ATV

Author: K.B.

  • Trump nga G7: Jam i lumtur që Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore

    Trump nga G7: Jam i lumtur që Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reflektuar mbi marrëveshjen e tij dhe arritjet e supozuara në luftën e Iranit.

    “E vetmja gjë që ka vërtet rëndësi për mua është se Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore dhe [marrëveshja] e thotë këtë me zë të lartë dhe të qartë”, deklaroi Trump nga G7.

    “Ata nuk do ta zhvillojnë atë. Ata nuk do ta blejnë atë. Ata nuk do të bëjnë asgjë me të. Dhe nëse e bëjnë, do të vuajnë pasoja të pabesueshme”, shto ai.

    Sipas Trumpit, “i gjithë ferri do të bjerë mbi ta” nëse Irani ndonjëherë do të ndërtojë një armë bërthamore, prandaj ai këmbënguli për të përfshirë në marrëveshje një klauzolë që ndalon Iranin të blejë ose prodhojë armë.

    Presidenti amerikan pretendoi se ky ishte motivimi i tij për të filluar luftën: “Kjo është arsyeja pse hyra dhe kjo është arsyeja pse pranova të nënshkruaj”.

    Ai mohoi se ka dashur të fillojë ndryshimin e regjimit në Iran, megjithëse tha se vrasja e disa udhëheqësve iranianë do të thotë se kjo ka ndodhur në fakt.

    “Nuk besoj në ndryshimin e regjimit… Kam parë ndryshime regjimi për vite me radhë, ato nuk funksionojnë kurrë”, sipas liderit amerikan.

    Trump foli gjithashtu edhe për rezervat e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë të Iranit, të cilat JD Vance pretendoi se SHBA do ta ndihmonte Teheranin t’i largonte, sipas marrëveshjes së paqes.

    “Do të shkojmë t’i marrim”, tha Trump.

  • KQZ: Nëse s’ka ankesa pas numërimit të fletëvotimeve me postë dhe atyre me kusht, do të shpallen rezultatet përfundimtare

    KQZ: Nëse s’ka ankesa pas numërimit të fletëvotimeve me postë dhe atyre me kusht, do të shpallen rezultatet përfundimtare

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpjeguar se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve përmes postës dhe fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta.

    I pyetur nëse KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare menjëherë pas përfundimit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se kjo mund të bëhet nëse nuk do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në QNR. Por, nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ-së do t’i duhet të presë shqyrtimin e tyre.

    “Natyrisht se pas përfundimit të numërimit të të gjitha këtyre fletëvotimeve, KQZ do të presë afatin e ankesave lidhur me administrimin e numërimit në QNR, pasi palët kanë të drejtë të dorëzojnë ankesa brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Në rast se nuk do të ketë ankesa, KQZ është e gatshme për të proceduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare, ndërsa nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ do të presë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse dhe do të zbatojë vendimet nëse ato e obligojnë KQZ-në”, tha Elezi.

    Sipas tij, aktualisht KQZ është në fazën përmbyllëse të numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Ashtu siç kemi planifikuar, numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga ky votim do të bëhet në mesjavë dhe gjithashtu në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta.

    Më tej, Elezi sqaroi se “në planin e aktiviteteve të miratuar nga KQZ, në fillim të këtij procesi zgjedhor, është planifikuar që shpallja e rezultateve të bëhet deri më 26 qershor, ndërkaq certifikimi i tyre deri më 6 korrik. Mund të themi se jemi në rrugë të mirë që kjo të bëhet më shpejt sesa këto planifikime”.

    Po ashtu, sipas tij, “në fund të këtyre numërimeve, KQZ do të rinumërojë deri në 10% të vendvotimeve, fletëvotimet e të cilave janë numëruar paraprakisht në Qendrat Komunale të Numërimit. Kjo masë kontrolli është marrë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi”.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, nga numërimi i fletëvotimeve me postë kanë mbetur edhe 83 kuti votimi në të cilat janë sistemuar zarfet e supozuara me fletëvotime nga votimi me postë. Numri i përgjithshëm i këtyre pakove që janë aprovuar nga KQZ është rreth 83 mijë.

