ATV

Author: K.B.

  • Rama: Komisioni Evropian është njohur në detaje me procesin për Sazanin dhe Zvërnecin

    Rama: Komisioni Evropian është njohur në detaje me procesin për Sazanin dhe Zvërnecin

    Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në rrjetin social facebook se Komisioni Evropian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ që lidhet me Sazanin dhe Zvërnecin.

    Rama i referohet edhe deklarimeve të Komisioneres së Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, e cila ka folur për respektimin e standardeve dhe procesin në zhvillim.

    “Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin dhe vetë Komisionerja Marta Kos ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”, shkruan Rama në Facebook bashkangjitur deklaratën e Kos.

    Kjo e fundit deklaroi dje se qeveria shqiptare ka garantuar Komisionin Evropian se projekti turistik prej më shumë se 1.4 miliardë eurosh, i lidhur me Jared Kushner, do të respektojë standardet mjedisore evropiane.

    “Ne kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mjedisit do të respektohen”, tha Kos gjatë një konference për shtyp.

  • Pse vitamina D mbetet e ulët edhe kur merrni diell dhe suplemente?

    Pse vitamina D mbetet e ulët edhe kur merrni diell dhe suplemente?

    Faktorë të fshehur mund të bëjnë që rezultati në analiza të mbetet i ulët, edhe kur mendoni se po bëni gjithçka si duhet

    Shumë njerëz qëndrojnë rregullisht në diell, marrin edhe suplemente, por analizat përsëri tregojnë nivel të ulët të vitaminës D. Arsyeja nuk është gjithmonë mungesa e diellit. Vitamina D është një vitaminë e tretshme në yndyra dhe, që trupi ta përdorë si duhet, ajo duhet të përthithet mirë në zorrë, pastaj të përpunohet në mëlçi dhe veshka.

    Sipas National Institutes of Health – Office of Dietary Supplements, mungesa e vitaminës D mund të lidhet me ekspozim të pamjaftueshëm në diell, përthithje të dobët, obezitet, moshë më të madhe, pigment më të errët të lëkurës, sëmundje të mëlçisë ose veshkave, si dhe me përdorimin e disa barnave.

    Vitamina D është e rëndësishme për shëndetin e kockave, muskujve, imunitetin dhe funksionimin normal të organizmit. Por, nëse një hallkë e këtij procesi nuk funksionon mirë, niveli i saj mund të mbetet i ulët edhe kur njeriu mendon se po bën gjithçka si duhet, transmeton Telegrafi.

    1. Mungesa e magnezit

    Një nga arsyet që shpesh neglizhohet është mungesa e magnezit. Ky mineral merr pjesë në metabolizmin dhe aktivizimin e vitaminës D. Një rishikim shkencor i publikuar në bazën mjekësore PubMed thekson se magnezi ndihmon në aktivizimin e vitaminës D dhe në rregullimin e kalciumit e fosfatit, elemente të rëndësishme për kockat. Burime të mira të magnezit janë spinaqi, farat e kungullit, bajamet, arrat, bishtajoret dhe drithërat integrale.

    2. Marrja e suplementit në mënyrën e gabuar

    Vitamina D përthithet më mirë kur merret me ushqim që përmban yndyra të shëndetshme. Nëse merret në stomak bosh, sidomos te personat me tretje të ndjeshme, përthithja mund të jetë më e dobët. Prandaj, suplementi zakonisht është më mirë të merret me një vakt që përmban vezë, kos, avokado, vaj ulliri, peshk, arra ose fara.

    3. Ekspozimi në diell nuk është gjithmonë i mjaftueshëm

    Shumë njerëz mendojnë se mjafton të dalin jashtë për të prodhuar vitaminë D. Por prodhimi në lëkurë varet nga koha e ditës, stina, ndotja e ajrit, veshja, qëndrimi në hije dhe sa sipërfaqe e lëkurës ekspozohet realisht. Edhe në ditë me diell, trupi mund të mos prodhojë mjaftueshëm vitaminë D nëse ekspozimi është i shkurtër ose i kufizuar.

