ATV

Author: K.B.

  • Cakolli: Nëse VV i merr 65% të votave të diasporës, mund ta formojë qeverinë

    Cakolli: Nëse VV i merr 65% të votave të diasporës, mund ta formojë qeverinë

    Eugen Cakollin, hulumtues i Demokracisë në Veprim, tha se Lëvizjes Vetëvendosje do t’i nevojiten 65% e votave të diasporës për ta propozuar kryeparlamentarin dhe formuar qeverinë.

    “Nëse përqindja e shkurtit do të përsëritej me numrin aktual të votuesve të supozuar që kanë votuar jashtë vendit, atëherë Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 50 deputetë të sigurtë dhe do të jetë çështja e dhjetëra votave që do ta fitojë edhe deputetin e 51-të. Në kuadër të votimit jashtë vendit nuk ka qenë asnjëherë nën 55%”, deklaroi Cakolli në Klan Kosova.

    “Tash nëse shkon me skenarin e shkurtit, atëherë i bie 43.8 ose 44%. Nëse i merr 70% atëherë mund të shkojë deri në 46.7 deri në 47%. Me 53 deputetë po, pasi që do të ishin edhe nëntë deputetë nga radhët e komuniteteve. Në fakt, në rast se LDK nuk performon mirë, mund ta arrijë këtë edhe me veç 65 % të votave të diasporës dhe do t’i fitonte minimalisht 52 deputetë, por do ta kishte qeverinë me vetëm 61 deputetë”, theksoi ai.

  • Anulohet seanca për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë

    Anulohet seanca për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë

    Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Naim Berisha, avokati Naim Rudari ishte i angazhuar me tjetër seancë, është anuluar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë të Prishtinës më 26 mars 2024.

    Në këtë rast, bashkë me Naim Berishën, akuzohen Ahmet Berisha, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatësja e rastit, Alltën Murseli tha se avokati Rudari ka seancë në Departamentin Special, andaj nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

    Gjykimi po mbahet në mungesë ndaj të akuzuarve Naim Berisha dhe Kaltrim Gashi, pasi që të njëjtit ndodhen në arrati.

    Sipas aktakuzës, palët e armatosura u përplasën për motive hakmarrjeje të lidhura me tregtinë e narkotikëve, duke shkaktuar edhe lëndime të tjera të rënda. Të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”. Naim Berisha dhe Kaltrim Gashi, ndodhen ende në arrati.

  • Dafina zbulon gjininë e bebit që po vjen në jetë

    Dafina zbulon gjininë e bebit që po vjen në jetë

    Dafina Zeqiri, sapo ka ndarë me ndjekësit e saj lajmin e shumëpritur duke zbuluar gjininë e fëmijës që po pret. Përmes disa postimeve tejet të ëmbla në rrjetet sociale, këngëtarja konfirmoi se ajo dhe partneri i saj, Kreshnik Gjergji, do të bëhen sërish prindër të një djali.

    Siç shihet edhe në foto, djali i tyre i parë shfaqet pranë një tullumbaceje të kaltër ku shkruhet “It’s a boy”.

    Ky zbulim i bukur vjen vetëm pak javë pasi Dafina zgjodhi skenën e koncertit të saj në Tiranë për të dhënë lajmin e madh se është në pritje të ëmbël për herë të dytë.

    Gëzimi në familjen e tyre është i madh, duke pasur parasysh se nuk ka bërë ende një vit që kur Dafina dhe Kreshniku u bënë prindër për herë të parë, duke mirëpritur në jetë djalin e tyre të pagëzuar me emrin Daskan. Tani, vogëlushi po përgatitet të bëhet me një vëlla më të vogël. /Prive By Liberta Spahiu

     

  • Rreth 23 mijë nxënës testohen më 26 qershor në Testin e Arritshmërisë

    Rreth 23 mijë nxënës testohen më 26 qershor në Testin e Arritshmërisë

    Rreth 23 mijë nxënës, do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë që mbahet më 26 qershor. Edhe këtë vit ky test do të organizohet vetëm në një ditë, kanë bërë të ditur drejtues të Ministrisë së Arsimit. Njohës të arsimit, vlerësojnë se organizimi i këtij testi, për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme, kërkon përgatitje të duhura.

