ATV

Author: K.B.

  • SHBA planifikon rritjen e pranisë ushtarake në Grenlandë, Danimarka pranon të negociojë

    SHBA planifikon rritjen e pranisë ushtarake në Grenlandë, Danimarka pranon të negociojë

    Shtetet e Bashkuara kanë nisur bisedime me Danimarkën për të rritur praninë e tyre ushtarake në Grenlandë, në një marrëveshje që mbetet më e kufizuar krahasuar me kërcënimet e mëparshme për ta marrë ishullin nën kontroll. Sipas një gjenerali të lartë, Washingtoni po kërkon qasje në tri baza, përfshirë dy ish-baza ushtarake amerikane të braktisura, për të ndërtuar pista ajrore dhe porte.

    Kjo do të ishte zgjerimi i parë i pranisë ushtarake amerikane në Grenlandë pas disa dekadash, por nuk arrin nivelin e planeve të mëparshme të Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit arktik ose për të krijuar baza amerikane me sovranitet të plotë.

    Bisedimet po zhvillohen në kuadër të marrëveshjes së mbrojtjes të vitit 1951 mes Danimarkës dhe SHBA-së, e cila i lejon Amerikës të ndërtojë dhe zgjerojë objekte ushtarake në Grenlandë, territor autonom nën Danimarkë.

    Aktualisht, baza hapësinore Pituffik është e vetmja bazë ushtarake amerikane në Grenlandë, e vendosur në veriperëndim të ishullit. Ajo funksionon që nga marrëveshja e vitit 1951 dhe ka rol kyç në sistemin amerikan të paralajmërimit të hershëm, mbrojtjes raketore dhe mbikëqyrjes hapësinore.

    Zëdhënësja e Komandës Veriore të SHBA-së, nënkolonele Teresa C. Meadows, tha se SHBA dëshiron të zgjerojë praninë pranë qytetit jugor Narsarsuaq dhe në Kangerlussuaq, në pjesën perëndimore të Grenlandës.

    Qeveria daneze nuk komentoi menjëherë raportimin e New York Times, i cili citonte një prezantim të fundit të një gjenerali amerikan para ligjvënësve amerikanë dhe një zëdhënësi të ushtrisë amerikane.

    The Telegraph mëson se për Danimarkën, dorëzimi i sovranitetit mbi Grenlandën në çfarëdo forme është vijë e kuqe. Kjo mund të ketë bërë që Kopenhaga të refuzojë më herët një propozim amerikan për baza sovrane, të ngjashme me modelin britanik në Qipro.

    Sipas New York Times, gjenerali Gregory Guillot, shefi i Komandës Veriore të SHBA-së, u tha ligjvënësve amerikanë në mesin e marsit se ushtria po kërkon “qasje më të madhe në baza të ndryshme në Grenlandë, për shkak të rritjes së kërcënimeve dhe rëndësisë strategjike të ishullit”.

    Danimarka duket se e sheh marrëveshjen me SHBA-në si një zbutje të qëndrimeve të mëparshme amerikane për Grenlandën, por në vetë Grenlandën ka shqetësime për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane dhe pasojat mjedisore që mund të sjellë ndërtimi i bazave të reja.

    Tensionet mes Washingtonit dhe Kopenhagës u rritën në janar, pasi Donald Trump kërcënoi se mund ta merrte Grenlandën me forcë, duke e arsyetuar me interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së. Pas kësaj përplasjeje diplomatike, të dy vendet ranë dakord të zhvillojnë negociata për çështjet e sigurisë dhe për mundësinë e zgjerimit të bazave ushtarake amerikane në ishull.

    Trump kishte deklaruar më herët se SHBA duhet të marrë kontrollin e Grenlandës për shkak të rritjes së pranisë së Kinës dhe Rusisë në rajonin e Arktikut. Ai pretendoi gjithashtu se ujërat përreth Grenlandës ishin të mbushura me anije ruse dhe kineze, por këto deklarata u hodhën poshtë nga autoritetet daneze, ekspertët e sigurisë dhe monitoruesit e trafikut detar, të cilët i cilësuan si të pavërteta.