    4. Kremi me faktor mbrojtës dhe veshjet

    Kremrat me faktor mbrojtës janë të rëndësishëm për mbrojtjen e lëkurës nga dëmtimi dhe kanceri i lëkurës, por njëkohësisht mund të ulin prodhimin e vitaminës D në lëkurë. E njëjta gjë ndodh kur lëkura është e mbuluar me rroba, kur përdoren kapele, ose kur qëndrimi në diell bëhet kryesisht pas xhamit, sepse rrezet UVB nuk kalojnë në mënyrë efektive përmes xhamit.

    5. Ngjyra më e errët e lëkurës

    Personat me lëkurë më të errët kanë më shumë melaninë, e cila ul aftësinë e lëkurës për të prodhuar vitaminë D nga dielli. Kjo nuk do të thotë se dielli nuk ndihmon, por shpesh kërkohet ekspozim më i gjatë ose vlerësim më i kujdesshëm përmes analizave.

    6. Mosha

    Me kalimin e viteve, lëkura bëhet më pak efikase në prodhimin e vitaminës D. Prandaj, te të moshuarit, niveli mund të jetë më i ulët edhe kur dalin në diell. Në këtë moshë rëndësi ka edhe ushqimi, funksioni i veshkave, aktiviteti fizik dhe përdorimi i barnave të ndryshme.

    7. Problemet me zorrët dhe keqthithja

    Sipas MedlinePlus, një shërbim informativ mjekësor i National Library of Medicine, mungesa e vitaminës D mund të shfaqet edhe kur organizmi nuk e përthith mirë atë nga ushqimi. Kjo ndodh te disa gjendje të traktit tretës, si celiakia, sëmundja e Crohnit, problemet inflamatore të zorrëve ose pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale në sistemin tretës.

    8. Mbipesha dhe obeziteti

    Te personat me mbipeshë ose obezitet, vitamina D mund të mbahet më shumë në indin dhjamor dhe të jetë më pak e disponueshme në qarkullim. Kjo është arsyeja pse disa persona me indeks të lartë të masës trupore mund të kenë nevojë për vlerësim më të kujdesshëm dhe, në disa raste, për doza të përshtatura nga mjeku.

    9. Sëmundjet e mëlçisë dhe veshkave

    Vitamina D që merret nga dielli, ushqimi ose suplementet nuk është menjëherë aktive. Ajo duhet të kalojë nëpër disa hapa metabolikë, kryesisht në mëlçi dhe veshka. Prandaj, sëmundjet kronike të këtyre organeve mund ta pengojnë shndërrimin e saj në formën që trupi e përdor më mirë.

    10. Ilaçet dhe dozat e papërshtatshme

    Disa ilaçe mund të ndikojnë në përthithjen ose metabolizmin e vitaminës D. Ndër to përmenden disa barna për dobësim, kortikosteroidet dhe barna të tjera që ndikojnë në metabolizëm. Problem mund të jetë edhe marrja e dozave shumë të ulëta, por edhe vetë-mjekimi me doza të larta pa analizë dhe pa këshillë mjekësore. Dozat e tepërta mund të shkaktojnë rritje të kalciumit në gjak dhe pasoja për veshkat e zemrën.

    Çfarë duhet bërë?

    Mënyra më e saktë për ta vlerësuar statusin e vitaminës D është analiza e 25-hidroksivitaminës D, e njohur si 25(OH)D. Udhëzimet e Endocrine Society theksojnë se përdorimi i vitaminës D duhet të bëhet me kujdes, sidomos kur synohen doza më të larta ose kur personi ka gjendje të veçanta shëndetësore.

    Nëse niveli mbetet i ulët pavarësisht diellit dhe suplementeve, nuk duhet rritur doza në mënyrë të verbër. Më mirë është të kontrollohen edhe faktorë të tjerë: mënyra e marrjes së suplementit, shëndeti i zorrëve, pesha trupore, funksioni i mëlçisë dhe veshkave, magnezi, si dhe barnat që përdoren rregullisht.

    Vitamina D është e rëndësishme, por nuk funksionon e shkëputur nga pjesa tjetër e organizmit. Prandaj, kur ajo mbetet e ulët, përgjigjja shpesh nuk gjendet vetëm te dielli, por te mënyra se si trupi e përthith, e aktivizon dhe e përdor atë.

