ATV

Author: K.B.

  • Serbia u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga ShBA-ja dhe Ukraina

    Serbia u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga ShBA-ja dhe Ukraina

    Që nga fillimi i këtij viti, Qeveria e Serbisë u ka dhënë shtetësi katër herë më shumë shtetasve rusë sesa të gjithë shtetasve të tjerë të huaj së bashku.

    Në mesin e tyre ka edhe rusë që janë nën sanksione ndërkombëtare, ka konstatuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) përmes analizës së vendimeve të Qeverisë serbe.

    Qeveria e Serbisë i jep këto shtetësi duke i arsyetuar me “interesa” për Serbinë.

    Valerij Kazikajev është shtetas i Serbisë që nga 16 janari.

    Ai ndodhet në listën e sanksioneve amerikane që nga prilli i vitit 2023, për shkak të lidhjeve të biznesit me oligarkun rus, Alisher Usmanov.

    Departamenti amerikan i Shtetit nuk e ka komentuar për REL-in vendimin e Qeverisë së Serbisë për t’i dhënë atij shtetësi.

    Një tjetër bartës i ri i pasaportës serbe është shtetasi rus, Sergej Kondratenko, i cili e mori shtetësinë më 13 nëntor 2025.

    Ai ndodhet nën sanksionet ukrainase për “veprime në dëm të interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare”.

    Shtetas i ri i Serbisë është edhe Igor Koljushev, inxhinier rus ndërtimi në fushën e urave.

    Ai është nën sanksione ukrainase që nga viti 2022.

    Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe Ambasada e Ukrainës në Beograd nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve të REL-it lidhur me dhënien e shtetësisë serbe personave që janë nën sanksione ukrainase.

    As Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve se pse po u jep shtetësi qytetarëve rusë të sanksionuar.

    Qeveria e Serbisë ka vazhduar trendin e dhënies gjithnjë e më të shpeshtë të shtetësisë për shtetas rusë, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit se kjo u mundëson atyre hyrje pa viza në Bashkimin Evropian.

    Kjo është theksuar edhe në një non-paper të fundit të Komisionit Evropian, në të cilin REL-i ka pasur qasje.

    Në këtë dokument paralajmërohet se përfitimi i përshpejtuar i së drejtës për udhëtim pa viza në BE nga shtetas rusë përmes marrjes së shtetësisë serbe — numri i të cilëve është rritur — paraqet rrezik të mundshëm sigurie për BE-në.

    “Serbia jo vetëm që nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë, por në mënyra të ndryshme po e anashkalon politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha për REL-in Bojana Sellakoviq nga organizata joqeveritare Konventa Kombëtare për BE-në.

    Si vend kandidat për anëtarësim, Serbia ka regjim pa viza me BE-në dhe detyrim për harmonizim të politikës së jashtme me të.

    Megjithatë, ajo nuk ka vendosur viza për qytetarët rusë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Kush janë personat e sanksionuar me pasaportë serbe?

    Valerij Kazikajevit i janë vendosur sanksione amerikane me qëllim “pengimin e mëtejshëm të importit të teknologjive kritike që Rusia i përdor në luftën e saj kundër Ukrainës”.

    Këto masa iu vendosën në prill të vitit 2023 për shkak të lidhjeve të tij të biznesit me miliarderin rus, Alisher Usmanov.

    Sipas të dhënave të Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja, OFAC, Kazikajev është një nga anëtarët e lartë të menaxhmentit ose bordeve drejtuese të kompanive në sektorin e metaleve dhe minierave të lidhura me Usmanovin — Metalloinvest dhe Udokan Copper.

    Kazikajev është, gjithashtu, pronar i kompanisë sllovake KTH Group Spol SRO. Edhe kjo kompani është nën sanksione amerikane.

    Ukraina i vendosi sanksione Kazikajevit në nëntor të vitit 2023. Masat përfshijnë ngrirjen e pasurisë, ndalimin e aktivitetit të biznesit dhe një sërë kufizimesh të tjera financiare.

    REL-i nuk arriti të kontaktojë me Valerij Kazikajevin.

    Oligarku Alisher Usmanov, i afërt me pushtetin në Kremlin, është një nga rusët më të pasur.

    Ai ka biznese në fushën e minierave, industrisë së metaleve, telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit.

    Shtetet e Bashkuara e vendosën Usmanovin në “listën e zezë” në mars të vitit 2022.

    Në arsyetim thuhet se ai është i afërt me disa zyrtarë të lartë rusë që janë nën sanksione amerikane, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe Dmitry Medvedevin, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.

