ATV

Author: K.B.

  • Zyrtari i NATO-s Kevin Hamilton vjen për herë të parë në Kosovë, takon Kurtin

    Zyrtari i NATO-s Kevin Hamilton vjen për herë të parë në Kosovë, takon Kurtin

    Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Partneritete në NATO, ambasadori Kevin Hamilton ka vizituar Kosovën për herë të parë.

    Gjatë qëndrimit të tij në vend, Hamilton zhvilloi një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

    Sipas komunikatës për media, gjatë takimit u bisedua për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n.

    “Kryeministri në detyrë Kurti foli për zhvillimet në vend, përfshirë ato në fushën e teknologjisë dhe të mbrojtjes, si dhe për prodhimin e municionit në Kosovë. Po ashtu, biseduan për marrëdhëniet e mira me NATO-n, sigurinë në rajon dhe në Kosovë, si dhe zhvillimet politike aktuale”.

    “U diskutua gjithashtu për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ku në pyetjen e z. Hamilton, kryeministri në detyrë Kurti shpjegoi konceptin dhe theksoi nevojën e kësaj strukture në forcimin e sigurisë dhe koordinimit me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • Përurohet rezervuari i Radoniqit, investim 9.15 milionë euro që rrit ndjeshëm ujitjen në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit

    Përurohet rezervuari i Radoniqit, investim 9.15 milionë euro që rrit ndjeshëm ujitjen në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, mori pjesë sot në ceremoninë e shënimit të përfundimit me sukses të Projektit IRIS dhe funksionalizimit të sistemit të rehabilituar të ujitjes në Radoniq të Gjakovës.

    Ky projekt, me vlerë totale prej 9.15 milionë euro, është financuar përmes një donacioni nga Komisioni Evropian dhe administruar nga Banka Botërore, ndërsa është udhëhequr dhe menaxhuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

    Përmes këtij projekti do të përfitojnë drejtpërdrejt dhe bujqit e komunave të Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit.

    Aktualisht, sistemi i ujitjes mbulon rreth 5,000 hektarë tokë bujqësore, ndërsa me përfundimin e projektit janë shtuar edhe 6,000 hektarë të tjerë, duke e çuar sipërfaqen totale të përfshirë në rreth 11,000 hektarë që do të përfitojnë nga furnizimi më i sigurt dhe më efikas me ujë për ujitje.

  • “E kishte fiksim”, dënohet me vdekje TikTok-eri që vrau 17 vjeçaren

    “E kishte fiksim”, dënohet me vdekje TikTok-eri që vrau 17 vjeçaren

    Është dënuar me vdekje Umar Hayat, personi që akuzohet për vrasjen e influencueses së TikTok, Sana Yousaf.

    Ai u shpall fajtor për vrasjen e 17-vjeçares në qershor të vitit 2025. Hayat, po ashtu TikTok-er dhe djali i një ish-zyrtari qeveritar, u arrestua shumë shpejt pas krimit makabër që e kreu në shtëpinë e së resë.

    Fillimisht e pranoi atë që kishte bërë, më pas e mohoi në gjykatë, duke thënë se ishte i pafajshëm dhe se ishte përfshirë padrejtësisht në çështje.

    Vendimi u shpall nga gjyqtari Muhammad Afzal Majoka, i cili e dënoi me vdekje për “vrasje me paramendim”, megjithatë vendimi duhet të konfirmohet nga Gjykata e Lartë e Islamabadit.

    Përveç dënimit kapital, gjykata urdhëroi që i dënuari të paguajë 2.5 milion rupi kompensim për familjen e viktimës. Në rast mospagese, ai do të vuajë edhe 6 muaj burg shtesë.

    Gjykata i dha gjithashtu dënime të tjera për vepra të ndryshme penale, përfshirë 10 vite burg për grabitje, 10 vite për shpifje dhe 1 vit për vjedhje mallrash, por të gjitha dënimet do të ekzekutohen njëkohësisht.

    Gjatë gjykimit, Hayat ka mohuar akuzat, duke deklaruar se është implikuar padrejtësisht dhe se rasti është ndikuar nga presioni publik në rrjetet sociale. Më herët, në rrëfimin e tij, ai kishte përshkruar në detaje krimin dhe motivin, duke theksuar fiksimin e tij dhe xhelozinë ndaj 17 vjeçares.

