ATV

Author: K.B.

  • Çmimi i naftës bie për 2 cent, zbret në 1 euro e 43 cent për litër

    Çmimi i naftës bie për 2 cent, zbret në 1 euro e 43 cent për litër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve të naftës për sot.

    Sipas njoftimit, çmimi për naftë është 1 euro e 43 centë për litër, teksa i benzinës 1 euro e 35 centë.

    Krahasuar me dje, nafta është 2 centë më lirë, teksa benzina 3 centë.

    Këto Këto çmime hyjnë në fuqi sot, në ora 10:00.

  • Sindikata e Policisë: Pezullimi i gradimeve ka krijuar pasiguri, procesi të rifillojë sa më shpejt

    Sindikata e Policisë: Pezullimi i gradimeve ka krijuar pasiguri, procesi të rifillojë sa më shpejt

    Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, e ka vlerësuar pezullimin e procesit të gradimit si një zhvillim të padëshiruar që ka ndikuar tek zyrtarët policorë dhe pritjet e tyre për avancim profesional.

    Ai ka theksuar nevojën që proceset e gradimit të jenë të rregullta, të parashikueshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Sipas Hotit, një nga problemet kryesore që ka çuar në situatën aktuale është mungesa e organizimit të testeve për gradim për një periudhë të gjatë, duke lënë pa mundësi avancimi disa gjenerata të zyrtarëve policorë.

    “Problemi kryesor mbetet periudha e gjatë gjatë së cilës nuk janë organizuar teste për gradim, çka ka ndikuar në disa gjenerata zyrtarësh që kanë mbetur pa mundësi avancimi. Kjo situatë është shoqëruar edhe me paqartësi procedurale, përfshirë anulimin e disa proceseve të mëhershme, gjë që ka krijuar pasiguri dhe perceptim negativ te zyrtarët policorë.”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.

    Ai ka paralajmëruar se pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin dhe zhvillimin profesional të zyrtarëve policorë, veçanërisht të atyre që prej vitesh presin avancim në karrierë.

    “Pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin e zyrtarëve policorë, veçanërisht tek ata që prej vitesh presin avancim profesional. Mungesa e mundësive për zhvillim në karrierë reflekton edhe në interesimin e përgjithshëm për profesionin, prandaj është e rëndësishme që proceset e gradimit të rikthehen sa më shpejt.”, theksoi ai.

    Lidhur me transparencën dhe meritokracinë në procesin e gradimit, Hoti ka vlerësuar se baza ligjore ekziston, por zbatimi praktik i saj kërkon përmirësime.

    “Sindika vlerëson se kriteret ligjore ekzistojnë dhe synojnë transparencë dhe meritokraci, megjithatë zbatimi i tyre në praktikë ka nevojë për përmirësim. Rishikimi i procedurave dhe respektimi i qartë i kalimit nga grada në gradë do të ndihmonte që procesi i gradimit të jetë më i drejtë dhe më i pranueshëm për të gjithë zyrtarët policorë.”

    Sa i përket hapave të mëtejmë, Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon rifillimin e procesit të gradimeve në të gjitha nivelet dhe organizimin e një konkursi të ri për gradën e Togerit.

    “Sindika rekomandon rifillimin sa më të shpejtë të procesit të gradimit për të gjitha gradat, duke filluar nga grada e Rreshterit e deri te grada e Kolonelit, në përputhje me Ligjin e Policisë së Kosovës dhe afatet kohore përkatëse. Po ashtu, kërkohet hapja e një konkursi të ri për gradën e Togerit, ku të gjithë Rreshterët e interesuar të kenë mundësi të aplikojnë. Pas këtij procesi, Sindikata vlerëson se duhet të vazhdojnë edhe gradimet për gradat e tjera, përmes një planifikimi të rregullt dhe në dialog të vazhdueshëm me menaxhmentin dhe institucionet përkatëse.”

    Hoti ka theksuar se pezullimi aktual duhet të shfrytëzohet si mundësi për riorganizimin e procesit dhe rikthimin e tij në një formë që garanton siguri juridike, transparencë dhe mundësi të barabarta për të gjithë zyrtarët policorë.

  • KQZ: 9 vendvotimet e mbetura do të rinumërohen gjatë paradites, sot përmbyllet procesi

    KQZ: 9 vendvotimet e mbetura do të rinumërohen gjatë paradites, sot përmbyllet procesi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot do të përmbyllet rinumërimi i vendvotimeve.

    Në njoftimin e KQZ’së theksohet se nëntë vendvotimet që kanë mbetur pritet të kryhen gjatë paradites.

