ATV

Author: K.B.

  • Bajrami: Kriza politike e institucionale po prodhon pasoja kushtetuese, afati prej 30 ditësh duhet të respektohet

    Bajrami: Kriza politike e institucionale po prodhon pasoja kushtetuese, afati prej 30 ditësh duhet të respektohet

    Profesori i të drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, i cili ishte ndër hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, ka komentuar bllokadën e re në Kuvend ku s’u respektua afati i vendosur prej 30 ditësh për konstituimin e tij nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese.

    Bajrami paralajmëron për “pasoja të rëndësishme kushtetuese”, ndërsa thotë se konstituimi i Kuvendit është obligim kushtetues dhe se s’është çështje e vullnetit politik të një partie ose e një grupi parlamentar.

    “Neni 66.1 përdor një formulim të qartë: seanca konstituive mbahet brenda tridhjetë ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Ky formulim nuk i jep subjekteve politike një mundësi të pakufizuar për ta shtyrë konstituimin. Afati është vendosur për të siguruar një kalim të shpejtë, të rregullt dhe kushtetues nga procesi zgjedhor në funksionalizimin e institucioneve. Kur ky afat tejkalohet pa përfunduar procesi kushtetues, atëherë kemi një çështje serioze të respektimit të Kushtetutës”.

    Bajrami shton se pretendimi për shkelje kushtetuese duhet të konstatohet përfundimisht nga autoriteti kompetent – Gjykata Kushtetuese.

    Ai gjithashtu tha se situata aktuale duhet të emërtohet me saktësi.

    “Kemi të bëjmë para së gjithash me një krizë politike dhe institucionale, e cila po prodhon pasoja të rëndësishme kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës përcakton strukturën e pushtetit, kompetencat e institucioneve dhe procedurat për funksionalizimin e tyre. Por Kushtetuta nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik”.

    Bajrami thotë se kur e kanë hartuar Kushtetutën “nuk kemi mundur dhe as nuk ka qenë e mundur të parashikonim çdo situatë të mundshme të bllokimit politik”.

    Deklarata e plotë:

    SQARIME KUSHTETUESE MBI KRIZËN AKTUALE DHE BLLOKIMIN E KONSTITUIMIT TË INSTITUCIONEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

    Duke qenë njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës , profesor i së drejtës kushtetues për 45 vite dhe duke pasur një përvojë të gjatë në procesin e ndërtimit të institucioneve të Republikës, e konsideroj të nevojshme të jap disa sqarime publike mbi situatën aktuale politike dhe kushtetuese, veçanërisht mbi bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe pasojat që kjo situatë mund të prodhojë për funksionimin normal të shtetit.

    Për një periudhë relativisht të gjatë kam zgjedhur të hesht dhe të mos jem pjesë e debatit të përditshëm politik e mediatik. Kjo heshtje nuk ka qenë mungesë interesi dhe as tërheqje nga përgjegjësia ime publike. Ka qenë një qëndrim i vetëdijshëm profesional dhe, në një masë, edhe një formë proteste ndaj degradimit të debatit kushtetues, relativizimit të ekspertizës juridike dhe shndërrimit të çështjeve serioze kushtetuese në tema të debatit të përditshëm televiziv.

    Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas logjikës së studios televizive, sipas kalkulimeve politike të ditës apo sipas interesave të momentit. Ajo duhet të lexohet në tërësinë e saj, në frymën e parimeve mbi të cilat është ndërtuar dhe në dritën e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese.

    Pikërisht për këtë arsye, në këtë moment e konsideroj detyrim profesional të flas. Po e bëj këtë jo si analist politik, por si profesor i së drejtës kushtetuese dhe si njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pikëpamjet e mia po i sistemoj në dhjetë çështje themelore, të cilat, sipas vlerësimit tim, janë të rëndësishme për të kuptuar natyrën e krizës aktuale dhe për të orientuar debatin publik drejt një leximi sa më të saktë të Kushtetutës.

