ATV

Author: K.B.

  • IKShPK apelon për kujdes nga malaria: Mbrohuni nga pickimet e mushkonjave  11.08.2026 11:09

    IKShPK apelon për kujdes nga malaria: Mbrohuni nga pickimet e mushkonjave 11.08.2026 11:09

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për kujdes ndaj malaries, veçanërisht për qytetarët që udhëtojnë në zona ku ekziston rreziku nga kjo sëmundje.

    IKShPK-ja iu ka bërë apel qytetarëve që të informohen paraprakisht për rrezikun para udhëtimit dhe të marrin masa për t’u mbrojtur nga pickimet e mushkonjave.

    Instituti këshillon që personat që kanë qëndruar në zona me rrezik për malarie të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse pas kthimit shfaqin simptoma si temperaturë, dhimbje koke, lodhje dhe dobësi, të përziera apo vjellje.

    IKShPK thekson rëndësinë e informimit, parandalimit dhe reagimit me kohë për një shëndet më të sigurt.

  • Gjuriq vazhdon debatin me Ramën e Hoxhën: Ibri s’kalon nëpër Shqipëri, shqetësimet të trajtohen nga palët e drejtpërdrejta

    Gjuriq vazhdon debatin me Ramën e Hoxhën: Ibri s’kalon nëpër Shqipëri, shqetësimet të trajtohen nga palët e drejtpërdrejta

    Ministër i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka vazhduar debatin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe, kryediplomatin shqiptar, Ferit Hoxhën, lidhur me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

    Gjuriq, në postimin e tij, drejtuar Ramës, ka shkruar se, Ibri, buron në Mal të Zi, rrjedh përmes Serbisë e Kosovës, dhe vazhdon përmes pellgut të Danubit drejt Detit të Zi, dhe se, ai nuk hyn kurrë në Shqipëri dhe nuk është pjesë e sistemit lumor të Shqipërisë.

    Ministri i Jashtëm serb, ka thënë edhe se, shqetësimet mbi këtë çështje duhet të trajtohen nga palët drejtpërdrejt përmes mekanizmave të përcaktuar, dhe, siç ka shtuar ai, jo përmes deklaratave publike nga kryeqytete që nuk janë pjesë e shteteve breglumore.

    Postimi:

    Një përpjekje e stërholluar verore për ta ndryshuar temën.

    Në fakt, po diskutojmë për lumin Ibër për një arsye të vetme: qeveria e Albin Kurtit po e shfrytëzon këtë verë për të shembur shtëpi të serbëve, pa respektuar procedurat e duhura ligjore, përgjatë brigjeve të liqenit të Gazivodës dhe Ibrit, duke i privuar njerëzit nga prona, qasja dhe mjetet e tyre të jetesës përmes veprimeve që janë qartazi diskriminuese mbi baza etnike.

    Ky është realiteti konkret. Gjithçka tjetër është dytësore.

    Kryeministri @ediramaal ka shkruar një tekst të gjatë dhe elegant për gjeografinë, historinë dhe vlerat evropiane. Ajo që ai ka zgjedhur të mos trajtojë është shkatërrimi sistematik i pronës së serbëve që po ndodh pikërisht tani.

    Meqë është përmendur gjeografia: Ibri buron në Mal të Zi, rrjedh përmes Serbisë, përfshirë Kosovën, dhe vazhdon përmes pellgut të Danubit drejt Detit të Zi. Ai nuk hyn kurrë në Shqipëri dhe nuk është pjesë e sistemit lumor të Shqipërisë.

    Ibri është një rrjedhë ujore ndërkufitare, por Shqipëria nuk është shtet breglumor i tij. E drejta ndërkombëtare e ujërave nuk u jep të drejtë shteteve breglumore për të ndërhyrë mbi bazën e afërsisë etnike. Çdo shqetësim legjitim duhet të trajtohet nga palët drejtpërdrejt të interesuara, përmes mekanizmave të përcaktuar dhe mbi bazën e fakteve, jo përmes deklaratave publike nga kryeqytete që nuk janë pjesë e shteteve breglumore.

