ATV

Author: K.B.

  • Komuna e Prishtinës njofton për Shërbime Falas Shëndetësore në Germi, çdo të shtunë

    Komuna e Prishtinës njofton për Shërbime Falas Shëndetësore në Germi, çdo të shtunë

    Çdo të shtunë në orën 09:00, një ekip i urgjencës mobile i Kryeqytetit i përbërë nga mjek dhe staf teknik, do të jetë i pranishëm në Germi për të ofruar matje falas të shtypjes së gjakut dhe treguesve të tjerë bazikë shëndetësorë, njofton komuna e Prishtinës.

    Në njoftim theksohet se çdo të shtunë, në orën 09:00, në Parkun e Gërmisë, organizohen ecje dhe vrapime rekreative në distanca prej 2 dhe 5 kilometrash.

    “Pjesëmarrja është falas, pa karakter garues dhe e hapur për të gjitha grupmoshat, pavarësisht nivelit të përgatitjes fizike”, thuhet në njoftim.

    Detaje:

  • Shënimi i 70 vjetorit të lindjes së Fehmiut e Xhevës organizohet në Prishtinë, Lladrovci falënderon Ramën

    Shënimi i 70 vjetorit të lindjes së Fehmiut e Xhevës organizohet në Prishtinë, Lladrovci falënderon Ramën

    Kryeqendra e Kosovës dhe kryetari i saj, Përparim Rama, kanë marrë përsipër organizimin e shënimit të 70 vjetorit të lindjes së heroit dhe heroinës, Fehmi e Xhevë Lladrovci.

    Lladrovci shkurt e ka falënderuar Ramën dhe Prishtinën:

    Faleminderit Përparim, faleminderit Prishtinë, zemra e shqiptarisë!

  • Donika Gërvalla për deklaratën skandaloze të Fatos Gecit për ish-krerët e UÇK në Hagë: E respektoj atë që ka thënë

    Donika Gërvalla për deklaratën skandaloze të Fatos Gecit për ish-krerët e UÇK në Hagë: E respektoj atë që ka thënë

    Donika Gërvalla, ministre në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka komentuar deklaratën e Fatos Geci, kandidat për deputet në listën e Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me të akuzuarit në Hagë.

    Duke folur në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Gërvalla u pyet për deklaratën që Geci kishte bërë në një seancë të Kuvendit të Kosovës, në ditën kur ishte shpallur vendimi përfundimtar për rastin e Liridona Ademaj.

    Në atë seancë, gjatë një debati për Partia Demokratike e Kosovës, Geci kishte deklaruar se edhe personat që ndodhen në Hagë duhet të marrin “vendim të njëjtë”, duke iu referuar dënimit me burgim të përjetshëm të Naim Murseli.

    Lidhur me këtë deklaratë, Gërvalla tha se e respekton atë që ka thënë Geci, duke përmendur historinë dhe sakrificën e familjes së tij.

    “Fatosi, në përgjithësi familja Geci nga Llausha, ka një histori të dhimbshme të pasluftës dhe gjatë luftës. Edhe unë pa dashur të bëjë avokatin, e as gjykatësin e Fatos Gecit, unë e respektoj atë çfarë thotë Fatosi, sepse e respektoj përvojën dhe biografinë e familjes së tij. Mendoj që ajo pjesë e historisë sonë më të re është pjesë e historisë së Republikës së Kosovës, pjesë e një sakrifice të jashtëzakonshme që kanë bërë disa familje të mëdha në Kosovë. Kështu që Fatos Geci është njëri nga zërat e ndryshëm në këtë listë”, ka thënë Gërvalla.

  • Milaim Zeka dënohet me 1 vit burgim me kusht dhe gjobë për shmangie tatimi, duhet t’ia kompensojë ATK-së 81 mijë euro

    Milaim Zeka dënohet me 1 vit burgim me kusht dhe gjobë për shmangie tatimi, duhet t’ia kompensojë ATK-së 81 mijë euro

    Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-deputetit Milaim Zeka duke e dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për shmangie nga tatimi. Po ashtu, në emër të kompensimit të dëmit, i njëjti obligohet t’ia kompensojë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) shumën prej 81 mijë euro.

