ATV

Author: K.B.

  • Rikthehet në funksion numri emergjent i QKMF-së në Obiliq

    Rikthehet në funksion numri emergjent i QKMF-së në Obiliq

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq ka njoftuar se është sanuar defekti teknik dhe se numri i emergjencës është rikthyer në funksion të plotë.

    Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët tashmë mund të kontaktojnë shërbimet emergjente në numrin 0800 11 043.

    Nga QKMF është bërë e ditur se gjatë kohës sa linja ka qenë jashtë funksionit, ekipet teknike kanë punuar për rikthimin e saj sa më shpejt në gjendje pune.

    Njëkohësisht, institucionet shëndetësore kanë falënderuar qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

    Po ashtu, është theksuar se shërbimet emergjente mbeten në dispozicion 24 orë në ditë për të gjitha rastet urgjente.

  • “Mos klikoni në linqe të dyshimta”, Policia apelon qytetarët për mesazhet mashtruese

    “Mos klikoni në linqe të dyshimta”, Policia apelon qytetarët për mesazhet mashtruese

    Policia e Kosovës, ashtu siç ka njoftuar edhe më parë lidhur me mesazhet mashtruese, njofton sërish qytetarët se është identifikuar një SMS tjetër mashtrues që po shpërndahet, përsëri kinse në emër të Institucioneve të Republikës së Kosovës, duke pretenduar rrejshëm se qytetarët kanë gjoba trafiku dhe duke kërkuar klikim në linqe të ndryshme.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Policia e Kosovës apelon qyetarët që të mos klikojnë në linqe të dyshimta.

    “Mos jepni të dhëna bankare apo personale. Mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve. Në rast se pranoni mesazhe të tilla: Fshijeni menjëherë, raportojeni tek autoritetet përkatëse, kontaktoni bankën nëse keni ndarë të dhëna, raportoni përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose telefononi në 192, qëndroni të kujdesshëm ndaj mashtrimeve online”, thuhet në njoftim.

  • 40 raste me fruth në Kosovë, IKShPK bën thirrje për vaksinim të fëmijëve

    40 raste me fruth në Kosovë, IKShPK bën thirrje për vaksinim të fëmijëve

    Kosovës Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 22 qershor 2026, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 40 raste të konfirmuara me fruth.

    Sipas të dhënave zyrtare nga IKShPK, shpërndarja e rasteve sipas komunave paraqitet si vijon: Ferizaj prin me 11 raste, Prishtina me 9, Kaçaniku me 6, Fushë-Kosova me 3, ndërsa Lipjani, Vushtrria, Shtime dhe Obiliqi kanë nga 2 raste secila. Gjithashtu, nga një rast është raportuar në Gjilan, Drenas dhe Deçan.

    IKShPK u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore në rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë dhe konjuktivit.

    “Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare. Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thotë IKShPK.

  • Pas dorëheqjes së Starmer, reagon Andy Burnham – Konfirmon kandidaturën për kryeministër të Britanisë

    Pas dorëheqjes së Starmer, reagon Andy Burnham – Konfirmon kandidaturën për kryeministër të Britanisë

    Kryeministri britanik Keir Starmer ka njoftuar se do të japë dorëheqjen si udhëheqës i Partisë Laburiste, por do të mbetet kryeministër i përkohshëm derisa të zgjidhet një kandidat i ri.

    Pas presionit në rritje brenda partisë për një ndryshim në udhëheqje, Starmer ka filluar procesin e përcaktimit të një afati kohor për dorëzimin e pushtetit.

    Largimi i tij vjen pasi ish- kryetari i bashkisë së Manchesterit, Andy Burnham , një favorit për të zëvendësuar Starmer, fitoi zgjedhjet lokale për të siguruar një vend në Dhomën e Komunave.

    “Çdo vendim që kam marrë ka qenë për të vënë vendin që dua në radhë të parë. Kjo është arsyeja pse do të jap dorëheqje”, tha Starmer.

    Burnham ka bërë thirrje për një tranzicion “të rregullt dhe të përgjegjshëm”, duke deklaruar: “Do të paraqitem si pjesë e këtij procesi”.

