ATV

Author: K.B.

  • Gjermania shënon rekord: Mbi 309 mijë persona marrin pasaportën gjermane në vitin 2025

    Gjermania shënon rekord: Mbi 309 mijë persona marrin pasaportën gjermane në vitin 2025

    Sipas një raporti të mediave gjermane, në vitin 2025 një numër rekord njerëzish kanë marrë shtetësinë gjermane dhe pasaportën e Gjermanisë. Ky numër është rritur ndjeshëm që prej ndryshimeve në ligjin e shtetësisë në vitin 2024, shkruan DW.

    Të paktën 309,852 persona u natyralizuan si shtetas gjermanë në vitin 2025, duke e tejkaluar shifrën e vitit të mëparshëm, kur ishin 291,955 raste të shtetësisë së dhënë, raporton e përjavshmja Welt am Sonntag.

    Rritja e kërkesave për shtetësi gjermane lidhet me reformat ligjore të miratuara në mes të vitit 2024, të cilat e kanë bërë më të lehtë marrjen e pasaportës gjermane. Ndër ndryshimet kryesore është mundësia e mbajtjes së shtetësisë së dyfishtë, si dhe ulja e periudhës së qëndrimit të kërkuar në Gjermani nga tetë në pesë vjet.

    Të dhënat bazohen në statistika të 14 nga 16 shtetet federale të Gjermanisë, me të dhëna që ende mungojnë nga shtetet lindore të Mecklenburg-Vorpommern dhe Saksoni-Anhalt, sipas Welt am Sonntag.

    Shtetet perëndimore të Saksonisë së Poshtme, Saarland dhe Schleswig-Holstein gjithashtu nuk kishin dhënë të dhëna të plota, tha ajo, megjithëse pothuajse të gjitha qytetet dhe rrethet në këto shtete e kishin bërë këtë.

    Në disa raste, numrat bazohen në të dhëna paraprake, tha gazeta.

  • Namazi i Bajramit falet në ora 06:30 në Shqipëri

    Namazi i Bajramit falet në ora 06:30 në Shqipëri

    Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar të gjithë besimtarët myslimanë se Kurban Bajrami do të falet ditën e mërkurë, më 27 maj, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.

    Sipas njoftimit zyrtar, në ora 06:00 do të hapet programi, ndërsa falja e namazit të Bajramit do të nisë nga ora 06:30.

    Gjithashtu bëhet e ditur se pritjet tradicionale me rastin e festës së Kurban Bajramit do të zhvillohen në selinë e KMSH-së, nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

    PROGRAMI I PLOTË I FALJES SË KURBAN BAJRAMIT:

    06:00 – Hapja e programit

    06:05 – Lexim Kurani, Hafiz Enes Hyka

    06:10 – Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu

    06:20 – Ligjëratë nga Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica

    06:30 – Falja e namazit të Bajramit, prin Kryetari i KMSH-së

    06:35 – Hutbeja e Bajramit nga Myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja

    Ftojmë të gjithë besimtarët që brenda mundësive të pajisen me sixhade për të qenë sa më komod gjatë faljes.

  • Musliu: VV-ja po sulmon UÇK-në për të larguar vëmendjen nga dështimet dhe korrupsioni

    Musliu: VV-ja po sulmon UÇK-në për të larguar vëmendjen nga dështimet dhe korrupsioni

    Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu ka reaguar ndaj deklaratave që, sipas saj, po bëhen nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, zyrtarja e VV-së Dejona Mihali dhe Vetëvendosje kundër pjesëtarëve të UÇK-së, duke i cilësuar ato si përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet reale në vend.

    Musliu ka thënë se gjuha e përdorur ndaj UÇK-së synon provokimin emocional dhe mbulimin e dështimeve të qeverisë.

    “Gjuha e Albin Kurtit, Dejona Aleksander Mihailit dhe VV-së në përgjithësi kundër pjesëtarëve të UÇK-së ka vetëm një qëllim: provokimin emocional dhe largimin e vëmendjes nga dështimet, korrupsioni dhe keqëqeverisja”, ka shkruar Musliu.

