ATV

Author: K.B.

  • Detaje rrëqethëse nga nata e fundit e aktores Ece Irtem – flet nëna e saj

    Detaje rrëqethëse nga nata e fundit e aktores Ece Irtem – flet nëna e saj

    Vdekja e papritur e aktores turke, Ece Irtem, ka shkaktuar tronditje te familjarët, kolegët dhe adhuruesit e saj.

    Aktorja 35-vjeçare, e njohur për rolin e saj në serialin “Kizilcik Serbeti”, u gjet pa shenja jete në banesën e saj.

    Pas ngjarjes, vëmendja është përqendruar te dëshmia e nënës së saj, Nuriye Irtem, e cila ka treguar në detaje momentet e fundit para tragjedisë.

    Sipas deklaratës, nëna dhe vajza kishin kaluar mbrëmjen së bashku për të festuar ditëlindjen e Eces dhe më pas ishin kthyer në shtëpi.

    Pas kthimit, aktorja ishte tërhequr në dhomën e saj për të pushuar.

    Gjatë natës, nëna kishte dëgjuar se vajza ishte zgjuar për pak çaste, por më pas ishte kthyer sërish në gjumë.

    Në orët e mëngjesit, kur shkoi ta kontrollonte, Nuriye e gjeti vajzën pa reagime dhe vuri re se nga goja e saj kishte dalë lëng.

    Në dëshminë e dhënë para autoriteteve, deklaroi gjithashtu se Ece kohët e fundit kishte konsumuar alkool dhe kishte përdorur medikamente antidepresive.

    Megjithatë, shkaku i vërtetë i vdekjes mbetet ende i paqartë.

    Autoritetet kanë nisur hetimet dhe pritet që rezultatet e autopsisë të japin përgjigje përfundimtare mbi rrethanat e ngjarjes.

    Ndërkohë, lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka prekur thellë botën e artit dhe publikun që e ndiqte prej vitesh në ekran.

  • ‘‘Ushtarët për kujdestari janë paguar vetëm për janarin e 2025’’, Ramadani: FSK është lënë pas dore

    ‘‘Ushtarët për kujdestari janë paguar vetëm për janarin e 2025’’, Ramadani: FSK është lënë pas dore

    Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se ushtarët e vendit janë ‘’lënë pas dore’’, dhe se, kjo gjë ‘’nuk guxon të vazhdojë’’.

    Ramadani, në postimin e tij të bërë në Facebook, ka shtuar se prioritet duhet të jetë siguria kombëtare, e ‘’jo lavdërimet nëpër media’’.

    ‘‘“Ministria, për punën e kujdestarive ka paguar pjesëtarët e FSK-së, vetëm për muajin janar 2025. …Shkaku i mos kompensimit të plotë ishte mungesa e buxhetit.” thotë ndër të tjera Raporti i Auditorit për vitin 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes.’’, ka shkruar në postimin e tij Ramadani.

    Postimi:

    Ushtarët e Kosovës të lënë pas dore. Kjo nuk guxon të vazhdojë. Mjaft më!

    Siguria kombëtare duhet të jetë prioriteti, jo lavdërimet nëpër media!

    “Ministria, për punën e kujdestarive ka paguar pjesëtarët e FSK-së, vetëm për muajin janar 2025.

    …Shkaku i mos kompensimit të plotë ishte mungesa e buxhetit.” thotë ndër të tjera Raporti i Auditorit për vitin 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes.

    S’po komentoj më shumë, përveç se krejt lavdërimet e tupanxhinjve politik rrëzohen për toke kur e sheh këtë gjetje të Auditorit.

    Sepse, kur ushtari detyrohet ta padisë në Gjykatë Qeverinë, s’kemi çka flasim për çështje tjera!

    Viti 2025 i ka pasur 12 muaj, jo veç 1 muaj!

  • Mungesa e vitaminës B12: Simptomat që nuk duhen neglizhuar

    Mungesa e vitaminës B12: Simptomat që nuk duhen neglizhuar

    Vitamina B12 është një lëndë ushqyese thelbësore që ndihmon në funksionimin normal të sistemit nervor, formimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe prodhimin e ADN-së.

    Megjithatë, rëndësia e saj shpesh nënvlerësohet derisa të shfaqet mungesa e saj, e cila mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore.

    Kur niveli i vitaminës B12 bie pak, simptomat mund të jenë të lehta ose të kalojnë pa u vënë re. Por nëse niveli mbetet i ulët për një periudhë të gjatë, mund të shkaktojë dëmtime të nervave.