    Departamenti amerikan i Thesarit thotë, gjithashtu, se Usmanov ka në dispozicion një rrjet kompanish të regjistruara në të ashtuquajturat parajsa fiskale, përmes të cilave mund të kryejë transaksione financiare – çka potencialisht i mundëson anashkalimin e sanksioneve.

    Ai është gjithashtu nën sanksionet e Australisë, Kanadasë, BE-së, Japonisë, Zelandës së Re, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Sergej Kondratenko, një tjetër shtetas rus që ka marrë së fundmi pasaportë serbe, është sanksionuar nga autoritetet ukrainase.

    Autoritetet ukrainase kanë konstatuar se Kondratenko është pronari përfundimtar i kompanisë Royal Pay Europe, ndaj së cilës Ukraina vendosi sanksione në vitin 2023 për “veprime në dëm të interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare”.

    Këtë e tregojnë të dhënat e degës ukrainase të organizatës Transparency International.

    Royal Pay Europe është e regjistruar në Letoni, dhe merret me pagesa elektronike dhe shërbime të tjera financiare.

    Byroja Shtetërore e Hetimeve e Ukrainës nisi në vitin 2023 një procedurë penale ndaj kësaj kompanie për përvetësimin e më shumë se 30 milionë eurove, që bankat e huaja kishin ndarë për njërën nga bankat komerciale ukrainase.

    “Sipas materialeve të atij hetimi, gjatë luftimeve në rajonin e Harkivit, kompania u përpoq të riregjistronte të drejtat pronësore mbi pasuritë e paluajtshme të një banke ukrainase që ishte në proces likuidimi”, thuhet nga Transparency International.

    Me vendim të Gjykatës së Lartë Kundër Korrupsionit në Ukrainë në vitin 2024, kompanisë iu konfiskua pasuria në atë vend, në vlerë prej rreth 44 milionë dollarësh. Këto para u transferuan në buxhetin shtetëror të Ukrainës.

    Gjatë hetimit, autoritetet ukrainase të sigurisë e lidhën Kondratenkon edhe me një rrjet rus bastesh.

    Sergej Kondratenko nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it, të dërguar në një adresë elektronike, të njohur për redaksinë.

    Igor Koljushev, inxhinier rus i ndërtimit në fushën e urave, është nën sanksione ukrainase që nga viti 2022.

    Masat ndaj tij lidhen kryesisht me ndalimin e nxjerrjes së kapitalit nga Ukraina dhe me kufizime të rrjedhave financiare.

    Sipas të dhënave të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Koljushev është drejtor teknik i Institutit Giprostroymost në Shën Petersburg.

    Kjo është një nga kompanitë kryesore ruse të specializuara në projektimin e urave dhe objekteve të transportit.

    REL-i nuk arriti të kontaktojë as me Koljushevin.

    Në prill, shtetësi serbe mori edhe Yakub Zakriyev, nip i udhëheqësit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, por Qeveria e Serbisë e tërhoqi atë vendim katër ditë më vonë.

    Zakriyev ndodhet në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përfshirjes së tij në institucionet e Rusisë.

    Nën sanksione të SHBA-së dhe BE-së është edhe vetë Kadyrov, i cili prej vitesh përballet me akuza për shpërfillje të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë rrëmbime, tortura, vrasje dhe përndjekje të pjesëtarëve të komunitetit LGBT.

    Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve as për dhënien, as për anulimin e shtetësisë për nipin e Ramzan Kadyrovit.

    Në shtator të vitit 2025, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), raportoi se së paku katër shtetas rusë kishin marrë shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë, ndonëse ishin nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.

    Sipas këtyre raportimeve, shtetësi serbe morën tre menaxherë të gjigantit rus të energjisë, Gazprom.

    Shtetësi mori edhe Ruslan Alisultanov, ish-zëvendësministër i Bujqësisë i Çeçenisë dhe biznesmen, i cili sot prezantohet si udhëheqës në industrinë ushqimore të Rusisë.

    Portali hulumtues KRIK dhe portali rus Important Stories raportuan në prill të vitit 2025 se në mesin e personave të cilëve Qeveria e Serbisë u kishte dhënë shtetësi kishte disa rusë të lidhur me elitën politike të Kremlinit, dhe me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë, FSB.

    Ata raportuan, gjithashtu, për persona të lidhur me industrinë ushtarake, për njerëz që u pasuruan gjatë luftës në Ukrainë dhe për figura të lidhura me gjigantë të tjerë të biznesit.

    Për Serbinë “interes”, për BE-në “rrezik sigurie”

    Analiza e REL-it tregon se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, 44 shtetas rusë morën shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë.

