ATV

Author: K.B.

  • Homazhe, marsh dhe akademi solemne në Vushtrri për Ditën e Çlirimit

    Homazhe, marsh dhe akademi solemne në Vushtrri për Ditën e Çlirimit

    Komuna e Vushtrrisë ka bërë të ditur agjendën e aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të qytetit, një datë me rëndësi të veçantë historike për komunën dhe qytetarët e saj.

    Manifestimet do të nisin në orën 10:30 me homazhe për dëshmorët dhe të rënët për liri. Pjesëmarrësit do të mblidhen para objektit të Komunës së Vushtrrisë, nga ku do të vazhdojnë aktivitetet përkujtimore.

    Në orën 18:00 do të organizohet “Marshi për Çlirim”, i cili do të nisë nga objekti i komunës dhe do të vazhdojë nëpër qytet.

    Ndërkohë, aktivitetet do të përmbyllen me Akademinë Solemne, e cila do të mbahet në orën 19:30 në sheshin “Adem Jashari”. Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve, si dhe një numër i madh qytetarësh.

  • Policia jep detaje për plagosjen e mbrëmshme në Prishtinë

    Policia jep detaje për plagosjen e mbrëmshme në Prishtinë

    Policia ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e mbrëmshme në rrugën “Feriz Guri” në Prishtinë.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana tha se një person ka mbetur i plagosur dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor.

    Megjithatë, policia nuk bëri të ditur nëse ndonjë i dyshuar është arrestuar.

    “Mbrëmë rreth orës 23:30, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Feriz Guri’ në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë vend është i lënduar një person, që dyshohet nga arma e zjarrit dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Njësitet relevante në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime të mëtejme hetimore”, thuhet në konfirmim.

  • Bie për dy centë nafta në Kosovë

    Bie për dy centë nafta në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara të derivateve për ditën e mërkurë.

    Sipas çmimeve maksimale të lejuara nga Ministria, çmimi i naftës këtë të martë do të shitet për 1.47 euro për litër, dy centë më lirë se dje

    Kurse, benzina do të shitet 1.39 euro për litër dhe gazi 0.67 euro për litër, çmime të njëjta sikur dje.

  • Një gotë në ditë nga kjo pije e zakonshme mund të ulë rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë

    Një gotë në ditë nga kjo pije e zakonshme mund të ulë rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë

    Studimi i Universitetit të Oksfordit dhe Cancer Research UK tregon se një ndryshim i vogël në ushqimin e përditshëm mund të ketë ndikim të rëndësishëm në shëndetin e zorrëve

    Një gotë qumësht në ditë mund të lidhet me ulje të rrezikut nga kanceri i zorrës së trashë, sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit dhe Cancer Research UK. Studiuesit kanë gjetur se shtimi i një gote qumësht në ditë në ushqim mund të shoqërohet me ulje të rrezikut nga ky lloj kanceri deri në 17 për qind.

    Kanceri i zorrës së trashë është një nga format më të shpeshta të sëmundjeve malinje në vendet e zhvilluara, me një trend shqetësues rritjeje. Faktorë si pirja e duhanit, mungesa e aktivitetit fizik, alkooli, konsumimi i mishit të përpunuar dhe ushqimi i pabalancuar mund të ndikojnë në rritjen e rrezikut.

    Shumë njerëz nuk e dinë se kjo pije e zakonshme mund të ketë rol mbrojtës

    “Si onkolog, i këshilloj pacientët e mi se si ushqimi dhe mënyra e jetesës mund të ndikojnë në shëndet, përfshirë edhe rrezikun nga zhvillimi i kancerit. Ky hulumtim, një nga më të mëdhenjtë deri tani për lidhjen mes ushqimit dhe sëmundjeve, hedh dritë të re mbi mënyrën se si ndryshime të thjeshta dhe të lira në ushqim mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut nga kanceri”, ka thënë Justin Stebbing, profesor i shkencave biomjekësore në Universitetin Anglia Ruskin.