    Sipas vendimit të KQZ-së, numri i vendvotimeve të rinumëruara, 185, përbën 7.41% të 2,498 vendvotimeve të rregullta, në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026.

    Numri i vendvotimeve, për të cilat KQZ vendosi që të rinumërohen, sipas komunave është si në vazhdim: Deçan (4 vendvotime, 8.33%); Gjakovë (10, 6.94%); Gllogoc/Drenas (5, 6.85%); Gjilan (9, 7.09%); Dragash (4, 7.02%); Istog (4, 6.67%); Kaçanik (3, 6.82%), Klinë (5, 8.06%); Fushë Kosovë (5, 8.06%); Kamenicë (3, 6.52%); Mitrovicë e Jugut (7, 7%); Leposaviq (2, 8%); Obiliq (3, 8.82%); Rahovec (5, 6.67%); Pejë (9, 6.67%); Poduejevë (7, 6.80%) Prishtinë (18, 6.87%); Prizreni (16, 6.90%); Skëndera (5, 7.04%), Shtime (3, 9.09%) Shtërpcë (2, 11.76%); Suharekë (6, 6.98%); Ferizaj (10, 6.85%); Viti (5, 8.06%); Vushtrri (6, 6.74%); Zubin Potok (2, 13.33%); Zveçan (2, 18.18%); Malishevë (5, 6.94%); Junik (1, 16.67%); Mamushë (1, 20%); Hani i Elezit (1, 9.09%); Graçanicë (3, 9.09%); Ranillug (1, 10%); Partesh (1, 14.29%); Kllokot (2, 25%) dhe Mitrovicë e Veriut (2, 9.52%).

    “Kjo masë kontrolli është paraparë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi”, theksohet në njoftim.

  • “Ja një verison …”, Komuna e Mitrovicës publikon gabimisht tekstin e ChatGPT-së në njoftim

    “Ja një verison …”, Komuna e Mitrovicës publikon gabimisht tekstin e ChatGPT-së në njoftim

    Komuna e Mitrovicës është kapur mat duke përdorur inteligjencën artificiale për shkrimin e postimeve zyrtare që publikohen në faqen e komunës.

    Në versionin e publikuar fillimisht për vizitën e nënkryetarit Enis Osmani dhe drejtoreshës së Shëndetësisë, Albina Kastrati Rama, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), shfaqej fjalia: “Ja një version i lajmit në stil institucional”.

    Më pas, në versionin e plotë të njoftimit të publikuar, është paraqitur vetëm përmbajtja lidhur me vizitën në QKMF.

  • Programet e reja në Kolegjin AAB vendosin standarde të reja në arsimin e lartë në rajon

    Programet e reja në Kolegjin AAB vendosin standarde të reja në arsimin e lartë në rajon

    Kolegji AAB këtë vit sjell një sërë programesh të reja studimi, duke u përgjigjur nevojave aktuale të tregut të punës dhe zhvillimeve të arsimit të lartë.

    Programet e reja përfshijnë Marketing Digjital dhe Inteligjencë Artificiale (BA), Kompjuterikë dhe FinTech (BSc), si dhe programe në fushën e shëndetësisë si Logopedi (BA), Teknik i Laboratorit (BSc) dhe Teknik Dentar (BSc).

    Këto programe janë dizajnuar me fokus në inovacion, aftësi praktike dhe përgatitje profesionale, duke kombinuar njohuritë teorike me eksperiencën praktike në laboratorë modernë dhe mjedise bashkëkohore mësimore. AAB mbetet e përkushtuar në zhvillimin e vazhdueshëm të programeve studimore, duke ndërtuar ura të forta mes arsimit dhe tregut të punës, si dhe duke krijuar mundësi reale për karrierë dhe zhvillim profesional për studentët.

    Apliko online: https://applyonline.aab-edu.net/

    Tel: 048-999-006

  • Kush hyri në Kuvend e kush mbeti jashtë nga kandidatët që Vjosa Osmani i mori në listën e LDK-së

    Kush hyri në Kuvend e kush mbeti jashtë nga kandidatët që Vjosa Osmani i mori në listën e LDK-së

    Vjosa Osmanit ishte në ditët e fundit të mandatit të saj si presidente e vendit dhe pa se aleati i saj i dikurshëm, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk e donte më në atë pozitë.

    Pasi i përfundoi mandati zyrtarisht në fillim të prillit, ajo vendosi të kthehej të garonte në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e saj të dikurshme.

