ATV

Author: K.B.

  • Dita e tetë e fushatës, KDTP premton mbështetje më të madhe për bizneset

    Dita e tetë e fushatës, KDTP premton mbështetje më të madhe për bizneset

    Në kuadër të ditës së tetë të fushatës elektorale për zgjedhjet e 7 qershorit, Partia Demokratike Turke e Kosovës e cila garon me numrin 122, ka vazhduar aktivitetet në terren me takime të shumta me përfaqësues të biznesit, artizanë dhe qytetarë.

    Kryetari i KDTP-së dhe kandidati me numër 1 në listën zgjedhore, Fikrim Damka, përmes një video-mesazhi tha se KDTP do të vazhdojë të qëndrojë pranë atyre që prodhojnë, punojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

    “Ne vazhdojmë të monitorojmë çdo hap që mbështet zhvillimin ekonomik. Gjatë vizitës sonë në Dhomën e Tregtisë, diskutuam punën e vazhdueshme në lidhje me certifikimin e artizanëve tanë dhe zbatimin e rregulloreve të reja ligjore për artizanët. Këto hapa janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për të siguruar që profesionistët tanë të kenë një strukturë më të fortë, më të sigurt dhe më të dukshme”, ka deklaruar Damka.

    Gjatë ditës, Damka ka zhvilluar edhe vizita tek tregtarët lokalë, ku është takuar me qytetarë dhe ka dëgjuar nga afër kërkesat dhe pritjet e tyre.

    “Nuk po lëmë dorë të palëkundur, derë pa trokitur. Vizituam tregtarët tanë, u uruam suksese në bizneset e tyre, biseduam me qytetarët tanë dhe dëgjuam kërkesat e tyre. Me mbështetjen dhe besimin e popullit tonë, ne vazhdojmë të punojmë pa u lodhur dhe të prekim çdo zemër”, është shprehur ai.

    Në kuadër të aktiviteteve të fushatës, kandidati për deputet ka vizituar edhe kompani vendore, ku është njohur sfidat me të cilat përballen.

  • Ardian Gjini premton reformë në arsim, siguri energjetike dhe zhvillim ekonomik

    Ardian Gjini premton reformë në arsim, siguri energjetike dhe zhvillim ekonomik

    Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, në ditën e tetë të fushatës përmes një video-incizimi të publikuar në Facebook tha se sistemi arsimor në Kosovë ka nevojë për një reformë rrënjësore.

    Në një reagim tjetër në Facebook, Gjini kritikoi qeverinë në largim lidhur me politikat energjetike, duke iu referuar deklaratave të ushtrueses së detyrës së ambasadores amerikane, Annu Prattipati. Sipas tij, shpenzimi i qindra milionë eurove për import të energjisë elektrike është pasojë e bllokimit të projektit të gazit amerikan. Ai u zotua se, nëse Aleanca merr drejtimin e qeverisë, do të bëhet zhbllokimi i menjëhershëm i projektit të gazsjellësit Shkup–Prishtinë dhe përfshirja e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror.

    Gjatë ditës, kandidati i AAK-së njoftoi gjithashtu se në selinë e partisë ka pritur familjen Lacaj nga Lipjani, ndërmarrës të suksesshëm në Nürnberg të Gjermanisë, të cilët i janë bashkuar Aleancës në prag të zgjedhjeve.

    Aktivitetet e ditës së tetë u përmbyllën me një tubim elektoral në Suharekë, ku Gjini kërkoi mbështetje për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe numrin 128 në zgjedhjet e 7 qershorit.

    “Për siguri, energji e zhvillim. Për Aleancën dhe numrin 128”, deklaroi ai para mbështetësve në Suharekë.

  • VV premton dyfishim të buxhetit për arsim dhe bursa

    VV premton dyfishim të buxhetit për arsim dhe bursa

    Në kuadër të fushatës zgjedhore të Lëvizja Vetëvendosje, kryetari dhe kandidati për kryeministër Albin Kurti ka mbajtur tubim elektoral në Therandë ku është fokusuar në çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe arsimit.

