ATV

Author: K.B.

  • Hakmarrësit e zodiakut, kini kujdes nga këto 4 shenja horoskopi

    Hakmarrësit e zodiakut, kini kujdes nga këto 4 shenja horoskopi

    Shenjat e horoskopit të cilat njihen si më shumë hakmarrëse janë pikërisht këto: akrepi, peshqit, demi dhe virgjëresha.
    Në përgjithësi këto dominojnë më shumë se të tjerat, prandaj bëni mirë të mendoheni gjatë përpara se të krijoni diçka jo të këndshme me ta.

    1. Akrepi
    Akrepi është një nga shenjat hakmarrëse të zodiakut. Edhe nëse kalojnë shumë vite, një akrep kurrë nuk e harron inatin që ka me ju. Mënyra që do gjejnë për t’u hakëmarrë është edhe e frikshme, pasi imagjinata e tyre është e madhe.

    2. Peshqit
    Peshqit mund të duken të pafajshëm, por ndjeshmëria e tyre ekstreme është diçka të cilën duhet ta keni kujdes.
    Nëse ofendoni një peshk, më vonë ai do t’jua kthejë në mënyrën që nuk e kishit imagjinuar. Do zgjoheni një ditë dhe do kuptoni se arsyeja pse nuk po ju ecën puna, është pikërisht dëmi që ju ka bërë një peshk.

    3. Demi
    Nëse mendoni të mërzisni një dem, do përjetoni një ferr të vërtetë më pas. Edhe demi nuk harron lehtë.
    Ai nuk do të tërhiqet në kërkimin e tyre për t’ju bërë keq.

    4. Virgjëresha

    Virgjëresha mund të jetë më pak hakmarrëse në këtë listë.Forma e hakmarrjes së Virgjëreshës vjen në valë jo shumë agresive. Mos u mashtroni me këtë gjë, pasi ajo mendon më gjatë për t’u hakëmarrë me ju.

  • Shtetasi polak arrestohet në Gjakovë, dyshohet se theu xhamin e një lokali

    Shtetasi polak arrestohet në Gjakovë, dyshohet se theu xhamin e një lokali

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të “Asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë”, që ka ndodhur në Gjakovë.

    Sipas policisë, më 16 maj 2026 rreth orës 05:00, ankuesi ka raportuar se kur kishte shkuar për ta hapur lokalin e tij zejtar, kishte vërejtur se një xham i lokalit ishte thyer.

    Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas shikimit të kamerave të sigurisë kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin, një mashkull shtetas polak, i cili më pas është arrestuar.

    Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit i është bërë alkooltesti, ku ka rezultuar se kishte 1.78 promil alkool në gjak.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Spotify zëvendëson logon klasike me ‘top diskoje’ – Ja çfarë po ndodh

    Spotify zëvendëson logon klasike me ‘top diskoje’ – Ja çfarë po ndodh

    Në rast se nuk e keni vënë re, transmetuesi muzikor Spotify ka ndryshuar së fundmi ikonën.

    Ajo me të cilën ndoshta jeni të njohur tregonte tre vija të zeza të lakuara brenda një rrethi të gjelbër.

    Ato vija të zeza përfaqësonin valët e radios dhe imazhi, i krijuar në vitin 2013, supozohej të përfaqësonte transmetimin dhe lidhjen e muzikës.

    Shumë anëtarë të Spotify u habitën kur panë se ikona ishte ndryshuar në një top diskoje të gjelbër vezullues.

    Por, ajo është vetëm e përkohshme dhe ndryshimi u bë vetëm për të festuar 20-vjetorin e transmetuesit.

    Ikona e vjetër do të kthehet këtë javë që vjen, kështu që ata prej jush që e urrejnë ndryshimin tani mund të relaksohen.

  • E goditi me shqelm policin, arrestohet gruaja në Prizren

    E goditi me shqelm policin, arrestohet gruaja në Prizren

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të “Sulmit ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndimit të lehtë trupor”, që ka ndodhur në Prizren.

    Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 17 maj 2026 rreth orës 23:20, ku një grua e dyshuar fillimisht kishte fyer e më pas kishte sulmuar fizikisht një zyrtar policor, duke e goditur me shqelm derisa ai ishte duke hyrë në marketin e një pompe të derivateve.

    Policia bën të ditur se e dyshuara ka shfaqur rezistencë edhe gjatë arrestimit, me ç’rast dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

    Të dyshuarës i është ofruar trajtim mjekësor në stacion policor, ndërsa zyrtarët policorë kanë marrë tretman mjekësor.

    Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje për 24 orë.

  • Sulmohet gjatë punës së tij një inspektor komunal në një lokal në Prishtinë, të dyshuarit në arrati

    Sulmohet gjatë punës së tij një inspektor komunal në një lokal në Prishtinë, të dyshuarit në arrati

    Një inspektor komunal është sulmuar dje në Prishtinë derisa po kryente detyrën e tij zyrtare në një lokal.

    Ai ishte sulmuar fizikisht nga pronari i lokalit dhe disa persona të tjerë ende të paidentifikuar.

    Policia ka njoftuar se viktima ka pranuar tretman mjekësor në lidhje me rastin, ndërsa janë intervistuar tre dëshmitarë të rastit.

    Të dyshuarit janë në arrati, rasti po hetohet.

    “Prishtinë / 17.05.2026 – 15:50. Viktima mashkull kosovar (m/k) inspektor komunal, ka raportuar se derisa ka qenë në kryerje të detyrës zyrtare, është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga i dyshuari m/k –pronar i një lokali dhe disa persona të tjerë ende të pa identifikuar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa lidhur me rastin janë intervistuar tre dëshmitar rasti. Të dyshuarit gjenden në arrati, rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • Bebe Rexha mbështetë protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut: Shqipja është pjesë e identitetit tonë

    Bebe Rexha mbështetë protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut: Shqipja është pjesë e identitetit tonë

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka dalë në mbështetje të protestës të 18 majit të paralajmëruar nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, për të kërkuar të drejtën që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

    Në disa postime në InstaStory, artistja ka shpërndarë thirrjen për protestë me mbishkrimin “Protestë – Bashkohuni me studentët… 18 maj 2026”, duke përcjellë mesazhin që të gjithë të bëhen “një zë”.

    “Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë kemi luftuar për ta ruajtur dhe mbajtur gjallë”, thuhet në postim, duke rikujtuar sakrificat historike të shqiptarëve për ruajtjen e gjuhës.

    Rexha gjithashtu sjell në vëmendje edhe faktin se Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, i ndërtuar mbi bashkëjetesën dhe parimin e të drejtave të barabarta, ku shqipja njihet si gjuhë bashkë-zyrtare.

  • Misioni i rrezikshëm në Maldive – Katër italianë të vdekur në shpella nënujore, shtohen viktimat gjatë kërkimit

    Misioni i rrezikshëm në Maldive – Katër italianë të vdekur në shpella nënujore, shtohen viktimat gjatë kërkimit

    Tre zhytës shpellash finlandezë do të bashkohen këtë të hënën, në përpjekjet për të gjetur dhe trupat e katër zhytësve italianë që vdiqën të enjten ndërsa eksploronin shpella nënujore 50 metra të thella në Maldive gjatë një ekspedite zhytjeje në atolin Vaavu, njoftoi rrjeti evropian i zhytësve DAN.

    Ekipi mbërriti dje, të dielën, tha DAN Europe në një deklaratë. Trupi i njërit prej zhytësve italianë u gjet të premten, tha Forca Kombëtare e Mbrojtjes e Maldiveve në një deklaratë.

    “Trupi u nxor nga një shpellë afërsisht 60 metra e thellë. Vlerësohet se edhe zhytësit e mbetur do të jenë brenda shpellës, e cila është afërsisht 61 metra e gjatë”, thuhet në deklaratë.

    Zhytësit finlandezë, Sami Paakarinen, Jenny Westerlund dhe Patrick Grenqvist, do të punojnë me anëtarët e Forcës Kombëtare të Mbrojtjes së Maldiveve (MNDF), e cila po koordinon operacionin, dhe zyrtarë të tjerë.

    Një zhytës i MNDF-së që mori pjesë në operacion, Togeri i Parë Mohamed Mahoudi , vdiq të shtunën nga sëmundja e dekompresionit, duke e detyruar MNDF-në të pezullojë përkohësisht operacionin, i cili po kryhej në kushte të këqija moti

  • Dëmtohet monumenti i UÇK-së në Kaçanik, Gucati: Marre, në emër të atyre 3 shkronjave janë vrarë njerëz

    Dëmtohet monumenti i UÇK-së në Kaçanik, Gucati: Marre, në emër të atyre 3 shkronjave janë vrarë njerëz

    Monumenti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik është dëmtuar, e ky veprim nxiti reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

    Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, e ka cilësuar aktin si të papranueshëm dhe të turpshëm, duke theksuar se në emër të UÇK-së janë vrarë njerëz, dhe se kemi mbi 5,000 dëshmorë të kombit.