    Nga fillimi i vitit 2022 deri në qershor të këtij viti, më shumë se 300 rusë kanë marrë shtetësi serbe.

    Kjo u konstatua përmes shqyrtimit të vendimeve të Qeverisë së Serbisë për dhënien e shtetësisë, të publikuara në Gazetën Zyrtare.

    Ky nuk është numri përfundimtar, sepse edhe Ministria e Brendshme jep shtetësi sipas procedurës së rregullt, nëse plotësohen kushtet e caktuara.

    Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa shtetas rusë kanë marrë shtetësi serbe që nga viti 2022.

    Qeveria e Serbisë mund të japë shtetësi sipas një procedure të veçantë dhe të përshpejtuar ligjore, e cila arsyetohet me “interes për Serbinë”.

    Megjithatë, ajo që për autoritetet serbe paraqet “interes për Serbinë”, për BE-në është një “sfidë e mundshme sigurie”.

    Shtetësi serbe marrin sportistë dhe artistë rusë, por edhe biznesmenë të lidhur me Kremlinin dhe persona të sanksionuar.

    Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë do të ndërmarrë lidhur me paralajmërimet e Brukselit, e as se si e shpjegon rritjen e numrit të shtetësisë serbe të dhënë rusëve.

    Marko Todoroviq nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane, CEP, thotë se nga Serbia pritet që t’i ketë parasysh interesat e BE-së kur merr vendime që ndikojnë në sigurinë e hapësirës Shengen.

    “Kur BE-ja, nga kujdesi, po shqyrton se si t’ua vështirësojë qytetarëve rusë marrjen edhe të vizave turistike, tendenca në Serbi për t’u dhënë atyre shtetësi që automatikisht ua hap derën Shengenit duket si lëvizje në drejtim krejtësisht të kundërt”, tha ai për REL-in.

    Disa vende anëtare të BE-së po bëjnë presion ndaj Komisionit Evropian që të propozojë një ligj që do ta lehtësonte refuzimin e vizave turistike për shtetas rusë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

    Sipas të dhënave të BE-së, numri i vizave turistike të lëshuara për qytetarët rusë për hapësirën Shengen u rrit gjatë vitit 2025 në gati 480.000 — niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

    Sa rusë ka në Serbi?

    Falë regjimit pa viza, mijëra shtetas rusë kanë kaluar nëpër Serbi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

    Disa ikën nga mobilizimi, të tjerë erdhën për të vazhduar pa pengesa biznesin me vendet perëndimore.

    Sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, të cilat REL-i i mori përmes kërkesës për qasje në informacion publik në janar të vitit 2025, pak më shumë se 48.000 shtetas rusë kishin qëndrim të përkohshëm në Serbi.

    Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa janë aktualisht në Serbi deri në publikimin e këtij teksti.

    Çfarë rrezikon Serbia?

    Duke u dhënë shtetësi personave të sanksionuar, sipas Marko Todoroviqit nga CEP-i, Serbia po i rrezikon drejtpërdrejt integrimet e veta evropiane dhe po e minon komunitetin të cilit synon t’i bashkohet.

    “Kjo sugjeron se ekziston ndikim rus në pjesë të aparatit politik dhe të sigurisë, të cilat i bëjnë këto ‘shërbime’ me shpresën se do të kalojnë pa u vërejtur, ose madje pa u shqetësuar fare për pasojat e mundshme politike”, vlerëson ai.

    Ai thotë se non-paper-i është gjithashtu sinjal se Komisioni do ta ndjekë nga afër mënyrën se si Serbia e zbaton këtë proces, sa i hollësishëm është kontrolli dhe nëse vërtet verifikohet prapavija e aplikuesve.

    Bojana Sellakoviq nga Konventa Kombëtare për BE-në thotë se rritja e numrit të shtetësive të dhëna qytetarëve rusë, përfshirë edhe personave të sanksionuar, tregon se Serbia nuk ka orientim të qartë të politikës së jashtme dhe po i ruan marrëdhëniet me Rusinë.

    “E gjithë kjo nuk është në linjë me një shtet që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, sepse rregullat atje janë shumë strikte dhe shumë të qarta”, tha Sellakoviq.

    Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat me BE-në që nga dhjetori i vitit 2021, dhe një nga arsyet është edhe mosharmonizimi me politikën e jashtme të bllokut.

    Në samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor, në Tivat të Malit të Zi, Serbisë iu tha se duhet të përcaktohet mes Rusisë dhe Kinës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian në anën tjetër.

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha atëherë se Serbia duhet të vendosë se ku përket, dhe se “balancimi mes Rusisë, Kinës dhe Evropës është i papranueshëm”.