  • Gucati: OVL e UÇK-së kërkon kthimin e krahut të luftës në pushtet

    Gucati: OVL e UÇK-së kërkon kthimin e krahut të luftës në pushtet

    Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se kjo organizatë dëshiron kthimin e krahut të luftës në politikë.

    Ai tha se OVL UÇK-ja kërkon të ketë bashkëpunim të ngushtë me secilën parti, megjithatë, ai shtoi se si organizatë dëshirojnë kthimin e krahut të luftës edhe në pushtet.

    “Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë që të jemi bashkë në një tryezë”, tha Gucati në Klan Kosova.

    “Ne ende kemi nevojë për liderë të fortë. Mendoj që korriku nuk do të shkojë e ata do të kthehen”, tha ai për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

  • Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe te varri i heroit Agron Rrahmani

    Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe te varri i heroit Agron Rrahmani

    Në 28-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, Agron Rrahmani, homazhe te varri i tij kanë bërë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se Rrahmani ishte luftëtar i guximshëm, por më shumë se kaq ishte edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet.

    “Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë se Kosova duhej të çlirohej”.

    “Agroni ra heroikisht me 12 maj 1998. Ajo ishte javë e kobshme për luftën tonë dhe një nga goditjet më të rënda të organizimit të hershëm të luftës çlirimtare. Para rënies së tij, kishte rënë me 7 maj Bahri Fazliu dhe me 9 maj Ilir Konushevci. Lavdi e përjetshme heroit Agron Rrahmai dhe të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar ajo.

  • Konjufca e Kryenegociatori Bajrami takohen me Sorensenin në Bruksel: Finalja të jetë njohja reciproke

    Konjufca e Kryenegociatori Bajrami takohen me Sorensenin në Bruksel: Finalja të jetë njohja reciproke

    Kryediplomati në detyrë, Glauk Konjfuca, bashkë me Kryenegociatorin, Agron Bajrami, kanë takuar sot në ambasadën e Kosovës në Bruksel, emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Konjufca ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për avancimin e dialogut për normalizim me Serbinë.

    Ai ka shtuar tutje se Kosova mbetet e përkushtuar për angazhim kontruktiv dhe synim që dialogu me Serbinë të mbyllet me njohje reciproke.

    “Së bashku me Kryenegociatorin tonë Agron Bajrami, riafirmuam se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive, me qëllimin e qartë për të përfunduar procesin përmes njohjes së ndërsjellë”, ka thënë Konjufca.

  • Besnik Tahiri deputeti më aktiv në Kuvendin e Kosovës: Besimin e qytetarëve duhet ruajtur, sepse është i shenjtë

    Besnik Tahiri deputeti më aktiv në Kuvendin e Kosovës: Besimin e qytetarëve duhet ruajtur, sepse është i shenjtë

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se në Legjislaturën e Dhjetë të Kuvendit të Kosovës është vlerësuar si deputeti më aktiv, sipas raportit monitorues të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Tahiri ka theksuar se rikthimi i mandatit dhe besimi i qytetarëve, sipas tij, janë reflektuar në punë të vazhdueshme parlamentare, duke shtuar se edhe më herët, në Legjislaturën e Tetë, kishte qenë deputeti më aktiv.

    “Legjislatura e Dhjetë është vazhdim i një angazhimi të dëshmuar ndër vite. Në katër vite radhazi, besimi qytetar është kthyer në punë, përkushtim dhe përfaqësim dinjitoz,” ka deklaruar Tahiri.

    Postimi:

    Edhe në këtë Legjislaturë deputeti më aktiv

    Rikthimi në mandatin e deputetit dhe trajtimi i besimit qytetar si të shenjtë dëshmohen edhe në raportin monitorues të Legjislaturës së Dhjetë (X) nga organizata e specializuar që monitoron kuvendin, @instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Ndihem mirë që edhe këtë vit jam vlerësuar si deputeti numër një, më aktiv në Kuvendin e Kosovës. Legjislatura e Dhjetë është vazhdim i një angazhimi të dëshmuar ndër vite, pasi edhe në tri vite të legjislaturës së tetë (VIII) isha deputeti më aktiv. Pra, në katër vite radhazi, besimi qytetar është kthyer në punë, përkushtim dhe përfaqësim dinjitoz.

