ATV

Author: K.B.

  • Pusiq: Nëse Mali i Zi dështon të anëtarësohet në BE, do ta humbë pavarësinë

    Pusiq: Nëse Mali i Zi dështon të anëtarësohet në BE, do ta humbë pavarësinë

    Ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq, ka deklaruar se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian është çështje e mbijetesës së shtetit malazez, duke paralajmëruar se dështimi i këtij projekti do ta vinte në rrezik pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.

    Pusiq u shpreh se Mali i Zi vazhdon ta ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve dhe të shumicës së partive politike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pavarësisht rënies së lehtë të entuziazmit për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe gjeopolitike.

    Sipas saj, sfida kryesore për forcat pro-evropiane në Mal të Zi është që të organizohen politikisht për zgjedhjet e ardhshme dhe të marrin përgjegjësinë për drejtimin e vendit.

    “Ata që në Malin e Zi njëmend duan që Mali i Zi të hyjë në BE, duhet t’i fitojnë zgjedhjet. Besoj kjo është detyra e parë”, ka thënë ajo.

    Pusiq vlerësoi se Mali i Zi ndodhet në një situatë të ndryshme nga vendet e tjera kandidate për BE.

    “Për Malin e Zi, ndryshe nga ndoshta të gjithë kandidatët e tjerë dhe kandidatët e ardhshëm, anëtarësimi në BE është një çështje e mbijetesës së Malit të Zi si shtet”, deklaroi ajo.

    Ajo paralajmëroi se nëse dështon integrimi evropian, Mali i Zi do të mbetet pa sovranitet real.

    “Nëse dështojnë në këtë projekt, ata do të mbeten formalisht dhe ligjërisht, dhe natyrisht de facto, pa pavarësi dhe sovranitet”, paralajmëroi Pusiq.

    Sipas saj, presioni ndaj Malit të Zi vjen kryesisht nga Serbia dhe Rusia, të cilat, sipas saj, e shohin Malin e Zi si pjesë të një politike më të gjerë pro-ruse në rajon.

    Pusiq shtoi se problemi nuk është vetëm presioni i jashtëm, por edhe ekzistenca e forcave të fuqishme politike brenda vetë Malit të Zi që, sipas saj, nuk besojnë se shteti malazez duhet të ekzistojë si shtet i pavarur.

    “Në Mal të Zi ka një pjesë të opozitës që beson se Mali i Zi nuk duhet të ekzistojë si shtet i pavarur”, deklaroi ajo. /Koha

  • Sllovenët e marrin përsëri tenderin për shtypjen e fletëvotimeve zgjedhore, kaq është vlera

    Sllovenët e marrin përsëri tenderin për shtypjen e fletëvotimeve zgjedhore, kaq është vlera

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë kontratën për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2026.

    Sipas njoftimit zyrtar, kontrata i është dhënë kompanisë “Cetis d.d” nga Sllovenia, e specializuar në shtypjen e materialeve zgjedhore dhe të sigurisë

    Vlera fillestare e kontratës arrinte në 418 mijë e 12 euro, megjithatë pas kërkesës së KQZ-së operatori ekonomik ka ofruar zbritje në ofertën financiare, duke e ulur çmimin final në 342 mijë euro.

    Tenderi kishte të bënte me shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për procesin zgjedhor të vitit 2026, ndërsa procedura është zhvilluar përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë.

    Në garë për këtë tender ka qenë vetëm një operator ekonomik, i cili edhe është shpallur fitues. Kontrata është dhënë më 14 maj 2026, ndërsa nënshkrimi i saj pritet të bëhet sot, më 18 maj.

    Më poshtë mund të shihni dokumentin e plotë.

    Shtypjen-e-fletevotimeve-broshurave-te-kandidateve-dhe-listave-te-votuesve-per-Zgjedhjet-e

  • NASA zbulon planet për misionin e ardhshëm drejt Hënës – Artemis III po vjen

    NASA zbulon planet për misionin e ardhshëm drejt Hënës – Artemis III po vjen

    Ndërsa bota është ende duke menduar për misionin rekord-thyes Artemis II që dërgoi katër astronautë në anën tjetër të Hënës, Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) e SHBA-së po përgatitet për misionin e radhës.

    NASA njoftoi planet e saj për Artemis III, një mision që do t’i mbajë astronautët afër Tokës, por do të testojë sistemet që do t’u nevojiten për një ulje eventuale në Hënë.