    Para qytetarëve, Kurti tha se gjatë mandatit të kaluar është rritur më shumë se dyfish numri i pjesëtarëve të Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Kurti premtoi se në rast të vazhdimit të mandatit qeverisës do të dyfishohen dhe numri i bursave.

    Në fund të tubimit, Kurti kërkoi mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e 7 qershorit, duke u bërë thirrje që vota t’i jepet Lëvizjes Vetëvendosje për të vazhduar, siç tha ai, projektet e nisura dhe për të siguruar një mandat të ri qeverisës.

  • Në ditën e pestë të fushatës, PSD kundër qasjes militariste të Kurtit

    Në ditën e pestë të fushatës, PSD kundër qasjes militariste të Kurtit

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, në ditën e pestë të fushatës zgjedhore ka publikuar një video-mesazh në Facebook, ku ka kritikuar qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti lidhur me sigurinë dhe orientimin politik të vendit.

    Duke iu referuar një deklarate të Kurtit, Molliqaj tha se kryeministri po pranon se socialdemokracia dhe militarizmi janë koncepte që nuk mund të bashkëjetojnë.

    Ai tha se Kosova ka nevojë për më shumë investime në shëndetësi, arsim, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, çerdhe dhe banim, e jo për një diskurs të përhershëm të militarizimit.

    Në përfundim të mesazhit, kreu i PSD-së u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin Partinë Socialdemokrate.

  • PSA premton mbështetje për familjet, bursa dhe subvencione për bujqësinë

    PSA premton mbështetje për familjet, bursa dhe subvencione për bujqësinë

    Në ditën e pestë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve (PSA), e cila garon me numrin 111, ka prezantuar pjesë të programit të saj politik përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook nga bartësi i listës, Artan Asllani.

    Asllani tha se prioritet i PSA-së do të jetë përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, me theks të veçantë te familjet në nevojë, kategoritë sociale, arsimi, zhvillimi ekonomik dhe bujqësia.

    Ai premtoi gjithashtu mbështetje për bizneset ekzistuese dhe për ndërmarrjet e reja

    Duke folur për sektorin e bujqësisë, Asllani tha PSA synon të rikthejë vëmendjen tek ky sektor.

    Në përmbyllje të mesazhit të tij, kandidati për deputet nga PSA përsëriti thirrjen që qytetarët më 7 qershor të votojnë Partinë Socialdemokrate të Ashkalinjve me numrin 111.

  • PDK premton investime në çerdhe, arsim dhe shëndetësi

    PDK premton investime në çerdhe, arsim dhe shëndetësi

    Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare, ndërsa kandidati për Kryeministër i Republikës së Kosovës Bedri Hamza e nisi ditën me një tubim me gratë aktiviste dhe mbështetëse të PDK-së, ku prezantoi prioritetet e tij programore dhe vizionin për qeverisje.

    “Do të investojmë në çerdhe, në arsim, në shëndetësi dhe në mbështetjen e bizneseve të grave. Do të krijojmë kushte që gratë të jenë më të pranishme në tregun e punës,” u shpreh Hamza, duke shtuar se fuqizimi i gruas nënkupton edhe fuqizimin e familjes dhe të shtetit.

    Ai kritikoi qeverisjen aktuale duke pretenduar mungesë investimesh dhe politikash që lehtësojnë jetën e grave, teksa tha se rritja e kostos së jetesës po ndikon drejtpërdrejt në familje.

    Sipas tij, shtesat sociale të aplikuara nga qeveria aktuale janë të përkohshme dhe nuk adresojnë, siç tha ai, zhvillim afatgjatë ekonomik.

    Gjatë ditës, ai ka shpërndarë edhe një video-incizim me mesazhin se qytetarët më 7 qershor zgjedhin mes “dy rrugëve”.

    Në ditën e pestë të fushatës, në tubimin e mbajtur në Malishevë mori pjesë edhe kryetari i Nismes, Fatmir Limaj, i cili bëri thirrje për mbështetje të PDK-së dhe listës zgjedhore me numër 125.

  • LDK premton 5 miliardë eurosh investime në infrastrukturë dhe forcim të aleancës strategjike me SHBA-në

    LDK premton 5 miliardë eurosh investime në infrastrukturë dhe forcim të aleancës strategjike me SHBA-në

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, së bashku me presidenten e gjashtë të Kosovës dhe kandidaten për një mandat të dytë presidencial, Vjosa Osmani, zhvilluan tubime në Rahovec, Prizren dhe Dragash.

    Në tubimin e mbajtur në Rahovec, Abdixhiku prezantoi zotimet kryesore të programit të LDK-së në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.

    Nga ana tjetër, Vjosa Osmani tha se zgjedhjet e 7 qershorit janë të rëndësishme për ruajtjen e kursit euroatlantik.

    Në Prizren, Abdixhiku prezantoi planin e investimeve infrastrukturore.

    Kurse, Osmani në Prizren kritikoi përdorimin e fëmijëve në fushata politike.

    Në përmbyllje të aktiviteteve të ditës, Abdixhiku dhe Osmani mbajtën tubim edhe në Dragash, ku kërkuan mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit.

  • Ardian Gjini kritikon vonesat e projekteve dhe shpërndarjen e parave në kohë zgjedhje

    Ardian Gjini kritikon vonesat e projekteve dhe shpërndarjen e parave në kohë zgjedhje

    Në kuadër të ditës së pestë të fushatës zgjedhore, kandidati për kryeministër i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (Ardian Gjini, ka mbajtur një tubim në Gjilan, ku ka folur para mbështetësve të tij me kritika dhe ironi ndaj qeverisjes aktuale dhe projekteve infrastrukturore në vend.

    Në fjalimin e tij, Gjini ka komentuar edhe çështjen e pensioneve dhe ndihmave sociale, duke kritikuar shpërndarjen e parave në kohë fushatash.

    Në përfundim të tubimit, kandidati i AAK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i besojnë “mashtruesve” duke kërkuar mbështetje për programin e tij.

  • PSD në ditën e katërt të fushatës akuzon qeverisjen në Prishtinë

    PSD në ditën e katërt të fushatës akuzon qeverisjen në Prishtinë

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, në ditën e katërt të fushatës zgjedhore ka publikuar një video në Facebook ku ka kritikuar ashpër mënyrën e qeverisjes në Komunën e Prishtinës.

    Ai ka deklaruar se po shqyrtohet vendosja e një takse prej 10 eurosh për çdo veturë që hyn në kryeqytet.

    Molliqaj ka theksuar gjithashtu se gjendja e pastërtisë në qytet dhe menaxhimi komunal nuk janë përmirësuar, duke kritikuar qeverisjen aktuale për mungesë të rezultateve konkrete.

    Në fund, ai ka theksuar se Partia Socialdemokrate paraqet, sipas tij, një alternativë opozitare që synon të përfaqësojë interesin e qytetarëve dhe ka kërkuar mbështetje në zgjedhje me numrin 129.

  • Dita e katërt e fushatës, PLE kërkon besimin e qytetarëve për përfaqësim dinjitoz

    Dita e katërt e fushatës, PLE kërkon besimin e qytetarëve për përfaqësim dinjitoz

    Në ditën e katërt të fushatës zgjedhore, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka shpërndarë një video-incizim nga tubimi elektoral i mbajtur në Pejë, ku ka përcjellë mesazhe për unitetin e komunitetit egjiptian.

    Gjatë fjalimit të tij, Berisha bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin numrin 131, të cilin e cilësoi si simbol të një ndryshimi të rëndësishëm për komunitetin egjiptian.

    Kreu i PLE-së tha se kandidatët e listës zgjedhore përfaqësojnë potencial të madh politik dhe institucional.

    Berisha u bëri thirrje simpatizantëve dhe qytetarëve që të angazhohen në mobilizimin e votuesve.