    I. KONSTITUIMI I KUVENDIT ËSHTË DETYRIM KUSHTETUES, JO MUNDËSI POLITIKE

    Konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk është një akt që mund të shtyhet sipas vullnetit politik të subjekteve parlamentare. Ai është një detyrim kushtetues. Neni 66.1 i Kushtetutës përcakton se seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda tridhjetë ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Kjo dispozitë ka një logjikë të qartë kushtetuese: pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe shpalljes zyrtare të rezultateve, duhet të fillojë pa vonesë procesi i krijimit dhe funksionalizimit të institucioneve të reja. Në hartimin e kësaj dispozite, qëllimi ka qenë që afati prej tridhjetë ditësh të funksionojë si një kufi kushtetues që garanton kalimin brenda një kohe të arsyeshme nga procesi zgjedhor në funksionalizimin e Kuvendit, e jo si një periudhë të cilën subjektet politike mund ta shfrytëzojnë për ta zvarritur procesin pa kufizim. Kushtetuta është hartuar për të garantuar vazhdimësinë institucionale të shtetit dhe për të parandaluar krijimin e vakumit politik e institucional. Prandaj, konstituimi i Kuvendit nuk është çështje e vullnetit politik të një partie ose e një grupi parlamentar. Është detyrim që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta. Vullneti politik është i domosdoshëm për realizimin e këtij detyrimi, por nuk mund të përdoret si arsye për ta mohuar vetë detyrimin kushtetues.

    II. AFATI KUSHTETUES PREJ TRIDHJETË DITËSH DUHET TË RESPEKTOHET

    Neni 66.1 përdor një formulim të qartë: seanca konstituive mbahet brenda tridhjetë ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Ky formulim nuk i jep subjekteve politike një mundësi të pakufizuar për ta shtyrë konstituimin. Afati është vendosur për të siguruar një kalim të shpejtë, të rregullt dhe kushtetues nga procesi zgjedhor në funksionalizimin e institucioneve. Kur ky afat tejkalohet pa përfunduar procesi kushtetues, atëherë kemi një çështje serioze të respektimit të Kushtetutës. Megjithatë, edhe këtu duhet të ruajmë saktësinë juridike. Një gjë është pretendimi për shkelje kushtetuese, ndërsa diçka tjetër është konstatimi përfundimtar i një shkeljeje kushtetuese. Në një shtet kushtetues, nuk mjafton që një subjekt politik ose një komentues publik të deklarojë se ka ndodhur shkelje e Kushtetutës. Çdo pretendim i tillë duhet të vlerësohet në procedurën dhe nga autoriteti kompetent. Sipas Nenit 112.1, Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës. Prandaj, nëse pretendohet se mosrespektimi i afatit kushtetues ka prodhuar një shkelje kushtetuese, çështja duhet të adresohet në mënyrë institucionale pranë Gjykatës Kushtetuese nga subjektet e autorizuara. Debati politik nuk mund ta zëvendësojë procedurën kushtetuese. Kjo është një nga premisat themelore të shtetit të së drejtës: Kushtetuta interpretohet dhe zbatohet përmes institucioneve kompetente dhe jo përmes deklaratave politike.

    III. ZGJEDHJA E KRYETARIT TË KUVENDIT ËSHTË PJESË E PROCESIT TË KONSTITUIMIT

    Konstituimi i Kuvendit nuk duhet kuptuar si një ceremoni thjesht solemne dhe protokollare. Ai është fillimi juridik i funksionimit të institucionit parlamentar. Neni 67.1 përcakton se Kuvendi zgjedh Kryetarin dhe pesë nënkryetarët nga radhët e deputetëve, ndërsa Neni 67.2 përcakton procedurën për propozimin dhe zgjedhjen e Kryetarit. Kjo çështje është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese në rastin KO119/14, në të cilin është analizuar rëndësia kushtetuese e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe funksionalizimit të institucionit parlamentar. Kjo jurisprudencë tregon se zgjedhja e Kryetarit nuk është një çështje dytësore apo thjesht procedurale. Ajo lidhet drejtpërdrejt me funksionalizimin e Kuvendit dhe me ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese. Prandaj, subjektet politike duhet ta përdorin vullnetin e tyre politik për ta realizuar Kushtetutën dhe jo për ta bllokuar atë. Në një demokraci parlamentare, shumicat dhe pakicat politike kanë të drejtë të konkurrojnë për postet dhe për drejtimin e institucioneve, por ky konkurrim duhet të zhvillohet brenda rregullave kushtetuese dhe parlamentare.