    Edhe këtë vit shkollor Testi i Arritshmërisë do të organizohet vetëm në një ditë, më datë 26 qershor, ku do t’i nënshtrohen rreth 23 mijë semimaturantë. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, në një përgjigjeje për Radio Kosovën dha detaje rreth mbarëvajtjes se këtij testi.

    “Testi do të organizohet me 26 qershor dhe nxënësit ngjashëm si viteve të kaluara do t’i nënshtrohen testit vetëm në një ditë. Do të jenë katër grupe të lëndëve: gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë, informatikë, shkenca shoqërore, histori, gjeografi, shkenca natyrore, fizikë, kimi, biologji. Katër grupet i kanë gati 25 kërkesa”, tha Elezi

    Ndërkaq, njohës të arsimit po vlerësojnë se organizimi i Testit të Arritshmerisë është i rëndësishëm për orientimin e nxënësve për shkollimin e mesëm. Xhavit Rexhaj i tha Radio Kosovës se ky test nuk duhet të anulohet siç është kërkuar me herët, por se duhet të analizohet mënyra e realizimit.

    “Ky e ka rolin e vet, ky e ka orientimin e nxënësit për shkollimin e mëtejmë. Nëse administrohet si duhet dhe nëse analizohen rezultatet e tij si duhet, ky është jashtëzakonisht i dobishëm. Prandaj, në vend se të anulohet, unë mendoj se duhet të mendohet mënyra e duhur e zbatimit dhe mandej zbatimi i tij i rregullt”, tha Rexhaj

    Qëllimi i Testit të Arritshmërisë është që të maten njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve dhe njëkohësisht nxënësve të klasave të nënta ky rezultati do t’ u shërbejë për regjistrim në shkollat e mesme të larta.

  • U rreshtua në krah me Vjosa Osmanin: Sa vota numëron deri më tani Haxhi Avdyli?

    U rreshtua në krah me Vjosa Osmanin: Sa vota numëron deri më tani Haxhi Avdyli?

    Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdojnë procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë.

    Sipas të dhënave të përditësuara, deri më tani janë numëruar rreth 85% e votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

    Bazuar në këto të dhëna, kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, që në këto zgjedhje u rreshtua me Vjosa Osmanin, deri më tani ka mbledhur plot 5.090 vota, duke u renditur kështu i 38-ti në listë.

  • Prishtina sot shënon 27 vjetorin e çlirimit

    Prishtina sot shënon 27 vjetorin e çlirimit

    Kryeqyteti i Kosovës Prishtina, sot do ta kremtojë 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit me një sërë aktivitetesh përkujtimore, kulturore dhe sportive, të organizuara nga Komuna e Prishtinës.

    Manifestimet synojnë të nderojnë dëshmorët e lirisë dhe të kujtojnë një nga datat më të rëndësishme në historinë e kryeqytetit.

    Duke filluar nga ora 10:00, do të bëhen homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve në lagjen Velania, ku do të përkujtohet sakrifica e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit. Më pas, në orën 10:30, do të mbahen nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në sheshin që mban emrin e tij.

    Në orën 11:00, në Sallën e Kuvendit Komunal do të mbahet Seanca Solemne me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës dhe personalitete të jetës publike.

    Një nga ngjarjet qendrore të ditës do të jetë Marshi i UÇK-së, i cili nis në orën 12:00 nga Sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon në Sheshin “Skënderbeu”. Marshi organizohet nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët do të parakalojnë të veshur me uniformat e UÇK-së.

    Festimet do të vazhdojnë edhe gjatë mbrëmjes.

    Në orën 18:00, në Stadiumin “Fadil Vokrri”, do të zhvillohet “Ndeshja e Yjeve – Miqtë e Futbollit”, një aktivitet sportiv që synon të promovojë frymën e bashkimit dhe festës qytetare.

