ATV

Author: K.B.

  • Komuna e Prishtinës organizon ceremoni përkujtimore për heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci më 28 maj

    Komuna e Prishtinës organizon ceremoni përkujtimore për heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci më 28 maj

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se më 28 maj në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë do të mbahet një ceremoni përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.

    Kjo ceremoni organizohet me rastin e 70 dhe 71-vjetorit të lindjes së heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.

    “Në këtë përvjetor të veçantë, me respekt e mirënjohje kujtojmë guximin, sakrificën dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit, emrat e të cilëve mbeten simbol i qëndresës dhe dashurisë për atdheun. Ftojmë qytetarët dhe të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë ceremoni përkujtimore”, thuhet në njoftimin e Komunës.

  • Nga 1 qershori, nuk lejohen pagesa me para cash mbi 2 mijë euro

    Nga 1 qershori, nuk lejohen pagesa me para cash mbi 2 mijë euro

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga 1 qershori, pagesat mbi 2 mijë euro me individë nuk lejohen të bëhen me para të gatshme.

    Në njoftimin e ATK’së theksohet se këto pagesa duhet të realizohen përmes sistemit bankar ose formave tjera elektronike të pagesës.

    “Respektoni kufizimin e përcaktuar me ligj dhe shmangni gjobat. Mos paguani cash mbi limitin e lejuar. Veproni sipas ligjit”, theksohet në njoftim.

  • Nisma dhe PDK arrijnë marrëveshje për bashkëpunim politik dhe elektoral, Limaj flet pas takimit me Hamzën

    Nisma dhe PDK arrijnë marrëveshje për bashkëpunim politik dhe elektoral, Limaj flet pas takimit me Hamzën

    Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se ka pritur në takim kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, me të cilin kanë arritur pajtim për nisjen e një bashkëpunimi strategjik politik, elektoral, qeverisës dhe organizativ ndërmjet dy subjekteve politike.

    Përmes një njoftimi publik, Limaj tha se në një periudhë jo të lehtë për vendin, kur qytetarët presin më shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga politika, është koha që forcat politike që ndajnë të njëjtat vlera shtetformuese të bashkëpunojnë për interesin e Kosovës.

    Ai bëri të ditur se Nisma Socialdemokrate do ta mbështesë Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamza, në zgjedhje.

    Sipas Limajt, dy partitë janë dakorduar që në periudhën në vazhdim të ndërtojnë një proces të koordinuar bashkëpunimi dhe integrimi politik, me synimin për të kontribuar në stabilitet institucional, zhvillim ekonomik, forcim të shtetit dhe funksionim më efikas të institucioneve të Kosovës.

    Ai theksoi se ky bashkëpunim mbështetet në vlerat shtetformuese, orientimin euroatlantik, partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe respektin për luftën çlirimtare dhe rolin e Ushtria Çlirimtare e Kosovës në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

    Limaj po ashtu deklaroi se mbështetja për këtë partneritet është edhe mbështetje për “vlerat e luftës çlirimtare” dhe për ish-pjesëtarët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

    Në fund, ai u shpreh se Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim, maturi dhe prioritizim të interesit të qytetarëve dhe shtetit mbi interesat tjera politike.

  • Për katër muaj mbi 2.5 milionë vizitorë në Shqipëri, gati gjysma e tyre nga Kosova

    Për katër muaj mbi 2.5 milionë vizitorë në Shqipëri, gati gjysma e tyre nga Kosova

    Shqipëria ka shënuar rritje të vizitorëve të huaj, në katër muajt e parë të këtij viti.

    Për këtë periudhë kohore, Shqipërinë e kanë vizituar mbi 2.5 milionë turistë.

    Këto të dhëna janë bërë publike nga Instituti i Statistikave, sipas së cilave, në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, hyrjet e turistëve nga jashtë janë zgjeruar me 5 për qind.

    Prej 2.5 milionë vizitorëve, gati gjysma e tyre janë nga Kosova, apo 43.5%.

    “Të paktën deri më tani pushuesit nga Kosova nuk mungojnë. Mund të them si në vitet e mëhershme, pavarësisht liberalizimit të vizave. Pjesa tjetër vijon siç ka qenë thuajse”, ka thënë Jetmira Hoxha, operatore turistike, raporton A2 CNN.

