ATV

Author: K.B.

  • Kurti: Zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim me opozitën

    Kurti: Zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim me opozitën

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur për procesin e numërimit të votave, formimin e institucioneve të reja dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

    Ai tha se ende po pritet përmbyllja e numërimit të votave, ndërsa vetëm pas përfundimit të këtij procesi do të mund të diskutohen hapat e ardhshëm politikë.

    “Njëherë jemi ende duke pritur numërimin e votave. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave do të mund të bisedojmë për hapat e ardhshëm”, deklaroi Kurti.

    Sipas tij, është e qartë se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj të koalicionit kanë dalë fitues të zgjedhjeve, duke marrë rolin kryesor në themelimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.

    Kurti u ndal edhe te zgjedhja e presidentit, duke theksuar se ky proces kërkon bashkëpunim me opozitën, në përputhje me një aktgjykim të Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    “Për zgjedhjen e presidentit duhet bërë bashkëpunim me opozitën, pasi kërkohet që 80 deputetë të marrin pjesë në votimin e fshehtë”, tha ai.

    Kryeministri në detyrë shtoi se partia e tij mbetet e gatshme për komunikim dhe bashkëpunim politik, duke kujtuar se gjatë mandatit qeverisës kishte bërë oferta për opozitën, të cilat, sipas tij, ishin refuzuar.

    “Ne kemi qenë të vullnetshëm dhe të interesuar për komunikim e bashkëpunim. Kemi propozuar takime dhe bashkëqeverisje me LDK-në, por këto iniciativa janë refuzuar”, u shpreh Kurti.

    Ai theksoi se nga ana e Vetëvendosjes ka pasur vazhdimisht iniciativa, konstruktivitet dhe angazhim, duke shprehur shpresën se edhe opozita do të tregojë të njëjtën qasje në procesin e konstituimit të institucioneve të reja.

    “Shpresojmë që kësaj radhe do të jetë ndryshe dhe se do të shohim më shumë konstruktivitet nga opozita për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të”, përfundoi Kurti.

  • “Ti ishe pushka e parë e lirisë”, Leonora Jakupi pas vdekjes së Sahit Jasharit

    “Ti ishe pushka e parë e lirisë”, Leonora Jakupi pas vdekjes së Sahit Jasharit

    Këngëtarja Leonora Jakupi ka reaguar pas vdekjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari.

    Përmes një postimi në Facebook, Jakupi shprehu dhimbjen për ndarjen nga jeta të Jasharit, duke e kujtuar atë si një çlirimtar që ruajti buzëqeshjen edhe në periudhat më të vështira.

    “Dua të të kujtoj të buzëqeshur, çlirimtar, sepse ti nuk dije ndryshe… Nuk e ndale buzëqeshjen edhe në kohërat më të vështira! Ti që ishe pushka e parë e lirisë, të qoftë i lehtë dheu i Kosovës! Burrat si ti nuk vdesin kurrë, Komandant Sahit Jashari!”, ka shkruar këngëtarja.

  • Begaj uron Kosovën për Ditën e Çlirimit: Mirënjohje për UÇK-në dhe NATO-n

    Begaj uron Kosovën për Ditën e Çlirimit: Mirënjohje për UÇK-në dhe NATO-n

    Presidenti Bajram Begaj ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Çlirimit, duke vlerësuar sakrificën e qytetarëve, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e NATO-s.

    Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shkruan se liria e Kosovës erdhi falë sakrificës së mijëra burrave dhe grave, luftës së UÇK-së dhe vendosmërisë së aleatëve strategjikë.

    “Urime Ditën e Çlirimit, Kosovë! Liria e Kosovës erdhi në sajë të sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë”, shkruan Begaj.

    Presidenti shprehu falënderim të veçantë për NATO-n, duke theksuar rolin e saj në një nga momentet më vendimtare të historisë së Kosovës.

    “Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë”, vijon reagimi.

    Begaj shprehu gjithashtu mirënjohje për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e vendit.

    “Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë”, përfundon mesazhi i Presidentit.

  • Ish-kryesuesi i KGJK’së: Zhvillimi i drejtësisë nuk ka ecur me ritmin e kërkesave të qytetarëve

    Ish-kryesuesi i KGJK’së: Zhvillimi i drejtësisë nuk ka ecur me ritmin e kërkesave të qytetarëve

    Ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe gjykatësi i Gjykatës Supreme, Albert Zogaj tha se Kosova ka ndërtuar dhe konsoliduar institucionet e drejtësisë në një kohë relativisht të shkurtër, por sipas tij, zhvillimi nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

    “Kemi ndërtu institucione, madje edhe i kemi konsolidu me thënë të drejtën dhe kur shikohet duke e krahasu me vende tjera e kemi ba në kohë rekord sepse veç 25 vite janë realisht të këtij gjyqësori. Mirëpo, mosecja me kohë nënkupton që në mënyrë të kujdesshme dhe të mbështetur nga shteti, nuk është zhvillu drejtësia. Ne, nuk e kemi përcjellë sa është kërkesa e qytetarit që kërkon shërbim në gjyqësor dhe sa është ky potencial”, tha ai.

