ATV

Author: K.B.

  • NATO nis stërvitjen më të madhe të forcave speciale në Evropë

    NATO nis stërvitjen më të madhe të forcave speciale në Evropë

    Rreth 3,000 trupa elitare nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe 22 vende të tjera po marrin pjesë në stërvitjen më të madhe të forcave speciale të NATO-s në Evropë.

    Ngjarja 10-ditore, që përfshin 10 vende, është hartuar për të testuar përgjigjet ndaj përpjekjeve të një armiku të paidentifikuar – me shumë mundësi Rusisë – për të infiltruar territorin e NATO-s dhe për të nisur sabotim, sulme kibernetike dhe sulme të tjera nën pragun e një lufte të përgjithshme.

    Kontributi i rëndësishëm i SHBA-së në stërvitje nënvizon rolin e rëndësishëm të luajtur nga Uashingtoni në mbrojtjen e territorit evropian.

    Jo të gjitha vendet pjesëmarrëse janë anëtare të NATO-s.

    Janë të përfshira edhe trupa nga vendet partnere, përfshirë Zvicrën dhe Gjeorgjinë.

    Ndryshe, Pentagoni ka anuluar një plan për të dërguar 4,000 ushtarë në Poloni në një rotacion të përkohshëm që do të përfshinte edhe vende të tjera si shtetet baltike dhe Rumania.

    Një vendosje më e vogël në Gjermani është anuluar gjithashtu. Lëvizjet vijnë pasi administrata Trump tha se do të tërheqë 5,000 forca amerikane nga Gjermania gjatë 12 muajve të ardhshëm.

  • Protesta e studentëve shqiptarë që po tronditë koalicionin e VLEN me Mickoskin, pse po heshtë Qeveria e Kosovës?

    Protesta e studentëve shqiptarë që po tronditë koalicionin e VLEN me Mickoskin, pse po heshtë Qeveria e Kosovës?

    Studentët shqiptarë në Shkup kanë njoftuar organizimin e një proteste të re, e cila është planifikuar të mbahet më 18 maj 2026, në orën 16:30. Tubimi pritet të zhvillohet në qendër të qytetit dhe të përfshijë një pjesëmarrje të gjerë qytetare.

    Kërkesa kryesore e tyre mbetet mundësimi i dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

    Megjithatë, organizatorët theksojnë se gjatë periudhës së fundit kauza është zgjeruar, duke përfshirë edhe çështje të tjera që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut.

    Protesta është thirrur nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një”, ndërsa në thirrjet publike organizatorët kërkojnë mobilizim të studentëve, profesorëve, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë. Sipas tyre, pjesëmarrja e gjerë është thelbësore për të adresuar problemet e ngritura.

    Në deklaratat e tyre publike, studentët kanë bërë të ditur se nisja e protestës lidhej fillimisht me një çështje teknike në procesin e studimeve, por më vonë janë identifikuar edhe sfida të tjera që prekin trajtimin institucional të gjuhës shqipe.

    Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi, ka theksuar se iniciativa tashmë ka marrë karakter më të gjerë shoqëror, duke kërkuar bashkim të të gjitha shtresave. Sipas tij, gjuha shqipe duhet të shërbejë si element bashkimi dhe jo ndarjeje, ndërsa problemet e ngritura prekin një gamë të gjerë qytetarësh.

    Tubimi fillon tek Ura e Gurit në Shkup në orën 16:30, pas së cilës është paraparë një marshim nëpër rrugët e qytetit.

    Por, këtë protestë nuk ka reagim nga Qeveria e Kosovës, për shkak të aleancës politike që kryeministri në detyrë Albin Kurti ka me koalicionin VLEN në Maqedoninë e Veriut, por edhe me vetë kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski. Kurti dhe Hristijan Mickoski u panë shumë të afërt dge miqësor me njëri – tjetrin gjatë kongresit të VLEN-it.

    Ndërkohë, mbështetje për protestën kanë shprehur edhe disa përfaqësues politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, si dhe figura politike nga Kosova dhe Shqipëria.