    Qëndrimi i Serbisë për Kosovën nuk është folklor. Ai bazohet në Kushtetutën tonë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria mund të mos pajtohet, por nuk mund ta shpallë në mënyrë të njëanshme çështjen të zgjidhur.

    E mirëpres njohjen nga Kryeministri Rama se të drejtat dhe siguria e komunitetit serb kanë rëndësi. Tani presim që kjo njohje të shoqërohet me mbështetje praktike – duke filluar me një thirrje të qartë për t’i dhënë fund shembjes së shtëpive të serbëve dhe veprimeve të ngjashme nga qeveria e Kurtit, si dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një detyrim që ende nuk është përmbushur.

    Më lejoni t’i sugjeroj me respekt Kryeministrit Rama dhe Ministres @HoxhaFer që, ndonëse interesante, ta lëmë pas diplomacinë përmes altoparlantëve. Dyert dhe linjat tona telefonike mbeten të hapura. Njerëzit tanë meritojnë seriozisht më pak shkëmbime deklaratash dhe më shumë shembuj konkretë se çfarë mund të arrijnë së bashku serbët dhe shqiptarët.

    P.S. Ky i gjithë shkëmbim deklaratash nuk është aspak befasues. Le t’i befasojmë të gjithë në mënyrë pozitive duke gjetur më shumë mënyra për të punuar përtej dallimeve tona.

  • Mbi 2400 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për dhjetëra aksidente

    Mbi 2400 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për dhjetëra aksidente

    Policia e Kosovës, përmes raportit të saj ka njoftuar se gjatë ditës së fundit, janë shqiptuar 2403 gjoba trafiku.

    Në njoftim shtohet edhe se, gjatë kësaj kohe kanë ndodhur 70 aksidente me dëme materiale, dhe, 35 të lënduar.

    Po ashtu, PK shton se janë arrestuar 19 persona, ku, 15 janë dërguar në mbajtje.

  • Pse ju kruhet lëkura pasi notoni në det, arsyeja nuk është gjithmonë vetëm kripa

    Pse ju kruhet lëkura pasi notoni në det, arsyeja nuk është gjithmonë vetëm kripa

    Pas një zhytjeje freskuese në det, shumica e njerëzve presin që lëkura e tyre të ndihet rehat. Megjithatë, disa njerëz përjetojnë ngushtësi ose kruajtje.

    Disa njerëz përjetojnë kruajtje, ngushtësi ose skuqje të vogla menjëherë pas notit. Edhe pse shumë ia hedhin fajin kripës së detit, dermatologët theksojnë se shkaku është shpesh një kombinim i disa faktorëve – nga tharja e lëkurës te dielli, mikroorganizmat dhe sëmundjet e lëkurës që ekzistojnë më parë.

    Në shumicën e rasteve, problemet nuk janë të rrezikshme dhe zgjidhen shpejt, por ndonjëherë ato mund të jenë shenjë e një sëmundjeje të lëkurës ose reaksioni alergjik që kërkon një ekzaminim mjekësor.

    Uji i detit e than lëkurën

    Uji i detit përmban shumë kripë, e cila thith lagështinë nga sipërfaqja e lëkurës. Ndërsa noti në det mund të përmirësojë përkohësisht lëkurën me yndyrë ose forma të caktuara të ekzemës për disa njerëz, për të tjerët mund të ketë efektin e kundërt – lëkura bëhet e thatë, e tendosur dhe kruhet. Njerëzit me lëkurë natyrale të thatë, dermatit atopik ose çrregullime të tjera të barrierës së lëkurës janë veçanërisht të prekshëm. Për ta, edhe ekspozimi afatshkurtër ndaj ujit të detit mund të shkaktojë probleme më të theksuara.