    Gjithashtu, do të përcaktohet se si të punohet me “anije kozmike të shumta” dhe partnerë përpara se të dërgohen astronautë në Hënë, sipas Jeremy Parsons, ndihmës administrator i përkohshëm i programit “Moon to Mars”.

    Anija kozmike Artemis III do të niset me një ekuipazh prej katër personash.

    Ajo do të qëndrojë në orbitën e ulët të Tokës për të lejuar më shumë mundësi lëshimi për secilin element të misionit, duke përfshirë Sistemin e Lëshimit në Hapësirë (SLS) që do të lëshojë Orionin dhe ekuipazhin e tij në hapësirë.

    Kjo gjithashtu do t’u japë kohë SpaceX dhe Blue Origin për të testuar sistemet e tyre të raketave për ulje me njerëz, ka njoftuar NASA.

    Kontratat qeveritare Artemis fillimisht duhej t’i shkonin SpaceX për raketën e saj Starship, por NASA tha se do t’i rihapte kontratat për shkak të vonesave.

    Tani, Blue Origin i Jeff Bezos po teston anijen e saj të uljes Blue Moon gjatë një misioni robotik të ardhshëm më vonë këtë vit.

    Ekuipazhi, i cili ende nuk është njoftuar, do të kalojë gjithashtu më shumë kohë në hapësirë sesa në misionet e mëparshme për të testuar sistemet e mbështetjes së jetës në anije, të tilla si furnizimi me ujë, oksigjen dhe azot.

    Ata gjithashtu do të shfaqin një performancë të sistemit të ankorimit për herë të parë në orbitë, që është bashkimi i dy anijeve kozmike ndërsa janë në orbitë për t’u furnizuar me karburant.

    Kjo është një pjesë kyçe e misioneve të ardhshme në Hënë dhe përfundimisht në Mars, sepse fluturimet më të gjata do të kërkojnë furnizim me karburant që duhet të bëhet nga hapësira, kanë thënë më parë ekspertët për Euronews Next.

    “Misioni do të informojë për takimet me uljen dhe konceptet e banimit, si dhe operacionet e misionit në përgatitje për misionet e ardhshme në sipërfaqe”, tha NASA në një deklaratë.

    Por, ka ende disa pyetje që NASA duhet t’u përgjigjet në lidhje me Artemis III, duke përfshirë sa do të zgjasë misioni, cilat objektiva shkencore ka misioni dhe si do të komunikojnë astronautët me kontrollin tokësor.

    Ky përshkrim i misionit është një ndryshim për NASA-n nga projekti i tyre origjinal i misionit Artemis, i cili supozohej të dërgonte njerëzit në Hënë me Artemis III.

    Kthimi i shumëpritur i njerëzve në sipërfaqen e Hënës do të duhet të presë deri në Artemis IV, i planifikuar për diku në vitin 2028.

  • Çmimi i naftës nuk ndryshon as sot, mbetet si dje

    Çmimi i naftës nuk ndryshon as sot, mbetet si dje

    Ministria e Industrisë ka publikuar dje çmimet e derivateve për dje dhe sot.

    Siças saj, çmimi maksimal i derivateve do të jetë:

    -Nafta: 1.61 euro/litër;

    -Benzina: 1.52 euro/litër

    -Gas: 0.76 euro/litër.

    Çmimi më i ulët që nga rritja e çmimit të naftës pas shpërthimit të luftës në Lindje të Mesme, ka qenë me 13 dhe 14 maj nga 1.59 euro për litër të naftës.

  • Zogjani ngre alarmin: Mungon ilaçi jetik për pacientët në dializë

    Zogjani ngre alarmin: Mungon ilaçi jetik për pacientët në dializë

    Aktori Jeton Zogjani ka ngritur shqetësimin për mungesën e një ilaçi të domosdoshëm për pacientët që trajtohen me hemodializë.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zogjani tha se ilaçi “Sevaren”, i cili përdoret nga pacientët në dializë, është vështirë të gjendet në tregun farmaceutik dhe se aktualisht familja e tij po përballet me mungesën e tij.

    Ai bëri të ditur se babai i tij prej shtatë vitesh është në dializë dhe se për herë të parë kanë mbetur pa këtë terapi, duke e cilësuar situatën si shqetësuese.

