ATV

Author: K.B.

  • KEDS gjobitet me 25 mijë euro për dallavere me njëhsorët

    KEDS gjobitet me 25 mijë euro për dallavere me njëhsorët

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka gjobitur edhe me 25 mijë euro KEDS-in për shkak se janë hasur edhe pesë njehsorë të rrymës, me afat të skaduar të verifikimit.

    Pas ankesave të paraqitura nga konsumatorët për mospërputhje të orës te njehsorët elektrikë, më 31 mars të këtij viti është themeluar një komision nga MINT-i, ndërsa më 1 prill ka nisur verifikimi i njehsorëve. Gjoba e parë ndaj KEDS-it është shqiptuar më 14 prill në vlerë prej 6 mijë eurosh, ndërsa shuma totale nga gjithsej gjashtë gjoba të shqiptuara deri më tash qe 311 mijë euro, pa 25 mijë eurot për të cilat është njoftuar sot.

    Zyra e Rregullatorit për Energji pati paralajmëruar se konsumatorët që vërtetohet se janë dëmtuar nga devijimi i orës “do të kompensohen plotësisht”. ZRRE-ja pati njoftuar se për të përfituar kompensim, qytetarët duhet fillimisht të paraqesin ankesë në MINT, pastaj te KEDS-i e në rast se nuk pajtohen me përgjigjen e tyre, atëherë ankesën mund ta bëjnë edhe te ZRRE-ja.

    Në fillim të qershorit, KESCO nuk pati treguar se kur do të nisë procesi i kompensimit.

  • Lionel Messi sot i mbush 39 vjet

    Lionel Messi sot i mbush 39 vjet

    Për senzacionin e futbollit, Lionel Messit, dita e sotme është e veçantë.

    Ai feston ditëlindjen e tij të 39-të.

    Messi edhe më shumë arsye për të festuar për shkak të thyerjes së rekordit si golashënues më i mirë në Kampionate Botërore, me 18 gola.

    “The Goat”, aktualisht është në formë të jashtëzakonshme duke i dhënë shtytje të madhe Argjentinës në Kampionatin Botëror.

    Pikërisht në ditën e lindjes, fituesi i tetëfisht i “Topit të artë”, ka publikuar disa pamje duke u stërvitur në palestër.

    Lionel Messi, u lind më 24 qershor 1987 në Rosario.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by Leo Messi (@leomessi)

  • Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

    Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

    Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn dhe dokumentet e publikuara nga Kryeministri Rama, nëse ato janë autentike dhe cili ka qenë roli i Dritan Goxhajt si anëtar i luftëtarëve të UÇK-së.

    Sipas tij, dokumenti i publikuar nga Kryeministri Rama përsa i përket firmës është origjinale dhe i përket komandant Plakut, teksa thekson se Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës.

    “Po, duke njohur firmën e komandant Plakut, se komandant Plakun e ka njohur personalisht edhe komanda, por edhe familjen e tij e njoh personalisht dhe firma është e komandant Plakut, është origjinale. E Xheladin Gashit është origjinale firma.

    Firma është origjinale, përmbajtjen e letrës e kam lexuar, e kam parë, por firma është origjinale e komandant Plakut, i cili e ka nënshkruar në atë kohë në territorin apo në tokën e Shqipërisë. Unë Dritan Goxhajn e kam njohur vonë. Unë babanë e tij e kam njohur më herët.

    Dritan Goxhaj është mirë të dalë e të deklarojë se në cilën zonë operative ka qenë në luftë, në cilën brigadë ka qenë në luftë dhe çfarë ka vepruar në territorin e Kosovës apo të Shqipërisë që ka punuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Unë e njoh në respekt për këtë kështu, por për Dritan Goxhajn vetëm një gjë garantoj apo mund t’ju flas 100%, Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës. Kjo është e vërtetë.

    Tani, nuk ka dokumentacion, nuk ka certifikatë të veteranit, nuk ka letërnjoftim tek ne, nuk ka aplikacion të mundshëm dhe nuk ka kartelë të veteranit. Kjo është e vërtetë 1 milion për qind. Për këtë që flas, jap llogari unë, jap llogari para Zotit dhe para njeriut”, u shpreh ai.

