ATV

Author: K.B.

  • NPL “Gjelbër” apelon për kujdes të shtuar për shkak të erërave të forta

    NPL “Gjelbër” apelon për kujdes të shtuar për shkak të erërave të forta

    NPL “Gjelbër” në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes nëpër parqe dhe hapësira të gjelbëruara, si dhe gjatë parkimit të automjeteve pranë pemëve, për shkak të erërave të forta dhe kushteve atmosferike të paqëndrueshme.

    Në njoftimin e publikuar në Facebook, kompania ka bërë të ditur se ekipet e saj janë në terren dhe po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim të ruajtjes së sigurisë publike dhe intervenimit në rast nevoje.

    NPL “Gjelbër” ka falënderuar qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kësaj periudhe.

  • 12 punonjës spitali në Holandë vendosen në karantinë, pas gabimit në trajtimin e pacientit me hantavirus

    12 punonjës spitali në Holandë vendosen në karantinë, pas gabimit në trajtimin e pacientit me hantavirus

    12 punonjës të spitalit Radboudumc në Holandë janë vendosur në karantinë pasi nuk u ndoq protokolli i duhur gjatë trajtimit të një pacienti me hantavirus, i evakuuar nga anija MV Hondius. Gabimi ndodhi gjatë marrjes së gjakut dhe menaxhimit të materialeve biologjike.

    Spitali tha se rreziku i infektimit është i ulët, por punonjësit do të qëndrojnë në karantinë për 6 javë si masë parandaluese. Rasti po hetohet.

    Hantavirusi është i rrallë, përhapet nga brejtësit dhe nuk ka vaksinë apo trajtim specifik. Tre persona kanë vdekur nga shpërthimi në anije, ndërsa disa të tjerë janë infektuar.

  • ‘‘Mashtrim i madh’’, PSD me aksion, Molliqaj: Osmani s’është kthyer në LDK, po e përdor për naj pozitë

    ‘‘Mashtrim i madh’’, PSD me aksion, Molliqaj: Osmani s’është kthyer në LDK, po e përdor për naj pozitë

    PSD ka realizuar një aksion në sheshin e Prishtinës, afër objektit të qeverisë dhe kuvendit të Kosovës.

    Aty ka folur edhe lideri i kësaj partie, Dardan Molliqaj, i cili është deklaruar për bashkimin e Vjosa Osmanit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    ‘’Po garojnë për pak më shumë deputetë, me pas pak ma shumë hise në qeverinë e ardhshme. Kthimi që u trumbetua me të madhe i Vjosa Osmanit në LDK, i ka dy probleme të mëdha. Është një mashtrim i madh publik, Osmani nuk është kthyer fare në LDK, ajo po e përdor LDK si trampolinë për potencialisht naj pozitë të ardhshme në institucionet e Kosovës’’, ka thënë Molliqaj.

  • KQZ: Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit institucional

    KQZ: Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit institucional

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u dërgojë institucioneve relevante, përfshirë Këshillin Gjyqësor të Kosovës, listat e kandidatëve për verifikim para certifikimit për zgjedhje.

    Sipas tij, verifikimi bëhet në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ndalon kandidimin e personave të dënuar me vendim të formës së prerë me një ose më shumë vjet burgim gjatë tri viteve të fundit.

    Elezi tha se KQZ ka vepruar njësoj edhe në proceset e kaluara zgjedhore, duke kërkuar nga institucionet përkatëse konfirmimin nëse ndonjë kandidat bie ndesh me këtë kufizim ligjor.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim së bashku me listat e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit të zgjedhjeve të përgjithshme. Në këtë mënyrë KQZ ka vepruar edhe në proceset e kaluara zgjedhore. Në mesin e institucioneve që KQZ do të dërgojë është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në nenin 30 për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat nuk mund të jenë një person që në tri vitet e ufndit është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale një ose më shumë vjet burgim, andaj KQZ do të kërkojë nga KGJK verifikimin e listës së kandidatëve për të konmstatuar nëse ndonjëri prej tyre bie ndesh me këtë kufizim”, tha Elezi.

  • “Nga Zero” premierë sot në Klubin Teatror në Lipjan

    “Nga Zero” premierë sot në Klubin Teatror në Lipjan

    Shfaqja “Nga Zero” do të prezantohet sot nga ora 14:30 në Klubin Teatror, në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

    Kjo shfaqje vjen si një reflektim i thellë mbi zgjedhjet që formësojnë jetën tonë, duke trajtuar sfidat, paragjykimet dhe presionet sociale me të cilat përballen të rinjtë në momentet kyçe të jetës.

  • A është më higjienike të bëni dush apo të laheni në vaskë?

    A është më higjienike të bëni dush apo të laheni në vaskë?

    Si dushi ashtu edhe larja në vaskë ju bëjnë të ndiheni të pastër, por ekspertët thonë se vetëm një nga këto zakone është vërtet higjienike.