    Ngjashëm edhe në aktivitetet si grup parlamentar, përllogaritur me numrin e deputetëve, Grupi Parlamentar i AAK-së ka 9.66 fjalime për deputet, krahasuar me grupin më të madh parlamentar me 57 deputetë, që ka 2.36.

    Kjo dëshmon se përgjegjësia e deputetit dhe adresimi i shqetësimeve të qytetarëve nuk varen nga numrat, por nga vullneti dhe serioziteti në përfaqësim.

    Besimin e qytetarëve duhet ruajtur, sepse është i shenjtë.

  • Parlamenti serb nuk e përkrah kërkesën e Kamberit për Komision të posaçëm për vdekjen e 135 shqiptarëve në Armatën Jugosllave

    Parlamenti serb nuk e përkrah kërkesën e Kamberit për Komision të posaçëm për vdekjen e 135 shqiptarëve në Armatën Jugosllave

    Nuk ka marrë përkrahje propozimi i deputetit shqiptar, Shaip Kamberi, që Parlamenti i Serbisë të formojë një Komision të posaçëm për përcaktimin e së vërtetës në rastet e vdekjes së 135 shqiptarëve në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve ‘80.

    Për propozimin e tij 7 deputetë kanë votuar për, 4 kundër dhe 164 nuk kanë marrë pjesë në votim.

    Në fjalimin e tij, Kamberi ka theksuar se vdekjet e ushtarëve shqiptarë janë trajtuar nga autoritetet e atëhershme si “vetëvrasje”, “aksidente” apo incidente të izoluara, por familjet e viktimave dhe komuniteti shqiptar kanë ngritur dyshime të vazhdueshme për motive etnike dhe politike.

    “Autoritetet shtetërore në Serbi kurrë nuk kanë pranuar zyrtarisht se shqiptarët janë vrarë për motive etnike gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në APJ. Rastet individuale janë trajtuar si vetëvrasje, aksidente ose incidente të izoluara, pa prapavijë politike apo diskriminuese”, ka theksuar Kamberi.

    Sipas Kamberit 135 shqiptarët e vrarë në Armatën Popullore të Jugosllavisë janë arsye pse të rinjtë shqiptarë nuk e shohin vetën pjesë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

    Ai theksoi se shqiptarët në ish-Jugosllavi shpesh përballeshin me diskriminim, stigmatizim dhe represion kulturor brenda ushtrisë, veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

    Sipas Kamberit, mungesa e hetimeve të pavarura dhe mbyllja e arkivave ushtarake kanë penguar zbardhjen e rasteve, ndërsa tema vazhdon të mbetet e heshtur në diskursin publik dhe institucional në Serbi.

    “Mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës vetëm sa i shtoi dyshimet se bëhej fjalë për vrasje me motive etnike ose politike. Shumë historianë, gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut sugjerojnë se ushtarët shqiptarë ishin në mënyrë të qëllimshme të ekspozuar ndaj dhunës për shkak të përkatësisë së tyre etnike, veçanërisht në kontekstin e rritjes së nacionalizmit serb dhe qëndrimeve anti-shqiptare. Shqiptarët shpesh perceptoheshin si të pabesueshëm, separatistë të mundshëm, apo edhe si kërcënim për strukturën federative të shtetit”, ka deklaruar Kamberi.

    Deputeti shqiptar kërkoi që Komisioni të përfshijë përfaqësues të Kuvendit të Serbisë, organizata të të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar, me qëllim siç tha, “përcaktimin e së vërtetës” për rastet e shqiptarëve të vdekur në radhët e APJ-së.

    Fjalimi i plotë:

    135 shqiptarët e vrarë në Armatën Popullore të Jugosllavisë janë arsye pse të rinjtë shqiptarë nuk e shohin vetën pjesë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

    Në lidhje me këtë iniciativë, tek komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës ekziston shqetësim për thirrjet e mundshme të të rinjve shqiptarë për kryerjen e shërbimit ushtarak, për shkak se e kaluara dhe pasojat e saj vazhdojnë të ndikojnë në vetëdijen kolektive të shqiptarëve.