    “Keir i ka dhënë një shërbim të madh vendit tonë dhe dua ta falënderoj për udhëheqjen dhe përkushtimin e tij gjatë një periudhe kaq sfiduese. Vendimi i tij shënon fillimin e një tranzicioni dhe është e rëndësishme që ky proces të kryhet në një mënyrë të rregullt dhe të përgjegjshme. Unë do të paraqitem si pjesë e këtij procesi. Vendi pret stabilitet, seriozitet dhe një fokus të vazhdueshëm në çështjet që kanë më shumë rëndësi dhe kjo është ajo që do të marrë. Ndërsa ecim përpara, përparësia jonë duhet të jetë të punojmë së bashku për ta rikthyer vendin aty ku të gjithë duam të jetë. Njerëzit duan të shohin përparim në rritjen ekonomike, koston e jetesës, shërbimet publike, strehimin dhe mundësitë për brezin e ardhshëm. Ndryshimi politik nuk duhet të shkëpusë kurrë vëmendjen nga përgjegjësia për të përmirësuar jetën e njerëzve. Lëvizja Laburiste ka qenë gjithmonë në formën e saj më të fortë kur shikon përpara me besim dhe qëllim. Kjo është ajo që do të bëjmë nga këtu dhe do të sigurohemi që ky tranzicion të jetë një proces pozitiv ripërtëritjeje për partinë dhe vendin tonë”, deklaroi Burnham.

    Kryeministri i ri do të jetë udhëheqësi i shtatë i vendit në 10 vitet e fundit, pas David Cameron, Theresa May, Boris Johnson, Liz Truss, Rishi Sunak dhe Starmer.

  • ASK: Mbi 405 mijë përfitues nga shtesat për fëmijë në muajin maj

    ASK: Mbi 405 mijë përfitues nga shtesat për fëmijë në muajin maj

    Shtesat për fëmijë vazhdojnë të mbeten skema sociale me numrin më të madh të përfituesve në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Në statistikat e mirëqenies sociale për muajin maj 2026, bëhet e ditur se nga kjo skemë kanë përfituar gjithsej 405,935 persona, ndërsa vlera e mjeteve të shpërndara ka kaluar shifrën prej 14.7 milionë eurosh.

    Në po të njëjtin raport, pensionet bazike të moshës rezultojnë të jenë kategoria me shpenzimet më të larta në sistemin e mbrojtjes sociale.

    Sipas ASK-së, gjatë muajit maj, 166,985 pensionistë kanë përfituar nga kjo skemë, me një vlerë totale prej rreth 26.9 milionë eurosh.

    Ndërkohë, pensionet kontributpaguese të moshës janë përfituar nga 48,001 persona, ndërsa shuma e ndarë për këtë kategori ka arritur në rreth 12 milionë euro.

    Numër i lartë përfituesish është regjistruar edhe te pensionet e veteranëve, ku 39,417 persona kanë marrë mbështetje financiare në vlerë prej rreth 8 milionë eurosh.

    Sipas të dhënave të ASK-së, nga pensionet për personat me aftësi të kufizuara kanë përfituar 21,532 persona, me një shpenzim prej mbi 3.5 milionë euro.

    Në të njëjtën periudhë, 2,375 persona kanë përfituar pensione familjare, ndërsa 3,594 persona pensione për paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

    Të dhënat e muajit maj tregojnë vazhdimin e mbështetjes së gjerë sociale në vend, me shtesat për fëmijë dhe pensionet e moshës që mbeten kategoritë kryesore të përfitimit nga skemat sociale.

  • Bullgaria denoncoi Maqedoninë e Veriut në Këshillin e Evropës për djegien e automjeteve diplomatike

    Bullgaria denoncoi Maqedoninë e Veriut në Këshillin e Evropës për djegien e automjeteve diplomatike

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është paralajmëruar për “një seri sulmesh të vazhdueshme dhe shqetësuese ndaj institucioneve, organizatave dhe qytetarëve bullgarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, raportoi “BGNES”.

    Letra nga eurodeputetja Denica Saçeva drejtuar Presidentit Pablo Espan dhe anëtarëve të grupit EHP/HD PSSE u dërgua përpara sesionit veror të asamblesë, i cili zhvillohet nga 22 deri më 26 qershor në Strasburg.

    Në të, Saçeva thekson se djegia e dy makinave diplomatike përpara ambasadës bullgare në Maqedoni nuk mund të konsiderohet një rast i izoluar.

    Saçeva deklaron se incidenti nuk mund të konsiderohet i izoluar pasi është pjesë e një serie më të gjerë dhe shqetësuese sulmesh ndaj institucioneve, organizatave dhe qytetarëve bullgarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitet e fundit.

    Ajo kujtoi “sulmin ndaj Qendrës Kulturore Bullgare në Maqedoni në vitin 2023, vandalizmin ndaj Ambasadës Bullgare në janar 2026, zjarrvënien e Klubit Kulturor Ivan Mihajllov në Manastir dhe sulmin serioz ndaj Hristijan Pendikov, sekretarit të Klubit Kulturor Car Boris III në Ohër”.

    Saçeva theksoi se këto raste tregojnë një trend të vazhdueshëm dhe shqetësues armiqësie ndaj institucioneve, organizatave dhe qytetarëve bullgarë në Maqedoninë e Veriut. Ajo e lidhi situatën me retorikën negative kundër Bullgarisë dhe bullgarëve në disa nga debatet politike dhe publike, me reagimin e pamjaftueshëm ndaj gjuhës së urrejtjes dhe me mungesën e një parandalimi efektiv kundër atyre që janë përgjegjës për veprime të tilla.

