ATV

Author: K.B.

  • Arrestohen dy drejtor të shkollave paralele serbe në Kamenicë, Rahimaj jep detaje

    Arrestohen dy drejtor të shkollave paralele serbe në Kamenicë, Rahimaj jep detaje

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy drejtor të shkollave paralele serbe në qytetin e Kamenicës.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunë së Kamenicës, Kadri Rahmiaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

    Ai ka thënë se Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar të trajtojë secilin qytetar pa asnjë dallim. Rahimaj këtë e ka quajtur si një nga aksionet më të rëndësishme të viteteve të fundit në këtë qytet.

    Reagimi i plotë:

    Faleminderit institucioneve të rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës!

    Pas një pune intensive, është përmbyllur me sukses një aksion i ndërmarrë nga institucionet tona ndaj individëve të caktuar, të cilët për një periudhë të gjatë kanë vështirësuar punën e institucioneve tona lokale dhe kanë shqetësuar komunitetin.

    Në një nga aksionet më të rëndësishme të viteve të fundit në Kamenicë, janë bastisur shtëpitë e lokale dhe më pas janë arrestuar drejtorët e shkollave të sistemit paralel serb, N.V. dhe D.K., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale.

    Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar të trajtojë secilin qytetar pa asnjë dallim, siç mbetet e përkushtuar të kontribuojë në sigurinë e përgjithshme, në koordinim të plotë me institucionet e thirrura për këtë.

  • Zgjatet mandati i ushtarëve gjermanë në KFOR

    Zgjatet mandati i ushtarëve gjermanë në KFOR

    Forcat e Armatosura Gjermane do të vazhdojnë të marrin pjesë në dy misione ndërkombëtare në Ballkan për një vit tjetër, pas një vendimi të parlamentit gjerman të enjten në mbrëmje.

    Bundestagu ra dakord të zgjasë mandatet për misionin e NATO-s, KFOR-in në Kosovë dhe misionin e BE-së EUFOR Althea në Bosnjë dhe Hercegovinë, raportojnë mediat gjermane.

    Tani në vitin e tij të 27-të, misioni në Kosovë është vendosja më e gjatë jashtë shtetit e Bundeswehr-it. Kufiri i personelit mbetet i pandryshuar në 400 ushtarë gjermanë.

  • Homazhe në Skenderaj, varrimi në Prekaz – detajet e ceremonisë për lamtumirën e fundit për Sahit Jasharin

    Homazhe në Skenderaj, varrimi në Prekaz – detajet e ceremonisë për lamtumirën e fundit për Sahit Jasharin

    Komuna e Skenderajt ka njoftuar opinionin publik lidhur me organizimin e ceremonive mortore për Komandantin e UÇK-së, Sahit Jashari, i cili ka ndërruar jetë.

    Sipas njoftimit zyrtar, ceremonia e varrimit do të mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ndërsa aktivitetet do të organizohen në bashkëpunim me familjen Jashari.

    Homazhet pranë arkivolit të të ndjerit do të mbahen më 12 qershor 2026, nga ora 11:30 deri në orën 14:00, në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.

    Pas përfundimit të homazheve, në të njëjtin vend do të mbahet mbledhja komemorative, e cila do të nisë në orën 14:00.

    Ndërkaq, ceremonia e varrimit të Sahit Jasharit do të zhvillohet në ora 16:00, në varrezat e lagjes Jashari në Prekaz.

    Komuna ka bërë të ditur se e pamja për ngushëllime do të mbahet më 13 dhe 14 qershor, nga ora 08:00 deri në 16:00, po ashtu në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.

    “Në këto momente të vështira, në emër të qytetarëve të Skenderajt, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, miqve, bashkëluftëtarëve, dashamirëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur jetën dhe veprën e të ndjerit Sahit Jashari”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

  • Numërohen rreth 28% e votave nga përfaqësitë diplomatike, prin VV

    Numërohen rreth 28% e votave nga përfaqësitë diplomatike, prin VV

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon procesin e numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Sipas të dhënave të përditësuara në faqen e KQZ-së, deri më tani janë numëruar 27.66 për qind e votave.

    Bazuar në rezultatet aktuale, e para renditet Lëvizja Vetëvendosje me 83.82 për qind të votave, përkatësisht 6,482 vota.

    Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 7.49 për qind ose 579 vota.

    E treta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 5.97 për qind, ose në 462 vota.