  • Gati dy milionë besimtarë myslimanë për pelegrinazhin në Mekë

    Gati dy milionë besimtarë myslimanë për pelegrinazhin në Mekë

    Mbi dy milionë myslimanë nga e gjithë bota pritet të marrin pjesë në pelegrinazhin vjetor të Haxhit në Mekë të Arabisë Saudite, i cili këtë vit fillon më 25 maj, pas shikimit të hënës së re në Arabinë Saudite.

    Haxhi konsiderohet tubimi më i madh vjetor i myslimanëve dhe është një nga pesë shtyllat themelore të Islamit. Për shumë besimtarë, ky është një udhëtim unik shpirtëror që realizohet vetëm një herë në jetë.

    Çfarë është Haxhi?

    Haxhi është pelegrinazhi vjetor në qytetin e shenjtë të Mekës dhe përbën shtyllën e pestë të Islamit, krahas dëshmisë së besimit, faljes së pesë kohëve të namazit, zekatit dhe agjërimit të Ramazanit.

    Ky obligim fetar duhet të kryhet të paktën një herë në jetë nga çdo mysliman i rritur që ka mundësi fizike dhe financiare për ta realizuar, raporton Aljazeera.

    Kur zhvillohet Haxhi?

    Ritet e Haxhit kryhen nga data 8 deri më 12 ose 13 e muajit Dhul-Hixhe, muaji i fundit i kalendarit islamik.

    Në vitin 2026, Haxhi do të mbahet nga 25 deri më 27 maj, megjithëse shumë pelegrinë mbërrijnë në Arabinë Saudite javë më herët për përgatitje.

    Për shkak se kalendari islamik bazohet në ciklin hënor, datat e Haxhit ndryshojnë çdo vit në kalendarin gregorian, duke u zhvendosur rreth 10 deri në 12 ditë më herët.

    Pse kryhet Haxhi?

    Sipas besimit islam, Haxhi është urdhër hyjnor i përmendur në Kuran. Pelegrinazhi simbolizon përkushtimin ndaj Zotit, kërkimin e faljes, pastrimin shpirtëror dhe barazinë mes besimtarëve, pa dallim kombësie, statusi apo pasurie.

    Ritet e Haxhit janë të bazuara në traditën e Profetit Muhamed gjatë “Haxhit të Lamtumirës” në vitin 632.

    Si kryhet Haxhi?

    Haxhi përfshin një seri ritualesh që zgjasin pesë ditë.

    Dita e parë: Hyrja në ihram dhe tavafi

    Pelegrinët hyjnë fillimisht në gjendjen e shenjtë të njohur si “ihram”. Burrat veshin dy copa të bardha, ndërsa gratë veshje modeste, duke simbolizuar barazinë dhe përulësinë para Zotit.

    Më pas ata kryejnë “tavafin”, duke u rrotulluar shtatë herë rreth Qabes në xhaminë e Madhe në Mekë.

    Pas tavafit, besimtarët kryejnë “sajin”, ecjen shtatë herë mes kodrave Safa dhe Merva, në kujtim të kërkimit të ujit nga Haxherja për djalin e saj Ismailin.

    Në fund të ditës, pelegrinët vendosen në Mina, e njohur si “qyteti i tendave”.

    Dita e dytë: Qëndrimi në Arafat

    Një nga momentet më të rëndësishme të Haxhit është qëndrimi në fushën e Arafatit, ku pelegrinët luten dhe kërkojnë falje nga mesdita deri në perëndim të diellit.

    Pas kësaj, ata udhëtojnë drejt Muzdelifes, ku falin namazin dhe mbledhin guralecë për ritualin e ditës tjetër.

    Dita e tretë: Fillimi i Kurban Bajramit

    Në këtë ditë shënohet edhe dita e parë e Kurban Bajramit.

    Pelegrinët rikthehen në Mina dhe hedhin shtatë guralecë në shtyllën më të madhe, një ritual që simbolizon refuzimin e tundimeve të djallit.

    Më pas kryhet therja e kurbanit në kujtim të gatishmërisë së Profetit Ibrahim për të sakrifikuar djalin e tij për hir të Zotit.

    Burrat rruajnë ose shkurtojnë flokët, ndërsa gratë presin një pjesë të vogël të tyre, si simbol i ripërtëritjes shpirtërore.

    Në fund, pelegrinët rikthehen në Mekë për tavafin kryesor rreth Qabes.

    Ditët e fundit të Haxhit

    Në ditët pasuese, pelegrinët vazhdojnë ritualin e gjuajtjes së guralecëve në tri shtyllat në Mina.