    Një nga ta ka qenë edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, i cili përcjellë një mesazh për rëndësinë e gjuhës shqipe në prag të protestës së paralajmëruar nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, për mbrojtjen e saj dhe kryerjen e provimeve në shqip.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meidani ka ndarë disa vargje nga poema “Gjuha Shqype” e Gjergj Fishta, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar përmes gjuhës.

    Në Kosovë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese dhe themelore e çdo shqiptari në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se protesta e paralajmëruar më 18 maj në Shkup, para Urës së Gurit, përfaqëson mbrojtje të dinjitetit, identitetit dhe të drejtave legjitime të studentëve; ai ka shtuar se kjo çështje nuk është vetëm studentore, por një kauzë më e gjerë kombëtare dhe demokratike, duke paralajmëruar se heshtja ndaj diskriminimit nënkupton bashkëfajësi dhe duke bërë thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve pa dallim për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe respektimin e gjuhës shqipe, ndërsa në fund ka nënvizuar se “Prishtina është me ju”.

    Po ashtu, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i cili është shprehur se zëri i studentëve përfaqëson një brez që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin kombëtar. Ai shprehet se do të jetë pranë çdo të riu shqiptar që ngrihet për të mbrojtur gjuhën, identitetin dhe të drejtat e tij.

    Pos tij në mbështetje për protestën e studentëve shqiptarë në Shkup ka shprehur edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, duke e cilësuar atë si një betejë për të drejtat themelore dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Për të është e papranueshme që në vitin 2026, në një shtet anëtar të NATO-s, shqiptarët ende të detyrohen të protestojnë për identitetin dhe dinjitetin e tyre.

    Pos politikës, reagime ka pasur edhe nga bota e artit. Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka reaguar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke shkruar se gjuha shqipe është pjesë thelbësore e identitetit kombëtar dhe një e drejtë e fituar me sakrificë ndër breza. Sipas saj, studentët shqiptarë meritojnë të drejta dhe mundësi të barabarta, ndërsa ka mbështetur protestën kundër ndalimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

    Ndërsa, këngëtari Ilir Shaqiri, duke mbështetur studentët, postoi një status për gjuhën shqipe si një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar. Përkrah tyre kanë dalë edhe shumë figura të tjera publike nga vendi dhe më gjerë.

  • Sot mot me diell, temperatura deri 19 gradë

    Sot mot me diell, temperatura deri 19 gradë

    Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale, sipas Institutit Hidrometerologjik do të lëvizin ndërmjet 5 dhe 8°C, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 16 deri në 19°C.

    Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 m/s.

  • Musliu: Tre policë kanë refuzuar mbrëmë të vijnë në Skenderaj, janë suspenduar nga detyra

    Musliu: Tre policë kanë refuzuar mbrëmë të vijnë në Skenderaj, janë suspenduar nga detyra

    Ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se sipas informacioneve që ka, tre policë të NJSO-së, kanë refuzuar që të marrin pjesë mbrëmë në aksionin në Skenderaj.

    Ajo thotë se si pasojë e këtij refuzimi, tre policët janë suspenduar për dy apo tre ditë nga puna.

    “Kam informacion që janë tre, nëse jo më shumë, pjesëtarë të policisë së Kosovës që kanë refuzuar me ardhur në Skenderaj. Janë tre e më shumë që kanë refuzuar të marrin pjesë në aksion. Dhe ata polic janë të suspenduar sot për dy apo tre ditë. S’dua as t’i përmend sot”, ka thënë Musliu në FRONTAL të T7.

    Ajo ka thënë se i di edhe emrat, por s’dëshiron që t’i përmend.

    Musliu ka deklaruar se ka pasur presion të madh nga politika që policia speciale të vendosej në Skenderaj.

  • OVL falënderon qytetarët pas intervistimit të Lushtakut: Dëshmuat unitet, mesazh i qartë i respektit për luftën e UÇK’së

    OVL falënderon qytetarët pas intervistimit të Lushtakut: Dëshmuat unitet, mesazh i qartë i respektit për luftën e UÇK’së

    OVL UÇK ka falënderuar qytetarët që morën pjesë sot në mbështetje të Sami Lushtakut, i cili u intervistua ditën e sotme lidhur me incidentin e djeshëm në Skenderaj.