    Shqiptarët, të cilët si qytetarë të RSFJ-së kishin detyrim të kryenin shërbimin ushtarak në Ushtrinë Popullore Jugosllave, shpesh përballeshin me diskriminim etnik, stigmatizim politik dhe represion kulturor brenda ushtrisë. Kjo armiqësi e hapur ndaj shqiptarëve u intensifikua veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, kur kërkesat për status republike u shpallën “irredentizëm” nga regjimi. Fenomeni i vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në Ushtrinë Popullore Jugosllave (APJ), gjatë ekzistencës së RSFJ-së (Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë), përfaqëson një temë të ndjeshme, e cila shpesh trajtohet në kontekste politike dhe historike, sidomos nga komuniteti shqiptar. Gjatë viteve ’80, 135 të rinj shqiptarë humbën jetën gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në APJ.

    Gjatë viteve 1970 dhe 1980 është regjistruar një numër i konsiderueshëm vdekjesh të ushtarëve shqiptarë në rrethana të dyshimta, të cilat autoritetet shpesh i klasifikonin si “vetëvrasje”, “aksidente” ose “shkelje të disiplinës ushtarake”. Familjet e viktimave shpesh nuk u besonin versioneve zyrtare dhe raportonin gjurmë dhune në trupat që u ktheheshin. Mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës vetëm sa i shtoi dyshimet se bëhej fjalë për vrasje me motive etnike ose politike. Shumë historianë, gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut sugjerojnë se ushtarët shqiptarë ishin në mënyrë të qëllimshme të ekspozuar ndaj dhunës për shkak të përkatësisë së tyre etnike, veçanërisht në kontekstin e rritjes së nacionalizmit serb dhe qëndrimeve anti-shqiptare. Shqiptarët shpesh perceptoheshin si të pabesueshëm, separatistë të mundshëm, apo edhe si kërcënim për strukturën federative të shtetit.

    Ky fenomen ka lënë plagë të thellë në kujtesën kolektive të shqiptarëve, veçanërisht në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës. Në periudha të ndryshme ka pasur përpjekje për dokumentimin e këtyre rasteve dhe kërkimin e drejtësisë për viktimat, por asnjëherë nuk janë zhvilluar hetime gjithëpërfshirëse zyrtare, as nga shteti i dikurshëm jugosllav dhe as nga pasardhësit e tij. Disa raste janë trajtuar në media ose përmes aktivizmit të organizatave për të drejtat e njeriut. Në Serbi, fenomeni i vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në Ushtrinë Popullore Jugosllave përgjithësisht nuk është njohur si krim sistematik, dhe as nuk është klasifikuar zyrtarisht si temë që meriton hetim të posaçëm. Kjo temë në diskursin shtetëror dhe publik të Serbisë ka disa karakteristika të rëndësishme:

    Autoritetet shtetërore në Serbi kurrë nuk kanë pranuar zyrtarisht se shqiptarët janë vrarë për motive etnike gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në APJ. Rastet individuale janë trajtuar si vetëvrasje, aksidente ose incidente të izoluara, pa prapavijë politike apo diskriminuese.

    Asnjë hetim zyrtar nuk është iniciuar, as nga institucionet ushtarake dhe as nga ato gjyqësore në Serbi, lidhur me vdekjet e dyshimta të ushtarëve shqiptarë. Arkivat ushtarake nga periudha jugosllave janë të mbyllura, sidomos ato që lidhen me APJ-në dhe shërbimet e sigurisë.

    Në diskursin publik dhe historiografinë serbe, kjo temë kryesisht anashkalohet. Kur përmendet, zakonisht bëhet në kontekstin më të gjerë të “vuajtjeve të të gjithë popujve të Jugosllavisë” gjatë krizave. Ndërsa shpesh flitet për vuajtjet e ushtarëve serbë gjatë luftërave të viteve ’90, nuk përmendet trajtimi i shqiptarëve gjatë periudhës së RSFJ-së.

    Disa organizata, si Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), janë marrë më gjerësisht me shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe krimet e luftës, por tema e ushtarëve shqiptarë të vrarë në APJ mbetet pak e trajtuar dhe e pamjaftueshme e dokumentuar në Serbi.

