ATV

Author: K.B.

  • Bebe Rexha publikon albumin “Dirty Blonde”

    Bebe Rexha publikon albumin “Dirty Blonde”

    Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka publikuar më në fund albumin e saj më të ri të titulluar “Dirty Blonde”.

    Albumi përmban 13 këngë dhe tashmë është i disponueshëm në platforma të ndryshme muzikore, përfshirë Spotify dhe shërbime të tjera të transmetimit.

    Edhe pse albumi është publikuar në tërësi tani, gjatë muajve të këtij viti ajo kishte nxjerrë disa nga këngët veç e veç, duke e mbajtur publikun të interesuar dhe duke rritur pritshmëritë për projektin final.

    Një nga këngët që ishte publikuar më herët është Çike Çike, e cila ka një rëndësi të veçantë për publikun shqiptar, pasi përmban edhe fraza në gjuhën shqipe. Kjo e bën këngën edhe më të veçantë dhe më të afërt për audiencën shqiptare, duke reflektuar edhe lidhjen e artistes me rrënjët e saj.

    Albumi është pritur me shumë entuziazëm nga fansat e saj në mbarë botën, të cilët e vlerësojnë Bebe Rexhën për stilin e saj unik muzikor, kreativitetin dhe zërin e veçantë që e ka bërë një nga artistet më të suksesshme shqiptare në skenën ndërkombëtare.

  • NATO paralajmëron zvogëlim të pranisë në Kosovë, pas përmirësimit të situatës së sigurisë

    NATO paralajmëron zvogëlim të pranisë në Kosovë, pas përmirësimit të situatës së sigurisë

    Situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet gjatë viteve të fundit, duke bërë që NATO të nisë optimizimin e misionit të KFOR-it dhe të përshtatë gradualisht praninë e saj gjatë vitit të ardhshëm.

    NATO përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në janar ka ndërprerë dislokimin e forcave rezervë në kuadër të KFOR-it, pas më shumë se dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm.

    Sipas njoftimit, që nga viti 1999, prania e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht për t’iu përgjigjur zhvillimeve të sigurisë në Kosovë.

    Pas tensioneve dhe dhunës së shtuar në vitin 2023, përfshirë sulmet e pajustifikuara ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan, misioni kishte marrë përforcimin më të madh në më shumë se një dekadë, me dislokimin e gati 1,000 trupave shtesë, thuhet tutje.

    “NATO dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, ka deklaruar gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus G. Grynkewich, Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë.

    Ai ka shtuar se kushtet aktuale krijojnë mundësi për optimizimin e mëtejshëm të madhësisë dhe pranisë së KFOR-it.

    NATO ka theksuar se uljet e planifikuara do të jenë graduale, të bazuara në kushtet në terren dhe mund të kthehen prapa nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë një gjë të tillë.

    Aleanca ka ritheksuar se KFOR-i do të vazhdojë të ruajë një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

    NATO gjithashtu ka rikonfirmuar mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të angazhohen për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

  • Ambasada e SHBA-së në Kosovë përkujton 27-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë

    Ambasada e SHBA-së në Kosovë përkujton 27-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka përkujtuar të premten 27-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti historik për paqen dhe stabilitetin në rajon.

    Në një postim në rrjetin social Facebook, ambasada riafirmon angazhimin e tyre të përbashkët për paqe, stabilitet dhe prosperitet.

    “27 vjet më parë, forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke ndihmuar në hapjen e rrugës për paqe dhe stabilitet. Ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe prosperitet”, kanë shkruar në rrjetin social në Facebook.

  • Gjilan: Inspektorët shqiptojnë gjoba për kompanitë, kamionët e së cilave ndotën rrugët me beton

    Gjilan: Inspektorët shqiptojnë gjoba për kompanitë, kamionët e së cilave ndotën rrugët me beton

    Inspektorët e Komunës së Gjilanit, kanë shqiptuar gjoba për dy subjektet afariste, kamionët e së cilave zhytën rrugët me beton, pas ankesave të qytetarëve.

    Drejtoria e Inspekcionit, njofton se bazuar në ankesat e pranuara nga qytetarët, ka ndërmarrë veprime konkrete duke shqiptuar gjoba ndaj dy subjekteve afariste, pasi që automjetet e tyrekanë ndotur rrugët me beton.

    “Ftojmë të gjithë shoferët dhe operatorët që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të tregojnë kujdes të shtuar në ruajtjen e mjedisit dhe pastërtisë publike. Rrugët dhe hapësirat publike janë pasuri e përbashkët dhe mirëmbajtja e tyre është përgjegjësi e secilit prej nesh”, thonë inspektorët e Komunës së Gjilanit.

    Drejtorati për Inspekcion, njofton se inspektorët janë në terren dhe do të vazhdojnë me gjoba ndaj të gjithë atyre që ndotin mjedisin.

  • Trump: I dhamë fund luftës me Iranin, trupat po kthehen në shtëpi

    Trump: I dhamë fund luftës me Iranin, trupat po kthehen në shtëpi

    Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “i dhanë fund sot luftës me Iranin” dhe se është arritur një marrëveshje historike, sipas së cilës Teherani zyrtarisht pranon se nuk do të zotërojë kurrë armë bërthamore.