  • Afat deri më 21 korrik, publikohen procedurat e aplikimit për subvencionet në bujqësi

    Afat deri më 21 korrik, publikohen procedurat e aplikimit për subvencionet në bujqësi

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka hapur zyrtarisht thirrjen për aplikim në kuadër të Programit të Pagesave Direkte 2026, i cili synon mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin e sektorit bujqësor në Kosovë.

    Afati për aplikim ka filluar më 22 qershor 2026 dhe do të zgjasë deri më 21 korrik 2026 në ora 16:00. Aplikimet dorëzohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse.

    Për të qenë përfitues të Pagesave Direkte 2026, fermerët duhet të ndjekin këto hapa:

    1. Të informohen për masën e mbështetjes

    Fermerët duhet të identifikojnë kategorinë në të cilën aplikojnë, si: Pagesa bazë për sipërfaqe të mbjella me drithëra, perime, pemishte, vreshta dhe kultura të tjera bujqësore; Pagesat rishpërndarëse për hektarët e parë të fermës dhe fermerët e rinj; Pagesat e lidhura me prodhimin për blegtori, bletari dhe kultura prioritare; dhe Eko-skemat për prodhim organik dhe praktika të qëndrueshme bujqësore.

    2. Të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm

    Dokumentet ndryshojnë sipas sektorit dhe kulturës bujqësore për të cilën aplikohet. Fermerët duhet të sigurojnë që dokumentacioni të jetë i plotë dhe të dorëzohet brenda afatit të përcaktuar.

    3. Të dorëzojnë aplikimin në Drejtorinë Komunale për Bujqësi

    Aplikimi bëhet fizikisht në Drejtorinë Komunale për Bujqësi të komunës ku ndodhet ferma apo aktiviteti bujqësor.

    4. Të raportojnë çdo ndryshim pas aplikimit

    Nëse pas dorëzimit të aplikimit ka ndryshime në: sipërfaqet e mbjella; numrin e kafshëve; sasinë e prodhimit të deklaruar; ato duhet të raportohen në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) përmes adresës elektronike [email protected] ose përmes një kërkese të protokolluar në arkivin e AZHB-së.

    Afati i fundit për raportimin e ndryshimeve në sipërfaqe është 30 korrik 2026.

    5. Të jenë të gatshëm për kontrollin në terren

    Pas përfundimit të aplikimit, ekipet e AZHB-së do të realizojnë kontrolle në terren për verifikimin e të dhënave të deklaruara. Çdo parregullsi e konstatuar mund të rezultojë me masa ndëshkimore sipas legjislacionit në fuqi.

    Personat juridikë që aplikojnë duhet të dorëzojnë: Certifikatën e regjistrimit të biznesit; Dëshminë e obligimeve të përmbushura ndaj ATK-së; Konfirmimin e xhirollogarisë bankare; Kopjen e letërnjoftimit të pronarit të biznesit.

    Fermerët që përfitojnë subvencione mbi 30 mijë euro janë të obliguar të aplikojnë si biznes.

    Po ashtu, subjektet juridike duhet të regjistrohen si furnitorë në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës (SIMFK) përmes platformës e-Kosova, në mënyrë që të realizohen pagesat.

    MBPZhR dhe AZHB u bëjnë thirrje të gjithë fermerëve që të aplikojnë brenda afatit të paraparë dhe të sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm sipas kategorisë për të cilën kërkojnë mbështetje financiare.

    Informata të detajuara për kriteret, dokumentacionin dhe masat mbështetëse mund të gjenden në faqet zyrtare të MBPZhR-së, AZHB-së dhe në Drejtoritë Komunale për Bujqësi.

  • Vdekja e të riut në vendin e punës në Prizren, Azemi: Situata alarmante, Inspektorati s’i mbikëqyrë të gjitha rrezikshmëritë

    Vdekja e të riut në vendin e punës në Prizren, Azemi: Situata alarmante, Inspektorati s’i mbikëqyrë të gjitha rrezikshmëritë

    Një i ri ka humbur jetën tragjikisht sot në vendin e punës në Prizren, pasi u aksidentua nga një pompë betoni gjatë kryerjes së detyrave të tij. Rasti ka ngritur sërish shqetësimet për sigurinë e punëtorëve në Kosovë, ndërsa Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se bëhet fjalë për viktimën e 13-të në vendet e punës që nga fillimi i vitit. Ai gjithashtu akuzoi edhe Inspektoratin e Punës për mosbikëqyrje.

    Azemi në një intervistë për Ekonomia Online tha se numri i rasteve fatale po vazhdon të rritet dhe se situata është alarmante.

