ATV

Author: K.B.

  • Besim Muzaqi emërohet drejtor i spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri

    Besim Muzaqi emërohet drejtor i spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka uruar Mrsc.Ph. Besim Muzaqin me rastin e emërimit të tij në pozitën e drejtorit të Spitalit “Sheikh Zayed”.

    Përmes një postimi publik, Idrizi i ka dëshiruar Muzaqit punë të mbarë dhe suksese në drejtimin e institucionit shëndetësor, duke vënë theksin në rëndësinë e ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët.

    Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit i ka shprehur drejtorit të ri gatishmërinë për bashkëpunim të plotë institucional, me synim përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e cilësisë së kujdesit për pacientët.

    “Urime dhe punë të mbarë!”, ka shkruar Idrizi në urimin e tij drejtuar drejtorit të ri të Spitalit “Sheikh Zayed”.

  • Protestat dhe mesazhet e përcjella nga PS – Zbulohet çfarë u diskutua mes Ramës dhe drejtuesve politikë

    Protestat dhe mesazhet e përcjella nga PS – Zbulohet çfarë u diskutua mes Ramës dhe drejtuesve politikë

    Në selinë e PS kryesocialisti Edi Rama u kërkoj drejtuesve politik në 12 qarqe dhe ministrave, të analizojnë me prioritet shqetësimet dhe rrugët e zgjidhjeve për problematikat e qytetarëve.

    Burime nga kjo mbledhje thanë për Top Channel, se i pasi shumicës socialiste ka thënë se “lufta hibride përmes rrjeteve online e cila vjen nga protesta, është njëra anë e medaljes ndërsa tjetra analizimi shqetësime të shprehura nga qytetarët përveç merakut të Flamingove”.

    Rama ka kërkuar prezencë të shtuar të deputetëve në terren për të adresuar shqetësimet e qytetarëve, pasi sipas tij kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit nuk mund të zëvendësohen vetëm me postimet online.

    Sikurse e ka vënë theksin tek mirëfunksionimi zyrave të deputetëve në çdo qytet.

    Duke marrë shkas edhe nga shqetësimet konstante të Erion Braces, se si sillen ministrat kur një deputet kërkon zgjidhje për probleme në territor, kjo ka qenë prej porosive të Edi Ramës.

    E ka vënë theksin tek nevoja e një koordinimi efikas e pa vonesa për shqetësimet që sjellin deputetët, deri tek zgjidhja e cila duhet të vijë nga çdo ministri.

    Nuk ka mbetur jashtë diskutimit edhe rëndësia e mesazh përcjelljes të deputetëve dhe ministrave përmes rrjeteve sociale gjë për të cilën Rama mësohet të ketë kërkuar një aktivitet të shtuar. /Tch/

  • Lidhja e Bizneseve: Kosova nuk duhet ta humbë mundësinë për t’u përfshirë në rrjetin rajonal të gazit natyror

    Lidhja e Bizneseve: Kosova nuk duhet ta humbë mundësinë për t’u përfshirë në rrjetin rajonal të gazit natyror

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka vlerësuar se sigurimi i qasjes në gazin e lëngshëm natyror – amerikan (LNG) dhe zhvillimi i infrastrukturës së nevojshme për të duhet të trajtohen si prioritete strategjike për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të vendit.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se Kosova vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentrale të stërvjetruara me linjit dhe import të energjisë, derisa bizneset dhe ekonomia përballen me pasiguri të vazhdueshme në furnizim dhe me kosto të larta.

    “Në një kohë kur vendet e rajonit po investojnë në linja të reja të gazit dhe po sigurojnë qasje në burime më të ndryshme energjetike, Kosova rrezikon të mbetet jashtë zhvillimeve që do të përcaktojnë konkurrueshmërinë ekonomike në vitet në vazhdim”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu në njoftim thuhet se për komunitetin e biznesit, çështja e energjisë nuk është më vetëm çështje furnizimi, por çështje mbijetese dhe konkurrence.

