ATV

Author: K.B.

  • Peja Outdoor Festival nis sot me aktivitete në natyrë, hapet zyrtarisht në mbrëmje

    Peja Outdoor Festival nis sot me aktivitete në natyrë, hapet zyrtarisht në mbrëmje

    Peja Outdoor Festival nis sot programin e tij me aktivitete të ndryshme në hapësirat publike të qytetit, duke sjellë një ditë të dedikuar sportit, mjedisit dhe atmosferës festive.

    Sipas organizatorëve, aktiviteti i parë fillon në orën 15:00 me mbjelljen e drunjve në qytet, si pjesë e nismave për promovimin e kujdesit ndaj mjedisit dhe hapësirave të gjelbra.

    Më pas, programi vazhdon me vrapimin rekreativ përgjatë lumit Lumbardh, ku qytetarë dhe pjesëmarrës pritet të bashkohen në një aktivitet sportiv dhe komunitar.

    Dita përmbyllet me hapjen zyrtare të festivalit në orën 20:30, ku pritet një program festiv dhe pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve dhe vizitorëve.

    Organizatorët kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në aktivitetet e ditës, duke theksuar se festivali synon të sjellë energji, aventurë dhe atmosferë të gjallë në qytet gjatë gjithë fundjavës.

  • “Unë erdha, u krye”, Berisha konfirmon heqjen e “non gratës” nga SHBA

    “Unë erdha, u krye”, Berisha konfirmon heqjen e “non gratës” nga SHBA

    Pas më shumë se 5 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur t’i heqin non gratën kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

    Lajmi është konfirmuar nga kreu i PD-së, i cili ndonëse nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, hyri në sallën e Kuvendit me duartrokitje.

    “Unë erdha, u krye”, tha Berisha nga foltorja. Ndërkohë që ende nuk ka një reagim nga ambasada e SHBA-së lidhur me këtë lajm.

    Në 19 maj 2021, pas zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat PD-ja I humbi, DASH shpalli non grata ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij.

    Ishte vetë sekretari i Shtetit në atë kohë Antony Blinken i cili përmes një mesazhi në Twitter shkruante se ish-presidenti Shqipërisë Sali Berisha me aktet e tija korruptive minojnë demokracinë.

    “Unë në mënyrë publike shpall Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë si të ndaluar për të hyrë në SHBA. Ne- thekson sekretari amerikan i shtetit- qëndrojmë të bashkuar kundra korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”.

  • Refuzimi i gazit amerikan, Avdullah Hoti bën thirrje për protesta

    Refuzimi i gazit amerikan, Avdullah Hoti bën thirrje për protesta

    Refuzimi i gazit amerikan nga ana e qeverisë në detyrë, ka bërë që ish-kryeministri, Avdullah Hoti të dalë me thirrje për protesta demokratike.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka parashtruar tri pyetje, që sipas tij, janë thelbësore për secilin politikan dhe secilin qytetar.

    1. Pse Kurti e refuzon projektin e gazit amerikan, në situatën kur të gjitha vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik për të dalë nga sfera e ndikimit rus? 2.Pse Kurti nuk ka bërë absolutisht asgjë në gjashtë vite të qeverisjes së tij sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike? 3.Kujt i intereson që Kosova të vijojë të jetë e varur nga importi i energjisë?”, shtron pyetjet ai.

    Sipas ish-deputetit, heshtja përballë një dëmi të tillë nuk është neutralitet, por, siç thotë ai, është bashkëfajësi.

    “Kauzë për të protestuar deri në largimin e qeverisë ka qenë gjithashtu edhe suspendimi i Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe ‘23” në vitin 2023, si dhe pezullimi i dialogut strategjik Kosovë-SHBA në shtator 2025. Por kur i gjithë aktiviteti opozitar organizohet rreth kapjes së posteve shtetërore, e jo rreth kauzave dhe interesit shtetëror, atëherë rezultati i zgjedhjeve është ky që e pamë të dielën e kaluar – rezultat që në përpikëri reflekton politikën pa kauzë shtetërore, pa vizion dhe pa guxim”.

  • Janina Ymeri dorëzon padi për shpifje kundër Gluak Konjufcës

    Janina Ymeri dorëzon padi për shpifje kundër Gluak Konjufcës

    Kandidatja për deputete e LDK’së, Janin Ymeri, ka bërë të ditur se ka dorëzuar padi për shpifje kundër zëvendëskryeministrit Gluak Konjufca. Ymeri pretendon se Konjufca ka shpifur në emisionin Debat Plus kur ka folur për temën e energjisë elektrike dhe ka kërkuar kërkimfalje publike nga Konjufca.

    Postimi i plotë:

    Me avokatin Donat Lushaku dorëzuam padinë për shpifje ndaj zëvendëskryeministrit Glauk Konjufca.