    IV. MOSKONSTITUIMI I KUVENDIT NUK SJELL AUTOMATIKISHT SHPËRNDARJEN E TIJ

    Në debatin publik është krijuar një konfuzion serioz lidhur me pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit. Është e rëndësishme të theksohet se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues nuk duhet të barazohet automatikisht me shpërndarjen e tij. Neni 82 i Kushtetutës përcakton rastet në të cilat Kuvendi mund të shpërndahet. Këto raste lidhen, ndër të tjera, me dështimin e formimit të Qeverisë sipas procedurës kushtetuese, me vendimin e Kuvendit për shpërndarje me shumicën e kërkuar, me moszgjedhjen e Presidentit dhe me situatat e tjera të përcaktuara shprehimisht nga Kushtetuta. Në të drejtën kushtetuese ekziston një parim themelor: kompetencat dhe shkaqet për përfundimin e parakohshëm të mandatit institucional duhet të kenë bazë të qartë kushtetuese. Kushtetuta nuk autorizon krijimin e një shkaku të ri për shpërndarjen e Kuvendit përmes një interpretimi politik. Prandaj, nuk mund të thuhet se vetëm tejkalimi i afatit për konstituim e aktivizon automatikisht mekanizmin e shpërndarjes së Kuvendit. Çdo pasojë juridike e moskonstituimit duhet të nxirret nga një interpretim sistematik i Kushtetutës dhe nga jurisprudenca përkatëse e Gjykatës Kushtetuese, e jo nga një interpretim i shkëputur ose politik i një dispozite.

    V. KEMI NJË KRIZË POLITIKE DHE INSTITUCIONALE ME PASOJA KUSHTETUESE

    Në vlerësimin tim, situata aktuale duhet të emërtohet me saktësi. Kemi të bëjmë para së gjithash me një krizë politike dhe institucionale, e cila po prodhon pasoja të rëndësishme kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës përcakton strukturën e pushtetit, kompetencat e institucioneve dhe procedurat për funksionalizimin e tyre. Por Kushtetuta nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik. Kur kemi hartuar Kushtetutën, nuk kemi mundur dhe as nuk ka qenë e mundur të parashikonim çdo situatë të mundshme të bllokimit politik. Një Kushtetutë nuk mund të shkruhet si një manual për çdo konflikt të mundshëm ndërmjet partive politike. Ajo është ndërtuar mbi premisën e një kulture demokratike dhe kushtetuese, në të cilën subjektet politike respektojnë rregullat e lojës demokratike dhe, kur është e nevojshme, arrijnë kompromiset e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Prandaj, zgjidhja e krizës aktuale është para së gjithash politike, ndërsa Kushtetuta duhet të jetë korniza detyruese brenda së cilës gjendet dhe realizohet kjo zgjidhje. Kushtetuta përcakton rregullat; politika demokratike duhet të prodhojë vullnetin për t’i zbatuar ato.

    VI. KONSTITUIMI DUHET TË PASOHET NGA FORMIMI I QEVERISË

    Kushtetuta ka krijuar një zinxhir të ndërlidhur institucional: Zgjedhjet → konstituimi i Kuvendit → zgjedhja e Kryesisë → formimi i Qeverisë → funksionalizimi i plotë i institucioneve. Neni 65 përcakton kompetencat e Kuvendit, ndërsa Neni 95 përcakton procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë. Pas konstituimit të Kuvendit, duhet të aktivizohet procedura për formimin e Qeverisë sipas rregullave të përcaktuara në Kushtetutë. Kushtetuta nuk e ka ndërtuar sistemin institucional në mënyrë që njëri institucion të mund ta mbajë peng të gjithë ciklin institucional për një kohë të pakufizuar. Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia e subjekteve parlamentare është që të mos e ndërpresin zinxhirin kushtetues të funksionalizimit të shtetit. Në një sistem parlamentar, zgjedhjet nuk përbëjnë pikën përfundimtare të procesit demokratik. Ato janë fillimi i një procesi të ri institucional që duhet të çojë në konstituimin e parlamentit dhe në formimin e qeverisë.

