ATV

Author: K.B.

  • PDK premton rritje pensionesh për familjet e dëshmorëve dhe për mësimdhënësit

    PDK premton rritje pensionesh për familjet e dëshmorëve dhe për mësimdhënësit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, ka vazhduar prezantimin e programit qeverisës në ditën e katërt të fushatës për zgjedhjet parlamentare.

    Gjatë ditës, Hamza publikoi një video-mesazh në të cilin shpalosi zotimet për familjet e dëshmorëve. Ai tha se pensionet për familjet e dëshmorëve do të rriten dhe se prindërit e dëshmorëve nuk do të detyrohen më të zgjedhin ndërmjet pensionit të moshës dhe pensionit të dëshmorit.

    Po ashtu, kandidati i PDK-së për Kryeministër zhvilloi një takim me punëtorët e arsimit, ku prezantoi vizionin e tij për përmirësimin e kushteve në sektorin e arsimit. Në mesazhin e publikuar nga ky tubim, ai theksoi nevojën për trajtim më të dinjitetshëm të mësimdhënësve dhe profesorëve.

    “Mësuesit nuk duhet të mendojnë nëse u del paga për të kaluar muajin. Arsimtarët dhe profesorët nuk duhet të ndihen të nënvlerësuar. Punëtorët e arsimit duhet të kenë siguri dhe dinjitet në punën e tyre”, thuhej në mesazhin e shpërndarë nga Hamza.

    Në kuadër të programit të PDK-së për arsimin, ai premtoi paga më të larta, kushte më të mira pune dhe vlerësim të merituar për të gjithë punëtorët e dijes, duke përsëritur moton e fushatës: “STOP krizës, PO ndryshimit!”.

  • LVV premton dyfishimin e shtesave për fëmijët në 60 euro

    LVV premton dyfishimin e shtesave për fëmijët në 60 euro

    Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar aktivitetet e saj në ditën e katërt të fushatës elektorale, me kryetarin e partisë dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, i cili gjatë ditës ka zhvilluar takime me qytetarë në Kaçanik, Han të Elezit dhe Vushtrri.

    Në tubimin e mbajtur në Kaçanik, Kurti prezantoi programin e LVV-së për bujqësinë, punësimin dhe mbrojtjen.

    “Kush e punon tokën, shtetin e ka përkrah. Për çdo diplomë shkolle, një vend pune. Dronat do t’i kemi ‘Made in Kosova’ – tre lloje i kemi blerë nga shtete partnere, e të katërtin e prodhojmë vetë”, deklaroi ai.

    Më pas, në takimin me qytetarët në Han të Elezit, kandidati i LVV-së tha se në mandatin e ardhshëm do të ketë rritje të pensioneve dhe mbështetje shtesë për familjet.

    Sipas tij, pensionistët që kujdesen për mbesat dhe nipërit e moshës 13 deri në 36 muaj, në rastet kur të dy prindërit janë të punësuar, do të përfitojnë nga 100 euro shtesë në muaj mbi pensionin ekzistues.

    Ndërkaq, në tubimin zgjedhor në Vushtrri, Kurti u fokusua te politikat sociale, duke premtuar dyfishimin e shtesave për fëmijë, nga 30 në 60 euro në muaj.

  • LDK zotohet për rritje pagash, pensionesh dhe krijimin e 40 mijë vendeve të punës

    LDK zotohet për rritje pagash, pensionesh dhe krijimin e 40 mijë vendeve të punës

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, kanë mbajtur sot tubime elektorale në Malishevë, Suharekë, Gjilan, Lipjan dhe Prishtinë, në kuadër të ditës së katërt të fushatës zgjedhore.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para qytetarëve në Malishevë u zotua për krijimin e vendeve të reja të punës.

    Ndërkohë, kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, tha se amaneti i dëshmorëve dhe heronjve të vendit obligon institucionet të punojnë për një Kosovë të forte.

    Në Suharekë, Lumir Abdixhiku është pritur në një tubim të madh elektoral, të cilin e ka vlerësuar si dëshmi të rritjes së mbështetjes për LDK-në dhe energjisë së fushatës në terren.