    Të paditurit pra Glauk Konjufcës i kërkohet të bëj falje publike për shpifjen e bërë në emisionin Debat Plus.

    Në të kundërtën i kërkohet kompensim dhe varësisht nga vlerësimi i gjykimit të ardhurat nga kompensimi do i dërgohen shoqatës ‘Doën Syndrome Kosova’.

    Për më pak se 1 vit, unë kundër pushtetit ose akterë pushteti jemi në 3 beteja ligjore.

    Së pari kam dërguar rast për hetim në Prokurori Speciale për keqpërdorimet në çmim të rrymës, për çfarë jam thirr në dëshmi dhe kam pranuar të dëshmoj edhe në Gjykatë.

    Së dyti, KEK më ka paditur për shpifje, padia është rrëzuar edhe tani ende është në proces se KEK nuk heq dorë.

    Së treti, për shpifjen e nënkryetarit të Lëvizjes Vetvendosje njëherit edhe zëvendës kryeministër e Ministër i Jahshtëm, isha unë ajo që dorëzoj padi për të vendosur të vërtetën në vend.

    Pra 1 njeri kundrejt 1 Aparati të tërë shtetëror me

    3 Beteja Ligjore.

  • ShBA i heq “non grata”-n Sali Berishës

    ShBA i heq “non grata”-n Sali Berishës

    Departmaneti i Shtetit i ka hequr sanksionimin “non grata” kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës.

    Kështu ka raportuar media e drejtuar nga Andi Bushati “lapsi.al” si dhe autori televiziv Çim Peka.

    Sipas “Lapsi”-t, lirimi nga “non grata” i është komunikuar personalisht Sali Berishës nga e ngarkuara me punë e ShBA-sl, Nancy Van Horme.

  • Xhamat e errët në vetura, Gjykata Supreme del me vendim: Ndalimi i paligjshëm

    Xhamat e errët në vetura, Gjykata Supreme del me vendim: Ndalimi i paligjshëm

    Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që kufizonin përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke vlerësuar se disa nga ndalimet e vendosura nuk mbështeteshin në ligjin në fuqi.

    Vendimi është marrë pas padisë së Organizatës Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Institutit “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”, të cilët kërkuan vlerësimin e ligjshmërisë së nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve.

    Me aktgjykim, Kolegji i Gjykatës Supreme shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi paragrafin 1, paragrafin 3 dhe paragrafin 4 të nenit 7, ndërsa refuzoi kërkesëpadinë lidhur me paragrafin 2, i cili mbetet në fuqi.

    Në arsyetimin e saj, Gjykata konstatoi se ligjet që rregullojnë trafikun rrugor dhe automjetet nuk përmbajnë ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo për zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar.

    “Ligji Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Ligji Nr. 05/L-132 për Automjete nuk përmbajnë ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar. Përkundrazi, legjislacioni në fuqi parashikon mundësinë e modifikimeve në automjete, me kusht që ato t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit teknik dhe atestimit sipas standardeve të përcaktuara me ligj”, thuhet në vendim.

    Sipas Gjykatës Supreme, dispozitat e shfuqizuara nuk kishin karakter zbatues, por krijonin kufizime të reja që nuk ishin paraparë nga Kuvendi përmes ligjit.

    “Paragrafi 1 i nenit 7 vendoste një kufizim që nuk gjendet në ligj, duke lejuar xhamat e errët vetëm për automjetet që i kanë të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve. Këto dispozita nuk përbënin thjesht zbatim apo konkretizim të ligjit, por krijonin kufizime të reja materiale që ligjvënësi nuk i kishte paraparë”, vlerësoi Gjykata.

    Gjykata shfuqizoi edhe paragrafin 4 të nenit 7, i cili parashihte mundësinë që përjashtimet nga ndalimi të lejoheshin me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme.

    “Paragrafi 4, i cili parashihte lejimin e përjashtimeve me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, ishte i lidhur ngushtë me ndalimin e parashikuar në paragrafin 3 dhe, për rrjedhojë, nuk mund të qëndronte në fuqi pasi vetë ndalimi bazë rezultoi i paligjshëm”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.
    Në vendim, Gjykata Supreme ka ritheksuar kufijtë e kompetencave të institucioneve ekzekutive gjatë nxjerrjes së akteve nënligjore.

    “Organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të krijuar ndalime apo kufizime të reja që nuk burojnë nga dispozitat ligjore. Çdo kufizim i të drejtave ose i mundësive të përdorimit të automjeteve duhet të mbështetet në autorizim të qartë ligjor dhe të respektojë parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe proporcionalitetit”, theksohet në aktgjykim.
    Sipas Gjykatës, dispozitat e kontestuara krijonin edhe trajtim të ndryshëm për automjete që ndodheshin në rrethana të krahasueshme.