    Kurse, për pikën 2 të dispozitivit të aktakuzës, ku Zeka akuzohej bashkë me Ilir Krasniqin për “Shmangie nga tatimi”, Gjykata mori aktgjykim refuzues.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjyqtarja e çështjes, Edita Çanta, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas vendimit, për dy të akuzuarit Zeka dhe Krasniqi lidhur me veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, lidhur me nenin 31, Gjykata merr aktgjykim refuzues, për shkak se prokurori i shtetit është tërhequr nga kjo pikë e aktakuzës.

    Kurse, për veprën penale si në dispozitivin 5 të aktakuzës, i pandehuri Milaim Zeka u shpall fajtor për “Shmangie nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 3 dhe 1 të Kodit Penal, dhe u dënua me 1 vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti në periudhën e verifikimit në kohëzgjatje prej 2 viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

    Po ashtu, Zeka u dënua edhe me 3 mijë euro gjobë, të cilën obligohet ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Milaim Zeka gjithashtu obligohet që në emër të kompensimit të dëmit, palës së dëmtuar- Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) t’ia kompensojë dëmin prej 81 mijë euro, në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

    I njëjti detyrohet që në emër të shpenzimeve procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor t’i paguajë 100 euro dhe në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit shumën prej 20 euro.

    Po ashtu, obligohet t’i paguajë shpenzimet procedurale sipas listës shpenzimore të gjykatës, të cilat Gjykata me aktvedim të veçantë dhe në aktgjykim do t’i listojë.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Ndërkaq, sa i përket dispozitivit të dytë të aktakuzës, për të cilin u mor aktgjykim refuzues, shpenzimet procedurale bien në barrë të gjykatës.

    Pala e dëmtuar- ATK, për dispozitivin 2 të aktakuzës, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridik.

    Në seancën e 15 majit 2026, prokurori Ali Ajdini tha se Prokuroria tërhiqet nga ndjekja penale sa i përket pikës 2 të aktakuzës, në të cilën Ilir Krasniqi dhe Zeka akuzohen për “Shmangie nga tatimi”, për arsye se super-ekspertiza ka përcaktuar se biznesi “Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka OP” nuk ka obligime tatimore.

    Ndërkaq, për pikën 5 (e cila po ashtu ka të bëjë me “Shmangie nga tatimi”, por jo në bashkëkryerje ngase këtu akuzohej vetëm Zeka), prokurori kërkoi që i akuzuari Milaim Zeka të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

    Të pranishëm në shpallje ishin, i akuzuari Milaim Zeka me mbrojtësin e tij, avokatin Dren Kukaj dhe i akuzuari Ilir Krasniqi me mbrojtësin e tij, avokatin Qendrim Arifaj.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 prill 2022 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-deputetit Milaim Zeka dhe dy të akuzuarve- Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu për veprat penale “Mashtrimi”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrimi i parave”. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Milaim Zekës dhe Ilir Krasniqit sa i përket veprës penale “Shmangie nga tatimi”, kurse pjesën tjetër të aktgjykimit të Themelores e ka vërtetuar.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 28 gusht 2018 ka ngritur aktakuzë me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, kanë kryer disa vepra penale.

    Krasniqi dhe Zeka akuzoheshin se prej vitit 2016 deri në mars të vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.K & M.Z. Op”, si agjenci punësimi. Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

    Tutje, thuhet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit Krasniqi, F.K, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

    Krasniqi dhe Zeka akuzoheshin se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3 mijë e 50 euro, duke i ndarë proporcionalisht mes vete. Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83 mijë e 850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261 mijë e 850 euro.

    Me këtë, Krasniqi dhe Zeka ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335 i Kodit Penal.

    Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur, me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, me ç’rast akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

    I pandehuri Ilir Krasniqi akuzohej po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta. Me ç’rast, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

    Ndërsa, të pandehurit Zeka dhe Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer edhe veprat penale “Pastrim i parave”, “Mashtrimi” dhe për veprën penale “Shmangie nga tatimi”. Kurse, i pandehuri Zekaj akuzohej se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

  • Albin Kurti e merr në ekip ish-nënkryetaren e LDK-së

    Albin Kurti e merr në ekip ish-nënkryetaren e LDK-së

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ish-nënkryetarja e LDK’së, Shqipe Mjekiqi, i është bashkuar në ekip, shkruan Reporteri.net.

    Kurti ka thënë se ajo do të kontribuojë me ekspertizën e saj në politikën e jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

    “Në ekipin tim si Kryeministër, nga sot u bashkua Shqipe Mjekiqi, për të kontribuar me ekspertizën e saj në politikë të jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Ishte kënaqësi të bashkëbisedojmë mbi nevojat e Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, të arriturat tona socio-ekonomike dhe vlerat demokratike, zhvillimet politike në vendin tonë e në rajon dhe situatën e sigurisë”, ka shkruar Kurti.

    Mjekiqi ka qenë nënkryetare e LDK’së. Ajo ka dhënë dorëheqje në mars 2023.

  • Pensionimi i hershëm në Polici/ Sveçla njofton themelimin e grupit punues

    Pensionimi i hershëm në Polici/ Sveçla njofton themelimin e grupit punues

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar themelimin e grupit punues për modalitetet e programit të pensionimit të parakohshëm në Policinë e Kosovës.

    Grupi në fjalë mbajti sot takimin e parë dhe pritet të organizojë konsultime, takime pune dhe sesione dëgjimore me strukturat organizative të PK-së.

    “Në kuadër të kësaj analize, do të shqyrtohet mundësia e zbatimit gradual të programit, duke filluar nga mosha 63 vjeç dhe duke u ulur progresivisht deri në moshën 55 vjeç, në përputhje me kapacitetet financiare dhe nevojat institucionale” shkroi Sveçla.

    Ky është postimi i plotë i tij:

    Sot, me vendim, kam themeluar grupin punues i cili, duke analizuar të gjitha aspektet e nevojshme ligjore, financiare dhe organizative, deri në fund të muajit korrik të këtij viti do të propozojë modalitetet e programit të pensionimit të parakohshëm në Policinë e Kosovës.

    Grupi punues i cili sot mbajti takimin e parë, do të organizojë konsultime, takime pune dhe sesione dëgjimore me strukturat organizative të Policisë së Kosovës në nivel qendror dhe lokal, me qëllim të identifikimit të sfidave operative dhe nevojave reale që ndërlidhen me pensionimin e parakohshëm.

    Në kuadër të kësaj analize, do të shqyrtohet mundësia e zbatimit gradual të programit, duke filluar nga mosha 63 vjeç dhe duke u ulur progresivisht deri në moshën 55 vjeç, në përputhje me kapacitetet financiare dhe nevojat institucionale.

    Ky proces synon të krijojë mundësi për një menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore, të rrisë efikasitetin operacional dhe të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë publike në vendin tonë.

    Përmes këtij programi, do të ndërtojmë një polici më funksionale, më të balancuar në strukturë dhe më të gatshme për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të sigurisë, duke respektuar njëkohësisht kontributin dhe dinjitetin e secilit zyrtar policor.

  • Mbesa e Benito Mussolinit e fiton Big Brother VIP në Itali

    Mbesa e Benito Mussolinit e fiton Big Brother VIP në Itali

    Alessandra Mussolini, mbesa e diktatorit italian Benito Mussolini, është shpallur fituese e edicionit të fundit të “Grande Fratello VIP” (versioni italian i “Big Brother” me personazhe të njohur), format që në Itali transmetohet prej rreth një dekade.

    Mussolini ka fituar çmimin prej 100 mijë euro, duke bërë të ditur se gjysmën e shumës do ta dhurojë për bamirësi.

    Pas fitores, ajo u shpreh: “E shijova gjithçka deri në fund, ashtu siç jam. Nuk pendohem për asgjë”.