    Sipas tij, në një farë forme institucionet janë mjaftuar me ekzistencën e tyre, pa e analizuar mjaftueshëm përmbajtjen dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen.

    “Pra, në njëfarë forme ndoshta jemi mjaftu me ekzistencën e institucionit pa e shiku çfarë përmbajtje të shërbimeve po jep. Ato duhet të jenë të thjeshta, cilësore, të besueshme, shumë lehtë të qasshme dhe duhet të jenë të sigurta që është shumë me rëndësi”, tha Zogaj për ”Betimi për Drejtësi”.

    Rrjedhimisht, Zogaj tha se në këtë kontekst, janë ndërtuar, hartuar dhe miratuar strategji, plane e veprime, por sipas tij në fazën e zbatimit ka pasur dobësi në ndërveprim. Tha se përveç efikasitetit sa i përket numrit të rasteve të kryera, problem tjetër mbetet edhe cilësia.

    “Mungesa e potencialit që realisht e ka pas gjyqësori në njerëz në radhë të parë dhe në dije. Të dyja janë; nuk duhet me e mohu asnjëherë. Janë dy problematika; edhe në mungesë të potencialit pra burimeve njerëzore dhe tash teknologjike. Si dhe njëkohësisht edhe mungesës së kapacitetit në dije për shkak se e dimë këtë procesin e ping-pongut që është edhe ndonjëherë brenda gjyqësorit, kanë kriju situata që gjyqtari edhe zyrtari edhe vetë gjykata e po ashtu struktura gjyqësore në përgjithësi është përballur me pamundësinë e adresimit të gjërave edhe në kohë edhe në cilësi”, tha Zogaj.

    Për këto dhe më shumë, ndiqeni podcastin me gjyqtarin e Gjykatës Supreme, njëherësh ish-kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

  • Arrestohen dy persona në Kamenicë – Policia konfiskon armë, mijëra euro dhe vula me stemë të Serbisë

    Arrestohen dy persona në Kamenicë – Policia konfiskon armë, mijëra euro dhe vula me stemë të Serbisë

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për arrestimin e dy personave në Kamenicë, për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës, dhe, asgjësim apo fshehje e materialit arkivor.

    Në raportin e përditshëm, Policia shton edhe se, gjatë bastisjes në shtëpitë e tyre, janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë, 19.440 €, 91.500 dinarë, 200 dollarë, 1300 franga, vula me stemë të shtetit të serbisë, 6 lap top, 4 shtëpiza të kompjuterit, një telefon si dhe dokumente, përcjell Gazeta Express.

    ‘‘MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL APO POSEDIM I PA AUTORIZUAR I ARMËS /ASGJËSIM APO FSHEHJA E MATERIALIT ARKIVOR

    Kamenicë / 22.04.2026 – NN. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se kanë kryer veprat e lartcekura. Gjatë bastisjes në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë, 19.440 €, 91.500 dinarë, 200 dollarë, 1300 franga, vula me stemë të shtetit të serbisë, 6 lap top, 4 shtëpiza të kompjuterit, një telefon si dhe dosje me dokumentacione si kontrata të punëtorëve nga sistemi paralel serb, dhe dokumente të tjera. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje’’, thuhet në raport.

  • Tifozi gjerman pëson infarkt në stadium në ndeshjen hapëse të Botërorit

    Tifozi gjerman pëson infarkt në stadium në ndeshjen hapëse të Botërorit

    Një tifoz i moshuar gjerman ka pësuar arrest kardiak në stadiumin “Azteca” të Ciudad de México, pak para nisjes së ndeshjes mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut në kuadër të Botërorit 2026.

    Fillimisht u përhapën lajme se ai e kishte humbur jetën, por më vonë autoritetet konfirmuan se burri është gjallë.

    Sekretaria e Sigurisë së kryeqytetit meksikan bëri të ditur se personi u ndihmua menjëherë nga ekipet e emergjencës dhe më pas u transportua në spital për trajtim të specializuar mjekësor.

    Sipas njoftimit zyrtar, gjendja e tij aktuale raportohet e qëndrueshme.

  • Policia jep detaje për personin që u vetëplagos mbrëmë në një lokal në Lipjan

    Policia jep detaje për personin që u vetëplagos mbrëmë në një lokal në Lipjan

    Një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e së enjtes në një lokal në Lipjan, pas një incidenti me armë zjarri.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 22:00.