    Ngjashëm me vitin e shkuar, lista pasohet nga italianët e malazezët. Peshë të konsiderueshme në totalin e turistëve që kanë vizituar vendin në katër muajt e parë të vitit zënë edhe pushuesit nga Maqedonia e Veriut, Greqia, Anglia, Turqia, Serbia e Polonia.

    “Kryesisht janë turistë për herë të parë, por ka edhe nga ata që vijojnë të kuriozohen e të vizitojnë pjesë të tjera të vendit. Shifrat ndihen edhe te ne. Mund të them se viti ka nisur mjaft mbarë”, thotë Jetmira Hoxha, operatore turistike.

  • Komuna e Gjakovës njofton për ndërprerje të qarkullimit në Qarkoren Jugore më 26 maj

    Komuna e Gjakovës njofton për ndërprerje të qarkullimit në Qarkoren Jugore më 26 maj

    Komuna e Gjakovës ka njoftuar se të martën, më 26 maj 2026, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në një segment të Qarkores Jugore të qytetit, për shkak të punimeve në shtrimin e shtresës finale të asfaltit.

    Sipas njoftimit, bllokimi i përkohshëm i qarkullimit do të vlejë në pjesën nga rreth-rrotullimi me rrugën “Gjon Nikollë Kazazi” (Ura e Tabakut) deri te udhëkryqi me rrugën “Ymer Pula”.

    Komuna u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik për mirëkuptim dhe ka kërkuar që gjatë ditës së nesërme të shfrytëzohen rrugët alternative.

    Në njoftim thuhet se është bashkangjitur edhe skica e ndalimit të qarkullimit për automjete.

  • AUV del me njoftim se ku lejohet therja e Kurbanit për Bajram

    AUV del me njoftim se ku lejohet therja e Kurbanit për Bajram

    Me rastin e Kurban Bajramit, i cili këtë vit shënohet më 27 maj 2026, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka rikujtuar se therja e kurbaneve lejohet vetëm në thertoret e aprovuara dhe të licencuara nga autoritetet shtetërore.

    Sipas njoftimit, lista e thertoreve të aprovuara është e publikuar në ueb-faqen zyrtare të AUV-së, ndërsa institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që therjen ta kryejnë vetëm në objektet e destinuara për këtë qëllim, për të ruajtur shëndetin publik dhe për të respektuar ligjin.

    Autoritetet paralajmërojnë se therja jashtë thertoreve të licencuara përbën shkelje ligjore dhe mund të rrezikojë shëndetin publik. Po ashtu, nuk do të tolerohet lëvizja e kafshëve pa dokumentacion përcjellës, shitblerja apo therja në vende publike.

    Nga AUV theksohet se thertoret janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme, posedojnë frigoriferë dhe kushte teknike, sanitare e higjienike, ndërsa kapacitetet e tyre vlerësohet se janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve gjatë festës.

    Në njoftim bëhet e ditur se çdo kafshë i nënshtrohet kontrollit veterinar para therjes, gjatë procesit dhe pas therjes, nga veterineri zyrtar.

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me AUV-në, kanë uruar qytetarët për festën e Kurban Bajramit, me thirrjen që ajo të festohet “sigurt dhe shëndetshëm”.

  • Rroga e 14-të, Azemi për zotimin e Kurtit: Çmenduri, veç fushatë për vota!

    Rroga e 14-të, Azemi për zotimin e Kurtit: Çmenduri, veç fushatë për vota!

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, gjatë prezantimit të programit të partisë së vet, ka thënë se nga ky vit do të nisë përcaktimi me ligj i pagës së 13-të, derisa shtoi se do të synohet edhe rroga e 14-të.

    “Pas dialogut me sektorin privat, synimi ynë është që në bashkërendim me bizneset dhe me punëtorët ta planifikojmë gradualisht edhe pagën e 14-të”, deklaroi Kurti.

    Rreth këtij premtimi u deklarua kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai për Klankosova.tv e cilësoi këtë zotim si të tepruar.

