ATV

Author: K.B.

  • AAK në ditën e dytë të fushatës premton ulje taksash dhe lehtësime për bizneset

    AAK në ditën e dytë të fushatës premton ulje taksash dhe lehtësime për bizneset

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tubimin e radhës elektoral në Rahovec, me pjesëmarrjen e kandidatit të AAK-së për Kryeministër, Ardian Gjini, si dhe ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj.

    Gjatë adresimit para qytetarëve, Ardian Gjini foli për programin ekonomik të Aleancës, duke kundërshtuar taksat progresive dhe duke premtuar politika që, sipas tij, do të stimulojnë punën dhe prodhimin vendor.

    Ai premtoi gjithashtu ndryshime edhe në pragun e TVSH-së, duke theksuar se bizneset do të kenë lehtësime fiskale.

    Gjini kritikoi Qeverinë që sipas tij po favorizohen kompani të mëdha përmes tenderëve njëburimorë dhe skemave shtetërore.

    Në kuadër të aktiviteteve të ditës, kandidati i AAK-së për kryeministër zhvilloi takime me bizneset private.

  • LDK premton 5 miliardë euro investime, rritje pensionesh dhe punësim të garantuar për të rinjtë

    LDK premton 5 miliardë euro investime, rritje pensionesh dhe punësim të garantuar për të rinjtë

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar sot ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke zhvilluar një seri tubimesh në disa komuna të vendit, ku u prezantuan kandidatët dhe programi qeverisës i partisë.

    Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidatin për presidente në listën e partisë, Vjosa Osmani, morën pjesë në takime me qytetarë në Kaçanik, Hani i Elezit, Shtime, Fushë Kosovë dhe në Prishtinë.

    Në tubimin e mbajtur në Kaçanik, Lumir Abdixhiku prezantoi vizionin e partisë për zhvillim ekonomik të bazuar në mirëqenien e qytetarëve.

    Në të njëjtin takim, Vjosa Osmani vlerësoi historinë e Kaçanikut si simbol i qëndresës dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes qytetare në proceset demokratike.

    Në Shtime, Lumir Abdixhiku premtoi investime të mëdha publike në infrastrukturë, energji dhe shëndetësi. Ai u zotua për ndërtimin e një centrali me gaz amerikan dhe një paketë investimesh prej rreth 5 miliardë eurosh.

    Kurse Vjosa Osmani në Shtime, u fokusua në rëndësinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mirënjohjes ndaj aleatëve të Kosovës, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • LVV premton mbështetje për gratë e punësuara në sektorin privat

    LVV premton mbështetje për gratë e punësuara në sektorin privat

    Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar sot aktivitetet në kuadër të ditës së dytë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.

    Kryetari i LVV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me partnerët e koalicionit, ka mbajtur tubime zgjedhore në Istog dhe Pejë, ku ka prezantuar programin qeverisës dhe zotimet për mandatin e ardhshëm.

    Gjatë ditës, Kurti ka vizituar edhe disa biznese vendore ku ka premtuar 200 milionë euro për industrinë kreative, duke e quajtur këtë një investim strategjik për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

    Gjate tubimit në Pejë, Kurti tha se kishte kontaktuar ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit për t’u informuar lidhur me projektin e rrugës Kuqishtë–Qakorr në Rugovë.

    Në kuadër të zotimeve elektorale, Kurti premtoi mbështetje shtesë për punësimin e grave në sektorin privat.

  • PDK premton rritje pagash, pensionesh dhe mbështetje për bizneset

    PDK premton rritje pagash, pensionesh dhe mbështetje për bizneset

    Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar ditën e dytë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit me tubime zgjedhore në Gjakovë dhe Pejë.

    Kryetari i PDK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, gjatë ditës ka vizituar edhe familje të ndryshme, ku qytetarët kanë shprehur shqetësimet për jetesën e vështirë, migrimin e të rinjve, pensionet dhe pagat e ulëta, duke përsëritur mesazhin “Stop krizës”.

    Përmes një video-mesazhi, Hamza prezantoi pesë zotimet kryesore: Ulje të çmimeve dhe tatimeve, investime në energji dhe infrastrukturë, arsim më konkurrues dhe drejtësi më efikase.

    Në tubimin në Gjakovë, Hamza kritikoi Qeverinë aktuale për mungesë rezultatesh.

    I pari i PDK-së premtoi mbështetje për bizneset, themelimin e Gjykatës së Punës dhe krijimin Fondit të Papunësisë.

  • PSD kritikon militarizimin dhe kërkon investime në mirëqenie sociale

    PSD kritikon militarizimin dhe kërkon investime në mirëqenie sociale

    Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj në kuadër të ditës së dytë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare përmes një video-incizimi të publikuar ka kritikuar ashpër orientimin e Qeverisë drejt rritjes së shpenzimeve ushtarake, duke e krahasuar kryeministrin Albin Kurti të dikurshëm si aktivist paqësor me qasjen e tij aktuale në pushtet.

    Ai tha se Kosova ka nevojë urgjente për investime në shëndetësi, arsim, çerdhe publike dhe banim të përballueshëm, e jo për rritje të vazhdueshme të buxhetit për ushtrinë.

    Molliqaj kritikoi edhe idenë për krijimin e xhandarmërisë, duke e cilësuar këtë si pjesë të një logjike të militarizimit të shoqërisë, të cilën e konsideroi jodemokratike.

