta, Fushtica: Nuk ka vend për panik

    Paralajmërimet për erëra të forta në dy ditët e ardhshme kanë vënë në lëvizje institucionet në kryeqytet, ndërsa autoritetet lokale thonë se situata është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik, pavarësisht disa intervenimeve të izoluara gjatë ditës.

    Është duke u paralajmëruar për erëra të forta në këto dy ditë të kësaj jave, me çka edhe kanë filluar të reagojnë institucione në lidhje me situatën.

    Ndërmarrja Publike Lokale “Gjelbër” në Prishtinë, paralajmëroi qytetarët që të kenë kujdes të shtuar rreth lëvizjeve në hapësira publike dhe parqe, për shkak të erërave të forta.

    Në lidhje me situatën, Telegrafi ka kontaktuar me Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca në kryeqytet, Lulzim Fushtica, i cili bëri të ditur se situata aktualisht është e qetë dhe sipas tij, në bashkëpunim me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovë, nuk ka vend për panik.

    “Ne i kemi pa disa postime që janë bërë edhe nga portale të ndryshme, po edhe nga ndërmarrje publike “Gjelbër”, ne në koordinim me Institutin Hidrometeorologjik sot në mëngjes jemi konsultu edhe një herë edhe pak më herët edhe kam biseduar, i cili është institucioni i vetëm zyrtar i cili jep paralajmërime dhe prognoza sa i përket motit në Republikën e Kosovës, na kanë siguru që nuk ka vend për panik, pavarësisht nga kjo, ne nga mbrëmë kemi angazhuar të gjitha ekipet dhe janë në gjendje gatishmërie të gjitha ekipet emergjente, zjarrfikësit dhe policisë, janë në gjendje gatishmërie dhe kompania për intervenime emergjente”.

    Fushtica tha se gjatë ditës ka pasur disa intervenime, por se nuk është raportuar ndonjë rrezik serioz.

    “I kemi pas disa raste që kemi intervenu sot gjatë ditës, domethënë disa llamarina në disa pjesë qytetit kanë ra, por nuk ka vend për panik, nuk ka vend për rrezik. Mirëpo, pavarësisht asaj, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca është në gjendje gatishmërie dhe i përgjigjet çdo shqetësimi dhe çdo kërkese nga qytetarët”.

    Ai bëri të ditur se qytetarët mund të kontaktojnë shërbimet përkatëse në numrat emergjentë, të cilët janë aktivë 24 orë.

    “Qytetarët në kryeqytet mund të kontaktojnë edhe në numrat emergjent: 080012233 apo 12244 dhe operatorët janë 24/7 të pranojnë çdo kërkesë, çdo ankesë apo çdo shqetësim që qytetarët mund ta kenë lidhur me paralajmërimin për erëra të forta në kryeqytet apo edhe për ndonjë rrezik tjetër që mund t’i cenojë qytetarët e kryeqyteti”.

  • Sibel Halimi nuk kandidon për deputete: Do të vazhdojë angazhimin në LDK si anëtare e Kryesisë

    Sibel Halimi nuk kandidon për deputete: Do të vazhdojë angazhimin në LDK si anëtare e Kryesisë

    Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, ka njoftuar se s’do të jetë kandidate e LDK-së për deputete në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Halimi ka thënë se do të vazhdojë angazhimin e saj në strukturat qendrore të LDK-së, duke qenë se i beson kreut të partisë dhe nivelit të politikbërjes që ai përfaqëson.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë, votues të LDK-së dhe ju që më keni besuar në procesin e fundit zgjedhor përmes votës suaj.

    Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të mos kandidoj për deputete në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Këtë vendim e kam marrë sepse besoj se angazhimi politik nuk e merr kuptimin nga një kandidim personal, por nga besnikëria ndaj idesë që përfaqëson dhe përgjegjësisë ndaj vizionit që i duhet Kosovës sot.

    Angazhimi im në LDK do të mbetet i njëjti. Do të vazhdoj të jem pjesë e strukturave qendrore të partisë dhe të kontribuoj me të njëjtin përkushtim, sepse besoj se Lumir Abdixhiku përfaqëson mundësinë për një nivel tjetër të politikëbërjes në Kosovë, një kulturë politike qytetare, moderne dhe larg populizmit e mashtrimit që për vite e kanë rrezikuar shtetin tonë dhe e kanë helmuar debatin publik.