    Ajo ka deklaruar se, sipas saj, mungesa e rezultateve po shoqërohet me sulme ndaj historisë së luftës çlirimtare.

    “Kur mungojnë rezultatet, fillojnë sulmet ndaj historisë sonë më të lavdishme. Kur nuk kanë çfarë t’u ofrojnë qytetarëve, tentojnë të përçajnë popullin duke prekur plagët dhe krenarinë kombëtare”, ka theksuar ajo.

    Në reagimin e saj, Musliu u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien, siç ka thënë ajo, në “debatet e sajuara”.

    “Nuk duhet të biem në këtë kurth. Nuk duhet të lejojmë që debatet e sajuara të na largojnë nga problemet reale me të cilat përballet vendi çdo ditë: varfëria, ikja e të rinjve, stagnimi ekonomik dhe mungesa e perspektivës”, ka shkruar Musliu.

    Ajo ka përfunduar duke thënë se UÇK-ja mbetet krenari kombëtare dhe nuk duhet të përdoret për manipulime politike.

    “UÇK-ja është krenaria jonë kombëtare dhe nuk mund të përdoret si mjet për manipulime politike”, ka deklaruar Musliu.

  • Asamblistët në Mitrovicën e Veriut miratojnë largimin e mbishkrimit “Unë e dua Mitrovicën”

    Asamblistët në Mitrovicën e Veriut miratojnë largimin e mbishkrimit “Unë e dua Mitrovicën”

    Derisa qytetarët e veriut vazhdojnë të përballen me probleme ekonomike, infrastrukturore, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e simboleve dhe tabelave në qytet.

    Në mbledhjen e pestë të rregullt, asambleistët miratuan me 10 vota për dhe 5 kundër futjen në rend dite të kërkesës së Lista Serbe për largimin e instalacionit “I love Mitrovica”, të vendosur nga administrata e kaluar komunale në tetor të vitit të kaluar.

    Pika u shtua në momentet e fundit, ndonëse nuk kishte qenë pjesë e materialeve të shpërndara paraprakisht për këshilltarët, çka nxiti reagime dhe akuza për mungesë transparence dhe improvizim procedural.

    Kundër këtij propozimi dolën këshilltarët e iniciativës “Sever za Sve”, Marko Jakshiq dhe Ivan Miletiq, si dhe Ivan Orlloviq nga “Srpska Demokratija”, të cilët theksuan se vendime të tilla nuk duhet të shtyhen pa paralajmërim dhe pa debat institucional serioz.

    Po ashtu, kundër votuan edhe Aida Ferati-Doli nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emir Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Debati lidhet me ndryshimet e bëra më 2 tetor 2025, kur administrata e udhëhequr nga Erden Atiq hoqi simbolin cirilik “Ja volim Kosovsku Mitrovicu” dhe vendosi instalacionin e ri me alfabet latin “❤︎. Mitrovica”, me dizajn dhe stemë të re komunale.

  • Haradinaj për Kurtin: E ka sulmuar UÇK-në, e ka kallë Parlamentin

    Haradinaj për Kurtin: E ka sulmuar UÇK-në, e ka kallë Parlamentin

    Ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, i cili në shpalosjen e programit të VV-së për zgjedhjet e 7 qershorit, premtoi mbështetje institucionale për kategoritë e dala nga lufta.

    Në një prononcim për Klankosova, Haradinaj tha se si deklaratë duket e mirë, megjithatë këtë premtim, ai e llogarit si fushatë pasi, siç tha, nuk i besohet një njeriu që e ka sulmuar UÇK-në.

    “Si deklaratë duket e mirë dhe e mirëpret çdokush. Por, sa i besohet një njeriu që e ka sulmuar UÇK-në, ka rrahur policë, e ka kall Parlamentin? I njëjti që gjashtë vjet i ka injoruar kategoritë e dala nga lufta. Nuk e di sa bindëse do të jetë për ata që e dëgjojnë. Unë e llogaris fushatë”, tha ai.