  • KFOR-i zhvendos kontejnerët në Bërnicë, përmirësohen kushtet për futbollistët e rinj

    KFOR-i zhvendos kontejnerët në Bërnicë, përmirësohen kushtet për futbollistët e rinj

    Pas një kërkese nga Federata e Futbollit të Kosovës për të përmirësuar kushtet për lojtarët e rinj, KFOR-i ka njoftuar se është duke i zhvendosur kontejnerët nga Zona Industriale e Prishtinës në fushat lokale të futbollit në zonën e Bërnicës.

    Siç bën të ditur KFOR-i, këta kontejnerë do t’u ofrojnë lojtarëve të rinj të futbollit ambiente më të mira për t’u stërvitur, ndërruar dhe përgatitur për ndeshjet e tyre.

    “Ky projekt thekson mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për zhvillimin e të rinjve përmes sportit”, theksohet më tej në njoftim.

  • Kurti: Sa më shpejt themelimi i institucioneve, aq më mirë, për presidentin na duhet bashkëpunimi me opozitën

    Kurti: Sa më shpejt themelimi i institucioneve, aq më mirë, për presidentin na duhet bashkëpunimi me opozitën

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se po presin përfundimin e numërimit të të gjitha votave dhe certifikimit të rezultateve për të vazhduar me themelimin e institucioneve.

    Kjo tha Kurti, sa më parë që të ndodh, aq më mirë.

    Megjithatë, ai u shpreh se për çështjen e presidentit kërkohet bashkëpunimi me partitë e tjera.

    “Le të presim të bëhet certifikimi dhe ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e konstitumit të institucioneve. Sa më shpejt, aq më mirë, por ju e dini që për çështjen e presidentit këtë nuk mund ta bëjmë vetëm.

    Neve na duhet bashkëpunimi, do të përpiqemi të bashkëpunojmë me opozitën. Qasja jonë është konstruktive dhe shpresoj që kësaj radhe do të ndryshojë qasja e opozitës. Për të ecur përpara ka nevojë të përfundojë faza refuzuese e opozitës”, tha Kurti ndër të tjera pra mediave.

  • FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Combined Adriatic Cyber Endeavour 2026”

    FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Combined Adriatic Cyber Endeavour 2026”

    Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Sigurisë Kibernetike së bashku me Gardën Kombëtare të Ajovës morën pjesë në ushtrimin ndërkombëtar të kartës së Adriatikut A5+ “Combined Adriatic Cyber Endeavour 2026”, të realizuar në Zagreb të Kroacisë.

    Ushtrimi “CACE 26” kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike të vendeve pjesëmarrëse përmes një skenari real dhe shumëkombësh, ku ekipet Blue Team trajnuan aftësitë për zbulim, analizë, reagim dhe raportim të incidenteve kibernetike.

    Ushtrimi synoi gjithashtu rritjen e bashkëpunimit dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet partnerëve rajonalë dhe atyre amerikanë, duke përmirësuar koordinimin operacional, shkëmbimin e informatave, përdorimin e mjeteve të përbashkëta të sigurisë dhe aftësinë për të reaguar shpejt ndaj kërcënimeve komplekse që prekin sisteme, rrjete dhe shërbime kritike.

    Gjatë fazës ekzekutuese, ekipi FSK-AJOVA analizoi skenarë kompleksë të sulmeve kibernetike, përfshirë komprometim të sistemeve publike, sulme ndaj kredencialeve, komunikim komandë-kontroll dhe aktivitete të lidhura me ransomware.

    Pjesëmarrja në këtë ushtrim forcoi ndërveprueshmërinë me partnerët ndërkombëtarë, ngriti kapacitetet profesionale të ekipit dhe konfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit, komunikimit dhe reagimit të shpejtë në mbrojtjen kibernetike.Ky ushtrim shënoi herën e parë që ekipi i FSK-së udhëhoqi ekipin e kombinuar FSK/AJOVA në një aktivitet të kësaj shkalle, me profesionistët nga Garda Kombëtare Ajova-ShBA të integruar në rol mbështetës dhe këshillues brenda ekipit.