    Ai sqaroi se udhëheqësit evropianë ia kishin bërë këtë të qartë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. /REL

  • FSK, Policia dhe KFOR-i largojnë 91 predha të Luftës së Dytë Botërore në Vushtrri

    FSK, Policia dhe KFOR-i largojnë 91 predha të Luftës së Dytë Botërore në Vushtrri

    Në një operacion të përbashkët, ekipi i EOD-së BRAVO 3 i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe ekipet amerikane e finlandeze të EOD-së së KFOR-it, ka larguar 91 predha të kalibrit 88 milimetra nga Stacioni i Trenit në fshatin Shtitaricë të Vushtrrisë.

    Siç mëson Klan Kosova bëhet fjalë për predha të llojit Flak 37/41, prodhim gjerman, të cilat kishin mbetur në atë lokacion që nga viti 1944.

    Mjetet e pashpërthyera janë larguar dhe më pas janë shkatërruar në mënyrë të kontrolluar.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se me këtë operacion është eliminuar një rrezik i madh për banorët e zonës.

    Po ashtu, është vlerësuar bashkëpunimi ndërmjet ekipeve të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, duke theksuar se koordinimi i tyre kontribuon në sigurinë dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve në të gjithë Kosovën.

  • Shqiptarja Arba Kokalari merr rol kyç në Parlamentin Evropian

    Shqiptarja Arba Kokalari merr rol kyç në Parlamentin Evropian

    Një tjetër sukses i rëndësishëm për shqiptarët në institucionet evropiane është shënuar nga eurodeputetja me origjinë shqiptare, Arba Kokalari, e cila është caktuar në Komisionin e Barazisë së Parlamentit Evropian.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kokalari përmes një reagimi publik, ku njoftoi se në kuadër të këtij angazhimi do të kontribuojë në hartimin e politikave të reja që ndërlidhen me inteligjencën artificiale (AI) dhe barazinë gjinore.

    Sipas saj, zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale sjell mundësi të mëdha për shoqërinë, por njëkohësisht paraqet edhe sfida serioze në aspektin e barazisë. Ajo theksoi se gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në sektorët e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe profesioneve digjitale, gjë që ndikon në mundësitë e tyre profesionale dhe në rolin që luajnë në zhvillimin e teknologjive të së ardhmes.

    Kokalari kërkoi që Bashkimi Evropian të investojë më shumë në edukimin digjital, aftësitë që lidhen me inteligjencën artificiale dhe krijimin e mundësive më të mëdha për gratë dhe vajzat në fushat e teknologjisë.

    Ajo ngriti shqetësime edhe për përdorimin e papërgjegjshëm të teknologjisë, duke përmendur fenomenin e “deepfake” dhe përmbajtjet abuzive të krijuara nga inteligjenca artificiale, të cilat sipas saj prekin veçanërisht gratë.

    “Gratë duhet të kenë mundësi më të mira për të formësuar të ardhmen digjitale dhe mbrojtje të fortë kur teknologjia keqpërdoret”, ka deklaruar Kokalari.

    Eurodeputetja u ka bërë thirrje qytetarëve, ekspertëve dhe organizatave të ndryshme që të kontribuojnë me ide dhe propozime për politikat e ardhshme në këtë fushë.

    Arba Kokalari është anëtare e Parlamenti Evropian dhe përfaqëson Suedinë nga radhët e Arba Kokalari, duke u dalluar për angazhimin e saj në çështjet e tregut digjital, sigurisë dhe barazisë gjinore në Bashkimin Evropian./Albinfo

  • Prishtina shënon Ditën e Çlirimit, theksohet se liria e fituar duhet të shoqërohet me përgjegjësi

    Prishtina shënon Ditën e Çlirimit, theksohet se liria e fituar duhet të shoqërohet me përgjegjësi

    Në shënim të 27-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal mbajti seancë solemne, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës, pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe të tjerë. Në këtë seancë u vlerësua sakrifica për liri, rrugëtimi drejt shtetndërtimit dhe zhvillimi i kryeqytetit ndër vite.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se liria e fituar me sakrificë duhet të shoqërohet me përgjegjësi për ndërtimin e një shteti dhe kryeqyteti të denjë për brezat e ardhshëm.

    “Sot jemi në këtë seancë simbolike ku takohet historia me të ardhmen. Në njërën anë po shihni që kemi këtu veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që me guxim, me sakrificë dhe besim e sollën lirinë. Në anën tjetër kemi institucionet që na ruajnë sot, kemi Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe të gjithë punëtorët që çdo ditë i shërbejnë kryeqytetit dhe qytetarëve të tij. Kjo pamje është dëshmia më e bukur e rrugëtimit tonë nga rezistenca te shtetndërtimi, nga lufta për liri te përgjegjësia për ta mbrojtur dhe forcuar atë”, ka thënë ai.