    VII. ABUZIMI ME KOMPETENCËN KUSHTETUESE DHE OMETIMI KUSHTETUES

    Këtu kemi një çështje më të ndërlikuar dhe më të ndjeshme të së drejtës kushtetuese. Një kompetencë kushtetuese nuk duhet parë vetëm si një privilegj i subjektit që e ushtron atë. Çdo kompetencë kushtetuese ekziston për të realizuar një funksion kushtetues dhe për t’i shërbyer funksionimit të institucionit dhe të shtetit. Nëse një subjekt politik ka mundësinë dhe përgjegjësinë për të ndërmarrë veprime që çojnë në funksionalizimin e institucioneve, por e përdor pozitën e tij për të shkaktuar ose për të zgjatur një bllokim institucional, atëherë lind pyetja nëse kemi të bëjmë thjesht me ushtrim të një kompetence politike apo nëse, në rrethana të caktuara, mund të shtrohet edhe çështja e keqpërdorimit të pozitës kushtetuese. Kjo kërkon një analizë shumë të kujdesshme dhe nuk mund të konkludohet vetëm mbi bazën e një vlerësimi politik. Në këtë kontekst mund të shtrohet edhe çështja e ometimit kushtetues. Ometimi kushtetues mund të shfaqet kur mosveprimi i një organi publik krijon një boshllëk në realizimin e një detyrimi kushtetues dhe pengon funksionimin efektiv të rendit kushtetues.Megjithatë, ky koncept duhet përdorur me shumë kujdes. Ometimi kushtetues nuk mund të shpallet vetëm përmes një deklarate politike. Ai kërkon analizë juridike të detyrimit kushtetues, subjektit përgjegjës, natyrës së mosveprimit, kohëzgjatjes së tij dhe pasojave që prodhon.Pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme që debati mbi ometimin kushtetues të mos shndërrohet në një etiketë politike, por të mbetet pjesë e një analize serioze juridiko-kushtetuese.

    VIII. GJYKATA KUSHTETUESE NUK MUND TË ZËVENDËSOJË MARRËVESHJEN POLITIKE

    Neni 112.1 e përcakton Gjykatën Kushtetuese si autoritetin përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës.Ndërkohë, Neni 113 përcakton kompetencat e Gjykatës dhe subjektet që mund t’i drejtohen asaj në rastet e përcaktuara nga Kushtetuta.Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për situatën aktuale.Nëse subjektet e autorizuara konsiderojnë se një veprim ose mosveprim institucional ka prodhuar një problem kushtetues, rruga është institucionale: çështja duhet t’i paraqitet Gjykatës Kushtetuese sipas procedurës përkatëse.Por Gjykata nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik të partive. Gjykata mund të interpretojë Kushtetutën, të përcaktojë kufijtë kushtetues të veprimeve institucionale dhe të konstatojë shkeljet kur plotësohen kushtet juridike. Ajo mund të japë një zgjidhje juridike brenda kompetencës së saj, por nuk mund të krijojë një marrëveshje politike aty ku subjektet politike refuzojnë ta bëjnë atë. Kjo ndarje ndërmjet juridikes dhe politikës është thelbësore për funksionimin e një shteti kushtetues.

    IX. JURISPRUDENCA KUSHTETUESE DUHET TË RESPEKTOHET DHE NUK MUND TË RELATIVIZOHET

    Debati aktual duhet të zhvillohet mbi bazën e Kushtetutës dhe të jurisprudencës ekzistuese të Gjykatës Kushtetuese. Rasti KO119/14 është një pikë e rëndësishme reference për çështjen e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe funksionalizimit të tij. Po ashtu, praktika kushtetuese e Kosovës ka trajtuar çështje të afateve, formimit të institucioneve dhe pasojave të dështimit të proceseve kushtetuese. Kjo jurisprudencë duhet të lexohet në mënyrë sistematike dhe në kontekstin konkret të secilit rast. Në këtë kontekst, duhet të përdorim me kujdes konceptin res judicata – çështje e gjykuar. Jo çdo situatë e re politike është automatikisht res judicata vetëm sepse i ngjan një rasti të mëparshëm. Për të folur për çështje të gjykuar duhet të ekzistojnë kushtet juridike përkatëse dhe identiteti i nevojshëm i çështjes së gjykuar.Por një parim themelor nuk mund të relativizohet: vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe të zbatohen. Neni 116 i Kushtetutës përcakton efektin juridik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e saj nuk janë këshilla politike dhe as opinione fakultative. Ato janë pjesë e rendit kushtetues dhe kanë fuqi juridike detyruese. Në një shtet kushtetues, jurisprudenca kushtetuese nuk mund të përdoret në mënyrë selektive: nuk mund të pranohet kur i shërben një pozicioni politik dhe të refuzohet kur nuk i shërben atij.

    X. ZGJIDHJA ËSHTË PËRGJEGJËSIA POLITIKE DHE MARRËVESHJA PËR FUNKSIONALIZIMIN E SHTETIT

    Pas gjithë këtyre sqarimeve, përfundimi im është i qartë. Kosova nuk ka nevojë për një luftë të re interpretimesh kushtetuese. Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, maturi institucionale dhe vullnet për kompromis.