  • Evropa “digjet” nga vala rekord e të nxehtit – Temperaturat arrijnë 40°C, viktima në Francë e Britani

    Evropa “digjet” nga vala rekord e të nxehtit – Temperaturat arrijnë 40°C, viktima në Francë e Britani

    Një valë e pazakontë dhe rekord nxehtësie për muajin maj ka përfshirë Evropën Perëndimore, duke sjellë temperatura ekstreme, paralajmërime shëndetësore dhe të paktën tre viktima në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

    Në Francë, një burrë humbi jetën gjatë një gare në Paris, ndërsa temperaturat në disa zona arritën deri në 35 gradë Celsius. Ndërkohë në Britani, një burrë vdiq në një plazh të mbushur me njerëz në Hastings, East Sussex, ndërsa një 15-vjeçar u mbyt në Swanholm Lakes, Lincolnshire, gjatë ditës më të nxehtë të vitit deri tani.
    Meteorologët paralajmërojnë se vala ekstreme do të vazhdojë gjatë gjithë javës, ndërsa një fenomen i njohur si “kupola e nxehtësisë” po bllokon ajrin e nxehtë afrikan mbi Evropën Perëndimore.

    Sipas Météo-France, kjo është një “valë e hershme, e fortë dhe e qëndrueshme e të nxehtit”, me temperatura deri në 12 gradë më të larta se mesatarja sezonale. Qytete në Francën perëndimore pritet të thyejnë rekordet historike të majit, ndërsa Nantes parashikohet të arrijë 35°C, duke tejkaluar rekordin e vitit 2017.
    Edhe Spanja dhe Portugalia po përgatiten për temperatura ekstreme, me disa zona portugeze që pritet të shkojnë pranë 40°C, ndërsa jugu i Spanjës mund të arrijë deri në 38°C.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, Zyra Meteorologjike ka paralajmëruar për një valë të konsiderueshme të nxehti, me temperatura deri në 33°C. Autoritetet kanë lëshuar alarme shëndetësore, përfshirë një paralajmërim portokalli për Londrën, ku priten pasoja serioze për të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
    Fundjava e kaluar solli rekorde historike në disa vende evropiane. Në Britani u regjistrua dita më e nxehtë e majit në afro 80 vite, me temperatura që në Londër arritën në 32.3°C.

    Ndërkohë, temperatura shumë të larta janë regjistruar edhe në Itali, Gjermani dhe në disa pjesë të Ballkanit, ku termometri ka shënuar deri në 33°C.

    Ekspertët e klimës paralajmërojnë se fenomenet e tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike. Sipas meteorologëve francezë, valët e nxehtësisë do të shfaqen më herët gjatë vitit dhe do të bëhen më intensive në të ardhmen.

  • Heroizmi i 8 policëve të Kosovës, dekorohen për shpëtimin e jetës

    Heroizmi i 8 policëve të Kosovës, dekorohen për shpëtimin e jetës

    Tetë policë të Kosovës, janë vlerësuar lart për punën e tyre në shërbim të qytetarëve

    Ata me rekomandim të Drejtorit të Përgjithshëm Gazmend Hoxha, sot kanë pranuar “Medalje për shpëtim jete”, në shenjë mirënjohjeje për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm gjatë ndërhyrjeve për shpëtimin e jetëve njerëzore.

    Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga PK-ja.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi lart aktin human dhe fisnik të zyrtarëve policorë, duke theksuar se ata, duke rrezikuar jetën e tyre, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës.

    “Jam tejet i lumtur që jemi sot këtu bashkë, për të nderuar punën e tetë zyrtarëve tanë policorë, të cilët me aktin e tyre human e fisnik, duke rrezikuar vetveten, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës. Këto akte dëshmojnë se, përveç profesionalizmit të lartë, pjesëtarët tanë policorë bartin edhe vlera të mëdha humane”, u shpreh ai.

    Sipas Sveçlës, veprimet e zyrtarëve policorë janë dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve, sidomos në momentet kritike kur sekondat bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes.