    Osmani ishte shumë aktive. Pasi zyrtarizoi “kthimin në shtëpi” dhe kandidaturën për Presidente në listën zgjedhore të LDK-së, ajo mori me vete tre zyrtarë që kishin qenë deputetë në grupin parlamentar të LVV-së, si dhe afroi emra të tjerë të rinj që iu bashkuan asaj.

    Vetë Osmani, e cila i priu listës së LDK-së, ka marrë 92,236 vota.

    Por, nga rreth 10 persona që ajo i mori me vete në garë zgjedhore, vetëm Albena Reshitaj ka arritur të marrë mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur deputete. Sipas të dhënave të KQZ-së, ajo ka marrë 19,614 vota.

    Ish-deputetja e grupit parlamentar të LVV-së, e kishte lënë Guxo-n për t’iu bashkuar Osmanit me numrin 7 në listë.

    Të njëjtin sukses nuk e patën ish-deputetët Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli, të cilët gjithashtu iu bashkuan Osmanit në LDK.

    Jeta Statovci për pak nuk arriti të futej në Kuvend, pasi numërimi i votave me postë ia hoqi LDK-së një mandat. Ajo ka marrë 15,874 vota.

    Haxhi Avdyli ka marrë 8,110 vota, duke mbetur gjithashtu jashtë Kuvendit.

    Edhe emra të tjerë që iu bashkuan Osmanit në LDK në këto zgjedhje, nuk arritën të zgjidheshin deputetë. Ndër ta, Fahrije Hoti, Arjeta Musliu, Bardhyl Hasanpapaj, Visar Xani, Besim Kodra, Brikena Muharremi, Kreshnik Çollaku e Lulzim Zeneli.

  • Zbulohen dështimet në MINT: Pagesë e dyfishtë për “Vetura me qira” dhe miliona euro në konteste

    Zbulohen dështimet në MINT: Pagesë e dyfishtë për “Vetura me qira” dhe miliona euro në konteste

    Raporti vjetor i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ka zbuluar parregullsi dhe dobësi në procesin e pranimit të faturave dhe ekzekutimit të pagesave në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqej nga Rozeta Hajdari.

    Raporti mes tjerash thekson se, në disa raste, faturat janë pranuar dhe protokolluar pa raport të pranimit të punëve apo dokumentacion mbështetës, në kundërshtim me Rregulloren Financiare Nr. 01/2013, e cila kërkon kontroll të plotë të brendshëm dhe verifikim para pagesës.

    Ndër rastet e përmendura është kontrata “Ndërtimi i Infrastrukturës në Parkun Industrial 2 – Parku i Përgjithshëm Drenas”, ku një faturë në vlerë 170,284 euro është pranuar pa raport të pranimit të punëve.

    “Për kontratën “Ndërtimi i Infrastrukturës në Parkun Industrial 2 – Parku i Përgjithshëm Drenas”, MINT përmes menaxherit të kontratës, me datë 09.12.2025 kishte pranuar dhe protokolluar faturën në vlerë 170,284€ për situacionin IV të punimeve pa raport të pranimit të punëve (fatura ishte raportuar si obligim i papaguar në PFV). Për më tepër, për këtë kontratë MINT më 13.10.2025 kishte pranuar një vendim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit që kërkonte anulimin e kësaj kontrate. Kontrata nuk ishte anuluar pasi MINT kishte ushtruar padi në gjykatën për vendosjen e masës së sigurisë dhe pezullimin e vendimit. Kërkesa e ministrisë për pezullim të ekzekutimit të këtij vendimi (vendosjes së masës së sigurisë), ishte refuzuar edhe nga Gjykata Themelore dhe e Apelit. Kontesti në lidhje me këtë kontratë ende vazhdon deri sa ne jemi në auditim (prill 2026)”.

    Po ashtu, në të është përmendur edhe një vendim i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që kishte kërkuar anulimin e kontratës, e cila më pas është kontestuar në gjykatë.

    Në një rast tjetër, për kontratën “Ndërtimi i infrastrukturës në parkun industrial Opterushë”, një faturë në vlerë 28,057 euro është pranuar pa raport të pranimit të punëve, ndërsa kontrata më vonë është shkëputur njëanshëm. Sipas raportit, operatori ekonomik ka pasur një borxh ndaj ministrisë në vlerë 14,049 euro, ndërsa rasti është në kontest gjyqësor.