    “Ndikimin e kostove të energjisë te bizneset vendore e kemi parë pas daljes së qindra ndërmarrjeve në tregun e lirë të energjisë. Disa prej tyre tashmë po përballen me vështirësi serioze operimi, ndërsa ka biznese që po shqyrtojnë seriozisht zhvendosjen e fabrikave të tyre në vendet fqinje për shkak të pamundësisë për të përballuar kostot aktuale të energjisë”.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim: “Prandaj, qasja në gaz natyror do t’i jepte Kosovës një alternativë të rëndësishme për diversifikimin e burimeve energjetike, do të rriste sigurinë e furnizimit dhe do të krijonte kushte më të favorshme për zhvillimin e industrisë dhe prodhimit vendor. Njëkohësisht, investimet në këtë drejtim do të forconin edhe partneritetin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa konkretë për integrimin e vendit në rrjetin rajonal të gazit natyror dhe të punojë seriozisht për përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

    Institucionet duhet të kenë parasysh se bizneset janë shtylla kryesore e ekonomisë dhe kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit. Nëse kostot vazhdojnë të rriten, konkurrueshmëria bie, ekziston rreziku real që një pjesë e këtyre bizneseve të mos operojnë më në Kosovë. Prandaj, vendimet strategjike për energjinë nuk duhet të shtyhen. Ato janë vendime për të ardhmen ekonomike të vendit, për ruajtjen e vendeve të punës dhe për krijimin e kushteve që bizneset të investojnë e të rriten në Kosovë, e jo jashtë saj.

  • Mitrovica nis instalimin e kamerave të sigurisë publike

    Mitrovica nis instalimin e kamerave të sigurisë publike

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, bëri të ditur se ka nisur instalimi i kamerave të sigurisë publike.

    Ai, përmes një postimi në Facebook, tha se ky projekt ka nisur nga objekti i komunës, teksa shtoi se deri në fund të këtij viti, instalimi i kamerave do të vazhdojë në gjithë qytetin.

    “Paradoksalisht, Mitrovica, me nivel të lartë të rrezikshmërisë që ka pasur në të kaluarën, nuk ka kamera të sigurisë. Siguria e qytetarëve në radhë të parë”, shkroi Peci.

  • Krasniqi: 8 ose 9 deputetë të komuniteteve e votojnë qeverinë Kurti

    Krasniqi: 8 ose 9 deputetë të komuniteteve e votojnë qeverinë Kurti

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se 8 ose 9 deputetë të komuniteteve joshumicë janë të gatshëm ta mbështesin formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

    Pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Krasniqi ka thënë se grupi multietnik është i interesuar që sa më shpejt të formohen institucionet e reja të vendit në bashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve.

    “Grupi multietnik, i cili është i përbërë prej 8 ose 9 deputetëve, është i gatshëm edhe i interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve, të shkojnë dhe t’i formojnë institucionet e Republikës së Kosovës, kështu që kjo garanton një numër të mjaftueshëm për votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ai ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve ka prodhuar një situatë të ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara dhe se qytetarët presin që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja.

    Sipas Krasniqit, vendi ka nevojë për një qeveri të re, një kuvend funksional dhe zgjidhje të çështjes së zgjedhjes së presidentit.

    “Qytetari ka folur dhe partitë politike tash duhet të reflektojnë edhe në raport me fjalën e qytetarit”, ka thënë ai.

    Lëvizja Vetëvendosje, sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, do t’i ketë 53 deputetë. Për ta formuar qeverinë duhen 61 vota.

  • Qeveria në detyrë ndan 200 mijë euro për blerjen e një gjeneratori për Burgun e Sigurisë së Lartë

    Qeveria në detyrë ndan 200 mijë euro për blerjen e një gjeneratori për Burgun e Sigurisë së Lartë

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka ndarë 200 mijë euro për blerjen e një gjeneratori të ri për Burgun e Sigurisë së Lartë.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky investim synon të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike.

    Kurti për 200 mijë eurot për gjeneratorin: Investimi synon funksionim të qëndrueshëm të sistemeve të sigurisë

    “Shqyrtimi i kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore për financimin e furnizimit dhe instalimit të një gjeneratori në Burgun e Sigurisë së Lartë. Ministria e Financave paraqet kërkesën për ndarjen e 200 mijë eurove. Investimi synon të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të infrastrukturës dhe sistemeve të sigurisë në këtë institucion korrektues”, tha Kurti, raporton KosovaPress.