    Që nga dita e parë e angazhimit tim në LDK, kam besuar se Kosova ka nevojë për një drejtim liberal-demokratik, ku politika ndërtohet mbi ide, përgjegjësi dhe vlera që i rezistojnë kohës, e jo mbi zhurmën e momentit.

    Prandaj, sot më shumë se kurrë, besoj se duhet të bashkëkohemi për një LDK që rikthen stabilitetin institucional dhe për një kryeministër të një kalibri tjetër, siç është Lumir Abdixhiku.

    Me të njëjtin përkushtim do të vazhdoj të angazhohem që ideja e Lidhjes Demokratike të Kosovës të ngadhënjejë mbi politikën populiste që e ka lënë vendin pa vizion dhe pa rrugëdalje.

  • Sulmet e 7 tetorit, Izraeli miraton ligjin që lejon dënimin me vdekje

    Sulmet e 7 tetorit, Izraeli miraton ligjin që lejon dënimin me vdekje

    Izraeli ka miratuar një ligj të ri për të vendosur dënimin me vdekje dhe për të zhvilluar gjyqe publike për ata që janë përfshirë në sulmet e paprecedentë të udhëhequra nga Hamasi dhe marrjen masive të pengjeve në Izrael në tetor 2023.

    Legjislacioni u miratua me 93 vota pro dhe 0 kundër në parlamentin e Izraelit – Knesset – dhe u sponsorizua në mënyrë të pazakontë bashkërisht nga politikanët e qeverisë dhe të opozitës.

    27 ligjvënësit e mbetur mungonin ose abstenuan, shkruan BBC.

    “Le të shohin të gjithë se si viktimat dhe familjet e tyre shikojnë në të bardhën e syve të atyre vrasësve, përdhunuesve dhe rrëmbyesve”, tha Yulia Malinovsky, një bashkë-sponsorizuese e projektligjit, në një konferencë për shtyp përpara votimeve parlamentare.

  • Kosova kryeson rajonin me përqindjen e të rinjve në burgje, pse?

    Kosova kryeson rajonin me përqindjen e të rinjve në burgje, pse?

    Më shumë se çdo i treti i burgosur në Kosovë është nën moshën 30-vjeçare, shkruan Radio Evropa e Lirë

    Të dhënat, të publikuara në fund të prillit në kuadër të Indeksit të Pjesëmarrjes së Rinisë, tregojnë se Kosova ka përqindjen më të lartë të të rinjve në shërbimin korrektues në të gjithë rajonin.

    Një vit më herët, Kosova ishte e dyta, pas Shqipërisë.

    Për Ferid Murselin nga organizata Demokracia për Zvhillim (D4D) – që grumbulloi të dhënat zyrtare për Kosovën për këtë raport – këto shifra nuk tregojnë vetëm për sistemin penal.

    “Në vendin tonë, çdo ditë themi që ‘ky vend ka rini’, ‘rinia është e ardhmja’, por në fakt kjo tregon saktë se ku qëndron rinia, qoftë në dimensionin politik, social ose ekonomik”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    “Burgjet po reflektojnë një problem më të thellë social”

    Përveç shkallës së lartë të të rinjve në burgje, Kosova renditet dobët edhe në tregues të tjerë që lidhen me jetën e të rinjve.

    Rreth 35 për qind e të rinjve në Kosovë janë jashtë arsimit, punës dhe trajnimeve – niveli më i lartë në rajon.

    Kosova ka, po ashtu, shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së të rinjve në fuqinë punëtore.

    “Është një numër shumë i lartë”, thotë Murseli. “Nëse ke papunësi të madhe, atëherë ka gjasa më të mëdha që të rinjtë të jenë të përfshirë në faktorë negativë”.

    Ai argumenton se institucionet duhet të investojnë më shumë në reforma arsimore, orientim në karrierë, shkolla profesionale dhe aktivitete komunitare për të rinjtë.

    “Duhet të ketë më shumë qendra rinore funksionale, aktivitete sportive, kulturore dhe artistike, në mënyrë që të rinjve t’u ofrohen alternativa pozitive”, thotë Murseli.

    Edhe sociologia Donika Gashi nga Instituti Musine Kokalari e sheh këtë statistikë si pasojë të faktorëve më të thellë socialë.

    “Kjo shifër nuk mund të lexohet thjesht si çështje kriminaliteti, por si simptomë e pasigurisë ekonomike, dështimit arsimor dhe margjinalizimit social”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas saj, shumë të rinj hyjnë në konflikt me ligjin pasi nuk arrijnë të gjejnë punë të qëndrueshme, mbështetje psikologjike ose shërbime komunitare.