    Mungesa e vitaminës B12 ndodh kur organizmi nuk ka sasi të mjaftueshme të kësaj vitamine për të prodhuar qeliza të kuqe të gjakut që funksionojnë siç duhet. Këto qeliza janë përgjegjëse për transportimin e oksigjenit në të gjithë trupin. Si pasojë, mund të shfaqen simptoma të ndryshme, përfshirë mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash në gishtat e këmbëve.

    Ekspertët rekomandojnë që personat që dyshojnë se mund të kenë mungesë të vitaminës B12 të konsultohen me mjekun, pasi diagnoza zakonisht konfirmohet përmes analizave të gjakut. Diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm janë shumë të rëndësishëm, pasi disa komplikime mund të bëhen të përhershme nëse gjendja lihet pa trajtuar.

    Çfarë e shkakton mungesën e vitaminës B12?

    Një nga shkaqet më të zakonshme është anemia pernicioze, një sëmundje autoimune ku sistemi imunitar sulmon qelizat e stomakut. Kjo ul prodhimin e një proteine të rëndësishme të quajtur “faktori intrinsik”, e cila është e domosdoshme për përthithjen e vitaminës B12.

    Pa këtë proteinë, organizmi nuk arrin ta përthithë vitaminën B12, pavarësisht se sa e pasur është dieta me ushqime që e përmbajnë atë.

    Trajtimi i mungesës së vitaminës B12 varet nga shkaku. Në shumicën e rasteve, pacientët trajtohen me injeksione të vitaminës B12 për të rikthyer nivelet normale në organizëm. Gjatë trajtimit mund të nevojiten analiza të tjera gjaku për të monitoruar përmirësimin.

    Simptomat e mungesës së vitaminës B12

    Mungesa e vitaminës B12 ose e acidit folik mund të shkaktojë një gamë të gjerë simptomash, të cilat zakonisht zhvillohen gradualisht dhe përkeqësohen nëse nuk trajtohen.

    Simptomat më të zakonshme përfshijnë:

    Frymëmarrje të shpejtë ose gulçim

    Dhimbje koke

    Probleme me tretjen

    Humbje të oreksit

    Rrahje të shpejta ose të çrregullta të zemrës

    Probleme me shikimin

    Lodhje dhe dobësi të vazhdueshme

    Diarre

    Gjuhë të skuqur ose të dhimbshme, ndonjëherë me ulçera në gojë

    Probleme me kujtesën, të kuptuarit dhe gjykimin

    Shenjat neurologjike që mund të shfaqen

    Edhe para se të zhvillohet anemia, mungesa e vitaminës B12 mund të ndikojë në tru dhe sistemin nervor, duke shkaktuar:

    Dobësi muskulore

    Mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash në duar dhe këmbë

    Probleme me ekuilibrin dhe koordinimin

    Ankth ose depresion të lehtë

    Konfuzion mendor

    Dëmtim të kujtesës

    Në raste të rënda, demencë

    Probleme me kontrollin e urinimit (inkontinencë)

    Mjekët theksojnë se njohja e hershme e këtyre simptomave dhe trajtimi në kohë mund të parandalojnë dëmtime afatgjata të sistemit nervor dhe komplikime të tjera serioze shëndetësore.

  • Zyrtarët neglizhentë i kushtojnë shtrenjtë buxhetit, çka gjeti ZKA në Mitrovicën e Veriut

    Zyrtarët neglizhentë i kushtojnë shtrenjtë buxhetit, çka gjeti ZKA në Mitrovicën e Veriut

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Mitrovicës së Veriut për vitin 2025. Edhe pse Auditore e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka dhënë një opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare dhe pajtueshmërinë, raporti nxjerr në pah një varg parregullsish financiare, dobësi në menaxhimin e pasurisë dhe një shkallë mjaft të ulët të realizimit të buxhetit.

    Në total, auditimi ka rezultuar me gjashtë rekomandime, prej të cilave dy janë të reja, dy pjesërisht të përsëritura dhe dy të përsëritura plotësisht nga viti paraprak.

    Realizimi i buxhetit në nivelin kritik prej 53%
    Gjatë vitit 2025, Komuna e Mitrovicës së Veriut kishte në dispozicion një buxhet final prej 6,151,761 €. Nga kjo shumë, institucioni ka arritur të shpenzojë vetëm 3,290,371 €, që paraqet një normë realizimi prej vetëm 53%.