    Ndërsa, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se mjetet do të merren nga Programi i Shpenzimeve të Paparashikuara, pra te rezervat.

    Murati tha se 200 mijë eurot për gjenerator do të merren nga rezervat.

    “Mjetet në vlerë prej 200 mijë euro merren nga Programi i Shpenzimeve të Paparashikuara, pra te rezerva dhe ndahen në Ministrinë e Drejtësisë në kuadër të projektit kapital ‘shpenzimet emergjente’”, tha Murati.

  • Prishtina bashkon artistët shqiptarë në koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina”

    Prishtina bashkon artistët shqiptarë në koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina”

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur në takim organizatorët dhe artistët pjesëmarrës në gala koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina”, i cili organizohet sonte nën patronatin e Kryeqytetit në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës. Me këtë rast, këngëtarëve të ardhur iu ndanë edhe mirënjohje në shenjë nderimi dhe vlerësimi për kontributin e tyre artistik.

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se artistët kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e jetës kulturore të Prishtinës.

    “Është një kënaqësi e veçantë që jemi sot këtu me artistë të mrekullueshëm të trojeve shqiptare, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Prishtina është qyteti që gjithmonë na bën bashkë dhe gjithmonë mendon përtej. Është qyteti ku secili prej nesh punon për ta zhvilluar dhe për ta transformuar vendin tonë.

    Në këtë rrugëtim, artistët kanë një rol jetik. Këtu dua të falënderoj nga zemra posaçërisht Jehonën, si dhe të gjithë artistët që janë bërë bashkë me ne sot këtu, të cilët me dijen dhe përvojën e tyre u bashkuan për të organizuar diçka të mrekullueshme dhe shumë të bukur për kryeqytetin. Për këtë, jemi sinqerisht mirënjohës”, deklaroi Rama.

    “Si kryeqytet, jemi të lumtur që sonte po organizojmë këtë koncert nën patronazhin tonë — pra, nën patronazhin e kryeqytetit. Ju urojmë një mirëseardhje të veçantë artistëve që kanë ardhur posaçërisht nga Shqipëria. Faleminderit shumë që keni ardhur dhe që jeni këtu!

    Po ashtu, jemi bërë bashkë për t’i dhënë edhe një shënim datës së çlirimit të kryeqytetit. Të gjitha këto koncerte dhe organizime të kulturës janë pjesë e shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ditës më të rëndësishme të kryeqytetit tonë. Ne jemi këtu për t’i përkrahur dhe për t’ua zgjatur dorën secilit që dëshiron ta zhvillojë, ta krijojë dhe ta ngrejë vlerën e kryeqytetit. Kështu ka qenë dhe kështu do të vazhdojë të jetë gjithmonë, sepse qytetarët e kryeqytetit me të vërtetë e meritojnë këtë zhvillim, këtë pozitivitet dhe art me shumë dashuri“, tha Rama.

    Në emër të organizatorëve, këngëtarja Jehona Sopi falënderoi institucionet dhe të gjithë kontribuuesit për mbështetjen në realizimin e këtij projekti të madh kulturor.

    Jemi munduar maksimalisht të bëjmë diçka të bukur. Sigurisht, pa përkrahjen e juaj nuk e kishim bërë. Edhe pa përkrahjen e bizneseve, sepse është një produksion shumë i madh edhe një produksion që ka kosto të jashtëzakonshme. Po me një vullnet të madh, unë të gjithë i quaj në këtë iniciativë kontribues: si qytetarë, si njerëzit që angazhohen, si ata që suportojnë, janë të gjithë kontribues për vendin. Kështu që ne të gjithë kemi shumë dashni me dhënë për Prishtinën, edhe sigurisht që do të japim bashkërisht. Unë jam shumë e lumtur që interesimi për sonte, që të jenë të pranishëm, është jashtëzakonisht i madh, po nuk kemi ulëse për të gjithë. Kështu që i ftojmë qytetarët që nuk është keq edhe në këmbë me ndejt. Edhe me vallëzu patjetër! Janë diku 2000 ulëse, po nuk kemi më shumë. Kështu që edhe në këmbë, meqë ky koncert do të jetë fantastik“, tha ajo.