    Çështja ka ngjallur debat të gjerë në Pakistan për sigurinë e grave dhe dhunën e lidhur me rrjetet sociale.

  • Si u ndaluan studentët shqiptarë në Bllatë teksa udhëtonin për protestën në Shkup

    Si u ndaluan studentët shqiptarë në Bllatë teksa udhëtonin për protestën në Shkup

    Një autobus me studentë shqiptarë nuk u lejua të kalojë kufirin në pikën doganore të Bllatës në Dibër, në kufi me Maqedoninë e Veriut, 2 ditë më parë.

    Autobusi me studentë nga Shqipëria, i cili po shkonte drejt Shkupit për t’ju bashkuar protestës së studentëve shqiptarë në RMV, u ndalua dhe më pas u shoqërua nga policia drejt Kumanovës.

    Të hënën studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut organizuan protestën e radhës, me kërkesë kryesore të drejtën për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.

    Kërkesa e tyre buron nga studentët e drejtësisë që prej dy vitesh kërkojnë të japin provimet në gjuhën amtare, pa gjetur zgjidhje.

  • 17 raste të fruthit brenda një muaji në Kosovë, IKShPK me apel për vaksinim të fëmijëve

    17 raste të fruthit brenda një muaji në Kosovë, IKShPK me apel për vaksinim të fëmijëve

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në periudhën 16 prill – 19 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar 17 raste të fruthit- kryesisht të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës).

    Sipas komunave, 7 raste janë regjistruar në Ferizaj, 4 raste në Prishtinë, 3 raste në Kaçanik, dhe nga një rast në Lipjan, Gjilan, Shtime dhe Fushë Kosovë.

    Nga IKShPK kanë thënë se janë duke vazhduar aktivitetet për rritjen e vaksinimit në të gjitha nivelet.

    Ky institucion u kishte bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare në komunën përkatëse.

    Në fund të muajit prill u bë e ditur për regjistrimin e tetë rasteve të fëmijëve me fruth në Kosovë.

    IKSHPK kishte theksuar se fëmijët e prekur janë duke marrë trajtim spitalor, duke dëshmuar për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.

    Falë vaksinimit, Kosova kishte qenë një ndër shtetet shembull në rajon sa i përket rasteve të prekura me fruth. Sipas të dhënave, në vitin 2019, Kosova kishte 95% mbulueshmëri me vaksinën kundër fruthit.

    7 vite pas mbulueshmëria me vaksinën kundër Fruthit, Shytave dhe Rubellës (MMR) për dozën e parë ka rënë në 82%.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) thotë se mbulueshmëria me dozën e parë të vaksinës MMR ende nuk ka arritur nivelin e nevojshëm për imunitet kolektiv.

    Ndërkaq mbulueshmëria për dozën e dytë të kësaj vaksine e cila jepet tek fëmijët e moshës 5–6 vjeç është 94%.

    Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae. Përhapet kryesisht përmes ajrit dhe spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë.

    Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.Shenja e parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë.

    Shenja të tjera të sëmundjes janë rrjedhje nga hunda, kolla, sytë e skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës.

    Komplikimet janë më të shpeshta tek fëmijët në moshën nën 5 vjet ose tek të rriturit mbi 20 vjet.

    Si komplikime më të rënda janë: encefaliti (infeksion i cili shkakton ënjtje të trurit), verbërimi, diarre e rëndë e shoqëruar me dehidrim, infeksionet e veshit dhe infeksionet e rënda të organeve të frymëmarrjes, si për shembull pneumonia.

  • “Gruaja e lodhur nga puna vlen më shumë” – Osmani reagon pas debatit për “frizerkat”

    “Gruaja e lodhur nga puna vlen më shumë” – Osmani reagon pas debatit për “frizerkat”

    Pas publikimit të një videoje ku zëvendëskryeministri në detyrë, Glauk Konjufca, dëgjohet duke ironizuar me shprehjen “kur jena te frizerkat”, që u interpretua si referencë ndaj presidentes Vjosa Osmani, ka ardhur një reagim i ashpër nga e ish e para e shtetit.