    Në proces të numërimit kanë mbetur të përfshihen edhe një pjesë e vogël e fletëvotimeve që deri më tani nuk janë numëruar. Bëhet fjalë për fletëvotimet që i takojnë votimit me kusht i mundësuar në 52 vendvotime me kusht dhe ku janë evidentuar 8,751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, ku për këtë lloj votimi ishin regjistruar 3,144 qytetarë.

  • Kanadaja u kërkon disa qytetarëve të dorëzojnë certifikatat e shtetësisë, kjo është arsyeja

    Kanadaja u kërkon disa qytetarëve të dorëzojnë certifikatat e shtetësisë, kjo është arsyeja

    Disa persona që kanë marr dëshmi të shtetësisë kandaze në kuadër të legjislacionit të njohur si “Kanadezët e Humbur”, po përballen me kërkesa nga autoritetet për të dorëzuar certifikatat e tyre të shtetësisë.

    Këtë e ka bërë të ditur avokati i imigracionit, Amandeep Hayer.

    Hayer ka thënë se një nga klientët e tij mori një mesazh nga Imigracioni, Refugjatët dhe Shtetësia e Kanadasë të shtunën, ku thuhej se duhet të dorëzojnë certifikatën e tyre të shtetësisë, raporton ctvnews

    Mesazhi thotë se certifikata duhet të dorëzohet gjatë një hetimi sepse aplikimi nuk citonte prova të familjes kanadeze nga burime origjinale, siç janë statistikat jetësore, ose nuk shpjegonte pse nuk u ofruan dokumentet origjinale.

    Hayer thotë se, bazuar në temat e Reddit mbi këtë temë, ai vlerëson se “të paktën disa qindra njerëz” kanë marrë letra të ngjashme.

    The Canadian Press ka kontaktuar zyrën e Ministres së Imigracionit, Lena Diab, dhe IRCC për koment, por ende nuk ka marrë një përgjigje.

    Ndryshimet e bëra vitin e kaluar hoqën disa kufizime se kush mund të aplikojë për shtetësi kanadeze bazuar në prejardhje.

  • Jashari pret në takim mirëseardhës Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar

    Jashari pret në takim mirëseardhës Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar

    Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti sot në takim mirëseardhës Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të akredituar në Kosovë, Nënkolonel Denise McMahon.

    Fillimisht Jashari uroi McMahon për detyrën e atasheut të mbrojtjes dhe në të njëjtën kohe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Gjatë takimit, KOMFSK e njoftoi për të arriturat e deritanishme të FSK-së, si dhe diskutoi për objektivat e tij lidhur me zhvillimin e forcës, me fokus në planet bilaterale lidhur me trajnimet, stërvitjet, pajisjet dhe aktivitetet tjera të përbashkëta. Në anën tjetër, Nënkolonel McMahon përgëzoi Gjeneral Jasharin për zhvillimin e madh të FSK-së dhe për profesionalizmin e lartë të personelit të FSK-së dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe afirmimin e bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Në fund të dy palët u pajtuan që marrëdhëniet bilaterale të zhvillohen edhe më tutje, me fokus kryesor në fushat e zhvillimit të kapaciteteve ushtarake të FSK-së në funksion të përmbushjes së misionit të saj.

  • Dalin detaje të reja për aksidentin fatal ku humbi jetën 37-vjeçari shqiptar në Zvicër

    Dalin detaje të reja për aksidentin fatal ku humbi jetën 37-vjeçari shqiptar në Zvicër

    Blerim S., baba i tre fëmijëve dhe një figurë e njohur në komunitetin shqiptar në Zvicër, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident trafiku në kantonin Aargau. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve nga autoritetet zvicerane.