    “Për kontratën “Ndërtimi i infrastrukturës në parkun industrial Opterushë”, MINT në muajin mars kishte pranuar një faturë prej 28,057€ pa raport të pranimit të punëve nga menaxheri i kontratës dhe kjo faturë ishte prezentuar si obligim në PFV për vitin 2025. Në qershor të vitit 2025 MINT kishte shkëputur njëanshëm kontratën me Operatorin Ekonomik. Në raportin përfundimtar të përpiluar nga MINT për të konstatuar gjendjen lidhur me punët e kryera dhe pagesat e realizuara (përfshirë edhe penalet që ka aplikuar MINT për vonesa) ka rezultuar se OE i ka borxh MINT-it 14,049€. Për këtë kontratë OE kishte bërë padi në gjykatë dhe kemi një kontest të hapur”.
    Po ashtu, për kontratën “Ndërtimi i infrastrukturës në parkun industrial në Budrigë”, MINT ka humbur një kontest gjyqësor për shkak të menaxhimit jo të mirë të procesit të pranimit të faturave. Si rezultat, është ekzekutuar pagesa në vlerë 130,177 euro, përfshirë interesin dhe shpenzimet gjyqësore prej 17,951 euro.

    “Kontesti gjyqësor për faturën që ndërlidhet me kontratën “Ndërtimi i infrastrukturës në parkun industrial në Budrigë”, në vlerë 112,226€ ishte humbur nga ana e MINT si rezultat i menaxhimit jo të mirë të procesit të pranimit të faturave. Siç është elaboruar edhe në raportin e auditimit të vitit paraprak kontesti i mospagesës së faturës nga MINT ishte kërkesa që OE të ndryshojë datën e faturës pasi që pranimi i punëve ishte bërë nga komisioni pesë muaj pas pranimit të kësaj fature. Për ekzekutimin e pagesës, operatorit ekonomik i është kërkuar të anulojë faturën fillestare dhe të lëshojë një faturë të re vetëm me ndryshimin e datës së faturës. OE kishte refuzuar anulimin e faturës fillestare me arsyetimin se i ka deklaruar librat e shitjes në ATK dhe ka iniciuar procedurë gjyqësore për arkëtim të borxhit. Si pasojë, në mars të vitit 2025 është ekzekutuar pagesa përmes vendimit gjyqësor të kësaj fature në vlerë 130,177€, pra duke paguar shpenzime shtesë të interesit dhe gjykatës në vlerë 17,951€”.

    Raporti përmend edhe rastin e kontratës “Vetura me qira”, ku një faturë në vlerë 706 euro është ekzekutuar përmes urdhrit përmbarimor, ndërsa më pas është paguar edhe një herë nga Thesari, pa u kthyer ende mjetet nga operatori ekonomik.

    “Për kontratën “Vetura me qira”, përmes urdhër përmbarimor Ministria kishte ekzekutuar pagesën e një fature në vlerë 706€ (përfshirë shpenzimet e interesit). E njëjta faturë ishte ekzekutuar më vonë edhe nga Thesari. Ministria kishte njoftuar Thesarin për këtë rast, por ende nuk ishin ndërmarrë masa për kthim të mjeteve nga operatori ekonomik”.

    ZKA konstaton se këto mangësi janë rezultat i mungesës së kontrolleve efektive, protokollimit të faturave pa dokumentacion të plotë dhe komunikimit të dobët ndërmjet departamenteve, gjë që ka shkaktuar kosto shtesë buxhetore dhe konteste të vazhdueshme gjyqësore.

    “Këto mangësi kanë rezultuar në kosto shtesë për buxhetin e Ministrisë, konteste në proces si dhe rritje të mundësisë potenciale për konteste të reja gjyqësore me OE”.
    Në fund, raporti rekomandon forcimin e kontrolleve të brendshme për të siguruar që faturat të pranohen dhe procedohen vetëm pas verifikimit të plotë të punëve dhe dokumentacionit përkatës, si dhe shmangien e pagesave të gabuara dhe rikthimin e mjeteve të paguara padrejtësisht. /Klankosova.tv

  • MINT nën llupën e auditimit, 29 pozita me ushtrues detyre – 3 në kundërshtim me ligjin

    MINT nën llupën e auditimit, 29 pozita me ushtrues detyre – 3 në kundërshtim me ligjin

    Zyra Kombëtare e Auditimit në dokumentin e publikuar “Raporti i Auditimit Për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vitin 2025” ka gjetur se në tri raste zyrtarët e kësaj ministrie ishin duke e ushtruar pozitën si zëvendësues për një periudhë prej 30-36 muaj.

    Sipas këtij raporti, në të dhënat e pranuara nga departamenti i burimeve njerëzore, MINTI mbante 29 pozita me vendime për ushtrues detyre/zëvendësim.