    Osmani ka theksuar se asnjë grua që punon nuk duhet të jetë objekt përqeshjeje apo nënçmimi, duke e quajtur të papranueshme çdo formë të përçmimit ndaj grave në çdo profesion.

    “Veç puna e çon përpara Kosovën, jo urrejtja e përçmimi. Asnjë grua që punon nuk duhet të jetë objekt përqeshjeje. As gruaja në sallon, as në market, as në shkollë, as në spital, as në zyre, as në universitet, as gruaja që mban biznes apo familje,” thuhet në reagimin e saj.

    Ajo shtoi se gratë në Kosovë janë shtylla të shoqërisë dhe punojnë çdo ditë në heshtje, duke ndërtuar jetë dhe duke kontribuuar në ekonomi e familje.

    “Gratë janë shtylla e Kosovës. Janë heroinat tona të përditshme… Gruaja e lodhur nga puna vlen më shumë se mijëra fjalët tuaja boshe,” ka deklaruar Osmani.

    Pas reagimeve, zëvendëskryeministri në detyrë Glauk Konjufca, ka mohuar se deklarata e tij ishte e drejtuar apo ofenduese ndaj presidentes Vjosa Osmani apo profesionit të parukieres.

    Ai sqaroi se fjala e tij është nxjerrë nga konteksti dhe nuk ka pasur qëllim nënçmimi.

    “Nuk kam pasur asnjë qëllim ofendues. Konteksti është keqinterpretuar dhe nuk lidhet me nënçmim të askujt,” ka deklaruar Konjufca.

  • Dalin rrogat e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë, pezullohet greva

    Dalin rrogat e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë, pezullohet greva

    Punëtorët teknikë në disa shkolla të Prishtinës kishin hyrë dje në grevë për shkak se sipas tyre nuk kanë pranuar pagat e muajit prill.

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka mbajtur mbledhje sot me kryetarët e shoqatave të Sindikatës të punëtorëve teknik të shkollave të Komunës së Prishtinës aty ku u njoftua se është pezulluar greva pasi punëtorët sot kanë pranuar pagat e tyre.

    Greva është pezulluar deri me datën 25 maj, ndërsa është paralajmëruar se nëse nuk lidhin kontratat e punës deri me këtë datë, ata do ta ndërpresin punën.

    Jusuf Azemi tha se greva e mbajtur dje ka pasur efektet e saj pasi pagat e punëtorëve janë ekzekutuar sot, duke potencuar se efektet e veprimeve sindikale kishin efekt.

    Në grevën e djeshme kishin hyrë punëtorët teknikë të shkollave: “Dardania”, “Asim Vokshi”, “Gjergj Fishta”, “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina” e shkolla të tjera në kryeqytet./

  • Abdixhiku njofton mërgatën: Të dielën do të jem në Cyrih të Zvicrës – Ejani, Kosova na do bashkë

    Abdixhiku njofton mërgatën: Të dielën do të jem në Cyrih të Zvicrës – Ejani, Kosova na do bashkë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se të dielën e kësaj jave, do të jetë në Cyrih të Zvicrës.

    Abdixhiku, ka shtuar se tubimi do të fillojë nga ora 14:00.

    Postimi:

    Bashkëatdhetarë,

    Këtë të diel, nga ora 14:00, jemi në Cyrih të Zvicrës, në një ndër tubimet më të mëdha elektorale të këtij rrugëtimi.

    Ejani. Ju presim!

    Kosova na do bashkë!

  • Gjini reagon ashpër, shkarkon drejtorin pas skandalit në “Piranja”: Akt i turpshëm, nuk përfaqëson as Gjakovën e as Aleancën!

    Gjini reagon ashpër, shkarkon drejtorin pas skandalit në “Piranja”: Akt i turpshëm, nuk përfaqëson as Gjakovën e as Aleancën!

    Ardian Gjini, ka reaguar ashpër ndaj rastit të publikuar në emisionin investigativ “Piranjat”, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe thellësisht të rëndë.

    Gjini ka theksuar se siguria dhe dinjiteti i fëmijëve janë “vija të kuqe të pakontestueshme” për institucionet, mbi të cilat “nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë asnjë kompromis”.