    Sipas informacioneve të publikuara, ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, pak pas orës 18:30, në Birrfeldstrasse pranë Wohlenschwilit. Për arsye që ende nuk janë sqaruar, automjeti tip Renault që drejtohej nga 37-vjeçari doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë ure.

    Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, Blerimi ndërroi jetë në vend.

    I ndjeri jetonte në rajonin e Wohlenit, ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Ai punonte në një kompani të njohur të industrisë së orëve dhe njihej si një tifoz i pasionuar i futbollit, duke qenë aktiv edhe në një klub futbollistik lokal.

    Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Një mike e familjes ka deklaruar për mediat zvicerane se humbja e tij ka prekur thellë të gjithë ata që e njihnin.

    “Është jashtëzakonisht tragjike që ai nuk është më mes nesh. Ai lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët”, është shprehur ajo.

    Dhimbja është e madhe edhe në komunitetin shqiptar në Zvicër, ku Blerimi gëzonte respekt dhe vlerësim. Sipas të afërmve, babai i tij kishte qenë një figurë e njohur për angazhimin në çështjen e çlirimit të Kosovës.

    Në vendin ku ndodhi aksidenti janë vendosur lule dhe mesazhe ngushëllimi, ndërsa shumë qytetarë kanë shprehur pikëllimin e tyre edhe përmes rrjeteve sociale.

    Autoritetet e kantonit Aargau kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse në ngjarje kanë ndikuar probleme shëndetësore, shpejtësia apo faktorë të tjerë. /Albinfo

  • Sonte, Prishtina mirëpret ekspozitën “Fryma e Modiglianit në artin shqiptar”

    Sonte, Prishtina mirëpret ekspozitën “Fryma e Modiglianit në artin shqiptar”

    Galeria Qahili sonte do të hapë ekspozitën shëtitëse “Fryma e Modiglianit në artin shqiptar”, një ngjarje e veçantë kulturore që sjell për herë të parë në Kosovë vepra të certifikuara të piktorit të njohur italian Amedeo Modigliani.

    Hapja e ekspozitës do të mbahet sonte 2026, duke filluar nga ora 18:30, ndërsa publiku do të ketë mundësinë ta vizitojë deri më 26 qershor.

    Sipas organizatorëve, ekspozita do të prezantojë pesë vepra të certifikuara të Modiglianit, të vendosura përkrah punimeve të artistëve shqiptarë. Ky koncept synon të krijojë një dialog artistik mes modernizmit evropian dhe artit pamor shqiptar, duke nxjerrë në pah ngjashmëri dhe ndikime estetike që tejkalojnë kufijtë kohorë dhe gjeografikë.

    Ekspozita fton vizitorët të eksplorojnë lidhjet emocionale, konceptuale dhe artistike ndërmjet krijimtarisë së Modiglianit dhe autorëve shqiptarë, duke e shndërruar artin në një urë komunikimi mes kulturave dhe brezave.

    Ngjarja pritet të zgjojë interesim të veçantë te artdashësit dhe komuniteti artistik, pasi sjell në Prishtinë një prej emrave më të njohur të artit modern evropian, në një format ekspozues që ndërthur trashëgiminë ndërkombëtare me krijimtarinë vendore.

  • Rame Lahaj për të gjashtin vit me radhë do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”

    Rame Lahaj për të gjashtin vit me radhë do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”

    Për të gjashtin vit radhazi, Rame Lahaj, tenori ynë me famë ndërkombëtare dhe njëkohësisht themeluesi i festivalit, do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”, mbrëmjes që është bërë simbol i festivalit dhe një nga ngjarjet artistike më të rëndësishme të verës në Kosovë.