  • Gruaja rrahet nga burri dhe nëna e tij në Prishtinë, intervenon policia

    Gruaja rrahet nga burri dhe nëna e tij në Prishtinë, intervenon policia

    Një grua në Prishtinë është sulmuar nga nëna dhe bashkëshorti i saj.

    Sipas policisë, të gjitha palët e përfshira janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim lidhur me rastin.

    Prishtinë, 15.06.2026 – 11:30. Është raportuar se viktima femër kosovare, ishte sulmuar nga nëna dhe bashkëshorti i saj. Palët janë sjellë në stacion dhe pas intervistimit, në konsultim me prokurorin, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Pse duhet ta lini dollapin hapur në ditët e nxehta? Truku që pak kush e di

    Pse duhet ta lini dollapin hapur në ditët e nxehta? Truku që pak kush e di

    Grilat e mbyllura, dritaret e mbyllura, ventilatori i ndezur, por banesa përsëri mbetet e nxehtë. Ndoshta pikërisht një truk pak i njohur mund të bëjë dallimin

    Kushdo që hyn në banesën e vet gjatë një dite të nxehtë vere e njeh mirë atë ndjesi: ajri është i rënduar, mobiliet duken të nxehta, ndërsa edhe brenda shtëpisë vapa sikur nuk gjen dalje.

    Ndërkohë që ventilatorët punojnë dhe grilat mbeten të ulura, shumë njerëz kërkojnë çdo mënyrë të vogël për ta bërë shtëpinë pak më të freskët. Një masë çuditërisht e thjeshtë shpesh anashkalohet: dollapi.

    Depo e fshehur e nxehtësisë

    Kur dielli përvëlon jashtë, nuk nxehen vetëm dyshemetë, muret dhe mobiliet. Edhe dollapët e mëdhenj grumbullojnë nxehtësi gjatë ditës. Sidomos të prekura janë gjërat që ndodhen afër dritareve ose që ekspozohen për orë të tëra ndaj dritës indirekte të diellit.

    Ajri i ngrohtë mblidhet pas dyerve të mbyllura dhe mbetet i bllokuar brenda dollapit. Pikërisht për këtë arsye, gjatë ditëve të nxehta, dollapët e mëdhenj mund të shndërrohen pa e kuptuar në rezervuarë të vegjël nxehtësie.

    Pse mund të ndihmojnë dyert e hapura të dollapit?

    Truku është i thjeshtë: nëse ajrosni shtëpinë në mëngjes dhe njëkohësisht hapni dollapin, ajri më i freskët nga jashtë hyn edhe në këto hapësira të mbyllura. Kjo mundëson që nxehtësia e grumbulluar të shpërndahet dhe të dalë më lehtë.

    Ajri brenda dollapit ndërrohet para se temperatura gjatë ditës të rritet sërish. Edhe pse temperatura e dhomës nuk ulet për disa gradë, banesa në tërësi mund të mbetet pak më e këndshme.

    Koha më e mirë: herët në mëngjes

    Çelësi i suksesit të këtij truku është koha e duhur. Temperaturat më të ulëta zakonisht janë në orët e hershme të mëngjesit. Pikërisht atëherë dritaret duhet të hapen sa më shumë, në mënyrë që ajri të ndërrohet shpejt.

    Në të njëjtën kohë, hapja e dyerve të dollapëve, depove ose mobilieve të mëdha lejon që ajri i freskët të qarkullojë edhe në këto pjesë të shtëpisë.

    Sapo temperaturat jashtë të rriten, banesa duhet të izolohet sa më mirë nga nxehtësia. Ekspertët rekomandojnë mbylljen e dritareve dhe uljen e grilave, roletave ose perdeve. Pas kësaj, edhe dyert e dollapëve mund të mbyllen.

    Kjo ndihmon që ajri më i freskët në dhomë të ruhet sa më gjatë dhe ngadalëson depërtimin e nxehtësisë në banesë.

  • Arrestohet një shtetas i Serbisë në Bërnjak, i ofroi ryshfet policisë kufitare

    Arrestohet një shtetas i Serbisë në Bërnjak, i ofroi ryshfet policisë kufitare

    Një shtetas i Serbisë është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar Bërnjak nën dyshimin për dhënie ryshfeti ndaj zyrtarëve policorë.