    Ndërkaq, Aleanca ka marrë 1.60 për qind të votave, gjithsej 124 vota.

  • MINT-i publikon çmimet, kaq kushton një litër naftë sot

    MINT-i publikon çmimet, kaq kushton një litër naftë sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit të ministrisë, nafta do të shitet me çmim maksimal prej 1.52 euro për litër, benzina 1.39 euro për litër, ndërsa gazi 0.68 euro për litër.

    Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe do të vlejnë deri ditën e nesërme.

  • 27 vjet nga çlirimi i Kosovës

    27 vjet nga çlirimi i Kosovës

    Kosova shënon sot 27-vjetorin e Çlirimit, një nga datat më të rëndësishme në historinë e saj moderne, që lidhet me hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë dhe largimin e forcave serbe pas luftës së viteve 1998-1999.

    Më 12 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë pas përfundimit të fushatës ajrore 78-ditore kundër caqeve serbe, duke i hapur rrugë tërheqjes së forcave serbe nga territori i Kosovës.

    Kjo ditë e madhe për shqiptarët erdhi pas luftës së zhvilluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër forcave serbe dhe pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund konfliktit.

    Lufta e viteve 1998-1999 la pas mbi 10 mijë të vrarë, shumica shqiptarë, ndërsa më shumë se një milion qytetarë u detyruan të largoheshin nga Kosova. Pas përfundimit të konfliktit, qindra mijëra refugjatë u kthyen në vendlindjet e tyre, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë vazhdon edhe sot përmes KFOR-it.

    Me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit, institucionet e Kosovës kanë organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore.

    Agjenda e përbashkët e Qeverisë në detyrë dhe Presidencës nis në orën 09:00 me homazhe në Kompleksin Memorial “Kompleksi Memorial Adem Jashari” në Prekaz.

  • Azemi zbulon datat: Kur pritet të dalin 100 eurot e qeverisë për punëtorët e sektorit privat

    Azemi zbulon datat: Kur pritet të dalin 100 eurot e qeverisë për punëtorët e sektorit privat

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka reaguar lidhur me vonesat në shpërndarjen e 100 eurove të premtuara nga qeveria në detyrë për punëtorët e sektorit privat.

    Azemi tha se procesi i realizimit të kësaj mase kishte ngecur, duke krijuar pasiguri te përfituesit

    “Veprimet për këto shtesa ranë në një farë gjumi dhe ne e pamë që diçka nuk po funksiononte. Është normale që pas kërkesave të punëtorëve, na u desh të intervenojmë dhe të kërkojmë publikisht nga kryeministri dhe ministri i Financave që t’i ngrisin këto çështje”, deklaroi ai në Kanal10.

    Sipas Azemit, megjithëse bëhet fjalë për një shumë jo të madhe, ajo është premtuar dhe punëtorët kanë të drejtë të dinë se kur do të realizohet pagesa.

    “Është një shumë e vogël, e premtuar, dhe punëtorët dëshirojnë ta dinë se kur do të ndodhë kjo”, tha ai.

    Kryetari i sindikatës bëri të ditur se, bazuar në informacione jozyrtare që disponon organizata që ai drejton, procesi i ndarjes së mjeteve pritet të nisë shumë shpejt.

    “Sipas informacioneve tona jozyrtare, kjo ndarje e mjeteve do të fillojë nesër, eventualisht më së largu të hënën”, u shpreh Azemi.

  • Rrebeshe shiu dhe rrufe, parashikimi i motit për sot

    Rrebeshe shiu dhe rrufe, parashikimi i motit për sot

    Të premten parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit të kemi kalimin e frontit të ftohtë nga veriperëndimi i kontinentit, duke sjellë reshje shiu në të gjithë vendin, të cilat herë pas here do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.

    Reshjet lokalisht do të vazhdojnë edhe në orët e mëngjesit, më pas dita do të vijojë me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell.

    Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 11 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale prej 17 deri në 20°C.

  • Dita e pestë – Vazhdon verifikimi dhe numërimi i 149 vendvotimeve të fundit në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan

    Dita e pestë – Vazhdon verifikimi dhe numërimi i 149 vendvotimeve të fundit në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e fundit nga procesi që po zhvillohet pas ditës së zgjedhjeve në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se “deri më tani (e premte, 12 qershor 2026, ora 09:00) procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 35 Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,349 nga 2,498 vendvotime apo 94.04%”.