    Trump i bëri këto deklarata gjatë një tubimi virtual në mbështetje të kandidatit për Senat, Barry Moore, duke theksuar se negociatat janë përmbyllur me sukses.

    “Nuk e di nëse keni dëgjuar, por sot i dhamë fund luftës me Iranin. Ata ranë dakord që të mos kenë kurrë armë bërthamore, gjë për të cilën ne kemi këmbëngulur. Sot i mbyllëm llogaritë me Iranin. Njerëzit do të fillojnë të kthehen në shtëpi shumë shpejt”, u tha ai mbështetësve të tij.

    Presidenti amerikan theksoi se marrëveshja është praktikisht e përfunduar dhe se përmbush të gjitha kërkesat e Uashingtonit, duke përfshirë edhe kthimin e afërt të ushtarëve amerikanë në shtëpi. Ai veçoi një element të negociatave që lidhet me kufizimet ndaj Teheranit.

    “Gjëja më e rëndësishme është se në Iran nuk do të ketë armë bërthamore. Kjo do të thotë se ata jo vetëm që nuk do t’i zhvillojnë, por as nuk do t’i blejnë”, shpjegoi Trump dhe shtoi “kishin një klauzolë sipas së cilës nuk do të zhvillonin armë. I pyeta: ‘Po për blerjen çfarë ndodh?’. Më thanë se kjo nuk ishte përfshirë. Dy ditë më vonë, pranuan edhe këtë. Morëm gjithçka që donim”.

    Këto deklarata optimiste pasojnë njoftimet e mëparshme të Trumpit se nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes për përfundimin e konfliktit mund të mbahet që këtë fundjavë në Evropë.

    Më herët, ai u kishte thënë gazetarëve se marrëveshja do të sjellë përfitime të menjëhershme ekonomike dhe gjeopolitike, veçanërisht sa i përket rrugëve globale të transportit detar.

    “Ngushtica e Hormuzit do të hapet zyrtarisht sapo të nënshkruajmë marrëveshjen. Kjo mund të ndodhë shumë shpejt, ndoshta gjatë fundjavës në Evropë. Unë nuk do të mund të jem i pranishëm, por atje do të jetë zëvendëspresidenti JD Vance dhe disa persona të tjerë”, deklaroi Trump.

    Megjithatë, ndërsa Uashingtoni po e paraqet këtë si një fitore diplomatike, nga ana iraniane ende nuk ka konfirmim zyrtar për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare apo për pranimin e të gjitha kushteve të përmendura.

    Kujtojmë se situata më herët ishte në prag të përshkallëzimit. Trump anuloi në momentin e fundit sulmet ushtarake dhe bombardimet e planifikuara ndaj Iranit, pasi mori konfirmim se negociatat ishin ngritur në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane.

  • “Unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga udhëtimi në SHBA”, Berisha falënderon administratën Trump

    “Unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga udhëtimi në SHBA”, Berisha falënderon administratën Trump

    Në një reagim në rrjetet sociale kryedemokrati Sali Berisha bën me dije se pas një rishqyrtimi të thelluar nga DASH, ai dhe familjarët e tij, nuk janë më të privuar nga mundësia e udhëtimit në SHBA. Berisha falënderon administrën Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin sipas tij të një vendimi të padrejtë, që ishte bazuar në lobimin korruptiv të Rmës dhe Sorosit.

    REAGIMI

    Të dashur miq,

    Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime.

    Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.

    Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

    Mirënjohje të veçantë dua t’u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike.

    Duke përfunduar, ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet tona për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë

    Ndihmoi Brazilin të fitonte Kupën e Botës në 1970, vdes në moshën 86-vjeçare Brito
    Read more

  • Deda pro një Qeverie të koalicionit: Munden me qenë më punëtorë

    Deda pro një Qeverie të koalicionit: Munden me qenë më punëtorë

    Duke debatuar për koalicionet e mundshme pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, analisti Ilir Deda ka deklaruar se zgjidhja më e mirë për vendin do të ishte ndarja e pushtetit ndërmjet forcave politike.

    Ai theksoi se Qeveria e ardhshme duhet të formohet përmes një koalicioni, duke vlerësuar se një qeveri e tillë mund të sjellë më shumë rezultate dhe të jetë më funksionale në punën e saj.

    “Për këtë vend, më e mira do të ishte që presidenti të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli”, tha Deda, duke shtuar se kur të vijë momenti i duhur do të flasë edhe për emra konkretë. /Gazeta10

  • 30 deputetë të legjislaturës së kaluar pritet të mbeten jashtë Kuvendit

    30 deputetë të legjislaturës së kaluar pritet të mbeten jashtë Kuvendit

    30 deputetë të legjislaturës së kaluar nuk pritet të jenë pjesë e përbërjes së re të Kuvendit.