    Rama ka theksuar se përgjegjësia e institucioneve është të ndërtojnë një shtet dhe një kryeqytet që janë të denjë për sakrificën e dëshmorëve.

    “Prandaj jemi krenarë që kemi përfunduar varrezat e dëshmorëve në Makoc e Marec, edhe ato në Prishtinë, duke krijuar vende dinjitoze kujtese për ata që i dhanë Kosovës jetën e tyre. E në zemër të Prishtinës tani do të ndërtohet edhe memoriali i familjes Jashari të komandantit Adem Jashari. Kjo do të jetë një hapësirë kujtese, një hapësirë reflektimi dhe edukimi për brezat e rinj. Po ashtu, në përfundim është edhe projekti për parkun memorial dhe bibliotekën presidenciale “Ibrahim Rugova”. Edhe ky një institucion që do ta ruajë trashëgiminë e presidentit historik dhe do të jetë simbol i dijes, kulturës dhe i vizionit shtetformues”.

    Kurse, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, theksoi se liria e Kosovës është rezultat i sakrificës së brezave të tërë dhe se kujtesa për dëshmorët e luftës mbetet pjesë e pandashme e ndërgjegjes kombëtare.

    “Në këtë ditë, përkulemi me respektin më të thellë para dëshmorëve të kombit, martirëve, invalidëve të luftës dhe të gjithë atyre burrave e grave që sakrifikuan gjithçka për idealin e lirisë. Vepra e tyre është e pavdekshme, dhe kujtimi për ta do të mbetet gjithmonë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare”, tha ai.

    E ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, theksoi rëndësinë historike të 11 qershorit 1999 dhe domethënien e luftës për lirinë e Kosovës.

    “Sot shënojmë 27 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, ditën më të rëndësishme të çlirimit të kryeqytetit tonë. 11 qershori, 1999, lufta për liri, po kurorëzojmë me hyrjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me tërheqjen e forcave të NATO-s, në Kosovë, ishte dita kur liria po bëhej e prekshme. Çlirimi i qytetit dhe i gjithë Kosovës, përmes luftës çlirimtare dhe zbarkimit të NATO-s në Kosovë, nuk është vetëm një tregim për të kaluarën tonë të lavdishme, por edhe një udhërrëfyes për të ardhmen dhe drejtimin strategjik që duhet ta ndjekë Kosova”, tha ai.

  • U ndal për të pushuar në autostradën hungareze, kosovari thotë se ia vodhën 8 mijë euro dhe dokumentet

    U ndal për të pushuar në autostradën hungareze, kosovari thotë se ia vodhën 8 mijë euro dhe dokumentet

    Shtetasi kosovar thotë se hajnat i hapën veturën derisa po flinte në një zonë pushimi në autostradën M5. Rasti është raportuar në polici dhe në Ambasadën e Kosovës në Budapest.

    Një shtetas i Kosovës ka rënë pre e një vjedhjeje gjatë udhëtimit të tij në Hungari, në një rast që ka ndodhur në autostradën M5, transmeton albinfo.ch.

    Sipas deklarimit të viktimës me inicialet D.R., ai ishte ndalur në një zonë të dedikuar për pushim përgjatë autostradës për të bërë një gjumë të shkurtër, kur persona të panjohur i kanë hapur veturën dhe i kanë marrë sendet me vlerë.

    Ai ka bërë të ditur se hajnat kanë arritur të marrin çantën e dorës, në të cilën ndodheshin rreth 8 mijë euro para të gatshme, letërnjoftimi, pasaporta dhe kartelat bankare.

    Pas incidentit, D.R. ka njoftuar menjëherë policinë hungareze dhe organet diplomatike të Kosovës në Hungari.

    “Policia hungareze më është përgjigjur menjëherë dhe për këtë i falënderoj. E falënderoj edhe Ambasadën e Kosovës në Budapest, që më është përgjigjur për dokumentin e udhëtimit. Ambasada e Kosovës m’i ka rregulluar dokumentet që unë të kthehem në Kosovë. Policinë e kam lajmëruar, më kanë dhënë dosjen e rastit. Menjëherë kur erdhën, i morën shenjat e gishtërinjve që kanë prekur derën, si dhe pamjet nga kamerat e sigurisë”, ka deklaruar ai.

    Sipas viktimës, autoritetet hungareze kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit, ndërsa janë siguruar edhe provat e para nga vendi i ngjarjes.