    Para largimit nga Meka, ata kryejnë tavafin përfundimtar, i njohur si “Tavaf el-Veda”, që simbolizon lamtumirën shpirtërore me vendin e shenjtë.

    Si festohet Kurban Bajrami?

    Përfundimi i Haxhit shënohet me festën e Kurban Bajramit, e cila kremtohet më 10 të muajit Dhul-Hixhe dhe zgjat deri në tri ditë në shumë vende myslimane.

    Besimtarët falin namazin e Bajramit, vizitojnë familjarët dhe miqtë, shkëmbejnë urime me fjalët “Bajrami Mubarek” dhe ndajnë mishin e kurbanit me familjen, të afërmit dhe personat në nevojë.

  • Spitali i Pejës jep detaje për të lënduarit në vet-aksidentin me fatalitet në Dollc, njëri u dërgua në QKUK

    Spitali i Pejës jep detaje për të lënduarit në vet-aksidentin me fatalitet në Dollc, njëri u dërgua në QKUK

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë detaje rreth gjendjes së pacientëve pas vet-aksidentit të rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Dollc të Klinës, ku një person humbi jetën dhe katër të tjerë mbetën të lënduar.

    Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:55, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor.

    “Si pasojё e kёtij vetaksidenti njё person ka pësuar me fatalitet, vdekjen e sё cilit e kanё konstatuar ekipi mjekёsor nё vendin e ngjarjёs, ndёrsa katёr (4) tё tjerё janё dёrguar nё spitalin rajonal nё Pejё pёr tretman mjekёsor dhe tё njëjtit sipas mjekёve janё jasht rrezikut pёr jetё”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë të ditur se katër personat e lënduar janë pranuar për trajtim mjekësor.

    “Pas ofrimit të trajtimit, një person është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një person po vazhdon trajtimin në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ndërsa dy persona janë liruar për në shtëpi në gjendje stabile”, ka njoftuar spitali

    Sipas spitalit, personi që humbi jetën nuk është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

  • Tre palë zgjedhje për 16 Muaj: Kosova në krizë politike dhe ekonomike

    Tre palë zgjedhje për 16 Muaj: Kosova në krizë politike dhe ekonomike

    Kosova po hyn sërish në një proces zgjedhor që, në vend të zgjidhjeve, po prodhon një tjetër kapitull të pasigurisë. Brenda më pak se një viti e gjysmë, vendi shkon për herë të tretë në zgjedhje parlamentare.

    Zgjedhjet e 7 qershorit 2026 do të jenë të dytat e parakohshme radhazi për Kosovën, pas atyre të dhjetorit 2025, të cilat erdhën si pasojë e dështimit të legjislaturës së nëntë për të konsoliduar institucionet.

    Edhe legjislatura e dhjetë nuk arriti të përmbushë një nga detyrimet themelore kushtetuese, zgjedhjen e presidentit, duke çuar në shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

    Kriza politike në vend dhe shkuarja në zgjedhje të reja po krijojnë pasiguri serioze për ekonominë e Kosovës, duke rrezikuar stabilitetin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

    Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, theksoi se zgjedhjet e shpeshta po sjellin kosto të drejtpërdrejta për ekonominë.

    “Çdo proces i ri zgjedhor nënkupton muaj të tërë të humbur për vendimmarrje dhe projekte zhvillimore. Kjo po u kushton bizneseve vonesa, humbje financiare dhe pasiguri të mëdha për të ardhmen dhe investimet.

    Ekonomia nuk mund të presë pafundësisht cikle politike – ajo ka nevojë për stabilitet të menjëhershëm”.

    Ai thekson rolin e DHTIK-së, duke lobuar për zgjidhje konkrete, duke propozuar politika lehtësuese, si dhe duke ndërmjetësuar komunikimin ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.

    “Përfaqësuesit e bizneseve raportuan për rritje të kostove të prodhimit, varësi të lartë nga importi, mungesë mbështetjeje institucionale dhe zvarritje të vendimmarrjes, faktorë që po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë operimin në treg”.

    Paralajmërime të forta ka bërë edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

    Kryetari Arian Zeka rikujtoi se krizat politike në vend kanë një histori të qartë ndikimi negativ në ekonomi.

    “Historikisht, sa herë kemi pasur ngërçe politike… kjo gjithmonë ka reflektuar në normën e rritjes ekonomike edhe gjatë vitit 2026 pritshmëritë janë për një normë të ulët, kryekëput për shkak të tejzgjatjes së krizës politike”.