    Sipas njoftimit të autoriteteve, rasti ka ndodhur më 15 qershor 2026, kur i dyshuari dyshohet se u kishte ofruar zyrtarëve policorë shumën prej 30 eurosh me qëllim që të hynte kundërligjshëm në Republikën e Kosovës.

    Bankënotat e përdorura për ryshfet janë sekuestruar si dëshmi materiale, ndërsa i dyshuari është intervistuar nga organet kompetente.

    Me vendim të prokurorit, pas përfundimit të procedurave fillestare, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Gërshërët nuk presin më? Para se t’i hidhni, provojeni trukun me një filxhan sheqer

    Gërshërët nuk presin më? Para se t’i hidhni, provojeni trukun me një filxhan sheqer

    Një metodë e thjeshtë shtëpiake mund t’i pastrojë tehet, t’i bëjë më funksionale dhe t’ua zgjasë jetën gërshërëve që përdorni çdo ditë

    Sa herë ju ka ndodhur të merrni gërshërët për të prerë një qese, një copë letër apo shirit ngjitës, ndërsa ato, në vend që të presin, vetëm e “përtypin” materialin? Në raste të tilla, shumëkush mendon menjëherë se gërshërët duhen hedhur ose dërguar për mprehje profesionale.

    Megjithatë, para se të blini një palë të reja, ia vlen të provoni një truk të thjeshtë shtëpiak, që prej kohësh përdoret nga shumë amvise. Nuk kërkon vegël të veçantë, nuk merr shumë kohë dhe përdor një përbërës që pothuajse çdo kuzhinë e ka në raft.

    Bëhet fjalë për sheqerin kristal, një përbërës që zakonisht e lidhim me ëmbëlsirat dhe kafenë, por që mund të ketë edhe një përdorim tjetër kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e mjeteve të vogla të shtëpisë.

    Si t’i përmirësoni gërshërët me ndihmën e sheqerit

    Procedura është shumë e thjeshtë. Hidhni pak sheqer kristal në një filxhan, tas ose enë të vogël. Më pas hapni dhe mbyllni gërshërët disa herë brenda sheqerit, sikur po e prisni atë.

    Gjatë këtij procesi, kristalet e vogla vijnë në kontakt me tehet dhe krijojnë një efekt të lehtë abraziv. Ky veprim mund të ndihmojë në largimin e papastërtive të imëta nga skajet e tehut dhe të përmirësojë përkohësisht funksionimin e gërshërëve.

    Ky truk nuk merr shumë kohë dhe përdoret shpesh kur vërehet se gërshërët nuk rrëshqasin më lehtë nëpër letër ose materiale të holla si më parë.

    Pse gërshërët humbin mprehtësinë me kalimin e kohës

    Edhe gërshërët cilësore, pas një kohe, fillojnë të tregojnë shenja konsumimi. Përdorimi i përditshëm lë gjurmë, sidomos kur ato përdoren për materiale të ndryshme.

    Prerja e shiritave ngjitës, ambalazheve, kartonit ose letrës mund të lërë mbetje të imëta në tehe. Me kalimin e kohës, këto mbetje e vështirësojnë prerjen e saktë dhe krijojnë përshtypjen se gërshërët janë topitur plotësisht.

    Prandaj, ndonjëherë problemi nuk qëndron vetëm te humbja e mprehtësisë, por edhe te papastërtitë e grumbulluara, të cilat nuk vërehen lehtë me sy të lirë.

    Një hap i vogël pas pastrimit bën dallim të madh

    Pasi ta përfundoni procedurën, rekomandohet që gërshërët t’i fshini me një leckë të thatë ose pak të lagur, për të larguar mbetjet e sheqerit.

    Një pikë vaj në mekanizmin e hapjes dhe mbylljes mund të ndihmojë gjithashtu. Në këtë mënyrë, lëvizjet bëhen më të lehta dhe gërshërët punojnë më butë e më këndshëm.

    Pastrimi dhe mirëmbajtja e rregullt mund t’ua zgjasin jetën mjeteve që përdorim çdo ditë, pa shpenzime shtesë dhe pa procedura të ndërlikuara.