    Sipas raportit të ZKA-së, kjo ngecje e theksuar ka ndodhur kryesisht në dy kategori kryesore ekonomike:

    Pagat dhe mëditjet: Nga 2,891,670 € të buxhetuara, janë shpenzuar vetëm 1,356,472 € (rreth 47%), për shkak të mosplotësimit të pozitave të parapara.
    Investimet kapitale: Nga 2,330,040 € në buxhetin final, janë realizuar vetëm 1,295,978 € (rreth 56%), si pasojë e moskontraktimit të projekteve sipas planifikimit.
    Në anën tjetër, komuna ka shënuar tejkalim drastik në mbledhjen e të hyrave vetjake jo-tatimore, duke inkasuar 202,047 € nga 106,157 € sa ishin planifikuar.

    Gabimet financiare dhe taksat e pallogaritura në urbanizëm
    Auditori ka identifikuar lëshime serioze administrative brenda Drejtorisë për Urbanizëm, të cilat i kanë kushtuar buxhetit komunal mijëra euro:

    Përllogaritja e gabuar e tarifës për leje ndërtimi: Për ndërtimin e një objekti banesor kolektiv me sipërfaqe prej 12,580 m², komuna ka aplikuar tarifa të gabuara në kundërshtim me rregulloren komunale në fuqi. Në vend të vlerës reale prej 38,621 €, janë inkasuar vetëm 20,883 €, duke shkaktuar një humbje direkte financiare prej 17,738 €.
    Mungesa e lejes mjedisore: Po për të njëjtin projekt me vlerë investive prej 3,774,180 €, Drejtoria për Urbanizëm nuk ka kërkuar pajisjen me Leje Mjedisore Komunale. Si rrjedhojë, nuk është faturuar dhe as inkasuar taksa prej 0.2% e vlerës së projektit, që kap shumën prej 7,548 €.
    Kaos me menaxhimin e pasurisë dhe mosndërtim i mekanizmave të kontrollit
    Një tjetër fushë ku janë evidentuar mangësi të rëndësishme është menaxhimi i pasurisë jo-financiare. Komuna ka dështuar të regjistrojë blerjet e pasurive nën 1,000 € në sistemin “e-pasuria”, duke nënvlerësuar pasurinë jo-kapitale për 68,288 €. Për më tepër, projektet e finalizuara që nga viti 2021 në vlerë prej 1,764,555 € vazhdojnë të mbeten të h窮ura si “investime në vijim”, duke pamundësuar amortizimin e tyre të rregullt.

    Gjithashtu, procesi i inventarizimit të fundvitit është kryer vetëm për administratën qendrore, duke anashkaluar plotësisht Drejtorinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit.

    Për sa i përket auditimit të brendshëm, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka dështuar sërish të themelojë Njësinë e Auditimit të Brendshëm (NJAB). Edhe pse ishte shpallur një konkurs, pozita nuk u plotësua për shkak të mungesës së interesimit nga kandidatët e kualifikuar.

    Menaxhmenti pajtohet pa vërejtje me gjetjet
    Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojevic, përmes një letre zyrtare të konfirmimit të datës 9 qershor, ka deklaruar se pajtohet plotësisht me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e prezantuara në këtë raport. Ai ka konfirmuar se brenda 30 ditëve do të dorëzojë një plan të detajuar veprimi për zbatimin e plotë të tyre.

  • Teuta Haxhiu rikthehet në Kuvend: Fitoren ua dedikoj qytetarëve!

    Teuta Haxhiu rikthehet në Kuvend: Fitoren ua dedikoj qytetarëve!

    Deputetja e zgjedhur nga radhët e Aleancës, Teuta Haxhiu ka shprehur mirënjohje për rikthimin e saj në Kuvendin e Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu iu drejtua qytetarëve se kjo fitore nuk është e saja, por e popullit.

    Më lejoni të shpreh mirënjohjen time më të thellë për secilin prej jush që besuat dhe trasuat rrugëtimin tonë të përbashkët, krah Aleancës dhe vizionit të saj kombëtar e shtetndërtues. Fitorja nuk është e imja, është 100% e juaja, prandaj publikisht me gjithë shpirt ua dedikoj JU, dhe zotohem se në çdo situatë do të jem pranë jush për të dëgjuar hallin dhe zërin tuaj, në mënyrë që të njëjtin ta përcjellë me përkushtim, ndershmëri dhe transparencë në Kuvendin e Kosovës. E bekuar nga Zoti, të jem njëra prej jush!”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • Pakënaqësitë në LDK, lajmërohet Paris Guri- Godet disa nga bashkëpartiakët e tij

    Pakënaqësitë në LDK, lajmërohet Paris Guri- Godet disa nga bashkëpartiakët e tij

    Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka goditur disa nga bashkëpartiakët e tij të cilët po kërkojnë reforma të brendshme në këtë subjekt politik.