    I afirmuar në disa prej institucioneve më prestigjioze operistike në botë, nga Royal Opera House dhe Opéra National de Paris deri te Arena di Verona, Deutsche Oper Berlin dhe Bolshoi Theatre, Lahaj ka ndërtuar një karrierë që e ka shndërruar në një prej ambasadorëve më të njohur kulturorë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Kur themeloi Rame Lahaj International Opera Festival, vizioni i tij ishte i qartë: të krijonte një platformë ku publiku në Kosovë të kishte mundësinë të dëgjonte nga afër artistët që interpretojnë në skenat më të rëndësishme të operës botërore. Edhe këtë vit, ai rikthehet në vendlindje së bashku me kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq artistë nga e gjithë bota, duke i bërë ata pjesë të historisë, kulturës dhe mikpritjes sonë.

    Më 29 korrik, në zemër të Prishtinës, Rame Lahaj dhe miqtë e tij do të bashkohen sërish në një mbrëmje që përmbyll rrugëtimin artistik të edicionit të gjashtë duke përcjellë denjësisht mesazhin: PLAY MUSIC, NOT WAR.

    Shitja e biletave do të hapet së shpejti./

  • ZKA fillon auditimin e sistemit për menaxhimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore në Kosovë

    ZKA fillon auditimin e sistemit për menaxhimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore në Kosovë

    Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e Sistemit Barnatari të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, përmes së cilit menaxhohen proceset kryesore të regjistrimit, licencimit dhe qarkullimit të barnave dhe pajisjeve medicinale në Kosovë.

    Auditimi do të vlerësojë nëse sistemi Barnatari ofron siguri dhe kontrolle adekuate të të dhënave, disponueshmëri dhe vazhdimësi efektive të funksionimit për të mbështetur aktivitetet operacionale të institucionit.

    Platforma digjitale Barnatari përdoret që nga viti 2015 nga barnatoret, depot farmaceutike dhe subjektet tjera të sektorit farmaceutik. Janë mbi 1700 barnatore të regjistruara dhe Barnatari ka rol kyç në kontrollin e cilësisë, sigurisë dhe gjurmueshmërisë së produkteve medicinale që furnizojnë tregun e Kosovës.

  • Rifillon kalimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit

    Rifillon kalimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit

    Anijet kanë nisur gradualisht të rikthehen në lundrim përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve detare më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.

    Sipas raportimit të “Euronews”, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ngushtica pritet të jetë “plotësisht e hapur” deri të premten, duke theksuar se anijet tashmë kanë filluar të kalojnë dhe të transportojnë naftë nga rajoni.

    Mediat iraniane raportojnë se disa cisterna nafte dhe anije mallrash kanë lundruar sërish nëpër këtë rrugë detare, e cila deri vonë ishte ndikuar nga bllokadat dhe tensionet në rajon.

    Megjithatë, mbeten paqartësi lidhur me kontrollin dhe menaxhimin e ardhshëm të këtij korridori strategjik. Sipas agjencisë iraniane Fars, marrëveshja e arritur parashikon që Ngushtica e Hormuzit të administrohet në mënyrë të përbashkët nga Iran dhe Oman.

    Ngushtica e Hormuzit, e cila në pjesën më të ngushtë të saj ka vetëm 38 kilometra gjerësi, konsiderohet një arterie jetike për ekonominë globale, pasi përmes saj transportohet afërsisht një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

    Ndërkohë, Institute for the Study of War (ISW) ka vlerësuar se SHBA-ja dhe Irani po japin interpretime të ndryshme të marrëveshjes, duke e bërë ende të paqartë versionin përfundimtar të saj. Sipas institutit, nëse marrëveshja zbatohet sipas interpretimit iranian, ajo mund të përfaqësojë një fitore të rëndësishme strategjike për Teheranin.

    Marrëveshja përfshin gjithashtu çështje të tjera të ndjeshme, si lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit, vazhdimin e negociatave për programin bërthamor të Iranit dhe përfshirjen e inspektorëve amerikanë dhe të International Atomic Energy Agency në procesin e monitorimit.

    Megjithëse të dyja palët e kanë paraqitur marrëveshjen si një hap drejt uljes së tensioneve dhe forcimit të stabilitetit, zyrtarët iranianë kanë shprehur rezervat e tyre, duke kujtuar se marrëveshje të mëparshme, sipas tyre, nuk janë zbatuar në tërësi.