    Tani një mikrobiologe i është bashkuar debatit të vjetër dhe përgjigjja e saj mund të mos i pëlqejë atyre që i duan banjot e gjata dhe relaksuese.

    Pse preferohet dushi?

    Primrose Freestone, një mikrobiologe klinike në Universitetin e Leicester, shpjegoi për Daily Mail problemin kryesor me larjen në vaskë. “Kur laheni, uji nuk ndryshon, kështu që thjesht po lëvizni bakteret nga një pjesë e trupit tuaj në një tjetër,” tha ajo.

    Me fjalë të tjera, një zhytje e gjatë në vaskë mund të jetë relaksuese, por nuk është ideale nga pikëpamja higjienike. Trupi juaj lihet më pas në të njëjtin ujë, së bashku me papastërtinë, qelizat e vdekura të lëkurës dhe bakteret që lahen nga lëkura juaj gjatë banjës.

    Dushi, nga ana tjetër, është më efikas nga ana higjienike pikërisht sepse uji kullohet vazhdimisht. “Dushi përfshin një rrjedhë të vazhdueshme uji që largon mikrobet e mundshme,” shpjegoi Dr. Freestone. Ajo shtoi se dushi largon më shumë mikrobe dhe qeliza të vdekura të lëkurës sesa larja, sepse rrjedha e vazhdueshme e ujit krijon fërkime në lëkurë dhe ndihmon në larjen e papastërtive.

    Një dush në mëngjes mund të jetë veçanërisht i dobishëm, pasi largon djersën dhe bakteret që mund të jenë grumbulluar gjatë natës nga shtrati juaj.

    A ka ndonjë përfitim nga banjat?

    Megjithatë, Freestone nuk mendon se duhet të hiqni dorë plotësisht nga vaska. Banjat kanë përfitimet e tyre: Ato mund t’ju ndihmojnë të relaksoheni, të lehtësoni dhimbjen, të zvogëloni tensionin dhe të përmirësoni qarkullimin e gjakut. Problemi është se ato janë më të dobishme për t’u çlodhur sesa për t’u larë plotësisht.

    Pra, këshilla e saj është e thjeshtë: Nëse doni të relaksoheni në një vaskë, mos ngurroni të shijoni banjën, por bëni një dush të shkurtër më pas. Në këtë mënyrë, merrni më të mirën e të dy botëve: relaksimin e ujit të ngrohtë dhe përfitimet higjienike të një dushi.

    Rreziqe të fshehura në banjo

    Banjo fsheh një burim tjetër të mikrobeve që shpesh neglizhohet: tepihu i banjës. Ekspertët në Plumbworld paralajmërojnë se ai mund të mbajë lagështi dhe baktere, veçanërisht nëse nuk lahet mjaftueshëm shpesh.

    Tepihu thith ujë sa herë që dilni nga dushi ose vaska, duke krijuar kushte ideale për rritjen e mykut. Kjo është veçanërisht e vërtetë për qilimat me një shtresë mbështetëse gome, e cila bllokon lagështinë pranë dyshemesë.

    Zgjidhja është e thjeshtë: lani tepihate banjës një herë në javë në një temperaturë të lartë dhe thajini ato plotësisht para se t’i ktheni në banjo. Lënia e një qilimi të lagur në dysheme vetëm sa nxit rritjen e baktereve dhe mykut.

  • Ja kur planifikohet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Ja kur planifikohet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, pritet të mbahet të shtunën, më 16 maj.

    Lajmi është bërë i ditur nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se kjo datë është caktuar nga KQZ me miratimin e planit të të gjitha aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

    “Tërheqja e shortit për caktimin e numrave rendorë të subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor, është planifkuar të zhvillohet më 16 maj”, tha Elezi.

    Tërheqja e numrave për renditje në fletëvotim, pritet të bëhet nga 27 subjekte politike.

    “Pas periudhës zgjedhore për njoftim të pjesëmarrjes në zgjedhje nga partitë politike dhe për formim të koalicioneve (1 – 7 maj), si dhe periudhës për aplikim për certifikim nga subjektet e reja politike (2 – 10 maj), numri i përgjithshëm i subjekteve politike që mund të jenë pjesë e zgjedhjeve të parakohshme, është: 27, prej tyre 22 parti politike; 3 koalicione; 1 nismë qytetare; dhe 1 kandidat i pavarur”, tha Elezi.

    Sipas afateve të miratuara nga KQZ, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, e cila do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, nuk do të fillojë menjëherë pas tërheqjes së shortit për numrat rendorë në fletëvotim.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që periudha e fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar të fillojë më 28 maj dhe të përfundojë në orën 06:59 të mëngjesit të datës 7 qershor 2026”, tregoi ai.

  • U helmuan 56 studentë, AKU bllokon mensën e Akademisë së Sigurisë

    U helmuan 56 studentë, AKU bllokon mensën e Akademisë së Sigurisë

    Pas skandalit ku u helmuan 56 studentë, AKU ka bllokuar mensën e Akademisë së Sigurisë. Pas analizave ka rezultuar se mensa është jashtë kushteve normale higjienike. AKU i ka vendosur shiritin.