    Dielli dhe era i përkeqësojnë problemet

    Pas notit, uji në sipërfaqen e lëkurës avullohet shpejt, dhe dielli dhe era e zvogëlojnë më tej lagështinë e saj. Rezultati është një barrierë e dëmtuar e lëkurës, e cila shkakton një ndjesi ngushtësie, djegieje ose kruarjeje. Prandaj, dermatologët rekomandojnë që të bëni dush me ujë të freskët sa më shpejt të jetë e mundur pas notit dhe të aplikoni një krem hidratues, veçanërisht nëse keni lëkurë të ndjeshme.

    Skuqja nga deti mund të jetë gjithashtu shkaku

    Në disa pjesë të botës, një skuqje që kruhet mund të shkaktohet nga ajo që njihet si skuqje e iriqit të detit. Ky është një reagim ndaj larvave mikroskopike të disa iriqve të detit që ngecin nën rroba banje dhe lëshojnë substanca që irritojnë lëkurën. Ndodh më shpesh në:

    – nën rroba banje,

    – në gjoks,

    – stomak,

    – vithe,

    – kofshët.

    Skuqja karakterizohet nga gunga të vogla të kuqe dhe kruajtje intensive. Është më e zakonshme në detet tropikale dhe subtropikale, por herë pas here është përshkruar edhe diku tjetër.

    Nuk është gjithmonë një alergji ndaj detit

    Termi “alergji ndaj ujit të detit” është shumë i zakonshëm, por në realitet pothuajse nuk ka alergji ndaj vetë ujit të detit. Shumë më shpesh bëhet fjalë për acarim të lëkurës ose një reagim ndaj faktorëve të tjerë:

    – mbetjet e kremit mbrojtës nga dielli,

    – lulëzimi i algave,

    – kandil deti ose pjesët e tyre mikroskopike,

    – plankton,

    – baktere ose mikroorganizma të tjerë në ujë.

    Nëse problemet shfaqen çdo herë pas notit, ka kuptim të vizitoni një dermatolog i cili mund të përcaktojë shkakun e vërtetë.

    Lëkura mund të jetë dëmtuar tashmë

    Kruarja pas notit është shpesh më e theksuar tek njerëzit me:

    – dermatit atopik,

    – psoriasis,

    – dermatit kontakti,

    – lëkurë shumë e thatë,

    – barrierë e lëkurës së ndjeshme.

    Tek këta njerëz, uji i detit fillimisht mund ta lehtësojë disi inflamacionin, por më vonë mund të shkaktojë përkeqësim të simptomave për shkak të dehidratimit.

  • Mos e rindizni menjëherë ruterin: Ndryshoni këtë opsion dhe Wi-Fi mund të bëhet shumë më i qëndrueshëm

    Mos e rindizni menjëherë ruterin: Ndryshoni këtë opsion dhe Wi-Fi mund të bëhet shumë më i qëndrueshëm

    Shumë përdorues kërkojnë fajin te operatori ose pajisja, por shkaku mund të fshihet në një parametër të vogël që rrallë kontrollohet

    Rregullimi i parametrave të ruterit Wi-Fi dhe zvogëlimi i gjerësisë së kanalit në 20 MHz mund të sigurojnë lidhje më të qëndrueshme në shtëpi dhe të parandalojnë ndërprerjet e bezdisshme gjatë videothirrjeve, pa qenë nevoja të blini pajisje të re.

    Me siguri ju ka ndodhur që, në mes të një bisede të rëndësishme në internet, episodit të serialit të preferuar apo orës mësimore online të fëmijës, pamja të ngrijë papritur dhe lidhja të ndërpritet.

    Shumica në atë moment mendojnë se operatori ka dështuar ose se ruteri është vjetruar. Më pas fillojnë ta rindizin pajisjen disa herë, shpesh pa rezultat. Megjithatë, shkaku mund të jetë shumë më i thjeshtë dhe të fshihet në një cilësim që shumë përdorues nuk e kanë kontrolluar kurrë.

    Në përpjekje për të siguruar shpejtësinë më të madhe, përdoruesit zakonisht zgjedhin vlerat më të larta të ofruara, pa e ditur se kështu mund të krijojnë më shumë ndërhyrje në rrjetin e tyre.