    “Po them mos është tepruar. Nga këndi im nuk është më tepër se sa çmenduri. Ai premtimin për rrogën e 13-të e ka mbajtur, por të njëjtin kemi pritur që do të ndodhë për sektorin privat, por kjo nuk ka ndodhur. Kemi pritur që të paktën do të mbështetemi me gjysmën e pagës. Tani del thotë se do t’i stimulojmë punëtoret e sektorit privat me nga 100 euro”, tha Azemi për Klankosova.tv. “Tash nëse ndodh paga e 14-të, kjo i bie që punëtorët e sektorit privat paguhen 15 herë më pak se punëtorët e sektorit publik, ndërkaq ne jemi financues tri herë më i madh i buxhetit se punëtorët e sektorit publik”, theksoi ai.

    Ndër të tjera, kreu i Sindikatës u bëri thirrje punëtorëve të sektorit privat që të jenë më të vetëdijshëm për pozitën dhe të drejtat e tyre.

    “Unë i thërras punëtorët e sektorit privat që të vetëdijësohen. Unë nuk mund t’u them atyre se kënd ta votojnë. Por, punëtorët e sektorit privat punojnë punë shumë më të rënda dhe kanë shumë më tepër punë se ata të sektorit publik, të cilët punojnë në ambiente shumë më komode. Kuptohen se ky veprim i Kurtit, është fushatë për vota”, shtoi Azemi.

    Po ashtu, ai shprehu shqetësimin se një pjesë e madhe e punëtorëve të sektorit privat mund të mbeten pa përfituar nga ndarja e 100 eurove nga Qeveria.

    “Kam frikë se gjysma e punëtorëve të sektorit privat do të mbesin edhe pa këtë ndarjen e 100 eurove, kjo për arsye se diku sipas statistikave të Bankës Botërore diku 30 për qind janë pa kontrata të punës, një pjesë e kompanive e kanë borxhin e programuar, sipas kritereve që i ka vendosur qeveria, derisa ndoshta 20 për qind e punëtorëve nuk i dinë t’i plotësojnë formularët që kërkohen për aplikim nga ana e Qeverisë dhe kështu do të mbesin pa 100 eurot”, përfundoi Azemi.

  • Kurti takohet me përfaqësuesit e para investitorëve turq në Kosovë

    Kurti takohet me përfaqësuesit e para investitorëve turq në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka prezantuar perspektivat e Qeverisë për investime para investitorëve turq në Kosovë. Në takim u diskutua për angazhimin e sektorit privat në investime si dhe për strategjitë zhvillimore të Qeverisë.

    Kryeministri Albin Kurti sot në një mëngjes pune është takuar me anëtarët e Bordit Drejtues të Odës Tregtare Kosovaro Turke (OTKT). Oda Tregtare Kosovaro Turke e themeluar nga investitorë nga Türkiye në bashkëpunim me ndërmarrës kosovarë, vepron në Kosovë që nga viti 2008 dhe konsiderohet një nga aktorët kyç në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.

    Kryeministri Kurti theksoi se kontributi i Türkiye-s në njohjen dhe zhvillimin e Kosovës nuk do të harrohet kurrë. Ai vuri në pah marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Türkiye-s, bashkëpunimin ekonomik si dhe lidhjet historike e kulturore ndërmjet dy vendeve.

    Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se kontributi i Türkiye-s në njohjen dhe zhvillimin e Kosovës nuk do të harrohet kurrë. Ai vuri në pah marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Türkiye-s si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve historike e kulturore ndërmjet dy vendeve. Në këtë takim, Kryeministri Kurti mori pjesë së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar, përfshirë Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Mimoza Kusari- Lila, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, si dhe Zëvendësministrin e Ekonomisë Getoar Mjeku. Gjatë takimit, Kryeministri Kurti prezantoi perspektivat e Qeverisë për përmirësimin e ambientit të biznesit në Kosovë dhe zhvilloi një shkëmbim mendimesh me përfaqësuesit e sektorit privat.

    Kryetari i OTKT-së Orçun Özdemir, i përcolli Kryeministrit Kurtimesazhe të rëndësishme lidhur me forcimin e klimës së investimeve. Özdemir theksoi se misioni themelor i OTKT-së është ndërtimi i urave ekonomike transparente, të qëndrueshme dhe të bazuara në përfitim të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Türkiye-s. Ai vlerësoi gjithashtu takimin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit me sektorin privat si dëshmi të qartë të përkushtimit të Qeverisë ndaj një klime investimi të parashikueshme dhe të drejtë.