    Kur truku shtëpiak nuk mjafton

    Megjithatë, duhet pasur parasysh se ky truk me sheqer nuk është zëvendësim për mprehjen profesionale. Te gërshërët shumë të dëmtuara, të konsumuara ose tepër të topitura, kjo metodë nuk mund ta kthejë mprehtësinë fillestare.

    Përparësia e saj më e madhe është thjeshtësia. Kur bëhet fjalë për humbje të lehtë të mprehtësisë ose për papastërti të grumbulluara në tehe, ky truk mund të jetë një zgjidhje e shpejtë që u kthen gërshërëve një pjesë të funksionalitetit.

    Ndonjëherë, pikërisht zgjidhjet më të thjeshta shtëpiake na befasojnë më së shumti. Një filxhan sheqer dhe disa minuta kohë ndoshta nuk bëjnë mrekulli, por mund të ndihmojnë që gërshërët e preferuara të punojnë edhe për një kohë pa problem.

  • Tumori i trurit tani mund të zbulohet për 12 minuta: AI sjell kthesë në neuroonkologji

    Tumori i trurit tani mund të zbulohet për 12 minuta: AI sjell kthesë në neuroonkologji

    Sistemi i ri Hetairos identifikon më shumë se 100 nëntipe molekulare të tumoreve të sistemit nervor qendror, duke përdorur prerje të zakonshme mikroskopike të indeve

    Neuroonkologjia po shënon një zhvillim të rëndësishëm në diagnostikimin e tumoreve të trurit. Falë një metode të re, tumori i trurit mund të identifikohet brenda pak minutash, në vend të pritjes së rezultateve që deri tani mund të zgjaste edhe dy javë.

    Për këtë përshpejtim të diagnostikimit merita u takon shkencëtarëve nga German Cancer Research Center, të cilët kanë krijuar një sistem të ri të inteligjencës artificiale, të aftë të identifikojë me saktësi të lartë më shumë se 100 nëntipe molekulare të tumoreve të sistemit nervor qendror, duke përdorur vetëm prerje standarde mikroskopike të indeve.

    Diagnostikim më i shpejtë dhe më i thjeshtë i tumoreve të trurit në mbarë botën

    Ekspertët nga Heidelbergu kanë zhvilluar një sistem të avancuar të inteligjencës artificiale, i cili mund ta përshpejtojë dhe thjeshtojë ndjeshëm diagnostikimin e tumoreve të trurit në nivel global. Duke përdorur ngjyrosje standarde histologjike të digjitalizuara, ky sistem jep rezultate të sakta brenda pak minutash. Rezultatet e këtij studimi revolucionar janë publikuar në revistën prestigjioze shkencore Nature Cancer.

    Dihet se tumoret e trurit dhe të palcës kurrizore janë jashtëzakonisht të ndryshme. Vitet e fundit është bërë e qartë se shumë prej tyre mund të diagnostikohen me besueshmëri vetëm nëse, krahas pamjes mikroskopike, analizohen edhe karakteristikat e tyre molekulare.

    Standardi i artë për klasifikim të saktë sot konsiderohet analiza e metilimit të ADN-së. Megjithatë, këto teste janë komplekse: kërkojnë laboratorë të specializuar, pajisje të shtrenjta, sasi të madhe materiali tumoral dhe shpesh rezultatet vonohen rreth dy javë. Në shumë pjesë të botës, një diagnostikim i tillë nuk është fare i qasshëm.

    Si u trajnua sistemi Hetairos?

    Përmirësime të rëndësishme në këtë fushë sjell sistemi i ri i inteligjencës artificiale, i quajtur Hetairos. Ai është zhvilluar nga ekipi i udhëhequr nga Moritz Gerstung, nga Deutsches Krebsforschungszentrum (DKFZ), dhe Felix Sahm, nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Heidelbergut dhe Spitali Universitar i Heidelbergut.

    Qëllimi i projektit ishte të parashikohej se cilës nëngrup molekular i përket tumori, duke u bazuar vetëm në prerjet histologjike të indeve, të përgatitura dhe të ngjyrosura në mënyrë rutinore.