    1.Duhet të konstituohet Kuvendi.

    2.Duhet të zgjidhet Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit.

    3.Duhet të fillojë dhe të përfundojë procedura kushtetuese për formimin e Qeverisë.

    4.Duhet të krijohen kushtet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

    5.Dhe, mbi të gjitha, duhet të rikthehet funksionaliteti i plotë i institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Si njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës, dua ta them qartë: Kushtetuta nuk është shkruar për të bllokuar shtetin. Ajo është shkruar për ta bërë shtetin funksional. Kushtetuta është kompromis politik i institucionalizuar. Ajo është marrëveshja themelore mbi rregullat e bashkëjetesës politike dhe institucionale. Prandaj, kur politika hyn në krizë, zgjidhja nuk mund të jetë keqpërdorimi i Kushtetutës. Zgjidhja duhet të jetë kthimi te Kushtetuta, te dialogu, te përgjegjësia dhe te kompromisi politik.

    Apeli im është i drejtpërdrejtë për të gjitha subjektet politike parlamentare:

    1.Mos e mbani shtetin peng të kalkulimeve partiake.

    2.Mos e përdorni Kushtetutën si instrument bllokimi.

    3.Mos e degradoni debatin kushtetues me interpretime të improvizuara.

    4.Respektoni Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

    5.Arrini një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse për funksionalizimin e institucioneve të Republikës.

    6.Kosova ka kaluar nëpër sfida shumë më të mëdha se kjo. Ajo ka ndërtuar institucionet e saj mbi kompromis, përgjegjësi dhe vullnet shtetformues.

    7.Sot, më shumë se kurrë, kërkohet pikërisht kjo përgjegjësi.

    8.Çdo ditë e humbur në një bllokadë institucionale e dëmton autoritetin e shtetit, e dobëson besimin e qytetarëve dhe krijon një precedent të rrezikshëm për kulturën kushtetuese të Republikës.

    9.Prandaj, thirrja ime është e drejtpërdrejtë: KONSTITUONI KUVENDIN,FORMONI QEVERINË, ZGJIDHNI PRESIDENTIN,

    FUNKSIONALIZONI SHTETIN.

    10.Kushtetuta e Republikës së Kosovës është më e madhe se çdo parti politike dhe interesi i shtetit është më i madh se çdo kalkulim elektoral. Tani është koha që politika ta rikthejë kompromisin në funksion të Kushtetutës dhe Kushtetutën në funksion të REPUBLIKËS SË KOSOVËS, shtetit tonë sovran dhe të pavarur.

  • Ngërçi i gjatë: 550 ditë e veç 15 për qind punë për Kuvendin e Kosovës

    Ngërçi i gjatë: 550 ditë e veç 15 për qind punë për Kuvendin e Kosovës

    Gati 470 ditë i pakonstituuar ose i papunë ka mbetur Kuvendi i Kosovës në më pak se 19 muaj. Që prej zgjedhjeve të shkurtit 2025, Kosova po përballet me ciklet e zgjedhjeve të njëpasnjëshme si pasojë e mosarritjes së marrëveshjeve mes partive për formim të institucioneve. Pas tri palë zgjedhjeve në shkurt e dhjetor 2025 dhe qershor sivjet, kosovarët mund të përballen edhe me një palë të tjera po që se partitë nuk merren vesh as këtë herë për postin e presidentit.

    Më 9 shkurt 2025 u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare. Rezultati i tyre u certifikua më 27 mars. Por ngërçi nisi pasi Vetëvendosje edhe pse i mori mbi 42 për qind, nuk arriti të merrte mbështetjen e shumicës së thjeshtë për kryeparlamentar. Pas 57 seancave të njëpasnjëshme, Kuvendi u bë me kryetar Dimal Bashën tek më 26 gusht. E ngërçi rinisi me çështjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Më 10 tetor Kuvendi u konstituua me Nenad Rashiqin si nënkryetar.

    Pra nga 9 shkurti deri më 10 tetor, Kosova nuk pati Kuvend të konstituuar – më shumë se 240 ditë pa konstituim.

    Megjithatë, pas konstituimit ngërçi vazhdoi me mossigurimin e votave për formim të Qeverisë. Në dy tentime, Vetëvendosje nuk i siguroi votat e mjaftueshme. Fillimisht Albin Kurti dështoi më 26 tetor, e pas tij edhe Glauk Konjufca më 19 nëntor. Kuvendi qëndroi i konstituuar për 40 ditë, por pa vendime.