    Në fund, ai u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve dhe udhëtarëve që kalojnë nëpër këtë segment të autostradës M5 të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ndalesave për pushim, duke mos lënë sende me vlerë në vende të dukshme dhe duke siguruar automjetet e tyre.

  • Gjermania dhe Zvicra dominuan votimin jashtë Kosovës, KQZ nis numërimin

    Gjermania dhe Zvicra dominuan votimin jashtë Kosovës, KQZ nis numërimin

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pasdite do të fillojë me numërimin e votave që i takojnë votimit në përfaqësitë diplomatike.

    Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, në 30 përfaqësitë diplomatike, nga 27 mijë e 724 votues të regjistruar, kanë votuar 82.46 përqind apo 22 mijë e 860 votues.

    Sa i përket numrit real të votuesve që morën pjesë në votim, përfaqësitë diplomatike në Gjermani dominuan dukshëm procesin.

    Numrin më të madh të votuesve e regjistroi Konsullata e Kosovës në Dyseldorf, ku votuan 2 mijë e 977 qytetarë, duke qenë qendra me pjesëmarrjen më të madhe në diasporë. Pas saj renditen Konsullata në Mynih me 2 mijë e 222 votues dhe Konsullata në Shtutgart me 2 mijë e 200 votues.

    Ndër qendrat e tjera me pjesëmarrje të lartë janë Ambasada/Konsullata në Cyrih me 1 mijë e 758 votues, Frankfurti me 1 mijë e 590 votues, Gjeneva me 1 mijë e 291 votues, Berna me 1 mijë e 270 votues dhe Londra me 1 mijë e 211 votues.

    Këto të dhëna tregojnë se qendrat diplomatike në Gjermani dhe Zvicër mbeten pikat kryesore të votimit të diasporës kosovare, duke përqendruar pjesën dërrmuese të votuesve që morën pjesë në procesin zgjedhor jashtë vendit.

  • Enver Hoxhaj paralajmëron për rrezikun që i kanoset Kosovës pas zgjedhjeve

    Enver Hoxhaj paralajmëron për rrezikun që i kanoset Kosovës pas zgjedhjeve

    Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj ka ngritur shqetësime për drejtimin që mund të marrë Kosova pas zgjedhjeve, duke veçuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjendjen e demokracisë në vend.

    Në një video të publikuar në Facebook, Hoxhaj tha se gjatë numërimit të votave po shfaqen dy çështje që, sipas tij, tregojnë se çfarë Kosove do të ketë vendi në periudhën e ardhshme.

    Duke folur për projektin e gazit amerikan, ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt strategjik me rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën dhe rajonin.

    “Një projekt i tillë do ta ridefinojë rolin e Amerikës në Ballkan dhe marrëdhënien e saj me Kosovën. Ky raport duket që është në krizë sepse Qeveria e Kosovës veçse e ka refuzuar një projekt të tillë”, deklaroi Hoxhaj.

    Sipas tij, rëndësia e këtij projekti tejkalon edhe objektiva të tjera strategjike të vendit.

    “Ky projekt ka më shumë përparësi sesa vetë anëtarësimi i Kosovës në NATO apo promovimi i demokracisë, dhe ne mund të arrijmë deri te NATO pikërisht përmes një projekti të tillë”, u shpreh ai.

    Hoxhaj ngriti shqetësime edhe për zhvillimet në Komisionin e Pavarur të Mediave, duke e lidhur këtë me nivelin e demokracisë në vend.

    “Çështja e debatit publik në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku mediat e pavarura po kërcënohen nga ky komision, tregon për nivelin e demokracisë”, tha ai.

    Në fund, deputeti i PDK-së u bëri thirrje partive opozitare dhe deputetëve që do të dalin nga këto zgjedhje të mbajnë një qëndrim të qartë në mbrojtje të demokracisë dhe aleancave strategjike të Kosovës.

    “Deputetët që do të dalin nga këto zgjedhje, por edhe partitë politike opozitare, e kanë vendimtare një qëndrim të qartë, që do ta mbrojnë edhe demokracinë, por që do ta mbrojnë edhe aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropën dhe Perëndimin”, deklaroi Hoxhaj.

  • Numërimi drejt fundit, këta janë kandidatët më të votuar nga rreth 90% e votave

    Numërimi drejt fundit, këta janë kandidatët më të votuar nga rreth 90% e votave

    Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë i është afruar fundit. Deri tash, janë numëruar 87.83% e votave.

    Këto të dhëna janë nga 2 mijë e 194 vendvotime të procesuara prej 2 mijë e 498 sa janë gjithsej.