    “Nëse një i ri nuk është në punë, nuk është në arsim dhe nuk sheh rrugë për përparim, sistemi e takon shumë vonë, kur ai tashmë ka hyrë në konflikt me ligjin”, thotë Gashi.

    “Të rinjtë trajtohen si numra”

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë nëse ka ndonjë plan për ta trajtuar këtë fenomen, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

    Ngjashëm, as Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk i ka dhënë REL-it leje për vizitë në Qendrën Korrektuese për të Mitur, që ndodhet në Lipjan.

    Gjatë një vizite para disa viteve, dy të rinj kishin treguar për jetën e tyre brenda mureve të këtij institucioni, në izolim.

    Të dy mezi prisnin lirimin dhe kthimin në shoqëri, por psikologia Fjolla Ibrahimi kishte lënë të kuptohet se ai kthim mund të mos jetë shumë mikpritës.

    “Sfidat kryesore që hasin ish të burgosurit në riintegrim, janë mospërputhshmëria me personat e tjerë në rrethin ku ata do të jetojnë, gjetja e një pune permanente, e cila sjell të ardhura, shëndeti i tyre mendor pas daljes nga burgu, si dhe paragjykimi, i cili vjen nga të tjerët”, kishte thënë Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

    Efektet negative që sjell izolimi i të rinjve në një kohë të rëndësishme për zhvillimin e tyre, si në adoleshencë, bëjnë që organizata amerikane Juvenile Law Center të kërkojë zhdukjen e institucioneve të tilla për të mitur.

    Kate Burdick, avokate në këtë organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se izolimi, kontrolli i vazhdueshëm dhe shkëputja nga mbështetja familjare ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin emocional të të rinjve.

    “Po flasim për fëmijë dhe të rinj, truri i të cilëve ende është në zhvillim. Kjo është një periudhë kur ata kanë nevojë për mbështetje, jo për trauma shtesë”, thotë Burdick.

    Sipas saj, edhe në institucionet ku nuk ka dhunë fizike, vetë ndarja nga familja dhe komuniteti është problematike.

    “Ata trajtohen si numra dhe shkëputen nga njerëzit që përbëjnë identitetin dhe mbështetjen e tyre”, thotë Burdick. “Pyetjet që dëgjojmë më shpesh janë: ‘Si mund të flas më shumë me nënën time?’ ose ‘Si mund të mos e humbas ditëlindjen e motrës?’”.

    Sipas saj, alternativa më efektive janë programet komunitare, mentorimi, terapia dhe drejtësia restauruese.

    “Kërkimet tregojnë se alternativat ndaj burgimit janë më efektive në uljen e recidivizmit sesa izolimi i të rinjve në institucione”, thotë Burdick.

    Kosova nuk mban statistika për shkallën e recidivizmit në vend.

    Sistemi më shumë ndëshkues sesa parandalues?

    Sipas Donika Gashit, në letër, Kosova ka politika parandaluese. Por, në realitet, thotë ajo, sistemi vazhdon të funksionojë ndryshe.

    “Kjo do të thotë se institucionet aktivizohen pasi dëmi ka ndodhur: policia, prokuroria, gjykata dhe më pas sistemi korrektues”, thotë ajo.

    Parandalimi i vërtetë, sipas Gashit, duhet të ndodhë shumë më herët: në shkolla, familje, qendra për punë sociale dhe shërbime të shëndetit mendor.

    “Duhet të kalojmë nga logjika ‘ta dënojmë’ te logjika ‘ta ndërpresim ciklin’”, thotë Gashi.

    Ajo argumenton se për veprat më pak të rënda, sidomos për kryesit për herë të parë, duhet të përdoren më shumë masa alternative, si puna në dobi të komunitetit, trajtimi i varësive dhe kthimi në arsim.

    “Drejtësia nuk përfundon me shqiptimin e dënimit, por me sigurimin që personi të mos e përsërisë më të njëjtën vepër”, thotë ajo.

    “Duhet të ketë lidhje reale me tregun e punës, mentorim dhe mbështetje psikologjike”, sipas saj.

    Ajo paralajmëron se, në të kundërtën, burgu rrezikon të forcojë “identitetin kriminal” të të rinjve.

    “Parandalimi është më i lirë se burgimi”

    Për ekspertët, investimi në arsim, punësim dhe shërbime komunitare shihet si mënyra më efektive për të ulur recidivizmin.