    “Dispozitat e shfuqizuara krijonin trajtim të ndryshëm për automjete që ndodhen në situata të krahasueshme, pa një bazë të qartë ligjore dhe pa u dëshmuar nevoja për një dallim të tillë në funksion të mbrojtjes së interesit publik”, thuhet në vendim.
    Ndërkaq, Gjykata gjeti se paragrafi 2 i nenit 7 ka karakter teknik dhe administrativ, pasi rregullon vetëm evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit, pa vendosur kufizime apo ndalime që bien ndesh me ligjin, ndaj edhe e la atë në fuqi.

  • Gjirokastër, arrestohet pronari i pishinës ku humbi jetën 15-vjeçari

    Gjirokastër, arrestohet pronari i pishinës ku humbi jetën 15-vjeçari

    Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Gjirokastër, ku humbi jetën 15-vjeçari A.P. pasi u fut për t’u larë në pishinë, këtë të enjte është arrestuar pronari i pishinës.

    Sipas raportimeve të policisë, është ndaluar shtetasi E.K., i cili është arrestuar në flagrancë nga oficerët e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Gjirokastër.

    Mbi të rëndon akuza për veprën penale “Shkelje e rregullave të sigurisë dhe mbrojtjes në punë”.

    Mësohet se i mituri ishte hedhur për t’u larë dhe më pas ka ndërruar jetë, pasi ka pësuar infarkt. Pas ngjarjes së rëndë, u shoqëruar në polici edhe disa persona. /Euronews.al/

  • Posta e Kosovës lëshon pulla postare kushtuar Kampionatit Botëror FIFA 2026

    Posta e Kosovës lëshon pulla postare kushtuar Kampionatit Botëror FIFA 2026

    Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim emisionin më të ri të pullave postare kushtuar FIFA World Cup 2026, me rastin e hapjes së ngjarjes më të madhe futbollistike në botë.

    Emisioni filatelik përbëhet nga dy pulla postare dhe një bllok filatelik, të cilat pasqyrojnë në mënyrë simbolike emocionin, pasionin dhe frymën bashkuese që sjell Kampionati Botëror. Përmes elementeve artistike dhe simbolikës së futbollit, ky emision synon të promovojë sportin, miqësinë dhe komunikimin ndërmjet popujve.

    Sipas Postës së Kosovës, pullat postare përfaqësojnë më shumë sesa objekte koleksionimi, duke bartur kujtime, emocione dhe mesazhe që mund të shpërndahen përmes letrave dhe kartolinave në mbarë botën.

    Kampionati Botëror FIFA 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026 në Kanadë, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë edicioni i parë në histori që organizohet nga tri shtete dhe me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve.

    Posta e Kosovës u ka bërë thirrje koleksionistëve, bizneseve dhe qytetarëve që ta bëjnë pjesë të koleksioneve të tyre këtë emision të veçantë filatelik, i cili i kushtohet festës globale të futbollit.

  • Kush është Jared Kushner – Njeriu që qëndron pas projektit luksoz në Shqipëri?

    Kush është Jared Kushner – Njeriu që qëndron pas projektit luksoz në Shqipëri?

    Jared Kushner është i lidhur me një marrëveshje zhvillimi pronash në Shqipëri që ka shkaktuar protesta në të gjithë vendin, pasi kompania e tij e investimeve, Affinity Partners, mbështeti një sërë projektesh turistike luksoze në bregdetin e Adriatikut.

    Propozimi prej 1.4 miliardë eurosh do të transformonte një pjesë të ishullit të Sazanit në një vendpushim luksoz me hotele, vila, apartamente, një marinë dhe ambiente të tjera luksoze.

    Kjo ka ngjallur kundërshtim nga grupet mjedisore dhe aktivistët vendas, të cilët argumentojnë se kërcënon ekosistemet e ndjeshme dhe nuk ka transparencë të mjaftueshme mbi rolin e investitorëve të saj.

    Kushner është një biznesmen amerikan dhe këshilltar i presidentit të SHBA-së Donald Trump.

    I njohur më mirë si dhëndri i Trumpit, Kushner luajti një rol të spikatur në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit nga viti 2017 deri në vitin 2021, duke u bërë një nga figurat më me ndikim dhe më kontraverse të administratës.

    Kushner është lidhur me një sërë përpjekjesh diplomatike që përfshijnë Iranin, Ukrainën dhe Rusinë, duke marrë pjesë në bisedime që synojnë uljen e tensioneve dhe avancimin e marrëveshjeve të mundshme të paqes.

    Në muajt e fundit, ai ka punuar së bashku me të dërguarin e lartë të Trumpit, Steve Witkoff, në negociatat lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe luftën në Ukrainë.