    Ai theksoi se pa stabilitet institucional, investimet e huaja mbeten të rrezikuara.

    “Investitorët e huaj kanë nevojë për institucione të qëndrueshme, kanë nevojë për mjedise stabile, kanë nevojë për përfaqësues të institucioneve të shtetit me të cilët ata mund të bisedojnë edhe mund të japin zotimet e tyre dhe, në të njëjtën kohë, të ndiejnë që investimet e tyre do të jenë të sigurta dhe nuk do të cenohen nga çfarëdo krize ose pasigurie politike, e cila po e karakterizon vendin tonë.

    Uroj që zgjedhjet e ardhshme të bëhen sa më shpejt në mënyrë të rregullt, pas tyre të mos kemi vonesa të mëtejme as në konstituimin e Kuvendit të Republikës e as në themelimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit ose presidentes së vendit”.

    Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale po krijon edhe një boshllëk komunikimi me investitorët potencialë.

    “Është e rëndësishme që këta investitorë të kenë me kë të mund të bisedojnë”.

    Rrezikohen miliona euro fonde

    Në anën tjetër, Oda Ekonomike e Kosovës ka ngritur alarmin për rrezikun e humbjes së fondeve nga Bashkimi Europian.

    Kryetari Lulzim Rafuna paralajmëroi se mungesa e institucioneve mund të kushtojë me qindra miliona euro:

    “Shuma tjetër e mjeteve nuk mund të merret pa u bërë reforma… ekziston rreziku shumë i madh që të humbim një pjesë shumë të madhe të mjeteve”.

    Kosova ka në dispozicion rreth 880 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, por deri tani ka përfituar vetëm 63 milionë euro si parafinancim. Pjesa tjetër mbetet e kushtëzuar me reforma që, në mungesë të Kuvendit funksional dhe qeverisë me mandat të plotë, nuk mund të realizohen.

    Rafuna theksoi se situata aktuale e bën pothuajse të pamundur përparimin e këtyre proceseve.

    “Tani është shumë vonë, të gjitha partitë politike janë të përqendruara në fushatë”.

    Përveç krizës së brendshme, ekonomia e Kosovës po përballet edhe me presione të jashtme. Sipas Rafunës, vendi ka importuar inflacion si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë dhe derivateve.

    “Ne jemi një vend që importojmë shumë, bashkë me importin kemi importuar edhe rritjen e çmimeve edhe inflacionin. Çmimi i derivateve është kosto operative për çdo biznes dhe kjo me automatizëm e ka shkaktuar inflacionin”.

    Ndërsa ekonomisti Safet Gërxhaliu thotë se këto zgjedhje janë luks dhe komoditet që nuk mund t’i përballojnë as vendet europiane.

    Gërxhaliu përmendi edhe inflacionin dhe rritjen e çmimeve që është goditur Kosova.

    “Jemi duke jetuar në një kohë krize globale, jemi duke jetuar në një kohë kur inflacioni ka kapluar dhe ka goditur ekonomitë më të mëdha dhe jo vetëm Kosovën. Jemi në një kohë kur çmimet e produkteve thelbësore në Kosovë janë vërtet më të larta dhe po e dëmtojnë standardin e qytetarëve të Kosovës dhe jemi në një kohë kur Kosova ka nevojë për investime të shumta dhe projekte kapitale, nga të cilat do të përfitojnë edhe bizneset e qytetarëve”.

    Ai përmendi edhe mungesën e kompromisit politik, ndërsa nuk beson që zgjedhjet do të jenë zgjidhje, për shkak të siç e tha ai, qasjen agresive të pushtetit

    “Kosova do të humbë edhe në aspektin e absorbimit të mjeteve nga donatorët, në veçanti nga Bashkimi Europian. Do të dëmtojë imazhin e saj, sepse askush nga investitorët e huaj nuk do të vijë të investojë në Kosovë, në një shtet ku nuk ka stabilitet politik dhe ku nuk ka një politikë pro-biznes.

    Do të rritet importi dhe do të eksportohet paraja e gatshme dhe në këtë drejtim, në aspektin ekonomik, do të kemi pasoja të mëdha”.

    Mbi 10 milionë për një palë zgjedhje

    Në këtë situatë, edhe buxheti për organizimin e zgjedhjeve reflekton koston e lartë të krizës politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar një buxhet prej 10,887,186.45 eurosh për procesin zgjedhor të 7 qershorit.