    “Fatkeqësisht edhe sot duhet ta fillojmë këtë, po themi kështu, me vdekjen e një të riu, i cili vdiq në komunën e Prizrenit. I riu i cili kishte vetëm moshën 24-vjeçare, i cili u aksidentua nga një pompë betoni për të cilën ka qenë duke punuar në vendin e tij të punës. Po e përsëris, është rasti i 13-të që nga 1 janari deri më sot”, deklaroi Azemi.

    Sipas tij, përgjegjësia për këto raste bie si mbi kompanitë private, ashtu edhe mbi institucionet shtetërore që kanë për obligim mbikëqyrjen e kushteve të punës.

    “Arsyet pse po ndodhin këto janë se në rend të parë pronarët e kompanive nuk janë në nivelin e duhur, nuk janë duke menaxhuar ose nuk janë duke respektuar ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë. Përpos pronarëve të kompanive, normal që institucionet shtetërore, në veçanti ministria, në veçanti Inspektorati i Punës nuk po mundet dhe nuk po mund t’ia dalë me mbikëqyrjen e të gjitha rrezikshmërive në vendet e tyre të punës, dhe ka ardhur deri tek kjo, çka fatkeqësisht viti 2025 dhe ky vit 2026, sipas të gjitha gjasave do të jetë viti më fatkeq sa i përket vdekjeve të punëtorëve në vendet e tyre të punës”, u shpreh ai.

    Kreu i SPSPK-së theksoi se zgjidhja nuk kërkon masa të jashtëzakonshme, por respektim të ligjit dhe rritje të kujdesit nga të gjitha palët e përfshira.

    “Absolutisht nuk duhet të ketë ndonjë farë filozofie ose mençurie. Kjo krejt duhet të bëhet me respektimin e ligjit mbi sigurinë dhe shëndetin në punë, një vigjilencë jashtëzakonisht shumë të madhe të pronarëve të kompanive, por pak a shumë edhe të punëtorëve. Ndoshta nuk do të ishte eliminuar në tërësi, sepse edhe në vendet tjera të botës vdesin punëtorët, por jo në një numër kaq të madh sikurse po ndodh tek ne”, tha Azemi.

    Ai gjithashtu foli edhe për gjendjen sociale të familjes së viktimës, duke kërkuar mbështetje institucionale nga Qeveria e Kosovës.

    “Faktikisht, domethënë mund ta themi atë që edhe tani kemi problem, ta zëmë se ky punëtor ndoshta nesër nuk do të ketë mjetet e mjaftueshme për ceremoninë e varrimit dhe të të pamit. Andaj ne edhe kësaj radhe po e përsërisim kërkesën që kësaj familje duhet t’i ndihmohet në mënyrë zyrtare nga Qeveria e Kosovës”, shtoi Azemi.

  • Botërori thyen çdo parashikim: 2 milionë tifozë në stadiume pas 36 ndeshjeve të para

    Botërori thyen çdo parashikim: 2 milionë tifozë në stadiume pas 36 ndeshjeve të para

    Kupa e Botës 2026 ka thyer çdo parashikim dhe ka shuar kritikat fillestare sa i përket audiencës dhe organizimit.

    Pas zhvillimit të 36 ndeshjeve të para të turneut, numri i tifozëve që kanë ndjekur sfidat live nga shkallët e stadiumeve ka kapur shifrën rekord prej 2 milionë personash.

    ​Ky fluks i jashtëzakonshëm tregon një entuziazëm të pabesueshëm rreth këtij orgazinimi, duke iu përgjigjur me fakte skeptikëve dhe kritikave të shumta që ishin shoqëruar në pragun e nisjes së këtij Botërori.

  • Dyshohet se e zuri rryma, QKUK jep detaje për vdekjen e 50-vjeçarit nga Negroci

    Dyshohet se e zuri rryma, QKUK jep detaje për vdekjen e 50-vjeçarit nga Negroci

    Bedri Krasniqi, 50 vjeç, nga fshati Negroc i Drenasit, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga rryma elektrike.

    Vdekja e tij është konfirmuar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, nga e cila bëjnë të ditur se, pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimit intensiv të ekipit mjekësor, pacienti nuk ka arritur t’i mbijetojë gjendjes së rëndë klinike.

    “Pacienti B. K., mashkull, rreth 50 vjeç, nga Drenasi, është paraqitur në Qendrën Emergjente të QKUK-së. Menjëherë pas pranimit, ekipi mjekësor ka ndërmarrë të gjitha masat dhe procedurat e nevojshme diagnostike dhe terapeutike, në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe trajtimit intensiv nga ana e stafit të Qendrës Emergjente, pacienti nuk ka arritur t’i mbijetojë gjendjes së rëndë klinike dhe është konstatuar vdekja e tij”, deklaroi zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.