    Në shkurt të vitit 2026, presidenti Donald Trump emëroi zyrtarisht Kushnerin si të Dërguar Special për Paqen, duke i dhënë atij një rol zyrtar në përpjekjet e ndërmjetësimit ndërkombëtar të administratës.

    Nga pasuritë e paluajtshme në politikë

    I lindur më 10 janar 1981, në Livingston, New Jersey, Kushner vjen nga një familje e pasur.

    Babai i tij, Charles Kushner, themeloi Kushner Companies, një kompani zhvillimi dhe investimesh në prona, shkruan euronews.

    Jared Kushner u diplomua në Universitetin e Harvardit përpara se të merrte diploma të përbashkëta në drejtësi dhe biznes nga Universiteti i New Yorkut.

    Përpara se të hynte në politikë, Kushner zgjeroi perandorinë e pasurive të patundshme të familjes së tij dhe bleu gazetën New York Observer në vitin 2006 në moshën 25 vjeç.

    Më vonë ai u bë drejtor ekzekutiv i Kushner Companies, duke mbikëqyrur investime të mëdha në prona në New York dhe më gjerë.

    Kushner u martua me Ivanka Trump, vajzën e Donald Trump, në vitin 2009.

    Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016, Kushner iu bashkua Shtëpisë së Bardhë si këshilltar i lartë.

    Edhe pse nuk kishte përvojë të mëparshme qeveritare, atij iu dha një portofol i gjerë që përfshinte reformën e drejtësisë penale, politikën tregtare, modernizimin e qeverisë dhe diplomacinë e Lindjes së Mesme.

    Lidhje me Moskën

    Jared Kushner u shfaq në mënyrë të spikatur në Raportin Mueller , një hetim amerikan që arriti në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

    Kushner u intervistua nga hetuesit, por nuk u akuzua kurrë për ndonjë krim.

    Një nga arritjet më të rëndësishme të Kushnerit në qeveri ishte roli i tij në Marrëveshjet e Abrahamit, një seri marrëveshjesh që normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa shteteve arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.

    Mbështetësit ia atribuuan atij ndihmën në riformësimin e diplomacisë rajonale, ndërsa kritikët vunë në dyshim ndikimin afatgjatë të marrëveshjeve.

    Megjithatë, ndikimi i tij i gjerë dhe lidhjet e ngushta familjare me presidentin tërhoqën kritika nga kundërshtarët, të cilët argumentuan se roli i tij i zbehu vijat ndarëse midis shërbimit publik dhe besnikërisë familjare.

    Babai i tij, Charles, mori një falje presidenciale nga Trump në fund të administratës së tij të parë, pasi u dënua për evazion fiskal dhe donacione të paligjshme të fushatës në vitin 2004, gjë që çoi në një burgim dy-vjeçar.

    Charles u emërua ambasador i SHBA-së në Francë dhe Monako në vitin 2025 nga administrata e dytë e Trump.

    Mbështetja saudite

    Pasi u largua nga qeveria në vitin 2021, Jared Kushner themeloi Affinity Partners, një kompani private kapitali e fokusuar në investime në SHBA, Izrael dhe rajonin e Gjirit.

    Kompania tërhoqi vëmendje pasi mori mbështetje të konsiderueshme nga Fondi Publik i Investimeve të Arabisë Saudite.

    Kushner mbetet një figurë me ndikim në politikë dhe biznes ndërkombëtar.

    Ndërsa ai ka qëndruar kryesisht larg fushatave të përditshme politike, marrëdhënia e tij e ngushtë me Trumpin dhe lidhjet e gjera në Lindjen e Mesme vazhdojnë ta bëjnë atë një figurë të shquar në skenën globale.

  • Përleshje mes tre personave në Suharekë – Policia jep detaje

    Përleshje mes tre personave në Suharekë – Policia jep detaje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për një përleshje që ka ndodhur mes tre personave në Suharekë.

    Si pasojë e rastit, policia shton se, janë arrestuar dy të dyshuar, ndërsa i treti është liruar.

    ‘‘ARMËMBAJTJE PA LEJE & LËNDIM I LEHTË TRUPOR & DËMTIM PRONE

    Suharekë / 10.06.2026 – 18:50. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje janë përleshur mes veti tre të dyshuar meshkuj kosovarë. Si pasoj dy të dyshuar kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Njëri prej të dyshuarve ka dëmtuar me një mjetë të fort veturën e të dyshuarit tjetër. Me urdhër të prokurorit është kontrolluar shtëpia e njërit prej të dyshuarve por nuk është gjetur asgjë e dyshuar. Dy prej të dyshuarve janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, kurse i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt.’’, ka thënë Policia në raport.