    Derisa i pari i organeve të rendit, kolonel Gazmend Hoxha, e cilësoi ndërhyrjen e zyrtarëve policorë si një akt të jashtëzakonshëm guximi dhe humanizmi, duke theksuar se ata nuk hezituan asnjë çast për të vepruar në shpëtimin e jetëve njerëzore.

    “Veprimet tuaja të guximshme dhe profesionale janë një shembull i mirë dhe një burim i madh frymëzimi për të gjithë zyrtarët policorë që mbajnë këtë uniformë anembanë vendit. Ju vërtetuat se uniforma e PK-së nuk është thjesht një petk zyrtar, por bart një mision human dhe përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve dhe vendit”, theksoi drejtori Hoxha.

    Në fund të ceremonisë, u theksua se Policia e Kosovës vazhdon të mbetet ndër institucionet më të besuara në vend, falë përkushtimit dhe gatishmërisë së zyrtarëve të saj për të shërbyer në çdo rrethanë.

  • Osmani ndan pamje nga tubimi madhështor në Cyrih: Kosova nuk dorëzohet përballë përçarjes

    Osmani ndan pamje nga tubimi madhështor në Cyrih: Kosova nuk dorëzohet përballë përçarjes

    Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje për bashkatdhetarët që e pritën gjatë vizitës dje në Zvicër.

    Ajo, përmes një videoje të publikuar në Facebook, ka ndarë pamje nga pritja madhështore që i është bërë nga mërgata në Cyrih.

    Osmani po ashtu krahas videos ka përcjellë edhe një mesazh.

    “Kosova nuk dorëzohet përballë përçarjes”, shkroi kandidatja për presidente nga LDK.

  • Dy kongresistë amerikanë vizitojnë Kosovën pas takimeve në Serbi dhe Bosnje

    Dy kongresistë amerikanë vizitojnë Kosovën pas takimeve në Serbi dhe Bosnje

    Dy kongresistë amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, pritet të mbërrijnë në Kosovë të martën, si pjesë e një vizite në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas ndalesave të tyre në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Serbi.

    Në prag të vizitës në Kosovë, kongresistët kanë zhvilluar gjithashtu takime në Bosnje dhe Hercegovinë, ku kanë diskutuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Marrëveshjen e Dejtonit.

    Në Kosovë, ata pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues institucionalë, në një kohë kur bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara po theksohet si i rëndësishëm nga zyrtarët kosovarë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së fundmi ka deklaruar se marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe SHBA-së janë në nivel të lartë dhe të qëndrueshëm.

    Në fund të prillit, Self, bashkë me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

    Rezoluta me mbështetje dypartiake thekson, mes tjerash, se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”.

  • Kurti në Ditën Përkujtimore: Mirënjohje për ushtarët amerikanë që kontribuuan në çlirimin dhe sigurinë e Kosovës

    Kurti në Ditën Përkujtimore: Mirënjohje për ushtarët amerikanë që kontribuuan në çlirimin dhe sigurinë e Kosovës

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje për ushtarët amerikanë që kanë kontribuuar në çlirimin e Kosovës, si dhe në sigurinë dhe prosperitetin e vazhdueshëm të vendit.

    Në një postim në rrjetin social X, me rastin e Ditës Përkujtimore (Memorial Day) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti tha se falënderimi vjen në emër të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës.

    “Me rastin e Ditës Përkujtimore, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, përcjell falënderimet e Republikës sonë për të gjithë ushtarët amerikanë që kanë kontribuar në çlirimin tonë dhe në sigurinë e prosperitetin e vazhdueshëm të vendit”, ka shkruar Kurti.

    Ai theksoi se kjo ditë është edhe moment për të kujtuar ata që kanë dhënë jetën për vlerat e lirisë, barazisë dhe demokracisë.

    “Në këtë ditë solemne, le t’i kujtojmë gjithashtu të gjithë ata që dhanë jetën për vlerat e përjetshme të lirisë, barazisë dhe demokracisë”, ka shkruar Kurti.