    Në reagimin e tij, Gjini ka bërë të ditur se personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës, sipas procedurave ligjore në fuqi.

    “Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm, i cili bie ndesh me moralin njerëzor dhe misionin e shenjtë të arsimit. Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor”, ka deklaruar Gjini.

    Ai gjithashtu ka sqaruar se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021.

    “Dua të sqaroj opinionin publik se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021. Megjithatë, si kandidat për Kryeministër dhe nënkryetar i Aleancës, kam kërkuar menjëherë konfirmimin zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të siguruar se ky individ nuk ka asnjë lloj lidhjeje apo angazhimi me ne”, ka shtuar ai.

    Gjini ka thënë se institucionet arsimore në Gjakovë do të mbeten të sigurta për fëmijët dhe se çdo shkelje e tillë do të përballet me ligjin.

    “Dua të siguroj të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet një mjedis i sigurt për fëmijët tanë, dhe kushdo që tenton ta cenojë këtë siguri do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit dhe me largim të menjëhershëm nga institucionet tona”, ka përfunduar Gjini.

  • Muharremi: 2026 mund të jetë fatale për LVV-në

    Muharremi: 2026 mund të jetë fatale për LVV-në

    Analisti Shenoll Muharremi ka shkruar se viti 2026 mund të jetë fatal për Lëvizjen Vetëvendosje.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Muharremi ka shkruar se kjo parti më 7 qershor do të pësoj rënie.

    “Sigurisht që LVV ka me pësu rënie më 7 qershor. Nëse do të korrigjohet në 43%, apo 39%, e 35%… këtë duhet me pritë dhe me kuptua sa është vetëdijesuar votuesi kosovar”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, më 7 qershor do të konfirmohet rënia e LVV-së dhe do të rikuperohen disa parti opozitare.

      Postimi i tij i plotë:

    2026 Mund të Jetë Fatale për LVV-në

    Sigurisht që LVV ka me pësu rënie më 7 qershor. Nëse do të korrigjohet në 43%, apo 39%, e 35%… këtë duhet me pritë dhe me kuptu sa është vetëdijësuar votuesi kosovar.

    Rënia dhe korrigjimi i LVV-së aty ku e ka bazën reale është më shumë një proces dhe kjo do të arrihet mesiguri me dy akte, jo me të parën. Kur fillon rënia, nuk ndalet më.

    Edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, votuesi vendas e ka ndëshkuar për rritje të çmimeve, varfëri, krizë të energjisë dhe kapje të shtetit, por Kurti atëherë bëri një inxhinieri elektorale, ku e bllokoi Kosovën me muaj që zgjedhjet të caktohen në festa të fundvitit.

    Arriti sukses, për shkak se i solli rreth 160,000 vota nga jashtë, derisa supozohet që rreth 90,000 votues të klasës së mesme, që votojnë partitë ish-opozitare, ishin jashtë vendit. Por kjo nuk ndodh më.

    Personalisht, nuk e njoh më asnjë person që voton për LVV. Me siguri se ka ende, por përderisa në vitin 2021 thuajse gjysma e personave që i njoh ishin me këtë parti, tani nuk janë më.

    Përshtypja është që zgjedhjet e 7 qershorit do të konfirmojnë rënien e përkrahjes për LVV dhe do të rikuperohen disa nga partitë opozitare. Por vendi, përsëri, nuk do të gjejë zgjidhje. Kjo për shkak se LVV e Kurti nuk bashkëpunojnë me askënd. Por edhe sikur të ndryshojnë, ata nuk kanë më miq e parti që do të bashkëpunojnë me ta.

    Kështu që, sipas të gjitha gjasave, 7 qershori është vetëm akti i parë, ku konfirmohet rënia e LVV-së, por nuk do të gjenerojë zgjidhje që i nevojitet Kosovës. Por zgjedhjet tjera, të dytat në 2026, mund të jenë fatale për LVV. Për shkak se kur votuesit e kuptojnë që LVV po humb përkrahjen, rënia mund të përshkallëzohet.

    Deri në fund të vitit 2026, LVV mund ta gjejë veten me vetëm rreth 30%-35% përkrahje, por edhe në opozitë.