    “Është raportuar se një person është vetplagosur me armë zjarri. I dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është sekuestruar një pistoletë, ndërsa në konsultim me prokurorin është inicuar rasti dhe vazhdon të trajtohet në gjendje të lire”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • NASA shpall fazën e parë të ndërtimit të bazës hënore

    NASA shpall fazën e parë të ndërtimit të bazës hënore

    NASA ka nisur tashmë porositjen e mjeteve të uljes, automjeteve eksploruese dhe dronëve për një bazë të gjerë në Hënë, dy muaj pas fluturimit historik rreth Hënës nga misioni Artemis II, sipas AP.

    Agjencia amerikane e hapësirës prezantoi fazën e parë të planit për bazën hënore, duke dhënë kontrata me vlerë qindra miliona dollarë për katër kompani amerikane.

    Kompania e Jeff Bezos, “Blue Origin”, do të sigurojë dy mjete uljeje për të transportuar automjete hënore në sipërfaqen e Hënës, pranë polit jugor. Këto mjete do të ndërtohen nga “Astrolab” dhe “Lunar Outpost”. Ndërkohë, Firefly Aerospace, e cila realizoi me sukses një ulje në Hënë vitin e kaluar, do të dërgojë dronët e parë në satelitin natyror të Tokës.

    Sipas planit, kjo pajisje duhet të mbërrijë në Hënë përpara se astronautët e parë të programit “Artemis” të zbresin atje, gjë që pritet të ndodhë jo më herët se viti 2028. Gjatë misionit “Artemis II” në prill, katër astronautë fluturuan rreth Hënës, duke arritur më larg në hapësirë sesa ekuipazhet e programit “Apollo” në fund të viteve 1960 dhe fillim të viteve 1970.

    Për misionin “Artemis III”, i planifikuar për vitin e ardhshëm, një ekip tjetër astronautësh do të ushtrojë procedurat e bashkimit në orbitën e Tokës mes kapsulës “Orion” të NASA-s dhe mjeteve hënore që po zhvillohen nga “Blue Origin” dhe “SpaceX” e Elon Musk.

    NASA synon nisjen e “Artemis III” në mesin e vitit 2027, ndërsa ulja e dy astronautëve në Hënë mund të realizohet që në vitin 2028.

    Faza e dytë e projektit, nga viti 2029 deri në fillim të viteve 2030, parashikon ndërtimin e infrastrukturës së përhershme, përfshirë një rrjet energjie. Në fazën e tretë, gjatë viteve 2030, baza pritet të jetë në gjendje të mbështesë qëndrime afatgjata të astronautëve në habitatet e saj të përhershme.

    “Pastaj do të mund të themi: ‘Ne jemi këtu përgjithmonë dhe nuk do të largohemi’”, deklaroi Carlos Garcia-Galan, drejtues i programit të bazës hënore të NASA-s. Ai parashikon një bazë që do të shtrihet në qindra milje katrore, me kufij të monitoruar nga dronë të quajtur “MoonFall”, të vendosur në skajet e territorit.

    Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, tha se këta shënues territorialë synojnë të respektojnë mjetet dhe pajisjet e vendeve të tjera që mund të ndodhen në afërsi. Sipas tij, qëllimi i bazës hënore është të nxisë zhvillimin e një ekonomie në Hënë, të mbështesë kërkimin shkencor dhe të krijojë bazat për ekspeditat e ardhshme drejt planetit Mars.

    “Për ata që kanë pritur me durim, rikthimi i madh është shumë afër dhe ne nuk do të ngadalësojmë ritmin. Në të vërtetë, sapo kemi filluar”, tha Isaacman.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për vjedhje, publikon foton e tij

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për vjedhje, publikon foton e tij

    Policia e Kosovës, ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët për identifikimin e një personi që kërkohet për vjedhje.

    Policia ka publikuar fotografinë e të dyshuarit, dhe ka kërkuar nga qytetarët që kanë informata për të, ta kontaktojnë PK’në.

    Postimi:

    Kërkesë për bashkëpunim

    Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi.

    Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën penale “Vjedhje”.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: [email protected]

  • Zhduket një grua në Prizren, policia nis hetimet

    Zhduket një grua në Prizren, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se në Prizren është zhdukur një femër.

    Lidhur me rastin, prokurori kujdestar ka urdhëruar fillimin e hetimeve.

    ‘’PERSON I ZHDUKUR

    Prizren / 10.06.2026 – 18:00. Ankuesja femër kosovare ka njoftuar policinë se viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar I cili ka urdheruar fillimin e hetimeve’’, thuhet në raport.