    Alessandra Mussolini është një figurë që shpesh ka shkaktuar reagime të forta në publik, veçanërisht kur diskutohet mbiemri i saj dhe historia familjare. Në të kaluarën, ajo ka qenë në qendër të polemikave edhe për faktin se nuk është distancuar në mënyrë të qartë nga trashëgimia politike e gjyshit të saj dhe regjimi fashist.

    Përtej reality show-t, Mussolini ka një profil të njohur publik në Itali. Ajo është vajza e Romano Mussolini (djali më i vogël i Benito Mussolinit) dhe Maria Scicolone, motra e aktores së famshme Sophia Loren. Në karrierën e saj ka qenë edhe deputete në Parlamentin Evropian, si dhe ka shërbyer në të dyja dhomat e Parlamentit italian.

    Ndër vite, ajo ka qenë e angazhuar në disa formacione politike, duke përfshirë një parti të vogël të ekstremit të djathtë, më pas Forza Italia të Silvio Berlusconit, ndërsa aktualisht lidhet me partinë Lega, pjesë e qeverisjes në Itali.

    Para se të hynte në politikë, Alessandra Mussolini ka punuar edhe në botën e spektaklit, si modele, aktore dhe këngëtare, ndërsa në vitin 2020 mori pjesë në “Ballando con le stelle” (versioni italian i “Dancing with the Stars”), ku u rendit e treta.

  • Kush është trashëgimtari ‘fatal’ i Mango-s, i arrestuar për vdekjen e babait të tij?

    Kush është trashëgimtari ‘fatal’ i Mango-s, i arrestuar për vdekjen e babait të tij?

    Në faqen zyrtare të Mango-s, profili i Jonathan Andic shoqërohet me titullin e tij, nënkryetar i bordit drejtues dhe me një fotografi ku ai pothuajse buzëqesh.

    Kjo foto bie në kontrast të plotë me pamjet që bënë xhiron e botës dje, ku djali i themeluesit të fuqishëm të kompanisë së veshjeve, Isak Andic, ecën me kokën ulur mes policëve.

    Autoritetet, të cilat e konsideronin të dyshuar për vrasjen e të atit, i cili ra nga një humnerë 100 metra të thellë gjatë një ecjeje me djalin e tij më 14 dhjetor 2024 në malin Montserrat, dje proceduan me arrestimin e tij.

    Arrestimi erdhi pas muajsh hetimesh nga policia për mbledhjen e provave, ndërsa gjyqtari i Martorellit që merret me çështjen urdhëroi paraburgimin e tij të përkohshëm. Megjithatë, ai i dha mundësinë të mos kalojë asnjë ditë në burg duke caktuar një garanci prej 1 milion eurosh, kështu që djali i madh i njeriut që ndërtoi një perandori u largua i lirë, të paktën për momentin.

    Nga Zvicra në Amerikë

    Familja Andic e mbështet plotësisht, pavarësisht akuzave të autoriteteve, dhe përmes përfaqësuesve të saj, sipas gazetës El Pais, deklaroi se është e bindur se “nuk ekzistojnë dhe nuk do të gjenden prova ligjore kundër tij” dhe se “pafajësia e tij është absolute”.

    Megjithatë, asgjë nuk duhet konsideruar e sigurt për fëmijën që lindi në vitin 1981 dhe u rrit në një mjedis familjar që i ofroi gjithçka, edhe pse Mango ende nuk ekzistonte.

    Gjatë rritjes, ai ndoqi disa shkolla, mes tyre internatin zviceran Beau Soleil, që pranon nxënës nga 11 deri në 18 vjeç, i cili ndodhet në një lartësi prej 1.350 metrash në fshatin Villars-sur-Ollon. Më pas, Jonathan Andic studioi komunikim audioviziv në Amerikë dhe i përfundoi studimet në Spanjë, në IESE Business School në Barcelonë, duke u fokusuar në ekonomi dhe menaxhim biznesi.

    Pavarësisht se prindërit e tij u divorcuan, ai ruajti marrëdhënie të ngushta me dy motrat e tij, Judith dhe Sara, si edhe me të ëmën, të cilat morën role të caktuara në kompani.