    Nga numërimi i mbi 90 për qind të votave për kandidatët për deputetë, jashtë Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje kanë mbetur: Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, Naim Bardiqi, Fjolla Ujkani, Ejup Ahmeti, Fitim Haziri, Vigan Qorrolli, Ilir Qeriqi, Salih Zyba, Drita Pajaziti, Arsim Demi, Agon Batusha, Luan Aliu, Egzon Azemi, Shqipe Isufi, Fahrush Rexhepi, Arjeta Rexhyepi, Avdullah Klinaku, Mytaher Haskuka, Bylbyl Sokoli, Bajram Mavriqi, Rozeta Hajdari, Fatos Geci e Enver Dugolli.

    Nga PDK-ja vota për t’u bërë sërish deputetë nuk siguruan Ariana Musliu-Shoshi, Arbnore Salihu dhe Nait Hasani.

    Ndërkaq, ish-deputetja Adelina Thaqi-Meta është e vetmja nga Lidhja Demokratike që nuk arriti të marrë vota për t’u kthyer edhe njëherë në Kuvend, përkundër që partia e saj rriti numrin e mandateve për 5 sosh.

    E jashtë Kuvendit nga Lista Serbe mbetën Milan Kostiq, Verica Cerniq dhe Nemanja Bisevac.
    Bazuar në rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, PDK-ja 24, LDK-ja 20 dhe AAK-ja 8.

    Në përbërjen e re pritet të jenë 29 gra pa ndihmën e kuotës gjinore, ndërsa 3 të tjera mund të hyjnë përmes kuotës.

    Kuota gjinore do t’i lërë pa ulëse disa kandidatë burra në PDK dhe AAK.

    E në AAK, për t’ia liruar vendin Albana Bytyqit do të mbetet pa mandat Agim Çeku.

  • Sala Jashari me mesazh prekës për Sahit Jasharin: Faleminderit për gjithçka, mixhë

    Sala Jashari me mesazh prekës për Sahit Jasharin: Faleminderit për gjithçka, mixhë

    Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka reaguar me pikëllim të thellë pas ndarjes nga jeta të Sahit Jasharit, duke e kujtuar atë si një figurë të shquar të historisë së Kosovës dhe simbol të dashurisë për atdheun.

    Përmes një dedikimi emocional, ajo ka shprehur vështirësinë për të gjetur fjalët e duhura në këto momente dhimbjeje, duke e cilësuar Sahit Jasharin si një njeri të fortë, të formuar nga guximi dhe përkushtimi ndaj lirisë.

    “Vështirë të flas. Në raste të tilla, fjalët heshtin dhe qetësia sfidon edhe psherëtimat. Ti, njeri i çeliktë, i farkëtuar nga guximi dhe dashuria për atdheun. Jetove një jetë plot vepra, e emri yt ka peshë të madhe për ne; je pjesë e historisë së Kosovës”, ka shkruar Jashari.

    Ajo ka theksuar se kujtimi dhe vepra e Sahit Jasharit do të mbeten trashëgimi e çmuar për brezat e ardhshëm, duke e quajtur atë “qëndistar të lirisë” dhe motiv për të vazhduar dashurinë ndaj vendit.

    “Ti do të mbetesh motiv për ne dhe, për shumëkënd, arsyeja që na mban të vazhdojmë ta duam vendin tonë. Lavdi jetës dhe veprës sate! Faleminderit për gjithçka mixhë!”, ka përfunduar ajo.

    Mesazhi i Sala Jasharit vjen në kohën kur shumë qytetarë, bashkëluftëtarë dhe personalitete publike po shprehin respektin dhe mirënjohjen e tyre për jetën dhe kontributin e Sahit Jasharit në rrugën e Kosovës drejt lirisë.

  • Në 35 komuna përfundon numërimi i votave për deputetë – procesi po vazhdon në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan

    Në 35 komuna përfundon numërimi i votave për deputetë – procesi po vazhdon në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan

    Në 35 Qendra Komunale të Numërimit ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateteve të partive.

    Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Reporteri.net se procesi po vazhdon ende në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan.

    Në Prishtinë janë edhe 104 vendvotime pa u numëruar, në Prizren 30 dhe në Gjilan edhe 15 vendvotime.

    “Deri më tani (e premte, 12 qershor 2026, ora 09:00) procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 35 Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,349 nga 2,498 vendvotime apo 94.04%”, ka deklaruar Elezi.

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ndërkohë është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit në 30 përfaqësi diplomatike, i cili ka filluar pasditen e 11 qershorit.

    “Deri më tani janë numëruar 13 nga 47 vendvotimet e përfaqësitë diplomatike”, ka deklaruar Elezi.

    Më 6 qershor 2026, votimi u zhvillua në 30 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 27,724 shtetas të regjistruar, kanë votuar 22,860 apo 82.46%. Këto fletëvotime janë në proces numërimi.

    Në QNR është duke vazhduar edhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë.

    “Deri në përfundim të ditës së enjte (11 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë rreth 42 mijë, prej të cilave janë aporvuar 40,414, ndërkaq janë refuzuar 1,447. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 1,320 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, ka theksuar Elezi.

    Ky proces ka filluar më 9 qershor 2026, në orën16:00 dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar votuesit e regjistruar. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për mumrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    “Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime ëshë bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë”.

    Gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është 104,480 votues.