    Sipas tij, përveç shtimit të një gote qumësht në ditë, edhe ulja e konsumimit të alkoolit, mishit të kuq dhe mishit të përpunuar mund të ndihmojë në mbrojtjen nga kanceri. Studimi ka treguar se konsumimi i 20 gramëve shtesë alkool në ditë, që përafërsisht i përgjigjet një gote të madhe vere, lidhet me rritje të rrezikut nga kanceri i zorrës për 15 për qind. Ndërsa konsumimi i më shumë se 30 gramëve mish të kuq ose të përpunuar në ditë është lidhur me rritje të rrezikut për 8 për qind.

    Qumështi mund të veprojë në disa mënyra

    Studimi ka treguar se personat që kanë konsumuar rreth 244 gramë qumësht shtesë në ditë, afërsisht një gotë të madhe, kishin 17 për qind rrezik më të ulët për zhvillimin e kancerit të zorrës. Ky efekt është vërejtur si te qumështi i plotë, ashtu edhe te qumështi gjysmë i skremuar dhe ai i skremuar.

    “Studiuesit kanë gjetur se efekti mbrojtës i konsumimit të qumështit ishte i pavarur nga faktorë të tjerë ushqimorë dhe nga mënyra e jetesës. Kjo sugjeron se përfitimet e qumështit në uljen e rrezikut nga kanceri i zorrës nuk lidhen vetëm me faktin se qumështi zëvendëson zgjedhje më të pashëndetshme ose konsumohet si pjesë e një stili jetese përgjithësisht më të shëndetshëm”, ka thënë profesori Stebbing.

    Autorët kanë theksuar se ekzistojnë disa arsye të mundshme pse qumështi mund të ndikojë në uljen e rrezikut. Ai është i pasur me kalcium, i cili është lidhur me rrezik më të ulët nga kanceri i zorrës së trashë. Kalciumi mund të ndihmojë duke u lidhur me substanca potencialisht të dëmshme në zorrë dhe duke nxitur eliminimin e qelizave jonormale.

    “Shumë produkte të qumështit janë të pasuruara me vitaminë D, për të cilën është treguar se ka veti antikancerogjene dhe mund të ndihmojë në rregullimin e rritjes dhe ndarjes së qelizave. Gjithashtu, laktoza në qumësht mund të nxisë rritjen e baktereve të dobishme në zorrë, të cilat prodhojnë butirat, një acid yndyror me zinxhir të shkurtër me efekte antiinflamatore dhe potencialisht antikancerogjene”, ka shtuar Stebbing.

    Sipas tij, qumështi përmban edhe acid linoleik të konjuguar, një acid yndyror që gjendet në mish dhe produkte të qumështit dhe që, sipas disa studimeve laboratorike, mund të ketë veti mbrojtëse ndaj kancerit.

    “Zbulimi se një rritje relativisht e moderuar e konsumimit ditor të qumështit mund të lidhet me ulje të rëndësishme të rrezikut nga kanceri i zorrës është veçanërisht inkurajues. Kjo tregon se ndryshime të vogla dhe të arritshme në ushqim mund të kenë ndikim të rëndësishëm në shëndet”, ka përfunduar Stebbing.

    Megjithatë, qumështi nuk duhet parë si zëvendësim për kontrollin mjekësor, skriningun, aktivitetin fizik, ushqimin e balancuar dhe shmangien e faktorëve të njohur të rrezikut. Ai mund të jetë pjesë e një mënyre më të shëndetshme të të ushqyerit, por jo një garanci e vetme kundër sëmundjes.

  • Policia zbardh 7 raste vjedhjesh në Gjakovë, arrestohet hajni

    Policia zbardh 7 raste vjedhjesh në Gjakovë, arrestohet hajni

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar në Gjakovë nën dyshimin për shtatë raste të veprave penale kundër pasurisë.

    Sipas njoftimit zyrtar, më 14.06.2026 është arritur të identifikohet dhe të prangoset i dyshuari me inicialet B.K., i cili dyshohet për pesë raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë” dhe dy raste të veprës penale “Vjedhje”.

    Hetimet e zhvilluara kanë rezultuar me sigurimin e provave që e lidhin të dyshuarin me rastet e raportuara, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me thyerje dhe depërtim me forcë në lokale afariste në lokacione të ndryshme të qytetit të Gjakovës, ku objekt i vjedhjes kanë qenë kryesisht paratë e gatshme.

    Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, në ballafaqim me provat e siguruara, i njëjti ka pranuar përgjegjësinë për disa nga veprat penale. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Kushtetuesja rrëzon vendimin e Supremes për Koordinatorin Kombëtar të Krimit Ekonomik

    Kushtetuesja rrëzon vendimin e Supremes për Koordinatorin Kombëtar të Krimit Ekonomik

    Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme e cila kishte anuluar Rregulloren e Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me mandatin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.

    Ky rast ishte iniciuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Supremes të 14 korrikut të vitit të kaluar.

    I njëjti kishte të bënte me ndryshimet që KPK-ja kishte bërë në vitin 2025 në Rregulloren për Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik. Sipas rregullores së re, mandati i koordinatorit përcaktohej trevjeçar, me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër pas vlerësimit pozitiv të punës.

    Prokurori Shqipdon Fazliu, i cili e ushtronte këtë detyrë që nga viti 2013, kishte paditur KPK-në duke pretenduar se ndryshimet ishin zbatuar në mënyrë retroaktive dhe cenonin pozitën e tij.

    Gjykata Supreme e kishte aprovuar padinë dhe kishte shfuqizuar rregulloren.

    “Megjithatë, më 30 prill 2025, KPK miratoi Rregulloren [nr.04/2025] për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores [nr.1551/2013], duke përcaktuar se (i) mandati i Koordinatorit Kombëtar është 3 (tre) vjeçar me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat pas vlerësimit pozitiv të punës; dhe (ii) me hyrjen në fuqi të Rregullores [nr.04/2025], Këshilli Prokurorial i Kosovës me vendim cakton Koordinatorin Kombëtar me mandat 3 (tre) vjeçar. Meqenëse z. Shqipdon Fazliu nuk ishte caktuar Koordinator Kombëtar sipas Rregullores së re, i njëjti parashtroi padi në Gjykatën Supreme, duke kontestuar Rregulloren [nr.04/2025] me pretendimin se kjo e fundit ka ndryshuar përbërjen dhe mandatin e Koordinatorit Kombëtar në mënyrë retroaktive. Gjykata Supreme e aprovoi si të themeltë kërkesëpadinë e z. Fazliu dhe shfuqizoi Rregulloren [nr. 04/2025] me arsyetimin se, ndër të tjera, (i) Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk mund të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme në pozitën e Koordinatorit Kombëtar pa u koordinuar me institucionet nënshkruese të Memorandumit të bashkëpunimit; (ii) efekti retroaktiv i një akti administrativ që prek një mandat të caktuar publik është i papranueshëm, përveç se kur parashihet me ligj të posaçëm, gjë që në rastin konkret nuk ka ndodhur; (iii) legjislacioni pozitiv për Këshillin Prokurorial të Kosovës, nuk përmban ndonjë dispozitë që autorizon kufizimin retroaktiv të mandateve ekzistuese; dhe se (iv) Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka ofruar sqarim të mjaftueshëm se cili ka qenë qëllimi i ndryshimit të rregullores në rrethanat kur paditësi, si koordinator kombëtar, ka ushtruar funksionin në mënyrë të vazhdueshme që nga emërimi i tij në vitin 2013, dhe as nëse ka pasur vlerësim negativ të performansës së tij.

    Ashtu siç sqarohet në Aktgjykimin e publikuar, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se, Gjykata Supreme ka shkelur pavarësinë e tij institucionale si dhe të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pretendime këto që kundërshtohen nga z. Shqipdon Fazliu.

    Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të përcaktuara me Kushtetutë, përmes praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe rolin e Gjykatës Supreme të Kosovës për të vlerësuar aktet nënligjore, përfshirë ato të miratuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës; dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret”, thuhet mes tjerash në vendim.

  • Temperaturat e larta, Inspektorati i Punës bën thirrje për kujdes të shtuar: Të respektohen masat e sigurisë

    Temperaturat e larta, Inspektorati i Punës bën thirrje për kujdes të shtuar: Të respektohen masat e sigurisë

    Inspektorati Qendror i Punës, përmes një postimi ka bërë thirrje ndaj punëtorëve dhe punëdhënësve, sidomos atyre në ndërtim dhe ambiente të hapura, që të kenë kujdes gjatë temperaturave të larta.