    Guri me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se ata që po kërkojnë reforma në LDK, siç u shpreh ai, i dëgjon nëpër qoshe duke folur me pesimizëm për partinë.

    “Interesante se si, për tri palë zgjedhje radhazi, sapo përfundon procesi zgjedhor, më të zëshmit bëhen pikërisht ata që nuk i sheh askund gjatë fushatës. Nuk i sheh në terren, nuk i sheh në organizim, nuk i sheh në asnjë betejë politike. Përkundrazi, i dëgjoje nëpër qoshe duke folur me më shumë pesimizëm për LDK-në sesa vetë kundërshtarët tanë”, ka thënë ai.

    Guri thotë se LDK’ja u rrit “kur shumë të tjerë kishin zgjedhur vetëm të komentonin dhe të prisnin fundin e procesit për t’i bërë publike po ato komente”.

  • “I kërkoj falje prej zemre Thethit”, deputetja Koçeku reagon sërish: Ato ditë kam qarë ma shumë se kur m’ka vdekë baba

    “I kërkoj falje prej zemre Thethit”, deputetja Koçeku reagon sërish: Ato ditë kam qarë ma shumë se kur m’ka vdekë baba

    Deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, e cila në ditët e fundit është bërë protagoniste për largimin nga gjiri i Partisë Socialiste dhe për vendimin për të vijuar si deputete e pavarur, ka reaguar sërish në rrjetet sociale.

    Këtë herë ajo flet në lidhje me ngjarjet e vjetshme në Theth, ku IMT ndërmori një operacion të gjerë për shembjen e ndërtimeve pa leje. Ajo shprehet se në atë kohë ka qarë më shumë se kur ka humbur babain e saj.

    “I kërkoj falje prej zemre Thethit. Ajo ngjarje ka kenë ndër goditjet ma të mëdha emocionale që kam marrë n’jetën teme.

    Unë nuk kjaj, por njato ditë kam kja ma shumë se kur m’ka vdekë baba. Betohem në 7 shenjtorët që besoj ma shumë se tash kam me ju përfaqësue si duhet. S’ka me i fye kush ma ato male siç i kanë fye”, shprehet Koçeku.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Mitrovicë, rasti po hetohet

    Gjendet pa shenja jete një person në Mitrovicë, rasti po hetohet

    Një person është gjetur pa shenja jetë në banesën e tij.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 14:11 në rrugën “Agim Ramadani”, në Mitrovicë.

    Tutje bëhet e ditur se me rekomandim të prokurorit dhe kërkesën e familjarëve, trupi i pajetë i viktimës u është liruar familjarëve për ceremoni mortore.

    “Rr. Agim Ramadani, Mitrovicë 17.06.2026 – 14:11. Viktima mashkull kosovar, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij. Me rekomandim të prokurorit dhe kërkesën e familjarëve, trupi i pajetë i viktimës u është liruar familjarëve për ceremoni mortore”, thuhet në raport.

  • Tensione në Kuvend, Balla: Sali Berisha të sfidoj, dil sot në protestë

    Tensione në Kuvend, Balla: Sali Berisha të sfidoj, dil sot në protestë

    Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi ndaj fjalës së kryedemokratit Sali Berisha në Kuvend i cili kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe dorëheqjen e kryeministrit duke iu referuar kërkesave të protestuesve.

    Balla i kërkoi Berishës të dilte në protestë nëse mundej, raporton euronews.al

    “Më qesharaku këtu që flet për protestën është ky pelikani në foltore. Sali Berisha të sfidoj, dil sot në protestë po ta mbajti”, tha Balla.

  • Artan Behrami kërkon hetim për dyshimet mbi votat e diasporës

    Artan Behrami kërkon hetim për dyshimet mbi votat e diasporës

    Deputeti i zgjedhur Artan Behrami ka kërkuar nga Prokuroria që të zhvillojë një hetim të plotë lidhur me pretendimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave të diasporës.

    Behrami ka deklaruar se gjatë gjithë procesit ka pranuar ankesa nga numëruesit për zarfa të hapur, zarfa të dyshimtë dhe dyshime për mundësi manipulimi të votave.

    Ai ka ftuar të gjithë personat që kanë parë, verifikuar apo posedojnë informacione për parregullsi të mundshme që t’i raportojnë ato tek institucionet kompetente.

    Sipas tij, integriteti i procesit zgjedhor duhet të mbrohet dhe çdo dyshim duhet të sqarohet përmes një hetimi transparent.