    Zgjedhjet e parakohshme u caktuan për 28 dhjetor. Në këto zgjedhje, Vetëvendosje si e para i mori mbi 51 për qind. E legjislatura e re u konstituua më 11 shkurt 2026. Qysh atë ditë u formua edhe Qeveria e re. Nga 20 nëntori 2025 deri më 11 shkurt 2026 ishin edhe më shumë se 80 ditë, në të cilat Kuvendi qëndroi i shpërndarë.

    Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, ngërçi kaloi te posti i presidentit. Nga 11 shkurti e deri fundi i prillit shënohet “periudha më e suksesshme”. Kuvendi “mbijetoi” dhe qëndroi i konstituuar për “plot” 76 ditë. Në mungesë marrëveshjeje për një emër për president, Kuvendi u shpërnda më 28 prill për të caktuar zgjedhjet e reja të parakohshme.

    Zgjedhjet u mbajtën më 7 qershor. Nga 28 prilli deri atë ditë ishin edhe 40 ditë pa punë për Kuvendin e Kosovës.

    Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit mori 47 për qind dhe i ka votat për konstituim të Kuvendit dhe formim të Qeverisë. Megjithatë, kjo parti po vlerëson se pa marrëveshje për presidentin, formimi i institucioneve të tjera nuk i shmang zgjedhjet.

    Kuvendi tashmë e ka kaluar periudhën 30-ditëshe të paraparë me Kushtetutë, për konstituim pas certifikimit të rezultateve. Vetëvendosje ka mbajtur negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por se palët nuk kanë finalizuar ndonjë marrëveshje. Parti të tjera kanë refuzuar të takohen më me Kurtin.

    Gjithsej nga dita e zgjedhjeve kanë kaluar edhe 66 ditë të tjera pa Kuvend funksional.

    E nga 9 shkurti deri sot kanë kaluar rreth 550 ditë. Në përqindje, Kuvendi nënkupton se për këtë periudhë ka qenë i papunë për rreth 85 për qind të ditëve. /Koha

  • Reagon PDK: Kjo është situata që po ndodhë në Kuvend

    Reagon PDK: Kjo është situata që po ndodhë në Kuvend

    Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar me një komunikatë për situatën aktuale në Kuvend. DK ka treguar tre pika kryesore me anë të së cilës tregon anën juridike të punës së Kuvendit.

    “Për ta sqaruar thjesht për qytetarët se çfarë po ndodh me Kuvendin:

    Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.
    Gjykata Kushtetuese e ka bërë edhe më të qartë: 30 ditët nuk janë vetëm afat për ta nisur procesin. Brenda këtij afati Kuvendi duhet të konstituohet.
    Rregullorja e Kuvendit përcakton se, derisa të përfundojë seanca konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.
    Afati 30-ditor ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi. Tash po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh.
    Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin.
    Ajo që po ndodh është suspendim dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës.
    PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet” thuhet në reagimin e PDK-së.

  • Inspektorati në Ferizaj shqipton gjoba për hedhjen e mbeturinave në vende të paautorizuara

    Inspektorati në Ferizaj shqipton gjoba për hedhjen e mbeturinave në vende të paautorizuara

    Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka vazhduar aksionet ndaj personave që hedhin mbeturina në vende të papërcaktuara, duke shqiptuar gjoba të tjera për ndotjen e hapësirave publike.

    Sipas kryeinspektorit, Feriz Hyseni, masat janë ndërmarrë pas evidentimit të rasteve të hedhjes së mbeturinave në rrugët “12 Qershori”, “Bilall Shala” dhe “Imri Halili”.

    “Gjobat janë shqiptuar në rrugët ‘12 Qershori’, ‘Bilall Shala’ dhe ‘Imri Halili’. Persona të ndryshëm kanë hedhur mbeturina në vende që nuk janë të përcaktuara për hedhjen e tyre. Pas marrjes së informacionit, Inspektorati Komunal ka ndërmarrë masat përkatëse dhe ka shqiptuar gjoba ndaj personave përgjegjës”, ka deklaruar Hyseni.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Inspektoratin Komunal dhe të raportojnë rastet e hedhjes së mbeturinave në vende të papërcaktuara.

    Hyseni ka theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e ambientit në qytetin e Ferizajt.