    OVL ka thënë se, qytetarët dëshmuan unitet, dinjitet dhe gatishmëri për të qëndruar pranë vlerave të luftës.

    Postimi:

    OVL UÇK, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e sinqertë për të gjithë iu që u përgjigjët ftesës sonë dhe u mblodhët sot në Skenderaj, duke dëshmuar edhe një herë unitetin, dinjitetin dhe gatishmërinë për të qëndruar pranë vlerave të luftës sonë çlirimtare.

    Prania juaj ishte mesazh i qartë i respektit për luftën e UÇK-së dhe për dinjitetin e secilit ushtar të lirisë.

    Njëkohësisht, ju lusim që të gjithë të shpërndaheni dhe të ktheheni qetësisht në shtëpitë tuaja, me dinjitetin dhe përgjegjësinë që gjithmonë i ka karakterizuar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Faleminderit për respektin, mobilizimin dhe kulturën qytetare që treguat sot.

  • Mehani reagon: Unë jam më i fortë se çdo herë, sulmet tinzare nuk me ndalin e s’do të fitojnë mbi mua

    Mehani reagon: Unë jam më i fortë se çdo herë, sulmet tinzare nuk me ndalin e s’do të fitojnë mbi mua

    Hysni Mehani, nga dega e LVV’së në Skenderaj i cili dje u sulmua fizikisht, ka thënë se ‘’sulmet tinzare’’ nuk e ndalin atë.

    Mehani ka shtuar edhe se, ai është mirë dhe më ‘’i fortë se çdo herë’’.

    Postimi:

    Të dashur miq,

    Unë jam mirë dhe më i fortë se çdo herë. E kam të pamundur me ju përgjigjë secilit, por ju falenderoj secilin.

    Sulmet tinzare me banda, as nuk më ndalin dhe asnjëherë nuk do të fitojnë mbi mua, deri në frymën e fundit.

  • Çitaku: Samiu shkoi në prokurori sepse e respekton shtetin, Kurti jo vetëm që refuzon por e sfidon – s’është trimëri mosrespektimi i Republikës

    Çitaku: Samiu shkoi në prokurori sepse e respekton shtetin, Kurti jo vetëm që refuzon por e sfidon – s’është trimëri mosrespektimi i Republikës

    Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas intervisimit të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut.

    Çitaku në postimin e saj, ka rikujtuar se si kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ‘’ Albin Kurti jo vetëm që refuzon t’i përgjigjet Prokurorisë, por madje e sfidon publikisht nëse “guxon” t’i shkojë në zyrë për ta intervistuar’’.

    Postimi:

    Vetëm sa për rikujtim, Albin Kurti jo vetëm që refuzon t’i përgjigjet Prokurorisë, por madje e sfidon publikisht nëse “guxon” t’i shkojë në zyrë për ta intervistuar lidhur me një aferë korruptive multimilionëshe.

    Nuk është trimëri të mos respektosh Kushtetutën, ligjet dhe Republikën. Kjo nuk është forcë. Është frikë dhe arrogancë pushteti.

    E Samiu, trimërinë e të cilit nuk e konteston askush, shkoi në Prokurori. Sepse ai e respekton shtetin për të cilin ka luftuar.

    Dallimi është i qartë si loti.

  • Ngjarjet në Skënderaj, Rama godet Kurtin: Akt i ulët etiketimi i Kryetarit, mbushja e Drenicës me policë nevojë e sëmurë për hakmarrje

    Ngjarjet në Skënderaj, Rama godet Kurtin: Akt i ulët etiketimi i Kryetarit, mbushja e Drenicës me policë nevojë e sëmurë për hakmarrje

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas intervisimit të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut, duke thënë se Skenderaj është ‘’përdorur si skenë për manipulimin e radhës politik nga Albin Kurti’’.

    Rama, ka shtuar se, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve, për të krijuar tensione artificiale dhe për të prodhuar një klimë konfrontimi politik.