    Edhe Ambasadori i Türkiye-s në Prishtinë Tunç Angılı, foli nga perspektiva qeveritare, duke theksuar nevojën që marrëdhëniet e mira ekonomike ndërmjet dy vendeve të rriten dhe të balancohen më tej. Ai vuri në dukje se përditësimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë duke përfshirë edhe sektorin e shërbimeve, do të kontribuonte në rritjen e investimeve dhe eksportit. Angılı njoftoi gjithashtu se po planifikohet mbajtja e një

    Forumi Ekonomik Kosovë–Türkiye në Prishtinë në përputhje me agjendën e Qeverisë, si dhe mundësinë e nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit në sektorët e turizmit dhe energjisë.

    Qëllimi: Kontribut në zhvillimin ekonomik

    Kryeministri Kurti foli për strategjitë zhvillimore të Qeverisë në periudhën e ardhshme dhe sektorët prioritarë të investimeve, duke veçuar infrastrukturën hekurudhore, minierat dhe industrinë e mbrojtjes. Ai theksoi se në këto fusha janë identifikuar mundësi të rëndësishme bashkëpunimi me Türkiye-n. Kurti theksoi se Qeveria do të intensifikojë investimet për shfrytëzimin e qëndrueshëm të potencialeve natyrore dhe burimeve nëntokësore të Kosovës.

    Nga ana e tij, Kryetari i OTKT-së Orçun Özdemir theksoi se Kosova ka potencial që në vend të prodhimit masiv me kosto të ulët, të shndërrohet në një qendër prodhimi me vlerë të lartë të shtuar dhe të specializuar në segmente të veçanta të industrisë. Ai theksoi se bizneset turke e shohin Kosovën jo vetëm si treg, por si partner strategjik afatgjatë. Özdemir vuri në pah gjithashtu se Lojërat Mesdhetare 2030 përbëjnë një mundësi historike për Kosovën dhe se OTKT dhe komuniteti i biznesit janë të gatshëm të ofrojnë çdo mbështetje teknike, operative dhe infrastrukturore për realizimin e këtij projekti kombëtar.

    Në takim u diskutua edhe për zhvillimin e parqeve industriale dhe teknoparqeve, projektet e arsimit të avancuar në fushën e mjekësisë dhe spitalet universitare, turizmin shëndetësor si dhe investimet në sera moderne të mbështetura nga energjia gjeotermale. Poashtu u bë e ditur se takimi i parë i Marrëveshjes JETCO (Komiteti i Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar) ndërmjet Kosovës dhe Türkiye-s pritet të mbahet në Ankara, ndërsa Forumi Ekonomik Kosovë–Türkiye planifikohet të organizohet në Prishtinë.

    Në pjesën e dytë të takimit, përfaqësuesit e biznesit paraqitën vlerësimet dhe kërkesat e tyre konkrete lidhur me përmirësimin e ambientit të investimeve, ndërsa përfaqësuesit e Qeverisë prezantuan planet investuese. Takimi u përmbyll me zotime për bashkëpunim të ndërsjellë dhe pritshmëri për përmirësimin e mëtejmë të klimës së investimeve.

    Në përfundim të takimit, Kryetari i OTKT-së Orçun Özdemir, i dhuroi Kryeministrit Kurti librin “Nutuk”, veprën e themeluesit të Republikës së Türkiye-s Mustafa Kemal Atatürk që përshkruan Luftën Çlirimtare dhe themelimin e Türkiye-s. Në takim morën pjesë anëtarë të Bordit Drejtuestë OTKT-së, përfshirë: Kryetarin Orçun Özdemir, CEO i Atlantik Group Ayhan Demirkıran, CEO i Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” Gökhan Açıkgöz, Drejtori i Newco Balkan Emir Çeku, Përfaqësues iFondacionit Maarif të Türkiye-s në Kosovë Mehmet Nedim Aslan, pronari i KS Group Xhevdet Kabashi, Drejtori i Përgjithshëm i Ziraat Bank Kosova Kenan Bozkurt, Drejtori i Medikal Park Kosova Yavuz Selim Baş, Drejtori i Güriş – Air Energy İbrahim Akyol, pronari i Kajmak SH.P.K. Emin Hamza, CEO i TEB SH.A. Cihan Yılmaz, përfaqësuesi i Albi Mall Gökhan İşevcan, si dhe Drejtori i Zhvillimit Operativ të Unifree Duty Free Bedri Orhon. Në takim morën pjesë gjithashtu Këshilltarja Tregtare Seda Ulukaya, Drejtori Ekzekutiv i OTKT-së Meriton Sunduridhe Sekretari i Përgjithshëm Esin Muzbeg.