    Kreu i VV’së, njëherit Kryeministri në detyrë, Albin Kurti mbetet më i votuari me mbi 211 mijë vota.

    Më poshtë gjeni dhjetë kandidatët më të votuar nga VV, PDK, LDK dhe AAK.

    VV:

    1.[1] ALBIN KURTI 211,127 Vota

    2.[2] GLAUK KONJUFCA 165,724 Vota

    3.[5] ALBULENA HAXHIU 96,475 Vota

    4.[6] HEKURAN MURATI 83,810 Vota

    5.[3] DONIKA GËRVALLA- SCHËARZ 78,638 Vota

    6.[7] XHELAL SVEÇLA 63,654 Vota

    7.[4] AVNI DEHARI 58,240 Vota

    8.[9] HAJRULLA ÇEKU 53,617 Vota

    9.[8] MIMOZA KUSARI LILA 52,221 Vota

    10.[16] EJUP MAQEDONCI 48,449 Vota

    PDK:

    1.[1] BEDRI HAMZA 104,341 Vota

    2.[4] PËRPARIM GRUDA 63,976 Vota

    3.[5] ARIAN TAHIRI 55,853 Vota

    4.[2] URAN ISMAILI 50,217 Vota

    5.[9] SALA JASHARI 34,584 Vota

    6.[3] VLORA ÇITAKU 34,454 Vota

    7.[12] GANIMETE MUSLIU 26,678 Vota

    8.[8] ARBEN MUSTAFA 24,165 Vota

    9.[7] RRAHMAN RAMA 23,952 Vota

    10.[10] ENVER HOXHAJ 23,810 Vota

    LDK:

    1.[1] VJOSA OSMANI SADRIU 69,847 Vota

    2.[2] LUMIR ABDIXHIKU 63,428 Vota

    3.[4] DOARSA KICA XHELILI 49,418 Vota

    4.[12] HYKMETE BAJRAMI 39,086 Vota

    5.[11] AVDULLAH HOTI 35,710 Vota

    6.[3] KUJTIM SHALA 30,450 Vota

    7.[8] UKË RUGOVA 30,066 Vota

    8.[10] ANTON QUNI 23,726 Vota

    9.[5] LUTFI HAZIRI 21,500 Vota

    10.[17] ARMEND ZEMAJ 21,383 Vota

    AAK:

    1.[1] ARDIAN GJINI 36,680 Vota

    2.[11] RAMUSH HARADINAJ 33,039 Vota

    3.[50] DAUT HARADINAJ 24,908 Vota

    4.[2] BESNIK TAHIRI 21,467 Vota

    5.[4] BEKË BERISHA 17,880 Vota

    6.[7] BURIM RAMADANI 15,658 Vota

    7.[3] TIME KADRIJAJ 15,102 Vota

    8.[10] AGIM ÇEKU 13,918 Vota

    9.[5] ARBER TOLAJ 13,168 Vota

    10.[6] ALBANA BYTYQI 8,827 Vota.

  • Disa lagje të Mitrovicës pritet të mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

    Disa lagje të Mitrovicës pritet të mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se ekipet e saj të mirëmbajtjes do të realizojnë punime të planifikuara në disa lokacione të qytetit dhe fshatrave përreth.

    Sipas njoftimit, ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit do të kryhen në rrugët “Mbretëresha Teuta”, “Bajo Topulli”, “Haxhi Qerimi”, “Tish Daija”, si dhe në fshatin Rekë.

    Ndërkohë, punime në rrjetin e kanalizimit do të zhvillohen në rrugën “Mbretëresha Teuta” dhe në fshatin Rekë.

    Nga KRU Mitrovica është bërë e ditur se gjatë realizimit të punimeve në rrjetin e ujësjellësit, furnizimi me ujë të pijshëm në zonat e përfshira mund të ndërpritet përkohësisht.

    Pas rikthimit të furnizimit, si pasojë e ndërhyrjeve teknike, mund të paraqitet turbullirë e përkohshme e ujit.

    “Në rast se uji është i turbullt, ju lutemi që ta lini rubinetin të rrjedhë për disa minuta, derisa uji të kthjellohet plotësisht”, thuhet në njoftimin e KRU Mitrovica.

  • Specialja e bojkoton raportimin e ekspertëve britanikë në Hagë që ngriti shqetësime për funksionimin e saj

    Specialja e bojkoton raportimin e ekspertëve britanikë në Hagë që ngriti shqetësime për funksionimin e saj

    Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC) i cili javë me parë ka publikuar një raport të iniciuar me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës është duke i prezantuar sot në Hagë gjetjet e tyre për funksionimin e Dhomave të Specializuara para Korit Diplomatik.

    Ngjarja po fasilitohet nga Ambasada e Kosovës në Hagë dhe është hapur nga Ambasadori i Kosovës Dren Doli. Gazeta Express po e përcjell këtë aktivitet.

    Por, pavarësisht pranisë së diplomatëve, dhe aktoreve të ndryshëm në këtë ngjarje vetë Gjykata Speciale e cila ndodhet në Hagë ku po mbahet ngjarja nuk e ka dërguar dikë aty, Kjo është bërë e ditur nga Avokati i Popullit të Kosovës Naim Qelaj i cili ka thënë se ata janë ftuar.

    “Do të doja që Dhomat e Specializuara të ishin këtu dhe nuk e di pse s’kanë ardhur” u ka thënë të pranishmëve Qelaj.

    Ai ka theksuar se raporti është i pavarur dhe në asnjë mënyrë i influencuar Avokati i Popullit.

    Qelaj në prill të këtij viti kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte numëruar gjetjet e britanikëve sa i përket procesit gjyqsor në Hagës. Ai kishte listuar një varg shqetësimesh të identifikuara nga raporti i britanikëve.

    Si gjetje të parë, Qelaj kishte përmendur kufizimin e të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, ku përfshihet mungesa e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimi i komunikimeve familjare dhe profesionale.

    “Sa i përket paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze për zgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimin e komunikimeve familjare dhe profesionale me mbrojtjen”, kishte thënë ai.

    Gjithashtu raporti kishte ngritur si shqetësim mbikëqyrjen sistematike të komunikimeve. Qelaj tregon se edhe gjatë vizitës që vetë kishte zhvilluar, kishte qenë subjekt i incizimit gjatë gjithë kohës nga kamerat e vendosura.

    “Raporti tregon se mbikëqyrja sistematike e komunikimeve me të cilat jam ballafaquar edhe unë, sepse në vizitën e vitit 2025 jam vëzhguar nga dy kamera që kanë incicuzar gjatë gjithë kohës, pra raporti konstaton se kjo përbën ndërhyrje në nenin 8”, kishte shtuar Qelaj.

    Qelaj thoshte se Raporti ngrit shqetësime serioze edhe për mungesën e mekanizmave efektiv të mbikëqyrjes demokratike dhe kontrollit institucional.

    Raporti, siç tregonte Qelaj, ka përmendur si shqetësim edhe diskrecionin e konsiderueshëm që ka kryetarja e Gjykatës Speciale për të emëruar panele, gjë që mund të ndikojë në perceptimin e paanshmërisë.

    “Sa i përket standardit për gjykim të drejtë, raporti konstaton se kryetarja e Speciales ka diskrecion të konsiderueshëm për të formuar panele, gjë që mund të ndikojë në perceptim për paanshmërinë. Më tej raporti evidenton shqetësime për konsultimet ndër-institucionale të paraparë me rregulloret dhe mungesën e gjyqtarëve nga Kosova”, ka thënë ai tutje.

    Qelaj kishte përmendur edhe disa deklarime problematike që janë bërë nga ish-kryeprokurori Jack Smith lidhur me burgimin e përjetshëm dhe deklarimet nga kryetarja e Gjykatës se nëse ish-krerët e UÇK’së lirohen ata përbëjnë rrezik. Këto deklarime përbejnë shqetësime serioze për prezumimin e pafajësisë, integritetin e procesit dhe për lirimin e parakohshëm.

    “Konstatimi nga kryetarja e Gjykatës se nëse lirohen këta persona paraqesin rrezik dhe duhet të mbahen në paraburgim ngre shqetësime serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë por edhe për integritetin e procesit dhe lirimin e parakohshëm”, kishte thënë Qelaj.

    Ai kishte treguar se deklarimet e Smith dhe kryetare së Speciales janë bërë në një takim të tyre me disa diplomatë, e ku s’ka qenë e ftuar fare mbrojtja.

    Qelaj kishte përmendur edhe temën e pranimit të provave nga Serbia, duke thënë se raporti ka konstatuar mungesë të transparencës serioze nga ana e Hagës.

    “Lidhur me pranueshmërinë e provave nga Serbia, raporti konstaton mungesë transparence serioze, pasi kërkesat e mbrojtjes për zbulim, qasje për origjinën e materialeve mbeten pa vendim publik. Mungesa e çfarëdo vendimi publik përbën shqetësim për transparencën”, ka thënë ai duke cituar raportin.

    Qelaj kishte shtuar se në raport, rekomandohet krijimi i një mekanizmi të pavarur të monitorimit të procesve gjyqësore./Express/