    Kur në një ndërtesë shumë ruterë transmetojnë sinjal në të njëjtën frekuencë dhe me kanale të gjera, krijohet një lloj “trafiku” në ajër, ku rrjetet pa tela pengojnë njëri-tjetrin.

    Ndryshimi i vetëm një parametri mund ta bëjë lidhjen më të qëndrueshme dhe t’i ndihmojë pajisjet të funksionojnë pa ndërprerje të shpeshta.

    Pse një kanal më i gjerë mund ta ngadalësojë internetin

    Shumica e rrjeteve shtëpiake funksionojnë edhe në frekuencën 2.4 GHz. Sinjali pa tela mund të krahasohet me korsitë e një autostrade.

    Kur zgjidhet një kanal me gjerësi 40 MHz, përdoren praktikisht dy kanale njëkohësisht, me synimin që të sigurohet transmetim më i shpejtë i të dhënave. Por që kjo të funksionojë mirë, hapësira përreth duhet të jetë relativisht e lirë nga rrjetet e tjera, gjë që në ndërtesa banimi dhe zona të dendura është vështirë të arrihet.

    Në brezin 2.4 GHz ekzistojnë vetëm disa kanale që nuk mbivendosen me njëri-tjetrin. Në të njëjtën hapësirë funksionojnë ruterët e fqinjëve, televizorët inteligjentë, pajisjet Bluetooth dhe pajisje të tjera elektronike.

    Përdorimi i një kanali më të gjerë në një ambient të mbingarkuar mund të krijojë ndërhyrje dhe paqëndrueshmëri. Duke e zvogëluar gjerësinë e kanalit në 20 MHz, mund të fitoni një lidhje më të qëndrueshme, edhe pse shpejtësia maksimale teorike mund të jetë më e ulët, transmeton Telegrafi.

  • E trishtë: Nesër varroset i riu që humbi jetën pas aksidentit në Janiqishtë të Malishevës

    E trishtë: Nesër varroset i riu që humbi jetën pas aksidentit në Janiqishtë të Malishevës

    30-vjeçari Jetmir Sopaj ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi pasditen e së hënës në fshatin Janqishtë të Malishevës.

    Sipas njoftimit të familjarëve, varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, më 12 gusht, në orën 14:00, në varrezat e këtij fshati.

    Për rastin tragjik është deklaruar edhe Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se viktima ka ndërruar jetë në QKUK, pas mesnatës.

    Autoritetet po hetojnë rrethanat e aksidentit.

  • Ymeri: Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e lumit Ibër lidhet me kartën nacionaliste të VV-së

    Ymeri: Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e lumit Ibër lidhet me kartën nacionaliste të VV-së

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Imeri, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

    Imeri ka lidhur deklaratën e Vuçiqit me zhvillimet politike në Kosovë, duke argumentuar se çështja e burimeve ujore dhe e sigurisë energjetike duhet të trajtohet në institucionet e Kosovës dhe jo përmes, siç e ka cilësuar ajo, “ngjalljes së panikut”.

    “Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e lumit Ibër lidhet me kartën nacionaliste të VV-së, sepse lumi Ibër e mbush liqenin e Ujmanit, lidhet me kanalin Ibër-Lepenc deri në Obiliq, ndërsa lumi vazhdon në Serbi”, ka shkruar Imeri.

    Ajo ka pretenduar se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit do të paraqiste rrezik për sigurinë energjetike të Kosovës.

    “Ndryshimi i rrjedhës jo veç që nuk lejohet me të drejtë ndërkombëtare, por edhe rrezikon sigurinë energjetike 100 për qind, për çfarë Serbia penalizohet”, ka deklaruar Imeri.

    Deputetja e LDK-së ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas saj, Qeveria e Kosovës ka trajtuar çështjen e Ujmanit dhe deklaratat e presidentit serb.

    “Tash nuk ka nevojë as Albin Kurti, as ministri Sveçla të defilojnë në Ujman kinse e mbrojnë Kosovën. Kallxon rryma, guri e gruri sa e mbrojnë”, ka shkruar ajo.