    ‘’ Kur një Kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët dhe për të thelluar polarizimin shoqëror, ai nuk po qeveris ai po MANIPULON’’, ka shkruar ai mes tjerash,

    Postimi:

    SKENDERAJ SOT U PËRDOR SI SKENË PËR MANIPULIMIN E RADHËS POLITIK NGA Albin Kurti.

    Sot, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve, për të krijuar tensione artificiale dhe për të prodhuar një klimë konfrontimi politik. Kur një Kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët dhe për të thelluar polarizimin shoqëror, ai nuk po qeveris ai po MANIPULON.

    Ky është i njëjti kryeministër që ka REFUZUAR t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sepse ai është mbi ligjin. Ai është ligji.

    Fakti që Drenica mbushet me forca policore tregon nevojën e tij të sëmurë për të projektuar autoritet dhe për të ushqyer një logjikë hakmarrjeje politike.

    Duke e ditur sakrificën dhe vuajtjen që ka përjetuar Drenica, ta provokosh këtë trevë dhe ta etiketosh Kryetarin e saj si “Serbia” është një akt i ulët. Ta vësh në rrezik paqen sociale dhe t’i shtysh qytetarët drejt përçarjes dhe konfliktit është ligësi.

    Ky tensionim i qëllimshëm dhe këto tentativa për destabilizim politik janë jashtëzakonisht të rrezikshme për popullin dhe shtetin e Kosovës.

    Drenica nuk e meriton këtë. Kosova nuk e meriton këtë.

  • Sami Lushtaku lirohet në procedurë të rregullt, konfirmojnë avokatët

    Sami Lushtaku lirohet në procedurë të rregullt, konfirmojnë avokatët

    Sami Lushtaku është liruar në procedurë të rregullt.

    Këtë e konfirmuan për Klan Kosovën avokatët Labinot Vata e Besiana Ismajli, të cilët e mbrojnë Lushtakun.

  • Lotët e Hoxhës pasi la xhaminë për politikën, Osman Musliu: Do të jem politikan unifikues

    Lotët e Hoxhës pasi la xhaminë për politikën, Osman Musliu: Do të jem politikan unifikues

    Hoxha nga Drenasi, Osman Musliu, nuk është përmbajtur nga lotët, të premten, kur gjatë një adresimi para faljes së namazit të xhumasë në xhaminë e këtij qyteti njoftoi besimtarët që ishin këtu, se më nuk do të jetë imam në këtë objekt fetar.

    Mulla Osmani, siç njihet ky klerik mysliman, në Drenicë dhe gjithë Kosovën, ka vendosur të futet në politikë, duke iu bashkuar Lëvizjes vetëvendosjë si kandidat I kësaj partie për deputet në zgjedhjet e 7 qershoti.

    Në një deklarim para besimtarëve, ai tha se nuk dëshiron që asnjë xhematli i kësaj xhamie të ndihet i përjashtuar apo ta shohë imamin si mbështetës të një partie apo grupacioni politik.

    Në adresimin emocional, gjatë të cilit lotët ia ndërprenë fjalët disa herë, tha se gjatë gjithë angazhimit të tij ka mbështetur atë që e ka konsideruar të mirë për vendin, fenë dhe shoqërinë, duke shtuar se do të vazhdojë të kontribuojë për Kosovën, familjen dhe fenë islame edhe jashtë detyrës së imamit.

    “Edhe pse ju kam dukur ndonjëherë që i kam bërë disa lufta, përpjekje, se s’po e quaj luftë në kuptimin e parë, përpjekje me e ndaluar një të keqe që unë kam menduar që është e keqe, asnjëherë ju nuk jeni ftohur prej meje, më keni mbështetur, edhe prej sodit, unë do t’jua lypi ndihmën. Unë kam qenë borxhli me mbështetjen e juaj, edhe duhet t’jua kthej prapë, por nuk do të kryej detyrën e imamit. Pra, për arsye se nuk dua me e ndier veten keq asnjë njeri në xhami, që me thënë hoxha është mbështetës i një partie politike, apo i një grupacioni politik, por dua me qenë çdo xhemat që vjen në xhami me e ndier veten që është për Zotin, me kry obligimin e vet fetar, dhe kur imami, sepse nganjëherë njerëzit dinë me kombinu edhe dy lojëra”, ka deklaruar ai.