  • “Kjo është diplomaci”, Kearns shpërndan reagimin e Ramës për Vuçiqin

    “Kjo është diplomaci”, Kearns shpërndan reagimin e Ramës për Vuçiqin

    Një reagim i kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër ka marrë vëmendjen e deputetes britanike Alicia Kearns.

    Kearns e ka shpërndarë në platformën X postimin e Ramës, duke e shoqëruar me një koment të shkurtër: “This is diplomacy” në shqip “Kjo është diplomaci”.

    Reagimi i deputetes britanike vjen në një kohë kur deklaratat e Vuçiqit për lumin Ibër kanë rikthyer në vëmendje çështjen e furnizimit me ujë të Kosovës dhe ndikimin që mund të ketë një ndërhyrje në rrjedhën e lumit.

    Presidenti serb ka deklaruar se Beogradi po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, një ide që është diskutuar edhe më herët në Serbi. Një ndërhyrje e tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për sistemin ujor të Kosovës, përfshirë zonën e liqenit të Ujmanit.

    Në këtë kontekst, Kearns ka vlerësuar publikisht qasjen e Ramës, duke e cilësuar atë si shembull të diplomacisë.

    Deputetja britanike ka qenë prej vitesh një zë i angazhuar për zhvillimet në Kosovë dhe për politikën e Serbisë në rajon. Ajo ka kritikuar në vazhdimësi qasjen e Beogradit ndaj Kosovës dhe ka kërkuar një angazhim më të madh të vendeve perëndimore në Ballkan.

    Ndërkohë, debati për të ardhmen e Ibrit mbetet i ndjeshëm, pasi lumi dhe infrastruktura ujore e lidhur me të kanë rëndësi strategjike për furnizimin me ujë dhe funksionimin e disa prej sistemeve kryesore në Kosovë. Ekspertët kanë paralajmëruar më herët se ndryshimi i rrjedhës së lumit do të ngrinte edhe çështje të së drejtës ndërkombëtare dhe konventave për ujërat ndërkufitare.

  • Engjëllusha Salihu bëhet nënë për herë të parë, zbulon emrin unik të djalit

    Engjëllusha Salihu bëhet nënë për herë të parë, zbulon emrin unik të djalit

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Engjëllusha Salihu, është bërë nënë për herë të parë.

    Artistja ka ndarë lajmin e gëzueshëm me ndjekësit e saj, duke zbuluar edhe emrin e veçantë që ka zgjedhur për të birin.

    Djalin e saj, Engjëllusha e ka pagëzuar me emrin Namer, një emër jo i zakonshëm që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e fansave.

    Ky moment shënon një kapitull të ri dhe të veçantë në jetën e këngëtares, e cila tashmë po e shijon për herë të parë rolin e nënës.

  • Supremja refuzon kërkesën e VV-së për pezullimin e çmimit të ri të biletave në Prishtinë

    Supremja refuzon kërkesën e VV-së për pezullimin e çmimit të ri të biletave në Prishtinë

    Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për vendosjen e masës së përkohshme ndaj vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për çmimoren e re të biletave të trafikut urban.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rama përmes një postimi në Facebook, ku ka reaguar ashpër ndaj anëtarëve të VV-së në Prishtinë, duke i quajtur ata “të padijshëm e dashakëqij”.

    “Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! Po e ripërsëris, përveç që jeni dashakëqij, jeni edhe të padijshëm!”, ka shkruar Rama.

    Në aktvendim ndër të tjera thuhet se, gjykata ka vlerësuar se pretendimet e paditësve-propozuesve për vendimin e kontestuar nuk përmbajnë argumente ligjore për shqyrtim gjatë fazës së masës së sigurimit, ndërsa ka konstatuar se vendosja lidhur me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nuk përbën vendosje përfundimtare mbi konfliktin administrativ.

    Ndryshe, Vetëvendosje në Prishtinë kishte parashtruar padi në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik në kryeqytet.

    Sipas pretendimeve të kësaj partie, kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore për të përcaktuar çmimin e biletave të transportit publik.

    Për këtë arsye, asambleistët e Vetëvendosjes kishin kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme ndaj vendimit.

  • Administrata Trump anulon më shumë se 175,000 viza për shtetas të huaj

    Administrata Trump anulon më shumë se 175,000 viza për shtetas të huaj

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se administrata e Presidentit Donald Trump ka revokuar më shumë se 175,000 viza për shtetas të huaj, si pjesë e një shtrëngimi të politikës së imigracionit dhe kontrolleve të hyrjes në Shtetet e Bashkuara.