    Në fund të mesazhit të tij, kreu i PSD-së u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të mbështesin PSD-në.

  • Lëvizja Vetëvendosje hap fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit

    Lëvizja Vetëvendosje hap fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ferizaj ishte destinacioni i parë ku Lëvizja Vetëvendosje hapi zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë.

    Kryetari i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, kërkoi mbështetjen e qytetarëve për mandatin e ardhshëm, duke premtuar transformim ekonomik dhe industrial të vendit.

    Në fjalimin e tij, Kurti deklaroi se në katër vitet e ardhshme do të investohet në ndërtimin dhe rinovimin e 20 stadiumeve në vend, si dhe rreth një miliard euro në sektorin e prodhimit dhe në ushtri.

    Kurti gjithashtu premtoi rritje të pagave dhe zgjerimi i pagesave shtesë për sektorin publik dhe privat.

    Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje garon me numrin 116.

  • PSD premton model të ri opozitar para zgjedhjeve të 7 qershorit

    PSD premton model të ri opozitar para zgjedhjeve të 7 qershorit

    Partia Socialdemokrate ka publikuar një video-incizim në Facebook si pjesë të fushatës së saj për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë, në të cilat garon me numrin 129.

    Në këtë video, kryetari i partisë, Dardan Molliqaj, ka folur për nevojën e krijimit të një opozite të re, të ndërtuar mbi ide dhe kauza politike.

    Molliqaj deklaroi se opozita nuk mund të bëhet nga lagjet luksoze, duke shtuar se nuk mund të kundërshtohen pushtetet e fuqishme përderisa ekzistojnë interesa biznesore dhe përfitime personale.

    Sipas tij, opozita e deritanishme ka qenë e orientuar kryesisht nga interesa klanore dhe financiare, ndërsa PSD synon të ndërtojë një model tjetër opozitar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Ai shtoi se PSD synon një opozitë që do të përballet me pushtetin, do ta kontrollojë dhe do ta sfidojë atë përmes organizimit politik mbi baza programore dhe ideologjike.

  • AAK hap fushatën zgjedhore në Gjakovë me sloganin “Për më shumë siguri, energji e zhvillim”

    AAK hap fushatën zgjedhore në Gjakovë me sloganin “Për më shumë siguri, energji e zhvillim”

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë, ku kjo parti garon me numrin 128.

    Në fjalimin e tubimit hapës, Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se Kosova nuk është në gjendje të mirë.

    Ai pati disa fjalë edhe për kandidatin për kryeministër nga radhët e Aleancës.

    Kandidati për Kryeministër i AAK-së Ardian Gjini, i cili së fundmi është zgjedhur në krye të partise para të pranishmëve kritikoi qeverisjen aktuale, duke përmendur projektin e rrugës në Dollc si shembull të premtimeve të parealizuara.

    Në fushën e sigurisë, ai tha se prioritet i programit të tij do të jetë forcimi i institucioneve të sigurisë dhe avancimi i Kosovës drejt integrimit në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

  • PDK hap fushatën elektorale në Ferizaj, me sloganin “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën”

    PDK hap fushatën elektorale në Ferizaj, me sloganin “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën”

    Partia Demokratike e Kosovës ka hapur sot zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë, nën sloganin “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!”.

    Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, në një tubim madhështor në Ferizaj, u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë numrin 125, Partinë Demokratike të Kosovës.

    Ai prezantoi edhe zotime ekonomike të programit zgjedhor, duke premtuar rritje të pagave dhe pensioneve për 50 për qind në sektorin publik, si dhe përmirësim të skemave sociale.

    Hamza tha gjithashtu se qeveria e tij do të mbështetes bizneset vendore përmes granteve dhe investimeve.

    Ai në fund foli edhe për ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke thënë se PDK beson në drejtësi dhe se sipas tij, ata do të kthehen faqebardhë.

  • LDK hap zyrtarisht fushatën elektorale në Prishtinë

    LDK hap zyrtarisht fushatën elektorale në Prishtinë

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë. Tubimi qendror u mbajt në sallën 1 Tetori në Prishtinë, ku u prezantua programi zgjedhor i partisë dhe kandidatët për deputetë.

    Kryetari i LDK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Lumir Abdixhiku e cilësoi këtë tubim si fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën teksa kritikoi gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke thënë se qytetarëve po u kërkohet të mësohen me pak.

    Abdixhiku u zotua për krijimin e Ministrisë së Familjes, mbështetje prej 200 eurosh në muaj për çdo të porsalindur gjatë vitit të parë, shtesa për fëmijë deri në moshën 16-vjeçare, 40 mijë vende të reja të punës dhe dyfishim të pensioneve, duke premtuar se asnjë pension nuk do të jetë nën 300 euro.

    Në fushën e energjisë, Abdixhiku premtoi ndërtimin e një centrali të ri me gaz amerikan.

    Në këtë tubim foli edhe kandidatja për presidente me numrin 1 në listën e LDK-së, Vjosa Osmani, ku tha se Kosova nuk do të lejohet të dëmtohet nga përçarjet politike, por do të vazhdojë rrugën e ndërtimit dhe integrimit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës garon me numrin 113 në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.