    Ai u zotua për përfundimin e projekteve zhvillimore që, sipas tij, kanë mbetur të papërfunduara për vite me radhë, duke theksuar se qeverisja e ardhshme do t’i realizojë ato brenda një afati të shpejtë dhe me efikasitet më të lartë.

  • AAK premton lehtësim të barrës fiskale për bujqit dhe bizneset

    AAK premton lehtësim të barrës fiskale për bujqit dhe bizneset

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në ditën e katërt të fushatës elektorale, ka mbajtur tubim në Podujevë e Klinë ndërsa dita pritet të përmbyllet me një takim me qytetarët në Istog.

    Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij deklaroi se gjatë mandatit të tij qeverisës kishte lënë të gatshme dy projekte madhore energjetike.

    Nga ana tjetër, kandidati i AAK-së për kryeministër, Ardian Gjini, kritikoi politikat sociale të qeverisë aktuale, duke thënë se shteti nuk forcohet duke i varfëruar qytetarët dhe duke i bërë ata të varur nga ndihmat sociale.

    Gjini paraqiti edhe disa nga zotimet ekonomike të AAK-së.

    AAK në zgjedhjet e 7 qershorit garon me numrin 128.

  • PSD në ditën e tretë të fushatës kritikon programin e Abdixhikut për çmimin e energjisë

    PSD në ditën e tretë të fushatës kritikon programin e Abdixhikut për çmimin e energjisë

    Partia Socialdemokrate ka vazhduar fushatën e saj elektorale me një deklaratë të kryetarit të saj, Dardan Molliqaj, i cili në ditën e tretë të fushatës ka publikuar një video-incizim në rrjetin social Facebook ku kritikon ashpër kreun e LDK-së dhe kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhiku.

    Në videon e shpërndarë, Molliqaj e vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë politike të premtimeve të Abdixhikut, duke e akuzuar atë për ndryshim qëndrimesh rreth çështjes së çmimit të energjisë elektrike dhe subvencioneve shtetërore.

    Ai më tej e akuzon Abdixhikun për, siç thotë ai, premtime të tilla janë politike dhe synojnë vota në fushatë.

    Në fund të videos, Molliqaj bën thirrje për mbështetje ndaj PSD-së në zgjedhje, duke kërkuar votën për listën 129 dhe duke e prezantuar partinë si opozitë të vërtetë.

  • PDK nis ditën e tretë të fushatës me konferencë pa energji elektrike premton investime

    PDK nis ditën e tretë të fushatës me konferencë pa energji elektrike premton investime

    Partia Demokratike e Kosovës e nisi ditën e tretë të fushatës zgjedhore me një konferencë për media, ndryshe nga subjektet e tjera politike. Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, mbajti konferencën pa energji elektrike dhe pa sistem të zërimit, duke e përdorur situatën si ilustrim të problemeve që, sipas tij, po përballon vendi në sektorin energjetik.

    Kurse gjatë tubimit në Lipjan, Hamza publikoi një mesazh politik ku theksoi nevojën për ndryshim dhe veprim të shpejtë.

    “Kosova nuk është vend i krizave të pafundme. Ndryshimi nuk mund të presë më. Qytetarët e kërkojnë atë tani”, shkroi ai.

    Pas Lipjanit, fushata vijoi në Shtime dhe më pas në Suharekë me fokus në mobilizimin e elektoratit dhe prezantimin e programit qeverisës të PDK-së.

  • Kurti: Paga mesatare është rritur, ndërsa mbi 5.7 milionë euro po investohen në xhudo

    Kurti: Paga mesatare është rritur, ndërsa mbi 5.7 milionë euro po investohen në xhudo

    Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët e saj të koalicionit, ka vazhduar aktivitetet e fushatës zgjedhore me tubime në Kamenicë dhe Gjilan, në ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet parlamentare.

    Kryetari i LVV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, gjatë paradites ka qëndruar në Marinë të Skenderajt, ku është përkujtuar 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj.

    Kurti ka publikuar edhe një video kushtuar suksesit të xhudos kosovare, duke e cilësuar Kosovën si “shtet të xhudos” teksa tha se në muajin mars ka nisur projekti me vlerë mbi 5.7 milionë euro për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

    Po ashtu, në një postim në Facebook, i pari i VV-së ka shkruar për rritjen e pagës mesatare dhe përpjekjet për kontrollin e çmimeve të produkteve bazë.