    Departamenti i Shtetit deklaroi se vizat u revokuan nga persona që, sipas vlerësimit të autoriteteve amerikane, shkelën kushtet e vizave të tyre, kryen krime, nxitën dhunë kundër qytetarëve amerikanë, kryen mashtrime, abuzuan me sistemin amerikan të imigracionit ose përbënin kërcënim për sigurinë kombëtare, shkruan BBC.

    Shumica e vizave, siç u njoftua, u revokuan pasi mbajtësit e tyre kontaktuan zbatimin e ligjit, dhe ndër arsyet më të zakonshme ishin sulmi fizik, drejtimi i makinës në gjendje të dehur, vjedhja dhe krimet e lidhura me drogën.

    Departamenti i Shtetit përmendi si shembuj njerëz të akuzuar për përdhunim dhe sulm seksual, rrëmbim dhe trafikim njerëzor, si dhe një person që përballet me më shumë se një duzinë akuzash për posedim të materialeve të abuzimit seksual me fëmijë.

    Një ambasadë amerikane në Afrikën e Veriut ka revokuar gjithashtu më shumë se 100 viza për prindërit që dyshohet se erdhën në SHBA kryesisht për të lindur atje dhe në këtë mënyrë për t’u mundësuar atyre të fitojnë shtetësinë amerikane, një praktikë që autoritetet amerikane e quajnë turizëm lindjeje.

    Departamenti i Shtetit gjithashtu revokoi vizat për një numër të huajsh që kishin lavdëruar ose festuar vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në mediat sociale, sipas Departamentit të Shtetit.

    Departamenti i Shtetit tha në janar se më shumë se 100,000 viza ishin revokue që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, një numër rekord në atë kohë. Të dhënat e reja tregojnë se politika ka vazhduar me një ritëm të përshpejtuar.

  • Ngërçi politik, Sadiku: Kjo është kapja më e madhe e shtetit, Kurti ka me u përgjigj për këtë

    Ngërçi politik, Sadiku: Kjo është kapja më e madhe e shtetit, Kurti ka me u përgjigj për këtë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar lidhur me situatën politike, duke e cilësuar të njëjtën si ‘’kapja më e madhe e shtetit që ka ndodhur në historinë e Kosovës së pasluftës’’.

    Sadiku, ka deklaruar edhe se, si deputetë ‘’nuk po lejohen’’ të punojnë, dhe se për këtë do të ‘’përgjigjet’’ Kurti.

    Postimi:

    Certifikimi i zgjedhjeve është kryer më 8 korrik. Ne që jemi zgjedhur deputetë me votën e popullit, nuk po lejohemi të punojmë. Nuk po lejohemi të merremi me ligje, komisione, zhvillim dhe problemet reale të qytetarëve.

    Ndërkohë, Kurti vazhdon të jetë kryeministër, por pa Kuvend funksional, pa kontroll parlamentar dhe pa llogaridhënie.

    Kjo është kapja më e madhe e shtetit që ka ndodhur në historinë e Kosovës së pasluftës.

    Kurti ka me u përgjigj për këtë.

  • Bashar al-Assad dënohet me vdekje, gjykata e shpall fajtor për krime të rënda

    Bashar al-Assad dënohet me vdekje, gjykata e shpall fajtor për krime të rënda

    Ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, është dënuar me vdekje në mungesë nga një gjykatë siriane, nën akuzat për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

    Assad u largua nga Damasku dhe u arratis drejt Moskës në dhjetor të vitit 2024, pasi regjimi i tij u rrëzua pas një ofensive të shpejtë nga forcat kundër regjimit, raporton Sky News.

    Vendimi i gjykatës, i dhënë të martën, përfshin edhe vëllain e tij, Maher al-Assad, ndërsa në të njëjtin proces me vdekje është dënuar edhe kushëriri i tyre, Atef Najib, i cili ndodhet i arrestuar në Siri.

    Najib u akuzua për drejtimin e shtypjes së protestave në provincën jugore të Daraas në vitin 2011, ku adoleshentë u arrestuan dhe u torturuan pasi kishin shkruar grafite kundër regjimit.

    Ngjarja në Daraa u shndërrua në një kryengritje masive kundër regjimit të Assadit dhe më pas në luftën civile siriane, e cila vazhdoi deri në rrëzimin e qeverisë së tij.