    Mediat kryesore në gjuhën serbe nuk raportojnë për këtë temë. Opinioni publik në Serbi nuk ka njohuri të gjera për këtë fenomen, ndërsa shpesh mungon edhe interesi për ballafaqim kritik me të kaluarën, veçanërisht kur bëhet fjalë për krime ose diskriminim ndaj shqiptarëve.

    Duke qenë se si përfundim imponohet fakti se: në Serbi kjo temë është e heshtur, e padokumentuar dhe e papërfaqësuar si në narrativat zyrtare ashtu edhe në ato publike, gjë që reflekton mungesë serioze të ballafaqimit me të kaluarën dhe diskriminim institucional ndaj shqiptarëve në periudhën jugosllave, në përputhje me nenin 40 pika 6 të Rregullores së Kuvendit Popullor paraqes Propozimin për formimin e një Komisioni të posaçëm për përcaktimin e së vërtetës në rastet e vdekjes së 135 shqiptarëve në radhët e APJ-së gjatë viteve ’80. Përveç përfaqësuesve të Kuvendit Popullor, në komision duhet të jenë edhe përfaqësues të sektorit civil që merren me çështje të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë tranzicionale, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.

    Në bazë të nenit 40 pika 6 të Rregullores së Kuvendit Popullor, paraqes Propozimin për formimin e një Komisioni të posaçëm me qëllim të përcaktimit të së vërtetës në rastet e vdekjes së 135 shqiptarëve në radhët e APJ-së gjatë viteve ’80.

  • Mungojnë dy të akuzuar, dështon seanca ndaj 12 zyrtarëve policorë dhe dy doganierëve të akuzuar për ryshfet

    Mungojnë dy të akuzuar, dështon seanca ndaj 12 zyrtarëve policorë dhe dy doganierëve të akuzuar për ryshfet

    Në mungesë të të akuzuarve Sami Hajdari dhe Enis Turtulla, ka dështuar të mbahet seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj 12 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit Qafë Prush dhe dy zyrtarëve doganorë, të cilët ngarkohen për “Marrje ryshfeti”.

    12 zyrtarët policorë të akuzuar në këtë rast janë: Artan Thaqi, Agron Bejtullahu, Afrim Deda, Avdi Përolli, Benon Këpuska, Isa Ibrahimi, Kreshnik Arllati, Malë Berisha, Mehmet Manxhuka, Sami Hajdari, Shaqir Krasniqi dhe Uran Mati, si dhe dy zyrtarët e doganës Enis Turtulla dhe Senad Zherka, raporton“Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Sami Hajdari, avokati Haxhi Millaku, deklaroi se i mbrojturi i tij ka rast mortor në familje dhe për këtë arsye nuk ka mundur të jetë prezent.

    Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Enis Turtulla, avokatja Dafina Osmani, tha se klienti i saj është në gjendje të rëndë shëndetësore duke ia pamundësuar kështu prezencën në seancë gjyqësore.

    Avokatja Osmani propozoi që për shkak të ekonomizimit të procedurës dhe gjendjes shëndetësore të klinetit të saj, të veçohet procedura ndaj tij, pasi që akuza nuk e lidhë asgjë Turtullën me të akuzuarit e tjerë.

    Prokurorja e rastit, Habibe Salihi, tha që seanca e së martës të shtyhet, por kërkoi nga Gjykata që të akuzuarve që nuk janë prezent t’iu vërejtje gjyqësore.

    Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Artan Thaqi, avokati Haki Gecaj, ndër të tjera tha se pasi vepra penale është kryer në bashkëkryerje dhe provat janë të përbashkëta, sipas tij, veçimi i procedurës nuk do të kontribuonte në ekonomizimin e procedurës gjyqësore, andaj propozoi që seanca e së martës të shtyhet.

    Edhe mbrojtësit e të akuzuarve u pajtuan me propozimin e avokatit Gecaj.

    Në këto rrethana, seanca e sotme u shty, me qëllim që t’iu jepet mundësia të gjithë palëve që të jenë prezent dhe të gjykohen së bashku.

    Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty për një ditë tjetër.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 21 shkurt 2024, 14 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

    Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 26 dhjetor 2023, thuhet se nga muaji gusht deri në dhjetor të vitit 2021, në pikën kufitare Qafë Prush, të akuzuarit e lartpërmendur në cilësi të personave zyrtarë, kanë bashkëvepruar me njëri-tjetrin duke marrë ryshfet shuma të ndryshme parash.