    Në postim, thuhet edhe se temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, prandaj është e domosdoshme që të respektohen masat e sigurisë dhe kushtet e punës, duke siguruar pushime të rregullta, furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm, mbrojtje nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe organizim të punës në mënyrë që të minimizohen rreziqet nga vapa.

    ‘’ Ftojmë punëdhënësit të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme parandaluese, ndërsa punëtorët të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo situatë që mund të cenojë sigurinë dhe shëndetin e tyre në vendin e punës’’, thuhet mes tjerash në reagim.

    Postimi:

    Thirrje për kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta

    Inspektorati i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve dhe punëmarrësve, veçanërisht atyre që zhvillojnë aktivitetet e tyre në kantierë ndërtimi dhe në ambiente të hapura, që gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin në punë.

    Temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, prandaj është e domosdoshme që të respektohen masat e sigurisë dhe kushtet e punës, duke siguruar pushime të rregullta, furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm, mbrojtje nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe organizim të punës në mënyrë që të minimizohen rreziqet nga vapa.

    Ftojmë punëdhënësit të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme parandaluese, ndërsa punëtorët të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo situatë që mund të cenojë sigurinë dhe shëndetin e tyre në vendin e punës.

    Inspektorati Qëndror i Punës do të vazhdojë realizimin e inspektimeve dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi, ndërsa ndaj subjekteve që nuk respektojnë masat e sigurisë, do të ndërmerren veprimet ligjore përkatëse.

    Siguria dhe shëndeti në punë janë përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të mbeten prioritet në çdo kohë.

  • Mbi 744 milionë euro tërheqje nga Trusti në një dekadë, 72 mijë pensionistë përfituan fondet e kursyera

    Mbi 744 milionë euro tërheqje nga Trusti në një dekadë, 72 mijë pensionistë përfituan fondet e kursyera

    Qytetarët e Kosovës kanë tërhequr rreth 744 milionë euro nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) gjatë periudhës 2015-2025, përmes pensionimit dhe skemës së tërheqjes së parakohshme të 10-përqindëshit të kursimeve gjatë pandemisë COVID-19.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Trusti, nga viti 2015 deri në vitin 2025 janë tërhequr rreth 546 milionë euro nga 72.745 përfitues që kanë dalë në pension.

    Vlera më e lartë e tërheqjeve për pensionim është regjistruar në vitin 2020, kur janë tërhequr 235 milionë euro. Kjo shifër lidhet me zbatimin e masës së tërheqjes së 10-përqindëshit të kursimeve pensionale, e miratuar në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë.

    Vetëm gjatë periudhës nga 11 dhjetori 2020 deri më 6 prill 2021, qytetarët kanë tërhequr edhe 198.1 milionë euro, ndërsa nga kjo masë kanë përfituar 427.363 persona.

    Sipas statistikave, numri i përfituesve të pensionit është rritur vazhdimisht ndër vite, duke arritur në 8.633 persona gjatë vitit 2025, që paraqet shifrën më të lartë në periudhën e analizuar.

    Të dhënat tregojnë se pas vitit 2020, tërheqjet vjetore për pensionim kanë mbetur në nivele të larta, me 71.6 milionë euro tërheqje në vitin 2023, 69.7 milionë euro në vitin 2024 dhe 82.9 milionë euro në vitin 2025.

    Në total, duke përfshirë pensionimet dhe tërheqjen e jashtëzakonshme të 10-përqindëshit gjatë pandemisë, nga Trusti janë tërhequr rreth 744 milionë euro në dhjetë vjetët e fundit.

  • Rama: Në 13 vjet si kryeministër, unë dhe familja ime nuk kemi shkuar kurrë me pushime jashtë vendit

    Rama: Në 13 vjet si kryeministër, unë dhe familja ime nuk kemi shkuar kurrë me pushime jashtë vendit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se kurrë nuk ka udhëtuar jashtë vendit me para të shtetit.

    Duke reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, për të cilën pretendohet se ai ndodhej në Bazel të Zvicrës duke përdorur fonde shtetërore, ai ka mohuar një gjë të tillë.

    Në profilin e tij në Facebook, Rama ka shkruar vizita në Zvicër ishte realizuar me ftesë private nga panairi ndërkombëtar i artit ArtBasel dhe se ai së bashku me bashkëshorten kishin mbuluar vetë të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit.