  • Përparim Rama për kryetar të LDK-së? Kërçeli: Fenomen që meriton të hyjë në librat e politikës botërore

    Përparim Rama për kryetar të LDK-së? Kërçeli: Fenomen që meriton të hyjë në librat e politikës botërore

    Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVv), Ilir Kërçeli ka reaguar me tone ironike ndaj mundësisë që Përparim Rama të përfshihet në garën për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    Ai ka deklaruar se një situatë e tillë do të ishte “fenomen që do të hynte në librat e politikës botërore”, duke shtuar me ironi se kandidati për kryetar mund të mos jetë ende anëtar i partisë që synon ta udhëheqë.

    “Në zgjedhjet për kryetar, të gjithë anëtarët e LDK-së do të kenë të drejtë vote, përveç vetë kandidatit, sepse ende nuk është anëtar i partisë që synon ta udhëheqë”, ka thënë Kërçeli.

    Ai ka vënë në pikëpyetje arsyen pse LDK-ja do të duhej të mbështetej te figura jashtë saj, duke theksuar se partia ka mjaftueshëm kuadro të brendshëm me përvojë dhe traditë politike.

    “Por pyetja që shtrohet është: për çka i duhet LDK-së një personazh si Rama? A nuk i ka vet profesorët e saj, intelektualët e saj, politikanët veteranë dhe brezin e ri të politikanëve që për vite me radhë kanë mbajtur barrën e partisë? Nëse një parti me historinë, traditën dhe strukturën e LDK-së nuk arrin ta gjejë kryetarin brenda vetes, atëherë problemi nuk është te kandidati, por te vetë partia. Kjo vetëm sa e konfirmon atë që e kam thënë gjatë fushatës: LDK-ja nuk po drejtohet më nga anëtarët e saj, por po jepet me qira. Tashmë nuk po kërkohet as që qiramarrësi të jetë pjesë e shtëpisë; mjafton t’i pëlqejë çelësi. E në fund, mbetet vetëm një pyetje: a po zgjedh LDK-ja një kryetar për ta forcuar veten, apo po përgatitet të bëhet zyrtarisht patericë e PDK-së, tashmë edhe me letra?”, ka shkruar Kërçeli.

  • Porsche e bën të qartë: Nuk do të ketë kurrë një 911 plotësisht elektrike

    Porsche e bën të qartë: Nuk do të ketë kurrë një 911 plotësisht elektrike

    Porsche ka konfirmuar se modeli legjendar Porsche 911 nuk do të shndërrohet kurrë në një makinë plotësisht elektrike.

    Gjatë mbledhjes vjetore të aksionarëve, drejtori ekzekutiv Michael Leiters deklaroi se motori me djegie të brendshme do të mbetet pjesë e pandashme e 911, ndërsa teknologjia hibride do të jetë baza e zhvillimit të tij në të ardhmen.

    Sipas Leiters, sistemi hibrid nuk shihet si një zgjidhje e përkohshme, por si “vazhdimësi” për modelin 911.

    Ai theksoi se kompania do t’i qëndrojë këtij premtimi dhe se 911 do të jetë i vetmi model i Porsche që nuk do të ketë një version tërësisht elektrik.

    Ndërkohë, Porsche vazhdon të investojë paralelisht në tre lloje teknologjish: motorë me benzinë, sisteme hibride dhe automjete elektrike.

    Kompania po përgatit gjithashtu një SUV të ri me tri radhë ulësesh dhe po shqyrton zhvillimin e një hipermakine të re, ndërsa synon të reduktojë numrin e varianteve të disa modeleve në varësi të kërkesës së tregut.

  • Kryemadhi përplaset me Metën në gjyq: Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më

    Kryemadhi përplaset me Metën në gjyq: Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më

    Gjyqi për çështjen CEZ-DIA është shoqëruar me përplasje mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në sallën e GJKKO-së.

    Gjatë deklarimeve të tij, ish-presidenti shqiptar mohoi çdo ndërhyrje politike apo ndikim në çështjen për të cilën akuzohet, duke thënë se veprimet e ish-bashkëshortes së tij i di vetë ajo.