  • BSPK: Vapa po rrezikon punëtorët e ndërtimtarisë, 53 inspektorë nuk mjaftojnë

    BSPK: Vapa po rrezikon punëtorët e ndërtimtarisë, 53 inspektorë nuk mjaftojnë

    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka bërë thirrje për ndërmarrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e punëtorëve të ndërtimtarisë dhe punonjësve të sektorit publik gjatë valës aktuale të të nxehtit, duke paralajmëruar se temperaturat e larta po rrisin ndjeshëm rrezikun për aksidente dhe pasoja fatale në vendet e punës.

    Sipas BSPK-së, sektori i ndërtimit vazhdon të jetë sektori me numrin më të madh të aksidenteve dhe vdekjeve në punë në Kosovë. Të dhënat e Inspektoratit të Punës tregojnë se gjatë vitit 2025 janë identifikuar 602 raste lëndimesh në vendin e punës, ndërsa 33 për qind e tyre kanë ndodhur pikërisht në sektorin e ndërtimtarisë.

    Sindikata thekson se mbi 170 punëtorë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës që nga viti 2018, ndërsa viti 2025 është shënuar si viti me numrin më të lartë të viktimave. Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, tre punëtorë humbën jetën në kantiere ndërtimi, dy në Gjakovë dhe një në Pejë, gjatë periudhës kur temperaturat ishin jashtëzakonisht të larta.

    BSPK vlerëson se kapacitetet mbikëqyrëse të institucioneve janë të pamjaftueshme për të garantuar sigurinë në punë. Sipas saj, në të gjithë Kosovën operojnë vetëm 53 inspektorë pune, numër që konsiderohet i pamjaftueshëm për mbikëqyrjen e më shumë se 1.000 kantiereve aktive dhe mijëra vendeve të tjera të punës.

    Vetëm gjatë vitit 2024 janë lëshuar mbi 1.019 leje ndërtimi, ndërsa edhe vetë Kryeinspektori i Punës ka pranuar se numri aktual i inspektorëve nuk i përgjigjet nevojave reale të tregut të punës”, thuhet në njoftim.

    Sindikata rikujton se institucionet kanë vepruar edhe më herët në situata të ngjashme. Në korrik të vitit 2024, Ministria e Shëndetësisë kishte urdhëruar ndërprerjen e punës në sektorin e ndërtimtarisë nga ora 11:00 deri në 17:00, për shkak të temperaturave që kishin tejkaluar 36 gradë Celsius. BSPK kërkon që masa të ngjashme të zbatohen edhe këtë verë, duke përfshirë sigurimin e ujit të pijshëm, vendeve me hije, pushimeve të rregullta dhe ndërprerjen e punës gjatë orëve më të nxehta të ditës.

    Përveç sektorit privat, BSPK ngre shqetësime edhe për kushtet e punës në institucionet publike. Sipas sindikatës, janë pranuar ankesa nga punonjës të administratës publike dhe institucioneve shtetërore për mungesë ventilimi, sisteme klimatizimi jofunksionale ose të pamjaftueshme dhe ambiente të papërshtatshme pune gjatë temperaturave të larta.

    E drejta për kushte të sigurta dhe të shëndetshme pune duhet të garantohet në çdo vend pune, përfshirë institucionet publike”, thuhet në reagimin e BSPK-së.
    Në fund, sindikata u ka bërë thirrje Inspektoratit të Punës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin e zbatimit të masave mbrojtëse në të gjitha vendet e punës.

    BSPK ka ftuar gjithashtu punëtorët që ndihen të rrezikuar nga kushtet e punës të kontaktojnë sindikatën për mbështetje dhe raportim të rasteve.

    Siguria dhe shëndeti në punë nuk duhet të bëhen temë vetëm pasi të ndodhë tragjedia. Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të punëtorëve duhet të jetë prioritet i përhershëm i institucioneve dhe punëdhënësve”, thuhet në reagim.