ATV

Author: K.B.

  • Këndoi në dasmën e Dua Lipës, flet Besnik Qaka: Ishte gjigante

    Këndoi në dasmën e Dua Lipës, flet Besnik Qaka: Ishte gjigante

    Besnik Qaka ka qenë së fundmi i ftuar në “Kampionët e Botës” me Marina Vjollcës.

    Duke qenë se vetëm pak ditë më parë këndoi në dasmën e Dua Lipës, ai është pyetur më shumë rreth kësaj pjese.

    “Besniku ka kënduar për një orë në dasmën e Dua Lipës, të gjithë artistët botëror që kanë qenë aty kanë kënduar e kanë kërcyer këngët shqiptare nga zëri yt i mrekullueshëm, Besnik super komplimente. Si ishte ndjesia”, iu drejtua prezantuesja e programit.

    “Super, jemi kënaqur, e kemi shijuar ka qenë një dasmë gjigante kemi performuar para gjithë njerëzve eminentë që i kemi pasur aty”, tha ai.

    I ftuar special për të kënduar ishte këngëtari Sinan Vllasaliu, i cili u aksidentua me motor vetëm pak ditë para ceremonisë.

    Kjo bëri që të kryente një ndërhyrje, ndërsa po vazhdon me rikuperimin.

    Artistja shqiptare me famë botërore u martua me Callum Turner në Sicili të Italisë, në një festë tre-ditore.

  • Vasfije Krasniqi-Goodman: Për mua nuk do të ketë qetësi shpirtërore, pa pasur drejtësi

    Vasfije Krasniqi-Goodman: Për mua nuk do të ketë qetësi shpirtërore, pa pasur drejtësi

    E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman është emocionuar gjatë fjalimit që ka mbajtur në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt.

    Ajo, ka thënë se ndryshimi për ta thyer heshtjen ka nisur qysh në vitin 2018.

    Ndërsa, ka treguar se vetëm një pas dhunimit është drejtuar për në shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të kërkuar mbrojtje situata e njëjtë mos t’i ndodhë prapë.

    “Unë sot jam këtu, sikur isha dje dhe sikur isha me 16 tetor 2018, kur rrugëtimi im për të raportuar këtë krim ka ndodhur qysh më herët. Qysh shumica prej juve besoj se keni dëgjuar që dhuna seksuale po ndodh në Kosovë. Qysh një ditë pas dhunimit unë raportova në shtabin e UÇK-së, jo për të kërkuar drejtësi, po për të kërkuar siguri që të më mbrojnë që mos të më ndodhë më prapë. Është vështirë të flasësh për këtë temë, për drejtësi, për stigmën, për statusin, pas gjithë atyre fjalimeve Kurse në letër ligjet e Kosovës dalin shumë mirë, edhe për të ardhë koha të marrin mësim nga Kosova po dalim mirë. Por në realitet nuk është ashtu. Qysh në 2012-ën kur shteti im ma mohoi mu drejtësinë, e tash kemi dalë me folë e me thonë që kjo kauzë ka nisë qysh më herët. Jo, të flasim realitetin, se ndryshimi për drejtësi ka ndodhur ditët e fundit. Ndryshimi për me thy stigmën, heshtjen, ka ndodhur qysh në 2018-ën”, tha Krasniqi.

    Krasniqi-Goodman, tha se duhet pranuar edhe kritikat që nuk është bërë mjaftueshëm për arritjen e drejtësisë lidhur me krimet për dhunën seksuale që ka bërë Serbia.

    “Sidoqoftë ne duhet t’i falënderojmë secilën e secilin person që ka bërë diçka për këtë kauzë, qysh nga organizatat që janë marrë me këtë punë , prej mbarimit të luftës të ‘99-es, edhe secilin person e deputet që kanë ngritur dorën që kjo ligj të kalohet. Por ne duhet t’i pranojmë edhe kritikat që nuk është bërë mjaftueshëm. Sepse kjo në të vërtetë për mua nuk do të ketë kurrë qetësi shpirtërore pa pasur drejtësi, sepse drejtësia na mungon, jo vetëm njohja e statusit, duhet bërë ndryshime se me të vërtetë për mua nuk do të ketë kurrë qetësi shpirtërore pa pasë drejtësi, sepse drejtësia na mungon, jo vetëm njohja e statusit. Unë, nga këtu u bëj thirrje, secilën viktimë që të raportojnë këto raste, sepse nuk është vonë për të kërkuar drejtësi, por po ashtu edhe për njohjen e statusit. Edhe pse ne jemi falënderues ndaj shtetit tonë që e ka filluar këtë komision e këtë një lloj pensione siç po i quajnë, por ajo i takon Serbisë për të paguar për krimet dhe dëmet që i ka shkaktuar në Kosovë. Lus viktimat që të ndihen të sigurta sepse çdo rast, çdo histori është e mbrojtur me ligj, edhe të dhënat e juaja janë të mbrojtura kështu që ju bëj thirrje që të kërkoni drejtësi edhe të aplikoni për njohjen e statusit”, tha Krasniqi.

  • KQZ mbylli procesin e numërimit – Kush mori më shumë e kush më pak në këto zgjedhje

    KQZ mbylli procesin e numërimit – Kush mori më shumë e kush më pak në këto zgjedhje

    Ditën e djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin e numërimit të votave nga zgjedhjet e së dielës të 7 qershorit. Të fundit që u numëruan ishte votat e personave me nevoja të veçanta, dhe ato me Kusht.

    Paraprakisht ishin numëruar ato me postë, nga përfaqësitë diplomatike dhe ato të vendvotimeve në Kosovë.

    Tashmë, nga 100% e votave të numëruara, përveç rezultatit të partive, dihen edhe kandidatët që kanë siguruar ulëse në Kuvend.

    Kësisoj partia fituese Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë 47.13% ose, 382,868 Vota, duke siguruar 53 mandate.

    Partia Demokratike e Kosovës, është radhitur e dyta me 19.44% ose, 157,893 Vota ka marrë 22 ulëse në Kuvend.

    E treta radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% ose, 135,559 Vota me 18 ulëse.

    Parti e katërt, është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me 6.74% ose, 54,731 Vota, përkrahje e cila përkthehet me 7 ulëse.

    Në këto zgjedhje, tek partitë ka pasur lëvizje në përqindje të votave, si dhe, në ulëset në parlament. Kështu, VV’ja në këto zgjedhje, ka mbi 100 mijë vota më pak për dallim nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, ose, 4 deputetë më pak.

    PDK, ka 50 mijë vota më pak, megjithatë, ruan numrin e njëjtë të deputetë me atë të 28 dhjetorit, 22 ulëse.

    LDK ka rreth 10 mijë vota më shumë për dallim nga zgjedhjet e kaluar, dhe, merr 3 deputetë më shumë.

    Ngritje ka pasur edhe AAK’ja, e cila në këto zgjedhje ka marrë 1 deputetë më shumë.

    Ndryshe, lidhur me zgjedhjet e 7 qershorit, KQZ ka marrë vendim për të rinumëruar fletëvotimet e 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat paraprakisht janë numëruar në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky numër përbën 7.41% të vendvotimeve nga gjithsej 2,498 vendvotime të rregullta në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026. Rinumërimi i këtyre vendvotimeve është paraparë të nis mëngjesin e sotëm.

  • Edmond Lajçi i kërkon falje familjes së Gjyljeta Ukellës: Kam qenë nën ndikimin e barnave

    Edmond Lajçi i kërkon falje familjes së Gjyljeta Ukellës: Kam qenë nën ndikimin e barnave

    Edmond Lajçi, i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella, ka kërkuar falje gjatë deklarimit të tij, duke thënë se nuk ka qenë në gjendje të vetëdijshme gjatë ngjarjes.

    “Dua t’i kërkoj falje të sinqertë familjes, kam qenë nën ndikimin e barnave, nuk kam qenë vetvetja. Ju kërkoj falje juve dhe krejtve këtu, si dhe fëmijëve,” tha Lajçi.

    Rasti i tij po trajtohet në Gjykatën Supreme, pasi më parë është dënuar në shkallë të parë dhe të dytë me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij në Pejë.

    Më herët, vëllai i Gjyljeta Ukellës, Shpati foli para Gjykatës Supreme në seancën ndaj Edmond Lajçit, i dënuar në shkallë të parë dhe të dytë me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.

    Gjatë seancës, vëllai i Ukellës shprehu dhimbjen e vazhdueshme pas humbjes së motrës, duke kërkuar burgim të përjetëshëm për Edmond Lajçin.

  • Përmbyllja e numërimit, Kurti uron partitë për rezultatet: Tani është jetike të kemi kuvend, qeveri e president të zgjedhur

    Përmbyllja e numërimit, Kurti uron partitë për rezultatet: Tani është jetike të kemi kuvend, qeveri e president të zgjedhur

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një video-adresimi ka reaguar lidhur me përmbylljen e numërimi të votave të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Kurti, në adresimin e tij, ka uruar të gjithë kandidatët që kanë marrë votat për të bërë deputetë, si dhe, partitë e tjera për rezultatet e arritura.

    Kurti, ka thënë edhe se, me rezultatin e këtyre zgjedhjeve është ‘’dëshmuar’’ se zgjedhjet kanë qenë të panevojshme dhe se prej tyre ‘’nuk erdhi ndonjë rezultat aq ndryshe’’.

    ‘’LVV doli subjekti i parë politikë me rezultat të qartë prej 47.13% me gjithsej 53 ulëse në Kuvend. Vazhdojmë të jemi subjekti më i madh në vend e Kuvend. Dhe edhe njëherë përfaqësojmë shumicën shqiptare në parlament. Kjo fitore e fuqishme që vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare, do të ishte e pamundur dhe e paimagjinueshme pa angazhimin e mijëra qytetarëve vullnetarë, anëtareve, aktivistëve të Lëvizjes që nuk u ndalën së angazhuari e takuari me qytetarë. I uroj të gjithë kandidatë që morën besimin qytetar për të qenë përfaqësues politik si deputetë të Kuvendit, sikurse uroj edhe subjektet opozitare për rezultatet e korrura. Ky rezultat zgjedhor, dëshmon atë që e thamë para se të hynim në këtë proces, se zgjedhjet ishin të panevojshme dhe prej tyre nuk erdhi ndonjë rezultat aq ndryshe nga zgjedhjet paraprake. Tash është koha të sillemi në përputhje me vullnetin qytetarë të shprehur në zgjedhje dhe rezultatin që ky proces ka prodhuar. Është jetike që sa më parë të kemi kuvend të konstituar, qeveri të re me mandat të plotë, dhe president apo presidente të zgjedhur. Presim certifikimin e zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja.’’, ka deklaruar Kurti ndër tjerash.

    Postimi i tij:

    Dje përfundoi procesi i numërimit të të gjitha votave. Ju falenderoj përzemërsisht për besimin e dhënë! Kjo fitore e fuqishme vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare brenda Repulikës dhe në mërgatë, si dhe angazhimit të mijëra qytetarëve vullnetarë, anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes që nuk u ndalën asnjëherë.

    Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, tregoi që nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja, sepse rezultati nuk ka ndryshuar dhe aq. Si VETËVENDOSJE! jemi rikonfirmuar si partia e parë, me 53 deputetë, dhe tash presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja, për të vazhduar punët e mira dhe projektet zhvillimore.

  • Në Bibliotekën Kombëtare promovohet përmbledhja poetike “Shtigje të Panjohuna – Nepoznate Staze” e diplomatit kroat

    Në Bibliotekën Kombëtare promovohet përmbledhja poetike “Shtigje të Panjohuna – Nepoznate Staze” e diplomatit kroat

    ë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua përmbledhja poetike “Shtigje të Panjohuna – Nepoznate Staze” e autorit Nedjeljko Špilek, Zëvendësambasador i Republikës së Kroacisë në Kosovë.

    Vepra, e përkthyer në gjuhën shqipe nga artisti Skënder Boshtrakaj, është botuar në gjuhën kroate dhe shqipe dhe synon të forcojë lidhjet kulturore dhe komunikimin ndërmjet dy popujve.

    Gjatë promovimit u theksua se letërsia dhe poezia shërbejnë si ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi kulturor ndërkombëtar. Aktiviteti u mbajt në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, vepër e arkitektit Andrija Mutnjaković, duke i dhënë ngjarjes një simbolikë të veçantë kulturore.

    Në aktivitet mori pjesë edhe zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, e cila vlerësoi rëndësinë e promovimit të bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Kroacisë.

  • Haxhiu thotë se nuk e ka parë thirrjen e SHBA-së për përfshirjen e Kosovës në projektin e gazit amerikan

    Haxhiu thotë se nuk e ka parë thirrjen e SHBA-së për përfshirjen e Kosovës në projektin e gazit amerikan

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk është në dijeni për thirrjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë lidhur me përfshirjen e Kosovës në projektin amerikan të gazit.

    E pyetur nga mediat, ajo është përgjigjur shkurt se nuk e ka parë këtë reagim.

    “Nuk e kam parë, nuk e kam parë”, tha shkurt Haxhiu.

    Disa ditë më parë, e ngarkuara më Punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati, përmes një editoriali, i ka bërë thirrje Kosovës që t’i bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Prattipati ka vlerësuar se Kosova duhet të veprojë shpejt për të shfrytëzuar këtë mundësi, duke theksuar se afati po mbaron.

    Ajo ka paralajmëruar se vonesat për marrjen e një vendimi të tillë, mund ta lënë Kosovën si të vetmen në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan.

    Ndërsa sot, nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se SHBA është e gatshme për të bashkëpunuar me industrinë energjetike amerikane dhe Qeverinë e Kosovës për një të ardhme të sigurt energjetike përmes diversifikimit të furnizimit me energji elektrike, ku përfshihet edhe Gazi i Lëngshëm Natyror (LNG)

    “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bashkëpunojnë me industrinë energjetike të SHBA-së dhe Qeverinë e Kosovës për të siguruar të ardhmen energjetike të Kosovës përmes diversifikimit të furnizimit me energji, duke përfshirë edhe LNG-në amerikane”, kanë thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Express.

  • Nën ndikimin e alkoolit, sulmoi dy familjarë – Policia arreston një person në Mitrovicën Veriore

    Nën ndikimin e alkoolit, sulmoi dy familjarë – Policia arreston një person në Mitrovicën Veriore

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se, ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale ‘’dhunë në familje’’.

    Rasti, njofton Policia, ka ndodhur në mesnatë në Mitrovicën Veriore, ku gjatë patrullimit, policia ka vërejtur një person që ka sulmuar dy të tjerë, një femër e një mashkull, ku edhe e kanë arrestuar të dyshuarin.

    ‘’ Gjatë intervistimit të viktimave është kuptuar se i dyshuari dhe viktimat janë në lidhje familjare. I dyshuari pas testit të alkoolit ka rezultuar se ishte nën ndikim të alkoolit me 1.06 promil alkool në gjak’’, thuhet në raport.

    Postimi:

    Policia arreston një person të dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”

    Mitrovicë Veri, 18 Qershor 2026

    Më datë 18.06.2026 rreth orës 00:20, njësia policore e Stacionit Policor në Mitrovicë Veri gjatë patrullimit në rrugën “Zoran Gjingjiq” kanë vërejtur se një person i gjinisë mashkullore ishte duke i sulmuar dy viktimat njëra e gjinisë femërore dhe tjetri i gjinisë mashkullore. Njësitë policore menjëherë e kanë arrestuar të dyshuarin dhe te gjitha palët e involvuara ne rast janë sjellë ne stacion policor për procedura policore, viktimat kanë refuzuar të dërgohen për tretman mjekësor.

    Gjatë intervistimit të viktimave është kuptuar se i dyshuari dhe viktimat janë në lidhje familjare. I dyshuari pas testit të alkoolit ka rezultuar se ishte nën ndikim të alkoolit me 1.06 promil alkool në gjak.

    Lidhur ma rastin është njoftuar Prokurori i shtetit dhe në koordinim me të është iniciuar rasti “Dhunë në familje” ndërsa i dyshuari është ndaluar në ndalim policor për 48 orë.

    Policia e Kosovës apelon që çdo rast i dyshuar i dhunës në familje të raportohet. Të gjitha rastet do të trajtohen me profesionalizëm dhe seriozitet, në përputhje me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së viktimave dhe parandalimin e dhunës.

    Qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes:

    📞 192 – numri emergjent

    📞 0800 19 999 – linjë pa pagesë

    📞 038/504 504 4800 – linjë pa pagesë

    📞 038/504 504 4801 – linjë pa pagesë

    📱 Aplikacioni “Lajmëro Policinë”

  • DASh: Të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për të siguruar të ardhmen energjetike, përfshirë gazin amerikan

    DASh: Të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për të siguruar të ardhmen energjetike, përfshirë gazin amerikan

    Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se bashkëpunimi në fushën e energjetikës është një prej shtyllave të bashkëpunimit ekonomik me partnerët evropianë.

    Kështu kanë thënë nga Washingtoni, të pyetur lidhur me kërkesën e ShBA-së që Kosova të lidhet me rrjetin e gazit amerikan dhe qëndrimin e Qeverisë Kurti për të mos ndërtuar rrjet të LNG-së brenda Kosovës por për t’u kyçur në centralin e Vlorës.

    Nga DASH thonë se bashkëpunimi në fushën energjetike rrit dhe sigurinë e Evropës.

    “Eksporti i energjisë amerikane është një shtyllë qendrore në bashkëpunimin tonë ekonomik me partnerët evropianë. Eksportet e energjisë amerikane forcojnë sigurinë energjetike në Evropë”, kanë thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Sa i përket Kosovës, nga DASH kanë thënë se SHBA është e gatshme për të bashkëpunuar me industrinë energjetike amerikane dhe Qeverinë e Kosovës për një të ardhme të sigurt energjetike përmes diversifikimit të furnizimit me energji elektrike, ku përfshihet edhe Gazi i Lëngshëm Natyror (LNG)

    “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bashkëpunojnë me industrinë energjetike të SHBA-së dhe Qeverinë e Kosovës për të siguruar të ardhmen energjetike të Kosovës përmes diversifikimit të furnizimit me energji, duke përfshirë edhe LNG-në amerikane”, kanë thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Gazetën Express.

    Kërkesa që Kosova t’i bashkohet rrjetit amerikan të gazit ka pasur edhe nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë. E ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane, Annu Prattipati, e ka bërë një gjë të tillë përmes një shkrimi autorial të botuar ditë më parë.

    Edhe zyrtari për çështje ekonomike në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Micah Savidge, ka thënë se Kosova rrezikon të humbasë mundësi të rëndësishme investimi, nëse nuk siguron furnizim të qëndrueshëm me energji.

    Ai ka kërkuar madje që Kosova të ndërtojë një central të gazit. Këto deklarime kanë ardhur pas qëndrimit të kryeministrit, Albin Kurti, se Kosova mund të lidhet në centralin e Vlorës dhe nga atje të importojë energji elektrike.

    Projekti i gazit amerikan kishte qenë temë edhe në vitin 2021 kur MCC kishte vendosur fonde në dispozicion që Kosova të lidhet me gazsjellësin amerikan. Megjithatë ai projekt nuk ishte përzgjedhur nga Qeveria Kurti dhe ishte vendosur që ato fonde të shpenzoheshin për projektin e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike.

  • Zyrtare: Ibrahima Konate, lojtar i ri i Real Madridit

    Zyrtare: Ibrahima Konate, lojtar i ri i Real Madridit

    Real Madridi ka njoftuar zyrtarizisht transferimin e mbrojtësit francez, Ibrahima Konate, i cili vjen si lojtar i lirë pas skadimit të kontratës me Liverpoolin.

    Klubi mbretëror ka zyrtarizuar tashmë edhe transferimin e tretë në këtë afat kalimtar, përveç trajnerit Jose Mourinho.

    I fundit që i është bashkuar Los Blancos është qendërmbrojtësi francez, Konate, i cili ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare.

    “Real Madrid CF dhe Ibrahima Konate kanë arritur një marrëveshje që ai të bëhet lojtar i Real Madridit për katër sezonet e ardhshme, deri më 30 qershor 2030”.

    Para mbrojtësit francez, Real Madridi ka zyrtarizuar edhe transferimin e Marc Cucurellas dhe Bernardo Silvas.

    Në listën e zyrtarizimeve të afërta është edhe ylli i Interit, Denzel Dumfries, teksa ka përparuar edhe në negociatat për transferimin e Enzo Fernandez nga Chelsea.