    Ndërkaq, nga ora 18:30 deri në 23:00, Sheshi “Skënderbeu” do të shndërrohet në qendrën kryesore të festimeve me një koncert festiv. Para qytetarëve do të performojnë Ansambli “Bajram Curri”, Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, grupet Zwada dhe Blla Blla Blla, si dhe një DJ, duke përmbyllur në atmosferë festive këtë ditë të veçantë për kryeqytetin.

    Dita e Çlirimit të Prishtinës mbetet një simbol i sakrificës për liri, kujtesës historike dhe mirënjohjes ndaj atyre që kontribuuan në çlirimin e vendit, ndërsa shërben edhe si një moment bashkimi për qytetarët e të gjitha brezave.

  • Sot nis numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike

    Sot nis numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike

    Sot me fillim nga ora 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pritet të nisë numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike.

    Kështu bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Ai kujtoi se votimi fizik jashtë Kosovës është zhvilluar më 6 qershor në 30 përfaqësi diplomatike.

    Elezi ka bërë të ditur se nga 27 mijë e 724 votues të regjistruar, kanë votuar rreth 81 për qind e tyre, apo 22 mijë e 414 votues.

    Në QNR është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës.

    Sipas KQZ-së, nga 23 kuti postare janë tërhequr mbi 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat po i nënshtrohen verifikimit.

    Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate, të cilat mund t’i gjeni KËTU.

  • Maji përvëlues, IHMK thotë se ishte i dyti më i ngrohti në gjithë tokën dhe detin

    Maji përvëlues, IHMK thotë se ishte i dyti më i ngrohti në gjithë tokën dhe detin

    Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur se maji i këtij viti ishte i dyti më i ngrohti në nivel global në të gjithë tokën dhe detin, sipas buletinit të fundit të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus.

    Sipas tij, Evropa përjetoi një kalim të shpejtë klimaterik nga kushtet më të freskëta se mesatarja në një valë nxehtësie jashtëzakonisht të hershme dhe intensive.

    “Evropa përjetoi një kalim të shpejtë klimaterik nga kushtet më të freskëta se mesatarja në një valë nxehtësie jashtëzakonisht të hershme dhe intensive si në: Francë, Britani të Madhe, Irlandë dhe Portugali, që përjetuan majin e tyre më të nxehtë rekord”.

    “Pjesë të mëdha të Evropës perëndimore, qendrore dhe lindore përjetuan kushte më të thata se mesatarja ndërsa në Turqi, Bullgari dhe Moldavi kishte përmbytje të gjerë”, shkroi ai.

  • Të martën pritet të përmbyllet numërimi i votave të kandidatëve

    Të martën pritet të përmbyllet numërimi i votave të kandidatëve

    Me ritmin aktual të punës në Qendrat Komunale të Numërimit, procesi i numërimit të votave për kandidatë nga vendvotimet e rregullta pritet të përfundojë më së largu të martën.

    E niveli i numërimit në shkallë vendi ka arritur mbi 75 për qind, të mërkurën. Deri tani, procesi është përmbyllur në 18 komuna, kryesisht ato me numër më të vogël votuesish.

    Në fazën përfundimtare të numërimit janë Leposaviqi, Kaçaniku, Skenderaj, Istogu, Klina dhe Rahoveci. E, në Prishtinë numërimi ka kaluar një të katërtën e votave, ndërsa në Prizren mbi 40 për qind.

    Në Gjilan procesi i është afruar 50 përqindëshit, ndërsa në të gjitha komunat e tjera janë numëruar më shumë se gjysma e votave.

    Me këtë dinamikë pune, e fundit numërimin e votave do ta përfundojë Prishtina – në fillim të javës së ardhshme.

    Megjithatë kjo nuk nënkupton përfundim të të gjithë procesit numërues për shkak se ka edhe vota të tjera që numërimi ende nuk ka nisur.

    “Bëhet fjalë për fletëvotimet nga votimi nga 30 përfaqësi diplomatike, ku kanë votuar 22 mijë e 414 qytetarë, pastaj fletëvotimet nga votimi me postë në 23 kutitë postare nga ku janë tërhequr më shumë se 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, pastaj fletëvotimet nga votimi me kusht i mundësuar në 52 vendvotime, ku janë evidentuar 8 mijë e 751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta ku kanë qenë të regjistruar 3 mijë e 144 votues”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Elezi ka thënë se aktivitete po zhvillohen edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    Deri në mëngjesin e së mërkurës janë verifikuar afër 7 mijë e 300 zarfe nga diaspora, prej tyre të vlefshme janë mbi 98 për qind.