    Edhe Burdick argumenton se resurset financiare mund të përdoren më mirë jashtë institucioneve të mbyllura.

    “Është shumë më efektive dhe më pak e kushtueshme që mbështetja t’u ofrohet të rinjve në komunitet sesa në burg”, thotë ajo.

    Për Murselin, shifrat duhet të shërbejnë si alarm për institucionet. Ai paralajmëron se, pa politika afatgjate dhe investime serioze në rininë, problemet mund të thellohen.

    “Nëse vazhdojmë kështu, do të kemi probleme edhe më të mëdha në të ardhmen”, përfundon Murseli.

  • Zelensky denoncon skadimin e armëpushimit tre-ditor: Mbi 200 dronë rusë godasin Ukrainën

    Zelensky denoncon skadimin e armëpushimit tre-ditor: Mbi 200 dronë rusë godasin Ukrainën

    Ukraina është përballur me një valë të re sulmesh ajrore pas përfundimit të një armëpushimi tre-ditor, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy që deklaron se mbi 200 dronë janë lëshuar gjatë natës nga Rusia. Në një postim në rrjetet sociale, Zelenskyy tha se “më shumë se 200 mjete ajrore pa pilot u lëshuan në Ukrainë”, duke akuzuar Moskën se ka ndërprerë “qetësinë e pjesshme” që kishte zgjatur disa ditë.

    Autoritetet lokale konfirmuan se të paktën një person është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në rajonin e Dnipropetrovsk, ku janë regjistruar më shumë se 20 sulme me dronë, artileri dhe bombardime ajrore. Guvernatori rajonal Oleksandr Ganza raportoi dëme në banesa, një ndërtesë nëntëkatëshe dhe automjete. Në kryeqytetin Kiev, për herë të parë që nga 8 maji, autoritetet lëshuan alarm për sulm ajror për shkak të kërcënimit nga dronët. Kryebashkiaku Vitali Klitschko njoftoi se mbetjet e një droni ranë mbi një ndërtesë 16-katëshe në lagjen Obolonsky, duke shkaktuar zjarr.

    Sipas komandës ushtarake rajonale, janë raportuar sulme edhe ndaj ndërtesave të banimit dhe institucioneve arsimore, megjithëse pa viktima në disa zona. Nga ana tjetër, Rusia ka deklaruar se ka rrëzuar rreth 30 dronë ukrainas, duke pretenduar se 27 prej tyre janë interceptuar në rajonet e Belgorodit, Voronezhit dhe Rostovit.

    Të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të përkohshëm, ndërsa tensionet janë rritur sërish pas disa ditësh qetësie relative. Zelenskyy paralajmëroi gjithashtu se Rusia “nuk ka ndërmend t’i japë fund kësaj lufte” dhe se po përgatit sulme të reja.

  • Pavarësisht thirrjeve për dorëheqje, Keir Starmer nuk tërhiqet: Duhet të vazhdojmë qeverisjen

    Pavarësisht thirrjeve për dorëheqje, Keir Starmer nuk tërhiqet: Duhet të vazhdojmë qeverisjen

    Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar para kabinetit të tij se procesi për ndryshimin e liderit në Partinë Laburiste nuk është aktivizuar dhe se vendi pret që qeveria të vazhdojë punën.

    Sipas deklaratës së Downing Street, Starmer u shpreh në fillim të një mbledhjeje të rëndësishme të kabinetit se merr përgjegjësi për rezultatet e fundit zgjedhore dhe për zbatimin e ndryshimeve të premtuara.

    “48 orët e fundit kanë qenë destabilizuese për qeverinë dhe kjo ka një kosto reale ekonomike për vendin dhe familjet”, tha ai.

    Ai theksoi gjithashtu se, megjithëse ekziston një mekanizëm për sfidimin e liderit në Partinë Laburiste, ky proces nuk është nisur.

    “Vendi pret që ne të vazhdojmë qeverisjen. Kjo është ajo që unë po bëj dhe ajo që duhet të bëjmë si kabinet”, deklaroi Starmer.

    Sipas rregullave të partisë, për të nisur një garë për lidershipin, një deputet duhet të njoftojë Komitetin Ekzekutiv Kombëtar dhe më pas të sigurojë mbështetjen e të paktën 20% të grupit parlamentar laburist, që aktualisht përbën rreth 80 deputetë.

    Edhe pse rreth 78 deputetë kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e tij, këto deklarata nuk aktivizojnë automatikisht asnjë procedurë zyrtare për të sfiduar liderin.