    Fushata zgjedhore do të zgjasë vetëm 10 ditë e 7 orë, nga 28 maji deri më 7 qershor në orën 06:59, ndërsa votimi do të mbahet nga ora 07:00 deri në 19:00. Procesi përfshin gjithashtu votimin nga diaspora (25 maj – 6 qershor), votimin në përfaqësi diplomatike më 6 qershor, si dhe një sërë afatesh për regjistrime dhe akreditime gjatë muajit maj.

    Në krahasim me vendet europiane, ku tri cikle zgjedhore zakonisht zhvillohen brenda 7 deri në 10 viteve, Kosova po vendos një rekord të ri, tri zgjedhje brenda një viti e katër muajsh.

    Në këtë realitet, zgjedhjet nuk po perceptohen më si mekanizëm zgjidhjeje, por si simptomë e një krize të thellë institucionale që po zgjatet dhe po prodhon pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë dhe zhvillimin e vendit.

    Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja më 7 qershor për shkak se politika dështoi ta zgjedhë presidentin e shtetit, deri më 28 prill, siç e kërkonte Kushtetuta. Këto janë votimet e treta nacionale që mbahen në vend, nga shkurti 2025.

    I gjithë viti i kaluar u shoqërua me një ngërç politik, për shkak të pamundësisë së politikës që të gjejë një zgjidhje për ndërtimin e institucioneve. /Monitor

  • Haradinaj: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale, studentët kërkojnë dinjitet dhe barazi

    Haradinaj: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale, studentët kërkojnë dinjitet dhe barazi

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale, por gjuhë autoktone e këtij trualli që ka mbijetuar brez pas brezi pavarësisht historisë dhe sfidave, duke theksuar se ajo është e garantuar me Kushtetutë dhe përfaqëson të drejtën e patjetërsueshme të çdo shqiptari për ta përdorur në arsim, komunikim dhe jetën publike pa frikë e pa kompromis.

    Ai ka shtuar se studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje, por dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre, duke shprehur mbështetje të plotë për protestën e paralajmëruar dhe duke theksuar se zëri i tyre përfaqëson çdo shqiptar që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë. /Gazeta Express.

    Postimi i plotë:

    Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale. Është gjuhë autoktone, gjuhë e këtij trualli, që nuk kanë mundur ta ndalin as kralat e as sulltanët. Ajo ka mbijetuar brez pas brezi, në familje, në shkolla, në këngë e në sakrifica.

    Shqipja është e garantuar me Kushtetutë dhe me të drejtën e patjetërsueshme të çdo shqiptari për të folur shqip në vendin e vet, për të studiuar shqip, për të shkruar, menduar dhe për të marrë frymë shqip pa frikë e pa kompromis.

    Studentët shqiptarë sot nuk po kërkojnë privilegje, po kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre.

    Me zemër, me shpirt dhe me krenari jam me ju nesër, studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Zëri juaj është zëri i çdo shqiptari që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë.

    I juaji,

    Ramushi

  • Mbi 117 mijë kërkesa për regjistrim për votim jashtë Kosovës

    Mbi 117 mijë kërkesa për regjistrim për votim jashtë Kosovës

    Periudha 12 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, për zgjedhjet e 7 qershorit do të përmbyllet në mesnatë. Evidencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në paraditen e sotme vënë në pah se janë pranuar mbi 117 mijë kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë pranuar rreth 100 mijë, ndërkohë që 7 mijë janë refuzuar e mbi 10 mijë janë në pritje për shqyrtim.

    “Sonte në mesnatë, më 17 maj, do të përfundojë periudha 12-ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, në momentin e regjistrimit votuesit kanë mundur të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit, qoftë për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike apo për të votuar përmes postës”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

    Numri më i madh i votuesve, mbi 76 mijë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës, ndërkohë që rreth 23 mijë të tjerë fizikisht në ambasada apo konsullata.

    Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë: Gjermania, Zvicra, Franca, Suedia, Austria, Britania e shtete të tjera.

    Edhe shtetasit e Kosovës të cilët ditën e zgjedhjeve të 7 qershorit ndodhen jashtë shtetit, gjithashtu do ta kenë mundësinë të votojnë.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ua ka mundësuar këtyre shtetasve, të bëjnë regjistrimin gjatë periudhës për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 6 maj dhe do të përfundojë sot më 17 maj. Procedura e regjistrimit është e njëjtë me atë për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.