    Sipas tij, procesi i numërimit dhe verifikimit nuk është përmbyllur ende në 3 QKN-të tjera: Gjilan (112/127); Prizren (202/232); dhe Prishtinë (158/262). Numri i përgjithshëm i vendvotimeve që i takojnë këtyre QKN-ve që janë në proces është 149.

    Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/, kanë bërë të ditur nga KQZ.

    Gjithashtu, KQZ ka njoftuar se brenda katër ditësh, deri pasditen e 11 qershorit, procesi i numërimit dhe verifikimit është përmbyllur në 35 QKN.

    Në ditën e parë pas ditës së zgjedhjeve, më 8 qershor, në orën 24:00, procesi është përmbyllur në pesë komunat e para: Junik (6 vendvotime), Shtërpcë (17), Hani i Elezit (11), Partesh (7) dhe Mamushë (5).

    Një ditë më vonë, deri më 9 qershor në orën 16:00, numri i komunave që kanë përfunduar procesin u rrit në 13, me përmbylljen e numërimit dhe verifikimit edhe në Zubin Potok (15), Zveçan (11), Kllokot (8), Novobërdë (23), Obiliq (34), Shtime (33), Ranillug (10) dhe Mitrovicë e Veriut (21).

    Deri më 10 qershor në orën 16:00, procesi është përmbyllur edhe në nëntë komuna të tjera: Deçan (48), Dragash (57), Kamenicë (46), Graçanicë (33), Klinë (62), Viti (62), Kaçanik (44), Rahovec (75) dhe Leposaviq (25). Po atë ditë, deri në orën 24:00, numërimi dhe verifikimi u përmbyll edhe në Istog (60), Skenderaj (71), Malishevë (72), Drenas (73), Lipjan (83), Pejë (135) dhe Podujevë (103).

    Ndërkaq, deri më 11 qershor në orën 16:00, procesi kishte përfunduar edhe në gjashtë komuna të tjera: Fushë Kosovë (62), Ferizaj (146), Suharekë (86), Vushtrri (89), Mitrovicë e Jugut (100) dhe Gjakovë (144).

    Në total, deri në këtë fazë, procesi i verifikimit dhe numërimit ishte përmbyllur në 35 nga 38 Qendra Komunale të Numërimit në Kosovë.

  • Shkencëtarët: El Niño ka nisur dhe mund të sjellë valë të motit ekstrem

    Shkencëtarët: El Niño ka nisur dhe mund të sjellë valë të motit ekstrem

    El Niño – modeli natyror i motit në Paqësor që rrit temperaturat globale – ka filluar zyrtarisht, thonë shkencëtarët amerikanë.

    Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA) ka deklaruar se kushtet e El Niño tani janë duke u zhvilluar në Paqësorin tropikal, me temperaturat e sipërfaqes së detit që janë rritur ndjeshëm në muajt e fundit, ka raportuar BBC.

    Shumë parashikime sugjerojnë se kjo mund të përfundojë si një i ashtuquajtur El Niño “super”, dhe madje të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë.

    Duke ardhur në krye të dekadave të ngrohjes së shkaktuar nga njeriu, kjo mund të sjellë një tjetër vit rekord të nxehtë – me shumë mundësi në vitin 2027 – me ndërprerje të motit, furnizimeve me ushqim dhe ekonomive që do të vazhdojnë edhe në atë vit.

    Ky njoftim nga NOAA nuk është një surprizë pasi parashikuesit e kanë pritur këtë fazë ngrohjeje, pasi modeli më i ftohtë “motër”, La Niña, përfundoi në fillim të këtij viti.

    Temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin qendror dhe tropikal tani kanë kaluar pragun 0.5C mbi mesataren që shkencëtarët amerikanë përdorin për të përcaktuar një ngjarje El Niño.

    “Kushtet e El Niño-s u zhvilluan gjatë muajit të kaluar, siç tregohet nga temperaturat mbi mesataren e sipërfaqes së detit (SST) në të gjithë Oqeanin Paqësor ekuatorial qendror deri në atë lindor”, tha agjencia.

    NOAA ka parë gjithashtu erërat mbi Paqësorin ekuatorial të fillojnë të ndryshojnë – një shenjë se atmosfera tani po i përgjigjet oqeanit më të ngrohtë, jo vetëm ngrohjes së oqeanit më vete.