    Sipas Top Channel, Meta hodhi poshtë pretendimet për mesazhe apo komunikime me persona të përmendur në dosje, duke i cilësuar akuzat si shpifje dhe një histori të sajuar.

    “Nuk ekziston asnjë lloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi”.

    Në anën tjetër, Monika Kryemadhi u përgjigj: “Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”.

    “Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”.

  • Qëndrim Kryeziu me akuza ndaj Dritan Goxhajt: Ka qenë i përfshirë në rrëmbimin e një biznesmeni në Kosovë

    Qëndrim Kryeziu me akuza ndaj Dritan Goxhajt: Ka qenë i përfshirë në rrëmbimin e një biznesmeni në Kosovë

    Kandidati për deputet i PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka reaguar pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpërndau një video të tij me titullin: “Dje ‘Komandant’ me pagesë, po sot shërbëtor me çfarë?”.

    Në një deklaratë për Indeksonline, Kryeziu ka hedhur akuza të rënda ndaj Dritan Goxhajt, duke pretenduar se ai pas luftës ka qenë i përfshirë në rrëmbimin e një biznesmeni në Kosovë.

    “Dihet se çfarë ka bërë në lokalet e Ramiz Sadikut si bandit, kur ka kidnapuar njerëz. Do të presim edhe publikimin e raporteve të Policisë. Ai ka kidnapuar një biznesmen në vitin 2004”, ka deklaruar Kryeziu.

    Duke komentuar shpërndarjen e videos nga Edi Rama, Kryeziu tha se nuk ka çfarë të komentojë, duke shtuar se “i ka bërë një argat shqiptarësisë”.

    Ai gjithashtu pretendoi se Goxhaj, ndonëse kishte hyrë në radhët e UÇK-së, nuk kishte marrë pjesë në asnjë ditë luftimesh në front.

    “Ka ardhur në ushtri, por nuk ka marrë pjesë asnjë ditë në front. Ai i ka sjellë katër komando nga Shqipëria”, u shpreh Kryeziu.

    Më tej, ai paralajmëroi se në të ardhmen do të dalin informacione të tjera lidhur me këtë çështje.

    “Një person do të flasë për këtë çështje kur t’i vijë koha, pasi ka kontratë me CIA-n amerikane dhe NATO-n dhe nuk mund të flasë tani. Pas dy vitesh do t’ia nxjerr të palarat zotëri Goxhajt”, deklaroi ai.

    Kryeziu i bëri këto komente gjatë një deklarimi nga Hoteli Grand në Prishtinë, duke e quajtur Goxhajn edhe me nofkën “Tani i Prishtinës”.

    Shënim: Akuzat e paraqitura nga Qëndrim Kryeziu janë pretendime të tij dhe nuk janë konfirmuar nga institucione kompetente apo nga vetë Dritan Goxhaj.

  • Kadrijaj: Duhet marrëveshje politike që parasheh edhe zgjedhjen e presidentit

    Kadrijaj: Duhet marrëveshje politike që parasheh edhe zgjedhjen e presidentit

    Deputetja e zgjedhur e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të nisë takimet me partitë e tjera politike për arritjen e një marrëveshjeje, pasi tashmë dihet qartë ndarja e ulëseve në Kuvend.

    Në një përgjigje për RTV21, deputetja Kadrijaj tha se për të shmangur edhe një palë zgjedhje, Kurti duhet të jetë i gatshëm të arrijë një marrëveshje në të cilën parashihet edhe zgjedhja e presidentit të ri.

    “Duhet një marrëveshje politike në të cilën të përfshihet edhe çështja e presidentit, sepse nëse nuk arrihet një marrëveshje politike që siguron 80 vota për zgjedhjen e presidentit, vendi automatikisht shkon në zgjedhje. Kosova nuk e ka luksin të shkojë në zgjedhje, pasi brenda një viti kemi pasur tri palë zgjedhje. Zoti Kurti duhet të reflektojë, të ulet dhe të bashkëpunojë sinqerisht, t’i ftojë partitë e tjera politike dhe, ndoshta, të bëjë edhe koalicion me to. Duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje, por të formohen institucionet dhe të zgjidhet presidenti.”, tha Kadriaj.