    Më pas, karvani zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje ka vazhduar në Kamenicë, ku është mbajtur tubim me qytetarët e kësaj komune, ku kane publikuar fotografi nga tubimi me mbishkrimin: “Dardana e përbashkuar në thirrjen ‘Krejt për shtet, Shtet për Krejt’”.

    Aktivitetet e ditës të LVV-së janë përmbyllur në Gjilan, ku para tubimit është ndjekur edhe finalja e Ligës së Kampionëve.

  • LPRK kërkon mbështetje në zgjedhjet parlamentare me sloganin “Për barazi dhe dinjitet”

    LPRK kërkon mbështetje në zgjedhjet parlamentare me sloganin “Për barazi dhe dinjitet”

    Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë, kryetari i Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Bashkuar dhe bartësi i listës me numrin 1, Erxhan Galushi, ka zhvilluar një vizitë në lagjen Firajë në Pejë.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Galushi njoftoi se së bashku me kandidatët dhe aktivistët e LPRK-së, vizituan banorët e lagjes Firajë.

    “Nga afër pamë mungesën e investimeve bazike, infrastrukturën e dobët dhe mungesën e ndriçimit publik në këtë lagje, e banuar kryesisht nga komuniteti rom. Pavarësisht këtyre sfidave, u pritëm me ngrohtësi dhe respekt nga banorët e lagjes, të cilët i falënderojmë për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim. Besimi dhe shpresa e tyre për ndryshim janë motiv shtesë për angazhimin tone”, shkroi ai.

    Po ashtu, kryetari i LPRK-së ka publikuar edhe një videomesazh drejtuar qytetarëve.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të komunitetit rom që më 7 qershor të dalin në votime.

  • Fushata e LDK-së vazhdon me zotime për rritje pagash, ulje TVSH-je dhe anëtarsim në NATO

    Fushata e LDK-së vazhdon me zotime për rritje pagash, ulje TVSH-je dhe anëtarsim në NATO

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar aktivitetet në kuadër të ditës së tretë të fushatës elektorale me një agjendë të ngjeshur takimesh me qytetarët. Aktivitetet e ditës nisën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku Forumi i Gruas i LDK-së prezantoi 38 kandidatet gra për deputete të kësaj partie.

    Më pas, kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidaten numër 1 në listën e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, zhvilluan takime me qytetarë në Klinë.

    Para të pranishmëve, Abdixhiku prezantoi zotimet kryesore të programit të LDK-së.

    Nga ana tjetër, Vjosa Osmani premtoi anëtarsimin e Kosovës në NATO.

    Në Deçan, Abdixhiku tha se me të në pushtet nuk do të ketë më pension më të ulët sesa 300 euro në muaj.

    Kurse në tubimin e mbajtur në Pejë, I pari i LDK-së u zotua për heqjen e TVSH-së për produktet bazike në javën e parë të qeverisjes.

    Ndërkohë, Vjosa Osmani në fjalimin e saj para qytetarëve tha se kundërshtarët politikë po shmangin debatin dhe po përdorin propagandë e fyerje.

  • Ardian Gjini ngre shqetësime për krizën energjetike dhe neglizhencën e rrugës Gjakovë–Dollc

    Ardian Gjini ngre shqetësime për krizën energjetike dhe neglizhencën e rrugës Gjakovë–Dollc

    Në ditën e tretë të fushatës elektorale të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku ka ngritur shqetësime lidhur me gjendjen e infrastrukturës dhe furnizimit me energji elektrike në vend.

    Në postimin e tij, Gjini thekson se mijëra familje janë përballur me mungesë të energjisë elektrike edhe gjatë orëve të ditës, duke e cilësuar këtë si një realitet shqetësues për qytetarët e Kosovës. Ai gjithashtu ka përmendur gjendjen e rrugës Gjakovë–Dollc, e cila sipas tij prej vitesh është lënë pas dore dhe nuk ka marrë trajtimin e duhur institucional.

    Duke iu drejtuar qytetarëve, kandidati i AAK-së ka shprehur optimizëm për ndryshime pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duke paralajmëruar një “kapitull të ri” për përmirësimin e jetës në vend.