    Imeri ka thënë se për këtë çështje duhet të flitet në Kuvendin e Kosovës, duke e lidhur reagimin e saj edhe me situatën politike dhe procesin e konstituimit të institucioneve.

    “Çështja është Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe nuk kryen punë as Vuçiqi në ngjallje paniku për me i dhanë shkak për trazira VV-së”, ka deklaruar ajo.

    Në fund, Imeri ka ngritur edhe një pyetje lidhur me pjesëmarrjen e kryeministrit në seancën e Kuvendit.

    “A del në Kuvend me u anku kryeministri në mashtrim e sipër, duke e ditur që mund të mos e përfundojë seancën vetëm si viktimë e gjuajtjes së vezëve?”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

  • Alarm në Kolumbi: Futbollisti zhduket pas tërmetit, klubi nuk di asgjë për të

    Alarm në Kolumbi: Futbollisti zhduket pas tërmetit, klubi nuk di asgjë për të

    Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë të shkallës Rihter, që goditi Kolumbinë të hënën, ka shkaktuar shqetësim të madh edhe në botën e futbollit.

    Një situatë veçanërisht dramatike vjen nga klubi i elitës kolumbiane Deportivo Pereira, ku trajneri Arturo Reyes ka konfirmuar se skuadra ka humbur kontaktin me një prej lojtarëve të saj pas tërmetit.

    Në një intervistë për televizionin kolumbian WIN Sports, Reyes bëri të ditur se, bazuar në informacionet që klubi ka marrë deri më tani, familjet e lojtarëve janë të sigurta. Megjithatë, për shkak të dëmtimeve të rënda të ndërtesave të banimit, shumë futbollistë dhe familjet e tyre nuk kanë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre.

    Megjithatë, shqetësimi më i madh për klubin aktualisht lidhet me situatën e 20-vjeçarit Miguel Palacios.

    Siç tregoi Reyes, Palacios u kthye në lagjen e tij pas përfundimit të stërvitjes, por që nga ai moment klubi nuk ka mundur të vendosë më kontakt me të.

    “Kemi një lojtar, Miguel Palacios, i cili u kthye në lagjen e tij pas stërvitjes dhe që atëherë nuk kemi marrë absolutisht asnjë lajm për të. Jemi të gjithë shumë të shqetësuar dhe po përpiqemi të zbulojmë se çfarë po ndodh”, deklaroi Reyes.

    Deportivo Pereira nisi menjëherë kërkimet për futbollistin, ndërsa disa prej shokëve të tij të skuadrës, të cilët nuk kishin udhëtuar me ekipin, u përpoqën të shkonin në vendbanimin e tij për ta gjetur.

    “Kemi dërguar disa njerëz që ndodhen në Pereira, përfshirë edhe lojtarë që nuk udhëtuan, për ta kërkuar në banesën e tij, por deri më tani nuk kemi mundur të vendosim kontakt me të”, shtoi trajneri, dukshëm i shqetësuar.

    Reyes bëri të ditur gjithashtu se e gjithë skuadra dëshiron të rikthehet në Pereira sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që futbollistët të jenë pranë familjeve të tyre, por edhe të ndihmojnë banorët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

    “Shpresojmë të arrijmë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mblidhemi të gjithë për të parë se si mund t’u jemi të dobishëm njerëzve dhe si mund t’i ndihmojmë”, përfundoi trajneri i Deportivos.

  • Mjetet prej silikoni nuk mjafton vetëm t’i lani: Ja si t’ua hiqni njollat dhe aromat

    Mjetet prej silikoni nuk mjafton vetëm t’i lani: Ja si t’ua hiqni njollat dhe aromat

    Domatja, hudhra dhe erëzat mund të lënë gjurmë të forta – disa metoda të thjeshta mund t’i pastrojnë shumë më mirë se larja e zakonshme

    Spatulat, lugët për përzierje dhe rrahëset prej silikoni pastrohen lehtë, ushqimi nuk ngjitet shumë në to dhe zakonisht kanë çmim të përballueshëm.