    Raporti i referohet Ligjit Nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për zyrtarët pubikë, përkatësisht neni 9, paragrafi i 4 që përcakton se pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyrë për më gjatë se një periudhë prej dy viteve.

    “Sipas Ligjit Nr. 08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, përkatësisht neni 9, paragrafi 4 përcaktonë se pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se një periudhë prej dy (2) viteve”, thuhet në raportin e ZKA-së.
    Gjetjet e ZKA-së theksojnë se vendimet për caktim si zëvendësues për zyrtarët në fjalë janë marrë në vitin 2023 mbi bazën e një legjislacioni që tashmë është shfuqizuar si dhe nuk ishin bërë harmonizimet me kornizën e re ligjore, përkatësisht me Ligjin për zyrtar publik (Ligjin bazik 08/L-197 dhe Ligjin 08/L-294 për ndryshime dhe plotësime të ligjit bazik).

    “Për më tepër, vendimet për caktim si zëvendësues për zyrtarët në fjalë, janë marrë në vitin 2023 mbi bazën e një legjislacioni tashmë të shfuqizuar si dhe nuk ishin bërë harmonizimet me kornizën e re ligjore, përkatësisht me Ligjin për zyrtar publik (Ligjin bazik 08/L-197 dhe Ligjin 08/L-294 për ndryshime dhe plotësime të ligjit bazik)”, thuhet në raport.

    Ky raport potencon se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre për një kohë më të gjatë se afati i paraparë ligjor rrezikon që pozitat e ndryshme të mbahen nga zyrtarë që nuk i përmbushin kriteret e kërkuara për pozitat adekuate.

    “Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre për një kohë më të gjatë se afati i paraparë ligjor rrezikon që pozitat e ndryshme të mbahen nga zyrtar që nuk i përmbushin kriteret e kërkuara për pozitat adekuate”.

    Raporti rekomandon që ministrja duhet të sigurojë që po ndërmerren të gjitha veprimet ligjore për plotësimin e pozitave të lira të punës dhe të evitojë mbajtjen e pozitave të rregullta me ushtrues detyre përtej afatit të lejuar ligjor.

    Klikoni KËTU për ta parë të plotë raportin.

  • Gjendet i vdekur në qeli një i burgosur në Dubravë

    Gjendet i vdekur në qeli një i burgosur në Dubravë

    Një i burgosur në Qendrën Korrektuese të Dubravës është gjetur i vdekur.

    Kjo është bërë e ditur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve. Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur sot në Pavijonin D, ku janë të vendosur personat me nevoja të veçanta.

    “Menjëherë pas evidentimit të rastit, zyrtarët korrektues dhe personeli mjekësor kanë reaguar me urgjencë, duke ofruar ndihmën e parë dhe duke e transportuar të burgosurin për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës.

    Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit korrektues dhe personelit shëndetësor, i burgosuri nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

    Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent, ndërsa SHKK-ja dhe DSHB-ja kanë bërë të ditur se janë iniciuar procedurat hetimore dhe administrative për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

  • Klepto, Ledri Vula, Lumi B, Capital T dhe Mc Kresha vijnë me këngën e re “Live it Up”

    Klepto, Ledri Vula, Lumi B, Capital T dhe Mc Kresha vijnë me këngën e re “Live it Up”

    Një duet i madh muzikor ka bashkuar disa nga emrat më të njohur të skenës hip-hop, duke sjellë një projekt që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut.

    Artistët Klepto, Ledri Vula, Lumi B, Capital T dhe Mc Kresha kanë publikuar këngën e tyre më të re të titulluar “Live it up”, e cila vjen e shoqëruar edhe me videoklip.

    Ky bashkëpunim konsiderohet si një nga projektet më të forta muzikore të momentit, duke bashkuar disa prej emrave më të suksesshëm të industrisë muzikore shqiptare në një këngë të vetme.

    Secili prej artistëve ka sjellë stilin e tij karakteristik, duke e bërë projektin të veçantë dhe dinamik.

    Për tekstin e këngës janë kujdesur vetë artistët pjesëmarrës, Klepto, Ledri Vula, Lumi B, Capital T dhe Mc Kresha, duke kombinuar ide dhe stile të ndryshme muzikore në një prodhim të përbashkët.

    “Live it up” pritet të ketë sukses të madh në platformat muzikore dhe rrjetet sociale, duke qenë se bashkon disa nga figurat më të dëgjuara të hip-hopit shqiptar në një projekt të vetëm.

    Me të lansuar, ky projekt ka marrë vlerësime pozitive nga fansat e publiku.