    Në gala koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina” do të performojnë artistët: Adhurim Grezda, Alban Nimani, Alma Bektashi, Aurela Gaçe, Dren Abazi, Elina Duni, Jehona Sopi, Sihana Badivuku, Edon Ramadani, Drini Zeqo, Vesa Luma dhe Kori Okarina./EO/

  • Eksportet e Kosovës rriten me 15.7 për qind, por deficiti tregtar arrin në 544 milionë euro

    Eksportet e Kosovës rriten me 15.7 për qind, por deficiti tregtar arrin në 544 milionë euro

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin Maj 2026.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se eksporti në muajin maj 2026 mbulon importin me 14,7 për qind.

    “Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një rritje të deficitit tregtar prej 4,0 për qind në muajin maj 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 544,4 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 523,4 milion Euro në vitin 2025. Eksporti mbulon importin me 14,7 për qind”, thuhet në njoftim.

    Tutje siç thuhet në njoftim eksporti i mallrave në muajin maj 2026 kishte vlerën 94,1 milion euro, ndërsa importi 638,6 milion euro, që është një rritje prej 15,7 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 5,6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

    Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,5 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,1 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,7 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8,9 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 8,0 për qind e përbëjnë produktet minerale; etj.

    Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,2 për qind e përbëjnë produktet minerale, 12,6 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,0 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,7 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 10,8 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.

    Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

    Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 30,8 milion Euro, ose rreth 32,7 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6,3 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9,9 për qind), Italia (4,9), Holanda (2,7 për qind), etj.

    Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 301,3 milion Euro, ose 47,2 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13,7 për qind . Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (13,1për qind), Italia (8,8 për qind), Polonia (4,1për qind ), etj.

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 43,1 milion Euro, ose 45,7 % të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 24,6 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (16,4%), Shqipëria (14,8%), Mali i Zi (6,6 për qind), Serbia (6,4 për qind), etj. Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 85,3 milion Euro, ose 13,4 % të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22,5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,9%), Shqipëria (4,1%), Serbia (3,2%).

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 20,3 milion Euro, ose 21,6 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,6%) dhe Turqia (4,5%).

    Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 252,0 milion Euro, ose 39,5 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (12,2%) dhe Turqia (13,9%).

    Për më shumë informata, lidhur me Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin maj 2026, vizitoni: https://ask.rks-gov.net/Themes/ForeignTrade

  • Anton Quni reagon pas furtunës së fundit në parti: Jam për bashkëpunim të Lumirit, Gazit e Imriut, të pajtohemi

    Anton Quni reagon pas furtunës së fundit në parti: Jam për bashkëpunim të Lumirit, Gazit e Imriut, të pajtohemi

    Ish-deputeti i LDK’së, Anton Quni, ka reaguar pas përplasjeve të fundit në parti. Quni ka thënë se nuk është koha për t’u larguar me njëri-tjetrin dhe sipas tij duhet pajtim.

    ​“Është koha e afrimit të njëri-tjetrit dhe jo e largimit. Secili prej nesh ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe vend të pacenueshëm në këtë strukturë, prandaj asnjë dallim nuk guxon të jetë më i madh se qëllimi ynë i përbashkët”, ka shkruar Quni.

  • Endrit Thaçi takohet me Ramën: Faleminderit që qëndruat në anën e së vërtetës kur të tjerët heshtën

    Endrit Thaçi takohet me Ramën: Faleminderit që qëndruat në anën e së vërtetës kur të tjerët heshtën

    Djali i ish-presidentit të Kosovës, Endrit Thaçi, është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilin e ka falënderuar për qëndrimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Ai theksoi faktin që Rama ishte ndër më të zëshmit sa i përket mbrojtjes së luftës së UÇK-së dhe të vërtetës në Hagë.

    “Një takim i veçantë me Kryeministrin e shqiptarëve, Edi Ramën, i cili është ndër më të zëshmit në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe të vërtetës sonë në Hagë”, ka shkruar djali i ish-presidentit Thaçi.

    Tutje, Endriti e ka falënderuar kryeministrin Rama, që siç tha ai, ka qëndruar në anën e të vërtetës kur të tjerët heshtën.

    “Kryeministër, faleminderit që qëndruat në anën e së vërtetës kur shumë të tjerë zgjodhën heshtjen!”, ka shkruar tutje Endrit Thaçi.