    Megjithatë, edhe ky material praktik kërkon mirëmbajtje të duhur. Me kalimin e kohës, në mjetet prej silikoni mund të shfaqen njolla të forta, sidomos nga domatja, karota apo erëzat, ndërsa aromat e pakëndshme mund të mbeten edhe pas larjes.

    Arsyeja është struktura e silikonit. Kur ekspozohet ndaj temperaturave të larta, materiali mund të përthithë më lehtë molekula të aromave dhe ngjyruesve të ushqimit, të cilat më pas mbeten në sipërfaqe dhe mund të jenë më të vështira për t’u larguar.

    Prandaj, një spatul me njolla salce domatesh apo një rrahëse që mban erën e hudhrës nuk duhet hedhur menjëherë. Disa metoda të thjeshta mund të ndihmojnë.

    Si t’ua hiqni aromat e pakëndshme?

    Nëse detergjenti dhe uji i ngrohtë nuk mjaftojnë, mund të përdorni uthull të bardhë.

    Zhytini mjetet prej silikoni në një përzierje me pjesë të barabarta uji dhe uthulle dhe lërini për disa orë. Uthulla mund të ndihmojë në neutralizimin e aromave të forta.

    Nëse aroma vazhdon, një metodë tjetër është ngrohja në furrë. Vendosini mjetet mbi një tepsi dhe ngrohini për 20–30 minuta në rreth 120 gradë Celsius.

    Para se ta përdorni këtë metodë, kontrolloni gjithmonë udhëzimet e prodhuesit për t’u siguruar se mjeti është i përshtatshëm për ekspozim në temperatura të tilla, transmeton Telegrafi.


    Si t’ua hiqni njollat?

    Njollat dhe aromat janë probleme të ndryshme, ndaj nuk largohen gjithmonë me të njëjtën metodë.

    Për njollat e forta, veçanërisht ato nga domatja dhe karota, mund të ndihmojë fërkimi i sipërfaqes me një sasi të vogël vaji bimor.

    Kjo metodë mund të japë rezultat te disa lloje njollash, por nuk është njësoj efektive në çdo rast.

    Pas trajtimit, mjeti duhet larë mirë me ujë të ngrohtë dhe detergjent.

    Si të parandaloni thithjen e aromave?

    Mënyra më e mirë për t’i mbajtur mjetet prej silikoni në gjendje të mirë është t’i lani menjëherë pas përdorimit, veçanërisht kur kanë qenë në kontakt me ushqime me aromë të fortë.

    Shumica e mjeteve prej silikoni mund të lahen edhe në enëlarëse. Nëse prodhuesi e lejon, zakonisht është më mirë të vendosen në raftin e sipërm.

    Duhet kontrolluar edhe gjendja e vetë materialit. Kur silikoni çahet, pritet ose dëmtohet, në të çarat e krijuara mund të mbeten mbetje ushqimore dhe pastrimi bëhet më i vështirë. Mjetet me dëmtime të mëdha është më mirë të zëvendësohen.

    Me pastrim të rregullt dhe disa metoda të thjeshta, mjetet e kuzhinës prej silikoni mund të zgjasin për vite dhe të mbeten pa njolla të forta e pa aroma të pakëndshme.

  • Me kallash në dasmë, katër persona arrestohen Malishevë

    Me kallash në dasmë, katër persona arrestohen Malishevë

    Katër persona janë arrestuar në Malishevë, pasi dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 9 gusht, ndërsa të dyshuarit, katër meshkuj kosovarë, janë arrestuar më 10 gusht.

    Gjatë intervenimit, Policia ka konfiskuar një pushkë të tipit AK-47, një pushkë gjysmëautomatike, një revole me gaz, katër fishekë dhe katër gëzhoja.

    Të dyshuarit janë intervistuar nga Policia, ndërsa me vendim të prokurorit rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

    Rasti po hetohet për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.