    “Qenka shpërndarë një video ku dikush supozohet se më ka kapur duke pirë ujë në Bazel të Zvicrës me shpenzime shtetërore. Në gati tre dekada shërbim publik, nuk kam udhëtuar kurrë privatisht me fonde shtetërore, dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time. Në 13 vjet si Kryeministër, unë dhe familja ime nuk kemi shkuar kurrë me pushime jashtë vendit. Në Zvicër, u ftova privatisht nga ArtBasel, panairi vjetor i galerive më prestigjioze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe disa nga veprat e mia”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

    “Unë dhe gruaja ime udhëtuam atje dhe qëndruam për një ditë e gjysmë, si gjithmonë në raste të tilla, tërësisht me shpenzimet tona. Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur për të vënë një pikë të qartë mbi “i”: Rreth njëzet vjet më parë, kur balta e shpifjeve dhe akuzave të pabaza nuk më ishte ngjitur ende në lëkurë, dikur bëra një deklaratë publike duke thënë se “nuk ka bir nëne ose bir të një…, që mund të gjejë një qindarkë të vetme në xhepin tim që nuk është fituar me punë të ndershme” Sot, dy dekada më vonë, unë nuk jam më, sigurisht, ai 40-vjeçar i pamësuar me thelbin e baltosur të arenës politike, i cili do të humbiste gjumin për shkak të plagëve djegëse të shpifjeve dhe akuzave kriminale. Por e them me krenari, ajo fjali e shqiptuar atëherë nga dhimbja dhe ndjenja e turpit para popullit tim dhe të gjithë atyre që më kishin besuar të drejtoja Tiranën, qëndron 100% e paprekur në përmbajtjen e saj edhe sot, para të gjithë atyre që më kanë besuar të drejtoj Shqipërinë”, ka shkruar ai.

  • Dyshohen për marrje ryshfeti, IPK rekomandon suspendimin e tre policëve në Prizren

    Dyshohen për marrje ryshfeti, IPK rekomandon suspendimin e tre policëve në Prizren

    Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin për tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Alfa në Prizren.

    Në njoftim shtohet se, zyrtarët policorë kanë ndaluar automjete të paregjistruara dhe motoçikleta që qarkullonin në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke iniciuar fillimisht procedurat përkatëse policore, dhe se, sipas gjetjeve fillestare të hetimit, dyshohet se zyrtarët policorë nuk kanë vepruar në përputhje me obligimet e tyre ligjore dhe zyrtare, duke mos vazhduar me procedurat e parapara dhe duke lejuar personat të largohen pa i ndërmarrë masat përkatëse ligjore.

    ‘’ Ky rekomandim për suspendim është bërë me dyshimin se të njëjtit më 11.06.2026 në Prizren me dyshimin se veprimet e tyre përbëjnë elemente të veprës penale “marrje e ryshfetit”, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës’’, thuhet në postim.

    Komunikata:

    IPK rekomandoi suspendimin për tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Alfa në Prizren

    Prishtinë/Prizren, 16 qershor 2026

    Hetuesit e IPK-së ditë më parë kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore lidhur me veprimet/reagimet policore ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarë policorë.

    Pas këtyre veprimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të tre zyrtarëve policorë të të Stacionit Policor Alfa në Prizren .

    Zyrtarët policorë kanë ndaluar automjete të paregjistruara dhe motoçikleta që qarkullonin në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke iniciuar fillimisht procedurat përkatëse policore,.

    Sipas gjetjeve fillestare të hetimit, dyshohet se zyrtarët policorë nuk kanë vepruar në përputhje me obligimet e tyre ligjore dhe zyrtare, duke mos vazhduar me procedurat e parapara dhe duke lejuar personat/kundërvajtësit të largohen pa i ndërmarrë masat përkatëse ligjore.

    Ky rekomandim për suspendim është bërë me dyshimin se të njëjtit më 11.06.2026 në Prizren me dyshimin se veprimet e tyre përbëjnë elemente të veprës penale “marrje e ryshfetit”, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Hetimet lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë.

    Rekomandimi për suspendim të përkohshëm të zyrtarëve policorë është ndërmarrë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve.