ATV

Author: K.B.

  • Rinumërimi i votave: PZAP-ja refuzon dy ankesat e Kryeziut dhe Haxhiut

    Rinumërimi i votave: PZAP-ja refuzon dy ankesat e Kryeziut dhe Haxhiut

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka refuzuar të dy ankesat e Partisë Demokratike të Kosovës.

    Në të parën, kandidati për deputet Qëndrim Kryeziu, ka kërkuar rinumërimin e plotë të votave të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.

    Sipas vendimit të PZAP-së kjo refuzohet si e pabazuar.

    “Refuzohet e pabazuar ankesa ZP. Anr. 53/2026 e parashtruar nga Qëndrim Kryeziu, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, paraqitur ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me seli në Prishtinë, lidhur me rinumërimin e fletëvotimeve në QNR, të kandidatëve për deputet të subjektit politik PDK, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës të mbajtura me datë 7 Qershor 2026”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, ankesa i është refuzuar edhe kandidatit tjetër nga PDK-ja, Bekim Haxhiu.

  • Zhduket djali 5-vjeçar i familjes Rahimi në Zvicër, kërkohet ndihmë për gjetjen e tij

    Zhduket djali 5-vjeçar i familjes Rahimi në Zvicër, kërkohet ndihmë për gjetjen e tij

    Familja kosovare Rahimi në Zvicër po përballet me një ngjarje të rëndë, pasi fjali i tyre 5-vjeçar, Tiani është zhdukur në lumin Reuss pas një aksidenti me varkë.
    Sipas njoftimit të familjes, ngjarja ka ndodhur të shtunën në Mühlau të kantonit Aargau, ku vogëlushi humbi në ujërat e lumit dhe ende akoma nuk është gjetur.

    Ndërsa sot shënohet dita e tretë e operacioneve të kërkimit, ekipet zyrtare të shpëtimit po vazhdojnë punën intensive në terren, ndërsa familja ka bërë një apel publik për ndihmë, duke ftuar të gjithë ata që kanë mundësi të bashkohen vullnetarisht në kërkimet për Tianin.

    “Me dhembje të madhe ju njoftojmë se familja Rahimi-Hyda po përballet me një ngjarje tepër të rëndë. Të shtunën, në Mühlau (Aargau, Zvicër), 5-vjeçari Tian Rahimi u zhduk në lumin Reuss pas një aksidenti me varkë dhe ende nuk është gjetur”, thuhet në njoftimin e familjes.

    Familjarët u bën thirrje qytetarëve që dëshirojnë të ndihmojnë në kërkime ose që mund të kenë informacione të rëndësishme lidhur me rastin, të kontaktojnë në numrat:

    +41 76 280 90 49,

    +41 78 880 28 87.

  • Inspektorati komunal i Malishevës apelon për respektim të orarit të grumbullimit të mbeturinave nga bizneset

    Inspektorati komunal i Malishevës apelon për respektim të orarit të grumbullimit të mbeturinave nga bizneset

    Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Malishevës u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të respektojnë me përpikëri orarin e grumbullimit të mbeturinave nga kompania “Eko Regjioni”.

    Sipas njoftimit zyrtar, shërbimi i grumbullimit të mbeturinave për bizneset në qytet realizohet dy herë në ditë, në orën 07:00 dhe 19:00, ndërsa subjektet ekonomike obligohen që t’i përmbahen këtij orari.

    Në njoftim theksohet se mbeturinat duhet të vendosen për grumbullim vetëm brenda orareve të përcaktuara dhe jo pas përfundimit të tyre.

    “Bizneset ose personat që hedhin mbeturina jashtë orarit të caktuar do të identifikohen nga Inspektorati Komunal dhe ndaj tyre do të ndërmerren masat ligjore të parapara, përfshirë shqiptimin e gjobave sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

    Inspektorati ka bërë të ditur se gjatë sezonit veror, menaxhimi i mbeturinave ndikon drejtpërdrejt në nivelin e pastërtisë dhe higjienës publike, duke paralajmëruar monitorim të vazhdueshëm në terren për zbatimin e këtij rregulli.

    Në fund, u është bërë thirrje të gjitha bizneseve që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë, rendit dhe mjedisit në qytetin e Malishevës.

  • Kosova kërkon qasje në arkivat e Brigadës së 37-të dhe rikthim të gërmimeve

    Kosova kërkon qasje në arkivat e Brigadës së 37-të dhe rikthim të gërmimeve

    Kosova ka kërkuar qasje në dokumentet e klasifikuara të Brigadës së 37-të të Motorizuar dhe rikthimin për gërmime në Batajnicë, duke i parë si test të përmbushjes së zotimeve të Serbisë të Deklaratës për Persona të Zhdukur. Ndërkaq, në kuadër të Komisionit të Përbashkët për persona të zhdukur Serbia ka kërkuar më shumë informata dhe hetime sidomos pas përfundimit zyrtar të luftës.

    Pala kosovare po pret qasje në dosjet e klasifikuara të Brigadës së Motorizuar, 37-të, të kohës së luftës, dhe kthimin për gërmime në Batajnicë, në mesin e kërkesave kryesore që ka paraqitur te Komisioni i Përbashkët për Persona të Zhdukur mes Kosovës e Serbisë.

    Ky Komision pritet të mblidhet sërish këtë muaj, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në takimin e tretë me radhë që nga themelimi i tij dhe pala kosovare insiston që këto dy kërkesa janë test nëse Serbia do të nisë ta zbatojë deklaratën e nënshkruar tri vite më parë e cila përfshin qasjen në arkiva.

    Kreu i Njësisë për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, Kushtrim Gara, ka thënë se qasja në arkivin e klasifikuar do të ndihmojë kërkimet për të zhdukurit nga maskarat e kryera nga kjo brigadë, në zonën e Drenicës, që në atë kohë komandohej nga gjenerali, Lubisha Dikoviq.

    “Shumë nga viktimat e masakrave Rezallë, Çikatovë e Vjetër e Zabel i Ulët të kryera nga kjo brigadë janë gjetur në Rashkë”, i ka thënë Gara Radio Kosovës.

    “Komplet arkivat e kësaj brigade janë riklasifikuar në vitin 2014, kur ne kemi qenë duke gërmuar në Rashkë, ku kjo brigadë e ka pasur bazën”, ka shtuar ai.

    Gara ka treguar se pala kosovare po kërkon të rikthehen gërmimet në Batajnicë ngase janë siguruar të dhëna të reja ku dyshohet të jenë një numër viktimash të zhdukura të luftës.

    “Në bazë të dhënave të reja që kemi siguruar dhe analizës së informacionit ne kemi konkluduar që në Batajnicë afër poligonit të stërvitjes duhet të jetë edhe një vend me 58 trupa të personave të zhdukurve”, ka thënë ai.

    Mes viteve 2001 e 2002, mbetjet e 744 viktimave u gjetën të varrosura në 9 gropa, ngjitur me poligonin e stërvitjes ushtarake në Batjnicë, afër Beogradit, qindra kilometra larg vendit ku u vranë.

    Zyra e ndërmjetësit të Bashkimit Evropian për Dialogun, Kosovë- Serbi, Peter Sorensen, i ka thënë Radio Kosovës se BE u “kërkon me ngulm palëve bashkëpunim dhe angazhim” në zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të vitit 2023. Gjithashtu është theksuar se Komisioni i Përbashkët “ofron një kornizë për të mbështetur këtë proces dhe për të adresuar çështjet praktike që lidhen me zbatimin”.

    Sipas Deklaratës për Persona të Zhdukur, obligimet e Kosovës, përfshijnë hetime të rasteve të personave të zhdukur, sidomos atyre pas përfundimit zyrtar të luftës.

  • Humbja e jetës së punëtorit në Prizren, policia jep detaje

    Humbja e jetës së punëtorit në Prizren, policia jep detaje

    Një punëtor ka humbur jetën paraditen e sotme në Prizren. Vinçi i rrëzuar në punishte ka zënë një punëtor në vendin e punës.

    Lidhur me këtë janë deklaruar edhe nga ana e Policisë së Kosovës.

    ‘’Sot, më datë 22.06.2026, rreth orës 09:00, Policia ka pranuar informatën se në ambulancën e lagjes Arbana në Prizren është dërguar pa shenja jete një person mashkull, rreth 26 vjeç.Njësitë policore kanë dalë menjëherë në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare të siguruara nga dëshmitarët, dyshohet se viktima, derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës, me ç’rast ka pësuar lëndime fatale dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes’’ ka thënë Shaqir Bytyqi- zëdhënës në Policinë e Kosovës për Rajonin e Prizrenit.

    Më tutje është bërë e ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar si dhe Inspektorati i Punës.