  • Ardian Gjini e nis javën në Vushtrri, zhvillon takime me biznese dhe të rinjtë

    Ardian Gjini e nis javën në Vushtrri, zhvillon takime me biznese dhe të rinjtë

    Kryetari i Aleancës dhe i nominuari për kryeministër nga kjo parti, Ardian Gjini, ka nisur javën me aktivitete në Komunën e Vushtrrisë, ku së bashku me ekipin e tij ka zhvilluar takime me ndërmarrës dhe të rinj të kësaj komune.

    Gjatë vizitës, Gjini ka qëndruar në fabrikën “BBI Plast”, nën udhëheqjen e ndërmarrësit Irfan Zekolli, duke vlerësuar rolin e prodhimit vendor dhe kontributin e bizneseve në zhvillimin ekonomik të vendit.

    Ai ka theksuar se ndërmarrësit kosovarë janë “heronjtë e heshtur të ekonomisë”, duke ritheksuar përkushtimin e Aleancës për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për sektorin privat dhe prodhuesit vendorë.

    Në kuadër të vizitës në Vushtrri, kryetari i Aleancës dhe i nominuari për kryeministër nga kjo parti është takuar edhe me të rinjtë e komunës, ku bashkë me strukturat lokale kanë diskutuar për mundësitë e reja të punësimit, zhvillimin e ideve inovative dhe përfshirjen e rinisë në proceset zhvillimore.

    “Rinia nuk është vetëm e ardhmja, por forca lëvizëse e të sotmes”, është një nga mesazhet e përcjella gjatë takimeve në Vushtrri.

    Gjini ka falënderuar qytetarët e Vushtrrisë për pritjen dhe mbështetjen, duke theksuar se vizitat në terren po shërbejnë për të rikonfirmuar prioritetet programore të Aleancës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e rinisë.

  • Gati 10 muaj nga vrasja në Gjilan: Heshtje në hetime, Mefail Shkodra me dy djemtë e tij ende në arrati

    Gati 10 muaj nga vrasja në Gjilan: Heshtje në hetime, Mefail Shkodra me dy djemtë e tij ende në arrati

    Po bëhen gati 10 muaj që nga vrasja e trefishtë që tronditi Gjilanin, e cila ndodhi më 10 gusht, në mes të ditës, në qendër të qytetit, ndërsa ende nuk raportohet për ndonjë zhvillim konkret në hetimet e rastit

    Selami dhe Edmond Hasani u qëlluan për vdekje, vitin e kaluar.

    Në këtë ngjarje të rëndë me armë zjarri mbetën të vrarë tre persona, ndërsa një tjetër u plagos. Si të dyshuar kryesorë për vrasjen dyshohen Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, të cilët që nga dita e krimit vazhdojnë të jenë në arrati dhe të pakapshëm për organet e rendit.

    Rasti po hetohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë. Policia e Kosovës ka deklaruar se po vazhdon punën intensive për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve, por pa dhënë detaje mbi ecurinë konkrete të hetimeve.

    Edhe prokuroria ka bërë të ditur se janë ndërmarrë hapa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar të gjitha pikat kufitare, megjithatë deri më tani nuk është raportuar për ndonjë përparim të prekshëm në kapjen e të dyshuarve.

    Viktima të kësaj vrasjeje të trefishtë ishin Selami dhe Edmond Hasani, babë e bir dhe argjendarë të njohur në Gjilan, si edhe Abedin Hoxha. Sipas dyshimeve fillestare, motivi i krimit lidhet me fajde./IndeksOnline