    Akademia e Sigurisë e merr ushqimin me katering te kompania “Sori Al” dhe më pas studentët ushqehen në mensën e akademisë, mensë e cila pas analizave ka rezultuar jashtë çdo standardi higjenik.

    Burime bëjnë me dije se tani që është bllokuar mensa, kursantët e Akademisë do t’i nxjerrin në praktikë të cilën e bëjnë jashtë institucionit, pasi aty tani nuk kanë ku të ushqehen. (A2 Televizion)

  • Qeveria miraton rreth 11 milionë euro për zgjedhjet e 7 qershorit

    Qeveria miraton rreth 11 milionë euro për zgjedhjet e 7 qershorit

    Qeveria në detyrë ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 10,887,186.45 euro.

    Këto mjete janë destinuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

    Mjetet do të përdoren për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të procesit zgjedhor të muajit të ardhshëm.

    Zgjedhjet e parakohshme vijnë në një periudhë të zhvillimeve të reja politike në vend, ndërsa institucionet kanë nisur përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

    Numri i përgjithshëm i subjekteve politike që janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

    KQZ-ja ka bërë thirrje që partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur të dorëzojnë sa më shpejt listat e kandidatëve për të siguruar certifikim dhe përgatitjen e procesin zgjedhor në kohë.

  • Labi tregon se si dështoi të futej në garë për deputet

    Labi tregon se si dështoi të futej në garë për deputet

    Këngëtari i njohur, Labinot Tahiri ka treguar se dëshira e tij ka qenë që të kandidoj si deputet i pavarur për zgjedhjet e 7 qershorit, por afati është mbyllur një ditë më parë.

    Ai ka thënë se pati shumë kërkesa nga qytetarët që të kandidonte për deputet në Kuvendin të Kosovës.

    Labi ka përmendur disa tema që do t’i adresonte në Kuvendin e Kosovës, duke përmendur luftën kundër drogës, dhe dukurive negative dhe çështjen e barnave shëndetësore.

    Postimi i Labit:

    I dashur popull dhe votues i Kosovës dhe gjithandej si shqiptar ju lutem ta lexoni këtë shkrim ku doja te dale DEPUTET PËR JU SI SHERBETOR I PA NDALSHEM.

    Deshta me dalë deputet i pavarur në këto zgjedhje, por fatkeqësisht afati u mbyll dje.

    Kisha planifikuar kandidimin pas shumë kërkesave nga qytetarët, por ja që ende ka njerëz që i frikësohen konkurrencës dhe harrojnë se politika nuk është garë personale. Kur je pjesë e një partie apo gare politike, duhet me qenë aty për me i shërby popullit dhe vendit, jo vetvetes.

    Unë nuk kam nevojë për karrierë politike, ate e kam me shumë se sa politika, sepse falë Zotit e kam ndërtuar jetën dhe emrin tim me punë e djersë. Unë kam pasur dhe kam guxim ta sfidoj veten dhe karrieren time gjithmonë sepse aate e ndertova me Zotin dhe juve. Por zemra më ka thënë gjithmonë me i shërby këtij vendi si një shërbëtor i popullit, i nënshtruar vetëm qytetarit dhe Kosovës, e jo interesave personale !!

    Labi nuk i ka shërby vetëm një njeriu, nje qyteti apo një kategorie, por të gjithëve pa dallim, ndoshta nuk keni harruar!!! Ju kam qëndruar pranë në kauza për leukemi, kancer, shëndetësi, ushtri, Hagë për çlirimtarët, mjekë, profesorë, rini, polici dhe shumë kategori tjera të këtij vendi. Këtë e kam bërë sepse e ndjej veten shërbëtor të vendit tim, asgjë më shumë, ani pse Zoti më ka dhënë famë dhe respekt nga populli.

    Mos harroni, unë qarkulloj mbi 1 milion euro në vit dhe jam ndër tatimpaguesit më të mëdhenj të estradës shqiptare. Nga ajo që kam fituar, jam munduar gjithmonë me dhënë për njerëzit dhe për vendin tim. Por shpirti më dhemb që nuk pata fatin me qenë ushtar në kohën e luftës për liri, prandaj ndjej obligim moral me kontribu gjithë jetën për Kosovën.

    Deshta me dalë kandidat i pavarur që me ju shërby në barna, spitale, në luftë kundër drogës dhe dukurive negative që po na e shkatërrojnë rininë. Nuk e di sa do ta kishit dashur Labin në Parlament, por një ditë do të jem aty dhe do ta shihni që deputeti mundet me bë shumë për popullin, vetëm nëse e don sinqerisht qytetarin si familjen e vet.

    Unë ju uroj sukses të gjithë kandidatëve dhe lutem që të fitojnë ata që punojnë për interesin e popullit dhe të Kosovës.

    Zoti e bekoftë Kosovën, trojet tona shqiptare dhe diasporën tonë kudo në botë.