    Sipas akuzës, të akuzuarit- zyrtarët policorë u kishin mundësuar qytetarëve hyrje-daljen në pikën kufitare të lartcekur, pa iu nënshtruar fare procedurave ligjore në fuqi në kundërshtim me kushtet për hyrjen në Kosovë që lidheshin me masat kundër pandemisë COVID-19.

    Ndërsa, dy doganierët Zherka dhe Trutulla, ngarkohen se me qëllim të përftimit të kundërligjshëm kishin vepruar në kundërshtim me Kodin Doganor dhe Akcizave të Kosovës, duke lejuar hyrjen mallrave të ndryshme pa iu nënshtruar mbikëqyrjes doganore.

    Me këto veprime, 14 të akuzuarit po ngarkohen se kanë kryer veprën penale në vazhdim “Marrje ryshfeti” në bashkëkryerje nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 paragrafi 1, paragrafi 1.2, 1.3, 1.4, 1.5 dhe paragrafi 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi/

  • “Është histerik, pastron para”, ish-zëdhënësja flet për Zelenskyn: Ndryshon maskën gjithë kohës

    “Është histerik, pastron para”, ish-zëdhënësja flet për Zelenskyn: Ndryshon maskën gjithë kohës

    Ish zëdhënësja e Presidentit të Ukrainas, Zelensky, ka rrëfyer në një podcast të Tucker Carlson një tjetër figurë të drejtuesit të vendit të saj.

    Ajo thotë se Zelensky është një njeri histerik, përballë kamerave sillet si një arush i butë, por kur fiken dritat kthehet në një ari të egër.

    Ajo e akuzon Presidentin se qëndron edhe në krye të skemave të pastrimit të parave në vend.

    ucker Carlson: Pra, ju keni qenë zëdhënësja e presidentit Zelensky?

    Julia Mendel (ish-zëdhënëse e Zelenskyt): Po. Para së gjithash, faleminderit që më ftuat. Dhe nuk e kisha menduar kurrë se do të isha këtu duke folur për ish-shefin tim, Volodymyr Zelensky. Kam punuar për të për dy vite, nga viti 2019 deri në vitin 2021.

    Carlson: Si përfunduat duke punuar për të?

    Mendel: Zelensky e shpalli vendin e punës në Facebook dhe të gjithë filluan të aplikonin. Në fillim nuk doja të aplikoja, sepse mendoja se ai do të merrte dikë përmes nepotizmit, por kishte një aplikim të hapur dhe unë konkurrava mes 4 mijë aplikantëve. Nuk është shaka. Pastaj më duhej të provoja se mund ta bëja punën dhe se ai mund të kishte besim tek unë. Por po, gjetëm gjuhën e përbashkët dhe mendoj se kam qenë shumë besnike ndaj tij. E kam mbështetur dhe e kam mbështetur edhe në vitin 2022 kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë, ashtu si miliona ukrainas. Isha mirënjohëse që ai qëndroi në vend.

    Prandaj është kaq e çuditshme dhe e dhimbshme për mua të jem këtu dhe të tregoj se kush është ai në të vërtetë. Nuk kam hakmarrje personale, por besoj se ai është një nga pengesat më të mëdha për paqen sot. Prandaj doja t’u tregoja njerëzve se kush është ai.

    Carlson: Kush është ai?

    Mendel: Së pari, ai nuk është personi që shihni në kamera. Është një person krejt ndryshe. Ai ndryshon maska gjatë gjithë kohës. Është emocionalisht i pakontrollueshëm.

    Carlson: Emocionalisht i pakontrollueshëm?

    Mendel: Po. Nuk i kontrollon emocionet e tij. Shpesh është histerik dhe mendon se çdo person është i zëvendësueshëm. Nuk ka empatinë që shtiret se ka. Është një aktor jashtëzakonisht i talentuar dhe kjo na solli shumë mbështetje në vitin 2022. Por aktrimi i tij nuk ka përmbajtje dhe gjithçka që thotë është shumë e shkëputur nga realiteti. Shumica e gjërave që thotë janë ose manipulim, ose fakte të nxjerra jashtë kontekstit, ose gënjeshtra të pastra. Miliona njerëz ende besojnë se mbështetja për Zelenskyn do të thotë mbështetje për Ukrainën, por sot situata është ndryshe.