    Por roli i tij ishte më i vështiri.

    Pasardhësi, përgjegjësitë dhe konflikti

    Djali i madh i Isak Andic hyri në Mango në vitin 2005 si drejtues ekzekutiv, në moshën 24-vjeçare, duke kaluar gradualisht në departamente të ndryshme të kompanisë dhe duke punuar në dizajnin e koleksioneve, procesin krijues dhe menaxhim.

    Pas dy vitesh përvoje, atij iu besua lançimi i koleksionit të parë për meshkuj të Mango-s dhe mbikëqyrja e zhvillimit të tij në mbarë botën. Ai punoi shumë dhe deri në vitin 2024 koleksionet mashkullore të kompanisë kishin 600 pika shitjeje në 90 tregje ndërkombëtare dhe kontribuonin me 12% të xhiros vjetore të perandorisë që nisi nga një dyqan në Barcelonë dhe arriti në 2 mijë e 700 dyqane në 110 vende.

    Që nga viti 2012, pasardhësi ishte tashmë anëtar i bordit drejtues të kompanisë dhe në vitin 2014 mori drejtimin nga i ati, bashkë me përgjegjësitë. Megjithatë, nuk i gëzoi për shumë kohë. Isak Andic ia hoqi praktikisht drejtimin e kompanisë, gjë që sipas mediave spanjolle shkaktoi një përplasje mes babait dhe birit, e cila vitet e fundit dukej se ishte shuar.

    Por më pas erdhi ajo shëtitja fatale e fundit e babait dhe birit në shpellat e Montserrat-it dhe rënia e të parit nga një lartësi prej 100 metrash, që shkaktoi vdekjen e menjëhershme të miliarderit.

    Fillimisht u konsiderua aksident, por autoritetet konstatuan kundërshtime serioze në dëshmitë e trashëgimtarit dhe të martën në mëngjes proceduan me arrestimin e tij, duke hapur një kapitull të ri në çështje.

    Një kapitull për të cilin, të paktën për momentin, askush nuk e di se si do të përfundojë.

  • Të premten varroset Donikë Cocaj, e cila humbi jetën në Manhattan

    Të premten varroset Donikë Cocaj, e cila humbi jetën në Manhattan

    Të premten, më 22 maj do të mbahet ceremonia mortore për Donike Gocajn, e cila humbi jetën në Manhattan të New Yorkut, pasi ra në një pusetë në mes të rrugës.

    Ceremonia e varrimit do të bëhet në orën 11:00, sipas kohës lokale atje.

    Njoftimi u bë përmes rrjeteve sociale.

    Për tragjedinë, kanë raportuar edhe mediat e njohura në ShBA.

  • Asgjësohen 190 krerë, shtohet numri i bagëtive me murtajë në Dajç të Shkodrës

    Asgjësohen 190 krerë, shtohet numri i bagëtive me murtajë në Dajç të Shkodrës

    Sëmundja e murtajës ka prekur edhe një kope tjetër me bagëti të imta në fshatin Mali i Gjymtit në Shkodër, ku një ditë më parë u konstatuan dhe u asgjësuan disa krerë bagëti.

    Sipas Shërbimit Veterinar në Shkodër, deri më tani janë evidentuar dy ferma të prekura me rreth 190 krerë bagëti të imta, të cilat gjatë ditës së sotme do t’i nënshtrohen procesit të asgjësimit sipas protokolleve veterinare.

    Sakaq, ende nuk është bërë e mundur të përcaktohet origjina e infeksionit, pasi mungojnë të dhënat për hyrje-daljet e kafshëve në fermat e prekura.

    Ndërsa si masë parandaluese, tregjet e kafshëve të imta vijojnë të mbeten të mbyllura. Autoritetet loke të bujqësisë bëjnë me dije se fermerët që kanë të matrikulluar bagëtitë do të përfitojnë nga skema e dëmshpërblimit, sipas legjislacionit në fuqi./A2CNN