    “Me u paraqit si apartiak, a prapaskena, unë nuk po du me u paraqit i tillë. Domethënë, as si paraqit partiak. Është e vërtetë që e kam mbështetur të mirën, e kam dashur të mirën, kam luftuar kundër të keqes, kam me luftuar kundër të keqes, pa marrë parasysh derisa, deri në frymën e fundit, do të mundohem të jem njeri që jam i dobishëm për Kosovën, për shqiptarinë, për familjen dhe për fenë. Pra, për mua janë tri, tri gjëra që s’kam lejuar kurrë me luajtur. Familja, feja dhe atdheu. Pra, unë jua bëj hallall juve të gjithëve. Kërkoj edhe ju të ma bëni hallallin mua, inshallah“, tha Musliu.

    Në një intervistë për KosovaPress, pasi kreu faljen e namazit të xhumasë si imam, për herë të fundit, mulla Osman Musliu, foli për vendimin e tij për t’u përfshirë në politikë, duke theksuar se angazhimin e ri e sheh si vazhdim të kontributit të tij shumëvjeçar në shërbim të qytetarëve.

    Ai tha se ky vendim nuk ka qenë i rastësishëm, por i menduar prej kohësh, duke potencuar përvojën e tij 42-vjeçare si imam në Suharekë dhe Drenas.

    “Tash, këtë hap që e kam marrë, normal, kam menduar, nuk e kam bërë rastësisht, e kam menduar këtë punë unë. Edhe tetë, nëntë muaj dal veç në pension, pensionohem në aspektin ligjor. Edhe kam vendosur me u, ka afruar një ofertë, një kërkesë, që me u angazhuar në aspektin politik. Mendoj që edhe aty do të kontribuoj qysh kam kontribuuar që 42 vite, dy muaj, në popull, edhe natën edhe ditën, edhe para luftës, edhe gjatë luftës, edhe pas luftës. Në luftë me të keqen jemi qenë të gjithë. Edhe mendoj që edhe pse shkoj në Kuvend prapë kam me qenë ai hoxha unifikues, si Osmani unifikues, jo Osmani përçarës. Se unë edhe xhematit sot që i thashë, thashë na para se me qenë partiak, para se me qenë besimtarë të feve të ndryshme, na më së pari jemi vëllezër mes vete. Edhe në asnjë mënyrë nuk ja lejoj vetit me e pa dikënd në baza partiake”, u shpreh Musliu.

    I pyetur në lidhje me votimin e tij të mundshëm për Kodin Civil, Musliu tha se qëndrimet e tij fetare janë të njohura, por shtoi se nuk ka zhvilluar biseda me kryeministrin Albin Kurti për këtë çështje.

    “Krejt Kosova e din edhe krejt bota e din që hoxha edhe njeriu fetar çfarë qëndrimesh ka ndaj asaj. As s’kemi biseduar, e as s’ka kërkuar ai prej meje kurrgjë. Edhe mendoj që s’është puna jemja ajo. Nuk o puna jemja. Është punë e tjetërkujt, s’është puna jeme. Edhe s’e shoh ndonjë farë, ndonjë farë, as andej as këndej, është punë shtetërore, nuk o punë personale e Mulla Osmanit. Qëndrimet e Mulla Osmanit edhe ato fetare dihen. Edhe i krishterë, edhe mysliman fetar, dihet çfarë qëndrimesh kanë”, përfundoi Musliu.

    Në fund, ai u pyet drejtpërdrejt nëse e kundërshton Kodin Civil, por u përgjigj shkurt: “Nuk e di, nuk e di”.

    Mulla Osman Musliu ka njoftuar se do të tërhiqet nga detyra e imamit, duke theksuar se vendimi i tij vjen për të ruajtur unitetin dhe neutralitetin brenda xhamisë.