    “Nga pjesa më e madhe e pakove që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 7 mijë të tilla, prej të cilave janë aprovuar 7 mijë e 153, ndërkaq janë refuzuar 142. Arsyeja më e shpeshtë se pse janë refuzuar këto pak është se në 114 raste mungon dëftesa e regjistrimit”, ka thënë Elezi

    Në QNR do të numërohen edhe afro 10 mijë fletëvotime që janë nga votimi me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara.

  • Eklipsi diellor më i gjatë i këtij shekulli po vjen dhe do të zgjasë më shumë se gjashtë minuta

    Eklipsi diellor më i gjatë i këtij shekulli po vjen dhe do të zgjasë më shumë se gjashtë minuta

    Eklipsi total diellor që do të ndodhë më 2 gusht 2027, do të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme astronomike të këtij shekulli.

    Fenomeni do të jetë i dukshëm nga pjesë të Evropës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme, dhe në vendndodhjen më të favorshme, faza totale e eklipsit do të zgjasë deri në gjashtë minuta e 23 sekonda.

    Ky është eklipsi total diellor më i gjatë që do të jetë lehtësisht i arritshëm për vëzhgim nga toka gjatë shekullit të 21-të.

    Faza më e gjatë e errësirës totale pritet pranë qytetit të Luksorit në Egjipt, prandaj ky vend tashmë shquhet si një nga destinacionet më të dëshirueshme për vëzhgimin e kësaj ngjarjeje të rrallë qiellore.

    Gjatësia e eklipsit është rezultat i pozicionit jashtëzakonisht të favorshëm të Tokës, Hënës dhe Diellit. Hëna do të jetë më pas pranë perigjeut, pika në të cilën është më afër Tokës, kështu që do të duket pak më e madhe në qiell se zakonisht.

    Në të njëjtën kohë, Toka do të jetë pranë afelit, pika e saj më e largët nga Dielli, prandaj Dielli do të duket më i vogël. Ky rregullim do t’i lejojë Hënës të bllokojë diskun e Diellit për një periudhë më të gjatë kohore.

    Ku do të jetë i dukshëm?

    Rruga e totalitetit do të jetë rreth 258 kilometra e gjerë dhe do të shtrihet nga Oqeani Atlantik, përmes Ngushticës së Gjibraltarit dhe deri në Oqeanin Indian.

    Eklipsi i plotë do të jetë i dukshëm nga Spanja jugore, Maroku verior, Algjeria, Tunizia, Libia, Egjipti, Arabia Saudite, Jemeni dhe Somalia.

    Eklipsi i pjesshëm do të jetë i dukshëm në një zonë shumë më të gjerë, duke përfshirë pothuajse të gjithë Evropën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme.

    Për shumë vëzhgues, kjo do të jetë një mundësi për të parë të paktën një pjesë të fenomenit, ndërsa pamjet më mbresëlënëse priten brenda zonës së ngushtë të totalitetit.

    Gjatë totalitetit, drita e ditës do t’i lërë vendin shkurtimisht muzgut, temperaturat e ajrit do të bien, hijet do të bëhen më të theksuara dhe yjet dhe planetët më të ndritshëm do të jenë të dukshëm në qiell.

    Në momentin kur Hëna mbulon plotësisht Diellin, Korona Diellore bëhet e dukshme, shtresa e jashtme e atmosferës së Diellit që duket si një unazë e ndritshme rreth diskut të errët të Hënës.

    Masat paraprake

    Ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet ta shikoni Diellin drejtpërdrejt pa filtra të posaçëm diellorë ose syze të projektuara për të vëzhguar eklipsin.

    Syzet e diellit të zakonshme nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për sytë. Vëzhgimi me sy të lirë është i sigurt vetëm gjatë një faze të shkurtër të errësirës totale, kur disku i Diellit errësohet plotësisht nga Hëna.