  • Haradinaj: Pa marrëveshje opozitare, Kosova do të vazhdojë të jetojë në “epokën Kurti”

    Haradinaj: Pa marrëveshje opozitare, Kosova do të vazhdojë të jetojë në “epokën Kurti”

    Ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se opozita nuk ka arritur të krijojë një marrëveshje të përbashkët politike dhe një kandidat të përbashkët, duke vlerësuar se në këto rrethana vendi do të vazhdojë të udhëhiqet nga agjenda e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

    Haradinaj ka theksuar se vetëm një bashkim i opozitës me një kontratë të qartë politike dhe me një kandidat të përbashkët për president mund të ndryshojë situatën aktuale politike në vend.

    “Ne po jetojmë në epokën Kurti, që i vjen ai kur ka një, 40% ose mbi 40 deputetë, do ta zbaton agjendën e tij në Kosovë. Ndikimi jonë, ose ne do të mundshim me jetu jo vetëm në epokën e tij por edhe në epokën e të tjerëve, sikur të kishim një kontratë të përbashkët si opozitë. Pra, AAK dhe LDK, PDK, edhe një plan konkret, një kandidaturë konkrete”, tha ai.

    Sipas tij, mungesa e një alternative të organizuar opozitare po i jep mundësi Kurtit të vazhdojë me politikat e tij dhe ta çojë vendin sërish në zgjedhje.

    “Përderisa nuk kemi, një kontratë edhe s’kemi një ofertë, ne jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti dhe ai do ta zbaton atë që di më së miri, një lloj eksperimentimi me Kosovën e do të na dërgon në zgjedhje prapë. Pra kjo është ajo që e di edhe ajo që po ndodh. Nga përvoja ime politike e gjatë unë po e lexoj këtë”, tha ai.

    Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se opozita mund të bëhet faktor vendimtar nëse arrin marrëveshje të përbashkët.

    “Opozita mundet pra, me hy e me qenë faktor në marrjen e fatit të vendit në dorë, duke pasur një kontratë mes vete edhe një kandidaturë për president. Nëse dikush nga opozita e merr mbështetjen e opozitës, gjithsesi që do ta mbështesja, nëse do të isha i propozuar (për president) do ta shqyrtoja. Pra, nuk jam kandidat, nuk kam kushte, nuk kam kërkesë për askënd. Ne nuk bëhemi pjesë e qeverisjes ose vazhdimit të qeverisjes Kurti, se e kemi shpjeguar disa herë sa e dëmshme edhe sa humbje është për Kosovën. Po e thashë edhe një herë, përderisa VV nuk bie nën 40%, do të jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti, në eksperimentin Kurti. Mundemi me e pengu këtë, mundemi me e ndryshu vetëm nëse bëhemi bashkë opozita”, tha ai.

  • Franca konfirmon rastin e parë të Ebolës

    Franca konfirmon rastin e parë të Ebolës

    Franca ka konfirmuar rastin e saj të parë të virusit Ebola, pasi një mjek që ishte kthyer nga një mision humanitar në Kongo rezultoi i infektuar.

    Sipas autoriteteve shëndetësore franceze, mjeku u shtrua menjëherë në një qendër të specializuar për trajtimin e sëmundjeve infektive dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

    Rasti vjen në një kohë kur Kongo po përballet me një shpërthim të ri të virusit Ebola, i shpallur muajin e kaluar. Ekspertët e shëndetësisë besojnë se virusi ka qarkulluar për disa javë përpara se të identifikohej zyrtarisht.

    Sipas të dhënave më të fundit, mbi 260 persona kanë humbur jetën nga Ebola në vendin e Afrikës Qendrore, ndërsa numri i të infektuarve ka kaluar 1.000 raste.

    Autoritetet franceze kanë nisur procedurat e monitorimit dhe gjurmimit të kontakteve për të parandaluar përhapjen e mundshme të virusit, duke theksuar se rreziku për popullatën mbetet i ulët falë masave të rrepta të izolimit dhe kontrollit shëndetësor.