    Në koordinim me ta, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

  • Nis seanca në Apel ndaj Endrit Nikës, i dënuar me 18 vjet burgim për vrasjen e të dashurës

    Nis seanca në Apel ndaj Endrit Nikës, i dënuar me 18 vjet burgim për vrasjen e të dashurës

    Ka nisur seanca në Gjykatën e Apelit ndaj Endrit Nikës, i dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara në Fushë-Kosovë në vitin 2023.

    Gjykata e Apelit po shqyrton ankesat e paraqitura nga palët lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa gjatë seancës pritet që mbrojtja dhe Prokuroria e Shtetit të paraqesin argumentet e tyre.

    Endrit Nika ishte shpallur fajtor në shkallën e parë dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim për këtë rast. Vendimi i Apelit pritet të jetë vendimtar për fatin e mëtejmë të procesit gjyqësor.

  • Kampi “Enver Zymeri” do të renovohet, policia hap tender në vlerë rreth 16 mijë euro

    Kampi “Enver Zymeri” do të renovohet, policia hap tender në vlerë rreth 16 mijë euro

    Policia e Kosovës ka hapur një tender të ri për në kuadër të procedurave të prokurimit publik, për renovimin e kampit “Enver Zymeri”.

    Sipas dokumentit zyrtar afati për dorëzimin e ofertave është i hapur deri më 2 korrik 2026 ora 14:00.

    Autoriteti kontraktues ka bërë të ditur se procedura synon furnizimin e nevojshëm për funksionimin e rregullt të institucionit, në përputhje me standardet dhe kërkesat ligjore të prokurimit publik.

    Sipas dokumentacionit të publikuar, kontrata është e kategorisë së furnizimit dhe ka për qëllim sigurimin e materialeve të nevojshme për realizimin e punimeve renovuese në këtë qendër.

    Vlera e parashikuar e kontratës është 15 mijë e 927.50 euro, ndërsa projekti synon përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe funksionale të objektit.

    Dokumentet e tenderit tregojnë se kontrata nuk është e ndarë në pjesë, duke nënkuptuar se furnizimi do të realizohet si një tërësi.

    Operatorët ekonomikë të interesuar duhet të përmbushin një sërë kriteresh ligjore dhe profesionale, përfshirë dëshmitë nga Administrata Tatimore, Gjykata Themelore dhe dokumentacionin përkatës që vërteton regjistrimin e biznesit dhe statusin e TVSH-së.

    Po ashtu, operatori ekonomik që shpallet fitues do të jetë i obliguar të ofrojë siguri të ekzekutimit në vlerë prej 10 për qind të shumës së kontratës, në përputhje me kushtet e përcaktuara në dosjen e tenderit.

    Policia e Kosovës ka ftuar të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar që të shqyrtojnë dokumentacionin e tenderit dhe të paraqesin ofertat e tyre brenda afateve të parapara, në përputhje me rregullat dhe procedurat e prokurimit publik.

    Renovimi i këtij kampi ka ardhur pas raportimit në media për gjendje të rëndë të tij. Në disa media janë publikuar fotografi ku shihen dyer e dritare të thyera dhe pjesë të tjera të objektit tejet të dëmtuara, e ku zyrtarët policorë të Njësisë Speciale qëndrojnë gjatë punës së tyre.

  • Gazi amerikan, Kryeziu: Asnjë qeveri s’duhet të marrë e vetme vendime që përcaktojnë orientimin strategjik të Kosovës

    Gazi amerikan, Kryeziu: Asnjë qeveri s’duhet të marrë e vetme vendime që përcaktojnë orientimin strategjik të Kosovës

    Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka komentuar refuzimin e projektit amerikan të gazit nga qeveria.

    Ai ka bërë me dije asnjë qeveri nuk duhet të marrë e vetme vendime që mund të përcaktojnë orientimin energjetik, ekonomik dhe strategjik të Kosovës për dekada.

    Në profilin e tij në Facebook, Kryeziu ka shkruar se investimi strategjik në sektorin e gazit nga kompani amerikane nuk është thjesht një projekt ekonomik.

    “Pavarësisht legjitimitetit që buron nga vota, asnjë qeveri nuk duhet të marrë e vetme vendime që mund të përcaktojnë orientimin energjetik, ekonomik dhe strategjik të vendit për dekada. Investimi strategjik në sektorin e gazit nga kompani amerikane nuk është thjesht një projekt ekonomik. Ai prek sigurinë energjetike të Kosovës, zhvillimin afatgjatë ekonomik, sigurinë kombëtare, përfshirjen e vendit në iniciativa rajonale dhe partneritetin strategjik me SHBA-në”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

    “Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie, një vendim i tillë nuk duhet të kalojë pa debat të gjerë publik, pa transparencë të plotë dhe pa përfshirjen e komunitetit të biznesit, ekspertëve të fushës, shoqërisë civile, partive politike dhe aktorëve të tjerë relevantë”, ka shkruar Kryeziu.

  • Shenjat që paralajmërojnë se vuani nga gjëndra tiroide

    Shenjat që paralajmërojnë se vuani nga gjëndra tiroide

    Tiroidja është një gjëndër në formë fluture në pjesën e përparme të qafës. Ajo prodhon hormone që kontrollojnë shpejtësinë e metabolizmit. Problemet me tiroiden mund të ngadalësojnë ose përshpejtojnë metabolizmin duke ndërhyrë te prodhimi i hormoneve të tiroideve.

    Kur nivelet e hormoneve janë shumë të ulëta ose të larta, mund të përjetoni një sërë simptomash.

    Shtim ose rënie drastike në peshë: Një ndryshim i pashpjegueshëm në peshë është një nga shenjat më të zakonshme të çrregullimit të tiroides.

    Shtimi në peshë mund të sinjalizojë për nivele të ulëta të hormoneve të tiroides, një gjendje e quajtur hipotiroidizëm.

    Ënjtje në qafë: Ënjtja ose një gungë në qafë është një shenjë e dukshme që diçka nuk shkon mirë me tiroiden. Gunga mund të shfaqet si në rastin e hipertiroidizmit ashtu edhe hipotiroidizmit.

    Ndonjëherë ënjtja në qafë mund të shfaqet edhe për shkak të kancerit të tiroides ose nodujve, gjëndra që rriten brenda tiroides. Mund të jetë edhe për ndonjë shkak që nuk lidhet me tiroiden.

    Ndryshime në rrahjet e zemrës: Hormonet e tiroides prekin thuajse çdo organ në trup dhe mund të ndikojnë në shpejtësinë e rrahjeve të zemrës. Personat që vuajnë nga hipotiroidizmi kanë rrahje më të ngadalta zemre se zakonisht, shkruan Agroweb.

    Ndërsa hipotiroidizmi mund të shkaktojë përshpejtim të rrahjeve të zemrës. Mund të shkaktojë gjithashtu rritje të tensionit të gjakut dhe një ndjesi sikur zemra po del nga vendi.

    Ndryshime në humor: Çrregullimet e tiroides mund të kenë një impakt të dukshëm në gjendjen emocionale, humorin dhe sa energjikë jeni. Hipotiroidizmi i bën njerëzit të ndihen më të plogësht, më të lodhur dhe të stresuar. Ndërsa hipertiroidizmi mund të shkaktojë ankth, probleme me gjumin dhe nervozizëm.

    Rënie flokësh: Rënia e flokëve është një tjetër shenjë e mosbalancimit të hormoneve të tiroides. Si hipertiroidizmi ashtu edhe hipotiroidizmi mund të shkaktojnë rënie të flokëve. Në shumë raste flokët fillojnë të rriten sapo trajtohet sëmundja.

  • Dënohet me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë i akuzuari për shitblerje të narkotikëve

    Dënohet me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë i akuzuari për shitblerje të narkotikëve

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Bashkim Kolshit, duke e dënuar me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për shitblerje të narkotikëve. Akuza e ngarkon për transportimin e 180 kilogramëve kokainë.

    Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala dhe anëtarët Vesel Ismaili dhe Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykatësi Shala bëri të ditur se i akuzuari u shpall fajtor dhe u dënua me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndajra dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve e substancave psikotropike dhe analoge”. Kurse, u lirua nga akuza për veprën penale “Shpëlarja e parave”.

    Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

    Në shpallje nuk ishin të pranishëm i akuzuari Kolshi dhe as prokurori Kastriot Mema. Kurse, i pranishëm ishte mbrojtësi i Kolshit, avokati Kadri Mjekiqi.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 3 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Bashkim Kolshit, të cilin e akuzon për transportim të narkotikëve të llojit kokainë dhe shpëlarje parash.

    Kontrabandimin e narkotikut, aktakuza thotë se i pandehuri Kolshi e ka bërë me dhjetë dërgesa gjatë periudhës prill-maj-qershor 2019.