    Dhe Tucker, dua të them se nuk jam këtu për të justifikuar pushtimin rus. Nuk jam këtu për të justifikuar Putinin. Ajo që ushtria ruse po bën në Ukrainë është krim kundër njerëzimit. Por kjo luftë nuk është më bardh e zi. Është errësirë dhe edhe më shumë errësirë. Ne e shohim Putinin si të keqen, por edhe Zelensky është një e keqe. Vetëm se është një e keqe e fshehur. Në kamera luan rolin e një arushi të butë, por kur fiket drita, është një ari i egër dhe shkatërron njerëzit.

  • Gara e 7 qershorit, edhe Balli Kombëtar në listën e LDK-së

    Gara e 7 qershorit, edhe Balli Kombëtar në listën e LDK-së

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka nënshkruar marrëveshje parazgjedhore me Partinë e Drejtësisë dhe Ballin Kombëtar, për të garuar së bashku në zgjedhjet e 7 qershorit.

    SIç bën të ditur LDK-ja në një njoftim, Partia e Drejtësisë do të garojë në listë me Ferid Aganin, ndërsa Balli Kombëtar me Alban Hotin.

    “Ky bashkëpunim përfaqëson një bashkim vlerash, përgjegjësie politike dhe vizioni të përbashkët për një Kosovë më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të dinjitetshme për qytetarët e saj. Si dhe është pjesë e përpjekjes së LDK-së për të ndërtuar një shumicë të re politike që e nxjerr vendin nga kriza, e hap zhvillimin, e kthen shpresën dhe e udhëheq Kosovën me maturi e dinjitet.

    Kosova ka nevojë për përgjegjësi, shpresë dhe për LDK-në!”, thuhet në njoftim.

  • Ish-deputet në tri mandate, bashkëpunëtor i Rugovës dhe Dacit – Osmani prezanton aderimin e radhës

    Ish-deputet në tri mandate, bashkëpunëtor i Rugovës dhe Dacit – Osmani prezanton aderimin e radhës

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojë në një listë me LDK-në ka prezantuar aderimin e radhës. Bëhet fjalë për profesorin, Lulzim Zeneli, ish-deputet për tri mandate dhe bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova dhe Akademik Nexhat Dacit.

    Osmani ka shkruar se pas shumë vitesh angazhim në jetën akademike, shkencore dhe profesionale, Zeneli rikthehet me bindjen se Kosova ka nevojë për më shumë kulturë institucionale, më shumë stabilitet dhe më shumë përfshirje të dijes dhe ekspertizës në politikëbërje.

    Postimi i plotë:

    Një rikthim përtej politikës, një angazhim për shtetin

    Sot, Prof. Dr. Lulzim Zeneli rikthehet në garën politike dhe na bashkohet për të dhënë kontributin e tij në fuqizimin e shtetit, rritjen e LDK-së dhe në vazhdimin e rrugëtimit euroatlantik të Kosovës.

    Me përvojën e tij të gjatë politike, akademike dhe institucionale, si bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova dhe Akademik Nexhat Dacit, ish-deputet për tri mandate dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, ai rikthehet për të sjellë përvojë, maturi politike dhe vizion në një kohë të rëndësishme për vendin.

    Pas shumë vitesh angazhim në jetën akademike, shkencore dhe profesionale, Prof. Dr. Zeneli rikthehet me bindjen se Kosova ka nevojë për më shumë kulturë institucionale, më shumë stabilitet dhe më shumë përfshirje të dijes dhe ekspertizës në politikëbërje.

    Kosova ka nevojë për bashkim të vlerave, përvojës dhe njerëzve që kanë kontribuar në momentet më të rëndësishme të shtetndërtimit të saj.
    Rikthimi i Prof. Dr. Lulzim Zenelit është një mesazh i qartë për forcimin e frymës institucionale dhe vazhdimin e rrugës euroatlantike të Kosovës.
    Mirë se na u riktheve, Profesor Lulzim!