    “Është një dobësi shumë e madhe. Me thënë bufalisht, është marre me atë që ka ndodhur në Kaçanik, sepse po e tregojnë fytyrën e vërtetë e asaj që ndodh, por nuk ka raporte policore, prandaj nuk mund të tregojmë me gisht dikë që e ka kryer këtë akt vandal”.

    “Ky akt është turp i madh, sepse në emër të UÇK-së janë vrarë njerëz dhe ne kemi mbi 5,000 dëshmorë të kombit që janë vrarë në emër të UÇK-së”, tha mes tjerash Gucati.

  • OVL e UÇK-së mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

    OVL e UÇK-së mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i ka dalë në mbështetje protestës së sotme të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Sipas OVL të UÇK-së, kauza e tyre është e drejtë.

    “OVL e UÇK-së, mbështet plotësisht studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë dalë tani në rrugë për të kërkuar dinjitet dhe status të barabartë për gjuhën dhe identitetin shqiptar. Zëri i tyre është legjitim. Kauza e tyre është e drejtë”, thuhet në njoftimin e organizatës”, thuhet një njoftim.

    Sipas tyte, shqipja nuk është nder i falur nga shteti apo i negociuar përmes marrëveshjeve politike.

    “Është e drejtë e patjetërsueshme e një populli në trojet e veta. Kërkojmë që këto të drejta të respektohen, menjëherë dhe pa kushte. Dinjiteti shqiptar nuk negociohet”.

  • Shahini: Kosova po fundoset ekonomikisht, vendi i dytë më i varfër në Evropë

    Shahini: Kosova po fundoset ekonomikisht, vendi i dytë më i varfër në Evropë

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka reaguar pasi Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë.

    Shahini përmes, një postimi në Facebook, ka shkruar se AKB-ja e konsideron shqetësim kombëtar dhe dështim institucional faktin që Kosova, sipas raportit të fundit ndërkombëtar për GDP-në për kokë banori sipas PPP-së, renditet si shteti i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Moldavisë.

    Sipas tij, ky raport është pasqyra më e qartë e degradimit ekonomik që po i ndodh Kosovës ndër vite.

    Postimi i tij i plotë:

    Aleanca Kosovare e Bizneseve e konsideron shqetësim kombëtar dhe dështim institucional faktin që Kosova, sipas raportit të fundit ndërkombëtar për GDP-në për kokë banori sipas PPP-së, renditet si shteti i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Moldavisë.

    Ky raport është pasqyra më e qartë e degradimit ekonomik që po i ndodh Kosovës ndër vite. Është e papranueshme që një vend me resurset më të mëdha njerëzore në rajon, me diasporë të fuqishme dhe me potencial zhvillimor, të vazhdojë të mbetet në fund të Evropës për mirëqenie ekonomike.

    AKB-ja vlerëson se institucionet e Kosovës kanë dështuar të krijojnë politika serioze zhvillimore dhe ambiente të favorshme për biznesin dhe investitorët. Përderisa vendet e rajonit po ecin përpara me investime, prodhim dhe eksporte, Kosova po vazhdon të mbijetojë nga diaspora, importi dhe konsumi.

    Bizneset në Kosovë po përballen çdo ditë me rritje të vazhdueshme të kostos së energjisë,mungesë të mbështetjes shtetërore,pasiguri ekonomike dhe politike, burokraci të rëndë, ekonomi joformale dhe konkurrencë të padrejtë, si edhe mungesë të strategjisë për prodhim vendor.

    Është turp ekonomik dhe institucional që Kosova sot renditet pas shumicës së vendeve të rajonit, ndërsa qytetarët po largohen masivisht nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.

    AKB-ja paralajmëron se pa ndryshime urgjente në politikat ekonomike dhe pa trajtim serioz të sektorit privat, Kosova rrezikon të thellojë edhe më shumë varfërinë, papunësinë dhe varësinë ekonomike.

    AKB kërkon një paketë emergjente për mbështetjen e prodhimit vendor, ulje të barrës fiskale për bizneset, ndaljen e politikave që rëndojnë sektorin privat,strategji kombëtare për investime dhe eksporte dhe dialog të sinqertë institucional me komunitetin e biznesit.

    Kosova nuk mund të ndërtojë zhvillim ekonomik me propaganda politike, por vetëm me ekonomi reale, prodhim, investime dhe partneritet me biznesin tha në fund Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.