    Hetairos është trajnuar dhe validuar duke përdorur një bazë mbresëlënëse të dhënash:

    • Më shumë se 11.000 prerje të digjitalizuara të indeve
    • Të dhëna nga 9.606 pacientë, nga 11 qendra mjekësore në katër kontinente

    Sistemi arrin të dallojë me sukses 102 nëntipe të ndryshme molekulare të tumoreve, duke mbuluar pothuajse të gjithë spektrin e klasifikimit aktual të tumoreve të sistemit nervor qendror sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Inteligjenca artificiale mund të nxjerrë informacione molekulare drejtpërdrejt nga prerjet rutinore të indeve

    Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se inteligjenca artificiale jo vetëm që vendos diagnozën, por vlerëson edhe nivelin e sigurisë së vet. Në 50 deri në 70 për qind të të gjitha rasteve, Hetairos dha parashikime me shkallë të lartë sigurie, ku saktësia arrinte ndërmjet 87 dhe 88 për qind.

    Edhe në rastet kur sistemi nuk ishte plotësisht i sigurt, ai arrinte të zvogëlonte ndjeshëm numrin e diagnozave të mundshme dhe t’u ofronte neuropatologëve vetëm disa kandidatë më të mundshëm. Kjo e thjeshton dukshëm zgjedhjen e testeve të mëtejshme të synuara.

    “Kjo studim tregon se inteligjenca artificiale është e aftë të nxjerrë informacione molekulare drejtpërdrejt nga prerjet rutinore të indeve dhe në këtë mënyrë të ndryshojë në mënyrë themelore diagnostikimin e kancerit”, ka theksuar Darui Jin, një nga autorët kryesorë të studimit.

    AI tejkaloi specialistët me përvojë

    Gjatë hulumtimit u realizua edhe një krahasim i drejtpërdrejtë midis sistemit të inteligjencës artificiale dhe ekspertëve njerëzorë. Pesë neuropatologë me përvojë nga qendra të ndryshme ndërkombëtare morën detyrën të vendosnin diagnozën për 210 raste, duke u bazuar vetëm në shqyrtimin vizual të indit nën mikroskop.

    “Rezultatet tregojnë se sistemet moderne të inteligjencës artificiale tani janë të afta të njohin modele jashtëzakonisht subtile morfologjike, të cilat janë të vështira për t’u dalluar edhe nga specialistë me përvojë”, shpjegon Felix Sahm.

    Nga ana tjetër, Moritz Gerstung thekson se diagnostikimi i llojeve shumë të rralla të tumoreve vazhdon të jetë sfidë për algoritmin. Në këtë segment, mjekët me përvojë mbeten ende vendimtarë, por pritet që performanca e sistemit të përmirësohet edhe më tej me shtimin e të dhënave të reja dhe më të larmishme.

    Diagnoza për 12 minuta, në vend të 12 ditëve

    Në një studim prospektiv shoqërues, Hetairos u testua paralelisht me praktikën rutinore klinike në 210 mostra tumorale, pa ndikuar në vendimet reale për trajtimin e pacientëve.

    Ndërsa diagnostikimi standard molekular i plotë zgjaste mesatarisht rreth 12 ditë, Hetairos gjeneronte gjetjet e tij vetëm 12 minuta pasi prerjet e ngjyrosura të indeve digjitalizoheshin në një kompjuter standard. Duke përfshirë të gjithë përgatitjen teknike dhe skanimin e indeve, mjekët mund t’i kishin rezultatet përfundimtare në tryezë brenda 24 deri në 48 orësh.

    Ekspertët përfundojnë se Hetairos mund të ketë vlerë të jashtëzakonshme në situata të veçanta klinike:

    • Kur metodat tradicionale molekulare arrijnë kufijtë e tyre
    • Kur nuk ka material të mjaftueshëm tumoral për testim gjenetik
    • Kur testet standarde molekulare japin rezultate të paqarta ose kontradiktore

    Përveç shpejtësisë, sistemi ofron edhe transparencë. Ai i thekson vizualisht rajonet e sakta në prerjen e indit që kanë qenë vendimtare për marrjen e vendimit, duke u mundësuar mjekëve të kuptojnë dhe të verifikojnë plotësisht logjikën e inteligjencës artificiale para se të marrin vendimin përfundimtar për terapinë.